Dritëhijet e periudhës së komunizmit në muzeun “Shtëpia me Gjethe”

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe në 5 vite rezulton i vizituar nga 72 mijë persona. Çelo Hoxha thotë se Dritëhijet e periudhës së komunizmit duhet të jenë të pasqyruara në tekstet shkollore.

Muzetë janë një formë e rrëfimit të historisë

Referuar statistikave në këtë 5-vjecar, muzeu është parë nga afër nga 72 mijë vizitorë. Drejtorja e muzeut Etleva Demollari thotë se ka pasur një interes thuajse të balancuar mes të huajve dhe shqiptarëve.

“41 mijë vizitorë janë të huaj dhe 31 mijë janë shqiptarë. Nëse flasim me përqindje 57 janë të huaj 43 shqiptar. Ka një balancë thuajse mes të huajve dhe shqiptarëve.”

Historiani dhe drejtori i Institutit të Krimeve e Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha thotë se muzeu është i domosdoshëm për të dhënë një informacion të përgjithshëm. Njohja e brezit të ri me këtë periudhë është domosdoshmëri, ndaj Hoxha kërkon që kurrikulat shkollore të pasurohen  me informacion mbi krimet e komunizmit.

“Duhet të ngrihet e gjithë struktura informuese.  Edhe ky muzeu funksionon si të gjitha muzetë, njerëzit e vizitojnë marrin një mesazh. Këtu është një fragment i kësaj periudhe, pasi këtu nuk është historia e plotë e komunizmit. Shqetësuese është historia që përcjellim ne te brezi i ri, për komunizmin është e mangët, mungojnë informacione për krimet e pasojat e komunizmit.”

Por a ka ardhur koha që muzeu të pasurohet me informacione të tjera, pasi deklasifikimi i dosjeve, bën që të zbardhen dosje të kësaj periudhe?

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në vitin 2020 u nderua edhe me çmimin “Muzeu i Këshillit Evropian 2020″ mes 60 muzeve. /abcnews.al/ KultPlus.com

Përkujtohet poeti Vehbi Demir Skënderi, u përndoq nga diktatura

Vehbi Demir Skënderi, poeti që u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve, u përndoq dhe internua nga diktatura, u përkujtua sot nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” i cili publikoi profilin e një nga shkrimtarëve të spikatur të kohës së komunizmit.

Vehbi Demir Skënderi lindi në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939 ndërsa studimet fetare i kreu në Medresenë e Lartë në Tiranë. Në vitin 1944 u pranua në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Kreu fillimisht shkollën e mesme profesionale në degën rusisht e në vitet 1956-1961 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë me rezultate shumë të mira. Veprimtarinë si gazetar do ta fillonte në gazetën “Arma e Mbrojtjes”.

Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1953 botoi librin e parë poetik, “Këngët e para”. Ka botuar librat poetike “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vdekja e Ofelise” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- “Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Nxitoj” (1987), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra, Shqipëria ime” (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skenderi mori Çmimin e Republikës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh, ai përgatiti një pamflet dhe e dorëzoi për botim në Zërin e Popullit.

Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë. Pamfleti nuk u botua nga “Zëri i Popullit”, i cili ia dorëzoi dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të u mor Byroja Politike.

Në Komitetin Qëndror, gjatë seancave të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari anti-parti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e diktaturës dhe nacionalist meqë kishte deklaruar se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, u dërgua në Vaun e Dejës i dënuar me punë korrektuese. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretarit të Parë të Tiranës, sajon të tjera raprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.

Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anulohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anulohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik. Del në pension ne vitin 1987 teksa kryente funksionin e korektorit në repartin e dispensave ne Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996, Vehbi Skënderi jetoi në Zvicër ku ndërroi jetë në 13 qershor 2011. / KultPlus.com

“Shtëpia me Gjethe” përkujton martirin Imzot Jul Bonatin

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtojmë sot martirin e krishterë, Imzot Jul Bonatin i burgosur nga diktatura komuniste.

Jul Bonati lindi në Shkodër më 24 maj 1874. Imzot Jul Bonati studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Vjenë, Austri dhe në Padova, Itali. Më 1912 dorëzohet prift dhe vendoset në Stamboll për ti shërbyer katolikëve shqiptarë që ndodheshin atje. Shërbeu 16 vjet në Stamboll, ku mori pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare. Nga viti 1920 deri në vitin 1924 ishte anëtar i Klubit “Pragu shqiptar”.

Në vitet 1942 -1946 jetoi në Itali ku vazhdoi punën shkencore e letrare deri në fund të vitit 1945 kur u kthye në Shqipëri. Më 1946, në moshën 72 vjeç arrestohet dhe me vendimin nr. 429 datë 31.10.1947 të Gjykatës Ushtarake u deklarua fajtor duke u akuzuar si agjent i Vatikanit dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie në qytetin e Elbasanit.

Gjatë viteve të vuajtjes do ta mbyllnin dhe në çmendinë. Vdiq i masakruar në spitalin e burgut në Durrës, më 5 nëntor 1951. Në 5 nëntor 2016, 65 vjet nga dita e vdekjes së tij u shpall i lumë së bashku me 37 martirë të tjerë. / atsh / KultPlus.com