Adem Gashi: As në skaje të imagjinatës nuk më përftonte ideja se një ditë do të isha laureat i çmimit “Azem Shkreli”

Shkruan: Adem Gashi

Fjala ime me rastin e pranimit të Çmimit kombëtar letrar “Azem Shkreli”

I respektuari, Z. Ministër Çeku,

Të çmuar anëtarë të Jurisë,

Të nderuar të pranishëm,

E dashur Grua,

Jam hamendur shumë nëse duhej të flisja sot, prirë nga bindja se kur njeriu vlerësohet me çmimin më të lartë të karrierës letrare, pikërisht për mjeshtërinë e fjalëve, ç’u dashka të thotë tjetër?

E megjithatë, Z. Ministër, ja që paska diçka që ju me fjalorin e administratës e quani protokoll dhe ne shkrimtarët, me fjalësin poetik i themi ritual dhe unë e respektoj.

Kam tri gjëra që nuk dua t’i mbaj ujem.

E para: Pikërisht në këtë ministri, në legjislaturën e parë pas lufte, kam qenë këshilltar i parë politik. Atëbotë kam hedhur dy projekt-ide që erdhën dhe u bënë program: Çmimin nacional për karrierë letrare dhe subvencionimin e dorëshkrimeve të autorëve. Programe që gjëllijnë edhe sot, veçse të zgjeruara e të begatuar në formë e përmbajte. Sigurisht që atëherë as në skaje të imagjinatës nuk më përftonte ideja se një ditë do të isha edhe unë laureat.

E dyta: I përkas gjeneratës së demonstratave të gjashtëdhjetetetës. Formimi im letrar i detyrohet shkollës letrare të Normales së Prishtinës që ishte bija gjenetike e Normales famëmadhe të Elbasanit, me drejtorin e parë Luigj Gurakuqin. Aty gjeta grupin letrar “Migjeni” që drejtohej nga Rushit Ramabaja. Një vit më vonë e mori kryesimin, tashti i ndjeri, Arif Demolli. Pastaj, për tri vjet, e drejtova unë (sigurisht duket të kem qenë më karrierist se dy të parët)! Po përse i zura ngoje këta emra dhe këto fakte? Që t’jua kujtoj se kjo shkollë letrare, si asnjë tjetër, dha tre laureatë të çmimit “Azem Shkreli”.

E treta: Ka vite që më ka bezdisur formulimi “Juri profesionale”. Ç’është kjo juria profesionale? Lexoja sesi çdo manifestim a konkurs letrar shkolle, mëhalle a qyteti bënte “juri profesionale”. Kur shihja përbërjen më dilet një arsimtar BAT-i, një tjetër i lëndës së Amvisërisë a ku di unë. Ata edhe mund të ishin shumë të mirë për lëndët e tyre, po nuk gjeje një pikëtakim me letërsinë.

Ju, Z. Ministër më bëtë të bëj një vetëqortim. Dëshmuat se kur do dhe di njeriu edhe mund të bëjë një juri me përgjegjësi, dije dhe kulturë profesionale. Dhe prova u dha. Pothuajse të gjitha vendimet u morën më vota unanime dhe, për herë të parë, nuk pati “ndarje” çmimesh, por “dhënie” çmimesh. Një çmim letrar mund të ndahet vetëm në një rrethanë, kur ka në konkurrencë një libër me bashkautorësi.

Tashti dikush mund të më pyes: do të thosha kështu për këtë juri edhe po të mos ma jepte çmimin? Ju them me sinqeritet, një vendim i tillë nuk do të më pëlqente hiç, po bindjen për kalibrin e saj nuk do ta kontestoja në asnjë rrethanë.

Tashti dua t’ju kujtoj diçka historiku letrar. Kur shkrimtarit gjerman Heinrich Bell i dhanë kumtin për çmimin Nobel ai bëri një pyetje habitore: Vetë mua, jo edhe Gynter Grasit? Vite më vonë kur Grasi e mori këtë çmim, po me habitore pyeti: Vetëm unë, jo edhe Krista Volf?

Nga ç’kam marrë vesh në listën për çmim karriere ishin edhe dy miq të mi të letrave: Zejnullah Rrahmani dhe Anton Nikë Berisha. Është bindja ime personale, të dy, po ashtu, meritorë për këtë çmim.

U mërzitët?

Po e mbyll këtë fjalë me një refleks komik: Doni më për Belulin?

Ju faleminderit!

28.02.2022 / KultPlus.com