Besfort Shala mbështetet nga kompania ‘Exfis’ për të vijuar studimet master në Universitetin e Oksfordit

Studenti nga Kosova, Besfort Shala i cili vijon studimet në Universitetin e Oxford-it, dikur së bashku me familjen e tij pati kërkuar mbështetje për mbledhje fondesh përmes ‘Go Fund Me’, për shkak të kosotos së lartë të studimeve, kurse tani së fundmi kompania EXFIS e ka mbështetur atë financiarisht, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale ata treguan se Kompamia EXFIS ka ofruar mbështetje financiare për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, duke e mbështetur pjesërisht studentin e shkëlqyer, anëtarin e ShMK, Besfort Shala për t’i vijuar studimet master në drejtimin matematikë në Universitetin e Oksfordit në Angli.

KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:

EXFIS e përkrahë Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës

Kompamia EXFIS ka ofruar mbështetje financiare për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, duke e mbështetur pjesërisht studentin e shkëlqyer, anëtarin e ShMK, Besfort Shala për t’i vijuar studimet master në drejtimin matematikë në Universitetin e Oksfordit në Angli.

Besfort Shala ka mbaruar studimet për matematikë në Universitetin e Primorskës në Koper, Slloveni në vitin akademik 2020/21. Gjatë studimeve, Besfort Shala ka marrë pjesë në dy gara të rëndësishme ndërkombëtare, përkatësisht garën “Vojtech Jarnik” në Çeki ku ka fituar “çertifikatë të garuesit të suksesshëm”, si dhe në garën “International Mathematics Competition (IMC)” në Bullgari ku ka fituar medalje të argjendtë në vitin 2019 dhe një tjetër medalje të argjendtë në vitin 2021.

Për këto suksese në gara ndërkombëtare si dhe për shkak të suksesit akademik, ai është shpërblyer nga fakulteti me arsyetimin “arritje të larta akademike dhe suksese në gara ndërkombëtare (outstanding academic achievements and successes in international competitions)”. Krahas sukseseve akademike dhe garuese, Besfort Shala është aktiv edhe në propozimin e detyrave në revista shkencore dhe gara, ku vlejnë të përmenden publikimet në revistën “Mathematical Reflections” si dhe propozimet për Olimpiadën Matematikore të Kosovës (OMK) në vitet 2020 dhe 2021.

Së fundi, një propozim i tij është publikuar në një ndër revistat më cilësore në botë për probleme matematike, përkatësisht “American Mathematical Monthly”.

Besforti është i përfshirë në menyrë direkte në organizimin e të gjitha aktiviteteve garuese të organizuara nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, prandaj është interes i ShMK që ai të mbështetet dhe të vazhdojë avancimin e tij në fushën e matematikës Universitetin e Oksfordit.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e falënderon stafin e kompanisë EXFIS, e cila në kuadër të vizionit dhe politikave të saj për mbështetjen e të rinjve të talentuar që i kontribuojnë zhvillimit të shoqërisë sonë, ka përzgjedhur Shoqatën Matematikanëve të Kosovës për ta përkrahur!

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e përgëzon Besfortin për sukseset e arritura dhe i uron suksese të mëtutjeshme gjatë studimeve në Universitetin e Oksfordit!

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës,

Prishtinë, më 16.09.2021 / KultPlus.com