Papa Françesku në mesazhin e Pashkëve bën thirrje për armëpushim në Gaza dhe Ukrainë

Papa Françesku ka përdorur mesazhin e tij tradicional të Pashkëve për të bërë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për kthimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Papa 87-vjeçar udhëhoqi meshën e Pashkëve në Vatikan përpara mijëra njerëzve, pavarësisht shqetësimeve për shëndetin e tij.

Duke iu referuar konflikteve në mbarë botën, Papa u lut që të mos “i nënshtrohen logjikës së armëve dhe riarmatimit”, transmeton Klankosova.tv.

“Paqja nuk bëhet kurrë me krahë, por me duar të shtrira dhe me zemër të hapur”, tha ai.

Dhjetëra mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar Papën.

Ndërsa negociatat e reja të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit do të fillonin, Papa Françesku tha: “Unë bëj thirrje edhe një herë që të sigurohet qasja në ndihmat humanitare në Gaza dhe bëj thirrje edhe një herë për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të kapur më 7 tetor dhe për një armëpushim i menjëhershëm në Rripin e Gazës.

Duke iu referuar ndikimit të luftës tek civilët, duke filluar nga fëmijët, ai tha: “Sa vuajtje shohim në sytë e tyre! Me ata sy na pyesin: Pse? Pse gjithë këto vdekje? Pse gjithë ky shkatërrim? Lufta është gjithmonë një absurditet dhe një disfatë”.

Papa Françesku paralajmëroi gjithashtu vendet që të mos riarmatosen dhe foli për konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë pak më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të fqinjit të saj.

Papa i bën thirrje botës që të ndalojë trafikimin e qenieve njerëzore

Papa Françesku i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore, duke thënë se shumë prej tyre janë bërë viktima të një shfrytëzimi të tillë.

Ai tha gjithashtu se toleranca dhe vëllazëria janë të nevojshme kundër urrejtjes dhe luftës; se paqja ishte përgjegjësi e gjithë familjes njerëzore; se vëllazëria njerëzore është spiranca e shpëtimit të njerëzimit; dhe se “jeta ka një vlerë të pamasë, ndaj le të kapërcejmë vizionet ideologjike”, raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, transmeton Klankosova.tv./KultPlus.com

Këshilltari i Papës kërkesë Vatikanit: Kisha Katolike duhet të lejojë martesën e priftërinjve

Kisha Katolike duhet “të shqyrtojë seriozisht” mundësinë e lejimit të martesave për priftërinjve, tha një zyrtar i lartë i Vatikanit dhe këshilltar i Papa Françeskut në një intervistë të publikuar sot.

“Kjo është ndoshta hera e parë që po e them publikisht dhe mund të duket e gabuar për disa njerëz,” tha për Times of Malta, Kryepeshkopi Charles Scicluna, i cili është gjithashtu sekretar ndihmës në zyrën doktrinore të Vatikanit.

Papa Françesku ka përjashtuar çdo mundësi që ai të ndryshojë rregullin katolik romak që kërkon që priftërinjtë të jenë të pamartuar. Megjithatë kjo nuk është një doktrinë formale e Kishës dhe kështu mund të ndryshohet nga një papë i ardhshëm.

Scicluna theksoi se priftërinjtë lejoheshin të martoheshin në mijëvjeçarin e parë të historisë së Kishës dhe se martesa lejohet sot në ritin lindor të Kishës Katolike./balkanweb/KultPlus.com

Papa Françesku: Terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje

Papa Françesku bëri thirrje sot për “ndalimin e sulmeve” në Izrael, duke thënë se “terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje”.

“Unë ndjek me shqetësim dhe dhimbje atë që po ndodh në Izrael (…) Unë shpreh solidaritetin tim me familjet e viktimave. Unë lutem për të gjithë ata që po përjetojnë orë terrori dhe ankthi,” tha ai.

“Ju lutemi, le të ndalojnë sulmet dhe armët!” i kërkoi ai turmës së besimtarëve.

“Terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje, por vetëm në vdekjen dhe vuajtjen e kaq shumë njerëzve të pafajshëm”, theksoi ai.

“Lufta është një disfatë. Çdo luftë është një disfatë. Le të lutemi që të ketë paqe në Izrael dhe Palestinë,” përfundoi Papa, i cili nuk përmendi në mënyrë specifike Rripin e Gazës apo Hamasin, lëvizjen islamike palestineze në pushtet në Gaza, e cila nisi ofensivën e befasishme në agimin e së shtunës, duke shkaktuar qindra të vdekur në të dy kampet./atsh/KultPlus.com

Luiza Papa, femra më e bukur e viteve të 60-ta në Tiranë

Në një nga intervistat e njohura me këngëtarin Pirro Çako i them me mirëdashje që ai ka qenë me shumë fat në jetë. Është rritur me një nënë aq të bukur, sa kur kalonte ajo e gjithë Tirana kthente kokën. Ishte gruaja më e bukur e kryeqytetit. Pirro qeshi dhe më tha që ishte e vërtetë. “Ka qenë me të vërtet një sensacion i bukur të rriteshe me një grua që çdo mëngjes ngjante si një engjëll.

Dhe në fakt kjo ishte e vërtetë. Gruaja me emrin Luiza Papa shquhej për veshje të veçanta tërë elegancë, për stilin e saj perëndimor dhe për topuzin e famshëm që gjithnjë e ka pasur të veçantë dhe i jepte hir mbretëreshe.

Të gjithë në Tiranë e njihnin dhe kënaqeshin kur vetëm e shikonin dhe e admironin. Aq i veçantë do të ishte stili i saj në veshje sa femrat e Tiranës të gjithë e kopjonin dhe në rrobaqepësitë e kryeqytetit të gjitha gratë shpreheshin se donin një fustan si të Luiza Papës.

Luiza kishte fatin që nënën e saj ta kishte një mjeshtre rrobaqepësie dhe në shtëpinë e saj kishte dhe makinë trikotazhi që punonte bluza me fije. Ndaj e bija do të ishte modelja e parë dhe që do bënte trend në gjithë Tiranën. Dhe përveç kësaj kishte një trup të skalitur si Sophia Loren dhe një fytyrë të harmonishme dhe mrekullisht të bukur si një divë kinemaje.

“Si të gjithë në Shqipërinë e asaj kohe mundoheshin dhe të sajoheshin bukur. Pra përdornin ndonjë fustan të vjetër duke i marrë copën dhe duke sajuar një fustan të bukur me një model të ri. Pra me një nënë rrobaqepëse gjërat për të ishin më të lehta”, shprehet ajo.

Gruaja më e bukur e kryeqytetit kishte një sqimë perëndimore në veshje. “Shikonim ndonjë film, ndonjë të huaj dhe mundoheshin të kopjonim modelin e artisteve”, thotë ajo.

Ndër preferencat e veshjeve të sja ishin ngjyrat e bardha, blu, rozë e hapur dhe jeshile ndërkohë që ngjyrat e errëta dhe ato të fortat nuk ishin pjesë e garderobës së saj.

Pas fejesës më Gaqo Çakon ajo filloi të bëhej më fanatike për veshjen . Duke qenë se fati e kish lidhur me një emër të lakmuar të botës muzikore, një prej tenorëve më të mirë shqiptarë ajo filloi të ishte më e kujdesshme për pamjen e saj të jashtme. Trend i asaj kohe ishte një tualet i thjeshtë dhe një e veçantë që ajo e kish ruajtur gjithmonë: flokët topuz. Një model flokësh që gjithnjë i ka dhënë pamje mbretërore dhe aristokratike.

Të gjithë ata që në Tiranën e asaj kohe ndiqnin ngjarjet e mëdha artistike të kohës do të mbajnë mend veshjen e Luiza Papës në skenë. Aq sa biletat do të shiteshin për të parë sesi kjo vajzë e bukur dhe me sqimë por dhe me një talent të veçantë do të interpretonte në skenë.

Sot Luiza është në një moshë të shtyrë, por dhe pse rrudhat i janë shfaqur mban akoma aureolën mbretërore të saj dhe duket si gjithnjë fisnike. Gaqoja është 3 vjet më i madh se ajo dhe janë njohur në lice kur shkolloheshin të dy. Gaqo dallohej që në lice për talentin e tij dhe të gjithë e admironin.

Me Gaqon fillimisht kishin një miqësi të pastër e të sinqertë. Dashuria mes tyre lindi kur shkuan në Rusi kur ishin të dy për studime. Ditët e pushimit dilnin të dy bashkë në qytet, diskutonin, flisnin dhe thurnin plane për të ardhmen. Në Rusi kishte femra shumë të bukura, por me kalimin e kohës ato gjenin gjithnjë gjëra të përbashkëta dhe shpejt arritën në idenë se ishin të prerë për njëri-tjetrin. Dhe një ditë prej ditësh Gaqo i shprehu dashurinë.

Dhe kështu sapo u kthyen nga Rusia u martuan. Ishte viti 1963. Filluan punë në Teatrin e Operas dhe atje bënë një karrierë të lavdërueshme.

Por ishte e çuditshme sepse siç ishte zakon në Shqipërinë e asaj kohe ajo kishte një cen në biografi. Në atë kohë ishte problem i madh por ajo u tregua e sinqertë me shokun e saj. “Dashura është më e fortë se biografia”, u shpreh Gaqoja, dhe u mbyll ai muhabet.

Me Gaqon ishin një çift i përsosur. Janë respektuar në maksimum dhe gjithë jetën kanë mbrojtur dhe dinjitetin e një prej çifteve më të lakmuar të Tiranës. Sigurisht që nuk ka qenë një gjë e lehtë. Sepse ishte artiste, ishte një grua e bukur dhe ngacmimet e jashtme kanë qenë gjithnjë të mëdha. Por është munduar që gjithë jetën të ruajë dinjitetin e saj.

Një familje artistësh që gjithë jetën kanë bërë bujë me karrierën e tyre dhe kanë lënë një shije pozitive tek të gjithë me gjithçka që arritën në jetë.

E ndërsa kalojmë përsëri tek e kaluara ajo buzëqesh. Komplimenteve se ka qenë gruaja më e bukur e Tiranës i përgjigjet me një buzëqeshje të dlirë. Ishte artistja që vidhte zemra njerëzish me gjithë aureolën e saj dhe mund të quhet artistja dhe modelja e famshme e viteve 60-të në Tiranë./KultPlus.com

Papa: Pandemia është testi më i madh i kohës sonë

Papa Françesku i bëri thirrje Evropës që të tregojë “solidaritet” gjatë rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia COVID-19.

Papa i bëri komentet gjatë një vizite në Sllovaki – njërin nga vendet më të goditura në kontinent nga pandemia.

Ai e cilësoi pandeminë si “testin më të madh të kohës sonë”.

“Na ka mësuar se sa e lehtë është – edhe kur jemi të gjithë në të njëjtën anije – të tërhiqemi dhe të mendojmë vetëm për veten tonë”, tha Papa.

Sllovakia, vend anëtar i Bashkimit Evropian me rreth 5.4 milionë banorë, ka pasur përqindjen më të lartë të infektimit dhe vdekshmërisë nga COVID-19 në një periudhë të këtij viti.

“Pas muajve të gjatë dhe të mundimshëm të pandemisë, plotësisht të ndërgjegjshëm për vështirësitë përpara, jemi në pritje të një rritjeje ekonomike, që do të mbështetej edhe nga planet e Bashkimit Evropian për rimëkëmbje”, tha Papa në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë.

Ai paralajmëroi kundër “ndjenjës kalimtare të euforisë” dhe tha se Evropa duhet të tregojë një solidaritet të tillë, që “duke kapërcyer kufijtë”, e kthen atë “në qendër të historisë”.

Një ditë më herët, kreu i Selisë së Shenjtë qëndroi në Hungari, ku foli për “kërcënimet nga antisemitizmi”.

“Është një fitil që nuk duhet të lejohet të digjet. Dhe, mënyra më e mirë për ta fikur atë është të punojmë së bashku, pozitivisht dhe të promovojmë vëllazërinë”, tha Papa.

Vizita e Papës në Hungari dhe Sllovaki është e para prejse ai i është nënshtruar një operacioni në zorrën e trashë, në muajin korrik./KultPlus.com

Elvana Gjata bashkëpunim me Innan dhe Sickotoyn

Elvana Gjata ka paralajmëruar se së shpejti do të publikohet një projekt i ri, pjesë e së cilës është edhe ajo.

Bëhet fjalë për një bashkëpunim mes saj dhe këngëtares së famshme Inna e producentit Sickotoy.

Kënga do të quhet “Papa” dhe pritet të shndërrohet në një hit të verës.

Ndërkohë, këngëtarja Inna javë më parë kishte lavdëruar këngën e Elvanës “Loti”, duke e shpërndarë atë në rrjetet sociale dhe duke e quajtur atë “Flori”.

Inna është këngëtare rumune e njohur për hitet e saj si “Amazing”, “Ruleta” dhe “In Your Eyes”. / Koha.net / KultPlus.com

Mesazhi i Papës për Pashkët: Në këto kohë të errëta pandemie nuk duhet të humbim shpresën

Papa Françesku mbajti mbrëmjen e së shtunës meshën e shenjtë të Pashkës, e dyta që zhvillohet ndryshe për shkak të masave të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Është gjithmonë e mundur të fillojmë nga e para sepse ekziston gjithmonë një jetë e re që Zoti është i aftë të rifillojë tek ne përtej të gjitha dështimeve tona. Edhe nga rrënojat e zemrës sonë, Zoti mund të ndërtojë një vepër arti”.

Kështu u shpreh Papa Françesku në mesazhin e tij dedikuar besimtarëve në Vigjiljen e Pashkëve në bazilikën e Shën Pjetrit.

” Dhe në këto muaj të errët të pandemisë dëgjojmë Zotin e ngjallur që na fton të fillojmë përsëri, për të kurrë mos e humb shpresën tonë “, shtoi ai. / KultPlus.com

Zhgënjimi ndaj Vatikanit dhe letra që Skënderbeu ia dërgoi Papës: Turqit po vijnë, ne nuk gjunjëzohemi

Më poshtë – me pak përshtatje – është punimi i Dhimitri Pilikës, që daton nga janari 1967 dhe që si bosht ka një ndër letrat e Skënderbeut (ndër të paktat që ekzistojnë) , e gjetur mbas pesë shekujsh nga vdekja e tij. Letra është e 8 prillit 1456 dhe i drejtohet Papës në Romë.

Gjatë luftës kundër pushtimeve otomanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i jepte rëndësi të veçantë zbulimit, kështu që në pranverën e vitit 1456 informohet që një ekspeditë ushtarake ishte nisur drejt trojeve arbërore. Pas mobilizimit të të gjithë shqiptarëve dhe mbështetësve të tij, Skënderbeu – si një strateg vizonar – përpiqet të sigurojë mbështetjen e vendeve të tjera.

Por, ndihma e jashtme nuk mendohej pa aprovimin e Papës në Romë i cili ushtronte një pushtet të padiskutueshëm mbi mbretëritë dhe princërit e Evropës katolike. Për këtë arsye, Skënderbeu nis me urgjencë përfaqësuesin e tij, Pal Dushmanin, por me sa duket Vatikani jo vetëm që tregohet indiferent duke mos iu përgjigjur kërkesave të Skënderbeut dhe duke ju dhënë kohë pushtuesve ti afroheshin trojeve që synonin t’i pushtonin, por nxjerr dhe pengesa për Pal Engjëlln në kthimin e tij në Krujë.

Skënderbeu i zemëruar për këtë sjellje të Vatikanit shtrëngohet të kryejë një protestë jashtëzakonisht energjike duke i dërguar një letër njërit nga këshilltarëve më të ngushtë të Papës Alfonsi të V-të, Kardinalit Dominik Kapranikës. Ky qëndrim mjaft kritik ndaj Vatikanit në këtë letër mund të ketë qënë dhe shkaku i mos publikimit të saj deri më tani.

Teksti i letrës sjell pranë shqiptarëve disa tipare të forta të Skënderbeut, si dinjiteti, krenaria, burrëria, besa dhe vizioni i tij ndërkombëtar, ku shprehet jo vetëm për mbrojtjen e trojeve shqiptare po edhe për të luftuar në ndihmë të vendeve të tjera.

Teksti është si më poshtë :

Shumë i nderuarat dhe zotëri më Krishtin. I shkruaj zotërisë suaj shumë të nderuar që të ketë dijeni mbi ngjarjet që po ndodhin këtej. Turku ka bërë përgatitje jashtëzakonisht të mëdha. Thonë se ai sapo është duke u derdhur me 14.000 turq, ose kundër nesh ose kundër Danubit. Njoftohemi se i është afruar tani kufirit. Me forcat tona po marshojmë kundër tyre.

Prandaj që edhe ne të mundim të mbrohemi edhe turkut vetë t’i shkaktojmë humbje. I lutem me këmbëngulje zotërisë suaj shumë të nderuar të kujdeset së bashku me zotërinë tonë që të më sigurohet ndihma e popujve.

Papo në marrtë armiku rrugën drejt Danubit, ne do t’i qepemi prapa shpine. Por, në ardhtë kundër nesh, ne do t’i rezistojmë.

Të gjithë e dinë se, sikur të hiqet dorë nga plani që pattë përgatitur kundër armikut, kjo është e dëmshme për fenë e krishterë.

Për këtë arsye, shumë i nderuari zotëri, ndërmarrjen e filluar e paçi nën kujdesin tuaj: sepse , përndryshe, turku pak e nga pak po grumbullon forca.

I dërgova shenjtërisë së tij zotërisë sonë përfaqësuesin tim, atin e nderuar zotin kryepeshkop të Krujës. Habitem se për ç’arsye nuk është kthyer dhe se nuk po marr përgjigje që prej kaq kohe.

Prurësi i kësaj letre është miku im shumë i ngushtë zoti Pal Engjëlli, këtë ja u rekomandoj në mënyrë të posaçme, zotëri shumë i nderuar. Mbettë pra zotëria juaj me shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë

Lezh më 8 të prillit 1456

Gjergj Kastrioti I quajtur ndryshe Skënderbe

Zot në Arbër, mbështet tek ju

Që nga leximi i kësaj letre bien në sy disa veti të rralla të Gjergj Kastriotit, të këtij simboli të gjithë rezistencave në historinë e njerëzimit: ai nuk e lyp ndihmën, por e kërkon shprehimisht me dinjitet.

Gatishmëria e tij dhe fryma e tij ndërkombëtare kur shprehet i gatshëm të ndihmoj popujt fqinj në rast se e pësonin ata sulmin, vendosmëria e tij e patundur për të pritur pushtuesin, qortimi i hapur dhe trimëror që i përplas ndonëse jo pa takt Selisë së shenjtë në rast se kjo dredhon dhe e ka syrin për të tradhtuar, arsyetimi i pjekur i Skënderbeut, konciz, pa ambiguitet, largpamës, mençuria e thellë e tij, njohja e thellë e situatës politike evropiane, gjakftohtësia, qëndrimi burrëror, i prerë dhe besimi në vetvete shpalosin përpara shqiptarëve një anë jo shumë të njohur të Skënderbeut.

Letra në origjinalin e saj është e shkruajtur latinisht sipas anës formale të protokollit me një formulë të paracaktuar. Ajo I drejtohet një ndër personave më me influencë në Vatikan, Kardinalit Dominik Kaprakinkës, i cili njihej si kritikues i ashpër i Papës dhe të metave të Vatikanit, si dhe njihej si njeri me ide të qarta dhe të prera kundër pushtimit otoman.

Përmbajtja e letrës dhe asaj çka shkruhet aty është e vërtetuar historikisht: përgjatë dimrit të viteve 1455-1456 turqit mblodhën dhjetëra mijë ushtarë nga të gjitha anët e perandorisë osmane dhe ndërtuan në Krushevc të Serbisë mbi lumen Moravë një fabrikë topash.

Kjo ishte veç vala e parë e ushtrisë turke që po lëshohej atë mot me Moisi Golemin në krye kundër trojeve arbërore. Informatat e Skënderbeut mbi numrin e pushtuesve përputhen plotësisht me dokumentet historike të asaj periudhe.

Për të konfirmuar madhështinë epokale të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe rolin e tij me përmasa botërore në ndryshimin e fateve të Evropës, fjalët e Mehmetit të II-të për të: “Sikur të mos ishte lindur Skënderbeu, unë do t’i kisha dhënë për burrë gjirin e Adriatikut republikës së Venedikut, do të kisha vënë çallmën mbi kryet e Papës dhe gjysmëhënën mbi kubenë e Shën Pjetrit”.

Përgatiti: Brizida Gjikondi. / KultPlus.com

Papa u bën thirrje politikanëve t’i lënë anash dallimet në kohën e pandemisë

Papa Françesku u bëri thirrje politikanëve që të lënë mënjanë dallimet dhe të merren me krizën e koronavirusit në një mënyrë të bashkuar.

“Ne lutemi sot për burrat dhe gratë që kanë një angazhim politik”, tha ai, duke shtuar se “politika është një formë e lartë e bamirësisë”.

“(Ne lutemi) për partitë politike të vendeve të ndryshme, në mënyrë që në këtë kohë të pandemisë, ata së bashku të kërkojnë të mirën e vendit dhe jo të mirën e partisë së tyre”, tha Papa Françesku.

Udhëheqësi i 1.3 miliardë katolikëve romakë në botë nuk përmendi ndonjë vend apo personalitet politik.

Që nga fillimi i krizës së pandemisë, Papa në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen për efektet e krizës në shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht të pastrehët dhe migrantët.

Të dielën ai bëri thirrje për një vizion gjithëpërfshirës të botës pas krizës Covid-19, duke thënë se lëvizja pa solidaritet global ose duke përjashtuar një kategori të njerëzve nga shërimi do të rezultojë në “një virus edhe më të keq”/REL.