Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare

Posta e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, lansoi sot emisionin më të ri të pullave postare kushtuar katër prej monumenteve natyrore më të veçanta të vendit: Shpella e Kusarit, Shpella “Gryka e Madhe”, Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Demës.

Ky emision paraqet një udhëtim vizual të pasur nëpër thesaret nëntokësore të vendit tonë – dëshmi të rralla të gjeologjisë, arkeologjisë, biodiversitetit dhe historisë sonë të lashtë. Përmes këtyre pullave, publiku ka mundësinë të njihet me vlerat e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që i ofron Kosova.

Shpella e Kusarit, gjendet pranë fshatit të lashtë Kusar në rajonin e Gjakovës, është pjesë e peizazhit karstik të Malit Pashtrik. E formuar në shkëmbinj gëlqerorë me një histori mijëvjeçare, shpella mbart gjurmë të banimit të hershëm dhe ofron një ambient unik për studiuesit dhe vizitorët.

Shpella “Gryka e Madhe”, e pozicionuar në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, 60 metra mbi shtratin e Lumëbardhit të Pejës, ofron një pamje imponuese që i ngjan një tempulli natyror. Brenda saj gjenden stalaktite dhe stalagmite të mahnitshme, lumenj e liqene nëntokësore, duke e renditur këtë shpellë ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe rajon për nga vlera speleologjike dhe turistike.

Shpella e Hoxhës, mbi fshatin Vrellë të Istogut, në masivin malor të Moknës, përfaqëson një lokalitet arkeologjik me rëndësi të madhe. Ajo ka qenë e banuar që nga parahistoria e deri në kohët moderne. Brendësia e saj ruan fragmente qeramike, gurë të punuar dhe një liqen të brendshëm, që formohet nga pikimi i vazhdueshëm i stalaktiteve.

Shpella e Demës, e cila ndodhet në hyrje të Grykës së Rugovës, pranë Patrikanës së Pejës, shquhet për vlerat e saj historike dhe biologjike. Si lokalitet arkeologjik, kjo shpellë simbolizon lidhjen e përhershme ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke ruajtur gjurmë të qëndrueshmërisë njerëzore nëpër shekuj.

Përmes këtij emisioni të veçantë, Posta e Kosovës synon të promovojë dhe të nxisë vetëdijen për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Kosovës. Pullat postare shërbejnë jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si ambasadorë të vlerave tona kombëtare në botë./ KultPlus.com

Artistja spanjolle, Merche Blasco me performancë unike në Rezidencën 17

Shtatëmbëdhjetë nis programin “Sesionet e kopshtit” për vitin 2025 me një performancë unike në Rezidenca 17.

Artistja spanjolle Merche Blasco do të prezantojë një performancë improvisuese live duke përdorur një set instrumentesh dhe artefaktesh veçanërisht të rkijuara. Përmes eksplorimit të materialeve dhe lëvizjeve ekspresive të trupit, Merche sjell një emocion të veçantë nga materialet sonike, të cilat janë serioze dhe të thella: nga incizimet e ekosistemeve të brishta dhe të kërcënuara deri te goditjet e mpiksura të basit “jashtëtokësor”, një përzierje dinamike e teksturave dhe ritmeve që shuhen nga kallomi i tingujve të paparashikueshëm.

Për këtë performancë, Merche do të bashkohet me pjesëmarrësit e punëtorisë së saj, duke e shkrirë në pjesën e performancës instrumentet unike që ata krijuan së bashku përgjatë dy ditëve në Rezidenca 17. Kjo punëtori dy-ditor i prezantoi pjesëmarrësit me elektronikën bazë dhe projektimin e qarqeve, duke i udhëzuar ata në ndërtimin e sintisajzerit të tyre analog portativ. Instrumenti i përgjigjet kushteve të dritës mjedisore dhe ndërveprimeve trupore përmes sensorëve të presionit dhe shtrirjes që mund të vishen.

Merche Blasco është artiste dhe kompozitore multimediale që e ndan kohën e saj midis Berlinit dhe Barcelonës. Ajo projekton dhe ndërton bashkësi teknologjike të pasakta që katalizojnë format e mishëruara të kompozimit elektroakustik live dhe mënyra të reja të dëgjimit. Përmes pajisjeve që krijon, Merche përpiqet të krijojë një marrëdhënie më horizontale me entitete të tjera, duke u distancuar nga parametrat e precizitetit, fuqisë dhe kontrollit. Si një formë alternative e performancës, ajo projekton hapësira bashkëpunuese me instrumente që kanë veprimin e tyre, në kompozime ku trupi i saj dhe eksplorimi live i materialeve organike janë elementë qendrorë. Puna e saj gjithashtu përqendrohet gjithnjë e më shumë në projektimin e performancave zanore pjesëmarrëse në hapësira publike për të lidhur personat e huaj dhe mjedisin e tyre përmes krijimit dhe dëgjimit kolektiv të muzikës./ KultPlus.com

Teatri i Gjilanit me marrëveshje unike në Kosovë, zhvendos shfaqjet teatrale në lokal të shërbimit gastronomik


Teatri  i Qytetit të Gjilanit dhe  “Tabu Lounge Bar” për herë të parë në Kosovë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e  shfaqjeve teatrale në lokal të shërbimit gastronomik.

Menaxhmenti i “Tabu Lounge Bar’’ janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me këtë marrëveshje, pasi sipas tyre e ka shëndrruar Gjilanin në një qytet unik.

“Sigurisht që kjo ka qenë kërkesë e jona që përvec performancave muzikore të kemi dicka më ndryshe nga ajo se cfarë ofrohet në lokalet të shërbimit gastronomik, dhe patjetër që jemi shumë të lumtur që Teatri i Qytetit të Gjilanit, menaxhmenti dhe trupa artistike janë bashkëpunues të nivelit të tillë, duke bërë që jeta kulturore të mos mbetet vetëm në ambientet e dedikuara për to, por të shpërfaqet edhe në lokalet e gastronomisë, duke bërë Gjilanin ndryshe nga qytetet tjera”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë një bashkëpunim të ri dhe inovativ në qytetin e Gjilanit, duke sjellë për herë të parë shfaqje teatrore dhe artistike në ambientet e Tabu Lounge Bar.

“Bashkëpunimi do të fokusohet në organizimin e shfaqjeve të ndryshme teatrale, përfshirë stand-up komedi dhe ngjarje të tjera kulturore në këtë ambient unik të cilat do të shfaqen gjate gjithë vitit. Kjo dorë bashkëpunimi e ofruar nga Teatri i Qytetit në Gjilan është lehtësim i madh jo vetëm për Tabu Lounge Bar, por besojmë dhe shpresojmë që aktivitete të tilla të shtrihen edhe tek të tjerët”, thuhet në shkrim.

Stafi i “Tabu Lounge Bar” ka falënderuar  Teatrin e Qytetit të Gjilanit, drejtorin Erson Zymberi, dhe gjithë trupën e teatrit./ KultPlus.com

Eksperienca unike e rafting në Vjosë tërheq turistë të shumtë

Të apasionuar pas sporteve ekstreme, turistë të shumtë rendin në rrjedhën e Vjosës për të përjetuar eksperiencën unike të rafting.

Vjosa, perla e Europës gjendet vetëm 1 orë e 45 min nga Saranda dhe 45 min nga Gjirokastra.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bën me dije se nga brigjet e Vjosës çdo ditë grupe vizitorësh zbulojnë hiret e saj mes kulturës, sporteve në natyrë, traditës e historisë, teksa ndau foto të një grupi turistësh të huaj që po bëhen gati të sfidojnë dallgët e Vjosës së egër.

Turistët e aventurës përshkojnë me gomone lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km.

Rrjedha është e qetë në disa vende dhe e tërthortë e me dallgë në vende të tjera me thellësi më të madhe.

Turizmi i aventurës gërshetohet shumë mirë në Përmet me traditën, kulinarinë e mikëpritjen./atsh/ KultPlus.com