Vdes gazetarja Zenepe Luka

Ka vdekur nga Covid-19, gazetarja e shquar nga Vlora, Zenepe Luka.

Zenepe Luka (Çekrezi), lindi në Librazhd, ku mori edhe arsimin tetëvjeçar. Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua gazetare.

Profesionin e gazetares e nisi në revistën “Shqiptarja e Re”, për të vijuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri”, më pas në gazetat e përditshme “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj.

Është e para gazetare e RTSH në terren, që u vendos në Elbasan duke mbuluar edhe rrethet Gramsh e Librazhd. Kontribut të veçantë ka dhënë në qytetin e saj të lindjes, ku për shumë vite ka punuar si lektore, hulumtuese në Muzeun Etnografik dhe në të njejtën kohë edhe gazetare e gazetës “Bashkimi”.

Nga viti 1994 deri në vitin 2004, ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë” për Vlorën, më pas në gazetat “Ballkan” dhe “Telegraf”. Ka vazhduar të punojë si gazetare e lirë në gazetat “Koha Jonë”, “Dita”, ”Shqiptarja.com” dhe organe të tjera në Diasporë.

Në maj të vitit 2020,mbushi 47 vjet karrierë si gazetare në terren me 12.000 shkrime të botuara, ku dominojnë zhanret e intervistës, reportazhit, kronikës,etj.

Një ngjarje që mbahet mend në karrierën e saj është venndosja e tritolit në banesë më 10 maj të vitit 1998, ku u shkatërrua banesa dhe u plagosën dy fëmijët.

Zenepe Luka është vlerësuar nga këngëtari i madh Italian Al Bano Karrisi,që i ka akorduar Premion” Zenepe Luka është Oriana Falasci shqiptare”.

1 vit më parë është vlerësuar nga Unioni i Gazetarëve me çmimin “Petro Marko” . / KultPlus.com

‘Libër për Angjelina Aranitin’, motrën e Donika Kastriotit nga Zenepe Luka, vlerësohet me medaljen ‘Mirënjohja’

Në Vlorë u prezantua libri “Angjelina Arianiti Komneni – Shpirti i shenjtë i Arbërisë” i botuar nga gazetarja Zenepe Luka në 500 vjetorin e vdekjes së saj.

Mes të pranishmëve ishte edhe ministrja e Ekonomisë Anila Denaj dhe kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli.  Zenepe Luka u vlerësua me medaljen “Mirënjohja” si mbështetës i vazhdueshëm i punës së autores dhe të gjitha zonjave të fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”.

Kreu i bashkisë Dritan Leli shprehu fjalët më të ndjera dhe vlerësuese për Zenepe Lukën duke e cilësuar si një krenari dhe nder për qytetin. Edhe pse i thërret “Vlonjatja e Importuar”, kryebashkiaku i Vlorës Leli shprehet se ky libër mbart në faqet e saj gjak shqiptari dhe ndjesi atdhetare dhe për këtë secili duhet ta ketë në bibliotekën e tij.

Biseda me ju është një kënaqësi e veçantë dhe ftesa që vjen nga ju është më e privilegjuar. U folën dhe thanë fjalë të ndjera për librin dhe sakrificën e bërjes së librit që nuk mund të ishte ndryshe nga emri i spikatur i një vlonjate e importuar  si Zenepe Luka. Të kesh në bibliotekë këtë libër të shkruar me kaq pasion nga Zenepeja është të kesh pak gjak shqiptari të shkruar në faqet e këtij libri. Qyteti i Vlorës është i nderuar që ka një vlerë si Zenepja dhe kjo na bën krenar të gjithëve”, tha Leli

Batutat dhe të qeshurat nuk munguan mes Diritan Lelit dhe Zenepe Lukës.

“Këngëtari italian Albano Carrisi ka një dashuri shqiptare që është Zenepe Luka dhe një ndjesi  shqiptare që është të qenit qytetar i Vlorës’, tha Leli

Ndërsa gazetarja Luka tha se kryebashkiakun e Vlorës nuk e do vetëm ajo por të gjitha gratë e fondacionit të saj.

“I dashur kryetar nuk të dua vetëm unë, por të gjithë gratë e fondacionit. Në rastin tuja jemi krenar që je kryetar i qytetit, pasi kur të do qytetari dhe për më tepër gruaja do të thotë që e ke bërë detyrën mirë“, tha Luka. /shqiptarja/ KultPlus.com

Presidenti Thaçi dekoron Margarita Xhepën, Tinka Kurtin dhe Zenepe Lukën (FOTO)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.

“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.

“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.

Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave./ KultPlus.com