“Nastradini” shëtit në rrugët e Korçës

Një shfaqje e një karakteri tepër të veçantë ka ofruar Teatri “A.Z. Çajupi” i Korçës për publikun e qytetit. Rrëfenjat e famshme të Nastradinit, kanë ardhur në një formë tjetër. Nuk ka qenë publiku që ka shkuar në teatër, por anasjelltas. Aktorët kanë vënë shfaqjen nëpër rrugët e Korçës, duke bërë ndalesa në disa pika të rëndësishme të qytetit, si sheshi para Katedrales, Muzeu Arkeologjik dhe Mitropolia.

Aktorët e Teatrit A.Z.Çajupi, janë bërë bashkë me aktorë nga Italia dhe të rinjtë e talentuar të “Rin Show”.

Shfaqja “Në kepucët e Nastradinit”, me tekst e regji të Laura Fatinit, shijohet në lëvizje, dhe do të luhet edhe sot në mbrëmje. Ajo i është bashkuar projektit “Giufà” të një grupi artistësh të rinj italianë. Emrin ky projekt e merr nga versioni sicilian i Nastradinit, një personazh rrëfenjash, që ka jetuar në Turqinë e shekullit të 13-të, por që njihet në të gjithë Ballkanin e më gjerë, me emra të ndryshëm.

Shfaqja “Në këpucët e Nastradinit”, ngjalli shumë interes dhe argëtoi publikun”, është shprehur aktorja dhe njëkohësisht drejtore e Teatrit, Zamira Kita. Ajo i ka ftuar artdashësit, edhe sot, të mblidhen para Katedrales, për të nisur udhëtimin teatror.  Shfaqja jo vetëm të argëton, por ka dhe nje mesazh shumë të bukur.

“Mos i ndaloni njerëzit të lëvizin, sepse rrezikoni të ndaloni historitë e tyre dhe kështu ju ndaloni jetën”-tha Kita.

“The Giufà Project”, është një “kuti” krijimesh artistike të zhanreve të ndryshme, dhe multikulturalizmi, që ka synimin të ngrejë ura komunikimi mes kulturave të Mesdheut./atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet ikona e artit dramatik shqiptar, aktori Stavri Shkurti

Përkujtohet sot ndarja nga jeta e njërit prej ikonave të artit shqiptar.

Stavri Shkurti lindi në qytetin e Korçës më datën 5 gusht të vitit 1927.

Lidhjet e tij me teatrin janë shumë të hershme, sepse që në moshë fare të re angazhohej shumë shpesh me trupat amatore teatrore në qytet. Më vonë ai studion për inxhinieri hidrologjike në Çekosllovaki, pavarësisht se për asnjë moment nuk u shkëput nga teatri dhe kinemaja.

Me krijimin e trupës profesioniste teatrore dhe themelimin e “Teatrit A.Z.Çajupi” në Korçë, artisti emërohet si aktor pranë kësaj trupe. Fal pasionit, vullnetit dhe cilësive të tij të shkëlqyera interpretative, ai spikat si aktor dramatik fal edhe zërit të tij të cilësuar edhe si një nga zërat më të mirë ndër aktorët shqiptar.

Rroli i tij i parë nga i cili edhe mori një admirim të madh jo vetëm për publikun korçar por mbarë shqiptar ishte ai i Markos në dramën “Pamje nga ura” e autorit A. Miller. Më pas ai do të zhvillonte aktivitetin e tij edhe në kinema e cila e ktheu atë në një ikonë të vërtetë.

Në teatër shquhet për interpretim në vepra si “Vajza pa prikë”, “Tri të shtëna pushke”, “Rrëfimi I bardhë” , “Pamje nga ura”, “Nata e dymbëdhjetë”,  “Maro Mokra”,  “Hijete natës” etj…

Kurse në kinema disa nga rolet më të spikatura janë në filmat si “Tana” ,”Prita”,  “Mëngjese Lufte”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Zonja nga qyteti”, “Përballimi”, “Njeriu me top”, “Gjeneral gramafoni”, “Ballë për ballë” e shumë e shumë rrole të tjerë. Pra me rreth 50 rrole të interpretuara me profesionalizëm tepër të lartë.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me shumë çmime, ndër to edhe “Medaljonin e Festivalit të Kinemasë” në vitin 1987, titullin “Artist I Popullit”, “Qytetar nderi” i qytetit të Korçës.

Artisti humbi betejën 6 vjeçare me një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme më datën 5 gusht të vitit 1998 në Selanik të Greqisë. / KultPlus.com

‘Doktor Shuster’, drama morale dhe sociale e familjes në kohët moderne

“Doktor Shuster”, drama me regji nga Qëndrim Rijani, vënë në skenë nga teatri “A. Z. Çajupi” në Korçë, nis garën në Festivalin e Teatrove të Ballkanit në Turqi. Festivali që bashkon trupa të ndryshme teatrore, çel mbrëmjen e sotme siparin, për t’u finalizuar më 28 të këtij muaji. Ndërsa 25 qershori, do të ngjisë në skenë “Doktor Shuster”, komedia e zezë që vjen nga trupa e Korçës në këtë festival.

Vepra e autorit Dushan Kovaçeviç, ka në role aktorët: Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Dritëro Ame, Blerta Belliu, Shkëlqim Jaupi, Niki Petriti, Flori Topra, Gloria Nure, Eni Malësia, Flavia Zere, Panajot Qorri.

Më herët, drejtoresha e teatrit të Korçës, Zamira Kita, bën të ditur pjesëmarrjen në festival, duke shkruar mes të tjerash, se “është një shfaqje e bërë me shumë pasion, këtu e shtatë vite më parë”.

“Doktor Shuster” është drama fituese e tre çmimeve të mëdha “Kult”: aktori Sotiraq Bratko, aktorja Zamira Kita dhe regjia Qëndrim Rijani, për vitin 2016. Tre çmime të tjera në festivale të rëndësishme, si çmimi i karrierës dy herë, për aktorin Sotiraq Bratko dhe artistja e re, për këngëtaren Niki Petriti.

Përveç teatrit të Korçës, vepra është rishfaqur në Teatrin Kombëtar, amfiteatrin e Durrësit, qytetin e Kërçovës, në Tetovë, Kumanovë, në Teatrin e Qytetit Ferizaj, Teatrin e Manastirit dhe teatrin “Zvezdara” në Beograd. Me regji nga Qëndrim Rijani, asistent regjisor është Nikola Stefanov, skena dhe kostume Erald Bakalli.

Drama e nëpërkëmbjes së vlerave, me autor dramaturgun Dushan Kovaçeviç, vjen si një komedi e zezë, që shpalosi njëherësh edhe talentin e aktorëve. Në një reagim të tij më parë, regjisori Qëndrim Rijani pohonte se, përmes komedisë së zezë shfaqet edhe realiteti ku jetojmë në raport me mesazhin që jep vepra.

“Vepra përfaqëson dhe shqetësimin tim personal, përmes fjalëve të autorit. Fakti që zgjodha këtë vepër teatrore, për ta sjellë në skenën e teatrit është problematika e saj, që është koherente me problematikat e shoqërisë që jetojmë në kohë tranzicioni”, – pohonte mes të tjerave, regjisori Qëndrim Rijani.

Mesazhet që përcjell vepra e Dushan Kovaçeviçit, janë komplekse, që nga respekti për të moshuarin, për të vdekurin, te marrëdhënia me Zotin.

Në komedinë e zezë të regjisorit Rijani, gjithçka rrotullohet rreth 7 karrocave invalidësh, që metaforikisht, trajtojnë handikapin e shoqërisë tonë mbi të vërtetat tronditëse, si raporti baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla dhe vëlla me vëlla.

Komedia dramatike “Doktor Shuster” përmban brenda saj, gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit. Ndërsa elementi  i karrocës, vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara – keqardhja, është ajo për të cilën, ata kanë sa më pak nevojë.

Me suksesin që drama ka njohur në shumë skena botërore, vepra erdhi edhe në skenën shqiptare, teksa 25 qershori shënon një fazë tjetër shumë të rëndësishme kompetitive në Festivalin e Teatrove të Ballkanit. Qëndrim Rijani, është regjisor i njohur, me një karrierë të larmishme, përfshirë vepra të huaja dhe shqiptare, shfaqur edhe në Evropë. / Konica.al / KultPlus.com