107 vite nga shpallja e Korçës krahinë autonome

Sot janë bërë 107 vite që nga shpallja e Korçës krahinë autonome, shkruan KultPlus.

Ishte 10 dhjetori i vitit 1916 kur u shënua një kthesë e rëndësishme historike për qytetin shqiptar.

Qyteti i Korçës rrezikonte të binte nën pushtimin grek. Bisedimet mes Themistokli Gërmenjit dhe kolonelit të atëhershëm francez, Dekoen bënë që Korça të fitonte autonominë nën mbrojtjen e Francës.

Administrata ishte shqiptare, teksa në përbërje të saj kishte të krishterë dhe myslimanë.

Në këtë kohë qyteti pati një zhvillim të madh ekomomik, u hartuan rregullla të reja, u mbyllën shkollat e huaja dhe u hapën të tjera shkolla në gjuhën shqipe, qarkullonin monedha dhe pulla të reja të Krahinës Autonome.

Qeveria vetë qeverisëse pati një jetëgjatësi të shkurtër deri kur qyteti u drejtua plotësisht nga Francezët në vitin 1918, por megjithatë francezët nuk ju hoqën të drejtën themelore korçarëve për të mësuar në gjuhën shqipe dhe shkollat vazhduan aktivitetin e tyre. / KultPlus.com

Korça me ritmet Jazz & Blues të festivalit “Gjon Mili”

 Fundjava në Korçë ka qenë nën ritmet dhe atmosferën e muzikës jazz dhe blues. Artistë e grupe, nga brenda vendit por kryesisht të ardhur nga vende të tjera, u mblodhën në Pazarin e Vjetër të Korçës, në kuadër të Gjon Mili Jazz & Blues Festival, duke sjellë gjallëri për qytetin dhe vizitorët e tij të shumtë.

“Gjon Mili, Jazz & Blues Festival” solli dje në Pazarin e Vjetër të Korçës një mbrëmje fantastike.

Ky festival që promovon figurën e Gjon Milit, fotografit korçar me famë botërore vjen për të disatin vit rradhazi në Korçë”, është shprehur kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

“Gjon Mili Jazz&Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me historinë botërore të muzikës Jazz dhe Blues, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë.

Si muzikant amator që luante oboen, Gjon Mili pati një lidhje të veçantë me muzikën Jazz dhe arriti të dokumentojë dy periudhat më të rëndësishme të saj: periudha Swing dhe periudha Modern Jazz, kur muzikantët filluan të luajnë kryesisht për qëllime artistike.

Gjithçka filloi në vitin 1943, kur Gjon Mili realizoi për revistën Life, 2 nga setet e tij fotografikë më të famshëm “The Lindi Hop” dhe “Jam Session”.

Në këtë edicion të dytë të Festivalit “Gjon Mili”, artistët fillimisht performuan në Tiranë, tek instalacioni “Reja” dhe më pas në “Pazarin e Vjetër” të Korçës.

1 nga 5

Festivali i Karnavaleve me paradën e 400 kostumeve çel sezonin turistik në Korçë

Korça ka çelur sot sezonin turistik me edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve.

Mbi 30 grupe nga Shqipëria dhe vendet e Ballkanit kanë dhuruar një festë madhështore me paradën e kostumeve dhe maskave veneciane në rrugicat dhe sheshet e qytetit të serenatave.

Aktiviteti nisi që në orët e para të ditës dhe vijoi edhe në orët e mbrëmjes duke e kthyer Korçën në një kryeqytet festiv me paradën e rreth 400 kostumeve shumëngjyrëshe të performuara nga qytetarë të apasionuar pas karnavaleve.

Pjesë e paradës janë bërë grupmosha të ndryshme që nga fëmijët deri te të rriturit me veshjet e personazheve të ndryshme.

Ky edicion i 16-të u ndoq nga qytetarë dhe turistë të shumtë që kishin zgjedhur të kalonin fundjavën në Korçë.

Kryetari i Bashkisë Korçës, Sotiraq Filo, u shpreh se synimi është që Korça të jetë pjesë e paketave, që të tërheqë sa me shumë turistë të huaj.

Ai theksoi se “karnavali dhe Korça ka një lidhje të hershme, por ne kemi marrë këtë festë dhe e kemi sjellë në një kontekst modern”.

Këtë vit kemi mbi 30 grupe qe marrin pjesë në Festivalin e Karnavalit, ndërkohë që tre gupe janë nga Greqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Besoj se është koha më e mirë për të çelur një sezon turistik në qytet nëpërmjet haresë, gjallërisë dhe ngjyrave që sjellë Festivali i Karnavaleve. Edhe këtë sezon veror besoj se Korça do të mirëpres shumë vizitorë vendas dhe të huaj”, deklaroi Filo.

Ai pohoi se në Korçë ka një numër në rritje të vizitorëve dheshprehu besimin se ky vit nuk do ketë ndryshim me vitet e tjera.

Kryebashkiaku Filo nënvizoi po punohet me operatorët turistikë për ta prezantuar Korçën përtej Shqipërisë, ashtu siç e meriton dhe kthimin e kësaj zone në një zonë të mbushur nga turistë.

Organizatorja e festivalit, Zamira Kita u shpreh se atmosfera e karnavaleve është kartolina më e bukur e qytetit.

“Grupet janë nga më të bukurat. Ajo që është më e bukur, më festive është pjesëmarrja e korçarëve. Ne kemi rreth 30 grupe me fabula dhe ide shumë interesante, kostume dhe maska shumë të bukura”, u shpreh aktorja e njohur./atsh/KultPlus.com

106 vite nga shpallja e Korçës krahinë autonome

Sot janë bërë 106 vite që nga shpallja e Korçës krahinë autonome, shkruan KultPlus.

Ishte 10 dhjetori i vitit 1916 kur u shënua një kthesë e rëndësishme historike për qytetin shqiptar.

Qyteti i Korçës rrezikonte të binte nën pushtimin grek. Bisedimet mes Themistokli Gërmenjit dhe kolonelit të atëhershëm francez, Dekoen bënë që Korça të fitonte autonominë nën mbrojtjen e Francës.

Administrata ishte shqiptare, teksa në përbërje të saj kishte të krishterë dhe myslimanë.

Në këtë kohë qyteti pati një zhvillim të madh ekomomik, u hartuan rregullla të reja, u mbyllën shkollat e huaja dhe u hapën të tjera shkolla në gjuhën shqipe, qarkullonin monedha dhe pulla të reja të Krahinës Autonome.

Qeveria vetë qeverisëse pati një jetëgjatësi të shkurtër deri kur qyteti u drejtua plotësisht nga Francezët në vitin 1918, por megjithatë francezët nuk ju hoqën të drejtën themelore korçarëve për të mësuar në gjuhën shqipe dhe shkollat vazhduan aktivitetin e tyre. / KultPlus.com

Kostandinos Argjiros “ndez” Festën e Birrës

Spektakël në Korçë në natën e 4 të Festës së Birrës. Mijëra qytetarë u bënë pjesë e organizimit, shumë prej tyre emigrantë, si dhe vizitorë të huaj.

Ata vlerësojnë organizimin dhe atmosferën e krijuar.

E para që u ngjit në skena në natën e 4 ishte këngëtarja Anxhela Peristeri. Ajo performoi disa prej këngëve më të njohura të saj. Nuk mungoi as muzika popullore.

Pas saj, i ftuari special i këtij edicioni, këngëtari grek Kostandinos Argjiros. Mjaft i dashur edhe nga shqiptarët ai dhuroi atmosferë magjike në Korçë. Bashkë me të këndonin edhe të pranishmit. Mikpritja në Korçë emocionoi edhe vetë këngëtarin.

Ky është edicioni i 16 i festës së birrës që kulmon sezonin turistik në Korçë. /tvklan /KultPlus.com

Nesër përkujtohet Asdreni me një koncert artistik në 150 vjetorin e lindjes së tij

Koncerti artistik “Na Flet Asdreni” do të nesër më 11 prill në Teatrin Kombëtar të Kosovës me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetit, publicistit dhe veprimtarit shqiptar, Asdreni, shkruan KultPlus.

Nën drejtimin artistik të kompozitorit Josif Minga, artistë të shquar nga Kosova dhe Shqipëria do të performojnë në këtë koncert të veçantë.

Me pjesëmarrjen e: Korit Kameral “Dardanica” nën drejtimin e Edon Ramadanit, formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik të Burrave Drenovë, si dhe intervistave të personaliteteve dhe imazheve të shumta dokumentare do të kujtohet dhe rrëfehet jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

I gjithë ky koncert do të fillojë nga ora 20:00, derisa dy ditë më vonë do të mbahet edhe në Korçë. /KultPlus.com

Poezia e Naim Frashërit kushtuar hapjes së mësonjëtores shqipe në Korçë

Poezi nga Naim Frashëri

O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! / KultPlus.com

135 vite nga hapja e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Muzeu Historik Kombëtar sot përkujtoi 7 marsin e vitit 1887, kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri, përcjell KultPlus.

Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht: “…Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzjou se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë“.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. / KultPlus.com

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’

Sot shënohet 135 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe, e cila u hap në vitin 1887 në Korçë, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Arsimi është arma më e fuqishme dhe e vetmja rrugë drejt zhvillimit të shoqërisë

Sot për nder të ditës së mësuesit, KultPlus ju sjell thënien e njohur të shkrimtarit të njohur francez, Viktor Hygo.

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’ / KultPlus.com

Korça përmes shikimit dhe ndijimit të një nobelsiti

Jorgos Seferis, poet, eseist, përkthyes dhe diplomat është përfaqësuesi i parë i brezit të viteve 1930, pionieri i modernizmit në letërsinë greke. Nobelisti grek, (1900-1971) shërbeu si Konsulli i Greqisë në Korçë. Kohën që diplomati i Greqisë kaloi në Shqipëri, e ka pasqyruar në kujtimet, së bashku me mjaft fotografi të jetës së këtij qyteti.

Jorgos Seferiadhis lindi në Izmir, por familja e tij pas disa vitesh u transferua në Athinë.

Në vitin 1936-1937 Jorgos Seferis qenë Konsull i Përgjithshëm edhe në Korçë gjatë viteve 1936-1938 dhe ndërtesa ku ai ka shërbyer njihet ende në ditët e sotme si “Ndërtesa Seferi”. Gjatë qëndrimit dyvjeçar atje, poeti do të dashurohet nga qyteti nën dëborë, që frymëzoi disa nga poezitë e tij më të bukura. Por, ai nuk do t’i rezistonte tundimit për ta përjetësuar në celuloid qytetin që i la mbresa (sikur në fotografitë e mëposhtme), ku ftonte edhe të dashurën.

Në letrën që i nis nga Korça, në Greqi, ndër të tjera i shkruan asaj:

“Dimri në Korçë, nuk do të na pengojë, verën e kemi përpara…”. Në strehët kërcënojnë stalagmitet e akullta. Puhiza rrëmben grimcat e dëborës dhe një vel i hollë rrotullohet, ndehet mbi portat e mbyllura, griset sokakëve e derdhet në fund të rrugës, ku pëlhura nis të mbulojë pllajën e kodrës. Të gjitha faqet e çative me vështrim nga veriu, nisin fjollat e bardha. Mori cipëzash enden e vrapojnë të veshin pamjen përballë. Vallëzimet mbi çati daravitën trishtimin, buruar nga malli për të dashurën…”.

Gjatë kësaj kohe, ai bëri shumë fotografi për jetën e shqiptarëve në qytetin e Korçës dhe zonat përreth. Pikërisht, sot po sjellim disa foto të vitit 1937 të bëra nga konsulli grek Jorgos Seferis.

Ndërtesa, ku ishte Konsullata e Greqisë ishte edhe vendbanimi i diplomatit Seferit. Kjo ndërtesë ishte pronë e familjes së njohur korçare Andrea Turtulli dhe është blerë para disa viteve nga Greqia, për ta kthyer në një farë vendi muze, për të rrëfyer ku ka jetuar dikur poeti i mirënjohur grek./konica.al /KultPlus.com

22 vjet nga ‘Krahina Autonome e Korçës’

Një kronikë në kohën e mbretërisë, sjell të pasqyruar në gazatën lokale “Gazeta e Korçës”, kremtimin e 22-vjetorit të “Karahinës Autonome të Korçës”, më 10 dhjetor 1936.

“….Midis një entusiazmi të kulluar popullor dhe manifestimesh patriotike të nxehta u kremtua pardje të shtunën, festa kombëtare e 10 Dhjetorit, e lidhur aq ngushtë me emrin e dëshmorit të madh Themistokli Gërmenji.

Tregu ishte zbukuruar me flamure dhe shkollat kishin pushim.

Nga ora 10 para drake, megjithë që ishte ditë pazari, përpara Bashkisë filluan të mblidheshin shumica të mëdha populli. N’atë kohë arrijnë atje dhe autoritetet civile, ushtarake e fetare, duke patur në krye Prefektin z.Veli Vasjari.

Gjithë në atë orë një shumicë tjetër, e përbërë kryesisht prej nxënësve të shkollave të ndryshme të qytetit, ishin grumbulluar rreth e rrotull Monumentit të dëshmorit në kopshtin “Themistokli Gërmenji”.

Ceremonia filloi me lutjen e zakonshme në kishën e Shën Gjergjit, të kryesuar prej Hirësisë së Tij Peshkopit Evllogj. Në mbarim të lutjes Hirësia e Tij mbajti një fjalim duke ekzaltuar përpjekjet dhe sakrificat e dëshmorëve për çlirimin e Kombit.

Nga kisha, kortezhi i gjatë, që kishte në krye bandën, u drejtua për në kopshtin që nderohet me emrin e dëshmorit Themistokli. Këtu mbajti fjalimin e ditës profesori i Liceut z. Niko Stralla. Fjalimi, të cilin po e botojmë më poshtë, ishte me të vërtetë i goditur dhe u duartrokit nxehtësisht prej shumicës që kishte mbushur gjithë kopshtin dhe pjesën e bulevardit përpara monumentit.

Menjëherë pastaj banda ekzekutoj himnin mbretëror dhe atë të Flamurit që u mbuluan me brohoritje për L.M.T. Mbretin dhe për Atdhenë.

Ceremonitë u mbyllën me pritjen në Bashki të popullit…”

***

Republika Autonome Shqiptare e Korçës ishte një shtet autonom i themeluar më 10 Dhjetor të vitit 1916, nga forca lokale franceze, pas rënies së qytetit të Korçës nën kontrollin e tyre, gjatë Luftës së Parë dhe zgjati deri në vitin 1920. Më vonë u bashkuan dhe qyteti i Pogradecit, Ersekës dhe krahina e Devollit.
Gjuha kombëtare zyrtare ishte Shqipja, por raportet në autoritetet Franceze bëheshin në gjuhën Frënge.

Flamuri ishte si ai i Ismail Qemalit, i shoqëruar me shiritin Francez tringjyrësh.

Prefekti i kësaj Republike ishte Themistokli Gërmenji, një patriot i shquar shqiptar, kurse President ishte askush tjetër përveç se Ismail Qemalit.

U caktuan dhe ministrat, në detyrat përkatëse dhe rezultatet e mira që patën ministritë e financës, e arsimit dhe e luftës ishin përtej pozitives.

Dhe në financën e shtetit të ri shqiptar me në krye Ismail Qemalin u mor shembulli i krahinës autonome të Korçës, të cilët ishin të lidhur fort dhe synonin bashkimin të cilin e arriten pas vdekjes.

Krahina autonome kishte policinë e saj për ruajtjen e rendit dhe mbrohej nga ushtria Franceze.
U emëtuan dhe kartëmonedhat (frangat) e para Korçare, të personalizuara me simbolikat e popullsisë, në njërën anë kisha, në tjetrën xhamia.

Por, forcat greke historikisht kanë luftuar për të përpirë Korçën, Gjirokastrën dhe Himarën, nën idenë e shëmtuar të “Vorio Epirit”. Ata në të njëjtën kohë kur Korça u shpall republikë, hartuan një traktat për pavarësinë e “Vorio Epirit”.

Krahinës Autonome Shqiptare të Korçës i vjen fundi më 1920, me vrasjen e kreut të saj, Themistokli Gërmenjit, nga forcat greke në Selanik. / KultPlus.com

Si iu duk studentëve nga Kosova Korça në vitin 1973

Koleksionisti nga Korça, Mirgen Shamblli, ka hasur në përshtypjet e një grupi të studentëve nga Kosova, në një libër kujtimesh, pas vizitës që ata ia kishin bërë një muzeu të Korçës.

Vizita është bërë më 11 qershor 1973. Sipas Shambllit, lë përshtypje fakti se secili student ka nënshkruar me lapsin e vet kimik (stilolaps). Për të ky lloj lapsi nuk ishte gjë e rëndomtë për të gjithë studentët – e asaj kohe – të Shqipërisë. “Ishte si luks, për shumicën”, thotë ai.

“Historia, treguesja më e mirë e fateve të popujve, ka ngjyrën e kuqe, marrë nga gjaku i derdhur. Mbi këtë gjak lind liria, lulja më e kuqe. Populli ynë rrugën e historisë e shtroi me gjak dhe të tillë na e ka lënë, që të mësojmë nga ajo”, është porosia e lënë në libër kujtimesh, të nënshkruar ndër të tjera nga Emin Kabashi, Ukë Bashota,  Ahmet Qeriqi, Sadete Emërllahu etj.

Vlen të ceket se shkëmbimet kulturore mes Shqipërisë e Kosovës, me vizita të ndërsjella të studentëve, pedagogëve e krijuesve, ndërpriten pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë./KultPlus.com

Nga Italia dhe Kosova, qindra zogj ekspozohen në festivalin e mbajtur në Korçë

700 zogj u ekspozuan në Korçë gjatë edicionit të 4-të në festivalin e zogjve.

Këngët e tyre por edhe ngjyrat e bukura e tipare te tjera që i bëjnë aq të veçantë thyen heshtjen e sallës dhe tërhoqën jo pak vëmendje.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre të sjellë nga Italia, të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria por edhe kanarinat e Korçës u vendosën tek qyteza e fëmijëve me synimin për të rritur ndërgjegjësimin sidomos tek fëmijët për kujdesin dhe dashurinë ndaj zogjve.

Korça nuk është një zgjedhje dhe aq rastësore e organizatores së këtij festivali, pasi qyteti ndër vite ka qenë i njohur për kanarinat dhe mbajtjen e tyre në shtëpi madje aq e kultivuar ka qenë kjo traditë sa një lloj kanarine njihet si kanarinat e Korçës.

Pasioni për zogjtë është i veçantë dhe po i tillë është edhe kujdesi e përkushtimi që u nevojitet.

Pas ekspozimit dy ditor në Korçë juria ka vlerësuar edhe fituesit sipas kategorive ndërsa në ditën e tretë festivali është hapur për publikun. / KultPlus.com

Spiridon Ilo, shqiptari që kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani.

Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./ KultPlus.com

‘Në Korçë ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë’

“Nder të gjitha qytetet e Shqipnís – mbas mendimit tem – Korça âsht ajo kû frymzimi i qytenís okcidentale paraqitet mâ haptas e jo krejt si nji bimë ekzotike.

Në Korçë ké fort pak rrugaca (impas) e rrugat, edhè në mos kjoshin gjithkund të drejta e të shtrueme, janë të krahazueshme me ndërtesa, shêji qi mbrendë nuk zotnon aq fort mosbesimi ndërmjet bashkëqytetasve, prà shêji që aty ka qytetní; pse qytetnija, së pari, bazohet n’socjabilitet të qytetasve.

Mbasandej në Korçë gjen edhè sod asish që interesohen për të mirë të pergjithtë, kush tue ngrefë me mjete të veta nji shkollë, a nji kishë, a ndonji smuetore, a ndoj bibliotekë qytetse etj.

Kà edhè shumë asish që kanë krye msime të nalta jashta Shqipnijet, posë se kà shumë asì tjerësh që për punë kanë kërkue botën mbarë e s’kanë ndêjë mshilë në vend të vet si zogu i pulës në gzhojë të voes.

E mbasandaj: e po kû shef njeti në Shqipní arët e livadhet pa shtigje e gardhiqe, përpos se ndër rrethina të Korçës? Kjo âsht – mos tjetër – përshtypja që mue m’ká bâ qyteti i Korçës”.

Gjergj Fishta, Nji udhëtim në Turkí të ré, në “Hylli i Dritës”, 1931-1932.

Dom Lazër Shantoja për Korçën:

“Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta.

Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Tepsì. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë.

Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.

Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh! Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.

Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi.

Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës. Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it.

Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.
Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?
Tiranë-Korçë, në ‘Tomori”, 29 mars 1941. / KultPlus.com

Publikohet lista e këngëtarëve shqiptarë që do të jenë në një skenë me Goran Bregoviç

Të gjithë artistët e ftuar nga Kosova për të performuar në “Festën e Birrës” kanë refuzuar të jenë në këtë festival për shkak të këngëtarit serb Goran Bregoviç, për të cilin pretendohet se ka frymëzuar ushtarët serb gjatë luftës në Kosovë.

Capital T, Dafina Zeqiri, e shumë artistë të tjerë janë ndër emrat e këngëtarëve të Kosovës që u tërhoqën nga “Festa e Birrës”, teksa këtë gjë nuk e kanë bërë këngëtarët shqiptarë, të cilët do dalin të këndojnë në të njëjtën skenë ku do këndojë dhe Goran Bregoviç.

Listës së këngëtarëve të cilët do të performojnë i shtohen tre “muskutjerët”, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi deri tek Vikena Kamenica. Pjesë do jenë edhe Kamela Islamaj, Devis Xheraku, Endri dhe Stefi Prifti dhe Orgesa Zaimi.

Për të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë që të dëgjojnë Bregoviçin ata do të duhet të pajisen me një biletë e cila kushton 1000 lekë, transmeton KultPlus.

Ndërkohë që ditën e djeshme “Birra Korça” u bëri thirrje Bashkisë së qytetit që të heqin biletën pasi Festa e Birrës është e qytetarëve dhe ata duhet ta shijojnë atë falas si çdo vit tjetër. / KultPlus.com

Përkujtohet ikona e artit dramatik shqiptar, aktori Stavri Shkurti

Përkujtohet sot ndarja nga jeta e njërit prej ikonave të artit shqiptar.

Stavri Shkurti lindi në qytetin e Korçës më datën 5 gusht të vitit 1927.

Lidhjet e tij me teatrin janë shumë të hershme, sepse që në moshë fare të re angazhohej shumë shpesh me trupat amatore teatrore në qytet. Më vonë ai studion për inxhinieri hidrologjike në Çekosllovaki, pavarësisht se për asnjë moment nuk u shkëput nga teatri dhe kinemaja.

Me krijimin e trupës profesioniste teatrore dhe themelimin e “Teatrit A.Z.Çajupi” në Korçë, artisti emërohet si aktor pranë kësaj trupe. Fal pasionit, vullnetit dhe cilësive të tij të shkëlqyera interpretative, ai spikat si aktor dramatik fal edhe zërit të tij të cilësuar edhe si një nga zërat më të mirë ndër aktorët shqiptar.

Rroli i tij i parë nga i cili edhe mori një admirim të madh jo vetëm për publikun korçar por mbarë shqiptar ishte ai i Markos në dramën “Pamje nga ura” e autorit A. Miller. Më pas ai do të zhvillonte aktivitetin e tij edhe në kinema e cila e ktheu atë në një ikonë të vërtetë.

Në teatër shquhet për interpretim në vepra si “Vajza pa prikë”, “Tri të shtëna pushke”, “Rrëfimi I bardhë” , “Pamje nga ura”, “Nata e dymbëdhjetë”,  “Maro Mokra”,  “Hijete natës” etj…

Kurse në kinema disa nga rolet më të spikatura janë në filmat si “Tana” ,”Prita”,  “Mëngjese Lufte”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Zonja nga qyteti”, “Përballimi”, “Njeriu me top”, “Gjeneral gramafoni”, “Ballë për ballë” e shumë e shumë rrole të tjerë. Pra me rreth 50 rrole të interpretuara me profesionalizëm tepër të lartë.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me shumë çmime, ndër to edhe “Medaljonin e Festivalit të Kinemasë” në vitin 1987, titullin “Artist I Popullit”, “Qytetar nderi” i qytetit të Korçës.

Artisti humbi betejën 6 vjeçare me një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme më datën 5 gusht të vitit 1998 në Selanik të Greqisë. / KultPlus.com

Korça, qyteti i preferuar i turistëve të huaj

Qyteti i Korçës, vijon të tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaftë tërheqëse klimën, bukuritë dhe traditën kulturore të këtij qyteti në juglindje të vendit.

Bashkia Korçë bën të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se mbi 30 000 vizitorë, 65% e të cilëve turistë të huaj, vizituan qytetin dhe fshatrat turistik të tij, gjatë periudhës janar – qershor 2021.

Akomodimi i turistëve është realizuar si në mënyrën moderne (hotele) ashtu edhe në atë tradicionale (bujtina) që kanë ofruar sipas bashkisë shërbime cilësore për pushuesit.Aktualisht në qytetin e Korçës kapaciteti i shtretërve shkon në 2 980 persona ndërsa numri i strukturave akomoduese arrin në 111 (83 hotele dhe 29 bujtina).

Kapacitetet akomoduese në qarkun e Korçës vitet e fundit janë shtuar edhe me 20 njësi të reja (hotele dhe bujtina) duke ofruar më shumë shtretër dhe kushte komode për pushuesit.Korça është kthyer në një prej destinacioneve turistike më  të frekuentuara në Shqipëri, që mirëpret fluks vizitorësh në çdo stinë të vitit.

Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit. Janë vetë qytetarët e Korçës ata të cilët i kanë kthyer banesat karakteristike korçare në bujtina pritëse për turistët.

Ajo çfarë i bën aq shumë të dashura bujtinat është ruajtja e stilit origjinal të ndërtimit por edhe arredimi me elementë karakteristik tradicionalë.Korça është një destinacion mjaft interesant për t’u vizituar pasi në stinën e dimrit të ofron mjaft alternativa argëtimi në fshatin e Dardhës dhe Voskopojë, gjithashtu në këtë zonë gjenden edhe një sërë veprash antike, si bazilikat, mozaikët etj.

Ndërsa në verë, kima e freskët dhe piktoreske është një relaks më vete.Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën  kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.

Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese. Ndërsa investimet në vepra publike kanë shtuar komoditetin e shëtitjeve në parke dhe ambiente të ndryshme historike kulturore që ofron ky qytet./atsh/ KultPlus.com

Përmbyllet ‘Mik Festival’ në qytetin e Korçës

“Mik Festival” ka sjellë surpriza për spektatorët e qytetit të Korçës për 4 netë rresht. Ky festival, i cili është kthyer në një traditë, u organizua sërish nga sopranoja lirike Inva Mula duke ftuar miq dhe kolegë të saj europianë që janë instrumentistë dhe këngëtarë shumë të njohur.

“Ky edicion i katërt shpalosi ngjyra dhe zhanre të ndryshme. U nis me muzikën e vjetër gjermane dhe kubane, për të përfunduar me muzikën e vjetër greke dhe me interpretimin e grupit të Olen Çezarit me kulturën dhe muzikën italiane”, tha sopranoja Inva Mula.

Festivali u mbajt në ambientet e teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës nga data 26 deri më 29 korrik. Në fillim festivali u çel me muzikën gjermane nën interpretimin e Elda Laros në piano, në violinë Magdalena Heinz dhe Andre Robles, për të vijuar më pas me tingujt e muzikës kubane, tek sheshi i Pazarit të Vjetër.

Artistja Elda Laro tregoi se e ka pritur ftesën “me shumë emocion. E kam pasur shumë të vështirë sa herë kthehem në Shqipëri, pasi janë komplet emocione të tjera, sepse e ndjej veten me përgjegjësi sa herë jam përballë publikut shqiptar”.

Ky event përveç muzikës së klasit më të lartë botëror, promovoi gjithashtu edhe atraksionet turistike të qytetit juglindor. /atsh/ KultPlus.com

Nga muzika gjermane te koncertet në Korçë, Inva Mula prezanton surprizat e ‘Mik Festival’

Sopranoja Inva Mula ka prezantuar programin e ”Mik Festival” që mbahet në datat 22, 23, 24 dhe 25 korrik në Korçë.

Këtë vit vjen në edicionin e katërt dhe sjell muzikë gjermane e greke, muzikë nga filmat shqiptar e deri sfilatë mode, transmeton KultPlus.

Nga hani i Pazarit, te sheshi para katedrales, ngjarjet artistike mbahen mes qytetit të Korçës, kishës së Prespës dhe fshatrave të Kolonjës duke ndërthurur në program këngëtarë si Anxhela Peristeri me 5 vajza e Zanave që këndojnë a Capela, kërcim tango, fizarmonicistë, orkestër sinfonike dhe kori Pax Dei i Zana Turkut duke pasur edhe pjesëmarrjen e Olen Cezarit.

Inva Mula është drejtoreshë artistike e ”Mik festival” që zë vend në Korçë./balkanweb/ KultPlus.com

5 muzeumet unike në Korçë tërheqin interesin e turistëve

Korça është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm, si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.

Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve.

Resurset natyrore, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, por edhe fshatrat turistikë, kanë bërë që turizmi në këtë qytet të jetë një burim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.

Pesë muzeumet unike, janë një vlerë e shtuar në prurjet turistike, që tërheqin interesin e vizitorëve në çdo kohë të vitit.

Bashkia e Korçës fton turistët, të kalojnë një fundjavë të bukur në Korçë dhe të mos ikin pa vizituar muzeumet.

Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Kombëtar i Arsimit, Muzeu Oriental “Bratko”, Muzeu Arkeologjik, janë pa diskutim muzeumet më unike në Shqipëri, të cilat ruajnë identitetin dhe kulturën brenda çdo vepre të ekspozuar. /atsh/ KultPlus.com

Zhvendoset instalacioni i ABC-së nga oborri i Mësonjëtores në Korçë

Pas rikonstruksionit te ndërtesës emblematike të muzeut kombëtar te arsimit në Korçë është evidentuar zhvendosja e instalacionit te ABC-së nga pjesa qendrore e oborrit.

Vepra e shndërruar në simbol të qytetit, ku shkronjat  qëndronin mbi fletën e bardhë, tashme është lënë në hije, në pjesën anësore të godinës. Ndryshimi i pamjes historike të monumentit të kulturës ka sjellë indinjatën e ish-drejtorit te muzeut Vladimir Toroveci  si te të qytetarëve korçarë.

Drejtori i Trashëgimise Kulturore në Korçë, Gjergji Koki thotë se zhvendosja e “ABC”-së është një propozuar nga studio projektuese dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Koki thekson se në oborrin e muzeut është projektuar një Teatër për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe është monument kulture i kategorisë së parë, e hapur më 7 mars 1887 nga mësuesi patriot Pandeli Sotiri. Pas dëmeve nga tërmeti i qershorit 2019, godina iu nënshtruar restaurimit të plotë, ndërsa pritet të përurohet ditën e shtunë nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti./konica/ KultPlus.com

Motrat Qiriazi, mësueset e para të gjuhës shqipe

Në vitin 1891, Korça qyteti më elitar shqiptar, qyteti i dijeve dhe i mësonjëtores së parë shqipe do të shënonte dhe hapjen e një shkolle për vashat.

Ishte një hap i madh për kohën. Ndoshta më moderni. Në një kohë kur prej pesëqind vjetësh sundonin osmanët, të cilët e kishin mbajtur në obskurantizëm popullin shqiptar dhe veçanërisht femrën, hapja e një shkolle për vashat do të ishte një kthesë vendimtare drejt emancipimit.

Të ishe mësues në atë kohë për meshkujt ishte e vështirë sepse të rrezikohej jeta në çdo moment nga turqit, dhe qarqet shoviniste greke, të cilët dënonin çdo përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe. Janë jo të rralla rastet kur ata që predikonin shqip dhe mësuesit e parë vdiqën në mënyrë të llahtarshme e të mistershme.

Por brezi i shqiptarëve që rritej në atë kohë do ishte me të vërtetë brezi i artë i kombit shqiptar. Ata e adhuronin kombin, ata edukoheshin me një frymë të tillë, ku jeta nuk ishte asgjë para këtij ideali të çmuar. Dhe jepnin çdo gjë për idealin. Ishte një frymë mahnitëse shqiptare.

Motrat Qiriazi do të ishin pjesë e kësaj fryme, pjesë e këtij ideali me emrin komb. Dhe do realizonin diçka që deri në atë kohë as nuk ishte menduar e jo më të bëhej realitet. Do ishin mësueset e para shqiptare në shkollën e vashave dhe vite më pas do bëheshin drejtueset e saj. Sa guxim, sa ngjadhnjim, sa forcë!

Të bën përshtypje karriera e tyre në një kohë obskurantizmi. Por ia dolën. Të dyja bashkë në udhëtimin e arsimit shqip, aq sa më të drejtë mund të cilësohen si binjaket e shqipes së çmuar.

“Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”.

Për Sevastinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.

Dhe në fakt të dyja do shkëlqenin në karrierën e tyre në një vend të vështirë si Shqipëria duke dhënë kontribute të çmuara jo vetëm në arsim por dhe në emancipimin e gruas shqiptare.

Ishin të pandara në veprimtarinë e tyre derisa vdekja i ndau. Së bashku do ishin mësueset e para të shkollës së vashave, më pas do shkonin në Rumani dhe në Amerikë ku do jepnin një kontribut të padiskutueshëm dhe në revistën “Ylli i mëngjesit” në Amerikë.

Ajo që do ndriste pak më shumë nga këto veprimtare patriote dhe ndër më të kulturuarat në jetën shqiptare do ishte Parashqevia. Rezultatet e saj do ishin shkëlqyese.

Parashqevi Qiriazi lindi më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir. Shkollën e parë fillore dhe të mesme e kreu në vendin e saj të lindjes. Më pas vazhdoi studimet në kolegjin e Stambollit për vajza në degën e letërsisë dhe do të shquhej për veprimtaritë e saj studentore.

Ëndrra e saj e madhe ishte të kontribuonte për Atdheun. Në një kohë të artë ku veprimtaria patriotike ishte në kulmin e saj njerëzit më të ndritur të kombit shqiptar iu përkushtuan ideve kombëtare dhe veçanërisht çështjes së gjuhës shqipe. Kështu ajo do bëhet mësuese dhe pak muaj më vonë drejtuese në Shkollën shqipe të Vashave në Korçë.

Parashqevia do të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit ku u hartua alfabeti shqip dhe ajo do të përpilonte këngën e Famshme të alfabetit.

Në 16 janar të vitit 1909 Parashqevia do të hartojë në bazë të alfabetit të ri të vendosur nga Kongresi i Manastirit abetaren shqipe që është teksti i parë i hartuar me alfabetin e ri.

Në vitin 1912 ajo do regjistrohet në studimet pauniversitare për pedagogji në Kolegjin e Oberlinit në Ohaio, SHBA. Dhe aty ajo do shkëlqente me temën e saj të doktoraturës që ishte: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.”

Në Amerikë ajo hartoi dhe programin mësimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit.

Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914 do të largohet nga Shqipëria. Gjatë fundit të vitit mori pjesë në krijimin e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në Sofje ku do të jetë sekretare.

Gjatë viteve 1917-1920 ajo do qëndrojë në SHBA ku do të hapë një revistë shumë të njohur me emrin “Ylli i mëngjesit”. Në vitin 1913 ajo emërohet drejtoreshë e shkollës së Vashave në Korçë e cila më pas do hapet në Tiranë.

Në vitet e pushtimit nazifashist do të arrestohet dhe do të internohet në kampet e përqëndrimit. Pas çlirimit do t’i shtetëzohet Instituti Qiriazi. Dhe do ta ngrysë jetën si Mësuese patriote. / KultPlus.com