“Ura me tri harqe”, projekt i universiteteve të Artit të Tiranës, Prishtinës e Tetovës

“Ura me tri harqe”, është një projekt i përbashkët kulturor i tre institucioneve të arsimit të lartë të hapësirës mbarëshqiptare, Universitetit të Arteve në Tiranë, Fakultetit të Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe zhvillohet në formë rotacioni midis Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës.

Ky projekt ka lindur në vitin 2000, pas Luftës së Kosovës. Këtë vit është edicioni XIV dhe zhvillohet në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Aktiviteti do të zhvillohet më 16 dhe 17 maj. Pjesëmarrësit, në ditën e parë të projektit do të përshëndeten nga rektori i UART, prof. Kastriot Çaushi, dekani i Fakultetit të Arteve të Prishtinës, prof. dr. Hazir Haziri dhe dekani i Fakultetit të Arteve të Tetovës, prof. dr. Senad Abduli.

Në galerinë FAB do të çelet nesër ekspozita e artit figurativ me punë të përzgjedhura nga studentët e Tiranës, Prishtinës e Tetovës ndërsa më pas do të vihet në skenë një shfaqje teatrale e UART.

Me gjithë ndonjë ndërprerje që ka patur ndër vite, ky projekt shumë rëndësishëm, është rikthyer sërish si domosdoshmëri bashkëpunimi mes tre institucioneve dhe krijon një mundësi më shumë për shkëmbimin e ideve dhe ndërveprimin praktik, jo vetëm të studentëve, por edhe të pedagogëve dhe pse jo edhe të publikut dhe prej vitesh, ballafaqon artistët e rinj në arte pamore, në arte skenike, film dhe muzikë./atsh/KultPlus.com

“Ura me tri harqe” po vjen me edicionin e radhës, Universiteti i Prishtinës nikoqir i kësaj ngjarje kulturore

Po vjen edicioni i trembëdhjetë i ngjarjes së përbashkët kulturore, “Ura me tri harqe”, e të tri institucioneve shqipfolëse të arsimit të lartë: Universiteti i Arteve- Tiranë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës si dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Sivjet Universiteti i Prishtinës do të jetë nikoqir i kësaj ngjarje.

Ky Manifestim gjatë këtyre dy ditëve do të shfaqë, ekspozojë e performojë, projektet artistike më me vlerë përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh te shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën e koncertin e përbashkët të tri Universiteteve. Poashtu këtë vit “urës” do t’i bashkohet edhe një shfaqje mysafire nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup.

Programi i kësaj veprimtarie artistike do të prezantohen përgjatë dy ditëve 25-26 maj 2023. / KultPlus.com

“Ura me tri harqe”; Punimet e studentëve të artit nga Tirana, Tetova dhe Prishtina

Një shkëmbim eksperiencash, programesh, idesh por edhe një mbështetje ndaj njëri tjetrit është qëllimi kryesor I aktivitetit të përvitshëm “Ura me Tri Harqe”. Universiteti i Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës i sjell bashkë studentët e arteve. Ata u njohën fillimisht me filmat e krijuara nga studentët e regjisë. Hana Bucalija në filmin e saj 12 minuta nënvizon shtirjen në rrjetet sociale.

“Kam bërë një film, i cili flet për ndikimin e rrjeteve sociale në jetën tonë. E gjitha zhvillohet në bazë të perspektivës së një fëmije, që është qasja më e sinqertë për një film, por edhe më e vështira”, tha Hana Bucalija, studente.

Hana sjell në film problemet një familjeje, e cila vuan hipokrizinë, xhelozitë apo luftën e brezave.

“Në thelb e shohim nëpërmjet kameras profesionale se çfarë ndodh në të vërtetë, mirëpo kur vjen kamera e dorës e shohim se sa “fake” jemi ne para medias sociale dhe qysh mundohemi të përgënjeshtrojmë lumturinë”, tregon Hana Bucalija, studente.

Ndërkohë që studentët e tjerë janë më shumë të prirë rreth shqetësimeve sociale.

“Studentët në Prishtinë, kryesisht kanë detyrat e tyre që janë të përcaktuara në plan program. Por marrin kryesisht edhe tema sociale, tema që i kanë shqetësimet e tyre”, tha Ekrem Xani, pedagog.

Pjesë e aktivitetit Ura me Tri Harqe është edhe kjo ekspozitë ndërmjet Universitetit të Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës, përkatësisht me nga 20 punë. Ky është një aktivitet që vit pas viti transferohet nëpër qytete dhe tashme radha i takonte Tiranës/TCH.