Mbretëresha e këngës shqiptare Nexhmije Pagarusha dekorohet nga presidenti Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, mbretëreshën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.

Për nder të ditëlindjes së saj ua rikujtojmë se ky çmim iu nda vitin e kaluar si një ndër çmimet më të rëndësishme në karrieren e saj.

Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.

“Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, u shpreh artistja e madhe.

Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj 1933, është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e mbajtur si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera./KultPlus.com