Hapë dyert shtëpia e Gjergj Fishtës

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Shtëpia e rinovuar u përurua ditën e sotme gjatë një vizite të Kryeministrit Rama.

Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë. Për hërë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008, por asnjëherë në të nuk ishte vënë dorë, duke bërë që ajo të degradonte deri në pikën që të rrezikonte shkatërrimin e plotë.Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës.

Rindërtimi i shtëpisë ku Fishta kaloi fëmijërinë e tij është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij. Midis ndërhyrjeve të studiuara është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë. Një fond i posaçëm pritet t’i dedikohet restaurimit dhe pasurimit të bibliotekës brenda Kuvendit dedikuar figurës së Fishtës.

Një tjetër gjurmë fishtiane është Kuvendi i Troshanit, i inauguruar në vitin 1882, vendi ku Ati kthye në vendlindje si mësimdhënës. Brenda Kuvendi të Troshanit, i shpallur monument kulture shumë vonë, vetëm në vitin 2017, mendohet të krijohet një kënd unik dedikuar Fishtës. Një tjetër propozim i përket restaurimit dhe muzealizimit të selisë së shoqërisë “Bashkimi”, që bashkoi së bashku me Fishtën edhe personalitete të shkëlqyera si Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, Atë Ambroz Marlaska, Franc Baron Nopça, etj.

Në shoqërinë “Bashkimi”, Fishta mori pjesë aktivisht në të gjithë botimet e shoqërisë, duke nisur nga Abetarja, librat e këndimit dhe deri tek përpilimi i një fjalori të vyer të gjuhës shqipe. Shndërrimi në muze i kësaj godine, aktualisht gjysmë të rrënuar, në lagjen Sarreq të Shkodrës do t’i shtonte pas Marubit një tjetër muzeum me shumë vlera Shkodrës.

Të tjerë objekte ku mendohet të ndërhyhet për t’u përkujtuar jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës janë Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes. Ekziston gjithashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri dedikuar Fishtës edhe në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, në Maqedoni dhe ku Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin.

Paralelisht, Ministria e Kulturës ka parashtruar edhe disa propozime të tjera, si ai për ngritjen e një faqe dixhitale që të përkujtojë jetën dhe krijimtarinë e At Gjergj Fishtës, nritja e një memoriali të bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Tiranë, ku të citohen fjalët e Papa Françeskut në vizitën e tij në Shqipëri, kur tha se: “Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare” dhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë, krahas autorëve të tjerë të famshëm si Gëte. Fshati Fishtë është gjithashtu një ndër përfituesit e programit të “100 fshatrave” turistikë. Këto do të ishin të paplota, nëse edhe fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një ndërhyrje të plotë dhe të gjithëanshme, si pjesë e projektit të “100 fshatrave”. / Koha Jone/ KultPlus.com

Besiana Kadare dhe ambasadorja Kim vizitojnë shtëpinë-muze të familjes në Gjirokastër

Besiana Kadare, zëvendëpresidente e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka vizituar shtëpinë e lindjes në Gjirokastër e shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare e njoftoi vetë vizitën në Gjirokastër, duke theksuar përshtypjet nga kjo vizitë.

“Udhëtim interesant në shiritin e kujtesës ndërsa vizitoja për herë të parë aprtamentin ku u rrita gjatë Shqipërisë komuniste, tani i kthyer në një muze Shtëpia Kadare”, tha Besiana Kadare.

Po ashtu, Kadare shtoi se “Jam e gëzuar për të ndarë përvojën me shoqen dhe kolegen time ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim për të rrëfyer këtë pjesë të së kaluarës sonë” /atsh/ KultPlus.com

Restaurohet shtëpia muze “Avni Rustemi”

Punimet për restaurimin e shtëpisë muze “Avni Rustemi” në bashkinë Libohovë kanë hyrë në fazën përfundimtare.

Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit të qarkut dhe kryetari i bashkisë Libohovë inspektoi nga afër punimet që po kryen në shtëpinë muze “Avni Rustemi” në bashkinë Libohovë, në zbatim të projektit “CULTURAL LANDS”.

“Kjo banesë është një vlerë e shtuar për bashkinë Libohovë. Punimet restauruese kanë si qëllim rijetësimin e saj, për të pritur vizitorë vendas dhe të huaj”, tha prefekti Aliaj.

Prefekti tha se “restaurimi i kësaj banese përveç simbolikës është një apel për pushtetin vendor në mënyrë që investimet në vazhdim për këtë objekt dhe për objekte të tjera duhet të jenë prioritare, si një stimul jo vetëm për evokimin e kulturës, traditave dhe historisë sonë, por edhe për zhvillimin ekonomik të rajonit”.

Restaurimi po bëhet i mundur nga një financim prej 4 milionë lekë i akorduar nga Bashkimi Europian, ndërsa implementimi i projektit zbatohet nga Prefektura e Gjirokastrës.

Pas viteve ’90 godina, e cila kishte shërbyer si muze u rrënua. Restaurimi saj synon jo vetëm rikthimin e vlerave historike të shtëpisë muze, por edhe shndërrimin e godinës në një qendër të turizmit në zonën e Libohovës./KultPlus.com

Shtëpia muze e Ismail Kadaresë pushton gazetën “Le Monde”

Ndonëse ka vetëm pak muaj që është hapur, muzeu më i ri në Tiranë, shtëpia e Ismail Kadaresë ka tërhequr menjëherë vëmendjen e turistëve të huaj dhe të mediave botërore.

Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë apartamentit të shkrimtarit të njohur shqiptar i kthyer tashmë në muze, i arreduar sipas stilit tipik të viteve 1960, ku ai jetoi dhe shkroi përgjatë orëve më të këqija të regjimit komunist (1944-1991).

“Ai nuk figuron ende në kartëmonedhat shqiptare (lek), por ai mishëron në vetvete kulturën e vendit të tij të vogël. Në Shqipëri, ku ai kalon gjysmën e vitit, Ismail Kadare është shkolluar dhe njihet nga gjithë, që nga shoferi i taksisë deri tek kamarieri i restorantit. Në pjesën tjetër të kohës, ai jeton pranë kopshtit të Luksemburgut, në Paris, ku erdhi në vitin 1990 dhe ku mori azilin politik në Francë. Tashmë, në moshën 83 vjeçare, për shkrimtarin është një ngjarje për t’u shënuar çdo rikthim i tij në Tiranë. Në maj, u inaugurua shtëpia – muze “Kadare”. Bëhet fjalë për një apartament të arreduar sipas stilit tipik të viteve 1960, ku ai jetoi dhe shkroi përgjatë orëve më të këqija të regjimit komunist (1944-1991). Një shtëpi me dy dyer nga jashtë – njëra për të hyrë, tjetra për të ikur … (nuk është asnjëherë i tepërt përkujdesi në diktaturë) – e cila sapo është hapur për publikun”, shkruan “Le Monde” .

Prestigjiozja franceze i bën një përshkrim fantastik shtëpisë muze të Ismail Kadaresë e cila është rikonstruktuar tërësisht nga Bashkia e Tiranës, me qëllim hapjen e saj për dashamirësit e letërsisë shqiptare, por edhe për vizitorët e shumtë të huaj që vizitojnë kryeqytetin shqiptar.

“Vizitojmë zyrën e Ismail Kadare, muret e së cilës janë lyer me ngjyrë jeshile. Atje mund të vëmë re një oxhak, në cepin e të cilit ai ulej çdo mëngjes për të punuar, i shoqëruar veçse nga shkëndijat e zjarrit në vatër. Po ashtu shohim makinën e shkrimit Hermes Baby, mbi të cilën u shtypën romanet e tij të mëdha për atë kohë, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave” … (1973, 1980, 1981, të gjitha librat e tij gjenden tek Fayard, që ka publikuar veprat e tij të plota në dymbëdhjetë vëllime, midis 1993 dhe 2004). Në bibliotekë, puna e tij e konsiderueshme, e përkthyer në më tepër se 40 gjuhë dëshmon pasionet e qëndrueshme, legjendat ballkanike në Antikitetin grek, gjë e cila i shërbeu shumë për t’iu kundërvënë diktaturës, nga disa vepra të Jean –Pierre Vernant apo Pierre Vidal Naquet tek veprat e Uilliam Shekspir apo të Balzak e deri tek klasikët ruse”, shkruan Florence Noiville, gazetari i “Le Monde”/RTSH/ KultPlus.com

Në Shtëpinë Muze ‘Kadare’, nga telefoni i kuq, te dorëshkrimet e ‘Gjeneralit’

Telefoni i kuq mbi komo është ende i lidhur me një tel të zi të dalë nga muret. Dera përbri tij, të çon në dhomën e fëmijëve dhe sfungjerët që shërbejnë si mbushës i hapësirës mes murit dhe drurit, janë të dalë dukshëm.

Jemi në Shtëpinë-Studio Kadare që shënjon muzeun më të ri në kryeqytet e ku mund të takojmë gjurmët e lëna nga shkrimtari Ismail Kadare në vitet që jetoi në të, shkruan Fatmira Nikolli në “Gazetën Shqiptare”.

Një koleksion llullash është vendosur në atë që ishte biblioteka e tij personale në dhomën me oxhak. Janë në të librat në gjuhë të huaja, dhe ka qenë për shkrimtarin zona më personale. Nuk i afrohesh dot oxhakut, as llullave, sepse punonjësja e re, nuk të lejon të kalosh matanë vijës së verdhë ku shkruhet në dy gjuhë urdhri ndalues.

Dhomat ku jetoi tashmë janë të hapura, dhoma e gjumit të çiftit është bërë dhomë për studentët që duan të bëjnë kërkime, dhoma e gjumit të fëmijëve është kthyer në dhomën e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku gjenden gjithë letërkëmbimet e shkrimtarit në atë kohë deri në realizmin e filmit, lejet e marra, letrat për artistët që do bëheshin pjesë e filmit, letrat që tregojnë ftesat që iu bënë në Francë për takimin me kineastët e huaj.

Një dhomë që dikur ka shërbyer si kuzhinë, është dhoma e filmave që kanë autorësinë e tij dhe të bashkëshortes në skenar. Dhoma e madhe lidhet me një derë xhami me studion e bibliotekën e tij. “Letra e murit mungonte atëherë në Shqipëri, ndaj ai e ka sjellë nga Franca”, thotë shoqëruesja. Nuk janë vetëm dorëshkrimet e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” që janë gjetur në atë shtëpi nga grupi i arkitektëve që u mor me të, nuk është vetëm makina e shkrimit, ajo origjinalja me të cilën në dhomën me oxhak shkroi “Kronikë në gur”, as vetëm koleksioni i llullave a sendet personale të vajzave, fotot e Helenës, librat në gjuhë të huaja të vetë shkrimtarit, karriget e atëhershme, as vetëm veprat e Lasgushit në sirtaret e dhomës së ndenjes; shtëpia -studio Kadare ruan kujtimet e një kohe që shenjoi një prej kohëve më të errëta për shkrimtarit e Shqipërinë. Dritarja e dhomës së gjumit sheh nga ai që njihej si “Bulevardi Broduej”.

Në mure janë vënë vite të ndryshme të krijimtarisë së tij ndërsa më xhama, fraza të shkëputura nga veprat. Fotografi familjare dhe personale të shkrimtarit kanë zënë vend jo vetëm në sirtare kur janë gjetur aty, por edhe në mure për të përçuar mesazhe të caktuara si fotografia me Helenën në atë që ishte dhoma e gjumit apo dhoma e filmave të ndryshëm ku të dy ata kanë qenë skenaristë. Pamje të Tiranës në vitet 1980 shfaqen në ekranet e dhomës së filmit, sikundër fotografia e aktorit të njohur italian Marcelo Mastrojani në dhomën e “Gjeneralit”. Tirana e vjetër është printuar edhe si perde edhe në foto bardh e zi për të vënë vizitorët përballë qytetit të kahershëm që u bë qyteti në të cilin Kadare u bë mjeshtër i letërsisë dhe “mjeshtër shahu” përballë diktatorit, siç shprehet një studiues për të.

Raftet e librave janë po ata që pat zgjedhur vetë Kadareja për secilën dhomë. Sirtarët me sendet personale po ashtu, siç janë dhe librat me faqe të përthyera lënë prej s’dihetsekurit në ecejaket e çastet kur rrinte përballë tyre. Frazat e tij ilustrojnë muret deti edhe tavanin ku gjen vend “tirania e fjalës”.

Mbi parketet prej druri vetëm dhoma e madhe e ndjenjës ka tapet ndërsa në të tjerat ndjen ende kërcitjen e hapave.

Shtëpia me dy dyer, njërën publike e tjetrën private tashmë si studio muze nuk i lë asgjë imagjinatës për kohën kur Kadareja jetonte mes suksesit e frikës, se telefoni i kuq mund të tringëllinte e nga ana tjetër kushedi ç’frazë do kumtohej në ditët e netët e gjata të vetmisë së madhe.

A ishte ajo jeta e shkrimtarit pas perdeve, përballë oxhakut, në shtëpinë me libra? Televizori bardhezi, tryeza e punës, karrigia ndanë oxhakut, shënimet e skulpturat janë veçse një dëshmi.

Muzeu është investim i bashkisë Tiranë dhe ka pasur ndihmën në kërkim e realizim të Ditjon Baboçi, Arba Baxhaku, Frida Pashako, Nevin Bilali, Iris Baboçi, Mirela Koçollari, Iris Elezi, Thomas Logoreci, Erand Meça si edhe këshillat e Piro Misha, Anna Shkreli, Bujar Hudhri, David Bello, Fatos Baxhaku, Piro Milkani, Petrit Kumi, etj.

Shtëpia muze e Kadaresë, më e vizituara nga Monumentet e Trashëgimisë Kulturore (VIDEO)

Shtëpia e shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër ishte këtë vit më e vizituara nga Monumentet e Trashëgimisë Kulturore.

Shtëpia e Kadaresë, është kthyer në një qendër të rëndësishme letrare e kulturore, jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare./ KultPlus.com