Keanu Reeves dhe Jonah Hill në një film bashkë

Aktorët e famshëm hollivudianë, Keanu Reeves dhe Jonah Hill, do të luajnë në një film të quajtur Outcome.

Filmi i ri nga Apple Studios për autorë të skenarit ka pikërisht Hillin dhe Ezra Woodsin, teksa ky i pari njëherësh do ta bëjë edhe regjinë.

Outcome është përshkruar si një tregim i errët hollivudian sipas The Hollywood Reporter.

Reef, luajtur nga Reevesi, është një aktor i trazuar hollivudian i cili duhet të përballet me të kaluarën e tij në momentin që kalon nëpër një krizë në karrierën e tij.

Muaji i Kinematografisë, Margariti: Mirënjohje të gjithë aktorëve

Me filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”, një prodhim i vitit 1978, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh mirënjohje të gjithë aktorëve të kinematografisë shqiptare, të cilët, siç sipas saj, dhanë më të mirën në kushte të jashtëzakonshme.

Filmi “Nusja dhe shtetrrethimi” mban firmën e 2 regjisorëve, Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro. Skenari është vepër e Helena Kadare ndërsa muzika, e të madhit Kujtim Laro.

Për rolet kryesore regjisorët kishin përzgjedhur Rajmonda Bulkun, Kastriot Çaushin, Sotiraq Bratkon e të tjerë, por vlen të veçohet aktrimi i Llazi Serbos, në rolin e oficerit gjerman.

Filmi tregon për Shpresën, që shkon në një shtëpi bashkëpunëtorësh të fashizmit për të shitur qëndisma dhe kryen një atentat të rëndësishëm. Pas kësaj i duhet të dalë në ilegalitet e veshur si nuse. Për këtë ajo ndihmohet nga shokët me të cilët ka bashkëpunuar për atentatin. E veshur si nuse, Shpresa shpëton nga shtetrrethim.

12 filma mbajnë vulën e dy autorësisë regjisoriale Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Një bashkëpunim i pashoq në kinematografinë shqiptare, por diçka shumë e rrallë edhe në arenën ndërkombëtare, që 2 krijues të bashkëpunojnë kaq gjatë.

Ashtu si krijuesit edhe aktorët gjithnjë janë shprehur se kanë bërë të pamundurën për t’i shpëtuar indoktrinimit të periudhës diktatoriale, në Shqipëri. / atsh / KultPlus.com

Tre aktorët e parë shqiptarë që shkelën kinemanë evropiane

Midis dy luftërave, kur bota po përjetonte lirinë e ekranit, kur kinemaja amerikane, franceze dhe italiane po eksploronin… në trendet e reja të gjuhës së filmit, befas zbulohen tre emra shqiptarësh që shkelën të parët në kinemanë evropiane dhe atë hollivudiane; Aleksandër Moisu, Kristaq Antoniu dhe Eleni Qirici i japin zë historisë sonë kinematografike, ndërsa në Shqipëri shënonte xhirimet e para.

Në “paqen” midis dy luftërave botërore kinemaja amerikane, franceze e ajo italiane u bënë kronikat e kohës edhe për shqiptarët…Këtu sapo shënoheshin xhirimet e para filmike, dhe kompanitë po hapnin një e nga një kinematë. Kur xhirimet nuk merreshin përsipër nga shteti dhe as nga kompani prodhuese por nga njerëz që kishin prirje dhe vullnet individual, në këtë vend të Ballkanit, për herë të parë dëgjohet të flitet për shqiptarë të famshëm, sukses evropian apo botëror. Kamerat e vendosura për herë të parë në duart e shqiptarëve kërkonin figura dhe ndikime nga aktorë të mëdhenj të filmit për të luajtur një rol të fuqishëm në jetën kulturore kinematografike të shoqërisë shqiptare.

Mes viteve 1924 deri në vitin 1939, disa emra u shndërruan në emblemë të kulturës shqiptare jashtë vendit. Aleksandër Moisiun dhe Kristaq Antoniun po e ndiqte një emër i ri, në moshë mjaft të vogël, quhej Elena Qirici, e cila do të kthehej nga Australia ku lindi, në vendin e origjinës e të niste karrierën e saj në Korçë. “…Janë vite të konsolidimit të jetës kulturore shqiptare të mirëfilltë, gjallërimi i jetës koncertale dhe veprave të letërsisë moderne, pushtojnë ekranin yjet e kinematografisë botërore. Në periudhën midis dy luftërave botërore, ndihet ndikimi i kinemasë amerikane, franceze dhe italiane. Po kështu shqiptarët ndjekin kronikat e kohës, veçanërisht ato të xhiruara në Shqipëri. Befas në ekran, pranë emrave botërore shqiptarët kanë zbuluar edhe praninë e aktorëve shqiptarë që luajnë në filma të huaj”, shkruan Natasha Lako, nga kjo kronikë në librin e saj me ese “Energjia filmike”.

Moisiu ishte një nga aktorët më të mëdhenj në skenën e viteve ’30, duke u shfaqur në filmin e parë evropian me zë, kur brenda kësaj kohe një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike, u duk në qiellin e Rumanisë -shkruhej në vitin 1931 për Kristaq Antoniun.

Ndërsa aktorja tjetër që ka impresionuar publikun shqiptar është Elena Qirici. Siç është bërë e njohur tashmë, ajo është vajza e parë shqiptare që del në ekranin e madh, që e ka filluar jetën e saj artistike në skenat shqiptare. Pavarësisht gjendjes ku ndodhej Shqipëria dallon fakti i bashkëjetesës së shqiptarit me kinemanë ku edhe nisën të dalin karakteret e para.https://zeri.info/inarticle.html

“Me gjithë përpjekjet për çeljen e syrit kinematografik, pavarësia e shkurtër shqiptare, nuk mund të ofronte as mjete, as mundësi për t’u shprehur në imazhin shqiptar. Ishte politika vetizoluese e periudhës së diktaturës komuniste, që kërkoi që Shqipëria të plotësonte të gjithë nevojat e veta në një ekonomi të mbyllur, ku shqiptarët u vunë të prodhonin vetë gjithçka, duke përfshirë edhe filmin shqiptar”, shprehet Lako.

Moisiu, në filmin e parë evropian me zë

Përgjatë periudhës së lulëzimit të ekranit të lirë botëror, në Shqipëri shfaqen filma të aktorit të madh me orgjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut, i cili në kohën e Gjermanisë naziste dërgon kërkesën për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Në vitin 1902 Moisiu shkon të punojë në teatrin gjerman të Pragës dhe nga viti 1904 punon në Berlin, ku aktori bëhet dhe miku i regjisorit të madh Reinhard. Turnetë e tij në të gjithë skenat e Evropës dhe të Amerikës e shpallën si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës së viteve ’30. “I shquar për kombinimin e zërit të tij dramatik, si dhe për temperamentin e tij ekspresiv, A. Moiusiu ka luajtur në skenë figura të kryeveprave dramatike botërore si Hamletin e Shekspirit, Fedjan e “Kufomës së gjallë” të Tolstoit, rol që shënon zhbirime të thella brenda shpirtit të njeriut. Sigurisht që ky hero i skenës e ka sa të lehtë, aq edhe të vështirë të hyjë në fushën e re të betejave kinematografike”, veçon kineastja Natasha Lako kur bën historinë e kinemasë në Shqipëri në botimin e saj “Energjia filmike”.

Këtë talent të rrallë të skenës e fton në realizimet e filmave të parë evropian me zë. Në këtë profil Moisiu luan në filmin e parë evropian me zë të shtëpisë filmike gjermane “Das Scharce”, që realizohet gjatë viteve 1912-1913 dhe pas tij pasojnë “Sytë e Ole Brandis”, realizuar në vitin 1914, nga Deutsche Bioskop me regjisor Stellan Rey, “Kulizzenzauber Barckerss” në vitin 1915, “Biri i tij i vetëm”, regjisor Gartner, po në vitin 1915 tre filma të regjisorit Wellin, “Pique dame”, 1918, “Unaza e tre dëshirave”, 1918; “Ndërmjet vdekjes dhe jetës” 1920. Më pas Aleksandër Moisiu luan në filmin “Martesa e figaros” të regjisorit Mac (1920), si dhe “Dishepulli i djallit”, realizuar nga shoqëria amerikane Warner Bross, (1929), “Llozha e mbretit”, e regjisorit Bryan foy (1929), “Lorenc de Medici” të regjisorit Brignone, 1935. Sipas gazetës gjermane Allemagne Zeitung të 14 qershor 1929 thuhet se Aleksandër Moisiu interpreton Hamleton dhe deklamon në anglisht monologun “to be or not to be”.

Kristaq Antoniu, fama e  panjohur e “Hajducit”

Nuk i kushton shumë kohë, që koleksionisti Niko Kothere të jetë i gatshëm për të na zbuluar portretin origjinal të aktorit dhe këngëtarit Kristaq Antoniu. Pyetja e tij se në ç’kontekst na nevojiten fotot mban kuptimin e kësaj figure, që historia tashmë e ka futur në aktorët e parë shqiptar që hyn në ekranin evropian. Janë tre foto të rralla, origjinale të Antoniut, skanime të papunuara ku Kotherja na shpjegon, ashtu siç duket, se në njërën prej tyre është autografi i shënuar nga vetë aktori. Antoniu këngëtar, fillimet e karrierës janë si aktor. Një tjetër profil, imazh shqiptar që shfaqet në ekranin rumun dhe atë botëror.

Kristaq Antoniu lindi në vitin 1902 në një familje emigrantësh shqiptarë në Bukuresht dhe karrierën kinematografike e filloi kur ishte student i shkollës Mimo-dramatik. Roli i tij i parë realizohet në filmin rumun “Gjynahu i parë”. “Ka pak kohë që një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike u duk në qiellin e Rumanisë”, shkruan revista Minerva e vitit 1931. “Brilantissimo”, njoftojnë gazetat e kohës për interpretimin e përbashkët të Marcella Santinit dhe Kristaq Antoniut në operën “Kavaleri Rustikane” që shfaqet në Romë. Pas realizmit të filmit “Majori Mura”, 1927, si dhe dy roleve kryesore në filmat “Komiti” (Hajduci 1920) , e “Cokoj” (1931) , Kristaq Antoniu kthehet në Shqipëri ku vazhdon aktivitetin e tij si këngëtar lirik. “Në realizimet e figurave kryesore të filmave të luajtur prej tij, ndihet një ekspresivitet dhe një lojë elegante, ku aktori përpiqet të shprehë një botë të pasur shpirtërore, plot të papritura. Kristaq Antoniu ka një sy shumë ekspresiv do të thoshin shqiptaro-ballkanik…”, shkruan kineastja, Lako. Ai u bë një yll i filmit jo vetëm në Rumani. Mbas disa vitesh me një veprimtari intensive në kinematografi, Antoniu kreu një kurs specializimi në qendrën eksperimentale të kinemasë në Romë. Ndërsa në vitin 1939 luajti role në dy filma, të cilat fatkeqësisht nuk i përfundoi dot. Ai mbajti lidhje me shkrimtarin e njohur Viktor Eftemiu, që e kishte fis nga nëna. Në vitin 1940 bën një tjetër kurs specializimi, tashmë në kanto, po në Itali, në Firence. Pas përfundimit të kursit ai regjistroi në Itali në shoqërinë Columbia 15 këngë shqiptare, këngë popullore dhe krijime të kompozitorit Pjetër Dunga, i cili ishte edhe pianist, të cilat patën mjaft sukses.

Qirici, aktorja e parë në Hollivud

Nën kujdesin e prindërve, balerina dhe aktorja Elena Qirici pati fillimisht një karrierë modeste brenda Shqipërisë. Me këtë nuhatje, prindërit e saj e dërguan në Vjenë, ku u regjistrua në një shkollë dansi. Brenda tri muajve artistja kishte arritur të grumbullonte mjeshtëri, aftësi dhe besim duke e ftuar në skenat e Vjenës. Në këtë moment filluan të kërkonin interes mjaft qarqe artistike, kritika dhe shtypi vjenez. Shoqëritë e teatrove nisën ta kërkonin po ashtu, duke parë tek Elena “një burim të madh fitimesh”.  Janë vitet ’30. Pikërisht në një nga këto mbrëmje, iu shfaq oferta e parë, nga një shoqëri italiane shumë të njohur për kohën, “Fratelli Schwarz”, të cilët nënshkruan një marrëveshje gjashtëmujore me teatrin revistë “Bartoldissimo”.

Në këtë ansambël bënin pjesë 80 artiste, por Elena e vogël u bë protagoniste, duke i siguruar sukses shoqërisë që e kontraktoi. Turnetë në Itali me këtë trupë tërhoqën vëmendjen e shtypit të kohës, duke u kushtuar shkrime të gjata dhe ndër më të spikaturat ishte ajo me cilësinë ‘La picola grande diva” (vogëlushja diva e madhe). Kaloi kufijtë italianë duke u angazhuar në shoqërinë “ABC” të Parisit, duke interpretuar në krah të artistes së njohur Maria Dubas, për një periudhë të gjatë kohe. Nga skena parisiene shoqëritë kinematografike amerikane që udhëtonin nëpër botë për të “peshkuar” talentet, yjet për Hollivudin, u befasuan kur ndeshën shqiptaren Elena Qirici. Artistja u përgjigjet pozitivisht, duke u angazhuar tashmë në një prej shoqërive më të mëdha kinematografike amerikane “Metro Goldwin Mayer” (MGM). Brenda vitit, Elena xhiron në Hollivud dy filma, në role kryesore. Studiuesi Hoxha njofton se atje ajo filloi edhe një shkollë të edukatës fizike, dhe të kërcimit që ishte brenda ansamblit të shoqërisë filmike MGM, duke i dhënë më shumë potencë e mjeshtëri profilit të saj artistik. Në këto lartësi, si balerinë e këngëtare, akrobate me cilësi të larta aktrimi, Elena u vlerësua nga shtypi amerikan duke e barazuar me të famshmen balerinën amerikane të kohës Eleanor Powell.

Në vitin 1942, Elena rikthehet në Evropë, për filmin “Women of the day”, për të interpretuar së bashku me aktoren amerikane, Katherinë Hepburn. Në gjysmën e dytë të viteve ’80, janë përpjekjet e para për të shkruar profilin artistik të kësaj artisteje, dhe pas 90-s vjen më e zgjeruar biografia pothuaj e gjerë, por edhe enigmatike e Elenës, kur ndër të tjera thuhet se babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë… Pavarësisht kësaj, vite më vonë, më 1954 ajo shkon në Australi, në vendin ku kishte lindur nëna e saj. E tërhequr nga skena, pikërisht në momentin kulmor të këtyre sukseseve, në vitin 1965 kur kishte fituar aq emër e famë e lidhi jetën me Gerard Ford, djalin e Presidentit të mëvonshëm të Amerikës, John Fordit./mapo.al/ KultPlus.com

Aktoret që luajtën role meshkujsh

Aktorët e mirë janë të aftë të përdorin trupin dhe emocionet e tyre në maksimum, në mënyrë që të ofrojnë një shfaqje të bukur te shikuesit.

Nga ana tjetër, ata që janë me të vërtetë të talentuar arrijnë ta bëjnë audiencën të ndihet dhe të identifikohet me karakterin që kanë krijuar.

Dhe shenja e vërtetë e një aktori të jashtëzakonshëm është të jesh në gjendje të luash një personazh siç duhet, pavarësisht nga mosha, kombësia, gjuha, apo edhe gjinia e tij.

Më poshtë do të njiheni me 6 aktore të njohura që guxuan duke luajtur rolin e mashkullit në film. Ato e kanë luajtur aq bukur rolin, sa ndoshta ju nuk e keni kuptuar se personazhi është luajtur nga një femër. / KultPlus.com

Amanda Bynes si Sebastian Hastings

Image

Angelina Jolie si Evelyn Salt

Image

Cate Blanchett si Jude Quinn

Image

Elle Fanning si Ray

Image

Hilary Swank si Brandon Teena

Image

Mariah Carey në videon e saj “Obsessed”

Image

‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, si revoltë për mizoritë nëpër të cilat ka kaluar vendi jonë nëpër shekuj

Xhemile Hysenaj

Teatri Kombëtar i Kosovës, me një lojë të mahnitshme nga aktorët, mirëpriti një udhëtim teatror nëpër dramat e shkrimtarit të njohur, Beqir Musliu. Me motive të përmbledhura në katër dramat e tij, iu dha jehona një bote të shkuar kohë më parë, ku kalorës me kuaj prej druri kalëruan nëpër mite, legjenda e trauma tonat, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Erson Zymberit, para publikut u paraqit përmbledhja e Musliut me katër drama, teatrologjia ‘Shtrigani i Gjel-Hanit’.

Shtriga, kalorës të vdekur, zana mali, dasmorë, mbretër gjakatarë e shumë të tjerë, jehuan në skenën e teatrit. Aktorët si: Shengyl Ismaili, Ermal Sadiku, Majlinda Kasumoviq, Afrim Muçaj, Semira Latifi, Arta Selimi e Shpetim Kastrati, me një performancë përtej të jashtëzakonshmes, i dhanë frymë të paparë personazheve të dramave të Musliut. Tradita që vinte me të shkuarën dhe modernia që vinte me të tashmen, fuqishëm fliste për mizoritë nëpër të cilat ka kapërcyer populli jonë ndër vite.

I gjithë procesi i përgatitjes së shfaqjes ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ zgjati për pothuajse 35 ditë të plota. Ndërkaq, Zymberi për KultPlus theksoi se ndjehet jashtëzakonisht mirë për punën e realizuar me të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj shfaqjeje, si Jeton Nezirajn, Irena Popovic, Gjergj Prevazin, Bekim Korçën dhe Yllka Bradën.

‘Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme si regjisor, që tekstin e Beqir Musliut ta realizoj në teatër, e ku më mirë se në Teatrin Kombëtar me një kast të mrekullueshme të aktorëve dhe me kushte fenomenale. Ndjehem shumë i kënaqur dhe i plotësuar artistikisht’, është shprehur tutje Zymberi për KultPlus.

Shfaqja që përfundoi me duartrokitje e brohoritje që zgjatën për minuta të tërë, nuk kishte si të mos emociononte ata për të cilët edhe u dhanë të gjitha ato brohoritje.

‘Zakonisht me kolegë kaloj mirë, por kësaj radhe jemi marrë vesh shumë mirë me ta, ndoshta edhe nga energjia e regjisorit, ishte asisoj që gjatë gjithë kohës na ka trajtuar mirë. Mendoj se kemi bërë gjëra të bukura bashkë, duke e përcjellur kështu edhe tek publiku, pasi vërehej se ata e pranuan mjaft mirë shfaqjen’, ka potencuar Shpëtim Kastrati për KultPlus.

Ndërkaq, në anën tjetër, Shengyl Ismaili pas pothuajse një pauze dy vjeçare nga teatri, këtë vit u rikthye fuqishëm në skenë, duke dhënë një performancë që veç sa e forcoi artin e saj skenik.

‘Jam ndjerë shumë mirë, besoj që kemi arritur suksesin tonë. E adhuroj teatrin, teatri është vendi i vetëm që më bën të ndihem kjo që jam’, ka deklaruar Ismaili për KultPlus.

Tutje, regjisori për KultPlus ka treguar se kjo shfaqje do të jetë pjesë e reportuarit për një kohë të gjatë.

‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, një shfaqje që emocionoi gjithë publikun, erdhi si një revoltë, si një thirrje për mizorinë nëpër të cilën vendi jonë ka kaluar për shekuj të tërë. Një shfaqje kjo që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë, një kastë e mrekullueshme aktorësh nën regjinë e Zymberit, rrëmbeu zemrat e secilit individ që ndodhej në publik e të cilët bashkëjetuan në secilën ngjarje që zuri vend në skenën e Teatrit Kombëtar. / KultPlus.com

Protestojnë aktorët, Maxhuni: Nëse nuk na plotësoni kërkesat, atëherë mos u krenohuni me neve

Fishkëllima e filikaqave të tyre dëgjohej shumë larg, teksa në duar mbanin pankarta që shkruhej “#përteatrindodona”. Mos realizimi i kërkesave për shtimin e numrit të aktorëve në Teatrin Dodona, i bëri grupin e aktorëve të Prishtinës të protestojnë përpara Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Aktorët e Prishtinës u bashkuan për të shprehur indinjatën e tyre ndaj Komunës për mos realizimin e kërkesave të tyre që 2 vite për krijimin e një trupe rezidente në Teatrin Dodona, në të cilën kryejnë punën e tyre vetëm 4 aktorë.

Ky numër i ulët i aktorëve është edhe kundër ligjit për Teatro në të cilin thuhet: “Teatrot profesioniste të qyteteve duhet të kenë ansambël artistik, rezident, të përbërë nga së paku njëzetë(20) aktorë cilësorë të të gjitha gjeneratave”.

Molika Maxhuni, njëra ndër aktoret pjesëmarrëse, në protestë është shprehur se mirësjellja e tyre i ka bërë që ata sot të jenë në këtë gjendje.

“Ne jemi gjithmonë bira e fundit e kavallit. Kjo nuk është mirë për secilin këtu që jemi. Kur po vie puna të krenohet një shtet, përfaqësuesit më të mëdhenj ose ambasadorët po janë artistët dhe sportistët. Atëherë le të themi mos u krenohuni me neve!”, u shpreh Maxhuni.

Në anën tjetër, Leonit Maloku tha se aktorët kanë hasur në vesh të shurdhër që 2 vite te Kryetari i Komunës dhe te Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Po shpresoj që Komuna do të reflektoj dhe tash para se ta votojnë buxhetin do të propozojnë që të bëhet audicioni për shtimin e numrit të aktorëve në ‘Dodonë’ dhe të punësohen aktorët e Prishtinës”.

 Ilir Prapashtica, një aktor tjetër i qytetit të Prishtinës, duke thënë se kësaj here nuk do të flasin shumë.

“Sipas informatave të cilat i kemi Komuna e Prishtinës do ta hap një konkurs prej 5 aktorëve, që ajo është e papranueshme për ne si grup i aktorëve të Prishtinës për arsye se 5 aktorë në teatrin e qytetit është për të bërë hajgare”. Veç të tjerash, përgjatë protestës u përmend edhe një deklaratë nga Ministria e Financave se Teatri Dodona i ka 17 të punësuar. Aktorët u shprehën se është për keqardhje funksionimi i tillë i teatrit përderisa 13 prej tyre janë staf teknik dhe vetëm 4 aktorë. Grupi i aktorëve të Prishtinës vazhduan protestën e tyre me duartrokitje dhe brohoritje “bravo” në shenjë revolte ndaj Komunës. Për fund ata në shkallët hyrëse të objektit lanë pankartat e tyre me mbishkrimet “#përteatrindodona”. / Medina Pasoma/ KultPlus.com

Teatri “Adriana” në Ferizaj i shtohen tetë aktorë të rijnë

Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajit ka bërë plotësimin e trupës rezidente me tetë aktorë të rijnë, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook komuna e Ferizajit ka njoftuar se pas audicioneve të mbajtura me dy shtator, trupës së teatrit “Adriana” i janë shtuar edhe tetë aktorë të rijnë.

Në mesin e trupës së re rezidente bëjnë pjesë Mevlan Saraçi, Blin Sylejmani, Edona Berisha – Bekteshi, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Sherif Bega, Dardane Mehmeti dhe Gresë Gashi.

Gjithashtu në njoftimin e bërë nga ana e komunës së Ferizajit theksohet se palët e pakënaqura kanë të drejtën e anekses përgjatë tetë ditëve të ardhshme./ KultPlus.com

Sa kanë ndryshuar aktorët e famshëm që nga fillimi i karrierës së tyre (FOTO)

Ashtu si secili nga ne, me kalimin e kohës, aktorët e famshëm të Hollywood-it duhet të përballen me ndryshimet e tyre në pamje.

Sidoqoftë, në krye të kësaj, në filmat e tyre mund të dëshmojmë edhe se si janë rritur si aktorë dhe si karriera e tyre ka evoluar për t’u bërë yjet që janë sot

Bright Side bëri një përmbledhje të të famshmëve në filmat e tyre të parë dhe më të fundit për të treguar se koha nuk ka kaluar më kot pasi shumica e tyre në të vërtetë kanë arritur të punojnë në projekte mjaft interesante.

1. Robert Pattinson

2. Brad Pitt

3. Sofia Vergara

4. Reese Witherspoon

5. Emma Stone

6. Scarlett Johansson

7. Margot Robbie

8. Andrew Garfield

9. Kristen Stewart

10. Morgan Freeman

11. Anne Hathaway

12. Johnny Depp

13. Tom Hanks

14. Keanu Reeves

15. Viola Davis

16. Amy Adams

17. Al Pacino

18. Charlize Theron

19. Robert De Niro

20. Renée Zellweger

Morina: Gratë gjithmonë përçojnë mesazhe të forta, zgjodha gratë që japin forcë dhe energji

Jeta Zymberi

Nëse koha nuk shfrytëzohet në gjëra të dobishme, atëherë ajo është e destinuar të na shkatërrojë. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë, njerëzit e kanë shfrytëzuar kohën në mënyra të ndryshme. Për shumëkënd, kjo periudhë ka shërbyer për njohjen e vetvetes, dikush ka zhvilluar artin e dikush tjetër ka zbuluar dhunti të reja tek vetja. Kështu, regjisorja Arlinda Morina e njohur me emrin Liki, e cila karakterizohet për energjinë dhe dashurinë ndaj artit, për herë të dytë ka dëshmuar se me jetën duhet luftuar dhe koha duhet shfrytëzuar për gjëra të dobishme. Pas ballafaqimit të saj me sëmundjen e Leukemisë, ndaj secilës asnjëherë nuk u dorëzuar, por e kaloi këtë sfidë duke ndarë imazhe e thënie motivuese me njerëzit, për të izolimi për shkak të pandemisë ishte më i lehtë dhe vetëm sa i dha mundësi edhe më shumë të shfaq një tjetër talent të saj, atë të fotografisë.

Aktoret më të dashura për publikun, kanë zënë vend në fokusin e Arlindës, aty ku ajo gjeti forcë për të kaluar këtë periudhë. Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Arta Muçaj, Anisa Ismaili, Xhejlane Tërbunja, Rina Krasniqi, Zana Hoxha, Aurita Agushi e Rajmonda Ahmeti janë vetëm disa nga fytyrat që janë bërë pjesë e kësaj serie të fotografive që ka një qëllim tejet human e për të cilin Arlinda ka folur më gjerësisht në një intervistë për KultPlus.

KultPlus: Si pasojë e virusit Covid-19, njerëzit janë izoluar nëpër shtëpitë e tyre që disa muaj, fillimisht na trego sa ishte e vështirë kjo periudhë për ju si artiste?

Arlinda Morina: Mbyllja për mua nuk ishte problem, se tamam unë hoqa maskën që kisha për shkak të sëmundjes (Leukemia Plasma Cell) e vendoset ju të gjithë (pak shaka), përndryshe unë isha e mësuar me izolimin dhe kreativitetin tim e kam zhvilluar edhe në mbylljen time të mëhershme por edhe tani. Për artistët mbyllja sjell ide, akumulon dhe kur del jashtë shpërthen si një bombë me plot artë.

KultPlus: Njerëzit janë munduar që përmes një forme apo tjetrën të sjellin diçka përmes së cilës përmbushin vetën dhe kënaqin të tjerët, e padyshim ky është arti, ju keni zgjedhur artin e fotografisë për ta kaluar sa më lehtë këtë periudhë izolimi, jeni marrë edhe më herët me fotografinë apo ky është “efekti i karantinës”?

Arlinda Morina: Unë përgjithësisht jam marrë me skenar, regji filmi e teatër, fotografin e kam pasur edhe lëndë në fakultet dhe gjithmonë e kam dashtë por nuk i kam kushtuar kohë, kësaj radhe këtë dashuri timen e vura në funksion. Fotografitë janë realizuar me telefon iPhone 6+ dhe më vonë ja bashkova edhe një teleobjektivë. Me siguri fotografët profesionistë qeshin me këto fotografi, por qëllimi im nuk është të bëhem fotografe, thjeshtë kam gjetur një formë për të kaluar kohën time të daljes 90 minutshe me diçka nga perspektiva ime subjektive dhe objektivi im i vogël kinezë. Efekti i karantinës e ka nxjerrë një fotografe amatore.

KultPlus: Ju keni zgjedhur të fokusoni artistet tona, si e keni bërë përzgjedhjen e atyre që doni t’i fotografoni, apo janë kryesisht njerëzit që ju rrethojnë në përditshmëri?

Arlinda Morina: Përzgjedhja ka ardhur nga shpirti sepse kisha nevojë të zgjedhë aktore të suksesshme dhe interesante që të marrë energjinë e tyre sepse në si qenie jemi sociale dhe kemi nevojë për energji, e unë zgjodha aktoret gra që të marrë energjinë sensuale, artistike, ekzotike e deri të vuajtjet shpirtërore të tyre. Takimet i kam mbajtur në distancë dhe kam fotografuar me teleobjektivë ku distanca është e largët.

KultPlus: Cili është mesazhi që doni të përcjellni përmes këtyre fotografive, apo janë thjesht fotografi të çastit?

Arlinda Morina: Gratë gjithmonë përçojnë mesazhe të forta. Fuqia e tyre, bukuria, dashuria, josha dhe vuajtjet fisnike janë disa nga mesazhet që përçohen edhe përmes këtyre fotografive. Kjo seri e fotografive do të vazhdojë, do të ketë ende artiste të cilat do t’i zbuloj në ditët në vijim.

KultPlus: A keni menduar të hapni ndonjë ekspozitë apo diçka të tillë me këto fotografi?

Arlinda Morina: Këto fotografi në vete përmbajnë një qëllim human. Ideja është të organizoj një ankand dhe fotografitë të dalin në shitje. Të gjitha fitimet do të dhurohen për fëmijët që luftojnë me sëmundjen e Leukemisë.

KultPlus: Cilat janë anët pozitive dhe ato negative që kanë ndikuar tek Arlinda gjatë kësaj kohë të pandemisë, na selekto disa prej tyre?

Arlinda Morina: Unë jam tip që kam pas periudha të mbylljes shpesh. Kjo është hera e katërt që e përjetoj mbylljen. Unë lirisht mund të them që jam vetë karantina. Kjo periudhë ka ndikuar në forma të ndryshme tek secili. Me të vërtetë ata që merren me artë e kanë pasur më të lehtë. E mira e gjithë kësaj ka qenë koha që na është ofruar e të cilën jemi munduar ta shfrytëzojmë sa më mirë, mbi të gjitha ta njohim veten sado pak. Ndërsa anët negative nuk po i përmendim fare duke uruar që gjithçka po përfundon shumë shpejtë.

KultPlus: Krejt për fund, cili është mësimi më i mirë që e keni marrë gjatë kësaj periudhe e që do ta ndaje me lexuesit e KultPlus?

Arlinda Morina: Duajeni sa më shumë familjen sepse ata vlejnë më shumë së çdo gjë në jetë! / KultPlus.com

Liçaj: Aktorët nuk paguhen në Tiranë, jam akoma me qira

Pak javë më parë në “Një ditë me Dojnën” Visjan Ukcenaj është shprehur se “Aktorët nuk paguhen” nisur nga kjo frazë, Neritani Liçaj ka treguar se është e vërtetë. Madje ai vetë pavarësisht se është lindur dhe rritur në Tiranë, vazhdon të jetë edhe sot në një shtëpi me qira, shkruan Lapsi.al.

“Po e vërtetë, unë jam ende me qira. Le e rrit n’Tiron dhe jam me qira.”– është shprehur aktori.

Ndërsa për të rinjtë që kanë pasion aktrimin ai thotë se duhet ta ndjekin ëndrrën e tyre deri në fund.

“Mund të shtoj vetëm këtë, kush e ka vërtetë pasion le të ndjeki ëndërr, dhe pse është pa para, prap mbetet ëndërr.- ka përfunduar ai. /KultPlus.com

Artistë dhe aktivistë rivendosin gërmat e Teatrit Kombëtar

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë vendosur sot gërmat në fasadën e godinës.

Rudi Erebara ishte ai që i rivendosi shkronjat në fasadë, ndërsa u shpreh se “e bëri këtë gjë pasi i vijnë për duarsh” duke theksuar se “ato në të vërtetë janë vendosur nga qytetarët”.

“Gërmat i ka vendosur populli, unë i vendosa aty. Kjo është një luftë që sapo ka filluar dhe ne do ta fitojmë. Rama Ik, bashkë me Erionin dhe gjithë këlyshët e tjerë. Unë e kisha kënaqësinë më të madhe t’i vendosja gërmat edhe sepse më vijnë për duarsh”, u shpreh shkrimtari dhe përkthyesi i njohur.

Ndërsa pedagogu Ervin Goci deklaroi: “Nuk jam më protestues por pjesë e Teatrit. Do ta mbrojmë me turne dhe të guxojë njeri që të vendos dorë mbi Teatrin. Këto germa janë të shenjta, prandaj edhe ishim të vendosur për t’i rivendosur. Ndaj kanë ardhur shumë njerëz për të na mbështetur për shkak të simbolikës dhe frymëzimit që ka. Ata duhet të dinë se nëse prekin këtë godinë kanë popullin kundër dhe nëse e dinë se kanë popullin kundër, të guxojnë t’i prekin!”

Kujtojmë që në datën 26 prill Teatrit Kombëtar iu hoqën germat në mënyrë të befasishme. Artistë dhe dashamirës të institucionet e dënuan aktin, duke i bërë thirrje instancave përkatëse që të merrnin përgjegjësi.

Intelektualë të njohur ngritën zërin kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, si; Flutura Açka, Aurel Plasari, Edmond Tupe, Ardian Vehbiu, Edmond Budina, Maks Velo etj.  Si dhe artistë si Alert Çeloalija, Neritan Liçaj, regjisorët Kastriot Çipi dhe Robert Budina, pedagogu i gazetarisë Ervin Goci, etj.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreh vendosmërinë për mbrojtjen deri në fund të godinës së Teatrit Kombëtar./KultPlus.com

Godina e Teatrit Kombëtar në grahmat e fundit, shikoni çarjet që kanë pësuar muret (VIDEO)

Godina aktuale e Teatrit Kombëtar është në grahmat e fundit dhe rrezikon realisht jetën e artistëve që japin shfaqje aty, por edhe të publikut artdashës.

Prova më e qartë e saj janë këto pamje të siguruara nga redaksia ku shihet se muret e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, nga krahu i godinës ku dikur ka qenë ish-Ministria e Zhvillimit Urban dhe sot ndodhet Kontrolli i Lartë i Shtetit, po shkatërrohen e po bien copa-copa.

Kjo anë e godinës nuk është vënë re më pare sepse ka qenë e rrethuar për shkak të punimeve që po kryheshin deri para disa ditësh, për restaurimin dhe rikonstruksionin e ndërtesës së ish ministrisë së Zhvillimit Urban.

Gjendja e godinës së Teatrit Kombëtar bëhet edhe më alarmante, për shkak se çarja e mureve ka nxjerrë në pah edhe materialet me të cilat është ndërtuar ajo që në kohën e italianëve. Duket qartë se ajo nuk ofron më asnjë kusht sigurie, ndërsa shenjat e lagështirës janë kudo.

Ekspertët dhe arkitektët kanë kohë që japin alarmin për këtë godinë, e cila nuk ofron më asnjë kusht sigurie dhe prova për të gjithë janë këto foto dhe video e xhiruar sot në mëngjes.

Godina e Teatrit Kombëtar u ngrit përkohësisht nga italianët dhe jo për të shërbyer si teatër. Për ndërtimin e saj janë përdorur materiale me kosto të ulët, si popullit, tallash e alga deti, ç’ka shihet qartë edhe në video. Materialet e përdorura për ndërtimin e godinës janë një përzierje substancash vegjetale (të tallashit të drurit të plepit, produkt skarco i fabrikës së shkrepëseve dhe alga deti) të mbrojtur me çimento./KultPlus.com

Rama: Teatri s’është pronë e aktorëve, vendos qeveria

Mbrëmjen e djeshme në një organizim ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama është përuruar “Turbina”, një hapësirë e re për teatrin, artin, kulturën me kushte optimale e teknologji të fjalës së fundit në Tiranë.

“Kjo skenë e re është një infrastrukturë e re për artin që nga cilësia e kushteve fare mirë mund të ishte në Paris, Londër apo Milano”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se kjo godinë do të ketë dy salla, por nuk u ndal gjatë tek përshkrimi i kësaj strehe të re për artin, por tek akuzat që janë bërë nga opozita për projektin e qeverisë për “Rilindjen e Artit”.

“Ky është një rast i mirë për t’i vënë disa pika mbi I, ndërkohë që peripecitë tona për rilindjen e kulturës zhvillohen në një kolonë të çjerrët zanore të disave që paralelisht kanë çelur pajtimin për ardhjen e fundit të botës kulturore”, tha Rama duke iu drejtuar kritikëve për Teatrin Kombëtar dhe rivalëve të tij politikë.

Sipas Ramës kundërshtarët e tij “ngrenë volumin e pajtimit për të zezën që gjeti Teatrin dhe artin”, por nuk duhet mohuar që qeveria i ka bërë disa gjëra në këtë drejtim.

“Disa gjëra që pa ne kurrë nuk do ishin bërë i kemi bërë që çke me të. Duan apo s’duan ata që nuk dinë çka duan. Në 25 vjet u zhdukën nga faqja e këtij dheu mbi 100 trashëgimi kulturore dhe 200 i kemi gjetur në gradën e fundit. 20 operacione shpëtimi po zhvillohen në të gjithë vendin dhe 76 kantiere të tjera janë gati të hapen. Do të donim t’i bënim përnjëherë, por mundësitë tona për shkak të borxheve të mëdhaja që duhet të shlyejmë s’na lejojnë shërimin e menjëhershëm të këtyre plagëve të së shkuarës”, deklaroi Rama.

Përsa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar, Rama theksoi se “Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë , sepse aksush përpara nesh nuk diti apo deshi të ndërmarrë një hap të tillë”.

Kreu i ekzekutivit në një farë mënyrë theksoi se nuk pranon kompromise dhe TK do të shembet, pasi për të vendosin të zgjedhurit e popullit dhe urbanistët dhe jo artistët që e cilësojnë si pronë të tyren.

“Një teatër publik nuk është prona private apo prona ekskluzive e aktorëve të momentit, por është mjedis për publikun dhe u takon vendimarrësve dhe specialistëve të fushës që të vendosin. Ndaj debati me aktorët dhe regjisorët është i domosdoshëm si të jetë më e mirë godina, por jo a duhet a s’duhet. Në rastin tonë godina e TK nuk është pjesë e trashëgimisë së njerëzimit”, tha Rama./ KultPlus.com

Shtyhet greva e paralajmëruar e aktorëve të TKK-së

Trupa rezidente e Teatrit Kombëtarë të Kosovës, dje kanë paralajmëruar se prej ditës së parë të majit do t’i rikthehen grevës dhe do të bëjnë bllokim total të këtij institucioni, shkruan KultPlus.

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në tetor të vitit të kaluar u kishin dhënë dhjetë ditë afat ministrit të Kulturës e Qeverisë së Kosovës që të plotësoj kërkesa e tyre e cila vazhdon të jetë e njëjtë: rritja e pagave.

Mirëpo greva e cila ishte paralajmëruar pikërisht për sot është shtyrë përsëri, kanë njoftuar për KultPlus, aktorët e këtij institucioni.

“Tashmë u bënë disa muaj prej kur MKRS-ja së bashku me një grup punues vazhdimisht janë takuar dhe kanë punuar që të arrihet realizimi i kërkesave të aktorëve. Diçka është punuar dhe ka lëvizur por asgjë përfundimisht dhe konkretisht, prandaj ne shqyrtuam mundësin e rikthimit në grevë pasi që u bënë shumë muaj pritje. Tani na është kërkuar edhe një javë kohë pasi që Ministri i Kulturës qenka jashtë vendit deri këtë të premte. Ne sigurisht që nuk duam të bëhemi arrogant dhe ashtu siç kemi pritur këta muaj do të presim edhe një javë. Vazhdojmë te jemi optimist dhe akoma duam të besojmë në gatishmërinë pozitive të Ministrit Gashi. Pas të hënës që po vjen besoje do të kuptohet gjithçka”, thuhet në njoftimin dërguar redaksisë së KultPlus.

Pas një marrëveshjeje me Kujtim Gashin, ministrin e Kulturës, aktorët e patën pezulluar grevën pasi që patën marrë premtim verbal për rritje të rrogës. Mirëpo kjo çështje është bllokuar për shkak të Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, e cila ende nuk është finalizuar./ KultPlus.com

Pagat e aktorëve të TKK do të zgjidhen brenda buxhetit të Ministrisë së Kulturës

Sarandë Selimi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi sot ka mbajtur konferencën e fundvitit me anë të cilës ka prezantuar raportin e punës njëqind ditësh të kësaj ministrie.

Ndërkohë, nuk ka lënë pa përmendur edhe arritjen e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe aktorëve rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës për rritje pagash. I pyetur nga KultPlus, lidhur me planin konkret të kësaj Ministrie për ngritjen e pagave të aktorëve rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pasi që, një rregullore e dërguar më herët në Parlament është refuzuar nga Komisioni Parlamentar i Republikës së Kosovës, ministri Kujtim Gashi, tha se kjo çështje do të zgjidhet brenda buxhetit të MRKS- së.

Ai tregoi se janë duke punuar në rregulloren së bashku me Sindikatën e Aktorëve, ku i kanë përfshirë të gjithë në mënyrë që vendimmarrja të jetë e përbashkët.

“Po , rregullorja është refuzuar nga Komisioni Parlamentar, por ne kemi një zgjidhje brenda Ministrisë. Jemi duke e punuar rregulloren së bashku me Shoqatën Sindikale të Aktorëve, ku i kemi përfshirë të gjithë në mënyrë që vendimmarrja të jetë e përbashkët, kurse i kemi dërguar një dokument Ministrisë së Financave sa i përket buxhetit lidhur me këtë rritje. Ne jemi krejt në rregull sa i përket rritjes, sepse këtë çështje do ta zgjidhim brenda buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, natyrisht me vendim të qeverisë” tha ministri Gashi./ KultPlus.com

Presidenti Thaçi dekoron Margarita Xhepën, Tinka Kurtin dhe Zenepe Lukën (FOTO)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.

“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.

“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.

Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave./ KultPlus.com

Fytyra të njohura mbështesin aktorët rezident të TKK-së

Kanë mbetur edhe 7 ditë deri në përfundim të ultimatumit që Aktorët Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës i kanë dhënë Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, për plotësimin e kërkesës së tyre që është ngritja e pagës bazë, shkruan KultPlus.

Kësisoj përgjatë këtyre ditëve aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, morën shumë mesazhe përmes rrjeteve sociale nga kolegët e tyre dhe jo vetëm, të cilët u dolën në krah duke arsyetuar kërkesën që po bëjnë.

Martin Kocovski-regjisor teatri, Vlora Nikci-aktore, Rebeka Qena-aktore, Besart Sllamniku-aktor, Zana Hoxha Krasniqi-regjisore, Blerta Deliu-deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Iliriana Loxha Basha-kostumografe, Arbana Xharra-ish-gazetare, Lendita Zeqiraj-regjisore, Kushtrim Hoxha-aktor, Shkumbin Istrefi-aktor, Blerta Zeqiri-regjisore, Labinot Raci-aktor, janë disa nga emrat që mbështesin grevën e aktorëve deri në plotësimin e kushteve që po kërkojnë.

“Nuk jam i punësuar në Teatrin Kombëtar, por jam aktor dhe e kuptoj dhe e mbështes fuqimisht kërkesën e aktorëve të TKK-së, për rritjen e pagave. Dhe jo vetëm të TKK-së por të të gjithë aktorëve të punësuar në Teatrot e Kosovës”, ka shkruar Shkumbin Istrefi në rrjetin e tij social.

Regjisori i teatrit Martin Kocovski, ka shkruar se i përkrah kolegët e tij, aktorët nga Kosova.

“Pagat nuk duhet të jenë vetëm për jetesën bazike, ato duhet të jenë si motivim për përmirësimin kreativ i cili pastaj bëhet edhe progres kolektiv për të gjithë aktorët”, ka shkruar ndër të tjera Kocovski, një ndër regjisorët e huaj që ka punuar me këtë trupë të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Aktori kosovar tashmë me famë ndërkombëtare Kushtrim Hoxha, përpos mbështetjes së tij, ai ka thirrur institucionet shtetërore që të kenë pak dinjitet për punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Është e turpshme që aktorët tanë marrin pagat e një nëpunësi të thjeshtë të administratës”, ka shkruar Lendita Zeqiraj.

Ndërsa deputetja e PDK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Blerta Deliu ka thënë që si deputete do të angazhohet në amandamentimin e Ligjit të Teatrit dhe të Rregullores për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe të Punonjësve profesional të Trashëgimisë Kulturore.

KultPlus, ua rikujton se aktorët i kanë dhënë ultimatum deri të enjten e javës që vjen MKRS-së, për plotësimin e kërkesave të tyre, nga ana tjetër, nëse këto kërkesa nuk plotësohen atëherë ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës dhe bllokim total të repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Aktorët e Teatrit Kombëtar anulojnë shfaqjen, kërkohet rritje e pagave në nivelin universitar

Të gjithë ata qytetarë që kanë blerë biletat për reprizën e sotme që do të jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për shfaqjen ‘Bordel Ballkan’ me tekst të Jeton Neziraj e regji të András Urbán, nuk do të mund ta shohin atë, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

E gjithë kjo, pasi që, Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Sindikatën e Bashkuar për Arsim Shkencë e Kulturë, kanë marrë vendim që këtë shfaqje ta anulojnë. Ky anulim erdhi si pasoj e mos plotësimit të kërkesave të SHSTKK-së, drejtuar Ministrisë së Kulturës për rritjen e pagës bazë të Trupës Rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ka plotë 18 muaj që kjo shoqatë mbanë takime e bisedon me MKRS-ën për këtë çështje, por duket që kjo ka shkuar në vesh të shurdhër, dhe pikërisht kjo ka sjellë një gjendje të tillë në teatër.

Në lidhje me këtë dhe me çështjet e tjera se çfarë do të veproj kjo shoqatë në bashkëpunim me SBASHK, sot në Sallën A, aty ku mbahen provat e leximit për shfaqjet e reja në teatër, u mbajt një konferencë për medie. Në konferencë morën pjesë nënkryetari i SBASHK-Lutfi Mani, kryetari i SHSTKK-Ismet Azemi dhe aktorët Adrian Morian e Shkëlzen Veseli.

“Ne jemi të shtrënguar pa dashjen tonë, që t’i bëjmë me dije institucionet e shtetit tonë se gjendja në TKK, sa i përket pagave që e kemi thënë që dy vite në mënyrë të organizuar është denigrim për aktorët e TKK. Ju njoftoj që SHSTKK, ka marrë vendim në konsultim me SBASHK, që të hyjmë në grevë dhe sonte më vjen keq që publiku i cili i ka nxjerrë biletat sonte nuk do të mund ta sheh shfaqjen por aktorët do i sheh”, tha para medieve Ismet Azemi, i cili vazhdoi tutje të tregoj se shfaqja ‘Bordel Ballkan’ do të anulohet dhe me këtë do të iu tregojnë institucioneve që ky anulim dhe ky vendim që kanë marrë është shumë serioz.

“Nga nesër mbrëma repertori vazhdon deri në të dhjetën ditë, e nëse ata nuk reflektojnë neve na shtrëngojnë që të kalojmë në përshkallëzime”, u shpreh Azemi-kryetar i SHSTKK dhe aktor i Trupës Rezidente të TKK-së.

Kërkesa e kësaj shoqate është që Trupa Rezidente e Teatrit Kombëtar të Kosovës të ketë pagën e nivelit universitar, që i bie duke u bazuar në pagën e profesorëve të UP-së, të kenë pagën 1.150 euro. Aktualisht paga bruto e aktorëve rezidentë të TKK-së është 437 euro.

“Është krijuar një përshtypje që sindikatat vetëm grevë bëjnë gjithmonë, nuk është kjo ajo që ne duamë, po kjo na detyrohet deri në plotësimin e kërkesave tona që na takojnë me ligj. Ne kemi shkuar në një paralajmërim të institucioneve për sonte sepse kjo nuk është çështje e re, janë të informuar të gjithë. Paga e aktorit është e mjerueshme dhe kjo që po kërkojnë aktorët është vetëm një pagë e dinjitetshme, një pagë e rajonit dhe kjo mundësi ekziston”, u shpreh nënkryetari i SBASHK Lutfi Mani.

Greva nuk do të ndalet, ajo do të bllokoj sonte shfaqjen ‘Bordel Ballkan’, ndërsa nga nesër deri në dhjetë ditët e ardhshme, repertori i TKK-së do të vazhdojë siç ka qenë, e pas dhjetë ditësh nëse këto kërkesa nuk plotësohen nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, atëherë sipas SHSTKK-së, situata do të përshkallëzohet./ KultPlus.com

“Tartufi” bën bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër

Me 15 shtator në skenën e Teatrit “Migjeni” do të shfaqet komedia “Tartufi” nga Molieri në regji të regjisorit shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi.

Një tekst i cili në thelb të kritikës së tij ka luftën ndaj hipokrizisë e fshehur në shumë shtresa shoqërore, si ato fetare, politike, akademike.

Regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi shprehet se shfaqja ndodh sot dhe sa herë që të jepet ajo ndodh pikërisht atë ditë. Për drejtoreshën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, bashkëpunimi me regjisorin Bekteshi ka qenë shumë i mirë dhe sipas saj, shfaqja premton shume. Kostumografia e shfaqjes erdhi nga kostumografja e njohur e teatrit Samka Ferri, e cila ka mbi 40 vite karrierë në fushën e kostumografisë në teatër dhe në film kryesisht në ish-jugosllavi. Teksti ka pësuar adoptime të lehta, e ndërsa hipokrizia është një dukuri e rëndomtë në shoqërinë njerëzore. Besfort Berberi nga Kosova do luajë rolin e Tartufit, Elmira i është besuar aktores Kristi Lleshi, që janë edhe dy aktorët jashtë trupës permanente të teatrit “Migjeni”.

Ndërsa në këtë komedi janë pothuajse pjesa më e madhe e aktorëve të teatrit si Rita Gjeka, Merita Smaja, Pjerin Vlashi, Enver Hyseni, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Kristjana Dodaj, si dhe figurantet Astrit Fani, Divni Gushta dhe Fritz Selmani. Komedia “Tartufi” sjell për herë të parë në Shkodër një bashkëpunim të gjerë kombëtar duke bashkuar gjithë trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe do shfaqet premierë me 15 shtator në Teatrin “Migjeni” të Shkodër.

Molieri me “Tartufin”

Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Shpesh në jetën e përditshme, kur kemi të bëjmë me njerëz gënjeshtarë e hipokritë themi; “Ai është një Tartuf”. Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Te “Tartufi” historia është e thjeshtë. Orgoni, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si i shenjt e njeri fetar. Ai kërkoi t’i marrë pasurinë, shtëpinë e madje edhe gruan e tij të dytë. Orgonit i janë zënë sytë aq shumë, sa nuk e shikon dot se ç’njeri është Tartufi.
Por më në fund, Tartufi e zbulon fytyrën e vet mizore dhe është gati t’i marrë shtëpinë, por është “shpirtmadhësia” dhe “mençuria” e mbretit që shpëton Orgonin dhe familjarët e tij nga makinacionet dhe dredhitë që ishin përgatitur kundër tij. Fundi është një “Deux Ex Machina”, ku zgjidhja vjen nga mbreti. Me lajka të pabesueshme e pa lidhje me historinë e temat e veprës. Por, për Molierin, ka qenë e vetmja mënyrë që t’i shpëtonte censurës nga ana e kishës. Por, një fund i tillë nga ana e autorit, është një armë e mirë për të thënë disa të vërteta të realitetit, të aktualitetit tonë. A është problem “Hipokrizia” në këtë vend? Ka njerëz të tillë këtu? Vepra na bën thirrje të jemi të përmbajtur dhe të hapur. Të dëgjojmë e të shohim të tjerët, por edhe thellë brenda vetes sonë.(Shkruan SotNews)./ KultPlus.com