‘El Pais’: Shqipëria shndërrohet në një destinacion ekskluziv turistik

Vetëm pak vite më parë, Shqipëria do të shndërrohej në një destinacion ekskluziv turistik, shkruan Pablo Bejerano në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Pais”.

Por, këtë verë kërkimi i përhershëm i destinacionit të fshehur dhe të lirë solli një numër rekord vizitorësh në plazhet e tij me ujëra të kristalta.

Një studim i fundit tregoi sesi platformat si TikTok mund të shkaktojnë një rritje të papritur të numrit të vizitorëve në një vend të caktuar.

Ndryshe nga rrjetet e tjera sociale, sipas hulumtimeve, TikTok promovon videot që gjenerojnë disa ndërveprime në të njëjtën kohë.

Ndër aspektet që e dallojnë TikTok nga rrjetet e tjera sociale janë viraliteti i tij dhe lloji i audiencës.

“Destinacionet që mund të klasifikohen si më të lira dhe më të lehta për t’u aksesuar për popullatën, përshtaten më shumë me publikun e këtij rrjeti social”, tha Jennifer Mourenza, specialiste e marketingut dixhital në “AccuraCast”.

“Është e vështirë të dihet se sa vizitorë mbërrijnë në destinacione që janë në modë në TikTok, si Shqipëria, rritja e së cilës në sektorin e turizmit është e padiskutueshme”, shtoi ajo.

Vendi pati një rritje prej 26% të vizitorëve të huaj gjatë korrikut, krahasuar me shifrat e një viti më parë.

“Në shtator, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 45%, gjithsej 1,1 milionë (më shumë se një e treta e popullsisë vendase), ndërsa numri i vizitorëve në janar të vitit të kaluar u rrit me 94%”, sipas Institutit Shqiptar të Statistikave.

Në nëntë muajt e parë të vitit, vendi kishte 29% më shumë vizitorë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Por, studimi i publikuar nga “Journal of Outdoor Recreation and Tourism” ka gjetur korrelacione midis shifrave në TikTok dhe të dhënave në terren.

Algoritmi i TikTok është i ndryshëm dhe më i përshtatshëm për përhapjen e videove te shumë përdorues.

“TikTok gjeneron valë popullariteti që nuk janë në Instagram”, tha Jerome Bergerou, drejtor ndërkombëtar në agjencinë “AccuraCast”.

Megjithëse turizmi zakonisht mirëpritet si një motor i prosperitetit ekonomik, këto rritje të papritura kanë homologë.

Studimi mbi efektin e TikTok-ut në promovimin e destinacioneve turistike nxjerr në pah se prurjet masive dhe të papritura të vizitorëve shkaktojnë probleme të mbipopullimit.

“Vende si plazhet e Shqipërisë tashmë po tregojnë shenja mbipopullimi.Fluksi i turistëve në shkallë kombëtare kërkon një plan paraprak dhe përfshirje të shtetit”, tha gazetari Pedro Bravo.

“Normalisht përpara se të vijë një valë turizmi, është krijuar infrastruktura turistike për ta realizuar atë”, tha Bravo.

“Hotelet janë të nevojshme. Gjithashtu duhet të ketë negociata me linjat ajrore për të ofruar fluturime të lira. Agjencitë turistike duhet ta vendosin në katalogun e tyre dhe të bëjnë oferta”, shpjegoi ai.

Më pas vjen promovimi i destinacionit, i cili, pse jo, mund të bëhet në TikTok.

Në vitin 2022, portali i udhëtimeve “Breaking Travel News” theksoi popullaritetin shpërthyes të Shqipërisë në TikTok gjatë asaj vere.

Sipas “AccuraCast” ka dy mënyra për të reklamuar një destinacion.

E para është e drejtpërdrejtë, me reklama. Tjetra është më efektive. Ajo konsiston në përdorimin e influencuesve për të gjeneruar përmbajtje rreth destinacionit turistik.

Në Shqipëri, ajo që është e qartë është se më parë ka pasur një plan për ndërtimin e një aeroporti.

Në vitin 2021, në Kukës u hap aeroporti i dytë ndërkombëtar, përveç atij që tashmë ishte  në kryeqytetin e Tiranës.

Gjithashtu, qeveria shqiptare ka planifikuar të ndërtojë edhe dy aeroporte të tjera në zonat turistike të Sarandës dhe Vlorës./atsh/KultPlus.com

Revista polake, “Tanie Loty”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin e aventurave të paharrueshme

E quajtur shpesh perla e fshehur e Evropës, Shqipëria ofron një ndërthurje të jashtëzakonshme të bukurisë natyrore, historisë së pasur dhe kulturës autentike, shkruan në një artikull revista polake e udhëtimeve “Tanie Loty”.

Shqipëria është destinacioni ideal për ata që duan të zbulojnë vende unike.

Përgjatë këtij artikulli, ne iu sugjerojmë qytetet historike dhe peizazhet mahnitëse që e bëjnë Shqipërinë vendin e përsosur për pushimet tuaja të ardhshme.

Historia dhe kultura
Shqipëria është plot me monumente historike dhe kulturore, që nga rrënojat e lashta e deri te qytetet e stilit osman.

Berati, i njohur si qyteti i një mijë dritareve dhe Gjirokastra me ndërtesat dhe fortesat e ruajtura mirë, janë disa nga vendet që dëshmojnë historinë e pasur të vendit.

Peizazhe të mahnitshme
Shqipëria ofron peizazhe të larmishme dhe spektakolare.

Nga majat më të larta malore të Shqipërisë e deri te bregu piktoresk i Adriatikut, këto peizazhe janë perfekte për adhuruesit e natyrës dhe fotografisë.

Plazhet dhe bregdeti
Bregdeti shqiptar është i famshëm për plazhet e tij të bukura, të cilat janë perfekte për pushime dhe relaks.

Nga Gjiri i Sarandës deri në Ksamil me ujërat e tij të kristalta, Shqipëria ofron kushte ideale për aventura detare.

Kuzhina shqiptare
Kuzhina shqiptare është një ndërthurje magjepsëse e ndikimeve italiane, greke dhe ballkanike.

Gatimet tradicionale, si byreku dhe fërgesa ofrojnë shije unike që vështirë t’i gjeni diku tjetër.

Mikpritja dhe autenticiteti
Një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë është mikpritja e saj.

Banorët shquhen për mikpritjen dhe përzemërsinë e tyre ndaj turistëve.

Shqipëria iu ofron mundësinë për të zbuluar një nga vendet më magjepsëse në Evropë. Nga historia dhe kultura e pasur deri te peizazhet dhe plazhet spektakolare. /KultPlus.com

Rritet numri i jahteve, Rama: Shqipëria, në hartën e madhe të destinacioneve më tërheqëse

Numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në portet shqiptare është rritur ndjeshëm ashtu sikurse edhe koha e qëndrimit të tyre.

Ndërsa ndau foto të disa prej jahteve të ankoruara në ujërat shqiptare, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Shqipëria më në fund ka hyrë në hartën e madhe të destinacioneve më tërheqëse”.

“Jahtet që ndalojnë gjithnjë e më shumë në brigjet tona, për të zbuluar bukuritë e një Shqipërie që më në fund ka hyrë në hartën e madhe të destinacioneve më tërheqëse”, tha ai.

Shqipëria po kthehet në një destinacion edhe për turizmin elitar. Ndërsa numri i mjeteve lundruese luksoze që vijnë në Shqipëri po rritet, autoritetet portuale bëjnë të ditur se është rritur edhe kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në brigjet tona.

Shqipëria ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, me një rritje prej 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar./ATSH/KultPlus.com

“The Sun” sugjeron plazhet shqiptare si alternativa më fantastike për pushimet në Mesdhe

Gjiganti mediatik “The Sun” i ofron publikut britanik më të mirën e bregdetit shqiptar, duke u sugjeruar plazhet shqiptare si alternativa më fantastike për pushimet në Mesdhe.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në ‘The Sun”, i cili i bën jehonë bregdetit shqiptar.

Sipas tij, “The Sun” promovon edhe lehtësinë e aksesit falë investimeve në infrastrukturë dhe së shpejti me aeroportin e Vlorës.

Ndërsa e cilëson Shqipërinë “Maldivet ekonomike të pazbuluara të Evropës”, “The Sun” e promovon atë si një pikë pushimesh që ka marrë shumë popullaritet për shkak të ofertave të lira dhe plazheve të bukura./atsh / KultPlus.com

Udhëtim në pyllin e gështenjave shekullore

Nga Tirana janë 102 kilometra që mund të përshkohen me makinë. Rrugët janë përmirësuar ndjeshëm dhe udhëtimi është më se i rehatshëm. Është një kohë shumë e shkurtër për t’u gjendur në një realitet tjetër, ku natyra është treguar e pakursyer.

Reçi është një nga tre fshatrat kryesorë të Parkut Natyror Rajonal të Shkrelit (i shpallur gjashtë vjet më parë, kategoria e 4-t IUCN), në Malësinë e Madhe. Shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik – Dedaj, e cila ndahet mes Reçit dhe Razmës. Rruga që të çon drejt fshatit me gjatësi 2 kilometra tashmë është e rehabilituar.

Vjeshta me gjithë ngjyrat e saj e bëjnë këtë zonë vërtet mahnitëse për t’u vizituar. Të dyja anët e rrugës që të çojnë në qendër të fshatit janë të mbuluara nga pemë. Shtëpitë e vogla, karakteristike e të kuruara me kujdes, ku dallohet më së miri ndikimi që kanë sjellë përvojat e emigracionit e bëjnë këtë vend edhe më tërheqës. Në qendër të fshatit, aty ky çdo 31 gusht bëhet një festë e madhe (Festa e Reçit) bien në sy gështenjat e moçme, që për banorët janë të shenjta, mosha mesatare e të cilave është 500-vjeçare. Por, gështenjat nuk janë të vetmet pasuri që ka kjo zonë, e cila së fundmi është kthyer në një trend për turizmin e fundjavës.

Një guidë rreth Shkrelit

Parku Natyror Rajonal i Shkrelit, ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 20,282 hektarësh. Ai gjendet rreth 10 kilometra në verilindje të qytetit të Koplikut. Kufizohet nga Veriu: me Kelmendin dhe Parkun e Alpeve, nga Lindja me Plutin dhe Parkun Kombëtar të Thethit, nga Jugu me Gruemirën dhe Koplikun dhe nga perëndimi me Kastratin dhe pjesërisht Koplikun. Me mbështetjen e projektit italian VIS dhe atij gjerman CABRA është hartuar një guidë e detajuar me informacion të detajuar mbi hotelet, bujtinat, restorantet, guidat dhe harta.

Shkreli është një nga bukuritë e rralla të Alpeve Shqiptare, 20 kilometra larg Shkodrës. Një vend që mund të vizitohet në çdo stinë, por vjeshta e bën më të veçantë.

Të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë mund të zbulojnë shtigje të shumta që përshkojnë peizazhin e zonave si të Bogës, Lohes, Qafë Gradës. Me guida lokale ju mund të vizitoni kanionin e Përroit të Thatë dhe shpellat e shumta që gjenden në këtë zonë. Ka disa mënyra për të mbërritur në Parkun Natyror Rajonal të Shkrelit: me makinë, me autobus, me avion dhe me anije (nga ura e Bunës, përmes liqenit të Shkodrës).

Në këtë zonë mund të bëhen një seri aktivitetesh në natyrë.

Alpinizmi mund të bëhet në disa vende, si në: Majën e Madhe, në Majën e Kamshollit, në Majën e Rrabës, Radohimë, majën e Vllecikut, etj.

Ecjet në natyrë mund të zhvillohen në çdo stinë në zonën Shkrelit, por koha më e preferuar është stina e pranverës dhe vera.

Ekzistojnë disa shpella në këtë zonë që janë ende të paeksploruara e që mund të realizohen me ndihmën e guidave lokale. Shëtitja me kuaj është mënyra më e mirë për të vizituar akse, si: Dedaj– Vrith-Razëm; Razëm–Bogë; Dedaj–Ducaj–Bogë etj.

Në Shkrel mund të bëhet edhe aeronautikë, veçanërisht në zona si Boga e Maja e Veleçikut.

Për çiklizëm mund të zgjidhen rrugët e pashtruara, ku nuk mungon mjedisi i pasur me biodiversitet. Një destinacion i veçantë është edhe shpella e Pëllumbave që shtrihet në drejtim të Qafë Gradës dhe ka shtrirje vertikale, gjë që lehtëson eksplorimin. /dp/ KultPlus.com