‘The Independent’ artikull për bjeshkët e përbashkëta të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi

Gazeta britanike “The Independent” ka publikuar një shkrim të gjatë, përshkrues që shpjegon turizmin në bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi që njihet me emrin “Balkan Peaks” të autorit të njohur Rudolf Abrahami.

Autori i përshkruan këto bjeshkë si një hapësirë spektakulare me majat gëlqerore, kullota të gjelbëruara dhe fshatrat mrekullisht mikpritës.

Ai jep detaje për udhëtimin që e quan epik prej 193 kilometra të gjatë ku sipas tij mund të shihen peizazhet më të bukura nga ky kënd i Evropës.

“I gjithë udhëtimi zgjatë 10 ditë duke ecur, me strehim dhe ushqim të siguruar nga fshatarët. Në pjesën e Shqipërisë mund të pushosh madje edhe në bunkerë, që kanë mbetur nga mijëra të tillë të ndërtuar nga Enver Hoxha, diktatorë shqiptar”, ka shkruar ai.

Më pas merret edhe me udhëtimin nëpër bjeshkët e Kosovës dhe Malit të Zi duke i përshkruar si mrekulli të natyrës që meritojnë më shumë vëmendje. / KultPlus.com

Kalaja e Harilaqit, atraksion turistik i rëndësisë së veçantë

Kalaja e Harilaqit do të shndërrohet në një atraksion turistik. Kështu u shpreh Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, që vizitoi Kalanë e Harilaqit, ku u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike, konservimet dhe restaurimet që po bëhen në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi i përgëzoi arkeologët për punën e realizuar në kala dhe u shpreh se MKRS-ja do ta përkrah vazhdimësinë e punëve në këtë lokalitet. Ai tha se trashëgimia mbetet ndër prioritetet e ministrisë.

“Kalaja e Harilaqit është një pasuri kulturore e jashtëzakonshme jo vetëm e Fushë Kosovës por e tërë vendit, dhe ne, me mbështetjen dhe punën e përbashkët do ta ruajmë, promovojmë dhe shndërrojmë këtë lokalitet në një atraksion turistik”, tha ministri.

Udhëheqësi i punimeve në Kalanë e Harilaqit, profesor Arben Hajdari, e informoi ministrin Gashi për procesin e konservimit dhe restaurimit në kala dhe për planet në të ardhmen për këtë lokalitet me një hapësirë prej 130 ari. “Nuk është një kala e rëndomtë, por është një kala unike në llojin e vet në bazë të strukturës së saj dhe materialit specifik arkeologjik që ka kalaja dhe në bazë të gjetjeve vlerësohet se ka qenë një pikë pelegrinazhi”, tha Hajdari.

Ndërsa drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, u shpreh i gëzuar për gatishmërinë e shprehur nga ana e ministrit Kujtim Gashi, për vlerësimin e punës që është bërë në kala dhe mbështetjen e premtuar për vazhdimin e punimeve në lokalitetin në fjalë.

MKRS-ja gjatë pesë viteve të fundit, në realizimin e punimeve në Kalanë e Harilaqit ka investuar projekte në vlerë që kalojnë shumën e 200 mijë eurove dhe në bazë të projeksioneve buxhetore ministria do të mbështesë edhe më tutje realizimin e punimeve në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë. / KultPlus.com

Oferta turistike e Kosovës prezantohet në Japoni

Informacione për Kosovën si një destinacion i ri premtues turistik, do të shpalosen për tregun japonez.

Tre operatorë turistikë dhe Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës do të marrin pjesë si ekspozues në panairin vjetor Tourism Expo Japan që mbahet nga sot deri më 24 shtator 2017.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për ta prezantuar Kosovën në një treg krejtësisht të ri”, tha kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti.

Synimi është të promovohet oferta turistike e Kosovës në tregun e Japonisë në mënyrë që të tërhiqen më shumë turistë nga ky vend, por edhe nga vende të tjera të Azisë Lindore. / KultPlus.com