‘Kiss the Future’, dokumentari i U2 çel festivalin e filmit në Sarajevë

Ylli irlandez i rokut, këngëtari i U2-ve, Bono dhe kitaristi “The Edge” zbritën në tapetin e kuq krah regjisorit Nenad Cicin-Sain teksa dokumentari i ri kushtuar grupit të famshëm muzikor që mban titullin “Kiss the Future”, çeli Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Regjisori Mark Cousins ​​mori në këtë festival çmimin e nderit Zemra e Sarajevës, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e rrëfimit pamor.

Festivali i Sarajevës, që kremton vitin e tij të 29-të, u themelua gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak në kohën e luftës së përgjakshme të viteve 1990.  Cousins, filmi i të cilit “Marshimi në Romë”, një dokumentar mbi ardhjen e fashistëve në pushtet në Itali në 1922, është pjesë e programit të festivalit, e vizitoi Sarajevën gjatë rrethimit në 1994. Së bashku me përfaqësuesit e Festivalit të Filmit në Edinburg, ai paraqiti në kryqytetin boshnjak filma për t’u shfaqur për publikun si rrëfime për qytetin e rrethuar.

“Kur erdha këtu në vitin 1994, hasa në një lloj mizorie të cilën nuk kisha menduar se do ta shihja ndonjëherë. Por takova edhe krej të kundërtën e saj. Takova njerëz vërtet krijues. Dhe ata janë këtu sonte”, u shpreh Mark Cousins.

Vetë Bono, gjatë luftës së Bosnjës e dënoi ashpër dhunën dhunën kundër popullsisë së vendit, veçanërisht banorëve të Sarajevës. Në 1997-tën, dy vjet pas konfliktit, U2 organizuan një koncert në stadiumin Olimpik të Sarajevës, një moment tejet emocionues ky në historinë e pasluftës në këtë qytet.

Koncerti frymëzoi regjisorët amerikanë Nenad Cicin-Sain dhe Bill Carter të realizonin dokumentarin “Kiss the future”, prodhuar nga yjet e Hollivudit Matt Damon dhe Ben Affleck. Festivali u hap me shfaqjen e këtij filmi./KultPlus.com

U2 performon në një koncert të improvizuar në Kiev

Muzikantët e grupit irlandez të rrokut U2 dhanë një shfaqje surprizë në një ambjent nëntokësor në kryeqytetin ukrainas të Kievit, i cili po përdorej si strehë kundër bombave.

Lideri i bandës Bono dhe kitaristi “The Edge” luajtën disa nga hitet më të mëdha të tyre, si dhe këngë të tjera si “Stand By Me”.

“Presidenti Volodymyr Zelensky na ftoi në Kiev për të performuar një shfaqje solidariteti me popullin ukrainas”, shkroi grupi në Twitter.

“Njerëzit në Ukrainë nuk po luftojnë vetëm për lirinë e tyre, ata po luftojnë për të gjithë ne që e duam lirinë”, tha Bono, sipas transmetuesit irlandez RTE./KultPlus.com

Grupi U2 dhuron 10 milionë euro për gjithë stafin mjekësor të Irlandës

Grupi më i famshëm irlandez në botë i muzikës rock, U2, dhuroi 10 milion euro për të ndihmuar luftën kundër koronavirusit në Irlandë.

Paratë do të përdoren për të mbështetur punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe për të blerë pajisje mbrojtëse personale (PPE) për stafin e vijës së parë.

”Disa nga pajisjet mjekësore të financuara nga grupi, i udhëhequr nga këngëtari Bono tashmë kanë mbërritur në aeroportin e Dublinit”, njoftoi televizioni irlandez RTE.

Kryeministri irlandez, Leo Varadkar vlerësoi përpjekjet e tyre duke thënë se këtë ndihmë qeveria e tij mund ta realizonte për 13 vite.

”Po ashtu, të gjitha ndihmat nga sektori privat dhe publiku i gjerë janë të mirëseardhura”, tha ai në Twitter.

Ky grup muzikor ka qenë i përfshirë në një numër projektesh sociale dhe politike për vite me radhë.

Sipas shifrave zyrtare nga mbrëmja e së mërkurës, pothuajse 6 000 njerëz në Irlandë janë infektuar me koronavirusin e ri, ndërsa 235 kanë vdekur si një rezultat i ndërlikimeve. / dpa/ KultPlus.com

Vokalisti i U2 këngë për koronavirusin, ia kushton Italisë

Kjo është kënga e parë e vokalistit të grupit të famshëm U2 Bono që nga viti 2017, shkruan KultPlus.

Këtë këngë këngëtari dhe tekstshkruesi ia kushton italianëve të izoluar për shkak të përhapjes së virusit Covid-19. Ditë më parë kemi parë italianë që nëpër ballkonet e tyre ia thonin këngës duke u munduar ta harrojnë sado pak përhapjen e këtij virusi të frikshëm.

Dhe këngëtari i U2, i inspiruar nga këto pamje shkroi këtë këngë për ta.

Bono postoi në llogarinë e tij në Instagram këngën, e cila mban titullin “Let your love be knoën”, me shkrimin: “për italianët, për irlandezët… për mjekët, infermierët, kujdestarët, ju jeni ata për të cilët po këndojmë”.

Kënga u lansua në ditën e Shën Patrikut pasi që festimet u anuluan në Irlandë dhe në mbarë botën për shkak të udhëzimeve për të qëndruar larg tubimeve. /KultPlus.com

Grupi U2 dhe Luciano Pavarotti me këngën ‘Miss Sarajevo’ i bën jehonë luftës së Bosnjës (VIDEO)

Grupi i njohur botërisht U2 dhe tenori Italian Luciano Pavarotti  këngën “Miss Sarajevo”ia kanë kushtuar Sarajeves dhe luftës mizore që ka ndodhur në atë vend, transmeton KultPlus.

Fillimisht shkrimtari dhe regjisori amerikan Bill Carter i cili ka realizuar filmin për vuajtjet dhe tmerret që kanë përjetuar qytetarët e Bosnjës në luftën e tyre kundër Serbisë, dhe këto pamje kanë lënë gjurmë të përjetshme te regjisori i cili ka vendodur ti paraqesë në ekran dhe tu tregoj gjithë botës një realitet të vrazhdë dhe të hidhur ku vetëm kështu mund të ndalohet e mos të përseritet dicka e tillë, diku tjetër.

Kënga “Miss Sarajevo” i është kushtuar vajzave të bukura të Bosnjës të cilat kanë thirrur: “Mos lejoni të na vrasin!”.

Carterit i është dukur që botës nuk është duke i interesuar ajo cfarë ka ndodhur në Bosnjë andaj përmes bashkëpunimit me U2 kanë vendosur t’ua bëjnë me dije të gjithëve për vuajtjet e njerëzve. / KultPlus.com

U2 dhe Ed Sheeran anulojnë koncertet në SHBA

Banda irlandeze e “rock”-ut, U2 dhe Ed Sheeran kanë anuluar koncertet e tyre që priteshin të mbaheshin në St. Louis për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, pas protestave të dhunshme në qytet që shkaktoi lirimi i një ish-oficeri të bardhë policie, i akuzuar për vrasjen e një personi me ngjyrë.

Irlandezët pritej të performonin në “The Dome at America’s Center” mbrëmjen e së shtunës, ndërsa këngëtari britanik Sheeran i ka shitur të gjitha biletat për shfaqjen që pritej të zhvillohej mbrëmjen e sotme në “Scottrade Center”, transmeton tch. Por policia ka njoftuar se nuk mund t’iu garantojnë nivelin e duhur të sigurisë, pasi qyteti është përballur me protesta të vazhdueshme dhe të dhunshme.

Qindra vetë protestuan të premten dhe të shtunën në St. Louis, në qendër dhe në periferi të qytetit, duke çuar deri në arrestimin e të paktën 32 personave. Megjithatë, protesta më të mëdha priteshin mbrëmjen e së shtunës.

Këngëtari i famshëm Bono i grupit “U2”, përmes një deklarate në “Instagram” tha se ishte “tejet i zhgënjyer nga çfarë ka ndodhur në St. Louis, që detyroi edhe anulimin e koncertit” të tyre.

“Jam duke lexuar fjalimin e Luther King nga Katedralja Kombëtare dhe pyes veten nëse sot jemi në vitin 1968 apo 2017?”, shkruan Bono. Edhe në faqen zyrtare të “U2”, thuhet se banda “nuk mund të rrezikojë me ndërgjegje të plotë jetët e fansave të tyre”, nëse do të vijonin me planet për zhvillimin e koncertit.

Megjithatë, për të gjithë ata që i kishin siguruar tashmë biletat për këto dy koncerte, kompensimi do të fillojë nga pikat e shitjes që nga e hëna./ KultPlus.com