Kush, si raportoi për pavarësinë e Kosovës?

Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte një moment historik për popullin shqiptar. Kosova u bë Republikë, duke shkaktuar festime të mëdha në të gjithë vendin. Mediumet ndërkombëtare raportuan drejtpërdrejt ngjarjen, duke e prezantuar si një hap të rëndësishëm në historinë e Ballkanit.

Njohja e pavarësisë nga shumë vende dhe reagimi i Serbisë dhe aleatëve të saj solli debat global. Kjo deklaratë e pavarësisë u përshkrua si një epokë e re për rajonin, duke sjellë shpresë për stabilitet dhe zhvillim.

Ishte dita më e rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. 17 shkurti i 2008-s do të mbetet ngjarja dhe lajmi më i madh në histori.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ndodhi. Kosova u bë Republikë. Festa ishte e madhe e gëzimi që aq gjatë njerëzit e kishin pritur, ishte i jashtëzakonshëm.

Gjithçka ndodhi në këtë ditë, u pasqyrua drejtpërdrejt në çdo moment në Radiotelevizionin e Kosovës. Nga komunat e vendit, jashtë tij e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Televizionit Publik u pasqyrua në kohë reale Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Lajmi i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran zuri vend në televizionet dhe ballinat e mediumeve më të mëdha ndërkombëtare.

Në raportimin e tij, medium anglez BBC, shkruante se Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Ajo kishte qenë nën kontrollin e OKB-së që nga viti 1999, kur NATO-ja dëboi milicinë serbe. Fuqitë e mëdha evropiane dhe Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë e Kosovës, por deklarata hasi në një përgjigje armiqësore nga Serbia dhe aleati i saj Rusia, thuhej ndër të tjera në këtë medium.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, ishte titulli i prestigjiozes amerikane The New York Times, në shkrimin e publikuar një ditë pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Në të shkruhej se përpjekja e Kosovës për t’u njohur si vendi më i ri i Evropës, pas një lufte civile që vrau 10,000 persona një dekadë më parë dhe më pas viteve të harresës nën sundimin e Kombeve të Bashkuara, ishte episodi i fundit në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, 17 vjet pas fillimit të shpërbërjes së saj.

NBC NEWS për këtë ditë shkroi se në Prishtinë, humori ishte plot gëzim. Mijëra shqiptarë etnikë u përballën me temperaturat e ulëta për të hipur në çatitë e makinave të tyre, duke kënduar këngë

patriotike dhe duke brohoritur akronimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata valëvitën flamuj amerikanë krahas flamurit të kuq shqiptar me një shqiponjë të zezë dykrenare.

Në këtë ditë, The Guardian, ballinën e saj e kishte mbuluar me flamurin kombëtar. Në të shkruhej se Kosova shapll pavarësinë. Përmes fotografive të ndryshme të festimit e gëzimit të qytetarëve, ajo e ka përshkruar shpalljen e Kosovës Republikë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia të dielën, ishte shkrimi i radhës i të përditshmes Reuters. Në këtë shkrim ajo renditi pikat kyçe të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në të cilin veçohet pika ku thuhet se kjo deklaratë pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Kosova bën shpalljen historike të pavarësisë nga Serbia, ishte shkrimi i të përditshmes britanike Independente. Në mes tjerash, në këtë shkrim thuhej se deklarata e së dielës ishte orkestruar me kujdes me SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane, dhe se Kosova po llogariste në njohjen e shpejtë ndërkombëtare që mund të vinin që të hënën, kur ministrat e Jashtëm të BE-së të takoheshin në Bruksel.

“Një seancë speciale e parlamentit të Kosovës ka votuar për ta shpallur pavarësinë nga Serbia, me mijëra shqiptarë etnikë që bllokuan rrugët e Prishtinës, qytetit kryesor, për momentin historik”, pasqyrohet dita e shpalljes së pavarësisë në shkrimin e mediumit AL Jazeera.

Edhe mediumi gjerman DW e pasqyroi këtë ditë duke cituar se dhjetë vjet pasi Beogradi shtypi një rebelim në Kosovë, parlamentarët shpallën Republikën e Kosovës dhe shtetin sovran. Më tej thuhej se Parlamenti i Kosovës votoi pro pavarësisë nga Serbia, duke ulur perden e një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.rtk/KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës përgatitet për koncertin e 16-vjetorit të Pavarësisë

Filharmonia e Kosovës është duke i bërë përgatitjet për koncertin madhështor në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

“Koncerti qendror në këtë përvjetor të veçantë vjen me Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari me pjesëmarrjen e solistëve Krenare Gashi – soprano, Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë”, thuhet në njoftim.

Sipas një komunikate për media, përveç veprave nga R. Strauss, W. Kilar, K. Aliçkaj, V. Beqiri dhe L.V. Beethoven do të interpretohet edhe premiera e “Exodus” nga Mendi Mengjiqi, dedikuar 25-vjetorit të ekosdit të mbi 1 milion Kosovarëve nga forcat Jugosllave dhe Serbe.

Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në ora 20:00 (Salla AMC)/ KultPlus.com

Rita Ora dhe Dua Lipa mund të performojnë në hapjen e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë

Ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 që do të zhvillohen në Kosovë mund të jetë shumë më spektakolare se sa mund të imagjinohet.

Kjo pasi në këtë ceremoni mund të performojnë dy yjet botërore të muzikës, Rita Ora dhe Dua Lipa.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës në Konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, ku nikoqire është Agjencia e Lajmeve KosovaPress.

Ai tha se në këto lojëra nuk do të ketë vetëm sport, por edhe kulturë dhe art dhe është duke u punuar që të sigurohet performanca e të dy yjeve në atë mbrëmje të madhe.

Tutje, Krasniqi shtoi se Kosova e pati më të lehtë ta fitojë organizimin e kësaj ngjarje të madhe për shkak të rezultateve mbresëlënëse që kanë arritur në arenën ndërkombëtare vajzat e xhudos duke siguruar medalje të arta evropiane e botërore.

Në panelin e dytë, folës është presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymberi, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Taulant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Vazhdon të thellohet bashkëpunimi me Shqipërinë në projekte të kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Ministri Çeku ka thënë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë është i pashmangshëm. Përplot aktivitete të përbashkëta janë realizuar vitin që lam pas, dhe të tilla priten edhe në vazhdim.

Për këtë dhe tema të tjera diskutuan sot në takim, Ministri Çeku dhe Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ministri Çeku i uroj suksese në detyrën e re, ndërsa i shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë.

Bashkë u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin duke u koordinuar për projekte të përbashkëta në kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com

Instituti Sekhmet prezanton databazën e letërsisë queer në Kosovë, Ballkan dhe botë

Instituti Sekhmet në Prishtinë ka lansuar sot databazën mbi letërsinë queer në Kosovë, në Ballkan dhe në botë.

Letërsia e njohur botërisht si -queer- është një zhanër që kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në peisazhin letrar të Kosovës, Ballkanit dhe botës. Ajo ofron një platformë për tu shprehur ndryshe, një tapiseri të pasur emocionesh, regjistra të ndryshëm të gjuhës, dhe narrativa që shpesh janë të shtypura nga sistemet patriarkale. Ky zhanër paraqet me ngjyra të theksuara jetët e individëve nga familje atipike dhe atyre që kërkojnë të kuptojnë identitetin e tyre.

Përmes fjalëve të zgjedhura me kujdes, letërsia queer hedh dritë mbi karaktere dhe realitete që kërkojnë njohje dhe pranim më të madh. Nga vendet ku homoseksualiteti mbetet i kriminalizuar dhe ndëshkohet me vdekje deri te shoqëritë më progresive ku lufta për të drejtat e barabarta merr vrull, dokumentet e letërsisë queer së shkruar dhe folur hapin hapesira të reja për jetët LGBTIQ+ në mbarë botën.

Në këtë koleksion, ne si Sekhmet synojmë të prezantojmë një listë të kuruar të letërsisë queer, duke përfshirë vepra të autorëve nga Kosova dhe rajoni më i gjerë i Ballkanit, së bashku me një zgjedhje të plotë të librave që duhen lexuar nga letërsia globale. Këto tekste eksplorojnë tema të lidhura me çështjet LGBTIQ+ dhe çfarë do të thotë të jesh queer në tërësinë e saj.

Në këtë bazë të të dhënave janë përfshirë libra queer nga autorë që mund të jenë vet queer por edhe mund të mos i përkasin këtij grupi shoqëror. Pos autorëve të njohur të kësaj letërsie, në këtë databazë janë përfshirë edhe libra dhe përmbledhje poetike nga autorë më pak të dëshmuar por të cilët po e ndihmojnë shumë një letërsi të tillë.

Ky projekt mbështetet nga Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor (READ).

Eksploroni bazën e të dhënave këtu: https://www.sekhmet-ks.com/queer-literature/KultPlus.com

“Prek n’rrush, shijo n’ven” – hapet festivali i njohur Hardh Fest

Sot është bërë hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, pra, ka filluar festivali “Hardhfest”, shkruan KultPlus.

HardhFest, i cili tanimë është një festival tradicional në Kosovë, mbledhë njerëz nga shumë vende të rajonit për të shijuar verën e shijshme në Rahovec.

Edicioni i 22-të i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, nisi me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

I gjithë ky festival mbahet në vendin e njohur të Kosovës për rrush dhe verë, Rahovec, nga datat 1-3 shtator. /KultPlus.com

Reuters shkruan për garën e kërcimit nga Ura e Fshajtë në Kosovë (VIDEO)

Gazeta prestigjioze Reuters, ia ka kushtuar një artikull garës së kërcimit nga Ura e Fshejt, me titull “Zhytësit e urave të Kosovës e mposhtin frikën për të fluturuar në garat vjetore”.

Me krahët e shtrirë si krahët e zogut në “stilin tradicional të gëlltitjes”, Evald Krniq u zhyt më shumë se 20 metra nga një urë në Kosovën jugore në lumin e ftohtë Drin i Bardhë.

‘’Ishte më shumë si një fluturim se sa si një zhytje nga lartësia”, i tha ai Reuters pasi fitoi vendin e parë në konkursin e zhytjes në urë, një ngjarje vjetore e mbajtur për 73 vitet e fundit dhe duke tërhequr si amatorë ashtu edhe profesionistë.

 “Emocioni kryesor është të jesh gjallë. Nëse nuk ke frikë, nuk mund të kërcesh, pasi nuk ka adrenalinë dhe mund të përfundosh duke bërë gabime që mund të çojnë në lëndime,” tha Krniq. “Bukuria e këtij sporti qëndron në mposhtjen e kësaj frike dhe në hapin”.

Krniq ishte gjithashtu fitues vitin e kaluar në qytetin boshnjak të Mostarit, ku ai u hodh 22 metra nga një urë e vjetër në lumë poshtë.

Florid Gashi, i cili ka fituar çmimin e parë në vitet e kaluara, tha gjithashtu se frika e bën sportin kaq emocionues: “Momenti që je jashtë ujit dhe nuk je lënduar është gjëja më e madhe”. / KultPlus.com

Reuters shkruan për arinjtë e murrmë në Kosovë: E luftojnë vapën me fruta të ngrira

Punëtorët në një vendstrehim të arinjve në Kosovë kanë gjetur mënyra kreative për t’i mbajtur të ftohtë njëzet arinjtë e tyre të murrmë në temperatura afër 40 Celsius këtë javë, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Pishinat e arinjve mbushen rregullisht me ujë të freskët dhe mbrojtësit e tyre hedhin fruta dhe perime në ujë për t’i inkurajuar kafshët të notojnë. Ata gjithashtu vendosin fruta dhe perime të ngrira që i quajnë “akullore” në pemë, ku arinjtë i gjejnë ato në vetëm pak sekonda.

“Temperaturat janë shumë të larta dhe lëkura e tyre është shumë e trashë dhe nuk e kanë të lehtë”, tha Taulant Hoxha, nga streha e arinjve.

“Ne kemi 20 arinj dhe secili prej tyre ka frutat apo perimet e tij të preferuara… kështu që varet nga ushqimi i preferuar se çfarë ngrijmë për ta”.

20 arinjtë që jetonin në strehimoren e cila menaxhohet nga Four Paws International, u shpëtuan nga pronarët privatë ose nga restorantet ku mbaheshin si atraksione për mysafirët në hapësira të vogla deri në katër ose pesë metra katrorë. / KultPlus.com

Van Damme mbërrinë në Kosovë

Aktori i famshëm i filmave aksion në nivel botëror, Jean-Claude Van Damme, për herë të parë në Kosovë.

Ai tashmë ka arritur, ndërsa RTV21 ka siguruar një video nga nisja e tij për në Kosovë.

Ardhjen e tij po e mundëson një kompani zvicerane e orëve.

Jean-Claude Van Damme, është ikonë e aksioneve dhe filmave të cilat kanë shoqëruar ekranet anë e kënd globit./21Media/KultPlus.com

Maratona “3×3″ mbledh në Kosovë 160 sportistë nga 18 shtete

Në amfiteatrin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë mbrëmë filluan garat ndërkombëtare të basketbollit FIBA U23 3×3 Nations League që do të zgjasin deri më 12 korrik.

Në ceremoninë e hapjes zyrtare morën pjesë zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, dhe Kryetari i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, të cilët theksuan rëndësinë e këtij eventi për zhvillimin e basketbollit.

Gjatë kësaj jave do të zhvillohen edhe garat në kategoritë 3×3 Womens Series (14-15 korrik) dhe 3×3 Prishtina Challenger (15-16 korrik).

Qytetarët mund të bashkohen për të ndjekur ndeshjet dhe për të shijuar atmosferën e krijuar nga ekipet e 18 vendeve pjesëmarrëse, duke përfshirë edhe përfaqësuesit tanë të Kosovës.

Garat e organizuara nga Federata e Basketbollit të Kosovës kanë përkrahje të plotë nga MKRS. / KultPlus.com

Kompleksi ‘Adem Jashari’ dhe 17 asete të tjera vendosen në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur 18 asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ndër të cilat janë Kompleksi ‘Adem Jashari’, Biblioteka Kombëtare, Kulla e Isa Boletinit dhe Kulla e Sahatit, shkruan KultPlus.

Asetet të cilat tashmë bëjnë pjesë në mbrojtje të përhershme, si asete të trashëgimisë kulturore, janë nga nëntë vende të ndryshme të Kosovës:

Prishtinë:

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”
Biblioteka “Hivzi Sylejmani”
Kulla e Sahatit
Muzeu Kombëtar i Kosovës
Shtëpia e banimit e familjes së Hynilerëve
Xhamia e Çarshisë
Xhamia e Jashar Pashës

Prizren:

Kino Lumbardhi
Kërëk xhamia – Namazxhah
Kompleks banimi i familjes Hadro

Pejë:

Konaku i Tahir Beut
Konaku i Kasapollëve

Gjilan, Përlepnicë:

 Shtëpia e Muhamer Shabanit

Skënderaj, Prekaz:

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”

Vushtrri:

Hamami i Vjetër

Zveçan:

Kompleksi i Kullës së Isë Boletinit

Rahovec:

Kulla e Sahatit

Podujevë:

Lokaliteti Arkeologjik “Vendenis”
Konaku i Tahir Beut
Konaku i Kasapollëve./KultPlus.com

Kaltrinë Rrustemi për herë të parë me ekspozitë personale në Kosovë

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita “Mrena” e artistes Kaltrinë Rrustemi, kuruar nga Elise lammer, përcjell KultPlus.

“Mrena” është ekspozita e parë personale e Kaltrinë Rrustemit në Kosovë. Ekspozita shënon njëvjetorin e kthimit të artistes nga Zvicra në Prishtinë dhe përmban një përzgjedhje të veprave që gjurmojnë pajtimin e artistes me legjitimitetin e saj: si artiste, fëmijë e diasporës, shtetase zvicerane dhe grua shqiptare e Kosovës.

Studimet e Rrustemit në HEAD të Gjenevës shënojnë fillesën e një procesi të gjatë vetëpajtimi, gjatë të cilit artistja është marrë me nocionin e identitetit në kontekstin e diasporës.

Ekspozita do të hapet më datë 16 qershor, në ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Stërvitja më e madhe ushtarake ndërkombëtare fillon këtë javë në Kosovë

Nga data 21 maj deri më 2 qershor në Kosovë do të zhvillohet stërvitja më e madhe ushtarake ndërkombëtare në Ballkan.

Stërvitja “Defender Europe 2023” do të demonstrojë aftësitë e dy regjimenteve të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe do të demonstrojë nivelin e ndërveprimit ushtarak të FSK-së me forcat e armatosura të vendeve partnere.

Kështu FSK-ja edhe një herë do të tregojë se është e gatshme të kontribuojë në çdo mision të NATO-s.

Ceremonia e hapjes së kësaj stërvitje ushtarake do të bëhet të dielën në prani të krerëve të shtetit të Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Defender 23 është një stërvitje e përbashkët vjetore, shumëkombëshe e udhëhequr nga Komanda SHBA-Europiane e krijuar për të rritur gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë midis Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Përafërsisht 9,000 ushtarë amerikanë dhe rreth 17,000 ushtarë nga 26 vende aleate dhe partnere do të marrin pjesë në këtë stërvitje ushtarake.

Vitin e kaluar Shqipëria ishte një nga mikpritësit e “Defender Europe 2023”. / KultPlus.com

Kryeministri përkujton masakrën në oborrin e shkollës në Bukosh: Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot, në përvjetorin e 24-të, martirët e Masakrës së Bukoshit, përcjell KultPlus.

Në po këtë datë, të vitit 1999, oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak, pasi 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan nga forcat policore serbe.

Kryeministri është shprehur se kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë dhe Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë.

Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Më 3 maj 1999 oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak. 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan. Forcat policore të Serbisë i vranë ata, vetëm pse ishin shqiptarë.

I ekzekutuan pasi i ndanë nga kolona e banorëve të fshatrave të Suharekës, që i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëbimi, vrasja dhe zhdukja me forcë e shqiptarëve ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.

Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.

Republika e Kosovës nuk mund të falë e as të harrojë.

Në përvjetorin e 24-të, përkujtojmë martirët e Masakrës së Bukoshit. Lavdi! / KultPlus.com

24 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit e kryer nga forcat serbe (FOTO)


Sot u bënë 24 vjet nga masakra që është kryer nga forcat serbe në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe shumë civilë të fshatit.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli. / KultPlus.com

Fjalimi i Bill Clinton për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë, gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  

Këtë video e ka publikuar sot edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka falënderuar Shtetet e Bashkuar të Amerikës për këtë ndërhyrje.

“24 vite që kur bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit tonë. Faleminderit përjetësisht”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në takim me Chollet konfirmon raportet e shkëlqyera me SHBA-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë z. Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.

Presidentja Osmani dhe z. Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të  bashkëpunimit ndërmjet  dy shteteve. Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.

Në takim me z. Chollet, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.

Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga Presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve. /KultPlus.com

Gjenerata e parë e kontrabasit në Kosovë

KultPlus ju sjell sonte një fotografi të vjetër në të cilën mund të shihet gjenerata e parë e kontrabasit në Kosovë .

Fotografia është realizuar gjatë prezantimit të tyre në kuadër të Orkestrës Simfonike të ish RTP-së, Radio Televizionit të Prishtinës.

Pjesë e formacionit ishin edhe Mendi Mengjiqi, Fraim Gashi dhe Uvill Ballata.

Kjo paraqitje e instrumentistëve të Kosovës në kuadër të Orkestrës Simfonike të RTP-së është konsideruar si diçka e veçantë, rast i rallë për kulturën dhe muzikën shqipe. / KultPlus.com