“Edhe dielli më pengonte”, viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë rrëfen historinë e saj

Historia e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është po aq e panjohur sa edhe numri i saktë i këtyre rasteve.

Traumat e tyre të patrajtuara i kanë vuajtur në disa raste edhe fëmijët e tyre. Radio Evropa e Lirë ju sjell rrëfimin e një nëne, e cila këtë ngjarje, më tragjiken, të jetës së saj e ka mbajtur sekret. Megjithatë, ajo ia doli. Forcën e gjeti te bashkëshorti dhe fëmijët e saj.

Akrepat e orës në dhomën e vogël, por shumëngjyrëshe, tregonin kalimin e kohës. Por, për Yllkën, të veshur në ngjyrë kafe dhe të zezë, shpeshherë koha kthehet në vitin 1999, kur ajo ishte 18 vjeçe.

Të vetme në shtëpinë e familjes diku në rajonin e Llapit, Yllka dhe një familjare e saj, Drita, ishin përballur me forcat serbe. Atë ditë, Yllka ishte dhunuar në shtëpinë e saj.

“Te dera e shtëpisë kur shkoja [pas luftës], e kisha një ndjenjë… Por, mundohesha ta fshihja, që të mos e merrte vesh askush. Më vonë, i patën ndryshuar disa gjëra në shtëpi dhe nuk më dukej më si i njëjti vend”, rrëfen Yllka.

Me buzëqeshjen që i reflektohet edhe në sytë herë-herë të përlotur, Yllka tregon se, si fëmijë, ajo kishte qenë e hareshme, energjike dhe me shumë ëndrra për të ardhmen.

Ndërsa, duke pëshpëritur e me zërin që i mbytet nën tingujt e akrepave të orës, ajo tregon se si ajo ditë, 24 vjet më parë, ia ndryshoi jetën.

“Gjithçka kam pasur përpara. Por, lufta më shkatërroi”, thotë Yllka.

“Për një kohë, nuk kam qenë shumë mirë. Gjithçka më ka penguar, edhe dielli kur dilte. Nuk doja as diellin ta shihja me sy, as dritë, as asgjë”, shton ajo.

Para se ta përjetonte dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, Yllka ishte takuar me një djalë, Endritin. Kur lufta përfundoi, ai kërkoi ta takonte sërish Yllkën, por fillimisht nuk pati sukses.

E shkatërruar nga ajo që kishte përjetuar, Yllka thotë se nuk donte ta takonte askënd nga frika se sekreti i saj do të zbulohej.

Por, më vonë, Endriti arriti ta bindte familjaren e Yllkës, Dritën, të takoheshin të tre së bashku – të vetmit persona që dinin sekretin e Yllkës.

“Unë ndihesha sikur ai po dilte veç për ta parë se si jam bërë. Mendoja se nuk ka asgjë prej kësaj pune”.

Por, ai ka bërë gjithçka për mua. Atë e kam pasur gjithçka, dashuri dhe gjithçka, krah për t’u mbështetur”, thotë ajo.

Deri më sot, Yllka dhe bashkëshorti i saj nuk e kanë diskutuar kurrë atë që i ka ndodhur asaj gjatë luftës.

Për Yllkën, kjo ka qenë përkrahja më e mirë që mund t’ia kishte dhënë ai.

“Kur e kam pasur ndonjë moment të keq, më ka kapur vaji, kam qarë aq shumë deri sa gati jam alivanosur. Mundohesha shpirtin ta qes prej gojës. Ai trokiste në derë, dilte në dritare. Më thoshte ‘hajde shkojmë te një mjek ose dalim në qytet’. Nuk i interesonte çka mund të thonë komshinjtë”, shton Yllka.

“Mos t’i kisha fëmijët, do të çmendesha krejt”.

Ajo ndien dhimbje për gratë që nuk kanë gjetur përkrahjen e burrave të tyre.

“Mua ma ka dhënë Zoti… siç thonë, ku është terr, bie dritë. Por, jo për të gjithë. Për disa, ku ka qenë terr, është bërë natë krejt. Por, pse?! Ajo nuk ka dashtë, duhet ta kuptojnë… cila grua do që t’i bëhet ajo e zezë?”, rrëfen 42-vjeçarja.

Përveç te burri i saj, Yllka ka gjetur forcë edhe te pesë fëmijët e tyre.

“Si thuhet, nënat janë shumë të forta, prej gurit. Nganjëherë them se mos t’i kisha fëmijët, do të çmendesha krejt”, thotë ajo.

Por, Yllka tregon se është shqetësuar shpeshherë për mirëqenien e fëmijëve të saj, nga frika se mos i është bartur edhe atyre trauma që ajo ka përjetuar.

Një hulumtim i prezantuar në muajin mars 2023 nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Institutin Danez Kundër Torturës, ka zbuluar se fëmijët e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë kanë nivele më të larta të kortizolit – hormonit kryesor që bën rregullimin e stresit.

Për këtë arsye, kjo organizatë joqeveritare kishte nisur një projekt ku përveç terapive individuale, viktimave të dhunës seksuale iu ofrohej edhe terapia familjare.

Yllka e kishte shfrytëzuar këtë mundësi, duke sjellë fëmijët e saj në këtë qendër – por pa u treguar se pse po vinin.

“Pas terapisë familjare, edhe vetë kam qenë më e qetë. Sepse gjithmonë e kam pasur një brengë mos po më fshehin diçka. Por, pastaj psikologja më ka thënë që janë në rregull dhe ato seanca më kanë pëlqyer shumë”, thotë ajo.

Dhjetë seancat e terapisë familjare ishin zhvilluar për klientët gjatë vitit të kaluar, ndërsa Yllka ka katër vjet që mban seanca individuale me psikologet e QKRMT-së.

“Në fillim ka qenë shumë vështirë ta shpalos ngjarjen që më ka ndodhur. Në atë kohë më dukej që e kisha përjetuar ato ditë. Tash, për fat të mirë, këtu ndihem si në familje”, tregon Yllka. Ajo thotë se këto seanca e kanë ndihmuar “të ringjallet”, teksa tregon se më nuk ndihet “e shkelur dhe në siklet” sa herë që dikush e shikon rrugës. Më parë, shikimet e tilla e frikësonin pasi që mendonte se ata e kishin kuptuar sekretin e saj.

“Kur kam ardhur këtu, kam parë edhe shumë gra të tjera. Më kanë thënë që nuk je ti e vetmja dhe pastaj kam thënë ‘në rregull, s’qenkam veç unë’. Dhe, pastaj ka qenë krejt shumë më mirë. Tash ndihem sikur… Oh Zot, sikur kam lindur për së dyti”, tregon Yllka.

Ajo shton se po të kthehej prapa, do të kishte dashur t’i niste seancat me psikologë shumë më herët sesa që e ka bërë.

Një gjë të tillë ua rekomandon edhe të mbijetuarve të tjerë, pasi që thotë se te ajo ka pasur ndikim shumë të mirë.

“Edhe fëmijët e kanë vërejtur ndryshimin tek unë, sidomos të mëdhenjtë. E kanë vërejtur që tash jam më e qetë dhe më kanë thënë ‘sa mirë je tash nënë, kemi menduar se do të jesh gjithmonë si më parë’”, tregon Yllka.

Yllka nuk planifikon ta ndajë sekretin e saj asnjëherë me fëmijët dhe familjarët e tjerë, pasi që thotë se nuk dëshiron që ata të mërziten për atë që i ka ndodhur asaj. Por, prapëseprapë e sheh si shumë të nevojshme që secila viktimë ta ketë dikë me të cilin mund të flasë për përjetimet e veta.

“Çdo hall… kur e flet me dikë të besueshëm, të ndihmon. Të duket sikur ta largon të gjithën”, shton ajo, duke treguar se e ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Selvi Izeti, psikologe në QKRMT, thotë se trajtimi i traumave të shkaktuara nga dhuna seksuale duhet të jetë i vazhdueshëm.

Ajo tregon se kërkesat për seanca individuale rriten veçanërisht kur raportohet në media për raste të dhunës seksuale, kur nisi lufta në Ukrainë dhe gjatë periudhës kur kishin nisur bombardimet e NATO-s meqë në atë periudhë ka pasur më së shumti raste të dhunimeve.

Vetë termi ‘dhunë seksuale’ është nxitës i traumës për të mbijetuarit, sepse menjëherë ua kthen atë pasigurinë që e kanë ndier kur ka ndodhur ngjarja traumatike”, thotë Izeti.

Përveç punës që e ka bërë që nga viti 2007 në QKRMT me të mbijetuarit e dhunës, ajo e cilëson si shumë të rëndësishme punën që është bërë së fundi përmes terapisë familjare.

Për neve ky ka qenë një rezultat shumë domethënës sepse kemi bërë ndryshime jo vetëm në jetën e nënës, por edhe të fëmijëve. Po mundohemi ta këpusim zinxhirin e bartjes së traumës”, thekson ajo.

Në vitin 2014, Kosova kishte miratuar një ligj për t’ia njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të përdhunuar, duke ua mundësuar kështu atyre një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

Së fundi, afati për të aplikuar për njohjen e këtij statusi është shtyrë edhe për dy vjet të tjera, deri më 2025. Deri më tani, këtë status e kanë gjithsej 1.451 persona.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

QKRMT-ja ka të dhëna për rreth 900 viktima. Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive./REL

Emrat që lidhen me rrëfimin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, janë vendosur nga redaksia e REL-it për të ruajtur identitetin e të mbijetuarës.

Marsh në New York për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Vasfije Krasniqi – Goodman do të niset javën tjetër drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në marshin që do të organizohet më 28 tetor para Konsullatës së Serbisë në Nju Jork, për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Krasniqi – Goodman është gruaja e parë në Kosovë që treguar hapur se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në mars të këtij viti, ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka thënë se prioritet do ta ketë luftën për të drejtat e njeriut dhe viktimat e luftës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 21 tetor, ajo ka treguar se në marsh do të marrin pjesë edhe viktima të dhunës seksuale nga Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, transmeton KultPlus.

“Marshi është iniciativë e këshilltarit të qytetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj. Jemi duke bashkëpunuar që organizimi të dalë sa më mirë dhe viktimat të kërkojnë drejtësi para Konsullatës së Serbisë në Nju Jork”, ka thënë ajo.

Marshin e kanë përkrahur shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe artistë të fushave të ndryshme.

Së fundmi, me thirrjen (Marsh për drejtësinë e saj) #rallyforherjustice është parë në duar edhe artistja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa.

Krasniqi – Goodman ka thënë se është gëzuar shumë kur e parë thirrjen e Lipës.

“Për mua është shumë diçka e madhe kur më përkrah një yll botëror si Dua Lipa dhe emocionohem kur flas për të”.

“Flas me viktimat çdo ditë”

Vasfije Krasniqi – Goodman është nderuar më 2018 me çmimin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”, pas historisë që ka ndarë me botën për atë që ka përjetuar gjatë luftës.

Tani kur vetë është pjesë e institucioneve publike të Kosovës, ajo ka thënë gjatë intervistës se e gëzon fakti që viktimat kanë një zë që i përfaqëson dhe se asaj i drejtohen më lirshëm për t’i ndarë përjetimet e luftës.

“Unë flas me viktimat çdo ditë. Jam në kontakt të vazhdueshëm me to. Pavarësisht se a janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, apo viktima të ditëve të sotme. Ato e gjejnë mbështetjen tek unë dhe kanë besim të flasin lirshëm. Unë i kuptoj ato me çfarë ballafaqohen”, ka theksuar ajo.

Më 5 korrik të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq, për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky njëherësh ka qenë rasti i parë që dikush është dënuar për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Ajo ka thënë se është e shqetësuar me rastet e fundit të dhunimeve në Kosovë ndaj vajzave të mitura, duke përmendur edhe rastin e fundit, për të cilin autoritetet dyshojnë se një person ka dhunuar një 12-vjeçare.

Krasniqi – Goodman ka thënë se për përdhunuesit duhet të ketë dënime më të larta.

“Unë kam biseduar një ditë më parë me ministren e Drejtësisë (Albulena Haxhiu) që të ndryshohet neni që ka të bëjë me këto raste. Dënimi nuk është i mjaftueshëm. Dënimet janë shumë të ulëta për këto raste. Dhunuesit duhet ta dinë se mjaft është mjaft dhe duhen të marrin dënimin e merituar”.

Ajo ka thënë se e sheh të arsyeshme që autoritetet t’i publikojnë emrat dhe mbiemrat e dhunuesve.

“Në Kosovë zakonisht faji po mbetet te viktimat dhe jo te dhunuesit. Kur ata (dhunuesit) të dalin me emra dhe mbiemra dhe të turpërohen, besoj se do të ketë ndryshim shumë të madh”.

Sipas nenit 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, në luftën e fundit në Kosovë janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë persona nga pjesëtarë të forcave serbe.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, janë dhunuar më shumë se 20.000 gra, ndërkaq deri në prill të këtij viti janë dënuar vetëm rreth 160 kryerës të kësaj vepre penale.

Sa i përket Kroacisë, autoritetet ende nuk kanë dalë me shifra të sakta për këto viktima. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Rreth 400 gra dhe 12 burra me statusin e viktimës së dhunës seksuale

Më shumë se 1050 persona kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999). Aplikimet kanë filluar të paraqiten që nga muaji shkurt i vitit të kaluar, kur edhe ka filluar zbatimi i ligjit përkatës për këtë kategori.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se nga numri i përgjithshëm i atyre që kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale, deri më tani janë trajtuar 598 raste, kurse 406 viktima, nga to 394 femra dhe 12 meshkuj, tashmë kanë pranuar benificionet e njohura me ligj.

Përdhunimet, konsiderohen ndër krimet më të tmerrshme që njeh njerëzimi dhe të cilat, si në shumë vende të botës ku kishte apo ka luftëra e konflikte, ndodhën edhe në Kosovë gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 .

Një nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ishte Vjollca (emri i njohur për redaksinë). Ajo më herët ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë se në vitin 1998 ishte dhunuar nga pjesëtarë të forcave serbe.

Rrëfimi i saj ishte rrëqethës. Ajo tregon se në atë kohë, gjashtë policë, për tre ditë e kishin dhunuar atë. Më pas e kanë futur në një kamion me shumë kufoma, ku thotë se kishte përjetuar tmerr të vërtetë.

“Ngjarja ka ndodhur kur unë e kam dërguar fëmijën në spital, pasi e kam me paralizë. Pasi kam dalë, i gjithë vendi ka qenë i rrethuar me policë. Atë ditë ma kanë marrë burrin dhe e kanë vra. Unë mbeta me fëmijët. I kisha tre fëmijë me vete. Hyra në shtëpinë e dajës së burrit për të shpëtuar. Por, edhe aty hynë policia, dhe të gjithë i qitën jashtë shtëpisë. Vetëm mua më ndalën në shtëpi. Më kanë dhunuar 6 policë, për tri ditë rresht”, rrëfen Vjollca.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Për të lehtësuar sado pak gjendjen e kësaj kategorie, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë thotë se deri në fund të muajit qershor, nga numri i përgjithshëm i aplikimeve që arrin shifrën prej 1057 sish, statusi u është pranuar 406 vetave, në pritje për trajtim janë edhe 459 raste, janë refuzuar 152 aplikacione dhe në proces janë 55 raste.

Ajo tregon se afati përfundimtar për të parashtruar kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale, është pesë (5) vjet nga fillimi dhe zyrtarizmi i punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Ky komision ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës, vazhdimisht ka ndihmuar në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale. Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e kësaj qendre, konsideron se krahasuar me numrin e përgjithshëm të viktimave, numri i aplikimeve është jashtëzakonisht i vogël.

Rushiti kërkon edhe nga familjarët që t’i inkurajojnë dhe ndihmojnë viktimat që të realizojnë të drejtën e tyre që iu takon me Ligj.

“Natyrisht që numri është i vogël. Por, pasi procesi ka filluar vetëm një vit më parë, ky numër ka qenë i pritshëm për faktin se shumica e rasteve që tani janë në Komision, janë raste që kanë qenë duke u trajtuar paraprakisht më herët në organizatat joqeveritare. Tashmë është në pritje një numër tjetër, pasi rreth 1500 raste trajtohen në katër nga organizatat që merren më këtë çështje”, thekson Rushiti.

Organizatat që merren me të drejtat e njeriut kanë tërhequr vërejtjen për dukurinë e paragjykimeve ndaj këtyre viktimave.

Përtej këtyre paragjykimeve, Vasfije Krasniqi-Goodman është një prej viktimave të rralla të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila ka rrëfyer publikisht historinë e saj që i ka ndodhur 19 vjet më parë.

Ajo ka rrëfyer historinë e saj edhe në një seancë të mbajtur në muajin prill në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara, me temën: ”Viktimat e luftës në Kosovë”.

Aty, në emër të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, ajo ka kërkuar nga Kongresi amerikan që të adresojë pandëshkueshmërinë e krimeve të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut që janë kryer në Kosovë.

Gjatë një debati të mbajtur këtë javë në Prishtinë, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava ka kërkuar që të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës të mos paragjykohen, duke shtuar se ato janë të pafajshme. Tërnava tha se kjo kategori e shoqërisë duhet të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësi, duke filluar nga familja e deri tek institucionet më të larta shtetërore.

“Sipas fesë islame nëse një veprim bëhet me imponim nuk konsiderohet mëkat. Të dhunuarit sipas fesë islame kanë tretmanin e të ndershmëve”.

“Jemi të obliguar nga Zoti dhe kemi detyrim shtetëror dhe nacional që këtë kategori ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht, ta rehabilitojmë në familje dhe rrethe. T’i integrojmë në institucione dhe shoqëri, sepse ato mbi veten e tyre nuk mbajnë asnjë fije faji sepse ato nuk e kanë zgjedhur këtë dhe as që e kanë dëshiruar. Ato thjesht janë viktima të pamundësisë sonë për t’i mbrojtur dhe ruajtur nga personat dhe pushtuesi dhunues”, tha Tërnava.

Përderisa në Kosovë janë krijuar mekanizma ligjorë për t’i ndihmuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale, kjo kategori po kërkon edhe drejtësi ndërkombëtare.

Në muajin prill Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare.

Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara me shumicë serbe. Synim i këtij peticioni ka qenë dhe mbetet që, siç thuhet, “kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë”, të dalin para organeve të drejtësisë./REL / KultPlus.com