Besiana Kadare dhe ambasadorja Kim vizitojnë shtëpinë-muze të familjes në Gjirokastër

Besiana Kadare, zëvendëpresidente e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka vizituar shtëpinë e lindjes në Gjirokastër e shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare e njoftoi vetë vizitën në Gjirokastër, duke theksuar përshtypjet nga kjo vizitë.

“Udhëtim interesant në shiritin e kujtesës ndërsa vizitoja për herë të parë aprtamentin ku u rrita gjatë Shqipërisë komuniste, tani i kthyer në një muze Shtëpia Kadare”, tha Besiana Kadare.

Po ashtu, Kadare shtoi se “Jam e gëzuar për të ndarë përvojën me shoqen dhe kolegen time ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim për të rrëfyer këtë pjesë të së kaluarës sonë” /atsh/ KultPlus.com

Vajza e Ismail Kadaresë zgjedhet zv.presidente e Asamblesë së Përgjithshme në OKB

Shqipëria është zgjedhur për rolin e zv/Presidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Këtë pozicion e merr ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, e cila është vajza e shkrimtarit Ismail Kadare.

Lajmin e ka dhënë vetë ambasadorja Kadare përmes një postimi në rrjetet sociale. “Jam krenare  të njoftoj se Shqipëria është zgjedhur Zëvendës Presidente e sesionit 75 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara!

Është një nder i veçantë të shërbejë si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia.

Ky është një privilegj i madh dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare.

Secili grup rajonal në OKB përfaqësohet me një Zëvendës President në Asamblenë e Përgjithshme. Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Evropës Lindore (anëtarët e EEG, përfshijnë Ballkanin, Evropën Lindore, Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë, Azerbajxhanin, Armeninë etj”, shkruan Kadare.

Sesioni i përvitshëm që mbahet në shtator, këtë radhë nuk do të sjellë udhëheqësit nga e gjithë bota, si ka qenë tradita e dekadave të fundit. Kjo për shkak të krizës së koronavirusit. / KultPlus.com

Kadare priti në takim ekipin e shfaqjes nga Kosova

Besiana Kadare, ambasadore e Shqipërisë në OKB, priti në takim të përbashkët ekipin e shfaqjës “Refuge”, shfaqje e teatrit ODA dhe e cila trajton fatin e hebrenjve në të kaluarën dhe vendstrehimin  e tyre masiv në Shqipëri.

E nderuar për këtë është ndjerë edhe vetë ambasadorja Kadare, e cila e ka shprehur entuziazmin e vetë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Postimi:

E entuziazmuar për të pritur në Misionin e Shqipërisë në OKB aktorët e mrekullueshëm të shfaqjes “Refuge” (Refugjatët), të realizuar nga Baruch Arts Center, së bashku me kompaninë teatrore të Bekuar të Papës dhe Teatrin ODA të Kosovës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mijëra refugjatë hebrenj u strehuan nga familjet në Shqipëri, shumica prej të cilëve praktikonin fenë islame.  Megjithë okupimin nazist, asnjë hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit nga Shqipëria dhe ishte i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim.

 “Refuge” ndriçon dritën mbi këtë histori pak të njohur, me sfondin e tanishëm të sulmeve antisemite dhe krizës së refugjatëve në Evropë.

Çfarë ndjenje e madhe të rrethohet nga shumë artistë të talentuar shqiptarë dhe amerikan.  Pika kulmore e mbrëmjes ishte performanca e improvizuar e këngëve të vjetra shqiptare.

Faleminderit të gjithë atyre që e bënë mbrëmjen aq të ngrohtë dhe miqësorë. Falënderime të veçanta për Fadil Berishën të cilët bashkë e organizuan ngjarjen!

Përndryshe Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të nderuar Ismail Kadare. /KultPlus.com

Bashkësia Hebreje –Bet Izrael Kosova: I kërkojmë falje popullit të Kosovës për sjelljen e ambasadores Besiana Kadare

Bashkësia hebre-Bet Izrael Kosova ka reaguar sot pas lajmit në media lidhur me injorimin që i është bërë konsulles së Kosovës në New York, Teuta Sahatqija nga ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare si dhe mos prezantimit të meritave në Kosovës në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në reagimin e kësaj bashkësie thuhet se populli shqiptar në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore me vetëmohim dhe sakrificë ka mbrojtur dhe shpëtuar familjet hebraike në Kosovë dhe këtë e dëshmon njohja e kontributeve të disa familjeve nga ana e Institutit Yad Vashem në Jerusalem, Institut që punon në identifikimin e familjeve që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Lexoni të plotë reagimin e Bet Izrael Kosova

“Të nderuara media të Republikës së Kosovës, na lejoni që përmes këtij reagimi të shprehim mllefin tonë ndaj fjalimit të diplomates shqiptare në organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Më datë 05.02.2019 përmes disa medieve elektronike në Kosovë, jemi informuar në lidhje me Konferencën ” Një çështje e njerëzimit : Shpëtimi i Hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit”, që është mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe sjelljen e Ambasadores së Shqipërisë në OKB, znj. Besiana Kadare ndaj konsulles së përgjithshme në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York, znj. Teuta Sahatqija.

Për Bashkësinë Hebreje –Bet Izrael Kosova nëse këto që mediet theksojnë janë të vërteta, atëherë jo vetëm që është e papranueshme një sjellje e tillë por është edhe sjellje injorimi ndaj diplomates kosovare, e posaçërisht në lidhje me kërkesën e saj për të prezantuar marrëdhëniet ndihmën dhe trajtimin qe iu bë popullit hebrenj nga popullit shqiptar i Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Populli shqiptar në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore me vetëmohim dhe sakrificë ka mbrojtur dhe shpëtuar familjet hebraike në Kosovë dhe këtë e dëshmon njohja e kontributeve të disa familjeve tona nga ana e Institutit Yad Vashem në Jerusalem, Institut që punon në identifikimin e familjeve që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mohimi i së drejtës për të folur dhe prezantuar historinë e popullit të Kosovës dhe të hebrenjve që u shpëtuan në Kosovë, paraqet jo vetëm një akt të papëlqyeshëm të diplomates shqiptare, por edhe një skandal, sidomos kur të dihet mirë se diplomatja vjen nga Republika e Shqipërisë.

Bashkësia Hebreje –Bet Izrael Kosova pret dhe kërkon nga Ministria e Punëve te Jashtme e Shqipërisë që të thërras në përgjegjësi ambasadoren znj. Kadare dhe që mos të lejojë përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Bashkësia Hebreje –Bet Izrael Kosova edhe një herë i kërkon falje gjithë popullit të Kosovës për këtë sjellje të Ambasadores së Shqipërisë në OKB znj. Besiana Kadare”.