22 vjet nga masakra në Abri të Epërme, ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu

Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com

YIHR organizon aksion rrugor për Diten e Paqes, kërkohet vetëdijësim nga qeveria dhe qytetarët për të pagjeturit e luftës

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë përmes një aksioni rrugor i rikujtoi shoqërisë kosova si dhe qeverisë se nuk do të mund të arrihet paqja e qëndrueshme nëse vazhdojmë të rrijmë ‘sy mshelë’ ndaj çështjeve që lidhen me të kaluarën tonë.

Të gjithë të veshur me të zeza, me sy të mbyllur e me pankarta në të cilat shkruhej ‘’Sy mshelë në ‘Paqe’’, ‘S’ka Paqe pa Drejtësi’ dhe shifra të të vrarëve, të dhunuarve dhe të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë YIHR KS zhvilloi aksionin rrugor, duke i rikujtuar kështu qeverisë se ka përgjegjësi ligjore dhe morale për të trajtuar me seriozitet çështjet e lidhura me luftën duke përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës, personat e pagjetur, viktimat civile, viktimat e dhunës seksuale, dhe kriminelët e luftës. Njëjtë, shoqëria kosovare duhet të ketë përgjegjësi kolektive për të njohur dhe mos harruar asnjëherë faktet e së kaluarës.

Drejtoresha ekzekutive e YIHR, Marigona Shabiu vlerëson se nuk është bërë mjaftueshëm për këto kategori dhe se e kaluara duhet të mësohet pa mite, duke respektuar viktimat pa gjykime etnie.

“Ne si organizatë po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes me mesazhin që ne jemi sy mbyllur në paqe, për vetë faktin se nuk kemi trajtuar të gjitha krimet e luftës dhe nuk kemi sjellë drejtësi për viktimat e luftës nga të gjitha komunitetet’’, thekson Shabiu.

Përderisa nisma ‘’Sy mshelë në paqe’’ ka për qëllim rëndësinë e ballafaqimit me kaluarën, institucionet kritikohen se nuk kanë bërë aq sa duhet.

‘’Ne dëshirojmë ta kritikojmë Qeverinë dhe t’i bëjmë presion në mënyrë që t’i kthejnë sytë nga e kaluara dhe të ballafaqohen me të me seriozitetin e duhur’’, u shpreh për KultPlus koordinatorja Bjeshka Guri.

Ndërkaq aktivisti Bestar Krasniqi nga të gjitha grupet e luftës veçon të pagjeturit, të cilët për Krasniqin mbeten arsye për mos festim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.

‘’Nuk mund të kemi paqe, as ta festojmë ne këtë ditë duke e ditur se ka mijëra të pagjetur, e mijëra familjarë të cilët nuk e dinë se ku janë të dashurit e tyre’’, theksoj aktivisti i YIHR.

Nga lufta e fundit në Kosovë janë vrarë mijëra shqiptarë, janë dhunuar burra dhe gra, ndërkaq ende shumë mbesin të pagjetur, ndërkaq në njoftimin e ngjarjes nga organizata bëhet e ditur se përmes aksioneve simbolike, YIHR KS do të mbaj aktuale këtë temë derisa ajo të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Ky aksion rrugor u realizua nën mbështetjen e USAID dhe NED. / KultPlus.com

Gruaja e Adem Jasharit e cila në kohë lufte barte municione dhe luftonte

Për figurën e Adem Jasharit kemi dëgjuar shumë, ai ka qenë dhe vazhdon të mbetet heroi i luftës së fundit në Kosovë, mirëpo pak kanë dëgjuar për gruan e tij, Adilen, shkruan KultPlus.

“Të gjithë e njohin Adem Jasharin, por askush nuk e njeh gruan e tij, Adilen, e cila në kohën kur po luftonte Ademi, ajo barte municion dhe luftonte gjithashtu. – Ana Di Lellio(sociologe italiane)

Adile Jashari lindi më 10 maj të vitit 1957, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Shkollën tetëvejeçare, Adilja e kreu në fshatin e lindjes, në Akrashticë. Rreth moshës 20-vjeçare martohet me Adem Shaban Jasharin e Prekazit.

Më 22 janar të vitit 1998, sapo kishte ngrënë syfyr me familjarët, kur papritmas breshëria e armëve të forcave serbe kishte goditur kullën. Në ditët më vendimtare të historisë sonë më të re, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Adilja, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes ndodhet në Kullën e Qendresës.

Përveç burrave, të cilët kishin zënë pozicione dhe luftonin, ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, ndodhej në bodrumin e fortifikuar, ku ndihmonte dhe i furnizonte me municion luftëtarët e familjes. / KultPlus.com

Dua Lipa i tregon botës për vështirësitë e refugjatëve nga lufta e fundit në Kosovë

Ditë më parë, më 20 qershor u shënua Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve.

Personazhe të famshëm nga mbarë bota kanë kujtuar ata që vuajnë më së shumti në mungesë të kushteve elementare, e që shpesh janë refugjatët në vende të huaja.

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është një nga yjet e famshëm të tregut ndërkombëtar, e cila rrjedh nga një familje refugjate.

Familja e saj u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova, në vitet ‘90.

Ka qenë babai i këngëtares, Dukagjin Lipa, ai i cili në një sërë fotografish prekëse të publikuara në rrjetin social, ku shfaqen refugjatët nga lufta e fundit në Kosovë dhe ata sirianë që Dua vizitoi një vit më parë në Liban, ka shkruar disa fjalë për refugjatët.

“Dje ne kujtuam kohën kur para 21 vitesh mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u nxorën nga shtëpitë dhe u larguan nga vendi i tyre, si shkak i fushatës brutale të spastrimit etnik nga forcat serbe në Kosovë. Në të gjitha “Ditët Botërore të Refugjatëve”, dhe në çdo ditë tjetër ne do të jemi pranë refugjatëve dhe njerëzve të shtypur në vuajtjen e tyre. Shpërndani dashuri, jo luftë.”

Ky postim është shpërndarë më pas nga Dua Lipa, e cila u ka treguar mbi 47 milionë njerëzve që e ndjekin në Instagram, situatën e tmerrshme në të cilën ndodhej vendi i saj dikur dhe padyshim peripecitë e saj si emigrante.

Ndonëse Dua ka lindur në Britani të Madhe, pasi prindërit e saj emigruan gjatë luftës, në 2006 ajo është rikthyer në Kosovë, për tu larguar më pas sërish drejt Mbretërisë së Bashkuar ku edhe arriti majat. / KultPlus.com

Ekspozita e Ridvan Slivovës pasqyron ngjarjet e viteve 98-99, thirrje që të ruhet historia

Bujar Meholli

Fotografinë artistike e dallon forma ose koncepti, pra një artist gjithmonë ka ngacmim estetik ose konceptual. Siç dihet, arti fotografik është tejet i rëndësishëm. Të jesh fotoreporter është natyrisht më e vështirë, sepse një fotoreporter ngarkohet t’i përcjellë ngjarjet përmes fotografive, rrjedhimisht të merr pjesë edhe vet në to, shkruan KultPlus.

Emri i Ridvan Slivovës është tashmë i njohur për publikun shqiptar. Fotoreporteri Slivova e ushtron këtë profesion për mëse 30 vjet. Pjesëmarrës në shumë ekspozita e bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave. Përgjatë kësaj periudhe me aparatin e tij, ai arriti të përjetësoi shumë ngjarje të rëndësishme, në të cilat qe prezent.

Specifikisht, në luftën e fundit në Kosovë gjatë viteve 98-99, ai arriti t’i nxjerr disa fotografi të cilat sot i ekspozoi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Dhe këtë Slivova vendosi ta bëjë pikërisht në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita që u organizua me rastin e këtij përvjetori mban titullin “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”. Ky titull domethënës e kthen shikuesin në retrospektivë, dhe ia ngjallë ato kujtime të dhimbshme, kur kosovarët e detyruar nga gjenocidi serb ikin dhe braktisin vendlindjen. E kush më mirë mund t’i përjetësoi këto dyndje të shqiptarëve sesa aparati fotografik i Slivovës?

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku e hapi ekspozitën, i ngazëllyer dhe krenar për bashkëpunimin me Slivovën.

“Jemi mbledhur për ta hapur këtë ekspozitë, dhe për t’i shprehur mirënjohjen e sinqertë fotografit Slivova, që ka qenë çdoherë i gatshëm për bashkëpunim, ai i ka realizuar këto fotografi në periudha shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha Gajraku.

“Mendoj se është ekspozitë e rëndësishme, dhe i nxis edhe individët tjerë që t’i shfaqin materialet që i kanë në arkivat e tyre”, vazhdoi ai.

“Dëshirojmë të kemi këso bashkëpunime dhe ndërgjegjësime, është me rëndësi jetike që të pasqyrohen ngjarje të tilla të historisë së Kosovës në mënyrë që të ruhet kujtesa” përfundoi drejtori Gajraku.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e cila vlerësoi artin e Slivovës dhe organizimin e ekspozitës.

“Kjo veprimtari kujton kohën e luftës së Kosovës dhe mbijetesën e popullit kosovar në atë tragjedi. Përmes këtyre fotove shohim fuqinë e artit dhe paraqitjen e realitetit, njëkohësisht përçimin e mesazhit të fortë, që ta kujtojmë atë kohë”, potencoi Dumoshi, duke premtuar mbështetje për organizime të tilla.

“Ky dokument me foto e ngjarje gjatë atyre viteve është dëshmi që paraqet solidaritetin, mallin për vendlindjen, një realitet për ata që e përjetuan atë kohë”, përfundoi ajo duke falënderuar Bibliotekën dhe duke nxitur bashkëpunim në organizime të tjera.

Edhe Sazana Çapriqi, kryesuese e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar, u shpreh e lumtur për jetësimin e kësaj ekspozite.

“Një popull që nuk e mban mend historinë e tij, është i dënuar t’i përsëritet historia” pohoi ajo. Çapriqi e konsideroi të rëndësishme ekspozitën derisa falënderoi Slivovën për angazhimin.

“Angazhimi i artistit Ridvan Slivova për të kontribuar ishte i madh, dhe mendoj se është inkurajues edhe për artistët tjerë. Të gjithë e kemi për detyrë ta ruajmë të kaluarën dhe ta përcjellim te gjeneratat e ardhshme”, potencoi ajo.

Para se ekspozita të jetë e qasshme për publikun, fjalën e mori vet autori Slivova, i cili tha se është shumë i lumtur për interesimin dhe mundësinë e ofruar për ta jetësuar këtë ekspozitë.

“Ndihem mirë që m’u dha mundësia ta shfaq punën time”, tha ai fillimisht.

“Në ato vite, isha edhe vet mes popullatës dhe për mua ishte e vështirë. Këtu shihet largimi i popullatës nga fshati, më vonë edhe gëzimi me ardhjen e KFOR-it dhe kthimi i tyre do të thosha në gërmadha, në shtëpitë e shkatërruara”, u shpreh Slivova duke përfunduar.

“E fundit që do të dëshiroja të jetë storie e përfunduar është ajo për të pagjeturit”, tha ai duke i ftuar të interesuarit t’i shohin fotot e ekspozuara.

Ekspozita tashmë është e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe qysh në fillim ka zgjuar interesimin e shumë njerëzve, i cili pritet të dendësohet në vazhdim. /KultPlus.com