Takim ndërkulturor në Pejë, Sidheri, Spilek, Perry e Shala do të prezantojnë krijimtarinë e tyre

Takimi ndërkulturor letrar që tashmë ka filluar në disa komuna, në këtë të shtunë do të mbahet në Pejë, përkatësisht në Sallën e Bardhë të Hotel Dukagjinit duke filluar në ora 12:00, shkruan KultPlus.

Elvi Sidheri me romanin “Hemisferat e Serenës”, Nedjeljko Spilek me librin “Grad Dusa- Qyteti i Shpirtrave”, Marc Perry me librin e tij “War in theri own words”, i cili në botimin shqip është me titullin “Lufta me fjalët e tyre”, libër i cili është me dokumente të porsa deklasifikuara britanike lidhur me bombardimet e NATO ndaj regjimit të Millosheviçit në 1999, si dhe Bekim Shala me librin e tij futuristik kanunor “Kush e solli Çetinën?”./ KultPlus.com

Në KultPlus Caffe Gallery u shënua 85 vjetori i Kristallnacht, historia e mbijetesës së hebrenjve erdhi nëpërmjet librit “Njeriu më i lumtur në botë”

 

Vjollca Duraku

I 40-ti me radhë në gjuhët botërore, libri ‘Njeriu më i lumtur në botë’, i autorit Eddie Jaku, që përkthimi në shqip i këtij libri erdhi nga Elvi Sidheri, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery erdhi në përkujtim të Kristallnacht, shkruan KultPlus.

Përkthimi i një libri të tillë në gjuhën shqipe, i cili trajton historinë e një të mbijetuari hebre, në kampet naziste në Gjermani, nga panelistët e mbrëmjes u cilësua si mëse i nevojshëm për faktin se përjetime të ngjashme ka përjetuar edhe populli i Kosovës, për të dhënë mesazh se përjetimet nga mizori të tilla duhet të shkruhen dhe dokumentohen, për të edukuar brezat e mëvonshëm mbi historinë e popullit, siç ndodhi me Eddie Jaku-n,  i cili e përjetoi botimin e librit të tij në moshën 100 vjeçare.

Para një publiku të madh, i cili kishte zënë gjithë hapësirën e galerisë së mediumit KultPlus, pjesë e të cilit qenë edhe të përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Izraelite, Kroate, Gjermane dhe përfaqësisë Rumune në Prishtinë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e para foli drejtoresha e këtij mediumi, Ardianë Pajaziti. Ajo tha se ky libër vjen si thirrje që formate të tilla të librit të vijnë edhe nga historitë e gjirit të popullit, të cilat janë përjetuar në luftën e vitit 1999.

“Përkthimi i librit në shqip, ka ardhur në një moment  pak të ndjeshëm me atë që po kalon pjesa tjetër e botës. Ky libër është ndoshta thirrje për popullin tonë që të shfrytëzojë luftën e Kosovës dhe t’i nxjerrin rrëfimet në vetën e parë, për faktin se ne si shqiptarë kemi në mënyrë kronologjike, rrëfime për të kaluarën tonë. Rrëfimet tona dhe vuajtjet tona që i kemi pasur në raport me serbët po mungojnë. Fatmirësisht në luftën e fundit në Kosovë kemi disa libra që paraqesin përjetimet e grave të dhunuara por unë jam shumë e sigurt, ashtu sikurse edhe ju, që kemi rrëfime e rrëfime që mund t’i ndajmë në këtë format sikurse e ka sjellë Elvi në gjuhën shqipe”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Kurse vet përkthyesi i librit Elvi Sidheri, tha që ndihej shumë i lumtur që një promovim të tillë po e bënte në Prishtinë, i cili sipas tij erdhi me shumë peripeci në 85 vjetorin e ditës kur fillon përndjekja masive ndaj hebrenjve prej nazistëve.

“Ishte shumë e vështirë që ta merrnim të drejtën për ta botuar në shqip dhe këmbëngula shumë që ky libër të botohej, sepse nëse nuk gabohem është i pari libër me këtë natyrë që është botuar në Prishtinë, ndonëse ka libra të tjerë të tillë, por që janë botuar në Tiranë. Besoj që bëra mirë që këmbëngula dhe jam vërtetë shumë i kënaqur dhe shumë i lumtur që ia dolëm mbanë ta sjellim këtu në Prishtinë”, tha Sidheri duke falënderuar drejtoreshën Ardianë Pajaziti për bashkëpunimet e frytshme në katër vitet e fundit.

Libri “Njeriu më i lumtur në botë” është shkruar nga një i mbijetuar i kampeve naziste, Eddie Jaku, i cili sfidat e tij para botës i solli në moshën 100 vjeçare, një vit para vdekjes.

“Edi Jaku ishte një hebre me origjinë polake nga Lajpcigu i Gjermanisë, i cili Holokaustin e ka përjetuar në lëkurën e tij. Familja Eddie Jakun kishte arritur ta regjistronte si gjerman, me një identitet fals, në shkollën më të mirë mekanike në Gjermani, me arsyen se atë nuk do ta prekte Holokausti, ngaqë prindërit i kishin shkëputur kontaktet me të sapo vjen Hitleri në pushtet. ‘Gabimi’ i tij është që nga malli për familjen ai vendos që tinëzisht, pa iu thënë gjë prindërve të shkoj në Nuremberg pikërisht kur filluan përndjekjet masive ndaj hebrenjve. Familjen e tij e kishin arrestuar nazistët, dhe kur shkon para shtëpisë së tij kapet nga regjimi dhe aty fillon kalvari i tij, i cili kalon nëpër kampe përqendrimi, i cili arratiset dhe shpëton disa herë”, tregoi Sidheri duke thënë që vetëm në vitet e 80-ta Jaku filloi të flas për këto përvoja me fëmijët e vet me të cilët jetonte në Australi.

Pas këtyre informacioneve mbi përkthimin dhe përmbajtjen e librit, fjalën e mori ish-Ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu i cili tha që përkthimi i një libri të tillë në vendin tonë është shumë i rëndësishëm, sepse një histori të ngjashme, ndonëse jo në përmasat hebraike e kishte përjetuar edhe populli i Kosovës.

“Mendoj që është e rëndësishme që të jetë ky libër për lexuesin kosovar sepse i tërë populli ka kaluar nëpër një kalvar të tillë, tash nuk dua të krahasoj sepse është e pakrahasueshme ajo që ka pësuar populli hebre, por shija e asaj që ka ndodhur në Kosovë është e njëjtë, e ngjashme duke përfshirë urrejtjen, vrasjet, shfarosjen. Dhe ky libër sjell pikërisht edhe atë që ne e kemi përjetuar në përmasat tona”, tha Spahiu.

Ish Ambasadori, më tej e theksoi edhe të veçantën e këtij libri që për dallim nga shumë libra të tillë, ku fundi është shumë tragjik dhe gjithmonë lexuesi dëshpërohet nga vuajtjet njerëzore që sheh aty, ky libër është njëfarëlloj triumfi mbi të keqen, duke iu referuar titullit ‘Njeriu më i lumtur në botë’ sepse Eddie Jaku i tejkalon sfidat që kishin ndodhur me familjen dhe kombin e tij, duke e gjetur lumturinë përsëri tek familja e tij, në rrethana krejtësisht të tjera.

“Është një libër edhe i shkruar bukur, ka një stil të veçantë, i shkruar në një moshë mjaft të shtyer, i cili edhe është shndërruar në best seller, ky është edhe një mësim se si duhet shkruar”, përfundoi ish-Ambasadori Spahiu.

Ndërsa profesori universitar Blerim Latifi tha që ndihej i lumtur që në literaturën shqipe, tanimë gjendej një libër që e tregon historinë e hebrenjve, ngaqë deri tani Holokausti nuk ka pasur vëmendje të theksuar në vendin tonë.

“Është një lajm i gëzuar që e kemi në gjuhën shqipe këtë libër, dhe për faktin se edhe në kulturën tonë ka një mungesë tepër të madhe të kësaj literature, sepse gjatë kohës së Komunizmit edhe në Kosovë edhe në Shqipëri regjimet për arsye të ndryshme ideologjike e politike e kështu me radhë nuk i ka dhënë hapësirën e nevojshme kësaj literature dhe përhapjes së vetëdijes, njohurive dhe edukimit mbi Holokaustin”, tha Latifi.

Ai më tej shtoi se me përkthimin e këtij libri mbase gradualisht në të ardhmen do të arrihet të krijohet një masë lexuesish, dhe do të ketë edukim më të ngritur rreth kësaj ngjarje.

“Nuk ekziston një shkallë e kënaqshme e njohurive dhe edukimit, sidomos e brezit të ri mbi ngjarjet që lidhen me Holokaustin dhe këtë unë e vërtetoj me studentët, kur i pyes rreth këtyre ngjarjeve, rreth holokaustit dhe kampeve, e shoh se njohuritë e tyre janë minimale, pothuajse inekzistente, kështu që sado që është kjo gjendje, ky libër është një lajm i mirë që megjithatë e kemi në gjuhën shqipe dhe me libra të tjerë që ekzistojnë në tregun e librit”, tha profesori i cili në nderim të sakrificës së popullit hebre ftoi të pranishmit për një minutë heshtje.

Krejt në fund të ngjarjes, drejtoresha Ardianë Pajaziti i ftoi të gjithë të pranishmit për bashkëbisedim, duke ua kumtuar edhe informacionin se të gjithë mund ta merrnin nga një libër, të cilët ishin dhuruar nga një person i cili deshi të mbetej anonim. / KultPlus.com

Panairi i Librit i Prishtinës, një traditë dhe vlerë e shtuar për letërsinë shqipe

              

Pak ditë më parë, saktësisht ditën e diel, më datë 11 qershor, do të mbyllej Panairi i Librit i Prishtinës, që në vitin 2023, shënoi edicionin e vet të 23-ë.


Përkundër reshjeve thuajse të vazhdueshme të shiut, nganjëherë shtrëngatave dhe diellit të paktë, me pikatore, prishtinasit iu përgjigjën jehonës së këtij panairi masivisht, si përherë, duke i mbushur rruginat e ngushta midis stendave të shtëpive të shumta botuese të pranishme në këtë ngjarje kaq madhore letrare, përditë, njerëz të të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore, nga kryeqyteti i Kosovës, por edhe nga qytete të tjera kosovare, dhe gjithashtu nga viset e tjera shqiptare, matanë Morinës dhe përtej Hanit të Elezit.
Pata fatin që në këtë panair të isha i pranishëm në cilësinë e mbrothët të dyfishtë, të shkrimtarit, me romanin tim të ri, HEMISFERAT E SERENËS, duke gëzuar mundësinë të takohesha, shkëmbeja mendime, bisedoja dhe të frymëzohesha nga lexues të panumërt, miq e kolegë të botës së letërsisë, nga të gjitha trojet ku shqiptarët banojnë e lëvrojnë letrat shqipe.
Gjithashtu isha i pranishëm në këtë panair me plot libra e romane të rinj të përkthyer nga disa gjuhë të huaja në shqip (nga anglishja, frëngjishtja dhe rusishtja), sidomos me veprat e nobelistit të katërt të letërsisë të përkthyer nga unë, domethënë të madhit Rudyard Kipling (përfshirë novelën e parë të shekullit XIX, kushtuar Kalashëve ilirë të Pakistanit, me titullin “Njeriu Që Donte Të Bëhej Mbret”, ku për herë të parë bota u rinjoh me këta pasardhës ilirë të Aleksandrit të Madh, të mbetur rrëze Himalajeve prej dy mijëvjeçarësh, akoma paganë dhe të pamposhtur në kulturën dhe gjuhën e tyre).
Gjithashtu pata kënaqësinë të sjell në shqip edhe Volterin gjenial, Dostojevskin e mahnitshëm, por veçanërisht bestseller-in mbarëbotëror kushtuar Holokaustit, “Njeriu Më I Lumtur në Botë”, (Botimet JETA) të autorit tashmë të ndjerë, Eddie Jaku, ku tregohet në vetën e parë mbijetesa epike e këtij hebreu gjerman, nëpër të gjitha kampet e shfarosjes naziste, një libër i përkthyer brenda më pak se dy vitesh, në plot dyzet gjuhë nga anglishtja, përfshirë tanimë edhe shqipen, me përkthimin tim.
Në këtë pozitë fatmirësisht “të privilegjuar”, gjithsesi do të bëhesha dëshmitar i krejt veprimtarive të shumëllojshme dhe të larmishme që do të zhvilloheshin gjatë ditëve të panairit, nga e marta e hapjes së tij solemne, me praninë e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, por edhe të kryeministrit Kurti (gjithnjë i gjendur pranë librit në ngjarje të tilla madhore), dhe disa krerëve të tjerë institucionalë të Kosovës, përfshirë kreun e komunës së Prishtinës, Rama, gjer në ditën e tij të fundit.
Shtëpi të shumta botuese, nga Kosova, Shqipëria, por edhe më gjerë, do të ofronin botimet e tyre më të reja, me një fond të gjerë autorësh të huaj dhe shqiptarë, me një përzgjedhje të kryer përgjithësisht me sqimë të theksuar dhe orientim të mirëfilltë letrar, për t’i sjellë lexuesit shqiptar, kudoqoftë, letërsinë me të vyer, në formë përkthimi apo botimesh burimore në gjuhën tonë shqipe.
Për të mirën thelbësore të botimeve shqipe, sa vjen e barazohet, bashkërendohet dhe drejtpeshohet dallimi cilësor midis botimeve letrare në Shqipëri dhe Kosovë, gjithashtu edhe midis dy kryeqendrave tona kulturore shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës, teksa tashmë cilësisht barasvlefshmëria mbizotëron në gjykimin tim, mes dy anëve të Morinës në fushën e botimeve, mbi të gjitha, vitet e fundit, për shkak të frymës së konkurrencës së mirëfilltë dhe prirjes për t’i përkryer sa më tepër botimet në çdo këndvështrim, të botuesve nga Kosova, me dëshirën për t’i djegur etapat në afrimin me fushën e botimeve në Tiranë dhe Shqipëri.
Ky përafrim i tillë i tregut letrar, i botimeve në shqip dhe i botës letrare shqiptare në përgjithësi, vetëm e përmirëson më tutje shijen e lexuesit shqiptar, duke përbërë një shembull të çmuar njësimi, të paktën në fushën e letërsisë dhe kulturës, që do të duhej të merrej si shembull edhe nga ana institucionale nga qeveritë tona politikisht, ekonomikisht e mirëfilli njerëzisht, mes shqiptarësh.
Ishte kënaqësi të merrja pjesë në disa promovime letrare të Botimeve Armagedoni, për të dëgjuar lidhur me veprën e autorëve të paraqitur mjeshtërisht përmes fjalëve dhe leximit shkoqitës të Adem Gashit e Emin Eminit, por gjithashtu pata nderin të moderoja promovimin e librit me novela të mikut tim, shkrimtarit të ri (dhe me shumë të ardhme) prishtinas, Andrin Kabashi, “Qyteti Pa Lumë”, kushtuar kujtesës së Prishtinës së moçme, që po venitet ngadalë, i botuar në Tiranë nga Botimet Onufri, që krahas veprës së plotë të Ismail Kadaresë, gjen kohën të mbështesë edhe shkrimtarët e rinj, për më tepër në Kosovë, si në rastin e Andrinit.
Mes mbresave për punën e palodhur të mikut tim, Shpend Hoxha, gjithmonë në vijimësi të paepur të trashëgimisë së të atit, autorit të shquar të letërsisë për fëmijë në Kosovë e më gjerë, Rexhep Hoxhës, po ashtu edhe punës së palodhur botuese të Botimeve “Jakup Ceraja”, me plot tituj klasikë e botime të reja bashkëkohore, apo të Botimeve Tenda që kremton edhe 25 vjetorin e themelimit këtë vit, përkufizimi im i këtij panairi, sigurisht kurorëzohet me imazhin e Botimeve PEMA, gjithnjë në pararojë të botimeve cilësore në Prishtinë e Tiranë.
Një fjalë përgëzimi meritojnë patjetër edhe për organizatorët e këtij panairi, të cilët, megjithëse kushtet vijojnë të mangëta lidhur me godinën ku zhvillohet kjo ngjarje madhore letrare (Pallati i vjetër i Rinisë), kishin arritur të krijonin hapësirat e duhura që botues e lexues të gjendeshin sa më mirë këto ditë.
Shihemi në Panairn e ardhshëm të Prishtinës.

ELVI SIDHERI
Shkrimtar e përkthyes letrar shumëgjuhësh./ KultPlus.com

Elvi Sidheri boton romanin e ri “Hemisferat e Serenës”

Sot, në ditën e tij të lindjes, shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, ka botuar romanin e tij më të ri, të titulluar “Hemisferat e Serenës”, një libër për të cilin i janë dashur rreth tre vite punë letrare dhe plot hulumtime historike në terren, për ta shkruar mirëfilli, gjersa do të jetësohej botimi i tij sot.

“Hemisferat e Serenës”, është një roman ku ngërthehen kohë, kultura, personazhe dhe pikërisht hemisfera të ndryshme, në thelbin e karaktereve të dy personazheve kryesore femërore të këtij tregimi përmes një vazhde historike ngjarjesh, rrëfimesh, përvojash e dëshmish, ku mishërohen Tirana e kapërcyellit të viteve 1930-1940 të shekullit të shkuar, mes fillesave të pushtimit fashist dhe ngjizjes së mugët të diktaturës moniste (përmes sakrificës së pashembullt të një gruaje shqiptare, që flijon gjithçka, për hir të lirisë së saj dhe mospranimit të regjimit), duke vijuar nëpër Italinë e viteve të pasluftës, ku mërgata shqiptare gjeti shpëtimin nga diktatura, gjer në Kosovën dhe veçanërisht Mitrovicën e bumit kulturor, ekonomik e shoqëror të viteve 1970, ku do të krijohet një puqje krejt e pagjasë dhe oaz lirie shqiptaro-shqiptare.

Breznia e dytë e këtij rrëfimi letrar, që shenjon thelbësisht përvijimet letrare të këtij romani, do të përçohet në gjurmët e eksodit biblik të shqiptarëve drejt Italisë në fillimin e viteve 90, derisa hemisferat që ngërthehen në thelbin e këtij libri, do të prekin dimensionin e tyre të mëtejshëm, duke u rrënjosur në Brazilin e larmisë së kulturave, ngjyrimeve dhe trashëgimisë së mahnitshme etnologjike e njerëzore.

Elvi Sidheri është shprehur se: Për herë të parë në këtë roman, jam grishur të mundësoj edhe një “Cross over” letrar, dhe kushdo që ka lexuar romanin tim të mëparshëm “Spanjës me Dashuri”, do të gjejë pikëtakime cytëse midis këtyre dy krijimeve të mia gjithashtu.

Romanin “Hemisferat e Serenës”, do ta gjeni në Panairin e Prishtinës nga data 6 qershor deri më 11 qershor, në stendën e Botimeve Jeta.

Krejt në fund, Sidheri ka falënderuar edhe Lena Graphics për botimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. / KultPlus.com

Botohet në shqip libri bestseller ndërkombëtar ‘Njeriu më i lumtur në botë’, me përkthim të Elvi Sidherit

Porsa ka parë dritën e botimit edhe në gjuhën shqipe, një nga përkthimet më të vyera dhe domethënëse lidhur me Holokaustin, libri bestseller në rang mbarëbotëror, “NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË” (Botimet JETA, Prishtinë), me titullin origjinal në anglisht “THE HAPPIEST MAN ON EARTH”, me autor Eddie Jaku (Abraham Salomon Jakubowicz), hebreun australian me prejardhje gjermano-polake nga Lajpcigu, i cili rrëfen në moshën 100 vjeçare (në vitin 2020), jetën, vuajtjet, përndjekjet dhe mbijetesën e tij frymëzuese të pabesueshme në kampet e shfarosjej naziste, që fillojnë qysh nga nata e zymtë e kristaleve në Nurenberg (famëkeqja Kristallnacht e vitit 1938), për të vijuar me internimet në Buchenwald dhe Auschwitz-in e tmerrshëm, gjer në marshimin e fundit të vdekjes nazist, kur do të arratisej për herë të fundit, duke i shpëtuar vdekjes.

Eddie Jaku është bashkëthemelues i Muzeut Hebraik të Sidnejit në Australi, dhe ky libër, rrëfim i tij jetësor, pas botimit dy vite më parë, është përkthyer tashmë në dyzet gjuhë anembanë botës, duke përhapur filozofinë e paepur jetësore të Eddie Jaku-t, i cili ndërron jetë në moshën 101 vjeçare, një vit pas shkrimit të këtij libri, në vitin 2021.

Njeriu që çdo mëngjes të aguar në llahtarin çnjerëzor të kampeve naziste të shfarosjes, e pati cilësuar si arsye për t’u ndier mirëfilli i lumtur, u mbijetoi nazistëve, dhomave të gazit dhe urisë, duke krijuar një familje të harlisur në Australi, teksa arriti të shihte edhe lindjen e stërnipave të tij.

Ky libër thelbësisht frymëzues dhe nxitës për të jetuar plotësisht çdo çast që na është dhuruar në këtë botë, pranë të afërmëve dhe njerëzve tanë më të shtrenjtë, është botuar nga Botimet JETA në Prishtinë, me përkthimin e Elvi Sidherit.

Do theksuar se kjo është hera e parë, një bestseller botëror kushtuar Holokaustit botohet pikërisht në Prishtinë dhe Kosovë./KultPlus.com

Sidheri prezanton gjetjen ilire të vitit 1930: Shkupi duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së arkeologjisë shqiptare

Elvi Sidheri

Ndërkohë që vlojnë lajmet për gjetjen e mbishkrimit Dardanus në Shkup, sakaq në kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë bashkëkohore, dhe kryeqytetin e dikurshëm të Dardanisë së lashtë, është gjetur qysh në vitin e largët 1930, pranë lagjes Nerez dhe malit të Vodnos, më saktësisht në Gorno Sonje, një mbishkrim ku flitet saktësisht për qytetin ilir të Albanopolisit, epiqendrën e gjenezës së ilirëve sipas historianëve të lashtë me në krye Ptolemeun (arsyeja përse sot të huajt na quajnë akoma Albanians). Në këtë mbishkrim të gjetur në një çezmë të braktisur, shkruhet: “POSIS MESTYLU F(ILIUS) FL(AVIA) DELUS MUCATI F(ILIA) DOM(O) ALBANOP(OLI) IPSA DELUS”, që në shqip domethënë: “Posis Mestylu, i biri i Flavias, të bijës së Delus Mukatit, me vendbanim në Albanopolis”. Në këtë mbishkrim të datuar mes viteve 71-130 pas Krishtit, me rëndësi thelbësore për gjurmët ilire në trevat shqiptare, kemi njëherësh përmendjen e disa emrave dhe mbiemrave ilirë, krahas theksit të veçantë mbi prejardhjen nga Albanopolisi, diçka rrallëherë të hasur tjetërkund.

Për këtë arsye, Shkup nevojitet të mbetet në qendër të vëmendjes së arkeologjisë shqiptare, përkundër pengesave dhe vështirësive, që gjurmët ilire mos të humbasin përgjithmonë./ KultPlus.com

Dashuria

Të ndihesh i plogët, të guxosh, të tërbohesh krejt,
vrazhdësisht, brishtë, çlirët, bishtnues papritmas,
plot guxim, vdekjeprurës, kufomë, befas i gjallëruar sërish,
besnik, tradhëtar, frikacak, burrëror tërësisht.

mos të gjesh përtej së mirës asnjë përqendrim, as prehje kurrsesi,
të shtiresh si i hareshëm, i trishtuar thellësisht, i përkorë, kryeneç,
i zemëruar, trimosh, të arratisesh në vijimësi,
të jesh i kënaqur, i fyer, të mbash mëri;

ta fshehësh fytyrën nga zhgënjimi,
ta gëlltisësh helmin me lëngun e ëmbël mjaltë,
t’i harrosh dobitë, ta duash fort lëngimin;

të pandehësh se qielli degdiset në ferr,
të jepesh me mish e me shpirt pas mashtrimit;
kjo është dashuria e mirëfilltë, kushdo që e ka ndier, tepër mirë e di.

Lope de Vega, 1562 – 1635.
Ndër etërit e letërsisë spanjolle.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. / KultPlus.com

VEGA , FELIX LOPE DE ESCRITOR ESPAÑOL . MADRID 1562 – 1635 ANONIMO . RETRATO POSTUMO MUSEO LAZARO GALDIANO . MADRID

Botohet “Arti i joshjes” nga Robert Greene, me përkthim të Elvi Sidherit

Porsa është botuar në shqip, nga botimet “PEMA”, libri i famshëm “Arti i joshjes”, nga autori i njohur amerikan Robert Greene, me përkthimin e Elvi Sidherit, përcjell KultPlus.

“Arti i joshjes” nga Robert Greene, është një udhëzues ku shtjellohet përkryer ‘Joshja’ në çdo aspekt të saj thelbësor, përmes përvojave, bëmave dhe shembujve jetësore të gjithë joshësve të mëdhenj në histori, gjithashtu bashkëngjitur nëpërmjet përshkrimeve të poetëve e shkrimtarëve më të shquar në histori, nga lashtësia në ditët e sotme, në dy tekste paralele, ku shpërfaqet thelbi i ‘Joshjes’ mrekullisht.

Të arrish çfarëdo që dëshiron duke mundur të shfrytëzosh dobësinë kryesore të gjithkujt: dëshirën për të ndier kënaqësi.

Joshja përbën formën më butë, të pakapshme, dhe efikase të pushtetit.

Kjo gjë vërtetohet njëlloj në rastin e grishjes që John. F. Kennedy ushtronte ndaj masave popullore, por gjithashtu edhe në magjepsjen që Kleopatra i pati shkaktuar Mark Antonit.

Tashmë, autori i librit bestseller, “48 Ligjet e Pushtetit”, ka shkruar një udhëzues ku sakaq sintetizohet letërsia klasike e joshjes, nga Frojdi të Kierkergaard, nga Ovidi te Kazanova, ku shpalosen strategjitë të shumta mendjemprehta, të cilat ilustrohen nga sukseset dhe dështimet e njerëzve të shquar përgjatë gjithë historisë.

E sërish Robert Greene ka mundur t’i identifikojë rregullat kësaj loje të përhershme amorale, duke shtjelluar mënyrat si zhvillohet magjepsja në joshje, si thyhet qëndresa e tjetrit, duke mundur si përfundim t’i detyrojmë të tjerët të na dorëzohen.

“Arti i Joshjes” na shpie në një rrugëtim përmes karaktereve dhe cilësive të dhjetë figurave tipike në joshje (ku përfshihet Sirena, Dashnori Ideal, I Vardisuri, I Natyrshmi, Karizmatiku dhe Ylli), krahas njëzet e katër mënyrave falë të cilave gjithkush mund ta mposhtë qëndresën e kotë të viktimës së vet, pikërisht duke zbatuar këtë formë të përhershme dhe të paepur arti.

“Arti i Joshjes” ofron një shembull të domosdoshëm për joshjen, ku shpërfaqet njëra nga armët kryesore në gjithë historinë e njeriut, që përbën ndërkaq formën më të epërme të pushtetit. / KultPlus.com

Si u shkruajt vepra madhore e Servantes, Don Kishoti

Përgatitur nga: Elvi Sidheri

Vepra më e madhe e letërsisë spanjolle (e ndër kryesoret e historisë së letërsisë botërore), pati lindur në një vend të zhurmshëm, plot me njerëz të rraskapitur, me duar të ndotura dhe me gjasë edhe të dehur xurxull.

E nuk bëhej fjalë për gjindje ndopak boheme, por njerëz që pinin nga nevoja, sepse kjo ishte mënyra e vetme për ta zbutur ngarkesën e tyre në punë.

Atje, britmat qenë mjeti i rëndomtë i komunikimit dhe nxitimi buka e përditshme. Por sakaq, ky kaos në pamje të parë, ishte krejtësisht i kontrolluar. Shtypshkronjat e Shekullit të Artë të letërsisë spanjolle funksiononin si një zinxhir i përkryer montazhi që do ta bënte të shpërthente në ovacione edhe vetë Henri Fordin, i cili do ta përdorte këtë metodë në prodhimin e makinave shekuj më pas.

Ndokujt, ky mjedis mund t’i dukej si një lloj mrekullie.

Sikundër thuhet në një dëshmi të epokës: “Nëse përbën habi fakti që punonjësit e shtypshkronjave janë pijetarë të shquar që e shpenzojnë tërë rrogën e tyre (gjithësesi të ulët) në pije dhe alkool, atëherë shkoni në një shtypshkronjë ku gjindja përballen me detyrat e përditshme dhe do ta shikosh me çfarë shpejtësie i shtypin librat në letrën e zhuritur!”

Në këto mjedise, konkretisht në një shtypshkronjë të rrugës Atocha në Madrid, atje ku sot ndodhet selia e Sociedad Cervantina (Shoqërisë së Servantesit), qenë shtypur dy pjesët e Don Kishotit, që si fillim do të shiteshin plot me gabime shtypi, veçanërisht pjesa e dytë me më shumë gabime. Ky nuk ishte një rast i jashtëzakonshëm, sepse ritmi i shtypshkronjës nuk mundësonte rezultate tepër të arrira. Një tjetër thënie e epokës e vitit 1629, na tregon: “Nuk gabojnë ata që e quajnë shtypshkronjën si nënën e gjithë gabimeve të shtypit, sepse kështu është padyshim, me shumicë. Sado të nxitohet, sado me kujdes të bëhen korrektimet, nuk është e mundur të çlirohen librat nga ky defekt.

Me fjalë të tjera, libri, si objekt, ishte i dënuar me njëfarë mospërkryerje. Pavarësisht korrektorëve.

Gjithësesi, mes pendës së Servantesit dhe shtypjes së krijimit të tij madhor letrar ndodhën disa gjëra që na ndihmojnë ta kuptojmë dukurinë e veçantë që përbën kjo vepër. Në Shekullin e Artë të letërsisë spanjolle (mes shekullit XVI e XVII), një shkrimtar me një dorëshkrim ishte gjithaq, një pramatar. Atij i nevojitej leja nga Këshilli i Kastiljes, një kërkesë që nuk përbënte gjë tjetër veç një forme censure. Më pas, i nevojitej një librar që do të kujdesej për financimin e shtypjes së librit dhe shitjen e tij. Ky njeri vinte të hollat, pra.

Në rastin tonë, ky person pati qenë Francisco de Robles, personazh pa të cilin sot nuk do të njihnim dot as Kishotin, as Sanço Pançon.

Përse u interesua për fisnikun utopik pra? Faktikisht thjesht sepse donte të fitonte të holla. Kjo ishte një punë me fitim. Gjithashtu edhe për Servantesin, sepse kur shkrimtari t’ia kish shitur të drejtat librarit, ai do ta humbte të zotërimin e veprës së tij.

Në vitin 1599 ishte botuar “Guzmán de Alfarache”, përshkrimi i aventurave pikareske të shkruara nga Mateo Alemán. Botimi do të bëhej një sukses i plotë dhe duke nisur nga ky moment, tërë librarët kërkonin të njëjtën letërsi. Dhe Robles do të shihte në pjesën e parë të Don Kishotit një mundësi shitjesh.

Librari donte të fitonte të holla, dhe i gjeti ato. Romani do të dilte në shitje në Madrid, në janarin e vitit 1605, me një tirazh prej 1500 kopjesh. Në prill të këtij viti u desh tashmë një botim i dytë i veprës. Në të njëjtën kohë, do të botoheshin edhe dy edicione të librit piratisht në Mbretërinë e Portugalisë. Dhe një tjetër akoma, kësaj radhe në mënyrë të ligjshme, në Mbretërinë e Aragonës. Përmbledhtas, ishin pesë botime radhazi, ndonëse suksesi nuk arriti përtej.

Me këtë vrull, duket e habitshme që Servantes nuk iu fut menjëherë shkrimit të pjesës së dytë. Mendohet se me gjasë e konsideronte një vepër të dorës së dytë. Sidoqoftë, dikush e parapriu në këtë synim. Në vitin 1614 do të botohej një Kishot Apokrif, i nënshkruar nga njëfarë Alfonso Fernández de Avellaneda, pseudonimi i një autori që askush nuk e ka zbuluar, një mister mbi të cilin janë bërë më shumë hamendësime se dëshmi të qarta.

Dhe ky libër, sigurisht që u shit jo keq.

Në vitin e botimit të tij pati dy edicione, me një tirazh të ngjashëm me veprën origjinale. Sepse siç thonë ekspertët e fushës: “Gjindja prisnin një pjesë të dytë të Kishotit, nuk e vrisnin mendjen nëse e shkruante Servantesi apo dikush tjetër!”

Servantes nuk ngurroi t’i përgjigjej atij provokimi dhe e përfundoi pjesën e dytë me shpejtësi të madhe. Sërish botimin do ta bënte Robles, me të cilin kishte marrëdhënie të mira (flitet edhe se ndoshta Servantesi punonte për të si ndihmës-librar), dhe përsëri Kishoti do të shtypej në të njëjtën shtypshkronjë në rrugën Atocha. E do të dilte në treg me shumë më tepër gabime se pjesa e parë. Arsyeja? Shpejtësia!

Sepse nevojitej të nxitonin për t’i bërë konkurrencë Avellanedas, sipas biografëve.

Sot e dimë se ajo vepër, thuajse me bindje të plotë, ishte korrektuar nga Jerónimo de Salazar, një emër i zbuluar veç së fundi dhe krejt i panjohur për historinë e letërsisë, i cili pat qëlluar të mbante në duart e tij dorëshkrimin e veprës madhore të letërsisë spanjolle. Ndonëse i ngrati nuk do të kishte kohë të kujdesej gjatë për të, dhe puna e tij do të mbetej e përkujtuar veç për çështjen e gabimeve të shtypit.

Kështu, në vitin 1615, do të dilte në shitje kjo vepër madhore dhe e pavdekshme. Nuk do të shitej së tepërmi. Sepse lexuesit e periudhës ishin mësuar me versionin apokrif. Servantesi ndërkaq nuk do të kishte kohë për t’u ankuar.

Ishte i rraskapitur, i dobët nga shëndeti, dhe i nevojitej të përfundonte veprën që pandehte se do të bëhej libri i tij madhor, “Persiles”.

Servantes do të vdiste në vitin 1616, para se ta shihte të botuar.

Miguel de Cervantes Saavedra ishte padyshim një gjeni i letërsisë, por asnjëherë nuk pati largpamësi në tregti.

Flamurtari i Prishtinës, ose Rayo Vallecano i munguar i kryeqytetit kosovar

Shkruar nga: ELVI SIDHERI

Në një lagje popullore të Prishtinës, rrëzë disa kodrave pak më tutje, mbrapa të cilave gjenden malësitë përreth qytetit, një fushë futbolli në rikonstruktim e sipër, të befason më praninë e saj mes një morie shtëpish që ngrihen përqark saj, pikërisht në zemër të kësaj zone tradicionale prishtinase, ku dikur pati lindur tradita tashmë disa-dhjetëvjeçarëshe e Flamurtarit kosovar.

E theksoj këtë emërtim, Flamurtari kosovar, sepse ky ekip futbolli që përfaqëson një traditë shpirtërore, sportive dhe patriotike tejet të vyer për Kosovën, mban sakaq krenarisht të njëjtin emër me skuadrën tjetër të lavdishme shqiptare, Flamurtarin e famshëm të Vlorës, dhe këto dy ekipe bashkëndajnë të njëjtin shpirt e zjarr shqiptarësie në thelbin e qenësisë së tyre, brenda dhe jashtë fushës së blertë.

Për rastësi ndërkaq, të dy Flamurtarët andej e këtej Morinës, dergjen aktualisht në kategoritë e dyta të Shqipërisë dhe Kosovës, përkundër vlerave të tyre të padiskutueshme sportive, tifozerisë së zjarrtë dhe palmaresit të lakmueshëm, me të cilin mund të mburren me plot të drejtë secili prej tyre.

Si futbolldashës nga Tirana, prej kohësh ma pati ngjallur veçanërisht kureshtjen fakti që edhe në Kosovë, më saktësisht në Prishtinë, kishte një klub futbolli të quajtur pikërisht Flamurtari, me fanellat kuq e zi, njëlloj si Flamurtari i Vlorës, skuadër që në Shqipëri të gjithë e patëm respektuar, edhe pa qenë domosdoshmërisht vlonjatë, për shkak të shpirtit të vet të paepur luftarak, e sidomos për sukseset e papërsëritshme të viteve 1980, kur edhe Barcelona ishte ndalur përballë furisë së djemve vlonjatë.

Ndërsa pa dyshim në Kosovë, përballjet tanimë legjendare të Flamurtarit të Vlorës kundër Partizanit të Beogradit, dhe në veçanti goli i Sokol Kushtës në mes të Beogradit e atij stadiumi antishqiptar, patën çuar peshë publikun kosovar dhe sigurisht ua patën gufuar zemrat nga krenaria shqiptarëve të Kosovës në ato vite të turbullta shtypje serbomadhe.

Edhe vetë e mbaj mend vagullt atë ndeshje dhe ngazëllimin që shpërtheu kudo në Tiranë pas golit të Kushtës që kualifikoi Flamurtarin e Vlorës tutje, për të sfiduar më pas edhe Barcelonën yjore.

Si rrjedhojë, kur mësova vite më parë se Flamurtari i Prishtinës ngërthente të njëjtën traditë të pamposhtur futbollistike, duke shpërfaqur të njëjtin shpirt kryeneç agonistik në fushë, aq më tepër, me një mbështetje te pashembullt nga tifozët e vet të zjarrtë në stadium, me fymëzimin e të njëjtave ngjyra kuq e zi, atëherë ëndja për të mësuar më shumë për këtë ekip kaq atipik e të veçantë, m’u shtua tejmase.

Prishtinën tani mund të pohoj se e njoh mjaftueshëm, por akoma nuk kisha pasur fatin të vizitoja personalisht mjediset ku Flamurtari prishtinas prej kaq vitesh i kish zhvilluar tërë ndeshjet e veta si ekip vendas, dhe një ditë fundgushti veror, nën një qiell te vranët, pasi ishim nisur nga 4 Llullat, tjetër zemër pulsuese e Prishtinës së vjetër, pasi kapërcyem edhe shinat e ndryshkura të një treni që nuk kalon atypari prej vitesh të panumërta, mes rrugicash shtruar këndshëm me plloça dhe disa lagjesh plot gjallëri, u gjendëm buzë fushës së këtij ekipi simbol të kryeqytetit kosovar.

Tashmë “stadiumi” i Flamurtarit të Prishtinës, i tillë mund të cilësohet vetëm për nga tradita dhe e kaluara e tij, sepse gjithçka që ka mbetur sot, është vetëm një fushë në shtrim e sipër, mënjanë terrenit të mbuluar stërvitor mbrapa njërës nga portat, dhe gjithashtu dhomës së zhveshjes e ndonjë objekti tjetër të rrallë.

E pamundur që tifozët të kthehen t’i ndjekin plot pasion dhe përkushtim ndeshjet e kësaj skuadre kaq të veçantë, e cila pa tifozët e saj të zjarrtë, dhe sidomos pa shpirtin prej ekipi të lagjes, sigurisht që do të mbetet thuajse krejt jetime në të ardhmen.

Thuhet se diku tjetër mbase ndërtohet një stadium i ri, ose që gjithashtu të rindërtohet diçka rreth fushës së tashme, por ecuria aktuale e Flamurtarit të Prishtinës duket e vështirë, teksa edhe sponsorizimet e fuqishme mungojnë, dhe kryeqyteti i Kosovës mbetet me vetëm një ekip të fortë që mund të rivalizojë rregullisht për tituj dhe pjesëmarrje në kupat europiane, KF. Prishtinën.

Të vjen rrjedhimisht keq për këtë gjë, edhe për faktin se një derby i mirëfilltë prishtinas, midis dy ekipeve që ndoshta do të mund të garonin për titullin kampion të Kosovës apo të përballeshin në ndonjë finale kupe, me mijëra tifozë që do të ndizeshin flakë nga emocionet për këtë shkak, është një kremte e munguar për Prishtinën si kryeqytet.

Në Tiranë, qytetin tim, jemi mësuar dikur të paktën me tre ndeshje të rregullta derby, midis Partizanit, Tiranës dhe Dinamos, tre skuadra me traditë të madhe dhe tifozeri tejet besnike, që gjithashtu kanë fituar rreth 60 kampionate shqiptare bashkërisht.

Ndër emocionet e mia më të paharrueshme, janë gjithmonë kujtimet nga ditët e zjarrta të përballjeve mes Tiranës dhe Partizanit, dy ekipeve me tifozeri më të madhe dhe të flaktë në kryeqytetin shqiptar, që shndërrohen në arsye për parrulla, sfida të panumërta midis tifozëve të të dyja skuadrave, agonizmi të skajshëm në fushë, hareje, mërish të shumta dhe kunjash sarkastike të ndërsjella mes mbështetësve të tyre, Tirona Fanatics dhe Ultras Guerrils.

Kjo gjë vërej që i mungon Prishtinës, dhe patjetër me rimëkëmbjen dhe fuqizimin e Flamurtarit të Prishtinës, këtij ekipi lagjeje, të rrënjosur në shpirtin popullor të kryeqytetit të Kosovës, ky derby prishtinas do të rikthehej fuqishëm, duke e gjallëruar së tepërmi jetën sportive të qytetit.

Falë njohjes time të thellë të Madridit sakaq, një shembull i çmuar nga kryeqyteti spanjoll, fare mirë mund të shihet si perspektiva e duhur për Flamurtarin e Prishtinës, sigurisht me krijimin e kushteve të duhura për diçka të tillë.

Përveç Realit legjendar dhe Atletico, dy ekipeve gjigante të Madridit, me buxhete miliardere, stadiume të mëdhenj ultramodernë dhe pjesëmarrje të rregullt (dhe ngadhënjime të shpeshta, në rastin e Realit) në Champions League, skuadra e tretë e kryeqytetit spanjoll është pa dyshim Rayo Vallecano.

Ky ekip tejet i njohur në Spanjë dhe gjithashtu në botë, i përket një lagjeje popullore të banuar kryesisht nga klasa punëtore, të quajtur Vallecas, një bastion i mirëfilltë i frymës liberale dhe përparimtare në Madrid.

Rayo Vallecano, i themeluar në 1924, këtë sezon, për herën e njëzetë jubilare, do të luajë në Primera Division, krahas Realit, Barcelonës, Atletico, Sevilla, Betis, Athletic Bilbao, Valencia, e shumë ekipeve të tjera të njohura dhe tepër të fuqishme financiarisht, me pronarë e sponsorë të shumtë, me stadiume moderne dhe tifozeri të panumërt.

Gjithsesi, Rayo, që në shqip përkthehet “Rrufeja”, pikërisht sikundër mund të shihet edhe në fanellat e veshura nga lojtarët e tij, ku rrufeja dallohet qartas, përkundër mungesës së sponsorëve të mëdhenj, dhe paçka se thelbësisht bëhet fjalë për një ekip të vogël lagjeje të varfër të banuar nga punëtorë të thjeshtë madrilenë, sa herë ngjitet në ligën e parë spanjollë, i sfidon kryelartë viganët e Spanjës, duke marrë shpesh rezultate mbresëlënëse kundër tyre, si fitoret dhe barazimet e fundit brenda në Barcelonë këtë vit.

Stadiumi i këtij ekipi, thuajse 15 mijë vendësh, nuk ka fare shkallë mbrapa njërës nga portat (teksa aty një pankartë e madhe, falënderon tifozët për mbështetjet e përhershme), dhe ky impiant modest sportiv, është gjithmonë i mbushur plot e përplot.

Prandaj Rayo Vallecano është mirëfilli një simbol i futbollit në Madrid, përkundër Realit gjigant dhe Atletico-s së suksesshme.

Flamurtari i Prishtinës, me shpirtin e tij popullor, mund të bëhet Rayo i Prishtinës rrjedhimisht.

Gjenerali me origjinë shqiptare nga Shkupi që shpëtoi të krishterët e Stambollit

Material i hulumtuar dhe përpunuar nga Elvi Sidheri

Ditët e 6 dhe 7 shtatorit 1955, do të mbeten në historinë moderne të Stambollit, të njollosura nga mësymjet e dhunshme të organizuara kundër pakicës së krishterë në qytetin gjigant në brigjet e Bosforit, midis Europës dhe Azisë, në Stambollin ku akoma ruhen gjurmët e perandorive të shkuara, nga romakët te bizantinët, gjer te osmanët të fundit në radhë, përpara se megalopolisi turk t’i linte vendin Ankarasë si kryeqytet në shekullin XX.

Gjithsesi, ende në mesin e viteve 50 të shekullit të shkuar, në Stamboll vijonin të jetonin rreth dyqind mijë të krishterë, kryesisht grekë (ose grekofonë, përfshirë edhe plot shqiptarë ortodoksë, pjesë të një komuniteti shqiptar të kësaj feje, të ngulitur në Konstandinopojë prej disa shekujsh dhe të shquar në disa profesione të veçanta dhe sipërmarrje e njerëz të njohur e të suksesshëm, siç kam hasur në kërkimet e mia), por edhe armenë, gjeorgjianë, asirianë, levantinë katolikë, etj.

Ndërkaq, mbas ngjarjeve që në histori do të cilësoheshin Pogromi i Stambollit, këtij komuniteti do t’i jepej thuajse përfundimisht dërrma, teksa qenë shkatërruar shumica e pronave, kishave dhe shtëpive e varreve të tyre, nga turmat e ndërsyera të ardhura kryesisht nga jashtë Stambollit për zbatimin e këtij plani ogurzi.

Në kontekstin e ashpërsimit të problemit të Qipros, dhe ndarjes komunitare mes grekëve dhe turqve të Ishullit të Afërditës, një shpërthim do të ndodhte sakaq në Selanik, pikërisht në Shtëpinë e Ataturkut në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, më 5 shtator 1955, në kopshtin e kësaj godine historike, duke thyer vetëm disa qelqe dritaresh, por gjithsesi të nesërmen, falë edhe nxitjes së turmave në një gazetë turke (Ekspres), do të fillonin trazirat në Stamboll.

Ngjarjet filluan së pari në Beyoğlu dhe sulmet do të përfshinin shtëpitë dhe vendet e punës së pakicave në Kurtuluş, Nişantaşı, İstinye, Yeniköy, Eminönü, Yedikule, Bakırköy, Fatih dhe Eyüp. Ngjarjet u përhapën gjithashtu në Moda dhe Ishujt e Princit.

Përkundër mefshtësisë së autoriteteve, në disa raste edhe banorët turq do të ndihmonin fqinjët e tyre, duke u thënë mësymësve se në shtëpitë përreth nuk kishte grekë, por veçanërisht një njeri edhe sot e kësaj dite mbahet mend botërisht për mbrojtjen e ofruar ndaj pakicës së krishterë në këto rrethana të frikshme.

Ky njeri quhet Reşat Mater, i lindur në Shkup në vitin 1911, dhe në ditët e këtyre ngjarjeve të tmerrshme, ishte kapiten i Forcave Ajrore Turke (me detyrën Shefi i Shtabit i Komandës së Shkollave të Aviacionit).

Familja Mater jetonte në një shtëpi trekatëshe prej druri në Muhasebeciler Sokağı, në lagjen Cevizlik, zonë që gjendej ngjitur me İstanbul Caddesi në Bakırköy, pikërisht në vendin ku do të shpërthenin sulmet dhe plaçkitjet ndaj të krishterëve.

Plaçkitësit që patën synuar të hynin në këtë lagje do të gjenin ushtarakun Reşat Mater si pengesë të pakalueshme për realizimin e planit të tyre sidoqoftë.

Ky ushtarak i lartë i forcave ajrore turke, fatmirësisht pati qëlluar të ishte me leje atë javë dhe kish ardhur në Stamboll për të ndejtur me familjen e tij.

Reşat Mater, kur pati dëgjuar për plaçkitjet e dhunshme, menjëherë do të dilte vetë jashtë për të mbrojtur fqinjët e tij grekë dhe armenë, veshur me uniformë dhe armë në dorë, e kur burrat e lagjes së tij do ta shihnin ushtarakun në rrugë, patën vrapuar bashkërisht për ta ndihmuar atë me mjete rrethanore mbrojtëse në duar.

Papritmas ngrihet një barrikadë në hyrje të rrugës kundër mësymësve, e ndërkaq Mater i kish marrë në mbrojtje fqinjët e tij grekë dhe armenë brenda në shtëpinë e tij dhe plaçkitësit e ardhur në lagje qenë habitur së tepërmi duke gjetur një ushtarak të armatosur përballë tyre.

Grupet e ndërsyera me njerëz të dhunshëm do të detyroheshin të ktheheshin mbrapsht rrjedhimisht dhe atë natë, falë Reşat Mater, asnjë shtëpi apo dyqan i vetëm në pronësi të pakicave të krishtera nuk do të dëmtohej në lagjen Cevizlik, që përbëhet nga gjashtë rrugë.

Mater do të bëjë shumë emër me kalimin e viteve në ushtri dhe katër vite pas këtyre ngjarjeve, ai do të gradohej gjeneral brigade duke u emëruar në Komandën e 3-të të Forcave Ajrore.

Ai gjithashtu do të  shërbente si Shef i Logjistikës së Shtabit të Përgjithshëm me gradën Gjeneral Major. Më pas gradohet gjeneral në 1967. Një vit më vonë, ai bëhet edhe Komandant i Forcave Ajrore në vitet 1968-1969.

Thënë ndryshe, ai do të bëhet ushtarku i tretë për nga rëndësia në Ushtrinë Turke.

Mater ndërron jetë më 22 qershor 1989 dhe djali i tij, Tayfun Mater, i cili ishte gjashtë vjeç në kohën e ngjarjeve tragjike në fjalë, ende mban lidhje dhe takohet me fëmijët e fqinjëve të tij grekë që patën emigruar në Greqi pas kësaj dhune.

Përveç respektit dhe vlerësimit për qëndrimin heroik të këtij njeriu, ajo që bie në sy është padyshim origjina e tij nga Shkupi, që jo rastësisht është edhe vendlindja e tij.

Reşat Mater vjen nga një famlije e madhe shkupiane, ku bëjnë pjesë edhe myftiu i Shkupit Ali Durak Efendi dhe Guvernatori i Jemenit Mehmet Mefahir Bey.

Në Stamboll ai studion në Akademinë Ushtarake dhe Shkollën e Artilerisë, krahas Shkollës së Aviacionit në vitet 1930, ndërsa bashkëshortja e tij është Meliha Mater, sërish me origjinë nga një derë e fisme nga Shkupi, me mbiemrat Vardarlılar dhe Vardar, ku bëjnë pjesë pinjollë të njohur si deputetë të parlamentit turk, gazetarë, mjekë të famshëm, ushtarakë të lartë, biznesmenë e shkrimtarë.

Siç shihet nga biografia dhe nga origjina e familjes së Reşat Mater, Shkupi është vendlindja e njeriut që pati shpëtuar me vetëmohim fqinjët e tij të krishterë në valën e dhunës kundër kësaj pakice me rrënjë mijëravjeçare në Stamboll, gjatë ditëve të Pogromit famëkeq ndaj tyre, por gjithashtu Shkupi është origjina e familjes së bashkëshortes së tij, dhe ky fakt dëshmon edhe më tepër rrënjët shqiptare të këtij heroi që vijon të kujtohet me respekt në Turqi e jashtë saj, për gjestin e tij guximtar, në një kohë kur shumëkush nuk pati lëvizur as gishtin për të ndihmuar këta njerëz të përndjekur.

Për këtë shkak Reşat Mater meriton edhe të njihet nga lexuesit shqiptarë. / KultPlus.com

Mitrovica në dy kohë paralele

Shkruan: Elvi Sidheri

Kur nisesh për në Mitrovicë, doemos njëfarë ndjesie e veçantë, krejt e pandier më parë, të fanitet, duke të paralajmëruar paraprakisht, se je duke ndërmarrë një udhëtim të pangjashëm me asgjë tjetër.

Aktualisht në Europën djep të qytetërimeve, dy qytete njihen botërisht si të ndara, kryeqyteti i Qipros, Nikozia, dhe pikërisht Mitrovica në veriun e Kosovës, ndaj do të mjaftonte thjesht ky fakt për t’u bindur se një rrugë për Mitrovicë nuk është kurrë diçka e rëndomtë, sepse ky qytet, ngërthen prej vitesh, pikëndarjet, kontrastet, dritëhijet dhe thuajse gjithë vegimet e së shkuarës së dhimbshme të luftës së fundit në Kosovë, duke e ngrirë vuajtjen e saj në kohë, pa u shëruar akoma nga plagët tejet të prekshme edhe sot e kësaj dite.

Sakaq, vetë udha për në Mitrovicë, ndryshe nga shumica e rrugëve të Kosovës (që po përmirësohen pareshtur), ende vijon në punime e sipër, dhe kur i afrohesh Vushtrisë, dëshira për ta kundruar urën madhështore të gurit, të tretet për shkak të vonesave në trafik, pluhurit dhe vapës së skajshme të kësaj vere me mot tepër të paqendrueshëm.

Peripecitë e njëjta rrugore të shoqërojnë gjer në Mitrovicë sidoqoftë, por këshëria ta mposht lodhjen e rrugës, teksa nuk e honeps as varganin e makinave ku pa dyshim prijnë mërgimtarët që si përherë janë kthyer në Kosovë, për t’u gjendur sërish pranë familjeve dhe njerëzve të tyre ne atdhe, sipas një tradite të mbrothët patriotike, që përveç Kosovës, vështirë ta hasësh tjetërkund.

Më në fund pastaj kalojmë mbi një lumë me shtrat të gjerë dhe rrjedhë fort të mbushur ujërash, pas një tuneli të gjatë nën malin mbrapa të cilit pastaj shpaloset ky qytet kaq unik, që vijon të frymojë plot gjallëri, përkundër ndarjes tashmë më shumë se dy dhjetëvjeçarëshe, paçka se plagët akoma i kanë vragat therëse, ndonëse pikëtakimet që ngërthehen në gjirin e tij, rëndom shndërrohen qëllimisht në përplasje të volitshme për orekset shoviniste të fqinjëve veriorë.

Stacioni i vjetër i autobusëve, të shpërfaq gjithsesi një imazh dikur madhështor, teksa mendja jote nis të tjerrë përfytyrime të së kaluarës kur Mitrovica vlonte nga jeta, zhvillimi, mirëqenia, arti, kultura, muzika, përparimi i gjithanshëm thuajse në çdo fushë, ndërsa sot qyteti rreket t’i shtyjë ditët e veta, në pritjen e përhershme që diçka e mirë të ndodhë, dhe sakaq mos të mbytet tinëzisht nga ndasitë etnike që as ujërat e Ibrit të bukur nuk i dëlirësojnë dot.

Bulevardi i madh Mbretërsha Teuta, menjëherë të jep një përshtypje të këndshme, jo vetëm nga emri i tij, por gjithashtu edhe ngaqë vetvetiu mund ta përfytyrosh madhështinë e mëhershme të këtij qyteti, falë një bulevardi të tillë, të gjerë e të gjatë, në anët e të cilit dallohen ende godinat e dikurshme, që sidoqoftë janë “plotësuar” nga një mori ndërtimesh të reja, të cilat, megjithëse të ngritura kuturu, në mënyrë tipikisht shqiptare (dukuri që haset kudo në viset shqiptare, nga Tirana në Tetovë, gjer në Mitrovicë), prapë dëshmojnë dëshirën e shqiptarit për të ndërtuar pareshtur diçka të re.

Kur kam filluar të lodhem nga ecja, i çlodh pak sytë me pamjen e monumentit të Nënë Terezës, e cila me mirësinë, përuljen dhe uratat e saj të përzemërta, duket se vazhdimisht bekon këtë qytet të plagosur, dhe pasi me bisht të syrit lexoj edhe “Belediye” në turqisht poshtë “Komuna e Mitrovicës”, çaj sërish përpara, me bindjen se Ura e Ibrit tanimë nuk është larg.

Durimi më tutje më shpërblehet, dhe lumi famëmadh, bashkë me urën botërisht të njohur që lidh dy brigjet e tij (tejet të ndara etnikisht, politikisht dhe… thelbësisht qëllimisht), më shfaqet papritmas, teksa duket sikur mirëseardhjen ma uron Isa Boletini, simboli shqiptar i Mitrovicës, nga përmendorja e tij aty pranë, dhe një qendër moderne tregtare në anën shqiptare, është hapi i fundit, përpara kalimit të urës, drejt veriut.

Bregu shqiptar i Ibrit është i sistemuar me shije, ndërsa nuk mungojnë as grafitet artistike, ku në mendje më ngulitet një syresh që denoncon dhunën ndaj gruas, sigurisht një kauzë fort e ndjeshme dhe bashkëkohore, që bie qartas ndesh me çfarë has njeriu në anën kundruall, domethënë në pjesën serbe, ku gëlojnë simbolet antishqiptare porsa ke shkelur në krahun matanë, megjithëse fatmirësisht ata që i kanë shkruar, kanë harruar se shkrimi cirilik në serbisht, nuk është fort i kuptueshëm për turistët e huaj që do të mund të kishin kureshtje t’i lexonin dënglat në fjalë.

Ndërkohë, bulevardi i Mitrovicës së Veriut, është dukshëm më i shkurtër se bulevardi madhështor në anën shqiptare përballë, ndonëse baret dhe lokalet janë të shumta, dhe atmosfera duket e shtendosur, tipikisht për një ditë përtace verore, teksa klientët janë të pakët, dhe nëpër mure tek-tuk gjen njoftime për pushimet në “Crnogorsko more”, bregdetij malazez, që siç duken bathët, është vendi ku vendasit serbë i kalojnë pushimet.

Grafitet nëpër muret e Mitrovicës së Veriut janë rëndom me sfond nacionalist, dhe njeriu habitet së tepërmi, ku befas has një të tillë, ku për çudi, është vizatuar Mahatma Gandi, simbol i shquar i paqes, që ndodhet pak më tutje monumentit të kniaz Llazarit luftarak.

Gjithsesi, shëtitja nëpër Mitrovicën e fjetur Veriore, mbaron shpejt, sepse kjo pjesë e qytetit matanë Ibrit është mjaft e vogël, njëfarë zgjatimi i Jugut, që ka ngrirë në kohë qysh në epokën jugosllave, ku flamujt serbë kanë inflacion të çmendur përdorimi (inflacion edhe më të madh se vlera e dinarit të drobitur serb, qe bën ligjin përtej urës së Ibrit), ku godinat, pallatet, infrastruktura dhe arkitektura, duket sikur vijnë drejtpërdrejt nga ndonjë kronikë e televizionit të Beogradit të viteve 1970.

Mitrovica e Veriut duket mirëfilli si njëfarë relike jugosllave, ku pas çdo hapi të hedhur, njeriu pret të shohë ndonjë murale të Titos, largqoftë Millosheviçit apo ndonjë udhëheqësi tjetër të dikurshëm jugosllav, ndonëse vendasit serbë janë kujdesur që nëpër rrugët e pjesës së tyre të qytetit, të himnizojnë vetëm mbretërit e tyre mesjetarë, krahas çdo figure, emri apo simboli, që bën haptas të ditur, se janë zotërit e asaj toke.

Të krijohet përshtypja sikur në vazhdimësi orvaten t’ia kujtojnë vetes këtë gjë, nëpërmjet çdo flamuri, çdo slogani çetnik nëpër mure, çdo simboli nacionalist, gjithçkaje pafundësisht, në përpjekjen e tyre të pareshtur për t’i bërë bisht realitetit prej shumë vitesh tashmë, sikur në anën përkundruall të lumit, mos të gjendeshin ballë për ballë me shqiptarët dhe gjithashtu me një realitet krejt të ndryshëm, me një shtet ku me pahir apo jo, bëjnë sidoqoftë pjesë, përkundër mohimit të gjendjes faktike.

Mitrovica e Veriut përfundon me disa pallate të zgjyrosura, aty ku ndodhen varrezat e shqiptarëve, në dalje të qytetit, teksa disa oxhaqe të lartë në distancë, tregojnë me gjasë për traditën shumëshekullore minerare të këtij qyteti historikisht.

Ndërkaq, thuajse kudo të ndodhesh në këtë anë veriore të Mitrovicës, vetvetiu të bie në sy lart në kodër, monumenti i famshëm i minatorëve, simbol që gjithmonë figuron në imazhet e qytetit, rrëzë të cilit gjendet kisha e Shën Dhimitrit, shenjtorit të Selanikut që i ka dhënë emrin edhe vetë këtij qyteti.

Kthimi në jug, në pjesën shqiptare, kurorëzohet me takimin me dy karabinierë dremitës italianë në hyrje të urës në anën serbe, të cilët koten dhe shtyjnë kohën duke soditur kalimtarët.

Kur u flas në italisht, gjallërohen në çast, dhe nisin të tregojnë sa të kënaqur ndihen për qetësimin e ujërave (jo vetëm të Ibrit, që e ka rrjedhën më të mpakur në stinën verore) dhe mundësinë që ura të kalohet lirisht nga të dyja anët e lumit.

Ndahemi me karabinierët pasi u kam thënë “Questo è anche merito vostro” (“Keni edhe ju meritën tuaj për këtë gjë”), ndërsa ata më përgjigjen çiltërsisht: “Il merito e di chi ci vive in questa meravigliosa città” (“Meritën e kanë banorët e këtij qyteti të mrekullueshëm”).

Bregu shqiptar i Ibrit më pret përsëri vëllazërisht, dhe kësaj radhe Mitrovica më duket edhe më e madhe sesa përpara se ta kaloja urën për në veri.

Gjithsesi më bëhet sikur porsa kam dalë nga ndonjë film i zbërdhulur i realitet jugosllav, dhe po kthehem sërish në botën e sotme të mirëfilltë, paçka se rrëmuja tipike e qytetit shqiptar, zhurmat, vapa, pluhuri, gjallëria, fillimisht çoku të bien në kokë, e thuajse të trullosin në vend.

Është gati e pamundur të kthjellohesh për faktin se ndodhesh sidoqoftë në të njëjtin qytet, në Mitrovicë!

Më pas, me ditët që kalojnë pas kësaj vizite mbresëlënëse, mbresat të nguliten edhe më thellë në kujtesë, krahas bindjes që pata krijuar prej kohësh, kryesisht nga miqtë e mi mitrovicas, që më shtyjnë të mendoj se ky qytet dhe banorët e tij, kanë diçka tepër të veçantë, një kulturë, kryeneçësi, vullnet dhe karakter të rrallë.

Mitrovica, me lumenjtë e saj të shumtë, natyrën e bukur, mineralet e saj të pashtershme, trashëgiminë mahnitëse kulturore, me urat, arkitekturën, bulevardet, njerëzit e saj, me historinë dhe çdo tipar të saj, me jugun dhe veriun, do të mundej fare mirë të shndërrohej në simbol të ringjalljes së Kosovës, pikërisht për shkak të këtyre vlerave të saj unike në çdo këndvështrim.

Qenësia e këtij qyteti në dy kohë parelele, vetëm e dëmton Mitrovicën më shumë, duke i larguar brigjet e Ibrit më tepër se largësia e mirëfilltë midis bregut shqiptar dhe atij serb, të këtij lumi. / KultPlus.com

Arti, libri dhe kultura u bënë bashkë në promovimin e romanit ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’ të Elvi Sidherit

Arti i bashkon njerëzit, e këtë gjë e bëri si shumë herë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku mbrëmë u mblodhën bashkë miq, njohës të kulturës dhe artdashës për të parë nga afër e mes tjerash edhe për të diskutuar rreth promovimit të romanit të shkrimtarit dhe përkthyesit, Elvi Sidherit me titull ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, shkruan KultPlus.

Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.

Ndër të tjera në këtë promovim morën pjesë drejtori i Qendrës Kulturore Maqedonase në Tiranë, muzikanti, Origjanski Zlatko, gjithashtu edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, z. Nedjeljko Špilek.

Hapjen e bëri edhe njeriu për të cilën u mblodhën një numër i konsiderueshëm njerëzish, pra, Elvi Sidheri.

“Sot jam unë pikërisht arsyeja që jeni mbledhur këtu. Ky është romani im i pestë, pra, si jubilar dhe prandaj e vlerësoj edhe më shumë. Të gjithë ju të pranishmit këtu jeni njësoj për mua dhe më keni nderuar me paraqitjen e juaj. Ky roman synon pikërisht të tregojë dhe ndërtojë urat kulturore midis shqiptarëve dhe popujve e kulturave fqinje, e kjo mbrëmje është mirëfilli e tillë”, tha Sidheri duke falënderuar KultPlus për mundësinë e promovimit të librit dhe gjithashtu pati një përshëndetje të ngrohtë edhe për nënën e tij, e cila mori pjesë pikërisht në krijimin e shkrimin e këtij libri.

Çamëri Ceraja, si pjesë e moderimit, lexoi edhe një pjesë nga libri për t’i dhënë edhe hijeshinë e duhur një promovimi, me ç ‘rast të gjithë të pranishmit mund të dëgjonin edhe një copëz nga ky libër.

Sidheri pas çdo leximit shpjegoi edhe pjesët të cilat i lexoi Ceraja. Në pjesën e parë u fol për historinë mes dashurisë së një korçari dhe një gruaje nga Struga, pikërisht në luftën e dytë botërore, ku në mesin e shumë ndodhive e sfidave, e pas 43 viteve dashuria e origjinës është thelbi i gjithë librit në radhë të parë.

Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas

“Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas është pikërisht pjesa kur edhe fillon libri. Është një kufitar shqiptar gjumash që ende është në mendësinë e regjimit, një kufitar arrogant serb dhe një kufitar maqedonas që ndjehet Zot në vendin e vet, pasi është shpallur pavarësia. Edhe një shqiptar që kthehet në vendin e vet, Ohër. Ngjarjet vazhdojnë në shumë kohë, përfshihen disa histori në Ohër, përmes ngjarjeve e motiveve të ndryshme. Jam munduar që ta mbuloj në mënyrën sa më reale këtë, pasi kam qenë i pranishëm me nënën time në këtë kohë, e në mënyrën më gjakftohtë të tregojë të vërtetën”, thotë autori.

Shpërngulja e shqiptarëve drejt lindjes

Siç thotë autori, ne si komb dijmë pak për shpërnguljet e shqiptarëve, dhe si të tilla ai është munduar që në një lloj forme ti paraqes edhe në libër.

Çamëri Ceraja, u aktivizua edhe një herë tjetër për të lexuar një pjesë nga librit, të shkurtër, që të mos jetë lloji i promovimit “monoton” me lexime të shpeshta dhe pa diskutime, ku edhe lexoi për të gjithë të pranishmit një pjesë nga librit, që kishte edhe shprehje në gjuhën maqedonase.

Drejtori i Qendrës Kulturore të Maqedonisë në Tiranë, Origjanski Zlatko, përpos që ishte i pranishëm në këtë promovim, ai mori pjesë edhe si moderator, ku patjetër që edhe një herë tjetër Elvi, si përthyes që është, u shfaq në skenë për të përkthyer atë se çfarë Zlatko thonte.

“Ndjehem i nderuar që jam këtu sot. Kam mësuar shumë nga Tirana, por di vetëm të porosisë ushqim atje në gjuhën shqipe. Çfarë kuptimi ka Tirana për mua? Tirana për mua është sikurse ka qenë Parisi për Kadarenë, thënë më së miri. Përkundër që kam një punë dilomatike në Shqipëri, jam dashuruar me Tiranën dhe punën time, mbi të gjitha banorët e njerëzit”, tha ai.

Tutje, Zlatko u shpreh se shumë njerëz habiten me punën e tij, derisa mendon që ka një recet speciale për këtë aspekt.

“Fatmirësisht, puna po shkon mirë. E sot me muzikantët, sa herë që vijnë aty edhe bëjmë muzikë bashkë edhe kam filluar që të bëjë muzikë shqiptare. Lidhja ime me Tiranën është ndryshe, jo vetëm nga puna”, thotë Zlatko.

Libri, i cili është më i përqendruar në Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga librat e tjerë të Elvitit, qëndron, pra, duke mos e parë shqiptarin si të izoluar, dhe sipas tij, ne jemi mesdhetarë dhe jo aq malësorë sa mendojmë.

Ky promovim, ngërthente në vete diçka më ndryshe se promovimet e tjera, kishte të bënte më shumë me diskutime rreth romanit dhe shqiptarëve në përgjithësi, e për këtë interaktiviteti i publikut ishte aty prezent.

Frymëzimi i autorit

Fitnete Tuda, e njohur për këngën e saj “Shi bie në Tiranë”, u shpreh e lumtur që po merr pjesë në këtë promovim, dhe tregoi se ishte lindur e rritur në Strugë, pikërisht në Ohër.

“Jam buqëliqenase dhe e dashuruar si Lasgushi në liqenin, që më frymëzon vazhdimisht. Edhe pse jam rritur në Kosovë e ndjej mungesën e ujit gjithmonë. Kur Elvi më tha titullin e romanit, u ndjeva shumë kureshtare për këtë. Dihet se ajo zonë është e pasur, e kanë jetuar në brigjet e atij liqeni disa fise ilire, është rruga e vjetër, ku kalon nga Shqipëria në Strugë e Ohër dhe vazhdon tutje. Elvi, si një njohës i mirë i historisë, besoj se në roman do të kemi shumë tekste historike”, tha Tuda, duke e pyetur autorin se pse e vendosi ngjarjen në brigjet liqenit të Ohërit?

Elvi, i cili kishte jetuar në Tiranë për një kohë, kujton edhe kohën kur kënga e Fitnetes “Shi bie në Tiranë”, është himn i pashpallur atje. “Kam qenë gjimnazist kur kishte dalë kjo këngë, e Tirana shkon me shi, dhe kur kishte dalur ajo këngë, unë e mbaj mend suksesin e saj të menjëhershëm. Kur hyra në klasë, të gjitha vajzat po e këndonin atë, dhe këtu fillon edhe historia e kësaj kënge”.

Tutje, ai thotë se arsyeja pse e ka shkruar titullin e shpjegon se frymëzimi ka qenë i drejtpërdrejt nga poezia e Lasgush Poradecit, ku sipas tij, është poezia më e bukur dhe më e prekshme e Lasgushit.

“Frymëzimi është drejtpërdrejt kjo poezi dhe për këtë arsye kam zgjedhur që të shkruaj. Ne jemi shumë të lidhur me Korçën, pasi e kemi prejardhjen atje. Gjithë fëmijëria ime lidhet me Pogradecin, ku kemi kaluar shumë pushime atje, liqeni aty është përtritës, e deri në vitet 90′ kur futeshe në liqen thuhej se edhe mund ta pish si ujë, pasi aq i pastër ishte. Pogradeci ka qenë një mrekulli si qytet, e për këtë kam vendosur që ta shkruaj këtë roman”.

“Popujt e Ballkanit njihen shumë pak mes vete”

Ndër folësit e shumtë që morën pjesë në diskutimin mbi librin ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Špilek, sigurisht nën përkthimin e Elvit.

“Poezia, si poet që jam vetë, nuk është e lehtë për t’u përkthyer. Jam i hapur edhe unë për bashkëpunime. Shpresoj që autorët bashkëkohorë kroatë të promovohen në Kosovë. Sado që mendojmë se jemi të mirë, shqiptarët në Kosovë me shqiptarët në Kroaci, ne nuk njihemi siç duhet. Ky është problemi i popujve të Ballkanit. E pikërisht përmes kulturës mund të njihemi më mirë mes veti, letërsia është mënyra më e mirë për të arritur këtë. Njerëzit e letërsisë flasim një gjuhë të përbashkët, ndonëse kemi gjuhë të ndryshme, kjo është gjëja më thelbësore”, përfundoi ai.

Mbylljen e këtij promovimi e bëri, drejtoresha e gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti, e cila ndër të tjera tha e falënderoi dhe uroi Elvin për promovimin e librit të tij.

“Është kënaqësi në fakt që në këtë promovim kemi edhe njerëz nga fusha të ndryshme, e për këtë kultura po vazhdon që të dëshmojë gjithmonë se lidh ura mes njerzish e popujsh”, u shpreh ajo.

Libri, i cili vit pas viti vazhdon të diskutohet çdo herë nëse do t’i mbijetojë kohës moderne, asaj të internetit, po vazhdon të mbetet stoik dhe si i tillë promovime të ndryshme po ndodhin në mbarë botën. /KultPlus.com

Elvi Sidheri boton romanin e tij të ri, ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’

Shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, vjen në këtë pranverë letrare me romanit e tij të ri, me titullin “DREMIT LYHNIDI NË VEZULLIM”.

Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe  kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.

Në këtë roman me theks të veçantë historik, si rrallëherë, tematikë qendrore do të jenë shqiptarët vendas ortodoksë të Ohrit, prania, andrallat jetësore dhe gjurmët e tyre në këtë qytet kaq të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të gadishullit tonë, e më gjerë.

Përmes një rrjedhe ngjarjesh që zhvillohet në disa kohë dhe disa periudha të ndryshme historike, që gjen burim në udhëzat e gurta të Ohrit të moçëm në fundin e viteve 30 të shekullit XX, në faqet e këtij romani shtjellohen sakaq ngjarjet, jeta, peripecitë, guximi dhe mërgimet e njëpasnjëshme të shqiptarëve drejt Lindjes, që i patën shpënë ata nga Bullgaria në Bosfor, nëpër trojet rumune, Besarabi, e deri buzë Azovit të largët, ku sot janë përflakur nga lufta heroike kundër agresionit rus, viset ukrainase./KultPlus.com

Aventurieri arbëror i shekullit XVI që sundoi në brigjet e largëta të Indisë

Hulumtuar dhe përgatitur nga:

Elvi Sidheri

Pikërisht në agun e shekullit XVI, saktësisht në vitin jubilar 1500, që shënonte edhe mesin e mijëvjeçarit të dytë mbas Krishtit, në Otranto, në cepin jugor të takës së çizmes së gadishullit Apenin, do të lindte njëri nga personazhet më emblematikë të këtij shekulli, gjithashtu edhe të historisë arbërore.

I ashtuquajturi Khoja Zufar apo Coge Çofar, Cogeatar, ose Khwaja Safar, akoma vijon të mbahet mend në analet e historisë portugeze, italiane dhe njëherësh në historinë indiane dhe turke, si një nga ushtarakët dhe sundimtarët më të çuditshëm të Mesjetës.

Po kush ishte vallë ky njeri kaq i veçantë?

Khoja Zofar lind sikundër e përmendëm në Otranto, pjesë e Mbretërisë së Napolit, në vitin 1500, sipas burimeve të kohës, nga një familje katolike arbërore, ndërkohë që nëna e tij është nga Brindizi, shumë pranë vendlindjes së tij, dhe duke marrë parasysh rrethanat historike të kësaj periudhe, vetëkuptohet që me shumë mundësi familja e tij mund t’i ketë përkitur valës së parë të mërgimeve arbërore nga Arbëria tashmë e pushtuar përdhunshëm nga osmanët, mbas rënies së kështjellave të Krujës dhe Shkodrës në 1478 dhe 1479 dhe vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468.

Pasi kish nisur qysh herët karrierën si aventurier ushtarak nëpër Itali dhe Flandër, në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare ai do të rrëmbehej në det nga turqit dhe pastaj sulltanit osman të kohës, Selim I (i shquar për sundimin e shkurtër vetëm tetë vjeçar, nga 1512 në 1520, por të shoqëruar me zgjerim të jashtëzakonshëm të perandorisë sakaq), do t’i mbeteshin përshtypje kaq të thella nga robi arbëror, saqë Khoja Zufar me urdhër të tij vihet në krye të një flote osmane që do të niset nga Konstandipoja për të luftuar kundër portugezëve.

Pasi arrin në Cambaya (Khambhat i sotëm, në shtetin indian të Gujarat), Khoja Zufar, në vitin 1527 vendoset në Diu, një ishull me rëndësi kyçe strategjike në brigjet e Oqeanit Indian, për të cilin luftojnë ashpërsisht sundimtarët myslimanë përgjithësisht me origjinë turkofone të Indisë, Perandoria Portugeze që mbizotëron detërat në këtë shekull, dhe gjithashtu edhe osmanët në zgjerim e sipër të ndikimit të tyre.

Në Indi, aventurieri arbëror do të njihet me sulltanin Bahadur Shah të Gujarat, pinjoll i dinastisë sunduese Muzzafarid, që fillesat e saj i gjente nën ombrellën e dinastisë turkofone Tughlaq të Sulltanatit të Delhit.

Ndërkaq, sipas të dhënave historike, në vitin 1531, arbërori Khoja Zufar apo Coge Çofar siç do të njihet gjerësisht nga portugezët, armiq, por gjithaq shpesh bashkëpuntorë të tij, do të hyjë në gjirin e Diut në Indi, ku ishte ngritur ndërkaq një fortesë tejet e rëndësishme e portugezëve, krahas admiralit osman Mustafa.

Mbas vitit 1532 Khoja Zufar arrin të fitojë pozita të volitshme sunduese në Surat dhe Diu, duke prirë vendasit myslimanë, në bashkërendim gjithsesi me portugezët që ia lënë arbërorit drejtimin e Diut, gjersa një ekspeditë ushtarake detare në vitin 1538, udhëhequr nga Hadim Sulejman Pasha i Egjiptit, e dërguar nga osmanët për të pushtuar Fortesën e Diut në duart e portugezëve, e bind Khoja Zufar të ndërrojë mendje dhe të kalojë sërish në anën e turqve.

Një vit më parë ndërkaq, në 1537, Khoja Zufar i shpëton për një fije vdekjes, pasi portugezët patën vrarë në anije sulltanin Bahadur Shah, gjatë një takimi me guvernatorin portugez Nuno da Cunha.

Khoja Zufar pati arritur të arratisej duke notuar gjer në breg me anijen portugeze të Antonio de Soto-Maior, ndërkohë që Bahadur Shahut pas vrasjes do t’i flakej trupi në det dhe gjithë ekuipazhi i tij do të vritej gjithashtu.

Megjithatë, Nuno da Cunha kishte një vlerësim tepër të lartë për Khoja Zufar, dhe guvernatori portugez ia beson arbërorin komandantit portugez Antonio da Silveira, por gjithsesi Khoja Zufar largohet përsëri dhe shkon në oborrin e Mbretit Mahmud të Cambaya.

Pasi emërohet Guvernator i Suratit nga sulltani i ri, në vitin 1538 do të fillojë Rrethimi i Diut, nga Sulltanati i Gujarat dhe Perandoria Osmane, kundër portugezëve, ku Khoja Zufar luan një rol kyç, veçanërisht me ndihmën e një portugezi, të quajtur Ruy Freire, që spiunonte për llogari të tij.

Nga burimet portugeze të kohës, Khoja Zufar përmendet tepër shpesh, si për shembull një fjalim i tij, ku ai u drejtohet ushtarëve të tij në lidhje me portugezët, me këto fjalë:

“Que temos que recear deste Império de loucos, que com um braço na Ásia e outro no Ocidente, querem abarcar o Mundo?”

Në shqip:

“Për çfarë nevojitet t’i druhemi kësaj perandorie të çmendurish, që me një dorë në Azi dhe tjetrën në Perëndim, dëshiron të pushtojë gjithë botën?”

Khoja Zufar përmendet edhe nga ati i letërsisë portugeze, i madhi Luís Vaz Camões (autori i “Os Lusíadas”, veprës më të rëndësishme të shkruar ndonjëherë në portugalisht), në letrat e të cilit, të botuara në vitin 1776, thuhet se Khoja Zufar dhe Nuno da Cunha patën qenë së bashku në shërbim të portugezëve, përpara se arbërori të kalonte në anën e Hadim Sulejman Pashait.

Gjithashtu flitet se Khoja Zufar pati mbajtur për një kohë të gjatë lidhje të ngushta miqësore me mjekun dhe natyralistin e njohur portugez me origjinë sefardite hebreje, Garcia de Orta, i cili gjithashtu ishte vendosur në Indi, në koloninë tjetër portugeze të Goas.

Në vitin 1546 Khoja Zufar do ta sulmojë për të disatën herë Diun e mbrojtur nga portugezët dhe në 24 qershor të këtij viti, gjatë mbikëqyrjes së llogoreve, Khoja Zofar do të goditet në kokë nga një e shtënë topi nga Fortesa e Diut.

Do theksuar se sipas Diogo do Couto, kujdestari i Zyrës Portugeze të të Dhënave në Goa të kësaj periudhe, në vitet 1540, Khoja Zufar vijonte të merrte rregullisht letra nga e ëma e tij katolike nga Italia, ku vazhdimisht shprehej mëria e saj për ndërrimin e fesë nga i biri.

Nga historianë të ndryshëm, Khoja Zufar është cilësuar si njeri me mendjemprehtësi të shquar dhe vendosmëri të paepur, maturi dhe qëndrim largpamës, ndërsa edhe Papa julius III i kohës e përmend arbërorin aventurier në “Praeclara Charissimi in Christo” të vitit në 30 dhjetor të vitit 1551.

Mauzoleu monumentel ku prehen eshtrat e Khoja Zufar, sot gjendet në qytetin indian të Suratit, në shtetin Gujarat, i restauruar për herë të fundit në vitin 1934.

Kërshërinë për këtë aventurier arbëror kaq piktoresk të shekullit XVI, të lindur me gjasë si brez i parë i mërgimit të përdhunshëm në Gadishullin Apenin pas vërshimit të hordhive turke në Arbëri, dhe të mërguar sërish gjer në Indinë e largët për shkak të një ndërthurje të pabesueshme rrethanash, ku do të bëhej sundimtar i shquar i brigjeve të Oqeanit Indian, duke luajtur mjeshtërisht mes vendasve, osmanëve dhe portugezëve gjer në vdekjen e tij, e shton fakti që Khoja Zufar është gjithashtu personazh kryesor i një vepre operistike.

Opera në fjalë titullohet “O Cerco de Diu”, në shqip “Rrethimi i Diut”, me autor Manuel Innocencio Liberato dos Santos, kompozitor i njohur portugez (1805-1884), dhe bëhet fjalë për një dramë me dy akte e shfaqur në Real Theatro de São Carlos në Lisbonë (Teatri Mbretëror Shën Karli) në vitin 1840.

Kjo vepër përshkruan në formë romantike, me tinguj dhe frymë lirike, ngjarjet gjatë rrethimit të fundit të Diut, ku personazhe kryesore janë pikërisht Khoja Zufar, në versionin portugez të emrit të arbërorit, Coge Çofar, krahas komandantit portugez të Fortesës së Diut, João Mascarenhas, oficerit të lartë portugez Almeida dhe të fejuarës së tij, Leonorës së hijshme.

Ngjarjet nisin me dashurinë e fshehtë dhe të pamundur midis Leonorës portugeze, të ndryrë brenda fortesës së rrethuar nga njerëzit e arbërorit në shërbim të vendasve dhe osmanëve, dhe vetë Khoja Zufarit; një pasion që bie kundër me rrethanat dhe palët kundërshtare, përveç fesë së ndryshme, por gjithsesi Leonora e hijshme është gati të arratiset nga fortesa portugeze, për t’u bashkuar me Khoja Zufarin.

Megjithatë dashuria e fshehtë e saj me arbërorin aventurier dikur zbulohet, dhe Leonora përballet me një dënim të ashpër, për tradhëtinë e fesë dhe popullit të saj, për hir të armikut të dashuruar që ia sundon asaj zemrën, gjersa fillon mësymja ndaj fortesës nga Khoja Zufar dhe trupat e tij, dhe atëherë Leonora vendos ta shlyejë mëkatin e saj, duke luftuar trimërisht bashkë me ushtarët portugezë.

Në këtë dramë dhe opera të suksesshme, të cilës ia kam gjetur botimin origjinal, ka sidoqoftë edhe plot personazhe të vërtetë, si vetë Mascarenhas, që mirëfilli pati komanduar Fortesën e Diut gjatë këtij rrethimi, ashtu si patjetër Khoja Zufar, i cili do të vritet në këtë betejë, përveçse gratë portugeze vërtet patën luftuar gjatë rrethimit.

Për ta mbyllur, do vënë në dukje se emri i këtij aventurieri kaq të habitshëm me origjinë arbërore, përkundër versioneve dhe deformimeve të shumta, përputhet në faktin se gjithmonë gjejmë emrin “Koja”, qoftë të shtjelluar si “Khoja”, “Coge”, “Khwaja”, e rrjedhimisht mund të bëjmë edhe një hamendësim aspak të tepërt në këtë këndvështrim.

Edhe në ditët tona, mbiemri “Koja” haset anembanë viseve shqiptare, nga veriu (Koja e Kuçit në Malësi), gjer në Tiranë dhe në Toskëri.

Për këtë arsye, mbase ky personazh emblematik mund të ketë pasur pikërisht mbiemrin arbëror “Koja”, të mbetur pastaj si emër i tij në burimet e kohës. /KultPlus.com

Mbahet tryeza ‘Hispanokosovar’, Don Lush Gjergji dhuron 200 kopje të librit për Nënën Terezë për shenjtoren në Spanjë

Flonja Haxhaj

Të përbashkëtat e kulturave spanjolle dhe shqiptare u diskutuan në tryezën e rrumbullakët ‘Hispanokosovar’ që u mbajt mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery, ku edhe u promovua libri ‘Local and international determinants of Kosovo’s Statehood’, përcjell KultPlus.

Në këtë tryezë u diskutua gjerësisht për lidhjet kulturore dhe letrare midis Kosovës, Spanjës dhe botës hispanike, përmes krijimit të urave të reja falë letërsisë, përkthimit e kulturës, në këtë kontekst.

Për këto tema ishin të ftuar Juan Manuel Montoro, gazetar dhe studiues, njohës i Kosovës dhe realitetit të saj, nga Santiago de Compostela, në Spanjë, Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes shumëgjuhësh, Jehona Kadriu, përkthyese dhe Sylë Maxhera, ish sportist në Spanjë, gjithashtu poet e muzikant.

Folësit fillimisht diskutuan për atë se si filluan të mësojnë për kulturën dhe gjuhën e njëri-tjetrit.

“Kam ardhur në Kosovë për herë të parë në vitin 2019. Kam ardhur për të bërë një hetim në lidhje me jonjohjen e shtetit të Kosovës nga shteti i Spanjës si dhe një pjesë e konsiderushme nga një pjesë e shteteve të Amerikës Latine dhe më ka bërë përshtypje niveli i njohjes së gjuhës spanjolle nga vendasit këtu si dhe njohjes së kulturës latine’- rrëfen Juan Manuel Montoro fillet e lidhjes së tij me shtetin e Kosovës dhe popullin e saj.

‘Për këtë gjë i jam shumë mirënjohëse Kosovës sepse këtu kam njohur shumë njerëz. Kur erdha këtu vura re një afeksion, një dashuri të madhe të popullit të Kosovës për shtetin dhe kulturën e Spanjës, por gjë që çuditërisht nuk i është kthyer në të njëjtën mënyrë nga Spanja’ – vazhdon ai duke shtuar se kjo ishte arsyeja që e bëri ta bëjë këtë hetim që të krijojë një urë në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Spanjës.

Ndërkaq, Jehona Kadriu ndau me ndjekësit historinë e saj interesante se si filloi mësimin e gjuhës spanjolle e që më  vonë iu edhe profesion.

“Unë spanjishten e kam mësuar vetëm nga filmat dhe nga interesi im sepse më ka pëlqyer shumë si gjuhë. Pas luftës, në Kosovë kanë qenë shumë të pranishëm telenovelat latine, si e vogël kam qenë e mahnitur kur e kam ndëgju për herë të parë dhe kam thënë si fëmijë qysh mundet në botë me ekzistu një gjuhë kaq e bukur” – thotë Kadriu e cila shton se njohja e gjuhës spanjolle i ka hapur punë dhe tani ajo punon online nga Prishtina për një kompani qipriote.

Sylë Maxhera, i cili tani jeton dhe vepron në Spanjë tregon se kontakti i parë më gjuhën dhe kulturën spanjolle ishte pikërisht libri ‘Hasta La Vista’ nga Petro Marko.

“Në vitet 90’ si shumë shqiptarë të tjerë që janë detyruar të migrojnë jashtë, jam detyruar të shkoj në Gjermani ku kam punuar punë të ndryshme, më pas kam punuar në Gote Institute ku njoha një vajzë nga Madridi me të cilën u dashurova dhe më pas u shpërngulëm në Spanjë dhe tani jetojmë së bashku me djalin tonë’- shtoi Maxhera.

Fjalën më pas e mori, përkthyesi shumëgjuhësh dhe shkrimtari, Elvi Sidheri i cili foli për lidhjen e tij me Spanjën në përgjithësi dhe me Madridin në veçanti.

“Kontaktin e parë me gjuhën spanjolle e kam pasur nga gjyshja ime, të cilës i ka pëlqyer shumë kjo gjuhë. Në kohën, kur ajo ka qenë e re ka dëgjuar shumë muzikë spanjolle sidomos të viteve 50-ta, e përmes saj i kam dëgjuar edhe unë” – thotë Sidheri i cili shton se më pas në vitet 90-ta ai u shpërngul në Spanjë, ku e kanë quajtur si spanjolli i Tiranës për shkak të interesit të tij për gjuhën dhe kulturën e Spanjës.

E veçantinë kësaj mbrëmjeje ia shtoi prezenca e priftit katolik shqiptar të Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, ku edhe paraqiti para të pranishmëve dy botimet kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës.

“Në kontekstin e takimit të sotëm unë dua të paraqes dy botime kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës të cilat kanë dalur edhe në gjuhën spanjishte. Libri i parë është ‘Nëna jote Tërëzë’, e botuar shqip në vitin 1981, kurse në gjuhën spanjishte është botimi i tretë, shtuar me tekstet e mia pas shenjtërimit të Nënës Terezë.” – u shpreh ai.

‘Teksti tjetër, është libri më i madhi të cilin ia kam kushtuar Nënës Terezë dhe që ka dalur në 35 gjuhë të botës, poashtu është publikuar edhe në gjuhën spanjishte’- thotë Don Lush Gjergji, duke shtuar se ka biseduar me drejtorin e Shtëpisë Botuesë në Bergamo i cili i ka thënë se posedon edhe 200 kopje të këtij libri në magazinë. Don Lush Gjergji thotë së ka biseduar me drejtorin e kësaj shtëpie dhe që shenjtorja ‘Cathedral of Santiago de Compostela’ në Spanjë do të mund ta marrë më çmim 6 euro, e ndërkaq çmimi për një libër është 120 euro.

E për fund, panelistët dhanë nga një fjalë në të dyja gjuhët që sipas tyre i përshkruajnë kulturat e të dyja vendeve./ KultPlus.com

Sot mbahet tryezë e rrumbullakët mbi letërsinë dhe kulturën mes Kosovës dhe Spanjës

Sonte me fillim nga ora 19:00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, zhvillohet ‘Tryeza e Rrumbullakët Mbi Letërsinë dhe Kulturën mës Kosovës dhe Spanjës’.

Në këtë tryezë do të diskutohet gjerësisht për lidhjet kulturore dhe letrare midis Kosovës, Spanjës dhe botës hispanike, përmes krijimit të urave të reja falë letërsisë, përkthimit e kulturës, në këtë kontekst.

Për këto tema do të lfasin, Juan Manuel Montoro, gazetar dhe studiues, njohës i Kosovës dhe realitetit të saj, nga Santiago de Compostela, në Spanjë, Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes shumëgjuhësh, Jehona Kadriu, përkthyese dhe njohëse e botës latino-amerikane, dhe Sylë Maxhera, ish sportist i njohur në Spanjë, gjithashtu poet e muzikant dygjuhësh, në shqip e spanjisht. /KultPlus.com

Ernesto Sabato: Edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time

Dialog midis Ernesto Sabato dhe Jorge Borges

Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.

Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.

Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…

Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.

Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…

Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.

Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.

Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.

Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.

Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.

Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht: Elvi Sidheri

Fotografitë: Eduardo Forte/Juan José Pérez. / KultPlus.com

‘Të dua me mish e me shpirt’

Jaime Sabines

Të dua qysh në dhjetë të mëngjesit

Të dua qysh në dhjetë të mëngjesit, edhe në njëmbëdhjetë,
edhe në dymbëdhjetë të mesditës. Të dua me mish e me shpirt, ndonjëherë, edhe në pasditet me shi.

Por, në orën dy të drekës, edhe në orën tre, kur nis të mendoj
për ne të dy, ndërsa ti mendon për gatimin, ose angaritë e ditës,
ose për argëtimet e munguara, filloj të të urrej neveritshëm,
kurse gjysmën e urrejtjes ia kushtoj vetes time.

Paskëtaj të dua sërish, kur biem në shtrat së bashku dhe e ndiej se je bërë veç për mua, kushedi si ma thonë gjuri dhe barku yt, duart e mia më bindin plotësisht, se nuk ka vend tjetër në botë për vajtje-ardhjet e mia, më të mirë se trupi yt. Ti, që vjen kaq e plotë pranë meje, e të dy në çast zhdukemi dhe përfundojmë në gojën e Hyjit, gjersa të them se jam i uritur, përgjumem.

Përditë të dua, të urrej pareshtur.

Por ka edhe ndonjë ditë, ndonjë orë syresh, kur nuk të njoh fare, kur bëhesh krejt e huaj, porsi gruaja e tjetërkujt. Më angështojnë meshkujt e tjerë, vetë tromaksem, hutohem nga dhembja. Mbase nuk mendoj ca kohë për ty. E shikon pra. Kush tjetër do të të dashuronte më pak se unë, e dashura ime?

Përktheu: Elvi Sidheri / KultPlus.com

“Shi bie në Tiranë”, himni i pashpallur i kryeqytetit shqiptar

Shkruan: Elvi Sidheri

Dhjetori i vitit tashmë të largët 1996, 25 vite më parë, në Tiranë pati rastisur pikërisht i vranët dhe me shira, pas një vjeshte, si rëndom, gjithashtu plot reshje, dhe kur do të vinte koha e festivalit të fundvitit në TVSH, kureshtjes sidoqoftë të shtuar për këtë ngjarje madhore të muzikës shqiptare, do t’i shtohej sidomos një këngë në veçanti.

Sakaq të nesërmen e mbrëmjes kur në skenë ishte kënduar kjo këngë, pata vajtur në gjimnazin tim, i kujtoj akoma shoqet e mia të klasës që murmurisnin me gjysmë zëri, po shpesh edhe haptas me zë të lartë fjalët dhe ritmet e “Shi bie në Tiranë”, duke u përpjekur ta përsërisnin tekstin saktësisht, ndonëse vetëm pjesën kryesore të refrenit nuk e gabonte gjithsesi askush.

Shiu mirëfilli nuk na mungoi as atë ditë, dhe dukej se qielli tiranas po tregohej edhe më bujar në vranësira se përherë, sikur të donte t’i përshtatej tekstit të këngës që kishte lënë menjëherë përshtypje të pashlyeshme qysh në mbrëmjen e parë kur ishte interpretuar në sallën e Pallatit të Kongreseve.

Ishte një këngë që ishte sjellë në Tiranë përmes zërit dhe kompozimit të Fitnete Tudës, këngëtares nga brigjet e harlisura të liqenit të Ohrit në Strugën piktoreske, ku njëherësh ngjizet edhe rrjedha e mëtejshme e Drinit të Zi, dhe tingujt e këtij krijimi muzikor, e patën pushtuar kryeqytetin shqiptar paqësisht, me fuqinë e artit, që asgjë nuk mund t’i bëjë dot ballë.

Fitnete Tudën sidoqoftë e kishim njohur tashmë me disa krijime dhe intepretime të tjera të saj, ku pa dyshim spikaste kënga prekëse “Rrugë”, krahas zërit të kultivuar dhe fisnikërisë në paraqitjen e saj të frymëzuar në skenën e festivalit të dhjetorit, që ngaherë kurorëzonte vitin muzikor në Tiranë.

Megjithatë, kësaj radhe ishte ndryshe!

“Shi Bie në Tiranë” na kish depërtuar të gjithëve në shpirt, sidomos banorëve të Tiranës, ne që qytetin tonë e ndienim dhe donim si asgjë tjetër, tiranasve, çunave dhe gocave të Tironës, ne që ishim rritur nëpër rrugicat e saj të zhurmshme dhe të hareshme, ne që ishim kacavarur dikur vjedhurazi nëpër pemët e fqinjëve për të ndukur caracat legjendare, frytin më ekzotik të natyrës dashamirëse tiranase, ne që flisnim qysh në moshë të mitur pastërtisht në dialekt tirons, përkundër origjinave të hapërdara nga jugu në veri, nga Korça gjer në Shkodër, ne që akoma ia ndienim mungesën një kënge ku të shpërfaqej thelbësisht shpirti i qytetit tonë të bukur e gazmor!

Doemos menjëherë të gjithë u bëmë mbështetës të flaktë të kësaj kënge, duke uruar me gjithë zemër që Fitnetja dhe kënga e saj të ngadhënjenin në festival, megjithëse historikisht në garat e tilla muzikore në TVSH, kurrë nuk patën fituar këngët e pëlqyera masivisht nga publiku.

Në ditët në vazhdim, “Shi Bie në Tiranë”, vijoi të ushtonte jo vetëm midis bankave të klasës sime në gjimnaz, por edhe nëpër rrugët e Tiranës, nëpër lagjet e kryeqytetit dhe brenda shtëpive të banorëve të tij, që ishim magjepsur magnetikisht nga kjo këngë kaq e bukur, sa edhe e beftë për të gjithë ne, veçanërisht për faktin që ishte shkruar dhe interpretohej nga dikush që nuk ishte nga Tirana, por që pati ardhur nga matanë kufirit në Qafë Thanë, me frymëzimin liqenor si të Lasgushit, dhe na kish dhuruar një këngë emblematike, që tashmë ishim të vetëdijshëm se do të mbetej gjatë në zemrat tona si tiranas dhe artdashës.

Si adoleshent në vitin e parë të shkollës së mesme, nuk kishte për mua (dhe shumë të tjerë) vargje më grishëse se: “Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qan, je i dehur nga pija apo nga dashuria, ti ec… por këmbët nuk të mbajnë”.

Të gjithëve na kish ndodhur që në ditë me shtrëngata të qiellit tiranas, të strukeshim nën ndonjë palmë nëpër rrugët e kryeqytetit, teksa breza të tëra tiranasish qenë lagur e kurrë nuk patën ikur nga qyteti i tyre, i patën harruar edhe ditët e vitet, nga dashuria, teksa shpirti i tyre fluturonte mbi Dajt, por zemra jonë, zemra ime, mbase edhe zemra e krijueses së kësaj kënge të kënduar me aq ndjenjë dhe hijeshi, patën mbetur rrugëve të këtij qyteti, ndërkohë që shiu bie në Tiranë!

Në atë dhjetor të 1996, shumë gjëra në Shqipëri po merrnin rrokopujën dhe falimentimi i firmave piramidalë ngadalë po shndërrohej në realitetin tonë të përditshëm, ndërsa skenat e njerëzve që shtyheshin e grumbulloheshin pranë sporteleve të këtyre ngrehinave fantazëm ku u tretën miliarda dollarë kursime të shqiptarëve, ishin pamje që i shihja edhe vetë çdo ditë kur kthehesha nga gjimnazi në shtëpi, ndonëse prapëseprapë nuk reshtja së fishkëllyeri me ëndje melodinë e kësaj kënge, duke ia kënduar hareshëm asaj edhe fjalët vazhdimisht.

Kosovën akoma e njihnim kryesisht falë imazhit të Ibrahim Rugovës dhe qëndresës së tij paqësore ndaj regjimit brutal të Millosheviçit, dhe përveç dy vajzave kosovare që mësonin në klasën time në gjimnaz, sigurisht të larguara nga vendlindja për t’i shpëtuar apartejdit serb, Fitnete Tuda dhe Vlera Kastrati që interpretuan mjeshtërisht “Shi Bie në Tiranë” në festivalin e madh të TVSH në Pallatin e Kongreseve, me gjasë ishin fillesat e njohjes time me realitetin e larmishëm kosovar, përkundër kushteve skajshmërisht të vështira ku dergjeshin shqiptarët përtej Morinës.

Vite më vonë, do të kisha fatin që Fitnete Tudën ta takoja në Prishtinë, dhe mbaj mend se emocionet ishin të njëjtat për mua, edhe pas aq viteve, ngaqë kënga e saj më vërtitej sërish në mendje njëlloj, dhe më ishte shndërruar vetvetiu në himnin e qytetit tim. / KultPlus.com

28 Nëntori në Prishtinë

Meqenëse së fundi ishim dëshmitarë të publikimit të një sondazhi lidhur me prirjet e shqiptarëve për bashkimin (hipotetik) kombëtar, për të zbritur pakëz me këmbë në tokë në këtë këndvështrim, mund të marrim sakaq si shembull të vyer kremtimin dhe sidomos atmosferën e kremtes tonë më të madhe kombëtare si shqiptarë, pikërisht 28 Nëntorin, ku festojmë gjithçka të shenjtë për ne si popull.

Në Prishtinë, veçanërisht në sferën kulturore, 28 Nëntori u parapri nga një sërë aktivitetesh kulturore, të disa fushave të artit, që kulmuan kryesisht më datë 25 nëntor, tre ditë përpara ditës kur kujtojmë ngritjen e flamurit kuq e zi me shkabën dykrenare nga Gjergj Kastrioti në Krujë në vitin 1443 dhe pavarësinë e shtetit modern shqiptar në vitin 1912.

Prishtina, në pasditen dhe mbrëmjen e të enjtes 25 nëntor, gëlonte nga ngjarjet e shënuara kulturore, të cilat vijuan drejt kurorëzimit në mbrëmjen e asaj dite, si mënyra më e arrirë për ta festuar afrimin e 28 Nëntorit, përmes librave, prozës dhe poezisë shqipe, e gjithashtu nëpërmjet portreteve të përjetësuara në gdhendjet në dru, të disa ndër personaliteteve më të shquara të popullit shqiptar dhe Kosovës përgjatë tërë historisë sonë kombëtare.

E ky kremtim letrar-artistik do të bëhej edhe më i çmuar, nisur nga fakti që ajo natë në Prishtinë pati mbledhur artistë, letrarë, shkrimtarë e poetë nga të gjitha trevat shqiptare anembanë, ndonëse kjo gjë po ndodhte mbase thjesht për rastësi (fort fatlume gjithsesi).

Kështu, në Librarinë Dukagjini poetja dhe përkthyesja e njohur pogradecare, Ana Kove, prezantonte para lexuesve të etur prishtinas, librin e saj “Kambanat e së dielës”, shoqëruar me interes të theksuar nga publiku i kryeqytetit të Kosovës, ku gjithmonë poetë e shkrimtarë nga përtej Morinës në Shqipëri, kanë gjetur ngrohtësi dhe mikpritje thelbësisht vëllazërore në çdo aspekt, njerëzor, kombëtar e letrar, pa dyshim.

Edhe paneli i këtij promovimi është përfaqësues i shqiptarësisë së sotme, teksa të dyja panelistet jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Prishtinë, megjithëse vijnë nga Shqipëria, kurse pak më vonë njërën prej tyre (Majlinda Bregasin), ithtarët e letrave dhe gjuhësisë shqipe, do ta takonin rrëzë lagjes karakteristike Ulpiana, në kuadrin e Fiction Fest, ku qenë mbledhur shkrimtarë e poetë sërish nga gjithë trojet shqiptare (Enkelejd Lamaj, Ibrahim Kadriu, Ana Kove edhe njëherë, etj).

Mbrëmja në fjalë ndërkaq do të mbyllej lavdishëm falë ekspozitës tejet origjinale dhe të suksesshme të hapur në mjediset artistike të KultPlus Caffe Gallery, gjithnjë në Ulpianë,  të artistit (zdrukthëtar) me origjinë nga Lugina e Preshevës (Tërnoci i Madh), Nagip Tashi, i cili u ka dhënë jetë përmes skalitjeve mjeshtërore në dru, figurave më të shquara të kombit, nga Ibrahim Rugova te Gjergj Kastrioti, Bekim Fehmiu, etj, duke dëshmuar se arti mbarëshqiptar nuk njeh as kufij, aq më pak ndasi artificiale, por ngaherë rrjedh në venat e kombit shqiptar, si gjaku që na bashkon të gjithë shqiptarët kudo që frymojmë.

Përkundër lajmeve të dhimbshme nga kronika e zezë, rrugët e Prishtinës ushtojnë nga fëmijët e shkollave (gjithashtu edhe kopshteve dhe çerdheve), të cilët me flamuj kuq e zi në duar dhe himnin kombëtar në gojë, ecin të ngazëlluar rrugëve të kryeqytetit të Kosovës me zemrat e gufuara nga ndjenjat kombëtare, ndërsa nëpër vitrina dyqanesh e restorantesh, nëpër dritare shtëpish dhe varur nëpër shtyllat anës rrugëve kryesore, kudo syri shikon flamuj kombëtarë që valviten krenarisht.

Gjithçka, të paktën në këndvështrimin kulturor, përmbyllet mrekullisht në mbrëmjen e ditës së dielë, pikërisht më 28 Nëntor, kur përsëri në mjediset e KultPlus, artdashësit dhe të apasionuarit e kinematografisë, veçanërisht të artit filmik me rrënjë burimore në Kosovë, do të gëzonin mundësinë e rrallë të takoheshin me regjisoren e filmit kosovar ZGJOI, që po korr sukses të padëgjuar ndërkombëtar, duke shpresuar me plot meritë edhe për Oscar-in, Blerta Basholli, dhe producentin e këtij filmi, Valon Bajgora.

Ky film, që ka protagoniste aktoren Yllka Gashi, gjithsesi është shndërruar në promovues të mahnitshëm të vlerave më të epërme kulturore të Kosovës (krahas Dua Lipës, Rita Orës, e një mori artistësh e sportistësh të famshëm botërisht, me origjinë nga Kosova), përbënte faktikisht mënyrën më të fisme për ta kremtuar festën tonë kombëtare si shqiptarë, dhe sigurisht mirënjohja i takon KultPlus për krijimin e kësaj mundësie, krahas trupës së ZGJOI, që u gjend përballë publikut prishtinas në këtë ditë kaq të shënuar.

Për t’i dhënë një prekje edhe më të veçantë kësaj mbrëmje, piktorja e talentuar prishtinase, Qëndresa Krasniqi, do ta kurorëzonte këtë mbrëmje kushtuar artit filmik, me një pikturë të punuar prej saj, të frymëzuar nga ky film, të përshtatur dhe jetësuar në telajo, duke ndërthurur përkryer kinemanë me botën e mrekullueshme të pikturës, me një qëllim të vetëm, artin burimor të Kosovës.

Mënjanë folklorizmave të pashmangshme në kremte madhore të këtilla, siç është 28 Nëntori, ky fundvit që përkon me fillimin e dimrit dhe borën e parë të rënë butësisht mbi Prishtinë, me siguri ka për t’u mbajtur mend për atmosferën e gjallë kulturore që hijeshoi festën tonë kombëtare.

Shkruan Elvi Sidheri     

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh

Dokumente të çmuara bullgare mesjetare në lidhje me Arbërinë dhe arbërorët

Mesjeta e hershme arbërore mund të zbardhet e hulumtohet thelbësisht edhe duke shfrytëzuar arkivat e fqinjëve tanë, veçanërisht arkivat dhe dokumentet mesjetare bullgare, ku viset arbërore përmenden qysh herët në histori, gjatë përshkrimit të viseve ku shtrihej sundimi bullgar, falë vulave dhe lejeve përkatëse mbretërore, apo gjithashtu edhe librave të ndryshëm fetarë të kohës, siç do të keni mundësinë të lexoni në tre shembujt e mëposhtëm:

Në një dokument të rrallë të shkruar në vitin e largët 1230, të quajtur “Karta e Dubrovnikut” (“Дубровнишка Грамота” në origjinal), ku perandori bullgar Ivan Asen II u njeh tregtarëve raguzanë të drejtën e tregtisë në viset nën sundimin e tij, gjejmë një frazë me interes madhor për arbërorët, kur thuhet tekstualisht në bullgarishten e vjetër “или в ꙁемꙙ арбанаскѫѫ”, domethënë “në tokën e arbërorëve”. E veçanta e kësaj dëshmie, është se ndërkohë tërë viset e tjera cilësohen veç si “rajone”, me termin e vjetër “хѡрѫ”, ndërsa vetëm për arbërorët përdoret ciësimi “Toka e Arbërorëve”. Gjithashtu në këtë kartë përmendet një tjetër trevë arbërore, Devolli, si rajon, në cilësimin “или в дѣвѡлскѫѫ хѡрѫ”, ndonëse këto vise të tjera arbërore për disa shekuj ndodhen nën sundimin bullgar.

PS: Në foto shfaqet Karta e Dubrovnikut, ku kam rrethuar qëllimisht frazën “или в ꙁемꙙ арбанаскѫѫ”, “në tokën e arbërorëve.

Ky dokument gjendet në Librarinë e Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Peterburg.

Duke vijuar me dëshmitë e mesjetës së hershme për arbërorët nga koha e sundimit të perandorit bullgar Ivan Asen II, në kishën e “Dyzet Martirëve” në Veliko Tërnovo të Bullgarisë, gjendet një shtyllë, ku sërish në vitin 1230 (si në “Kartën e Dubrovnikut”) janë skalitur emrat e Arbërisë (Toka e Arbërorëve) dhe Durrësit (“ЗЕМѦ АРБАНАСКѪ” dhe “ДРАЧѢ”).

Ky zbulim quhet “Търновски надпис”, në shqip “Mbishkrimi i Tërnovos”, dhe është zbuluar në vitin 1858, kur akoma kisha brenda të cilës ndodhet ky mbishkrim, ishte shndërruar në xhami nga turqit.

Në foto, teksti i këtij mbishkrimi, ku kam rrethuar fjalët Arbëri dhe Durrës, dhe shtylla ku është skalitur ky mbishkrim.

Ndërsa sakaq në Bibliotekën Kombëtare të Rusisë, në Shën Peterburg, mes 35 milionë librave, gjendet edhe një libër tepër i veçantë, i gjetur në fshatin Herbeli në Maqellarë të Dibrës në Shqipërinë e sotme, në vitin e largët 1873 nga folkloristi dhe etnografi nga Bosnja, Stefan Verkoviç. Ky libër në pergamenë i shkruar në cirilikisht, përbëhet nga 241+4 faqe, quhet “Triodi i Herbelit” (Орбелски Триод) dhe i përket gjysmës së dytë të shekullit XIII, ndërsa hamendësohet se është shkruar nga njëfarë prifti Petre (siç shënon vetë autori në libër). Bëhet fjalë për një libër liturgjik kushtuar periudhës së Kreshmës në kishat ortodokse. Kjo vepër e rrallë që i përket Shkollës së famshme Letrare të Ohrit, askund nuk përmendet (as në muzeun ku ndodhet në Shën Peterburg) se është gjetur në Shqipëri, duke u mbuluar nga pluhuri i harresës gjithashtu në rrethet shkencore edhe të vendit tonë. Përkundër gjuhës apo alfabetit të përdorur (latinisht, greqisht apo cirilikisht), çdo libër i gjetur dhe mundësisht shkruar në Shqipëri në mesjetën e hershme, nuk meriton kurrsesi të shpërfillet.

Dokumente të zbuluara dhe të përkthyera nga gjuha e vjetër bullgare mesjetare në shqip nga:

ELVI SIDHERI

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com

Trashëgimia e harruar arkeologjike në qendër të Prishtinës

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës ndodhet në pjesën e vjetër të Prishtinës, jo rastësisht i strukur në një shtëpi të moçme disashekullore, ku shpërfaqet si rrallëkund qytetaria që pati lulëzuar dikur në kryeqytetin kosovar.

E pikërisht në këtë shtëpi fisnike qytetare prishtinase, mes shkallëve të drunjta, verandës orientale përmbi kopshtin e harlisur, ku ndërthuren gjethnajat, pema shekullore e manit që ngrihet krenare në oborr, dhe një mori gjetjesh arkeologjike që vijnë nga të gjitha viset e Kosovës, fragmente kolonash e sarkofagë të lashtë, ndodhet sakaq edhe një thesar i mirëfilltë arkeologjik që është zbuluar dhe vijon të ruhet me përkushtim të rrallë në këto mjedise.

Falë punës së palodhur dhe hulumtimeve të vazhdueshme në terren, duke përfshirë shumicën e viseve kosovare, dy punonjës të përkushtuar të këtij Instituti me rëndësi thelbësore për trashëgiminë kulturore, historike dhe arkeologjike të Kosovës, prej vitesh orvaten të nxjerrin pak nga pak (dhe pandërprerë) në dritë gjurmët e pashlyeshme të së shkuarës dardane e arbërore, gjer në shekujt e fundit përpara kohëve të sotme.

Qazim Namani dhe Emin Sallahu janë dy historianë e arkeologë, të cilët kur i takon, vështirë të jesh mirëfilli në gjendje ta kuptosh qysh në shikim të parë, çfarë pune e kontributi të çmuar bëjnë e japin për ndriçimin dhe ruajtjen për hir të brezave të ardhshëm, të trashëgimisë arkeologjike dhe historike në trojet e Kosovës bashkëkohore.

E ndërkohë, edhe si konfirmim i mëtejshëm i pamohueshëm i thënies së njohur popullore shqiptare, që ngulmon që gjithkujt nevojitet t’ia shikojmë punën, aspak gunën (pa gjykuar thjesht së jashtmi, larg përmbajtjes, siç rëndom bën shumëkush), në zyrën e njërit prej këtyre historianëve me pasionin e arkeologjisë kosovare, në një skutë të vockël të godinës së moçme hijerëndë ku gjendet ky Institut, na shpërfaqet befas përpara syve një thesar i papërfytyrueshëm, sa edhe njëherësh mrekullisht mahnitës.

Për shkak të vështirësive logjistike dhe mbase mungesës së hapësirave të duhura në muzeun përkatës, këta arkeologë që i bëjnë pareshtur një shërbim të vyer zbardhjes së gjurmëve më të ndritshme të lashtësisë në trevat dardane, ruajnë në mjediset e këtij Instituti, një sërë artefaktesh tejet unike, që përveçse dëshmojnë katërcipërisht vjetërsinë autoktone të shqiptarëve në trojet e Kosovës, sakaq përbëjnë gjithashtu gjetje arkeologjike që tjetërkund do të ngjallnin kureshtjen dhe mahnitjen e muzeve, specialistëve dhe arkeologëve anembanë Europës.

Kështu nisim të admirojmë thuajse pa frymë nga nemitja e shkaktuar prej artefakteve të lashta që na shfaqen me radhë para syve, pllaka prej qeramike ku shumë e shumë shekuj më parë janë gdhendur për t’iu dorëzuar përjetësisë nga paraardhësit tanë, simbolet e lashta të natyrës dhe jetës së përditshme, dielli ( simbol i përhershëm dhe i kudondodhur në artefaktet e moçme të trevave iliro- dardane, në Maqedoninë antike, e më tutje gjer në Epir, deri në ditët e sotme), lumenjtë, hyjnitë me tipare burimore vendase (përfshirë diç të ngjashme me plisin në krye), gjarpërinjtë, muret e fortesave, dhe gjithashtu përleshjet epike me dragonjtë, të skalitura në kohë të papërfytyrueshme të shkuara, mbi sipërfaqen e një guri vigan.

Shtangia shndërrohet në ngazëllim të shfrenuar (si njeri i dashuruar kokë e këmbë me historinë e lashtë të popullit tim dhe studiues i apasionuar, kjo për mua është parajsa në tokë) kur del në pah një gur tejet i lashtë me trajtat e qarta, ndonëse të rrëgjuara nga shekujt e mijëvjeçarët, me formën e një gruaje që mbase mishëron periudhën e fundit të Matriarkatit, kur femrës tashmë i kërkohet detyrimisht vetëm të rrisë fëmijët (diçka që tregohet dukshëm nga fetusi në gjirin e saj dhe duart e lidhura simbolikisht mbrapa kurrizit), dhe të nënshtrohet ndaj rendit të ri patriarkal.

Nëse kaq magjepsje lashtësie nuk mjafton, atëherë gjithçka plotësohet vetvetiu nga mini-skulptura prej guri kaq e mrekullueshme me portretin e ndonjë prijësi të mijëra viteve më parë, të cilit akoma mund t’i shquhen qartësisht tiparet e fytyrës, mjekra, sytë, buzët e flokët, bashkë me shprehjen e ngrysur të çehres, një vepër arti pallogaritshëm antike.

Ndërkaq në sipërfaqen e lëmuar të një guri të moçëm tregohet metaforikisht jeta tokësore dhe pasvdekja qiellore, përmes alegorisë së gdhendësit të lashtë të këtij artefakti, që ka skalitur një shtëpi, dy njerëz që adhurojnë qiellin e perëndishëm, hënën, shpendët dhe njeriun e pajetë që lartësohet drejt qiejve.

Mbresat më të pashlyeshme të mbeten të ngulitura në kujtesë nga skulptura imcake e një skllavi të lashtë me tipare të largëta ekzotike, me një shtambë mbi kokë dhe pamje thelbësisht të përulur dhe shije të hollë artistike.

Nuk mungojnë sakaq edhe monedhat antike, përfshirë edhe një syresh me emrin e Konstandinit të Madh (Constantinus Max) me origjinë pikërisht nga Naissus i Dardanisë, perandori që pati themeluar Konstandinopojën dhe që do të ligjëronte krishtërimin, por edhe të kohës së perandorëve Teodosi I, Valentiniani I, etj.

Ky thesar i çmuar kulturor e arkelogjik, do theksuar se shpesh është ruajtur dhe dorëzuar pranë specialistëve të këtij institucioni nga banorët e thjeshtë të viseve të ndryshme të Kosovës, të cilët ngaherë kanë ditur të tregohen tepër të përgjegjshëm për lashtësinë e trojeve të tyre amtare, me një vetëdije kombëtare dhe historike vërtet të lavdërueshme.

Kosova është një thesar në qiell të hapur, mjafton të ndërgjegjësohemi për këtë trashëgimi arkeologjike të vyer.

Shkruan: Elvi Sidheri

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh

Vjen në gjuhën shqipe libri ‘Edinburgu’ nga autori skocez Robert Louis Stevenson

Është publikuar në gjuhën shqipe, me përkthim nga Elvi Sidheri, libri “Edinburgu” nga autori i shquar skocez Robert Louis Stevenson.

Robert Louis Stevenson i cili është autori i Ishullit të Thesarit dhe Dr Jekyll dhe Mr Hyde, botoi këtë libër në vitin 1878.

Stevenson përshkruan imtësisht (me një anglishte qartësisht skoceze) në çdo hollësi dhe nuancat më grishëse, qytetin e tij të dashur, pikërisht Edinburgun, kryeqytetin hijerëndë dhe pakëz të zymtë të Skocisë, ku pleksen e ndërthuren skutat, njerëzit dhe historitë mesjetare të këtij qyteti gotik, por tepër të gjallë në shpirtin e tij./KultPlus.com