Shkollimi rrit jetëgjatësinë

Përfundimi i shkollimit primar dhe studimi në universitet mund të shtojë vite në jetën tuaj, ka treguar një hulumtim i ri.

Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 5,000 njerëzve amerikanë dhe zbuluan se ata që vazhdojnë ngritjet akademike priren të jetonin më gjatë.

Çdo kualifikim – siç është diploma apo përfundimi i studimeve master – shton rreth një vit dhe katër muaj në jetën e një personi.

Ekipi gjithashtu theksoi që raca dhe paratë nuk dëshmojnë se janë indikatorë të jetëgjatësisë, siç janë kualifikimet.

Sa vjet jeton një person lidhet me një listë të gjatë faktorësh, përfshirë vendin ku jeton, përkatësinë etnike dhe mundësitë e punësimit.

Studimi u realizua nën udhëheqjen e Shkollës së Mjekësisë Yale dhe Universitetit Alabama-Birmingham. /KultPlus.com

UNICEF: Në Kosovë rreth 38.000 fëmijë më aftësi të kufizuar nuk e vijojnë shkollimin

Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) vlerëson se rreth 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë, nuk do të vijojnë mësimin më 1 shtator.

Nga gjithsej, 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, sa vlerësohet të jenë në Kosovë, vetëm 5.300 prej tyre vijojnë mësimet në shkollat e rregullta, thotë organizata.

“Meqenëse arsimi ndërlidhet ngushtë me vende më të mira pune, jetë të shëndetshme, siguri sociale dhe ekonomike dhe mundësi për pjesëmarrje të plotë në shoqëri, ne e dimë që fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilëve iu mohohet e drejta për arsim, kanë gjasa të përjashtohen edhe nga shoqëria”, thuhet në një komunikatë të UNICEF-it.

Organizata thotë se “pavarësisht ndërtimit të vazhdueshëm të objekteve shkollore që janë të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, një grup i konsiderueshëm i objekteve të vjetra pa tualete të duhura, me laboratorë në katin e dytë dhe pa pjerrina, mbeten pengesë për realizimin e të drejtës për arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara”.

Shefi i Zyrës së UNICEF në Prishtinë, Murat Sahin, i ftoi institucionet e Kosovës që të ndajnë burime të mjaftueshme për punësimin dhe trajnimin e më shumë mësimdhënësve dhe asistentëve, duke ofruar mbështetje shtesë për pajisje dhe hapësira të specializuara dhe përfundimisht duke lehtësuar hyrjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës.

UNICEF-i ka zhvilluar një anketim me më shumë se 5.000 të rinjë nga e gjithë Kosova mbi perceptimin e tyre për bërjen e arsimit të qasshëm dhe gjithëpërfshirës për fëmijët.

“59 përqind e të rinjve u përgjigjen se: shoqëria në Kosovë përgjithësisht nuk është gjithëpërfshirëse. Po ashtu, 39 përqind e të rinjve identifikuan mentalitetin përjashtues të shoqërisë si barriera më e madhe për gjithëpërfshirjen”, thuhet në komunikatën e UNICEF-it. / KultPlus.com