Sot publikohen fituesit e festivalit të dramës ‘Talia e Flakës 2022’

Sot do të publikohen fituesit e festivalit të dramës ‘Talia e flakës 2022’.

Rezultatet do të shpallen sot nga ora 12:00 në Varg e Vi dhe në Tearin e qyteit të Gjilanit

Festivali i dranës origjinale shqipe ‘Talia 2022’ në Gjilan është mbajtur nga 13-eri më 28 janar në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit’./ KultPlus.com

Nesër nis Festivali i Dramës Kombëtare ‘Talia e Flakës 2022’

Edhe sivjet, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”, në Gjilan, që nis më 23 janar dhe zgjat deri më 28 janar.

Në natën e parë, është paraparë që të jepet shfaqja “Viganët” me tekst të Visar Krushës e regji të Ilir Bokshit, ku do të paraqiten aktorët e Teatrit të Gjilanit.

“Nata e dytë është e rezervuar për shfaqjen “Aroma e Hënës” me skenar të Mehmet Krajës e regji të Rozi Kostanit, derisa në këtë shfaqje do të luajnë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “5 ditë mbret”, është shfaqja që do të jepet në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Kombëtare në kuadër të “Flaka…2022”, ku skenarist është Stafan Çapaliku e regjisor Gjergj Prevazi. Kësaj radhe nga Shqipëria, Festivalin do ta nderojë trupa teatrore e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça. Në mbrëmjen e katërt do të paraqiten aktorët e Teatrit “Adriana” nga Ferizaj, me shfaqjen “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” nga Jeton Neziraj e me regji të Blerta Nezirajt. E në mbrëmjen e pestë do të paraqitet edhe një trupë teatrore nga Shqipëria, ajo e Teatrit “Metropol” nga Tirana, të cilët do të japin shfaqjen “GOF” nga Anton Pashku, me regji të Shkëlzen Berishës. Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar do të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, që është prodhim nga “Integra”. Të gjitha shfaqjet do të fillojnë nga ora 18:00. Ndryshimi i terminit ka ndodhur për shkak të masave të reja anit-Covid”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Festivali i dramës origjinale shqipe është një manifestim teatror me përmasa mbarëkombëtare.

“Talia e Flakës” është njëra ndër shtyllat më të forta të manifestimit, me të gjitha prerogativat e një evenimenti unik e kredibil, si një element, ndër të parët e kulturës së bashkuar mbarë shqiptare, e me një gjakim fare të vetëkuptueshëm: që ta stimulojë e avancojë dramaturgjinë kombëtare, që t‘i inkurajojë e nxisë shkrimtarët e në radhë të parë dramaturgët, që ta begatojnë këtë gjini tonën, gjini e lloj letrar, i cili shkruhet (në radhë të parë) për t‘u inskenuar, më shumë se për t‘u lexuar si letërsi./ KultPlus.com

Ilire Vinca e Luan Jaha, aktorët më të mirë në Talia e Flakës 2019

Regjisorët shqiptarë nëse arrijnë të kenë në kastën e projekteve të tyre dy aktorët e njohur Ilire Vinca dhe Luan Jaha, qysh në fillet e projekteve e nuhasin suksesin, shkruan KulPlus.

Dhe si të tillë, janë shpërblyer me çmimet aktorja më e mire dhe aktori më i mirë në edicionin e fundit të Festivalit të Teatrove Mbarëkombëtar “Talia e Flakës”, që është mbajtur së fundi në Gjilan, në kuadër të Manifestimit tashmë tradicional Flaka e Janarit.

Ilire Vinca është shpërblyer për rolin e saj në shfaqjen “Hipokritët ose pacienti anglez”, me regji të Agon Myftarit dhe Blerta Nezirajt, kurse Luan Jaha është nderuar me çmimin aktori më i mirë për shfaqjen “I ligu për mend”, me regji të Altin Bashës.

Këto çmime janë ndarë nga juria profesionale në përbërje të: Hazir Haziri – aktor
Auritë Agushi – aktore dhe Musbajdin Qamili – aktor. Ilire Vinca dhe Luan Jaha janë aktorë super të rryer në fushën e teatrit dhe atë të kinematografisë, të cilët përgjatë karrierës së tyre numërojnë dhjetëra role, ku për punën e tyre janë shpërblyer si brenda ashtu edhe jashtë vendit./KultPlus.com

Në natën e dytë të Festivalit “Talia e Flakës” u dha shfaqja “I vetëm në banesë”

Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që po mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, ka vazhduar ta tërheqë vëmendjen e publikut edhe në natën e dytë, pasi salla sërish ishte e mbushur me adhurues të artit skenik.

Radha ishte për nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, që u prezantua me shfaqjen dinamike, komedinë “I vetëm në banesë”, me tekst të Avni Shkodrës, në regji të Natyrë Kallabës, e me kastën e aktorëve: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Safete Mustafa, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa A. Hasani.

Ajo çfarë iu prezantua publikut kishte të bënte me personazhin Artanin, një skenarist serialesh, që mbetet i vetëm në banesë, pasi Blerina, gruaja e tij, shkon në një seminar.

Kështu, ai fillon të shkruajë skenarin e tij të radhës duke i krijuar personazhet, që të gjitha femra, por që ato fillojnë t’i shfaqen në skenë, natyrisht ashtu siç i konceptonte ai në skenarin që shkruante. Por, ato herë ishin reale, e herë pjellë e imagjinatës së tij.

Ato gra, që Artani i sillte në banesë, fshehtas nënës, e cila e vizitonte shpesh edhe në imagjinatën e tij, e përballin këtë skenarist me një sfidë, në mes të dëshirës për flirtim dhe të qëndruarit besnik ndaj gruas së tij.

Tutje, ky skenarist serialesh humb sensin e realitetit, duke e komplikuar edhe më shumë situatën, pasi karakteret që i vinin në mënyrë fiktive dhe me situata absurdi, e sillnin atë në situata emocionale, ku si përfundim përjeton vdekjen përkatësisht vrasjen nga secili personazh.

Postierja numër 69, shërbëtorja, psikologja, vaska, abazhurët, pasqyrat, telefoni, laptopi, picat, xhointi… audiencës i servoheshin me një qasje konceptuale bashkëkohore, të përcjella me koreografi, lojë dhe këndim.

Edhe loja e Albanit si kryepersonazh, por edhe e aktoreve, Mejremes, Eminës, Safetës, Njomëzës dhe Tringës, në momente të caktuara, por sidomos në pjesën e fundit, sollën emocione te publiku i pranishëm, të cilin e bënë për vete, e nga të cilët, në fund, u shpërblyen edhe me duartrokitje.

Ata të cilët u angazhuan që shfaqja të ishte në tërësi e plotë, pra edhe me elemente tjera përbërëse për një shfaqje, ishin edhe: Bekim Korça – skenografia, kostumet dhe koreografia, Florim Gagica – muzika, Fatmir Halili – dritat, Raif Haziri – inspicient dhe organizator, Suad Berisha – rekuizitat, si dhe treshja, Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti – realizatorë të skenografisë.

Përndryshe, në mbrëmjen e radhës, në natën e tretë, në skenën e Teatrit të Gjilanit do të ngjitet, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, i cili do të sjellë shfaqjen “Kreonët e Ballkanit”, me autor dhe regji të bërë nga Enver Petrovci, duke e begatuar kështu edhe më shumë, këtë Festival të Dramës Shqipe, që ka edhe karakter garues.

Sonte në Gjilan nis “Talia e Flakës”, 6 shfaqje nga të gjitha trojet shqiptare

Festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës” ndër vite ka mbledhur më së shumti shikues në manifestimin “Flaka e Janarit”.

Edhe sivjet në këtë festival do të marrin pjesë teatro nga të gjitha trevat shqiptare, kurse organizatori është përpjekur që të sjellë në Gjilan shfaqjet më të mira, me autorë shqiptarë.

Bashkim Nexhipi, koordinator i “Flakës së Janarit 2018”, ka thënë se kështu, në natën e parë, më 22 janar, që është edhe mbrëmje hapëse, të parët do të paraqiten vendasit, Teatri i Gjilanit, i cili do të japë shfaqjen “Një natë në hotel” me tekst të Muharrem Shahiqit, me dramatizim të Agush Mulliqit e në regji të Bashkim Ramadanit.

Në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.

Teatri Shqiptar i Shkupit, në mbrëmjen e tretë të festivalit do të jap shfaqjen “G” të autorit Gjergj Fishta me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit.

Regjisori Milto Kutali, i cili më herët kishte realizuar shfaqje edhe në Gjilan, kësaj radhe do të sjellë shfaqjen nga Shqipëria “Rrno për me tregue”, të cilën e pati shkruar At Zef Pllumi.

Teatri nga Prishtina “Dodona” do të paraqitet me shfaqjen “Portreti i pakryer”, të autorit Besim Rexhaj e regjinë e së cilës e ka bërë Elmaze Nura.

Festivalin do ta përmbyll shfaqja “Në dorë të fatit…” e Teatrit “Petro Marko” nga Vlora, tekstin e së cilës e ka bërë Ledian Gjeçi, kurse regjia është e Arben Kumbaro.

Të gjitha shfaqjet do të nisin me fillim në ora 19:00.​/ KultPlus.com

“Një natë në hotel”, premiera që nis Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan

Të hënën, më 22 janar, në teatrin e qytetit të Gjilanit, nisë Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në kuadër të “Flaka e Janarit”, shkruan KultPlus.

“Talia e Flakës” nis me premierën e shfaqjes “Një natë në hotel” e autorit Muharrem Shahiqi, rishkruar nga Agush Mulliqi e me regji të Bashkim Ramadanit.

Kjo shfaqje do ta bëjë hapjen e festivalit të dramës shqipe që do të zgjatë deri më 26 janar.

Shfaqja është e zhanrit komedi dhe është rishkruar dhe përshtatur duke trajtuar problematikat aktuale, ku një hotel është privatizuar nga një politikan, por jo në emër të tij. Gjithçka zbulohet kur ndodh një keqkuptim mes pronarit dhe një aplikante që kërkon të punësohet, ku përmes shantazhit ajo ia zë vendin e punës recepsionistit. Në një lëmsh të vërtetë korrupsioni, ku përfshihen edhe mysafirët e hotelit, arrihet një marrëveshje ku të gjithë pranojnë të korruptohen.

Shfaqja vjen nëpërmjet lojës së aktorëve: Ernest Zymberi, Gani Rrahman, Safete Mustafa Baftiu, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Naser Zymberi, Tringa Hasani. Skenografia: Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostumografia: Valdete Mustafa, muzika: Florim Gagica dhe dritat: Fatmir Halili.

“Një natë në hotel” vjen nesër në Teatrin e Qytetit të Gjilanit me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com