Rusia mund të kryejë sulme kibernetike ndaj rrjetit energjetik në Kosovë, thotë admirali i pensionuar amerikan

James Stavridis, admiral në pension i marinës amerikane, njëherësh ish-komandant suprem i forcave aleate të NATO-s, ka paralajmëruar se Rusia mund të zhvillojë luftë hibride në Ballkan.

Në një opinion të botuar në “Bloomberg”, Stavridis ka thënë se Kremlini mund të nisë sulme kibernetike ndaj rrjetit energjetik në Kosovë.

“Krahas forcave të stabilizimit, NATO duhet të jetë e ndërgjegjshme për përdorimin e të ashtuquajturës luftë hibride të Rusisë. Putini është i mirë në përdorimin e mediave sociale, fushatave të dezinformimit dhe propagandës pro-ruse për të krijuar tensione jashtë kufijve të tij. NATO duhet të përdorë rrjetet e veta të informacionit për të ekspozuar dhe kundërshtuar këto narrativa të rreme. Nëse rusët vendosin të ngrisin nivelin, ata mund të përdorin sulme kibernetike kundër rrjeteve të energjisë dhe objektivave të tjera jetike në Kosovë dhe pjesët joserbe të Bosnjës. Kjo do të krijonte konfuzion dhe do të rriste pakënaqësinë sociale. NATO mund të sigurojë sisteme më të mira të mbrojtjes kibernetike për aleatët dhe miqtë e Ballkanit”, ka paralajmëruar admirali në pension, Stavridis, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ai ka thënë se Kremlini është duke e zhvilluar një luftë të paligjshme në Ukrainë, por kreu i saj, Vlladimir Putin, ka një objektiv tjetër shumë tërheqës, që sipas tij është Ballkani Perëndimor.

Stavridis thotë se, ndonëse në katër shtete të Ballkanit janë anëtarë të NATO-s, Rusia i synon Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Admirali amerikan në pension thotë se Putini po kërkon të përfitojë nga historia e papërfunduar e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Megjithatë, ai thotë se, edhe pse Kosova nuk është në NATO, në këtë vend ka mijëra paqeruajtës të NATO-s. Thotë po ashtu se “Putini po e inkurajon qartë Serbinë që të bëjë presion mbi qeverinë e Kosovës të mbështetur nga NATO”.

Stavridis thotë se Putini po punon gjithashtu “për të destabilizuar qeverinë e lëkundur të Bosnje-Hercegovinës, e cila është e ndarë në një presidencë trepalëshe të çuditshme me një përfaqësues të secilës prej tre zonave kryesore etno-fetare”.

“Aktori politik më me përvojë është Dodiku, i cili është i lidhur ngushtë me Moskën. Edhe një dekadë më parë, ai më thoshte për nevojën e shkëputjes së Republikës Serbe, e cila do të shkatërronte në mënyrë efektive vendin. Pjesa e tij më pas do të bashkohej me vetë Serbinë, duke krijuar një shtet më të madh serb, të cilin Putini do ta miratonte me kënaqësi”, deklaron në këtë opinion admirali Stavridis.

Më tej, ai e citon admirali në pension Mark Montgomery: “Kjo është e njëjta lloj sfide me të cilën u përballëm një dekadë më parë – Putini përfiton nga përzierja e tenxheres diku tjetër në Evropë, duke u përpjekur të dobësojë besueshmërinë e NATO-s dhe të na largojë nga mbështetja e Ukrainës”, citon Stavridis të ketë thënë Mongomery.

“Për fat të mirë, Perëndimi ka opsione. Për momentin, ideja e vendosjes së batalioneve të NATO-s në Ukrainë nuk ka gjasa. Në këtë mënyrë, rritja e nivelit të trupave të dislokuara në Kosovë tani, dhe paraprirja e trazirave që Putini po përpiqet të nxisë, është e mundur dhe ka kuptim strategjik. Të bësh këtë do të ishte një shembull i një ndarjeje efektive rajonale të përpjekjeve brenda aleancës: vendet e NATO-s në Ballkan dhe në fqinjësi (p.sh. Greqia dhe Italia) mund të fokusohen në atë rajon. Anëtarët e Evropës Lindore dhe Nordike mund të udhëheqin përpjekjen e Ukrainës. Vendet e mëdha në perëndim – Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe ShBA-ja – kanë burime të mjaftueshme për t’u përfshirë në të dyja”. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Papa Françesku: Terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje

Papa Françesku bëri thirrje sot për “ndalimin e sulmeve” në Izrael, duke thënë se “terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje”.

“Unë ndjek me shqetësim dhe dhimbje atë që po ndodh në Izrael (…) Unë shpreh solidaritetin tim me familjet e viktimave. Unë lutem për të gjithë ata që po përjetojnë orë terrori dhe ankthi,” tha ai.

“Ju lutemi, le të ndalojnë sulmet dhe armët!” i kërkoi ai turmës së besimtarëve.

“Terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje, por vetëm në vdekjen dhe vuajtjen e kaq shumë njerëzve të pafajshëm”, theksoi ai.

“Lufta është një disfatë. Çdo luftë është një disfatë. Le të lutemi që të ketë paqe në Izrael dhe Palestinë,” përfundoi Papa, i cili nuk përmendi në mënyrë specifike Rripin e Gazës apo Hamasin, lëvizjen islamike palestineze në pushtet në Gaza, e cila nisi ofensivën e befasishme në agimin e së shtunës, duke shkaktuar qindra të vdekur në të dy kampet./atsh/KultPlus.com

23 vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Me këtë rast Komuna e Skenderajt së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të bëjnë̈ homazhe në shenjë nderimi për heroizmin e jashtëzakonshëm të familjes Jashari. (Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ora, 10:00. / KultPlus.com

28 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

Sot mbushen 28 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

28 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.

Për të shënuar këtë ditë, nga ora 11.00 do të bëhen homazhe te varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Prekaz./ KultPlus.com