U hap ekspozita e Simon Shirokës në Paris

Dje, në Bashkinë e Parisit 4, u mbajt hapja solemne e ekspozitës “Simon Shiroka”, shkruan KultPlus.
Ekspozita e koleksionit privat të familjes Shiroka është organizuar nga Ambasada e Kosovës në Paris dhe Bashkia e Parisit 4, ku hapja u bë nga kryetari i Bashkisë, Christophe Girard, dhe ambasadori Qëndrim Gashi, në praninë e diplomatëve dhe artistëve të shumtë.

Girard është ideator i disa prej projekteve më të veçanta kulturore në Paris, Netët e Bardha (“nuit blanche”) dhe së fundmi është zgjedhur nënkryetar i Parisit.

I gjithë organizimi dhe puna rreth ekspozitës u kompletua falë ndihmës dhe këshillës së Erzen Shkolollit, kurse në këtë ekpzozitë janë prezantuar 65 vepra, prej periudhave të ndryshme të krijimtarisë së artistit, përfshirë periudhën e fundit të jetës se tij (’90-’94). Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri me datë 25 nëntor 2017./KultPlus.com

Ekspozita e Simon Shirokës e hapë ‘Parenthèse kosovare’ në Paris

Parisi do të mirëpresë këtë muaj një pjesë të kulturës shqiptare, në një organizim që quhet “Parenthèse kosovare”.

Nga data 10 deri me 25 nëntor, një ekspozitë, një shfaqje filmi dhe një koncert vijnë në kryeqytetin e Francës.
Salle Jean Mouly mirëpret ekspozitën e artistit të njohur Simon Shiroka, shkruan KultPlus.

Simon Shiroka u lind më 20 mars 1927 në Prizren, në qytetin me thesarin më të lashtë dhe më të larmishëm të artizanateve të traditës së përpunimit të metaleve të çmueshme. Mori dorë të mjeshtrit nga filigranistët më të shquar prizrenas dhe, duke pasuar ambicie më të madhe se shansi për t’u bërë një zanatçi i dalluar, vazhdoi ushtrimin dhe shkollimin e mëtejmë së pari në Beograd e pastaj në Zagreb, për t’u kthyer në Prishtinë dhe për të nisur një veprimtari tepër të pasur aplikative dhe artistike. Duhet theksuar se interesi i Shirokës për të aplikuar argjendin dhe materialet tjera fisnike në pikturë apo skulpturë artistike nuk ishte as i rastësishëm as i sforcuar.

Ai buronte nga një shpirt tejet i gjallë dhe i shqetësuar që hidhej në kërkime të vazhdueshme nga një entuziazëm çfarë rrallë mund të gjendet te artistët tjerë, edhe atëherë kur piktorët dhe skulptorët shqiptarë ishin mjaft të rrallë.

Simon Shiroka, jo vetëm që e avancoi artin e filigranit, por në të njëjtën kohë, edhe krijon vizione të reja me fantazinë e vet shpirtërore, duke shprehur ndjeshmëri për një art të lartë artistik. Talenti i mirëfilltë, përvoja dhe dashuria e zjarrtë për diçka të re, në artin e filigranit, gjurmon rrugë të teja sensitive, për ta sintetizuar artin kreativ dhe shprehjen e lartë artistike. Shiroka ka ndërruar jetë në vitin 1994.

Pos ekspozitës së Simon Shirokës, vjen edhe filmi “Home” me regji nga Daniel Mulloy.
“Home”, me aktorët Holliday Grainger dhe Jack O’Connell, fitues i çmimit BAFTA, flet për refugjatët. Arta Dobroshi, aktorja nga Kosova, është në mesin e ekipit që e ka realizuar filmin.

Filmi “Home” gjegjësisht trajton vuajtjet e refugjatëve dhe fatin e një familjeje e cila bëhet viktimë e zhvillimeve pa fajin e saj, duke u gjendur në situatë të njëjtë me refugjatët e vendeve të Lindjes. Familja në fjalë është angleze. Filmi është xhiruar kryesisht në Kosovë, përkatësisht në Janjevë dhe Graqanicë. Ai është kooproduksion i Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Pas shfaqjes së filmit, me 15 nëntor në ora 19:00 në Mairie du 4ème à Paris, këngëtari Shpat Deda, një prej producentëve të filmit, do të jetë i pranishëm për përgjigje ndaj pyetjeve të të interesuarve.

Deda në anën tjetër do të mbajë edhe një koncert, bashkë me artistët Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari dhe Art Lokaj. / KultPlus.com