“Babai dhe Babai” sonte në PITF 2024, Koliqi: Me këtë shfaqje kemi marr pjesë në festivale të shumta

22 Maj, 2024 - 1:11 pm

Në ditën e tretë të Prishtina International Theater Festival – PITF 2024, do luhet shfaqja “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrimi Koliqit, ndërsa paraprakisht u mbajt konferenca për media ku mori pjesë edhe aktorja Ilire Vinca.

Regjisori Kushtrim Koliqi, foli për shfaqjen e cila trajton një temë shumë të ndjeshme për shoqërinë kosovare, atë të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Me këtë shfaqje kemi marrë pjesë në festivale të shumta dhe ajo trajton temën me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës. Shfaqja flet për personat që na mungojnë dhe nuk duam të besojmë që na mungojnë”, u shpreh Koliqi.

Ai foli edhe për programin e PITF 2024, ku tha se ishte një nga arsyet kryesore dhe bindëse për të marrë pjesë në festival.

Ndërsa aktorja Ilire Vinca, në lidhje me temën e shfaqjes tha se paraqet “dhimbjen njerëzore që duhet ta përtypim çdo ditë dhe t’iu japim zë”.

“Të gjithë ne si ekip e kemi kuptuar rëndësinë dhe dëshirën tonë se si duam ta trajtojmë këtë temë. Ka qenë një rrugëtim fantastik sa i përket artit tonë, gjithashtu një rrugëtim i dhimbshëm sepse kemi përtypur bashkë dhimbjen tonë”, tha Vinca.

Shfaqja “Babai dhe Babai” jepet sonte në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme