Zbulohet juria profesionale e edicionit të gjashtë të “KultStrofa”

KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Organizatorët e këtij konkursi sot kanë bërë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni e cila këtë vit ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com

Morcheeba Band me ritimin unik në një koncert për 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Kryeqyteti me kënaqësi njofton për koncertin e Morcheeba Band, me rastin e 15 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.

Sipas Komunës së Prishtinës, koncerti do të mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, duke filluar nga ora 20:00.

“Bëhuni gati për të vallëzuar nën ritmin e shkrirjes unike të trip-hop, down-tempo dhe muzikës botërore të Morcheeba, derisa ata performojnë hitet e tyre ikonike.

Para performancës së Morcheeba në skenë, warm-up artistët La Fazani dhe Shpat Deda do të na zbukurojnë natën me performancat e tyre elektrizuese, të shoqëruar nga grupet e tyre të talentuara. Këta artistë do të na argëtojnë dhe do të sigurohen që publiku të jetë në frymën e duhur për të shijuar plotësisht performancën kryesore.

Pasi Morcheeba të ketë mbaruar performancën, festa do të vazhdojë me DJ ADRIAN, i cili do t’na sjellë hitet më të fundit. Ky koncert premton të jetë një eksperiencë e paharrueshme që nuk do të donit ta humbisnit”, thuhet në njoftim.

Rezervoni biletat tuaja tani KËTU. / KultPlus.com

Shpat Deda, Visar Kuçi e Tomor Kuçi me “Muzikë n’Teatër” vijnë si asnjëherë më parë

Era Berisha

Për herë të parë në Kosovë, Shpat Deda vjen me një turne koncertesh nën emërtimin ‘Muzikë n’Teatër’, së bashku me multi-instrumentistin Visar Kuçi dhe muzikantin e producentin Tomor Kuçi. Adresa e parë qe Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me ç’rast është shpalosur një koncert që ka dalë përtej imagjinatës. Diversiteti i instrumenteve që të merrte pas vete, zëri i veçantë e i butë i Dedës, larmia e aranzhimet e mahnitshme të këngëve që i përkasin albumit “Rrugës” e deri tek ambienti i ngrohtë që u krijua me pjesëmarrjen e të pranishmëve dhe këndimin e tyre herë pas here, kanë qenë pikat kryesore mbi të cilat u jetësua koncerti i parë i këtij turneu, shkruan KultPlus.

Për të qenë dëshmitarë të një formati krejtësisht ndryshe, aty ku gërshetohet poezia me vija melodike të këndshme, të pranishmit kanë mbushur sallën qosh më qosh të hënën mbrëma. Ata kanë përjetuar një udhëtim që zor se harrohet dot. Në anën tjetër, ishte ndriçimi i errët me rreth gjashtë reflektorë që binin direkt në skenë, ai që e ka krijuar një atmosferë ku dukshëm fokusi qëndronte tek tre artistët në skenë. Veshja e tyre në ngjyrë të zezë i përshtatej prapavijës së zezë, asisoj që instrumentet e ngjyrshme që ishin vendosur rreth karrigeve, kanë pasur vëmendjen e gjithsecilit, dhe reflektimi i tyre veçse krijonte një magji me vete, akoma pa u lëshuar tingulli i parë.

Kur ora shënoi fiks 20:10, skena mirëpriti këngëtarin Shpat Deda, instrumentistin Visar Kuçi dhe muzikantin Tomor Kuçi. Kënga e parë e performuar, “Instinktivisht” shënoi nisjen e këtij koncerti të shumëpritur. Qysh nga moment e tutje, vëmendja e publikut u rrëmbye krejt lehtazi. Gjurmë dashurie e melankolie, përshkuan tërë Amfiteatrin e TKK-së dhe bënë rrugëtimin e tyre nëpër secilin shpirt të pranishëm.

Tutje këngët si: “Kërkon”, “Nesër” dhe “T’Huj”, erdhën në një formë unike që rrëqethi krejt sallën. Gërshetimi i zërit të Dedës me fiz-harmonikë, kitarë elektronike, akustike, me talentin e muzikantit Tomor Kuçi dhe magjinë e pakrahasueshme të multi-instrumentistit Visar Kuçi i cili zotëronte violinën, harmonikën e kitarën dhe krijonte ndjesi të papërshkrueshme, ka krijuar një mbrëmje ku më së miri është dëshmuar se dashuria për muzikën nuk ka asnjë limit.

Në anën tjetër, këngëtari Deda, ka interpretuar edhe dy këngë nga albumi i tij i parë me kitarën e tij që sipas vetë këngëtarit, qëndron që 15 vjet. “Ëndërroj” ishte kënga që shkoqiti publikun nga hipnoza e krijuar nga këta tre artistë. Zëri i lehtë e i njëtrajtshëm nga ana e audiencës, së bashku me atë të këngëtarit Deda, ka qenë diçka tejet e ëmbël që u krijua në çast. Këtë ndjesi edhe vetë këngëtari e ka përshkruar si nga momentet më të bukura të jetës së tij. E njëjta situatë ndodhi edhe me “Ninullë”, dhe kjo medoemos tregon shumë për krijimet e Dedës, të cilat pa marrë parasysh kohës, tingëllojnë origjinale dhe japin ndjenja të rralla.

Disa minuta para se ora të shënonte 21:22, kënga që të dërgon në një udhëtim më vete, “Ditë e Re” vulosi fundin e këtij koncerti të dashur për gjithkënd. Ndërkaq, ishin duartrokitjet e shumta dhe brohoritjet e larta, ato që falënderuan këtë treshe për dhuntinë e tyre të jashtëzakonshme.

Për të treguar më shumë për këtë rrugëtim për të cilin fillimisht inspirimin e ka gjetur në Beograd më 27 maj të vitit 2022, për KultPlus, ka folur artisti Shpat Deda.

“Emocionet janë shumë të papërshkrueshme në këtë natë. Jam kënaqur shumë dhe asnjëherë nuk do ta harroj këtë energji që e kam marr këtu në qytetin tim, ku jam lindur e rritur. Këtë energji do e marrim e do e dërgojmë edhe në qytete tjera. Dëshirën për t’i bërë koncertet në teatro, e kam që një kohë, për shkak se ofron një kontekst tjetër se si dhurohet muzika. Fokusi është komplet në skenë dhe nuk ka gjëra që të tërheqin vëmendjen. Andaj, muzika depërton më thellë në këto raste. Kam pritur derisa krijova një program të duhur për skena të tilla dhe këtë e arrita bashkë me Tomorin e Visarin”, ka thënë ai.

Sipas tij, për shkak të buxhetit të vogël, turneu është dashur të zvogëlohet në gjashtë qytete, ndryshe siç ishte paramenduar më herët në pesëmbëdhjetë qytete.

“Në Prizren nuk kam mundur ta rezervoj sepse teatri i tyre është në renovim dhe nuk u ofrua një hapësirë e përshtatshme tjetër. Në Pejë kam qenë verës me këtë program në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ dhe i dhashë përparësi një qyteti tjetër. Ndërsa, qytetet që i zgjodha, normalisht janë qendra urbane. Në këtë program i zgjodha këngët që i kam pak më artistike dhe nuk janë aq shumë të dëgjuara, sidomos këto dy të albumit të parë. Natyra e këngëve është e ngjashme me albumit të tretë dhe rrinë bukur në një set. Po ashtu, dy këngët e famshme “Ëndërroj” dhe “Përgjithmonë” kanë ardhur në version pak më ndryshe dhe u pritën shumë bukur”, përfundon Deda.

Ai tutje potencoi se kjo treshe fillimisht është thirrur për të performuar në Beograd nga festivali “Mirëdita, dobar dan” dhe pas ndërtimit të programit, këngëtari Deda ka vendosur të krijoj një turne të tillë në Kosovë.

Po ashtu, violinisti Visar Kuçi për KultPlus ka potencuar se aranzhimet kanë qenë sfiduese, por që për të këto sfida gjithmonë janë të mirëseardhura.

“Ka qenë një përkushtim që e kemi bërë bashkë me Tomorin e Shpatin, për tu munduar e për të realizuar programin me këngët e Shpatit, pa ia humb vlerën muzikës së tij, por duke i inkuadruar krejt instrumentet e mundshme. Gjithçka është e punuar deri në detajet e fundit dhe një këngë është edhe e shkruar me partiturë sepse përndryshe është e pamundshme. Është e shkruar edhe kur të ndërrohen instrumentet sepse ka shumë detaje, por për mua është gjithmonë një kënaqësi kur kam programe të cilat janë sfiduese, për arsye se kjo më bën që të jem më i përkushtuar ndaj një pune, sidomos kur prezente janë të gjitha instrumentet që unë i dua më së shumti, e të cilat i kam studiuar dhe vazhdoj t’i mësoj. Është e bukur të kesh mundësinë për të bërë diçka si kjo dhe normalisht është shumë e vështirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto këngë janë të njohura e të luajtura edhe në formacione tjera. Dhe ai ka qenë edhe orkestrues i harqeve në disa nga këngët e Dedës.

“Jemi ulur të tretë dhe i kemi dëgjuar mirë se cilat këngë dëshiron Shpati për t’i bërë për këtë program. Së pari kemi folur, kemi pasur ide të ndryshme, jemi takuar disa herë, kemi mbajtur prova, derisa ka ardhur tek versioni i fundit. Pastaj, krejt këto janë incizuar e regjistruar në studio për t’i dëgjuar ne se çfarë po tingëllon mirë dhe jo mirë. Ka qenë një proces shumë i bukur. Sonte kemi arritur të krijojmë diçka që ka qenë shumë e kënaqshme edhe për ne”, përfundon Kuçi.

Po ashtu, muzikanti dhe producenti Tomor Kuçi është shprehur i lumtur që programi i koncerteve është shndërruar në një vend për ta, që shpesh dëshirojnë ta vizitojnë.

“Ke shumë ndjenjë e veçantë. Në një këngë të Shpatit, mua më ka ra që të punoj edhe vetë në produskion të muzikës në studio. Duke qenë shumë i familjarizuar me albumin dhe duke i ditur krejt këngët, ka qenë edhe më e lehtë për t’i mësuar këngët. Ka pasur nevojë vetëm për të mësuar se si t’i aranzhojmë këngët. Programi ynë është si njëfarë vendi i ngrohtë që na pëlqen dhe ne dëshirojmë të shkojmë tek ky vend disa herë. Prej fillimit, kemi diskutuar për hapësira dhe ky është koncert ku teatrot i përshtaten më së shumti. Publiku është i ulur dhe ky është një format shumë i mirë. Koncerti është i qetë dhe ka nevojë që edhe ajri të ndjehet në atmosferë. Teatrot e kanë një qetësi të bukur që i shkon shumë koncerteve tona”, ka thënë Kuçi.

Më poshtë gjeni datat e koncerteve në qytete të ndryshme, gjegjësisht në gjashtë salla teatrosh të ndryshme:

7 DHJETOR- Teatri i Qytetit, Vushtrri

12 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Hadi Shehu’, Gjakovë

13 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Muharrem Qena’, Mitrovicë

16 DHJETOR – Teatri i Qytetit, Gjilan

Të gjitha koncertet fillojnë në ora 20:00 dhe hyrja në secilin qytet do të jetë 3€. Biletat do të mund të blehen në teatrot përkatës afër datave të koncerteve.

Turneu ‘Muzikë n’Teatër’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Koncerti i Prishtinës është përkrahur nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Shpat Deda, Visar Kuçi e Tomor Kuçi nesër me koncert unik ‘Muzikë n’Teatër’

Shpat Deda vjen me një turne koncertesh bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin Visar Kuçi dhe muzikantin & producentin e njohur Tomor Kuçi me një format krejtësisht të për ri ta sjellë poezinë e gërshetuar me një udhëtim të paharrueshëm muzikor për herë të parë në Kosovë, përcjell KultPlus.

Aranzhuar enkas për këtë turne mes fizharmonikës, violinës, kitarave dhe zërit, këngët e albumit ‘Rrugës’ marrin jetë të re në një spektakël muzikor të karakterizuar nga udhëtimi poetik nëpër fjalë e tinguj.

Më poshtë gjeni datat e gjithsej gjashtë koncerteve në gjashtë qytete të ndryshme, gjegjësisht në gjashtë salla teatrosh të ndryshme.

5 DHJETOR – Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë), Prishtinë
6 DHJETOR – Teatri Adriana, Ferizaj
7 DHJETOR- Teatri i Qytetit, Vushtrri
12 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Hadi Shehu’, Gjakovë
13 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Muharrem Qena’, Mitrovicë
16 DHJETOR – Teatri i Qytetit, Gjilan

Të gjitha koncertet do të fillojnë në ora 20:00 dhe hyrja në secilin qytet do të jetë 3€. Biletat do të mund të blehen në teatrat përkatës afër datave të koncerteve.

Turneu ‘Muzikë n’Teatër’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Koncerti i Prishtinës është përkrahur nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Shpat Deda, Visar Kuçi e Tomor Kuçi me një turne koncertesh si asnjëherë më parë

Shpat Deda vjen me një turne koncertesh bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin Visar Kuçi dhe muzikantin & producentin e njohur Tomor Kuçi me një format krejtësisht të për ri ta sjellë poezinë e gërshetuar me një udhëtim të paharrueshëm muzikor për herë të parë në Kosovë, përcjell KultPlus.

Aranzhuar enkas për këtë turne mes fizharmonikës, violinës, kitarave dhe zërit, këngët e albumit ‘Rrugës’ marrin jetë të re në një spektakël muzikor të karakterizuar nga udhëtimi poetik nëpër fjalë e tinguj.

Më poshtë gjeni datat e gjithsej gjashtë koncerteve në gjashtë qytete të ndryshme, gjegjësisht në gjashtë salla teatrosh të ndryshme.

5 DHJETOR – Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë), Prishtinë
6 DHJETOR – Teatri Adriana, Ferizaj
7 DHJETOR- Teatri i Qytetit, Vushtrri
12 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Hadi Shehu’, Gjakovë
13 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Muharrem Qena’, Mitrovicë
16 DHJETOR – Teatri i Qytetit, Gjilan

Të gjitha koncertet do të fillojnë në ora 20:00 dhe hyrja në secilin qytet do të jetë 3€. Biletat do të mund të blehen në teatrat përkatës afër datave të koncerteve.

Turneu ‘Muzikë n’Teatër’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Koncerti i Prishtinës është përkrahur nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Shpat Deda publikon videoklipi në formën e një animacioni tejet të veçantë për këngën ‘T’huj’

Kantautori Shpat Deda e ka publikuar videoklipin në formë të një stop motion animacioni për këngën me titull ‘T’huj’ nga albumi i fundit i tij ‘Rrugës’.

Kënga ‘T’huj’ ka tekst dhe komponim të Shpat Dedës, i cili e ka bërë edhe pjesën kryesore të aranzhmanit. Produksioni dhe incizimi live janë bërë në bashkëpunim të afërt me Dritëro Nikqin. ndërsa kënga është incizuar dhe miksuar në Studio C në Prishtinë me audio dhe miks inxhinier Dritero Nikqin. Masterizimi i këngës është bërë në studion Jammin Masters në Berlin me inxhinier masterizimi Cem Oral.

Animacioni që shihet në videoklipi është punuar nga Lorna Çekixhi dhe Joan Kamberaj nga Tirana. Lorna Çekixhi është përkujdesur për  konceptin, skenarin, dizajnin e karaktereve dhe të seteve, montazhën e ka bërë vet Shpat Deda ndërsa për rregullimin e ngjyrave është përkujdesur Rron Ismaili. / KultPlus.com

Shpat Deda – T’Huj (Official Video) – YouTube


Shpat Deda dhe Edona Vatoci sjellin këngën “Terr” (VIDEO)

Dy prej zërave më të veçantë të skenës sonë muzikore janë bërë bashkë për të sjell këngën “Terr”, shkruan KultPlus.

Kantautori Shpat Deda dhe Edona Vatoci me zërin e tyre rrëqethës kanë punuar këtë projekt me shumë përkushtim duke sjell kështu një përfundim të shkëlqyer.

Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip mjaft të veçantë prodhuar nga Ravencity Production & Machina Production dhe realizuar kryesisht në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

“N’dikon Ndikon”, kënga e re e Shpat Dedës në bashkëpunim me Bim Bimma

Këngëtari kosovar Shpat Deda dhe reperi i njohur me nofkën “Bim Bimma”, sonte kanë lansuar këngën “N’dikon Ndikon”, shkruan KultPlus.

Kompozimi dhe baza (akustike, synth bass, synt organ): Shpat Deda

Fjalët: Shpat Deda dhe Bimi

Production, recording, mixing and mastering: Tomor Kuçi

Camera & colorgrade: Rron Ismajli

Montazha: Shpat Deda dhe Bimi

Më poshtë KultPlus ju sjell videon dhe tekstin e këngës:

Teksti:

(Shpati)
N’këtë venin tem
Nuk t’lajnë shumë ven
Nëse s’e ki ndërmend
Shpirtin me e shitë

Mos jep vëmendje
Se problem
Çka lexon ka me t’nxi
Ka me t’flliqë

Hala shoh pleq
Tu pritë për cikrrimë
Drita mrena
Hala s’ju ka fikë

N’këtë venin tem
Hala ka njerz
Që s’kanë bukë fëmijëve
N’tavolinë me ju qitë

Dikush e han djegst
Dikush s’e han hiç
Dikush e ngjyn
Dikush i fryn

N’dikon ndikon keq
N’dikon s’ndikon hiç
Dikush e lyn
Dikush e pshtyn

Dikujt i vjen kresë
Dikush i ka krejt
Dikun njerëzi
Dikun lakmi

Dikush jeton zhag
Dikush s’i ka hak
Dikush duron
Dikush sundon

(BimBimma)
S’po di mi dhon
Kurrfar orientimi
K’ti far udhëtimi
I kena kalu kejt kufijtë
Knej s’mujm me dalë
Përtej kufini

Prej k’saj urrejtje
Fjalës dashni
I ka hupë kejt kuptimi
N’ven ku ma shume çmohet
Injoranca se sa edukimi

Ka shku dom njerëzimi
Kqyr lakmia deri ku hini
Se n’ditë t’sodit gjithçkafin
E kompenzon shpenzimi
As drejtim as drejtësi
S’ki n’këtë pjerrtësi
S’ka randësi a ki aftësi
Kur ki njoftësi

Nuk ka
Largësi as lartësi
Që s’munësh me mrri
Ruje qetësinë se
Ki me mrri ku duhësh me mrri

(Shpati)
S’mu dasht mu rrit shumë
Me pa njerëz
Kah i shkelin krejt
Për pare e fuqi

Hala ka shpresë
Për ardhmëni
Ama të vjedhun
E kom pasë rininë

Nëpër postera
Hala t’paftyrë
Qysh kanë ftyrë
Atë ftyrë me shetitë

N’këtë venin tem
Hala ka njerz
Që s’kanë bukë fëmijëve
N’tavolinë me ju qitë

Dikush e han djegst
Dikush s’e han hiç
Dikush e ngjyn
Dikush i fryn

N’dikon ndikon keq
N’dikon s’ndikon hiç
Dikush e lyn
Dikush e pshtyn

Dikujt i vjen kresë
Dikush i ka krejt
Dikun njerëzi
Dikun lakmi

Dikush jeton zhag
Dikush s’i ka hak
Dikush duron
Dikush sundon. / KultPlus.com

Kënga ‘Përgjithmonë’ e Shpat Dedës pjesë e listës së këngëve që ju kanë dhënë shpresë liderëve të shoqërisë civile

Këngëtari kosovar Shpat Deda, që me zërin dhe muzikën e tij çdo herë ka përcjellur mesazhe të forta, ka zënë vendin e gjashtë në listën e këngëve që ju kanë dhënë shpresë liderëve të shoqërisë civile në vitin 2020, shkruan KultPlus.

Është pikërisht kënga ‘Përgjithmonë’ që është bërë pjesë e kësaj liste. Lajmi është bërë i ditur nga Elizabeth Goëing e cila ka njoftuar se nominimi i kësaj kënge është bërë nga The Ideas Partnership.

“Me vjen mire qe nominimi prej The Ideas Partnership per kengen ‘Pergjithmone’ te Shpat Deda ka marre vendin e 6te ne listen boterore e ‘Kengave qe iu kane dhane shprese lidereve te shoqërisë civile ne vitin 2020’”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq në përshkrimin që i është bërë nga ana e përzgjedhësve të kësaj këngë tregohet se kjo këngë është ndër të preferuarat e Gowing që e ka ndihmuar atë shumë gjatë pandemisë.

“Pasi ishte bllokuar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë izolimit, Elizabeth u rikthye virtualisht me jetën dhe ekipin e saj në The Ideas Partnership në Kosovë pasi Shpat Deda, një nga artistët e saj të preferuar kosovarë, lansoi këngën “Përgjithmonë” në muajin Prill. Ndërkohë, në Kosovë, Partneriteti Ideas siguroi materiale shkollore për 300 fëmijë dhe ilaçe dhe paketa ushqimore për familjet që merren me pandeminë COVID-19.

Falë lansimit në internet të këngës, unë mund ta shikoja Shpatin duke luajtur edhe kur isha jashtë Kosovës. Rreshti i parë, ‘dite e bukur është sot’, do të thotë ‘sot është një ditë e bukur’, e cila ka qenë një kujtesë e mirë gjatë gjithë pandemisë për të vlerësuar atë që kemi tani edhe kur nuk e dimë mirë se çfarë do të vijë nesër.”, shkruhet në faqen e globalgiving./ KultPlus.com

Shpat Deda publikon albumin e ri, përfshihet edhe bashkëpunimi me artisten e njohur britanike

Këngëtari Shpat Deda i ka gëzuar artdashësit e tij nëpërmjet sjelljes së albumit të ri, shkruan KultPlus.

“Rrugës” është albumi i cili sjell rrugëtimin e ri muzikor të Dedës, duke sjellur gjithsej 10 këngë.

Emri ka ardhur nga kënga “Rrugës” e cila është pjesë e albumit.

“Albumi ‘Rrugës’ osht dhuratë për ju në fundin e këtij viti të zymtë, me shpresë se do t’jua ngrohë sadopak zemrat”, ka shkruar Deda në profilin e tij në facebook.

Ndërkaq e veçanta e albumit të tretë të Dedës është bashkëpunimi me artisten britanike me famë ndërkombëtare Joss Stone në këngën “Marinari i vogël”, përderisa të dytë interpretojnë në gjuhën shqipe.

Të gjitha këngët përcjellën me ilustrime artistike, teksa incizimet janë kryer në Studio C dhe në Homebasesound.

“Rrugës” mund të gjendet në platformat dixhitale të muzikës si dhe në YouTube.

Ky album është i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com

Shpat Deda lanson këngën e re “S’ka kurrgjo” (VIDEO)

Këngëtari nga Kosova, Shpat Deda, sonte ka lasnuar këngën “S’ka kurgjo”, shkruan KultPlus.

“Video është realizuar në Prishtinë në prill 2020 gjatë vizitave të regjisorëve Nita Deda, Leart Rama dhe Rina Meta”, thuhet në njoftim.

“Shpat Deda ka lansuar këngën e re S’KA KURRGJO me video drejtuar nga kolektivi Andrrat Moderne dhe regjisori Leart Rama. Kënga është pjesë e albumit të ardhshëm të Dedës, titulluar ‘Rrugës’.

Video është realizuar në Prishtinë në prill 2020 gjatë vizitave të regjisorëve Nita Deda, Leart Rama dhe Rina Meta në hapësira personale për autorët, si dhe në oborret dhe hapësirat tjera familjare që shihen nga distanca si koment për realitetin e COVID 19. Video e S’KA KURRGJO tenton të sjellë për publikun hapësira intime dhe momente të shoqërimit që në video tregohen si kujtime. Të gjitha pamjet i bashkon një gjuhë vizuele e krijuar me dritë të fortë blici që zbutet nga ndjenjat dominuese të mallit dhe nostalgjisë.

Kënga S’KA KURGJO është shkruajtur nga Shpat Deda, dhe i këndon pikërisht momenteve intime dhe kohës së kaluar në shoqëri, realitet i munguar në kohën kur ajo tregohet për publikun. Kënga interpretohet nga Deda dhe Blerta Ismaili si zë përcjellës. Kjo këngë si dhe i tërë albumi i ri është inçizuar dhe miksuar në Studio C me Dritëro Nikqin në Prishtinë. Video S’KA KURRGJO është produksion i Katarzë Films”.

Shpat Deda publikon nesër këngën e re

Këngëtari Shpat Deda ka bërë të ditur se do ta publikojë nesër këngën e re, shkruan KultPlus.

Deda i cili qe një kohë është aktiv edhe në rrjetet sociale me performanca nga izolimi, i ka informuar dëgjuesit për këngën e re.

“S’ka kurrgjo” titullohet kjo këngë e cila do të publikohet nesër në orën 20. /KultPlus.com

Shpat Deda me koncert nga shtëpia si thirrje kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes

Sot duke filluar nga ora 18:00, Shpat Deda vjen me një koncert nga shtëpia, përmes të cilit bëhet thirrje kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes, shkruan KultPlus.

Ngjarja do të përfshijë edhe mesazhe nga Koordinatorja pë zhvillim e OKB-së znj. Ulrika Richardson dhe Ministrja e MKRS znj. Vlora Dumoshi.

Thirrje per pjesmarrje në anketën lidhur me UN75 https://un75.online/?lang=alb

Vlen të ceket që Shpat Deda është njëri nga artistët i cili këto ditë ka argëtuar mjaft shumë fansat e tij në karantinë, duke publikuar herë pas here këngë të ndryshme të interpretuara nga vetë ai. / KultPlus.com

“Heart to heart”, Shpat Deda me koncert për 14 shkurtin

Artisti i vlerave, ai i cili i qëndron besnik muzikës së mirëfilltë, Shpat Deda do të vijë me një koncert në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Koncerti i titulluar “Herat to heart” po organizohet për datën 14 shkurt, ditën e të dashuruarve. E kush tjetër di t’i këndojë më bukur dashurisë se vetë Shpati!

Bashkë me Nesim Maxhunin, Armend Xhaferin, Ilir Bjarin dhe Fatlind Feratin, Shpati do të ngjitet në skenë në mbrëmjen e 14 shkurtit në Kino Armata për të kënduar këngët e tij bashkë me publikun.

Hyrja është e lirë, ndërsa ky event është mundësuar nga Komuna e Prishtinës.

Koncerti fillon në ora 20:00. /KultPlus.com

Publikohet koncerti i Shpat Dedës në Tiranë

Koncerti i plotë i kantautorit Shpat Deda, i mbajtur më 12 tetor 2018 në Amfiteatrin e Parkut në Tiranë, tani publikohet online.

Ky koncert e shënoi fillimin e turneut ‘Ambël e Thartë’ në 10 qytete të Shqipërisë për nder të 10 vjetorit të karrierës muzikore së Shpat Dedës. 

Shpat Deda, gurët e Gjirokastrës i ktheu në skenë të gjallë të kulturës

Ministrja e Kulturës, Mirale Kumbaro, ka falënderuar kantautorin Shpat Deda që zgjodhi ambientet e kulturore si skenë të muzikës së tij.

Gurët e Gjirokastrës u kthye nga ritmet e muzikës në skenën e gjallë të kulturës bashkëkohore duke rrëzuar të gjitha kufijtë, ato të mendjes dhe ato administrative.

Ministrja Kumbaro shkruan: ”Falëminderit Shpat Deda që zgjodhe Trashëgiminë Kulturore si skenë të muzikës tënde! Nga Shkodra në Gjirokastër albumi #AmbëlEThartë i dha jetë Kalasë së Argjiros në qytetin që turizmin e ka bashkudhëtarin e të gjithë muajve”, – shkruan ministrja./ KultPlus.com

Shpat Deda me turne koncertor në Tiranë

Prej datës 12 Tetor nis turneu koncertor i Shpat Dedës “Ambël e Thartë” në Tiranë.

Koncerti fillon pre orës 20:00 dhe mbahet në Amfiteatrin e Tiranës, te Parku i Liqenit.

Biletat për koncertin në Tiranë mund ti gjeni në pikat e mëposhtme

1. Myticket.al
2. Amfiteatri i Tiranës
3. Kino
4. Nouvelle Vague
5. Reja

“Lum Lumi i Lirë”, kënga që bashkoi artistët drejt mbrojtjes së lumenjve (VIDEO)

Artistë shqiptarë janë bashkuar në një këngë për të mbrojtur lumenjtë e Shqipërisë. Kënga e gjelbër “Lum Lumi i Lirë” përpiqet të kontribuojë pro kauzave në mbrojtje të lumit Valbonë dhe lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.

Muzikantë, producentë, muzikologë, historianë e artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga, të gjithë së bashku, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“. Kjo këngë (një nismë e duos Duni – Zari) lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.

Njëkohësisht, kënga vlen për të fuqizuar ndërgjegjësimin e çështjes në mbarë shoqërinë tonë. Muzika është e gjithëpranishme dhe gjithëpërfshirëse në jetën tonë. Ajo stimulon kënaqësi në tru dhe në gjendjen emocionale. Sidomos kënga është përherë e pranishme në të përditshmen e gjithkujt. Muzika, kënga, nuk është vetëm medium argëtues apo element që na mbledh për t’u dëfryer. Kënga është një mjet i shkëlqyeshëm efektiv, përmes të cilit transmetohet informacioni mbi çështjet e natyrës dhe ç’po ndodh me të, mbi jetën apo problemet sociale. A mund ta ndryshojmë botën me një këngë? Jo, por një këngë ndryshon botëzën dhe perceptimin e secilit prej nesh! Një këng solidarizon, frymëzon, shpëton, fal shpresë. Shqetësimet dhe vullneti për të krijuar një këngë-protestë rrjedhin nga niveli i vetëdijesimit për atë të keqe të pakthyeshme që po ndodh në Valbone, në Vjosë, apo ajo që po ndodh me ujin, ajrin, natyrën, tokën shqiptare, por edhe për natyrën e gjithë botës. Kjo këngë jep “ZA” për shërim, i piskat publikut, për t’i lënë secilit thellë një jehonë vetëdijeje.

Tek “Lum Lumi i Lirë” artistët me vetëdije morën nismën jo vetëm për të prodhuar muzikë, jo vetëm për t’i mëshuar thirrjes: “S’duam tuba, s’duam diga, s’duam pengesa edhe prita, duam çdo njeri i mirë të thërrasë: Lum Lumi i Lirë!”, por krijuan një këngë që ka një qëllim edhe më të epërm: Ku ka lumenj, ka gjithmonë arsye për të ndërtuar ura mbi të cilat ecim dhe përqafojmë hallet e njëri–tjetrit. Është një përpjekje për të bashkuar dhe solidarizuar aktivistët, shoqatat, si ato pro Valbonës dhe Vjosës, por edhe cilindo individ që punon e shqetësohet për ekzistencën dhe vlerat e shoqërisë sonë.

Nga ana tjetër, kënga dëshiron të shpërndajë mesazhin se nuk ka natyrë, lumë, ajër, tokë që të trajtohet si një i nënës e një i njerkës. Në mënyrë të pa partishme dhe vetëm duke bërë përpjekje të përqendruara, por të bashkuar, mund të mposhten vendimmarrësit e gabuar dhe planet e tyre fatkeqe. A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi? Prandaj ejani ta mbrojmë.

Ky është apeli i artistëve si vullnetarë, qytetarë, kolegë, bashkëkombës, mbi të gjitha si NJERËZ. Mos harro të thërrasësh: Lum Lumi I lirë! / KultPlus.com

(Të drejtat autoriale të tekstit përshkrues © Eda Zari)

Këngëtarja Joss Stone publikon videon me Shpat Dedën (VIDEO)

Joss Stone, soul këngëtarja britanike me famë botërore, ka publikuar në të gjitha kanalet e saja zyrtare (Instagram, Facebook dhe Youtube) video bashkëpunimin e saj me kantautorin prishtinas Shpat Deda.

Në këtë video, ata e performojnë këngën “N’shpirt m’ka Rritë” nga albumi i parë i Shpatit “Molla e Parë”, shoqëruar në kitarë edhe nga Art Lokaj. Video është realizuar në vitin 2016, kur Joss Stone pati vizituar Prishtinën për ta mbajtur aty një koncert si pjesë e turit të saj përreth botës me emrin “Total World Tour”.

Në mesin e artistëve nga e tërë bota, Joss kishte përzgjedhur edhe Shpatin për ta realizuar bashkëpunimin e veçantë. Në kanalin zyrtar në Facebook, krahas videos Joss shprehet:

“Mbrëmje e bukur në Kosovë në 2016-tën, u takuam me kantautorin Shpat Deda. Shumë prej këngëve të tij janë të bazuara në ndjenja dhe ngjarje të vërteta, dhe muzika si kjo është mjet i hatashëm për të shprehur emocion. Me zërin e tij karakteristik dhe harmonitë e këndshme, ishte moment perfekt për këtë pjesë të Total World Tour. Një bashkëpunim i këndshëm me një person të këndshëm. Shpresoj se do t’ju pëlqejë”. / KultPlus.com

Këngëtarët që i qëndruan besnikë muzikës së tyre

Trendet dhe kërkesat e reja në skenën muzikore kanë bërë që shumë këngëtarë të dalin jashtë kornizave të tyre, duke iu përshtatur pikërisht asaj që kërkohet.

Ndryshimet e mëdha i shohim prej kohësh, dikush e ka gjetur vetën mirë e të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim të asaj që do t’i shndërronte në emra të kërkuar dhe mbi të gjitha të kishin përfitime nga ajo që bëjnë.

Megjithëkëtë, një pjesë e këngëtarëve të njohur kanë arritur t’i rezistojnë asaj që cilësohet komerciale, e cila në këtë fakt shumicës po i sjell shumë klikime, mbrëmje muzikore dhe si rrjedhojë shumë para. Një pjesë e atyre që kanë zgjedhur këtë drejtim nuk janë tërhequr nga skena por kanë vazhduar të jenë aktiv duke sjellë projekte muzikore në momente të caktuara, e veçmas duke marrë pjesë në festivale muzikore edhe pse nuk janë të shumta.

Eliza Hoxha është një prej këngëtareve, e cila nuk ka bërë kompromise me muzikën e saj. Ka sjellë këngë e videoklipe, ka marrë pjesë nëpër festivale, mirëpo gjithmonë duke ardhur me këngë të jashtëzakonshme, të cilat megjithëse jokomerciale, janë mirëpritur, dëgjuar e shumë prej tyre janë shndërruar në hite të mëdha. Këngëtarja e njohur nuk ka lënë anash as projekte videomuzikore, përmes të cilave ka prekur tema sociale dhe kauza të rëndësishme për shoqërinë tonë, siç ishte ai me titull “Për ata që s’janë”.

Këngët dhe klipet e saj janë të rralla sepse edhe Rosela Gjylbegu ka zgjedhur këtë rrugë. E nisi tek “Ethet e së premtes mbrëma”, ashtu siç kanë bërë shumë kolegë të saj, por gjithmonë i qëndroi besnike muzikës së saj. Rosela njihet sidomos për pjesëmarrjet nëpër festivale.

Ani pse kohëve të fundit nuk janë aktivë, në Kosovën e pasluftës grupet “Jericho” dhe “Troja” i kanë dhënë shumë rok-muzikës shqiptare. Pikërisht, janë këto dy grupe që i kanë rezistuar tregut të vrazhdë dhe asaj që vazhdimisht është kërkuar.

Kësaj liste nuk i mungon Rona Nishliu. Madje, këngëtarja tregoi më së miri se si me një këngë me vlera, me një mesazh dhe me një interpretim nga shpirti mund të shkëlqesh dhe të fitosh vëmendje edhe në një skenë siç është ajo e Festivalit Evropian “Eurovizion”, aty ku më shumë se kudo tjetër kërkohen këngët komerciale.


“Shtyje”, “Krejt andrrën” e “Këtu” janë disa nga këngët e kantautorit Genc Salihu, i cili gjithashtu ka arritur ta ruajë shumë mirë atë që ka kultivuar qysh herët.

Hashani, Shpat Deda e Mariza Ikonomi janë disa emra të tjerë, të cilët i kemi parë të mos eksperimentojnë shumë, por të vijnë në ujërat e tyre e që gjithsesi risitë nuk kanë munguar.

Këta ishin vetëm disa nga emrat që arritën t’iu rezistojnë ndryshimeve të mëdha, t’i qëndrojnë besnik stilit të tyre dhe të kultivojnë muzikën që e duan, edhe pse dikush më shumë e dikush më pak aktiv./KultPlus.com

Shpat Deda e Armend Xhaferi me koncert në Pejë

Në Teatrin Profesionist të Pejës ‘Istref Begolli’ do të mbahet një duo koncert tejet i veçantë i Shpat Dedës dhe Armend Xhaferit, koncert që do të mbahet sonte prej orës 20:00, shkruan KultPlus.

“Ky koncert autorial karakterizohet nga zhveshja e këngëve nga dy albumet e Shpatit dhe sjellja e tyre në një formë shumë të afërt dhe intime, shoqëruar nga xhaz kitara unike e Armend Xhaferit. Koncerti është mundësuar nga Komuna e Pejës, FLUX dhe Kosovo Art Academy”, njoftojnë organizatorët, kurse hyrja për këtë koncert kushton 3 euro./KultPlus.com

Për fëmijët e Kosovës, Shpat Deda me koncert humanitar edhe në Tiranë

Pas koncerteve bamirëse në Prishtinë dhe në Londër, të shtunën Shpat Deda do të këndoj në koncertin humanitar për fëmijët me kancer në Tulla – Culture Center në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert është një nismë e stafit të BERZH në Prishtinë, Tiranë dhe Londër mbështetur nga Tulla-Culture Center dhe Grand Hotel and SPA Tirana. Fondet e mbledhura do të shkojnë për “Fondacionin Kujdesi për Fëmijët e Kosovës” i cili kujdeset që të gjithë fëmijët në QKUK të kenë ilaçet e nevojshme dhe domosdoshme për trajtim.

Të gjitha të ardhurat që do të mblidhet gjatë kësaj mbrëmjeje (përfshirë fondet e mbledhura gjatë gjithë fushatës) do të dyfishohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në kuadër të programit të saj “Community Initiative” (kur te përmbushen kriteret raportuese dhe vlera do te dyfishohet deri ne shumën maksimale prej 50,000€. /KultPlus.com

“Home” dhe “Shpat Deda Band” mahnitën mbrëmë Parisin (FOTO)

Mbrëmë në Paris, në kuadër të Organizimeve Kulturore “Parantezë kosovare”, u shfaq filmi “Home” dhe u mbajt koncerti “Shpat Deda Band”, shkruan KultPlus.

Ky organizim erdhi nga Ambasada e Kosovës në Francë në bashkëpunim me Bashkinë e Parisit 4, me mbështetjen dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkisë, Christophe Girard.

“Krenar me arritjet e fundit të kinematografisë kosovare dhe të artit kosovar në përgjithësi. Filmi « Home » është ko-produksion anglez dhe kosovar, dhe fitues i çmimit BAFTA 2017 për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Qëndrim Gashi ambasadori i Kosovës në Francë.

Në koncertin pas filmit, Shpat Deda me anëtarët e grupit Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari dhe Art Lokaj interpretoi këngë origjinale nga dy albumet e tij, “Molla e Parë” (2010) et “Shkëndijë” (2014)./ KultPlus.com