Universiteti i Prishtinës merr dy çmime në Kampionatin e 8-të Botëror Ndëruniversitar, Parisi 2023

Kampionati i 8-të Botëror Ndëruniversitar, Parisi 2023 që u mbajt nga data 1 deri më 5 nëntor 2023, Universiteti i Prishtinës mori pjesë me ekipin e femrave dhe meshkujve në futsall.

Në konkurrencën e futsallit për femra të udhëhequra nga Dekani Prof. Musa Selimi, ekipi i Universitetit të Prishtinës fitoi vendin e parë. Ky është një sukses shumë i madh dhe një arsye për të qenë krenar për talentin dhe përkushtimin e ekipit.

Ekipi i meshkujve të Universitetit të Prishtinës të udhëhequra nga Profesori Prof. Malsor Gjonbalaj arriti të siguronte vendin e dytë në kategorinë e futsall për meshkuj. Ky është një sukses i jashtëzakonshme dhe një tregues i aftësive të tyre në sport.

Kurse Qëndresa Krasniqi mori çmimin lojtarja më e mirë në futsall në kategorinë e femrave.

Ky sukses i madh në kampionatin 8-të botëror ndëruniversitar- Parisi 2023, është një dëshmi e përpjekjeve dhe talentit të sportistëve dhe të angazhimit të stafit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit i Universiteti i Prishtinës. / KultPlus.com

“Ura me tri harqe” po vjen me edicionin e radhës, Universiteti i Prishtinës nikoqir i kësaj ngjarje kulturore

Po vjen edicioni i trembëdhjetë i ngjarjes së përbashkët kulturore, “Ura me tri harqe”, e të tri institucioneve shqipfolëse të arsimit të lartë: Universiteti i Arteve- Tiranë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës si dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Sivjet Universiteti i Prishtinës do të jetë nikoqir i kësaj ngjarje.

Ky Manifestim gjatë këtyre dy ditëve do të shfaqë, ekspozojë e performojë, projektet artistike më me vlerë përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh te shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën e koncertin e përbashkët të tri Universiteteve. Poashtu këtë vit “urës” do t’i bashkohet edhe një shfaqje mysafire nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup.

Programi i kësaj veprimtarie artistike do të prezantohen përgjatë dy ditëve 25-26 maj 2023. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës dhe Komuna e Gjakovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua sot marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Komunës së Gjakovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga prijësit e të dyja institucioneve, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti tha se ky është memorandumi i tretë që UP-ja po e arrin me komunat e Kosovës dhe se përmes marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, institucioni që ai udhëheq po punon edhe më tej për avancimin tutje të veprimtarive shërbyese ndaj komunitetit.

“Kemi studentë nga Gjakova, të cilët është e rëndësishme të kryejnë praktika nëpër institucione të ndryshme, dhe ndërkohë edhe ju si komunë, por edhe studentët, do të përfitojnë nga ky partneritet. Mirëpo, interesi i këtij bashkëpunimi do të jetë edhe në kryerjen e analizave të ndryshme, studimeve apo dokumenteve, të cilat mund të shërbejë si ekspertizë për të dyja institucionet”, ka deklaruar rektori.

Këtë memorandum e mirëpriti edhe kryetari Gjini, teksa theksoi se e vlerëson lart profesionalizmin e UP-së.

“Jemi shumë të lumtur që po e firmosim një bashkëpunim të tillë me Universitetin e Prishtinës, sepse jam i bindur se implementimi i kësaj marrëveshjeje do të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit dhe ngritjen e performancës për të dyja palët nënshkruese”, tha Gjini.

Ujdia e arritur parasheh hartimin dhe zbatimin e përbashkët të projekteve, organizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Po e vendosim Kosovën në hartën e shteteve që organizojnë ngjarje ndërkombëtare

Universiteti i Prishtinës ka shkruar mbrëmë historinë, duke u shpallur kampion i botës në hendbollin universitar.

Ekipi nga Kosova mundi Universitetin Kangwon të Koresë së Jugut 33:30, në finalen e Kupës së Botës, të zhvilluar për një javë në Prishtinë.

Finalen nga afër e ndjekën edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryeministri Albin Kurti, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani dhe personalitete tjera të larta nga FISU dhe organizatori, Federata e Sportit Universitar. 

Kësaj fitoreje ju gëzua shumë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili bëri një reagim të menjëhershëm në Facebook.

Kurti është shprehur se Kosova po vendoset në hartën e e shteteve që organizojnë ngjarje ndërkombëtare.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Një fundjavë me shumë aktivitete sportive ndërkombëtare me nikoqire Republikën e Kosovës.

Sonte ndoqa finalen e meshkujve të Kupës Botërore të Hendbollit Universitar, në të cilën djelmoshat e Kosovës u shpallën kampion. Ndeshja finale u luajt ndërmjet Kosovës dhe Koresë së Jugut. Fituam 33:30! Kënaqësi e veçantë atëherë kur kupën botërore e fiton në shtëpinë tënde. Shumë urime të gjithë sportistëve dhe studentëve të Kosovës!

Pas palestrës 1 tetori në Prishtinë, u ktheva në sheshin “Zahir Pajaziti” në atmosferën fantastike të cilën e ka sjell në kryeqytet aktiviteti ndërkombëtar 3×3 Challenger Prishtina. Në një ndeshje tejet të barabartë, në vazhdime ekipi i Antëerp-it të Belgjikës e mundi 18:17 atë të Friburg-ut të Zvicrës.

Të dyja këto aktivitete janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Turizmi sportiv është politikë e veçantë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes së cilës po e vendosim Kosovën në hartën e shteteve që organizojnë ngjarje ndërkombëtare, gjersa iu ofrojmë të rinjëve tonë mundësinë që të ndjekin këto aktivitete nga afër. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinë shkruan histori, shpallet kampion i botës në hendbollin universitar

Universiteti i Prishtinës ka shkruar historinë, duke u shpallur kampion të botës në hendbollin universitar.

Ekipi nga Kosova mundi Universitetin Kangwon të Koresë së Jugut 33:30, në finalen e Kupës së Botës, të zhvilluar për një javë në Prishtinë.

Finalen nga afër e ndjekën edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryeministri Albin Kurti, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani dhe personalitete tjera të larta nga FISU dhe organizatori, Federata e Sportit Universitar. /KultPlus.com

“Nata e diskutimit dhe filmit në UP”, synohet frymëzimi dhe mendimi kritik tek të rinjtë

Nesër nga ora 4 në hapësirat e Universitetit të Prishtinës do të mbahet nata e filmit, do të shfaqet filmi “Hidden Figures” dhe do të mbahet diskutim rreth tij.

Nata e Diskutimit dhe Filmit synon të shpërfaq rëndësinë e situatave shembullore në historinë e arsimit. Folësi në këtë event, Avni Mustafa – drejtor pranë Roma Versitas Kosova, do të tregojë se si individët mund të arrijnë ndryshime shoqërore duke tejkaluar sfidat e përditshme. Për më tepër, përmes këtij aktiviteti synohet të frymëzohen dhe inkurajohet reflektimi dhe mendimi kritik tek të rinjtë në Kosovë.

“Hidden Figures” është një film i bazuar në një histori të vërtetë, i cili trajton çështjet e ndarjes racore. Ai trajton gjithashtu diskriminimin gjinor dhe tregon se si këto super-gratë ishin në gjendje të balancojnë jetën e tyre familjare me punët e tyre të vështira. Në fund të fundit, ky film pasqyron rëndësinë e vendosmërisë, punës së palodhur dhe qëndrueshmërisë! / KultPlus.com

Kur gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë (FOTO)

Asistenti i Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu ka ndarë disa fotografi mjaft interesante me rastin e 52 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970.”

“Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Abdullahu në rrjetet sociale.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

52 vjetori i Universitetit të Prishtinës

Më 13 shkurt 1970, u mblodh Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u zgjodhën organet drejtuese: rektori, prorektorët dhe 29 anëtarët e Pleqësisë. Rektor u zgjodh Dervish Rozhaja, kurse prorektorë: Bozhidar Jovanoviq dhe Minir Dushi. Rektori dhe prorektorët ishin automatikisht edhe anëtarë të Pleqësisë. Dy ditë më pas, Universiteti i Prishtinës do të themelohej edhe solemnisht.

Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Në foltoren me tetë mikrofona, u mbajtën 13 fjalime, ndër të cilët nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, Rektori i Universitetit të Beogradit, Dragisha Ivanoviq, Rektori i Universitetit të Lublanës, Roman Modiq, Rektori i Universitetit të Zagrebit, Ivan Supek, Rektori i Universitetit të Sarejevës, Hamdija Çemerniq, Rektori i Universitetit të Shkupit, Kiril Penushlinski etj.

Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970”. Të nesërmen, gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: “Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë”. / KultPlus.com

‘Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë’

Jusuf Buxhovi

Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970. Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm. Ato që tha rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dërvish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, se vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijës dhe të shkencës, siç është universiteti, përcaktojnë edhe atë shoqërore dhe politike, u kthyen në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë lëvizjes kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti. Ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK-së si dhe dokumentve themelore të shkëputjues nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universietit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare duhet përkujtuar edhe rolin e akademik Idriz Ajetit si Kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës. Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributin e madhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtarë i Këshillit Qendrot të LDK-së, për dinamizimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetoritn të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur. /KultPlus.com

Studentët duhet të paguajnë nëse bien nga provimet ose i refuzojnë ato

Në fund të shtatorit, Qeveria mori vendim që arsimi i lartë në Kosovë të jetë pa pagesë, studentët e nivelit Bachelor dhe Master në universitetet publike në Kosovë, duhet të paguajnë për paraqitjen e provimeve për herë të dytë. Sipas MAShT-it, këto pagesa janë përcaktuar me qëllim të ngritjes së përgjegjësisë tek studentët, për të kryer obligimet e tyre në kohë

Ndonëse në fund të shtatorit, Qeveria e Kosovës njoftoi studentët se do të lirohen nga pagesa për semestër, provim pranues dhe për provime diferenciale, tash është shtuar një pagesë tjetër. Bëhet fjalë për pagesën prej 1 euro për provimet që paraqiten për herë të dytë në nivelin Bachelor dhe Master në universitetet publike në Kosovë. 

Përmes një udhëzimi administrativ, të nënshkruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, janë përcaktuar pagesat për studentët në institucionet e Arsimit të Lartë.

Edhe pse deri më tani për studentët e nivelit Bachelor ishin të liruar nga pagesat për paraqitje të provimeve, ata tani duhet të paguajnë për t’i paraqitur ato. Përndryshe, pa paguar paraqitja e provimeve nuk figuron në SEMS.  Një gjë e tillë vlen edhe për studentët e nivelit Master. Viteve të kaluara këta studentë kanë paguar 2.5 euro për paraqitje të provimit, teksa tani në rast se të njëjtit nuk e kalojnë provimin në herën e parë, apo nëse e refuzojnë atë duhet të paguajnë 2.5 euro për paraqitjen e provimit për herë të dytë.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka konfirmuar se paraqitja e semestrit dhe pagesa e provimeve për herë të parë është falas, por nëse i njëjti semestër regjistrohet për herë të dytë dhe provimi paraqitet për herë të dytë, atëherë duhet paguar.

Pupovci tha se ky Udhëzim Administrativ është përgatitur me qëllim të stimulimit të studentëve për t’i kryer me kohë obligimet e tyre.

“Me Udhëzimin Administrativ Nr.  9/2021 është falas regjistrimi i semestrit në nivelin Bachelor dhe Master për herë të parë, por jo edhe përsëritja e semestrit. Me analogji, është falas edhe paraqitja e provimit për herë të parë, por jo edhe paraqitja e përsëritur e provimit të njëjtë. Përndryshe, tarifat për paraqitje të përsëritur të provimit janë 1 EUR për Bachelor dhe 2.50 EUR për Master. Sipas Udhëzimit paraprak, të gjithë studentët e nivelit Master kanë paguar 2.50 euro për paraqitjen e secilit provim, qoftë për herë të parë ose të përsëritur, ndërsa për nivelin Bachelor ka qenë falas. Tani, kemi arritur një balans – hera e parë është falas për të gjithë dhe kjo do të duhej të ishte stimuluese për studentët që obligimet e tyre t’i kryejnë me kohë dhe me cilësinë e duhur”, ka thënë Pupovci për Express.

Ndërkohë, kryetari i Organizatës Studentore “Reforma”, Oktaj Hasani ka thënë se janë të pakënaqur me nën shkrimin e udhëzimit administrativ që përcakton pagesat nga ministrja Nagavci.

Ai tha se tani për çdo provim të refuzuar dhe të paraqitur për herë të dytë, studentët duhet të paguajnë nga një euro.

“Ne si Organizatë Studentore që jemi të përfaqësuar në Parlamentin Studentor me 5 deputetë e kemi mirëpritur faktin se jemi liruar nga pagesa për semestër dhe provime diferenciale sipas vendimit të Qeverisë, sepse për këtë çështje kemi avokuar dhe kemi pasur takime edhe me Qeverinë e kaluar edhe tash me këtë Qeveri. Ky vendim për ne ka qenë i mirëpritur, mirëpo publikimi i udhëzimit administrativ ku studentët janë detyruar për të paguar për semestër, sa ka qenë i papritur ka qenë edhe i çuditshëm”, ka thënë ai.

Hasani tha se studentët nuk e kanë pritur këtë vendim të Qeverisë, teksa shtoi se për disa studentë këto pagesa mund të ju kushtojnë më shtrenjtë sesa ato semestrale.

“Se kemi pritur se nga lirimi i pagesave semestrale do të ngarkohemi me pagesa të tjera. Realisht nëse e analizojmë për disa studentë kjo mundet me qenë më e shtrenjtë se pagesa semestrale që ka qenë deri më tani. Sipas këtij udhëzimi , tani nëse unë e refuzojë një provim, paraqitjen për herë të parë e kam pa pagesë provimin. Nëse e refuzoj apo nuk e kalojë provimin dhe e paraqesë për herë të dytë atëherë duhet që të paguajë 1 euro, ose përndryshe paraqitja e provimit nuk figuron në SEMS”, ka thënë më tutje ai.

Më 17 shtator të këtij viti, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ishin zotuar se nga 1 tetori i 2021-ës, arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet Bachelor dhe Master, ndërsa për studentët e doktoratës do të ketë lehtësi të veçantë.

Kurti asokohe tha se ne beson që me këtë formë nxisin interesimin për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë.

Ndërsa, ministrja Nagavci thoshte se me këtë Udhëzim, studentët e nivelit Bachelor dhe Master do të lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë, përfshirë këtu edhe pagesat për provimin pranues dhe provimet diferenciale./KultPlus.com

Marrëveshje për rifunksionalizimin e Sahat Kullës

Sot u nënshkrua marrëveshja për bashkëfinancimin e restaurimit të Sahat Kullës, me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, përcjellë KultPlus.

Sahat Kullla, si një prej monumenteve me të shquara të trashëgimisë kulturore në Prishtinës, shumë shpejt pritet të rifunksionalizohet duke rikthyer kujtimet e së kaluarës sonë të përbashkët.

Projekti po realizohet me propozimin e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, nën mentorimin e profesoreshës Florina Jërliu dhe asistentit të saj Rron Beqiri dhe do të implementohet bashkë me organizatën CHWB./ KultPlus.com