‘Të fala nga Gjilani’, performancë për bashkatdhetarët tanë

“Te fala nga Gjilani”, mbrëmja e cila në vete përfshin një përmbledhje me poezi e këngë që vijnë të artikuluara prej aktorëve të Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe prej zërit të mrekullueshëm të Diana Toskës, ju mirëpret nesër mbrëma me fillin në ora 19:00, përcjellë KultPlus.

Ky aktivitet është organizuar për të gjithë qytetarët e Gjilanit po në veçanti për bashkatdhetarët tanë të cilët i japin shumë dashur, jetë e plot ngjyra qytetit të Gjilanit.

“Te fala nga Gjilani” është një vokacion artistik i krijuar për një performancë të hapur ose “open air” e që organizohet në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Mërgatës, nga zyra e Kryetarit të Komunës.
Aktiviteti do të mbahet nesër tek pjesa e argjendarëve të qytetit në Gjilan. /KultPlus.com

Jericho rikthehet në Rockuzinë me një performancë magjike

Pas kërkesave te shumta nga fansat, këtë të enjte në Rockuzinë do të kthehet për herë të dytë për një performacë plotë energji grupi i njohur kosovar Jericho.

Jericho është një rock grup i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova, në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet për muzikën dhe tekstet e tyre mjaft të veçanta.

Muzika e Jerichos është përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare e cila është karakteristikë e regjionit te Kosovës dhe Shqipërisë veriore. Përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.

Tekstet e këngëve në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë, i cili flitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë veriore, ku, shpesh përdoret edhe në poemat epike shqiptare. Të gjitha këngët e Jerichos, trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit. Një nga këngët e para si dhe ajo që i mundësoi Jerichos të ndërtoj një publik rreth vetes është ”Don’t f*** with Albanians”. Këngët e Jericho-s janë të njohura kryesisht në mesin e të rinjve shqiptarë që jetojnë në Ballkan, por janë transmetuar edhe në stacionet e ndryshme të pavarura dhe Radio alternative në të gjithë vendet ish-jugosllave.

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, ky grup, publikoi këngën ”Nëntor i ftohtë”. Një “nëntor i ftohtë” kur populli po festonte një shekull si shtet i pavarur. Ky titull “i ftohtë”, sipas vokalistit Petrit Çarkaxhiu, ishte si pasojë e mosinformimit dhe injorancës së popullit për këtë datë të rëndësishme, mirëpo edhe për gjendjen e atëhershme në të cilën gjendej populli shqiptar. Kjo këngë është e ndarë në tri pjesë, ku pikërisht pjesa e parë flet për 28 nëntorin e 1912-ës, ku, sipas Petritit ishte viti më i vështirë i popullit shqiptar, sidomos për ata të cilët u ndanë me forcë nga Shqipëria.

Përveç këngëve të lart përmendura, grupi “Jericho” njihet edhe për shumë këngë të tjera si: ”Zgjohu”, ”Tomlin e nonës”, ”Kur do t’pushojë kjo kangë”, ”Albanian Rhapsody” e shumë të tjera. Tani anëtarët e grupit janë në përgatitje të albumit më të ri të tyre.

Pjesëtarët e këtij rock grupi janë:

Petrit Çarkaxhiu – Vocal & Rhythm Guitar
Leonard Canhasi – Solo Guitar
Suad Jamini – Bass Guitar
Visar Rexha – Drums

“MOS E PREK! – trashëgimi kulturore!”, performancë publike kundër degradimit të trashëgimisë kulturore

Degradimi i trashëgimisë kulturore në Prizren edhe në vitin 2017 ka vazhduar që të jetë dukuri shqetësuese. Me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore por edhe shtytjes së institucioneve qeveritare e të drejtësisë për veprim në drejtim të zbatimit të ligjit, EC Ma Ndryshe të martën ka organizuar performancën e titulluar “MOS E PREK! – trashëgimi kulturore!”.

Në kuadër të performansës janë vendosur afishe te ndërtesat e trashëgimisë kulturore që janë nën mbrojtje të ligjit dhe atyre që janë pjesë e fushës së konservimit arkitekturor të Qendrës Historike të Prizrenit me njoftimin se ndalohet demolimi apo çdo intervenim në këto ndërtesa pa pëlqimin e autoriteteve përgjegjëse si dhe përshkruhen sanksionet që i parasheh legjislacioni.

Paralelisht me këtë të martën janë shpërndarë edhe kartolinat sensibilueze për opinionin publik për vlerat e humbura ndër vite të trashëgimisë kulturore në Prizren, të cilat me postë i janë dërguar institucioneve lokale e qendrore të pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Përmes këtij aktiviteti synohet që të sillet në vëmendje edhe njëherë shqetësimi për dukurinë e rrënimit dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Prizren.

Në hulumtimin “Gjendja fizike e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren” të publikuar nga EC në nëntor të këtij viti theksohet se në vitin 2016 sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit të Qendrës Historike kanë qenë 122 monumente të listuara brenda kësaj zone dhe se deri në nëntor të vitit 2017 janë rrënuar ose kanë pësuar tjetërsim të pakthyeshëm 31 monumente. Po kështu nga gjithsej 388 ndërtesa tradicionale që ishin në vitin 2006, sot ekzistojnë 155 sosh, që tregon se 233 ndërtesa apo struktura tradicionale të qytetit janë rrënuar ose kanë pësuar tjetërsim.
Ndërkaq në prill të vitit 2014, EC pat publikuar analizën “Ligjet nuk po e mbrojnë Qendrën Historike”, ku rekomandimi kryesor ka qenë zbatimi i ligjeve përmes ndëshkimit, që do të shërbente si shembull parandalues. Dëmtimi ose shkatërrimi i trashëgimisë kulturore përbën vepër penale dhe mosndëshkimi nënkupton paaftësinë e institucioneve për të siguruar sundim të ligjit. EC Ma Ndryshe beson se vetëm opsioni i ndëshkimit (me gjobë ose burgim) për veprën penale “dëmtim i trashëgimisë kulturore” mund të shpëtojë Qendrën Historike nga shkatërrimi i tërësishëm.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore, sidomos prokuroria dhe gjykata të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur.

“Qytetet Gjithëpërfshirëse…” është projekt i EC, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje dhe fshatra të ndryshme të komunës së Prizrenit./ KultPlus.com

Albina Kelmendi and Band performojnë sonte në Rockuzinë

Albina, një këngëtare e dalluar nga Talent Show “The Voice Of Albania” performon sonte, me 24 shkurt, në Rockuzinë, lokal ky tani më i njohuri për shprehjen e talenteve dhe performancave muzikore të rrymës Rock.

Karriera e Albinës si këngëtare filloi nga Talent Show i njohur “The Voice Of Albania”, ajo nuk u ndal me kaq, pasi që në fillimet e saj u ngjit suksesëshëm edhe në skenën e finales së “Top Fest” me këngën “Nuk ka ma mirë”.
Nga ajo kohë, Albina realizoi edhe dy videoklipe duke filluar me = “Ëndrrën mos ma merr” dhe “Hera e parë”.


Ajo performon në shumë lokale të vendit tonë pasi talenti dhe zëri i saj çdo ditë e më shumë po pëlqehet nga publiku shqiptar.

Të gjithë ata që e duan rokun dhe zërin e Albinës kanë mundësinë ta shijojnë në një nga lokalet më të mira të vendit tonë ku performohet live, sonte në Rockuzinë. / KultPlus.com

Shpaloset performanca kundër ngacmimeve seksuale (VIDEO)

Nën moton “Mos Hesht“, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis në bashkëpunim me Kvinna til Kvina ka shpalosur performancën kundër ngacmimeve seksuale në rrugë. “Nuk e kom emrin loçkë”, “Trupi jem e drejta jem”, “Raporto mos hesht“, “Po më Pengon”, “Po me jep stres”, “Mos fishkëllo”, ishin vetëm disa nga shprehjet që u dëgjuan gjatë performancës artistike kundër ngacmimeve seksuale në rrugë, e cila u prezantua para të pranishmëve në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Jeta Berisha, koordinatore në Qendrën “Artpolis”, tha se përmes kësaj perfomance artistike janë munduar të përçojnë mesazh kundër ngacmimeve seksuale në hapësira të ndryshme. Ajo tha se përmes artit dhe lëvizjeve trupore të aktoreve janë munduar të transmetojnë mesazh tek shoqëria kosovare për ngacmimet në rrugë.

“Këtë herë jemi munduar me përçuar një mesazh tek shoqëria jonë për ngacmime seksuale. E dimë të gjithë se është një fenomen që mbizotëron në çdo rrugë, jo vetëm në rrugë në ambiente publike, po ashtu edhe në ambiente private, në institucione dhe në çdo vend do me thënë pa marrë parasysh ku”, tha Berisha. Ajo tutje u shpreh se në Kosovë ende nuk e dinë se çka nënkupton fjala ngacmim seksual dhe nuk dinë të bëjnë dallimin në mes ngacmimit seksuale dhe ‘flirtit’.

Ndërkaq, Linnea Claeson nga Kvinna Till Kvinna, aktiviste nga Suedia, tha se performanca e sotme ishte e bukur dhe mesazhi kundër dhunës seksuale ishte shumë i qartë. Ajo po ashtu tha se në Suedi lufton për të njëjtën kauzë me anë të rrjeteve sociale.

“Ishte një performancë e fuqishme dhe e bukur, mendoj se ishte perfekte. Dhe ndjej se mesazhi për atë se si ndihesh kur ndihesh e kapur nga ngacmimi seksual dhe dhuna seksuale ishte shumë i çartë. Pabarazia në botë duhet të ndryshojë. Edhe unë si këto gra, luftoj për të njëjtat kauza në Suedi . Luftoj shumë për to në rrjetet sociale. E kam një llogari në Instagram e cila quhet ‘Assholes Online’, ku unë shkruaj për ngacmimin seksual të cilin unë personalisht e përjetoj online, në rrugë dhe në jetën time të përditshme”, u shpreh ajo duke thënë tutje se është shumë e rëndësishme që ka shumë njerëz që luftojnë për këto kauza, për të qenë të lirë dhe ftoj të gjithë burrat që t’i bashkëngjitën këtyre aktiviteteve.

Aktorja e performancës “Mos Hesht”, Daniela Markaj tha se përmes kësaj shfaqje artistike janë munduar t’i paraqesin ngacmimet seksuale në rrugë, ngacmime këto që femrat nuk i bëjnë të ndihen rehat. Sipas saj kjo perfromancë ka pasur synim t’i informojë gratë se ato mund të raportojnë dhe të reagojnë kundër këtyre ngacmimeve”.

Përmes performancës jemi munduar me i paraqitur ngacmimet seksuale që ndodhin gjatë rrugës, pavarësisht gjinisë, mirëpo na po e përcaktojmë me gratë që ndodhin ,edhe që i bënë me u ndier jo rehat, edhe që me i bë moshataret tona, gratë në përgjithësi me kuptuar që kanë të drejtë me lajmëruar rastin edhe me reaguar kundër ngacmimeve”, tha Markaj.

Sipas saj përgatitjet për këtë performancë artistike kanë zgjatur një javë në të cilën janë përfshirë dy aktore dhe disa aktiviste të Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.

Ndryshe, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis merret me raportimin e ngacmimeve seksuale dhe i lufton ato përmes perfomancave teatrale, artistike dhe instilacioneve të ndryshme. / KultPlus.com

Nesër nё kryeqytet, performancё kundër ngacmimeve seksuale

Njё performancё revolte kundër ngacmimeve seksuale nё rrugë, shpaloset nesër nё sheshin Nёnё Tereza (pёrmabllё Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve), shkruan KultPlus.

Nёn organizimin e Qendrёs pёr Art dhe Komunitet-Artpolis nё bashkëpunim me Kvinna til Kvinna, kjo performancё artistike qё adreson ngacmimet seksuale, vjen përmes aktoreve: Daniela Markaj, Qendresa Kajtazi, Halime Bici, Diana Markaj, Genta Ramadani, Margarita Ukaj dhe Kosovare Thaqi.

Kësaj perfomance artistike do ti bashkëngjitet një mysafire speciale, aktiviste për të drejtat e grave dhe atlete e njohur nga Suedia, e cila njëherësh e lufton dukurinë e ngacmimit seksual në vendin e saj, znj. Linnéa Claeson. Dhe, krejt në fund, znj. Claeson do të ndajë eksperiencat e saj duke krijuar një atmosferë interaktive me publikun.

“A jeni lodhë t’u qenë çdo ditë pre e ngacmimeve seksuale në rrugë?! A ka fillu gjithë ky proces intrigues me ju kalu në përditshmëri?! Rutinë që t’i mbyllë sytë, veshët dhe gojën?! A jeni gati me ua përplasë realitetin në fytyrë agresorëve të rrugës?!”, thuhet nё paralajmërimin e Artpolis.
Kjo performancё vjen tё premtёn mё 6 tetor me fillim nga ora 12:00, tek sheshi Nëna Terezë (përballë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve) në Prishtinë./ KultPlus.com