“Generation Voyage”: Tirana, destinacioni turistik në trend dhe i lirë

Jeni gati për një udhëtim në Shqipëri këtë verë? Zbuloni në cilën zonë të qëndroni në Tiranë!

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana ndodhet në qendër të vendit dhe ka një popullsi prej 726 547 banorësh, shkruan Samuel Metairie në revistën franceze të udhëtimeve “Generation Voyage”.

E themeluar në vitin 1620, Tirana është qendra kryesore industriale dhe kulturore e vendit.

Epoka e diktaturës komuniste është shumë domethënëse, megjithëse që nga hapja e saj demokratike, qyteti është cilësuar si i furishëm, i gjallë dhe i këndshëm për t’u vizituar.

Akomodimi në Tiranë është i përballueshëm për të gjitha buxhetet.

Modernizimi po zë vend edhe në Shqipëri dhe po rrit koston e jetesës lokale. Ja në cilën zonë të qëndroni në Tiranë!

Në qendër të qytetit

Qendra e qytetit të Tiranës është plot me ndërtesa historike, sheshe, parqe të vogla, bulevardë të mbushur me njerëz.

Qendra e qytetit shtrihet në veri të kalatave të lumit Lana dhe ofron më shumë se një aktivitet turistik që meriton interes: Piramida e Tiranës, një gjurmë që mban shëmbëlltyrën e regjimit të Enver Hoxhës.

Mbi të gjitha, përfitoni nga qëndrimi në Tiranë për të vizituar Bunk’Art, bunkerin anti-bërthamor të Enver Hoxhës, i ndërtuar në fshehtësi midis viteve 1972 dhe 1978.

Sot është një muze nëntokësor që ju lejon të rijetoni ashpërsinë e kushteve të jetesës nën regjimin e diktaturës dhe sfidat e Luftës së Ftohtë falë ekspozitave që ndërthurin historinë e vendit dhe artin modern.

Vizita kronologjike fillon në vitin 1939 me pushtimin italian dhe përfundon në vitin 1991 me fundin e diktaturës komuniste.

A ju pëlqen historia dhe kultura?

Muzeu Historik Kombëtar është një gjë vend që nuk duhet të humbisni gjatë qëndrimit në Shqipëri, veçanërisht nëse zgjidhni të qëndroni në Tiranë.

Ky është muzeu më i madh në Shqipëri, ku gjurmohen periudhat parahistorike, greke dhe romake, mesjetare dhe të rilindjes shqiptare.

Gjithashtu, shijoni Sheshin Skënderbej, një hapësirë ​​e rëndësishme ku ndërthuret stili fashist italian, epoka staliniste sovjetike dhe stili otoman.

Blloku

Dikur një zonë e rezervuar për elitën politike gjatë diktaturës komuniste nga viti 1945 deri në 1991, Blloku është vendi më trend i Tiranës: të rinjtë takohen atje për të dalë në mbrëmje.

Do të gjeni gjithashtu shumë butikë luksoze, kafene, restorante dhe klube nate.

Pijet janë të lira dhe fasadat shumëngjyrëshe janë një vend i preferuar për artin e rrugës.

Në jug të qytetit, shtrihet një zonë gjelbërimi prej 289 hektarësh, e rrethuar nga një liqen i madh: Parku i Madh i Tiranës, i njohur si “Parku i Madh”, ideal për një pushim relaksues larg bulevardeve të zhurmshme të qendrës së qytetit.

Kjo është padyshim një nga zonat më të mira për të qëndruar në Tiranë./atsh/KultPlus.com

Banka Botërore mbështet turizmin e Shqipërisë me 80 milionë dollarë

80 milionë dollarë është  shuma që do të financojë Banka Botërore në Shqipëri për të mbështetur sektorin e turizmit. Marrëveshja e financimit të projektit “Mjedis i pastër dhe i qëndrueshëm për Detin Blu” është nënshkruar nga ministri i Financave Ervin Mete dhe zv.presidentja e Bankës Botërore Antonella Basani.

Në fokus  të këtij investimi do të jetë mbrojtja e mjedisit dhe reduktimi i ndotjes në mjedisin ujor detra e lumenj në zonën jug perëndimore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Një pjesë e rëndësishme e fondit do të përdoret për  mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndotja.

Pjesa e dytë e projektit synon uljen e ndotjes në  Lumin Vjosa, kjo edhe në kuadër të mbështetjes dhe mbrojtjes së mëtejshme të tij, pas akordimit të statusit “Park Kombëtar”, si lumi i fundit i egër në Europë. Projekti do të synojë zgjerimin e infrastrukturës së pastrimit, përmirësimin e mëtejshëm të saj, si edhe parandalimin e ndotjes.

Projekti është i ndarë në tre komponentë,  dhe në tërësi ka të bëjë me promovimin e një qasjeje për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore ndërsa zbatimi  parashikohet të zgjasë deri në mars të vitit 2029./abcnews.al/KultPlus.com

“Le Figaro”: Shqipëria – plazhet më të bukura të verës, nga Dhërmiu në Gjirin e Gramës

Me 300 ditët e saj me diell në vit, ujërat bruz të detit Jon dhe ishujt e saj shkëmborë, Riviera Shqiptare është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në Evropë, shkruan Thibault Petit në të përditshmen franceze “Le Figaro”.

Një plejadë limanesh dhe ishujsh shkëmborë me ujëra bruz, duket si një pikturë e Van Gogh. Greqia, Italia? Jo, një vend mesdhetar në zemër të Evropës: Shqipëria.

Vija bregdetare e saj nuk ka asgjë për t’u pasur zili nga vendet e tjera të Mesdheut.

Vendi i shqiponjave ndodhet në veri të Greqisë përballë Italisë. Në perëndim kufizohet nga detet Adriatik dhe Jon.

Moti? 300 ditë me diell në vit. Në jug të vendit ndodhet një bregdet i mrekullueshëm me ujëra të kristalta, shkëmbinj dhe kodra të gjelbëruara, kjo është Riviera Shqiptare.

Vija bregdetare është e përbërë nga kështjella antike, kanione, limane dhe plazhe të izoluara.

Plazhet më të njohura apo trendi, shkëmbore apo të fshehura, ja cilat janë më të bukurat:

Plazhi i Porto Palermos, ishulli i thesarit

I parë nga lart, duket si një ishull thesari, i rrumbullakët dhe i rrethuar me ujëra të pastra kristal, me shkëmbinj, kodra – mes blusë dhe smeraldit të detin Jon.

Plazhi i Porto Palermos është i fshehur në një nga gjiret në jug të vendit.

Duket si një përrallë: ishulli është shtëpia e një kështjelle të lashtë në formë trekëndore dhe tre kullave gëlqerore.

Kështjella u ndërtua në vitin 1804 nga Ali Pasha, ish-guvernator i Perandorisë Osmane.

Sot, vendi ka ruajtur një thjeshtësi të caktuar: pa bare, pa shezlongë. Ju mund të notoni në rripin e ngushtë me rërë që lidh ishullin me tokën, në plazhin e Palermos.

Plazhi i Ksamilit, atmosferë greke

Përballë Plazhit të Ksamilit ngrihen si tym malet. Është Korfuzi, ishulli grek, më pak se pesë kilometra larg, në anën tjetër të detit.

Plazhi i Ksamilit ofron një atmosferë helene: kudo ka ishuj me ujëra blu në të gjitha nuancat e tyre.

Ksamili konsiderohet si resorti bregdetar më i bukur, me plazhe private, shezlongë dhe restorante.

Para disa vitesh këtë fshat e njihnin vetëm vendasit, të cilët vinin për t’u çlodhur në fundjavë. Sot Ksamili është shndërruar në një destinacion në trend.

Ju mund të vizitoni ishujt e shumtë duke notuar ose duke marrë me qira një varkë ose një skaf.

Plazhi i Gjipesë

Me të mbërritur këtu, ju do të keni ndjesinë sikur jeni në fund të botës. Plazhi i Gjipesë është i izoluar, i fshehur pas një kanioni 800 metra të gjatë.

Ky vend është një nga plazhet më magjepsëse në Rivierën Shqiptare, me një sipërfaqe prej 400 metrash me guralecë dhe limane të vegjël të rrethuar nga shkëmbinj të lartë 50 metra.

Në jug të vendit ndodhet Himara, ku uji është më i pastër.

Kur deti përshkon murin shkëmbor dhe shpellat mbushen me shkumë kristalore, përpara jush do të shfaqet një spektakël. Këto shpella mund të eksplorohen falë motit të ngrohtë dhe të favorshëm.

Parkoni në manastirin Shën Theodori midis qytetit të Iljasit dhe Dhërmiut, më pas ecni 2,5 kilometra deri në plazh, ose merrni me qira një kajak në plazhin e Jalës aty pranë.

Gjiri i Gramës 

Më shumë se 2000 vjet më parë, në kohët e lashta, lundruesit që udhëtonin përgjatë bregdetit ndaluan këtu, në Gjirin e Gramës.

Këtu mund të zbuloni mijëra gdhendje në greqishten e vjetër dhe latinisht në muret shkëmbore të këtij lokaliteti arkeologjik: Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit.

Shpellat janë një mister i këtij vendi idilik me ujërat bruz, guraleca të bardha dhe bimësi të dendur.

Me pak fjalë, të jep idenë e një Parajse: një restorant i vetëm, pa rrjet telefonik dhe akses i rezervuar për më të motivuarit.

Për të arritur në Gjirin e Gramës duhet të ecni 13 kilometra në një shteg bregdetar nga Palasa. Përndryshe, merrni një varkë nga Dhermiu dhe udhëtoni 40 minuta.

Shumë shpella mund të eksplorohen me varkë.

Plazhi i Llamanit 

I vendosur mes dy gërmadhave shkëmbore, Plazhi i Llamanit ka një sipërfaqe prej 200 metrash me guralecë të imët.

I vogël në përmasa, plazhi i Llamanit nuk është më pak i popullarizuar. Shumë vizitorë marrin me qira çadra dhe shezlongë, shijojnë mbrëmjet me shkumë dhe muzikën elektronike në verë.

Gjithashtu ju do të keni mundësi të hapni peshqirin tuaj në shkëmbinjtë aty pranë dhe të zhyteni në ujin e pastër.

I vendosur pak kilometra larg Himarës, plazhi i Llamanit është gjithashtu një vend i famshëm për zhytje.

Plazhi i Dhërmiut 

Nga Dhërmiu, një fshat i vendosur 200 metra mbi nivelin e detit në shpatin e malit, vija bregdetare shtrihet si një shirit i gjatë me nuanca blu.

Plazhi i Dhërmiut është një nga plazhet më të bukura të vendit me guralecë të imët që zënë një sipërfaqe prej më shumë se një kilometër, ujëra bruz dhe çadra me qira për rreth 10 euro.

Pak më në veri, ndodhet Plazhi i Drimadhës me rërë të imët, pyje pishe, limane të izoluar dhe gjire të fshehur./atsh/KultPlus.com

Fshati Zogaj, përfaqësues i vlerave arkitektonike e kulturore të rajonit të Shkodrës

Nëse në rajonin e Shkodrës, atë fushor dhe bregliqenor, ka një fshat që dallon për nga vendndodhja dhe organizimi i tij, ai është fshati Zogaj.

Vlera arkitektonike dhe mënyra e urbanizimit të fshatit, mbetet karakteristik, pasi thuajse çdo 30-50 metra nga rruga kryesore, ngrihen rrugica të tëra që gjarpërojnë rrëzë malit, për të kapur edhe shtëpinë më të largët në mal.

DRTK Shkodër thotë se, këto rrugica të ngushta, ndërtuar në gurë dhe rrethuar me avlli të ulta po në gurë, mirëmbahen çdo ditë nga banorët e fshatit, ndaj janë përherë të pastra dhe plot lule shumëngjyrëshe, si pjesë e traditës së Zogajt.

Rrugicat e kalldrëmta, ndërtuar shekuj më parë, pa ardhur rruga e makinës zbrisnin deri në bregun e liqenit. Ato kujtohen me shumë nostalgji e dashuri ndër breza, duke e sjellë të freskët kujtimin e tyre deri në ditët e sotme.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët./atsh/KultPlus.com

Rama: Nga Gjinari, te peizazhet frymëzuese të Funarit, Elbasani destinacion turistik që duhet vizituar

Elbasani ka shumë pika turistike dhe historike, që çdo turist nuk duhet t’i humbasë pa i vizituar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gjinari dhe Funari, dy pika turistike të Elbasanit, që vizitohen çdo vit nga vizitorë të shumtë vendas e të huaj.

“Nga thellësitë e Gjinarit te peizazhet frymëzuese të Funarit, Elbasani një destinacion turistik që duhet vizituar”, shkruan Rama.

Gjinari piktoresk, me malin e Bukanikut, ku dëbora shkrin në muajin korrik, është një vend malor turistik. Të shumtë janë turistët, të cilët shijojnë në çdo stinë freskinë alpine të maleve të Bukanikut, që nuk janë më tepër se 25 kilometra larg Elbasanit. Në Gjinarin turistik ka monumente të shumta kulturore mes tyre “Dushkun e Lleshanit”, Varri i Kostandin Shpatarakut, fragmente të rrugëve të vjetra me kalldrëm, etj.

Ndërsa Funari ndodhet 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Vitet e fundit ai është kthyer në destinacionin e të apasionuarve edhe pas sporteve të aventurës.

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si parashutizmi, kajakë në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.
Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit./atsh/KultPlus.com

Jo vetëm në Vërmicë, qytetarët e Kosovës pritet të kalojnë pa kontroll edhe në pikëkalimet e tjera kufitare me Shqipërinë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.

Megjithatë, pritet që Vërmica të mos jetë pikë kalimi kufitar i vetëm ku qytetarët e Kosovës do të mund të kalojnë më procedura të përshpejtuara.

Kështu ka njoftuar ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj përmes një postimi në rrjetin social, X, njofton klankosova.tv

Ai bëri të ditur se për të lehtësuar turizmin po punohet edhe për rishikimin e protokolleve te tjera në pikëkalimet kufitare si ajo në Valbonë, Shishtavec dhe në zona të tjera turistike.

“Po punohet për rishikimin e protokolleve të tjera për pika të përbashkëta të kalimit me Kosovën si pika e kalimit kufitar në Valbonë, pika e kalimit kufitar në Shishtavec dhe zona të tjera turistike për të lehtësuar turizmin dhe shkëmbimet e ngushta, kjo pa lënë mënjanë masat e nevojshme për të luftuar krimin ndërkufitar dhe çdo formë tjetër të trafikimit të mundshëm” – shkroi ai, përcjell klankosova.tv

Ndryshe, protokolli i rishikuar u nënshkrua në Tiranë nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Shqipërisë, Taulant Balla.

Takimi i Komisionit për Europën të UNWTO, Kumbaro: Shqipëria rishpiku vetveten përmes forcës së turizmit

Ka nisur mëngjesin e sotëm në Tiranë takimi i 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit, ku marrin pjesë drejtuesit e kësaj organizate si Sekretari i Përgjithshëm i OBT Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive Natalia Bayona dhe ministra e përfaqësues të sektorit të turizmit nga 40 shtete të kontinentit.

Takimi, një organizim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe UNWTO u hap me një ceremoni pritjeje nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Sekretari i Përgjithshëm Zurab Pololikashvili dhe kryeministri Edi Rama.

Ministrja Kumbaro e nisi fjalën e saj me mikpritjen shqiptare, të transformuar sot në një simbol të turizmit.

“Edith Durham, shkrimtarja britanike e shekullit të XIX që shkeli veriun e Shqipërisë, në terrenin e vështirë por mahnitës mes Alpeve shqiptare, pikërisht ato pamje magjepsëse që sot i shohin miliona e miliona kureshtarë nga e gjithë bota në TikTok apo në Instagram dhe dëshirojnë një orë e më parë t’i vizitojnë. Studjuesja e shekullit të XIX shkroi dikur në kujtimet e saj se pikërisht kjo fjalë, “Fjala -mirë se erdhe – del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. E pra, ky shpirt, këta njerëz te të cilët ju keni ardhur sot, janë ata që historinë dhe traditën sot e e kemi kthyer në industrinë e mikpritjes që befason. Prandaj, si shqiptare dhe si ministre e turizmit e Shqipërisë, ndihem e privilegjuar dhe shumë e nderuar t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, duke ju falenderuar secilin prej jush, nga miku ynë Zurab dhe çdo delegacion të Europës që zgjodhët Shqipërinë për të kremtuar ditëlindjen e 70-të Komisionit për Europën të Familjes sonë të madhe “UN Tourism”, nisi fjalën e saj ministrja Kumbaro.

Për vitin 2023 ishte Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit që e renditi Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe të katërtën në botë për rritjen e flukseve turistike. Ministrja Kumbaro në fjalën e saj shtoi se të dhënat e fundit të hyrjeve në turizëm tregojnë se ka gjasa që Shqipëria të mbetet në krye të listës.

“Në 2023 pritëm 10,1 milionë turistë. Shumë sfiduese, por është nga ato rastet që tregon se kur punët bëhen me dashuri dhe përkushtim për realizimin e një vizioni, kur jemi bashkë me profesionistët e turizmit, investitorët, turoperatorët, partnerët e duhur ndërkombëtarë, nuk ka asgjë që nuk mund të arrihet.
I dashur Zurab, më duhet të të njoftoj se edhe këtë me shumë gjasë do të na gjesh sërish në krye të listës, sepse me shifrat e fundit, për tre muajt e parë të vitit 2024 Shqipëria mirëpriti 1,7 milionë vizitorë të huaj ose rreth 60% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ama përtej shifrave, Shqipëria, ose “Perla e pazbuluar e Mesdheut”, siç shumë prej gazetave ndërkombëtare vijojnë ta quajnë, po përjeton kohën e vet të transformimit nga turizmi jo thjesht si “ekonomi e kënaqësisë”, por mbi të gjitha si një formë emancipimi shoqëror. Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë e saj dhe rolin e saj në këto kohëra të trazuara.
Në këto dy vite po shkruajmë një kapitull të ri të bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Turizmit dhe jam falënderuese ndaj gjithë kolegëve në këtë sallë për besimin ndaj Shqipërisë”, vazhdoi ministrja Kumbaro.

“Sot Shqipëria është një surprizë e bukur në zhvillimin e turizmit global, gati-gati një simbol se ashtu si njerëzit – edhe vendet mund ta rishpikin vetveten brenda pak vitesh, – duke tejkaluar momentet e vështira për shkak të lojërave të historisë e duke u kthyer, me forcën e turizmit, në vendin që po ngjall kureshtjen e të gjithëve si destinacion i shumëdëshiruar”, tha ndër të tjera në fjalën e saj Kumbaro.

Ky takim i Komisionit për Europën të UNWTO do të vijojë me Konferencën e Investimeve për Zhvillimin e Ekonomisë që do të mbahet më datë 9 prill, ku do të prezantohet edhe udhërrëfyesi: Tourism Doing Business: Investing in Albania”./atsh/KultPlus.com

Peter Stamm sot vjen në Shqipëri, takohet me lexuesit në Tiranë dhe në Shkodër

Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit sot, me datë 8 prill në orën 18:30 do të vijë në Tiranë një nga autorët më të njohur bashkëkohorë, Peter Stamm.

Me mbi 1.5 milionë libra të shitur dhe i përkthyer në rreth 40 gjuhë ai është padyshim një nga autorët më të suksesshëm dhe më të dashur sot.

Në shqip ai është përkthyer nga Anna Kove dhe sapobotuar nga shtëpia botuese “Aleph” me dy libra, përkatësisht “Agnesa” dhe “Shpërfillja e ëmbël e botës”.

Ai është ftuar gjithashtu dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në sallën “Europa” me datë 9 në orën 11:00 dhe në Shkodër me datë 11 (ora 11: 00) në bibliotekën shkencore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Peter Stamm është një nga autorët që ja vlen kohën dhe energjinë për ta dëgjuar./Tema/KultPlus.com

Takimi i Komisionit për Evropën të OBT-së në Tiranë, Rama: Ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë

Shqipëria po mikpret për herë të parë Takimin e 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për fushën e turizmit, por edhe si një  organizim i nivelit të lartë të UNËTO që mbahet për herë të parë në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale videon promovuese të këtij evenimenti.

“Me entuziazmin e ndjesinë e Shqipërisë Turistike ku me të njëjtën energji i japim mirëseardhjen delegacioneve të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që do ta kthejë Tiranën në një pol dinamik të eventeve dhe ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë”, shprehet Rama.

Pasditen e së dielës u zhvillua pritja e mbërritjes së delegacioneve të UNËTO përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism Natalia Bayona si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Europës.

Sipas agjendës së bërë publike nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ditën e hënë më 8 prill do të mbahet mbledhja të 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO, ku do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Më date 9 prill, do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania.” Ky botim vjen si një punë e përbashkët e Organizatës  Botërore të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë që do t’u prezantohet aktorëve dhe palëve të interesuara të industrisë së turizmit.

Një ditë më parë ministrja Kumbaro bëri publike shifrat e vizitorëve të huaj për muajin mars, duke nënvizuar se ky muaj shënoi një rekord të ri në flukset hyrëse prej 1.7 milionë turistësh të huaj./atsh/KultPlus.com

Marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, qytetarët e dy shteteve shprehen se nuk janë aq të zhvilluara

Ka ende shumë punë për të bërë për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu ka bërë të ditur Barometri i Euronews Albania me një kampion prej një mijë intervista ballë për ballë, me qytetarë nga Shqipëria si dhe atë nga Kosova.

65.6 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 52.4 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur se marrëdhëniet mes dy kombeve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm.

18.8 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 30.7 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë neutral kur pyeten për konsolidimin edhe më tej të marrëdhënieve mes dy shteteve, por 9.1 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 9.8 për qind e shqiptarëve në Kosovë, nuk janë dakord që marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm.

6.5 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 7.1 për qind e shqiptarëve në Kosovë nuk e dinë zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

Shqipëri, të qofsha falë, të kam mëmë e më ke djalë…

Poezi nga Naim Frashëri

Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
Për ty të gjithë, ditë dhe natë,
mendohemi gjerë e gjatë,
ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
as drobitesh, as rrëgjohesh,
më ke gjithë bukuritë
e tëtëra mirësitë,
ke fusha me lule shumë.
lumenj të mëdhenj pa gjumë,
male të lart’ e të veshura,
buzën e detit të qeshur,
Mëje dritëz në dritë
me të gjitha mirësitë.
……………………………..
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë./KultPlus.com

Ministri Çeku: Vazhdon të thellohet bashkëpunimi me Shqipërinë në projekte të kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Ministri Çeku ka thënë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë është i pashmangshëm. Përplot aktivitete të përbashkëta janë realizuar vitin që lam pas, dhe të tilla priten edhe në vazhdim.

Për këtë dhe tema të tjera diskutuan sot në takim, Ministri Çeku dhe Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ministri Çeku i uroj suksese në detyrën e re, ndërsa i shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë.

Bashkë u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin duke u koordinuar për projekte të përbashkëta në kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com

Romani ‘Shqiponja dhe oktapodi’, historia e vërtetë e një polici italian në Shqipëri

Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit ka qenë i ftuar shkrimtari italian Gianni Palagonia, i cili sapo ka sjellë në shqip, përmes shtëpisë botuese “Dritan”, romanin “Shqiponja dhe Oktapodi”, përkthyer nga Ajsela Koka.

Romani trajton historinë e një polici italian, i i cili pasi përmbyll misionin e asgjësimit të Brigadave të Kuqe të Reja, caktohet për të punuar në Shqipëri. Rrugëtimi i tij nga Italia e pasur në Shqipërinë e varfër e përball me plot surpriza e realitete tashmë të harruara në jetën e përditshme, që e kthejnë pas në Siçilinë e fëmijërisë së tij, por edhe me fenomene të zhdukura me kohë në botën perëndimore, si Kanuni. Natyrisht që puna e lidhur me grupet kriminale do ta përballë me sfida e probleme të tjera sociale. Por “vendi i shqiponjave” do t’i hyjë aq thellë në zemër, sa një pjesë të tij e merr me vete përgjithmonë.

Siç thotë shkrimtari dhe gazetari italian, Carlo Lucarelli, “Ka disa realitete një hap larg nesh, që tashmë i kemi harruar. Gianni Palagonia na i rikthen me forcën e një stili “noir”, pasionin e një dashurie të madhe dhe strukturën joshëse të një romani të jashtëzakonshëm”.

Në fakt, Gianni Palagonia është pseudonimi i një polici, i cili sjell një histori të vërtetë në formën e një romani, bazuar mbi historinë e transferimit të tij, për punë, në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Duni-burrnesha 58-vjeçare që jeton në Shqipëri, një nga të fundit në llojin e saj

Duni bëri një betim beqarie 35 vjet më parë dhe jeton vetëm në një vend të thatë për t’i qëndruar besnike betimit të saj. Pavarësisht 15 propozimeve për martesë, ajo e shijon jetën e saj si “Burrneshë”.

Një grua që është betuar se nuk do të bëjë kurrë seks është ende e virgjër në moshën 58-vjeçare dhe e do ‘lirinë’ e të jetuarit në një vend shkëmbor.

Pavarësisht se iu propozua 15 herë, Duni ka refuzuar të gjitha prej tyre pasi bëri një betim për të qëndruar beqare 35 vjet më parë. Duni ka premtuar se do të bëhet një “Burrneshë” siç njihen në Shqipëri dhe është një nga të fundit në llojin e saj.

Të qenit Burrneshë ose ‘virgjëresha e betuar’ do të thotë se ajo është gjithashtu e përkushtuar të “jetojë si burrë”, sipas traditës së lashtë ballkanike. Duni nuk identifikohet si transgjinore, por vesh rroba mashkullore dhe shkurton flokët për t’i qëndruar besnike betimit.

Duni e bëri këtë zotim kur ishte vetëm 23 vjeçe dhe çuditërisht, ajo kishte refuzuar tashmë 15 propozime deri në atë kohë, transmeton Express .

Duke jetuar në një shtëpi malore, ajo ka vetëm qenin e saj si shoqëri. “Kur babai im ndërroi jetë vëllai dhe motra ime ishin të vegjël, në atë kohë një vajzë ose një grua ishte gjithmonë dikush që shërbente. Kështu që unë kisha dy mundësi: të shërbeja në familjen e një burri ose të [bëhesha e virgjër e betuar dhe ] t’i shërbej familjes sime”, tha ajo.

Ajo pretendoi se donte të ndihej “e lirë” dhe “ndryshe” dhe ishte në gjendje të adoptonte këtë mënyrë jetese dhe të mbetej e pamartuar për shkak se babai i saj ishte “mendjehapur” ndërsa rritej. Arsyeja kryesore që ajo mori këtë rrugë është sepse i lejon gratë të bëhen të ashtuquajturat ‘ushqyesja e bukës’ për familjen – diçka që ajo dëshironte të bënte.

duni me veshje tradicionale

Një Burrnesha është një traditë e lashtë ballkanike dhe ajo është një nga virgjëreshat e fundit të betuara të Evropës ( Imazhi: Jonathan Buckmaster)

Duni është gjithashtu një tifoze e madhe e futbollit dhe ndjek nga afër kombëtaren italiane. Ajo gjithashtu tregoi se nëna e saj i ishte afruar me dy “kërkues” me të cilët mund të martohej – por ajo i kishte refuzuar.

Tradita në fshatrat shqiptare ishte që kur një burrë t’i afrohej një gruaje për martesë, babai i tij do të konsultohej me familjen e gruas, por Duni refuzonte çdo herë. Shumë njerëz u përpoqën ta bindin atë, por ishte personaliteti i saj “të mos ngatërrohet” që e lejoi atë t’i qëndronte besimit të saj Burrnesha.

Mirëpo, 58-vjeçarja nuk beson se femrat duhet të ndjekin një jetë beqarie për të qenë ‘të forta’ dhe shtoi: “Isha shumë e fortë, kështu që shumica e djemve kishin frikë për mua, edhe sot janë. Femrat në ditët e sotme janë shumë me fat sepse mund të jenë të pavarura dhe të bëjnë çfarë të duan, jam e lumtur kur shoh që një zonjë mund të jetë avokate, presidente ose drejtoreshë.”/mirror/KultPlus.com

Ekspertët për turizmin në Shqipëri: Sektori të formalizohet më tepër

Shifrat që erdhën në Shqipëri nga turizmi në gjashtëmujorin e parë sipas bankës së shqipërisë tejkaluan investimet e huaja dhe remitancat.

Ndikim kishte edhe në të ardhurat buxhetore. Financat konfirmojnë se në pesë muajt e parë të vitit tvsh apo taksa e konsumit u rrit me 1.2%, tatimi mbi fitimin e bizneseve në 40.9% dhe akciza 8.5%. Edhe pse shifrat tregojnë për një kontribut pozitiv, ekspertët mendojnë se Shqipëria duhet të ndjekë një strategji të re për të vjelur më shumë të ardhura

Shqipëria është zyrtarisht në hartën e destinacioneve globale, por ekspertët shprehen se sektori ka nevojë për formalizim të mëtejshëm.

Për shkak të turizmit ekonomia jonë pritet të pësojë një zgjerim më të fortë me 3.7%, ndryshe nga parashikimi fillestar prej 2.5%. Kjo do ndikohet në masën më të madhe nga ndërtimi, tregtia dhe shërbimet e lidhura me turizmin./topchanel/KultPlus.com

81 vjet nga Konferenca e Pezës

​Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij Kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).

Parulla e bashkimit apo e përçarjes?

Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje./ KultPlus.com

Rikthehen gërmimet arkeologjike në Bushat dhe Koman të Shqipërisë

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka njoftuar për rikthimin e gërmimeve arkeologjike në Bushat dhe Koman. Gërmimet po mbahen nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Varshavës në Poloni, nën drejtimin e Saimir Shpuzës dhe Piotr Dyczek.

“Pas ekspeditave të para, gjatë të cilave u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit, që krijuan një hartë më të qartë të shtrirjes së tij, gërmimet janë përqendruar në qytetin e mesëm dhe të sipërm, që mendohet të jetë ndërtuar në shek. III p.e.s., për të zbuluar organizimin e brendshëm të urbanistikës, planimetrinë e ndërtimeve të qytetit dhe rolin e tyre”, ka njoftuar Ministria e Shqipërisë.

Ky proces i gërmimeve daton nga viti 2010, si përpjekje për të shpërfaqur pasuritë kulturore të këtij vendbanimi mesjetar për vizitorët./rtk/KultPlus.com

Ja pse në Shqipëri mund të fshihet fshati ‘më i vjetër në Evropë’

Arkeologët kanë zbuluar mbetjet e një fshati ndoshta 8,000-vjeçar të ndërtuar mbi një liqen të lashtë – fshati më i hershëm i njohur i çdo lloji në Evropë – në liqenin e Ohrit, i cili shtrihet në kufirin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Janë gjetur qindra pemë që arkeologët besojnë se kanë formuar themelet e një fshati parahistorik.

Studiuesit nuk mund të vlerësojnë ende madhësinë origjinale të vendbanimit, por dhjetëra mijëra trungje të gjetura nën ujë tregojnë se fshati ishte relativisht i madh.

Albert Hafner, një arkeolog nga Universiteti i Bernës në Zvicër, i cili udhëhoqi gërmimet, tha për Live Science se zhytësit gjetën trungjet pranë fshatit shqiptar Lin në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit.

Hafner udhëhoqi projektin EXPLO për disa vite, duke studiuar liqenet në Ballkan në kërkim të gjurmëve të kolonëve nga Anadolli, tani Turqia, në Evropë gati 8,000 vjet më parë. Ata konsiderohen të jenë njerëzit e parë që sollën bujqësinë në Evropë nga e gjithë Mesopotamia.

Profesor Hafner shpjegoi se shumë liqene të mëdhenj në rajonin e Ballkanit kishin gjurmë të qarta të migrimit të hershëm nga Anadolli.

“Gërmimet e fundit përdorin teknika të sofistikuara si datimi shumë i saktë i radiokarbonit dhe dendrokronologjia, të cilat mund të përcaktojnë se kur janë prerë trungjet duke parë unazat e pemëve,” tha Hafner për Live Science.

Njerëzit e lashtë ndoshta tërhiqeshin nga liqenet për ujin dhe bimët e tyre. Por pse njerëzit parahistorikë zgjodhën t’i ndërtonin shtëpitë e tyre mbi pirgje apo shtylla mbi një liqen apo moçal nuk është e qartë – edhe pse kjo praktikë mund të shihet në të gjithë Evropën, nga Ballkani në Balltik, shkruan TRT Balkan.

Hafner beson se në kushte normale do të ishte e lehtë të kalosh mes shtëpive me kanoe./konica.al/KultPlus.com

Dua Lipa rikthet për pushime në Shqipëri

Këngëtarja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Dua Lipa, përmes një fotografie në instagram ka bërë të ditur se është rikthyer për pushime në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Përmes disa fotografive të postuara në perëndimin e diellit, Lipa shkruan se “Kthehem për disa perëndime të tjera të diellit në Shqipëri”.

Dua Lipa gjatë kësaj vere ka vizituar Shqipërinë edhe përgjatë muajit korrik, ku përveq shijimit të pushimeve në atdheun e saj, i ka bërë edhe një publicitet tejet të madh rivierës shqiptare/ KultPlus.com

Rritet numri i jahteve, Rama: Shqipëria, në hartën e madhe të destinacioneve më tërheqëse

Numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në portet shqiptare është rritur ndjeshëm ashtu sikurse edhe koha e qëndrimit të tyre.

Ndërsa ndau foto të disa prej jahteve të ankoruara në ujërat shqiptare, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Shqipëria më në fund ka hyrë në hartën e madhe të destinacioneve më tërheqëse”.

“Jahtet që ndalojnë gjithnjë e më shumë në brigjet tona, për të zbuluar bukuritë e një Shqipërie që më në fund ka hyrë në hartën e madhe të destinacioneve më tërheqëse”, tha ai.

Shqipëria po kthehet në një destinacion edhe për turizmin elitar. Ndërsa numri i mjeteve lundruese luksoze që vijnë në Shqipëri po rritet, autoritetet portuale bëjnë të ditur se është rritur edhe kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në brigjet tona.

Shqipëria ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, me një rritje prej 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar./ATSH/KultPlus.com

‘El Pais’: Një udhëtim agroturistik në Shqipëri mes akomodimit rural, fermave dhe kantinave të suksesshme

Në vitin 2021, Shqipëria priti 5,6 milionë turistë të huaj, të joshur nga plazhet e saj perfekte të Jonit, nga peizazhi i përthyer i Alpeve Shqiptare dhe nga një trashëgimi e pafund historike, shkruan Victoria Zarate* për gazetën më të madhe spanjolle ”El Pais”.

”Megjithëse grumbullimi i turistëve këtu nuk ka filluar ende, çdo vit i kushton më shumë vendit ballkanik që të ruajë reputacionin e tij si sekreti më i ruajtur në Ballkan, një alternativë e qetë dhe ekonomike për bregdetin e Mesdheut që ofron Spanja, Italia apo Greqia.

Por, ka ende shumë për të eksploruar në Shqipërinë e paprekur, përtej resorteve të viteve ’90 dhe plazheve të mbushura me motorë uji, që përcaktojnë 400 kilometrat e vijës së saj bregdetare ku bashkohen detet Jon dhe Adriatik. Një mënyrë ndryshe dhe që lidhet me trashëgiminë e saj të pasur është ta vizitoni vendin përmes rrjetit të gjerë të hapësirave të certifikuara si objekte agroturistike, që ofrohet në të gjithë gjeografinë e saj.

Pas zhdukjes së një pjese të mirë të kooperativave bujqësore, të shkaktuara nga rënia e regjimit komunist, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fermat panë rënien e prodhimit të tyre, që rifilloi një dekadë më pas. Të njohura në prodhimin e grurit, misrit, duhanit, mishit dhe produkteve të qumështit, shumë prej tyre tani kanë rimarrë shkëlqimin e dikurshëm, të gjallëruar nga brezat e rinj që shkuan jashtë vendit, veçanërisht në kuzhinat italiane, për të mësuar se si të gatuajnë. Ata përpunojnë ushqimet lokale dhe përcaktojnë historinë e tyre në vendin e tyre të lindjes. Një dhuratë premtuese për bizneset e reja, që transferojnë të kaluarën bujqësore shqiptare në akomodime rurale, taverna dhe kantina të suksesshme, ku mund të provoni librin tradicional shqiptar të recetave me një shije bashkëkohore apo të degustoni verë apo të zgjoheni në një mjedis të pakrahasueshëm dhe me ​​çmime më të ulëta konkurruese.

Në këtë itinerar që nis pak kilometra nga Tirana (në këtë qytet operon aeroporti kryesor ndërkombëtar, me kompani si ”Wizz Air” që ofron fluturime direkte nga Madridi dhe Barcelona), histori personale grumbullohen sapo kalon pragun e çdo vendi. E para na çon vetëm 20 minuta me makinë në drejtim të Prezës, një fushë e rrethuar nga malet e Krujës dhe Dajtit dhe një qytet mjaft i vizituar për kështjellën e tij mesjetare që shërbeu si një bastion strategjik për heroin kombëtar, Skënderbeu. Pak metra larg sheshit kryesor, kantina ”Enol” ju pret me një fermë dhe punishte vere dhe ju fton të ndani produktet e saj vendase në kopshtin e saj të pyllëzuar, të ngrohur nga mbulesat e kuqe të tavolinave, me buqeta lulesh të egra dhe një furrë me tulla në natyrë. Eni dhe Olsi, djemtë e themeluesit të saj Qemal Alushi, vendosën një ditë të ndiqnin pasionin e tij për verën dhe të përmbushnin një ëndërr të vjetër rinore për të prodhuar verën e vet.

Hardhitë e para në kodër që ndajnë ullinjtë, kumbullat dhe pemët e tjera frutore, u mbollën në vitin 2002 dhe u përpunuan në vjeljen e tyre të parë shtatë vjet më vonë. Me një prodhim aktual që arrin në 10 000 shishe në vit, verërat e saj përziejnë notat e kabernetit, sangiovese dhe merlotit dhe mund të shijohen para tryezës së drurit, të ndjekur nga fjalët që Olsi, mjeshtri i verës, flet me entuziazëm në lidhje me kultivimin e saj. Por, asgjë nuk mbaron këtu. Ata gjithashtu zhvillojnë degustime të disa varieteteve të rakisë, një pije shumë e popullarizuar në Shqipëri me shije mjalti, kanelle dhe karafili. Eni merr përsipër pjesën gastronomike të biznesit me nënën e tij, me një menu të bërë nga produkte artizanale si reçel, gjalpë, djathë dhe kos të bërë me qumësht të mbledhur në fshatrat e afërta. Shkoni herët të provoni gjithçka në shtëpinë e tyre, si për shembull një antipastë për t’ju hapur oreksin apo kecin e pjekur në hell.

Këtu pranë, në rrugën që të çon në Durrës, bregdeti më i ngarkuar i Adriatikut në vend dhe porti kryesor, ka disa adresa për t’u marrë parasysh. Nga njëra anë, ”Gjepali”, i aksesueshëm vetëm me makinë, duke kaluar një shteg me korsi të ngushta mes fushave dhe qarqeve lumore që ”çmendin” edhe Google Maps. Historia e këtij kompleksi rural filloi 23 vjet më parë, kur themeluesi i tij Fundim Gjepali emigroi në Itali në kërkim të një fati më të mirë. Pasi u bë një kuzhinier i njohur në qytete si Roma dhe Tirana (në këtë të fundit ai ka një restorant të kuzhinës së lartë), ai krijoi paralelisht këtë shtëpi-fermë të stilit toskan, me kuzhinë që kënaq dashamirësit bio. Një bujtinë e ndërtuar mbi pllaka terrakote dhe e zbukuruar me vepra të piktorëve shqiptarë, ku mund të provoni specialitete vendase si byrek me qumësht dhe përzgjedhjen e verërave italiane.

Për ata që vendosin të kalojnë natën atje (dhoma të disponueshme nga 30 euro), mëngjesi nuk do t’ju zhgënjejë me bukë, perime dhe fruta, të sjella nga kopshti i tyre.

Pranë akomodimit avangardë në formën e kabinave prej druri, me pamje nga një liqen i bukur, është gostia gastronomike e ofruar nga Huqi (nga 50 euro nata për dhomë dyshe) në rrugën për në Gjirin e Lalzit, katër kilometra nga Maminasi në Radë, që gjallërohet me shëtitjet me varka dhe ditët e peshkimit, përveç kënaqësisë së krijuar nga kopshti i tij i populluar nga pulat, rosat dhe lepujt. Përpara kësaj kanavace idilike me pamje nga Adriatiku, qëndron një fermë dhe restorant i drejtuar nga një ish-oficer i ushtrisë, i cili donte të ndërtonte një projekt në tokën e të parëve të tij, që do t’i bënte homazh natyrës që e rrethon. Kur vjen vera dhe darkuesit ulen në tavolinë, një ”meze” me manaferra dhe mjedra të mbledhura nga fusha e tyre, i paraprin një liste të gjatë gatimesh tradicionale si lakror me domate dhe qepë, spinaq ose kos, djathë dhie apo keci, i pjekur në dru, brenda një pusi të thatë, tre metra të thellë.

Sekretet e mëdha të Shqipërisë së Veriut

Duke u ngjitur në rrugën drejt veriut, për të parë liqenin e Shkodrës, i cili vepron si një kufi natyror me Malin e Zi me gjiret e tij të vegjël ku mund të laheni, ofrohen perlat e mrekullueshme të agroturizmit ku mund të ndaloni gjatë udhëtimit tuaj. Qyteti i vogël i Krujës ia vlen të vizitohet. Këtu lindi fisniku shqiptar Skënderbeu, i cili orkestroi kundërshtimin ndaj pushtimit osman, i pranishëm në të gjithë morfologjinë e tij, të dukshme nga maja e kodrës që dominon kështjellën kryesore. Më poshtë është pazari i tij historik, ku mund të humbisni mes rrugëve me kalldrëm, me tezga që alternojnë suvenire të një cilësie të dyshimtë, me mostrat e zanateve vendase si mbulesa tavoline me grep, qilima, piktura apo antika.

Pasi jeni lodhur, ju meritoni një pushim në hotelin dhe restorantin malor ”Shkreli”, 45 minuta nga Kruja. Ai ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar të Qafshtamës, i njohur për ujërat e tij, që furnizonin familjen mbretërore shqiptare gjatë pushimeve të tyre në vitet ’30. I ngritur në 1 300 metra mes pyjeve me pisha, liqeneve të vegjël dhe rrugëve gjarpëruese që lidhin bashkitë e Burrelit dhe Dibrës, ky resort me sauna dhe spa, i frymëzuar nga shtëpitë tradicionale prej guri të njohura si kulla që shërbenin edhe si strehë, ka dhoma të thjeshta prej druri në në mes të askundit (nga 60 euro për natë). Edhe pse kanë vetëm një pemishte të vogël dhe fusha aty pranë të ushqyer nga manaferrat e egra dhe pemët frutore, restoranti i tyre është besnik i kuzhinës lokale të ofruar nga furnitorët vendas nga fshatrat Cudh dhe Krujë. Ajo që e bën të famshëm është mjalti aromatik, të cilin vizitori do të mund ta marrë nga dora e parë, së bashku me aktivitete të tjera në natyrë si shtigjet e ecjes, biçikleta me katër rrota apo shëtitjet gjatë muajve të dimrit.

Rrugës për në Shkodër do të hasni në dy ndalesa me shumë interes. E para të çon te bujtina ”Dini”. Pa akses të drejtpërdrejtë me transport publik, kjo shtëpi për mysafirë e drejtuar nga familja Kol Marku, pesë kilometra larg qytetit verior të Rubikut, lindi pas udhëtimit të këtij ish-minatori nëpër Kretë dhe Greqi, i cili u kthye për të përmbushur ëndrrën e tij për të ripërdorur gurin në shtëpinë e të parëve të tij dhe për ta shndërruar në një banesë. Me katin përdhes për restorantin, dy katet e sipërme strehojnë gjashtë dhoma me pamje nga lugina (nga 30 euro për natë). Një stallë e vogël për dhi dhe pula, ngjitur në shtegun ku rriten domate, fasule, qershi ose kunguj si dhe pjeshkë dhe fiq, krijon ambientin e tij të lezetshëm, që ndiqet nga një menu e përditshme nga bashkëshortja, Hale Marku. Gjatë muajve të nxehtë, nuk ka asgjë më të mirë se të ulesh në kopshtin e vogël dhe të pushosh duke pirë dhallë, e bërë me qumësht dhie. Një rostiçeri e rrumbullakët nëse shtoni tortën e bërë vetë me reçel dhe biskota.

Vetëm 30 kilometra larg Shkodrës ndodhet një nga fermat më të famshme në të gjithë vendin, ”Mrizi i Zanave”. Në kuzhinën e tij që nuk ”fle” kurrë, pijet freskuese të konservuara dhe mishrat e përpunuar marrin kuptimin e tyre të plotë. Ky projekt, i drejtuar nga shefi i kuzhinës Altin Prenga dhe vëllai i tij Antoni, është fundi i lumtur i një historie të dedikuar plotësisht punës, që nisi në vitin 1998, kur ai emigroi në Itali si adoleshent për të larë enët. Atje, më vonë, do të punonte si kuzhinier duke ndjekur hapat e të atit, kuzhinier i një mense të vjetër, siç njiheshin në kohën e komunizmit si kafene, ku shërbehej edhe  ushqim tradicional. Pas kthimit, ai vendosi të hapte restorantin e tij, i frymëzuar nga vepra e poetit kombëtar Gjergj Fishta dhe Mrizi i tij i Zanave.

Çdo vit, ata shërbejnë më shumë se 100 000 porosi midis sallës së tyre të gjerë dhe oborrit të mbuluar, me një menu që josh stomakun dhe syrin dhe ndryshon sipas periudhës së vitit, duke përdorur përbërës nga ferma e tyre dhe e 400 familjeve aty pranë. Një shëtitje nëpër fermë ju lejon të shihni disa nga punishtet ushqimore që Altini i transformoi në vitin 2018, ku përpunojnë domate të thata, reçel, perime turshi, djathëra të bërë vetë ose miell nga mulliri i tyre i vjetër, si dhe lëng qershie që mirëpret darkuesit e saj. Si pikë kulmore, një punishte vere moderne, ku fermentohet rrushi i kallmetit. Pavarësisht nga madhësia e tij, rekomandohen rezervime paraprake, edhe për drekat që shërbehen gjatë ditëve të javës. E njëjta gjë vlen edhe për konakun që zë fermën e vjetër prej guri që i përkiste gjyshit të Altinit. Tani, e kthyer në një strehë moderne, me nëntë dhoma të lira (nga 40 euro për natë), ajo josh nga dritaret e mëdha prej xhami që përshkojnë shtëpinë, me pamje të papërsëritshme të pemishteve dhe ullishteve.

Jugu me kantina të fshehura dhe verëra firmato

I futur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, Berati tërheq një pjesë të mirë të turizmit të vendit për shkak të pseudonimit të tij “Qyteti i një mbi një  dritareve”, apo ndoshta sepse është i izoluar apo sepse shërben si prelud i plazheve të kristalta që të presin në jug. Megjithatë, një tjetër realitet më pak i vizituar, shtrihet rreth qarkut të tij, por po aq stimulues sa kalaja e tij jetëgjatë, kishat bizantine apo rrugët që popullojnë shtëpitë e tij të famshme të stilit osman.

Rreth 20 minuta nga qyteti me makinë ndodhet një destinacion kyç për adhuruesit e verës, ”Nurellari”. Kjo punishte vere që i përket familjes me të njëjtin emër është atraksioni i madh i qytezës së Peshtanit, i ndërtuar në juglindje të Beratit në një fushë të kufizuar nga lumi Osum. Fatos dhe Libonike Nurellari, agronomë dhe themelues, ​​vendosën të rivitalizojnë një fermë të vjetër në qytet duke mbjellë hardhi rreth saj për të prodhuar verë. Shishet e para u prodhuan në vitin 1995 dhe që nga ajo kohë, së bashku me djemtë e tij të trajnuar si somelierë në Zvicër, Francë dhe Itali, kanë zgjeruar me sukses biznesin brenda dhe jashtë vendit. Një ish-magazinë është tashmë selia e kantinës së tij, e cila shquhet për dyshemenë e saj mbresëlënëse prej guri, kolonat e gdhendura dhe dyshemetë prej mermeri, të zbukuruara me mobilie nga artizanët vendas beratas. Këtu ata prodhojnë 30 000 shishe çdo vit që furnizojnë restorante të shumta në rajon, duke përfshirë rrushin vendas dhe ato të tjera ndërkombëtare si Montepulciano, Merlot dhe Cabernet Sauvignon. E hapur për vizita, degustime private dhe ekskursione gjatë vjeljes së rrushit, ajo ka një dyqan ku mund të rezervoni verëra dhe produkte të tjera që ata bëjnë vetë, si vaji i ullirit ose rakia e rrushit me aromë të quajtur ”Arrabon”. Nëse duam të zgjasim qëndrimin, ata kanë gjashtë dhoma (nga 45 euro nata).

Oferta e qarkut Berat vazhdon. Në verilindje pret kantina ”Alpeta”, e rrethuar nga ullishte dhe pemishte në qytezën e Roshnikut, ku jetojnë vetëm 120 familje. I shkëputur nga pjesa tjetër e botës, është një vend idilik për të parë një muzg mbi malin madhështor të Tomorit. Për të arritur në destinacion, duhet të merrni rrugën që kalon nëpër qytet deri në fund. Pasi kalojmë xhaminë do të gjejmë këtë kompleks të drejtuar nga Alfred dhe Petrit Fiska që strehon një punishte vere, restorant dhe bujtinë me konvikte të përbashkëta dhe dhoma private (nga 10 euro për natë). Të dy vëllezërit vazhdojnë trashëgiminë e babait të tyre, agronom në kohën e komunizmit, i cili mbolli vreshtat e para në vitin 1992. Me hapjen demokratike të Shqipërisë, biznesi lulëzoi falë tokës së re dhe prodhimit të 50 000 shisheve në vit, të njohura në të gjithë vendin për specialitetet e tij si përzierja e merlotit dhe kabernetit ose një raki rrushi të bardhë.

Të shëtisësh nëpër vreshtat e saj të ndërthurura me fiq ose të provosh të korrat e tij së bashku me ullinj, arra dhe djathëra vendas është një kënaqësi për shqisat, përpara se të zhytesh në kuzhinën fshatare të restorantit të tij me gatime si mish dhie që kullot në shpatet pranë Tomorit.

Kënaqësia e të ngrënit mish nuk mbaron këtu. Një devijim i shkurtër në veri do t’i shpërblejë dashamirësit e mishit me një ndalesë në kompleksin ”Kështjella”. Në mes të sheshit të qytezës së Poshnjës, lindi edhe një furrë buke e drejtuar nga vëllezërit Ismailaj gjatë rënies së regjimit komunist në vitin 1990. Nga prodhimi i miellit të tyre, ata e zgjeruan biznesin drejt blegtorisë dhe praktikave të tjera bujqësore, përfshirë mbjelljen e  vreshtave për të prodhuar raki dhe verë. Paralelisht, ata konturuan fytyrën e re të ”Kështjellës”, me një restorant që të kujton planimetrinë e kalasë dhe dhomat në pjesën e pasme të godinës. Nuk është kurrë keq të rezervoni për të fjetur të qetë, pasi të keni provuar menunë e tyre tradicionale me perime vendase dhe mish të pjekur nga stalla e tyre.

Të kesh një stomak plot është mënyra më e mirë për të përballuar udhëtimin njëorësh që ndan këtë fermë nga rrënojat e Apolonisë, një mrekulli arkeologjike në zemër të Shqipërisë që shumë e barazojnë me një Athinë të vogël. Mbetjet e këtij qyteti të themeluar në shekullin VI para Krishtit japin një pasqyrë të mirë të lavdisë dhe shkëlqimit që gëzonte qytetërimi antik i Ilirisë në një pjesë të madhe të Gadishullit Ballkanik. Duke lënë bregdetin e Vlorës në të djathtën tonë, arrijmë në bujtinën ”Hadër Xhebro”, afër Nivicës. Me aksesin pothuajse të rezervuar për automjetet jashtë rrugës (është e rëndësishme të ndiqni udhëzimet e dhëna nga pritësit tuaj ose të organizoni një transport privat me ta), ia vlen të udhëtoni nëpër largësinë që mbron vendin nëse kërkojmë shkëputje absolute në një prej dhomave të saj komode, me kapacitet për pesë persona (nga 20 euro për person dhe natë, plus mëngjesin).

Kjo shtëpi për mysafirë, ”e ankoruar” në shpatin e malit të Kendrevicës, një nga peizazhet më spektakolare të Shqipërisë së Jugut për shkak të kanioneve dhe shkëmbinjve të saj, ka një baxho tradicionale ku barinjtë vendas dorëzojnë qumështin e tyre si në të kaluarën, me kalë ose me mushkë. Kjo pamje piktoreske mbetet e paprekur në funksion të fazës së re që po kalon kjo shtëpi e krijuar nga Hader Xhebro, tashmë në duart e fëmijëve të tij Arjola dhe Jaho, të cilët i kanë shtuar një vend shumë të veçantë biznesit familjar. Gjalpi, djathi, salca e kosit, e ngjashme me kosin, prodhohet gjatë gjithë vitit. Në ushqimet e gatuara në shtëpi, që shërbehen çdo ditë, nuk mungojnë prodhimet e qumështit dhe as mishrat që përshkojnë malet përreth, si qengji i marinuar në furrë apo lakrori tradicional apo ëmbëlsirat e tyre të bëra vetë si revania, që shërbehet me reçel qershie.

Tashmë në jug, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare tërheq miliona turistë për limanet e saj dhe ujërat bruz në brigjet e detit Jon. I përfshirë nga Parku Kombëtar i Butrintit dhe rrënojat e tij nga qytetërime të ndryshme si ai grek, romak apo bizantin (mbetjet më të vjetra datojnë në epokën e bronzit), banorët e Ksamilit duket se po kërkojnë një drejtim të ri vitet e fundit, përtej hoteleve që shfaqen mes tepricave të apartamenteve turistike, të ndërtuara pa asnjë sens estetik apo frymë mjedisore, bare plazhi me muzikë dhe restorante me ushqime ndërkombëtare. Në këtë kamare spikasin vilat moderne të hotel ”Arameras”, një resort i hapur që vitin e kaluar me një plazh gjysmë privat, i ndërtuar me dru dhe gurë duke respektuar peizazhin që e rrethon dhe ”syrin vigjilent” të ishullit të Korfuzit përballë.

Pas kësaj ndalese në anën më parajsore të Shqipërisë, ndalesa e fundit na nxit ta mbyllim këtë itinerar në pikën e saj më të largët, ferma ”Sotira” (e aksesueshme me minibus publik nga qyteti i Gjirokastrës). Kjo fermë e vendosur mes pyjeve pothuajse të virgjëra të parkut Gërmenj-Shelegur në brendësi juglindore të vendit, është një Eden për adhuruesit e ushqimit bio.

Të vendosur në një lartësi prej më shumë se 1 000 metrash pranë kufirit grek, fqinjët e zakonshëm si arinjtë, ujqërit apo drerët lënë gjurmët e tyre në shtigjet midis pyjeve me pisha dhe liqeneve ku mund të bëni një piknik të improvizuar. Gjithçka filloi si një fermë peshku me troftën, së cilës i shtuan një restorant të vogël lokal ku ofrojnë peshkun e tyre të freskët. Më vonë ata ndërtua një fermë me dele, rosa, pata dhe pula që bredhin lirshëm në 20 hektarët e pronës së tyre. Kalërimi nëpër male dhe vreshta plotëson një përvojë për t’u mbushur me ajër të pastër dhe për të pushuar. Ato ofrojnë dhoma me banjo private dhe mobilie te punuara nga pronaret e fermës (nga 30 euro për natë). Një fund i vështirë për t’u përsëritur për shkak të trashëgimisë shqiptare, tokës legjendare që Skënderbeu donte të mbronte me çdo kusht, shekuj më parë./ a.jor.

(Victoria Zarate* është gazetare e lidhur me ”El Pais” që nga viti 2016. Ajo koordinonte më parë faqen e internetit Tentaciones dhe seksionin e saj të modës dhe stilit të jetesës derisa u mbyll në 2018. Ajo tani bashkëpunon me Icon, Icon Design, S Moda dhe El Viajero. Ajo ka punuar për ”Glamour”, ”Forbes” dhe ”Tendenca” dhe ka shkruar edhe për CN Traveler, AD, ”Harper’s Bazaar”, V Magazine (SHBA) dhe ”The New York Times T Magazine Spain”)./atsh/KultPlus.com

42% më shumë vizitorë të huaj në janar-maj të 2023-tës në Shqipëri

Shqipëria vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh të huaj, të cilët në periudhën janar-maj të këtij viti kanë qenë 42% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale, publikoi të dhënat e numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-maj 2023, të krahasuara ato me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kumbaro tha se, “vizitorët e huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë në pesë muajt e parë të këtij viti, janë 42% më shumë se viti i kaluar duke premtuar për më shumë turistë në pikun e sezonit veror ku po hyjmë”.

Sipas të dhënave në periudhën janar-maj 2023 Shqipëria u vizitua nga 2 389 899  vizitorë të huaj, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022 nga 1 677 691 vizitorë të huaj.

“Po ashtu në maj të 2023 vendi ynë u vizitua nga  705 079 vizitorë të huaj dhe në maj 2022 nga 604 430, pra 17% më shumë”, thuhet në videon e publikuar nga Kumbaro.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com

Rikthehet Java e Kulturës Italiane me më shumë se 60 aktivitete

Pas suksesit të edicionit të parë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, prej datës 1 e deri më 7 qershor 2023, kultura italiane rikthehet në Shqipëri me më shumë se 60 evente e nisma.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se muzika, sporti, kuzhina, shkenca, opera, e deri te arkitektura, do të jenë në fokus të kësaj jave.

Në programin e javës italiane vlejnë për t’u përmendur kremtimi i Festës së Republikës, grupi muzikor Planet Funk, Festivali i Shkencës, dita kushtuar arbëreshëve, rikthimi i Pizza Village, maratona për autizmin si edhe vepra murale e realizuar nga Tellas si shprehje e miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë.

Po ashtu nuk do të mungojnë as mbrëmjet kushtuar teatrit, operës dhe muzikës me shfaqje në sheshe dedikuar Verdit, koncerti i instrumentistit të njohur të trombës, Paolo Fresu dhe shfaqja në kujtim të gjeniut Enio Morricone./atsh/KultPlus.com

Turistë të shumtë vizitojnë Urën 300-vjeçare të Mesit

Këtë pranverë, shumë prej turistëve zgjedhin të përshkojnë me biçikletë rrugën e shkurtër nga Shkodra deri në fshatin e Mesit.

Në përfundim të rrugës, ata freskohen në ujërat e freskëta të lumit, ndërsa shijojnë peizazhin natyror që shtrihet përreth Urës së Mesit, me majat e maleve, të cilat rrethojnë lumin e kristaltë dhe e kthejnë urën 300-vjeçare, në një simbol të harmonisë midis natyrës, njeriut dhe historisë.

DRTK Shkodër sjell një album fotografik të turistëve dhe ujërave të kristalta që kanë tërhequr vizitorë.

Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.

E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet pashë Bushati, ura me kurriz, që ndodhet mbi lumin Kir, shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër. / atsh / KultPlus.com