Simulacra sociale e kontestuale e Kosovës

27 Prill, 2023 - 12:18 pm

Kritikë nga Tringë Arifi për dramën “Dera” të Naser Shatrollit.

Autori, dramaturgu Naser Shatrolli me dramën e tij autoriale “Dera” krijon botëkuptimin mbi ngjarjet e së kaluarës së errët dhe të tashmes me realitete disi abstrakte që barten nëpër kohë.

Në dramën e regjisorit Naser Shatrolli e pashë si të pamundur mos-sintetizimin e Unit tim me dhimbjet dhe lëngatat e kësaj shoqërie. Ndërsa Uni-autorial është kompozuar nëpërmjet një protagonisti dhe jepet nëpërmjet shumë personazheve nga jeta jonë, ai bëhet edhe narrator i kësaj drame.

Si fillim dhe element kyç i dramës së Shatrollit dhe përbërjes së saj është monologu që përshkruhet nëpërmjet fjalorit “Lexis”. Autori ideo-tematikën e tij e ndërton nëpërmjet botëkuptimit të rinisë, e cila paraqitet nëpërmjet të folurit, veprimit dhe simbolikave. Kabllot e rrymës si armë bërthamore e tankse, adapteri i telefonit si nevojë dhe përmbushje e shpirtit dhe mendjes, damarët si infuzion dhe infuzioni në damar, sheqeri si sëmundje dhe si ëmbëlsirë, toka e ëmbël dhe e dhunuar etj, janë këto paralele që na tërheqin mes kohëve dhe realitetit. Ndërsa nga tipologjia autori ka theksuar renditjen e karaktereve statike dhe dinamike, si dhe karakterin e protagonistit dhe antagonistit.

“Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura”, shkruante poeti Ali Podrimja dikur, frazë e cila shkruhet jo dhe rrallë nga publiku i rrjeteve sociale. Ta merr mendja se dëshirat e heshtura dhe të shtypura shprehen vetëm me anë të origjinalitetit ontologjik të tjetrit. Se dëshirat e burrave janë ëndrrat e tjetrit.

Fjalët përsëriten nëpërmjet piskamave ku tjetri thotë “këta jemi ne”. Por përgjatë zhvillimit dhe diskursit të dramës s’ke si të mos pyesësh se kush jemi ne? A e kemi gjetur ende veten? A e njohim çdo vuajtje apo gëzim individual a kolektiv? Aktori Drin Berisha me aktet e tij “Lexis” dhe “Melos” vazhdimisht na thumbon si mes vargjeve të Podrimjes dhe hip-hopit, zemërimit, shfryrjes e piskamave të istikameve të robërisë, të cilat në diskursin e autorit kanë për nxitje çlirimin nga idetë e dhunës dhe urrejtjes.

Fjalët me të cilat aktori Drin Berisha e fillon performancën vërtetë të lënë përshtypje “Si ta kalon 51 përqindëshin bateria, më vjen një far fuqie, bëhem patriot, më shtohet apetiti për të protestuar, për të thyer, për të kallur, për të shkatërruar, për të ushtruar dhunë me gaz mollotovi mbi hipokritët…

A mos vallë kjo shifër duhet të na frikësoj? Kur e mendon se çka mundet të servojë propaganda me të e sa të tjerë mund të servohen nga ajo? E dyta, por jo e fundit “unë ja q* nonën luftës” piskamë që ti hap sytë rreth dëshpërimit e zemërimit si akt, që aktori e përcjellë në publik.

Ja q*fsha nënën luftës, me bë e me më dal përpara, e shti në dhe për së gjalli!

Pra teksti na lë të nënkuptojmë se lufta e cila tenton të përsëritet përherë nuk i mbijeton as vuajtjeve, as traumave dhe si rezultat nuk e sheh çlirimin si mundësi. E vetmja mundësi e palës tjetër shihet lufta, gjaku, llomotitjet e përsëritura, por pala tjetër nuk duket veçse psherëtimë e piskamë e aktorit që veç një e sharë apo një zemërim i’a nxjerrë nga goja.

Të rinjtë, mashtrohen lehtë, i burrërojnë akoma pa ju dal mustaqet, ua përshkruajnë me nuanca pitoreske tokën, bagëtinë, malin, kodrën, shtëpinë rrëzë kodrës, kopshtin, drandofilet mbi mur, gratë në dritare, qytetin me drita  etj, etj!

Ua shishmojnë pushkën si sheqerin, në poligonin e qitjes. Ua vendosin shishet e rakisë përballë…madje, në shishe të rakisë, ua krijojnë konceptin armiqësor ndaj kundërshtarëve fiktiv!

Në narracionin dramatik ajo që e preokupon autorin në këtë rast është raporti etno-psikologjik i kolektivit me luftën. Gjaku dhe kundërshtari duket të jetë një problem madhor, i cili daton qysh nga antikiteti, e atë e gjejmë nëpërmjet tekstit të autorit e protagonistit.

Në çdo përvjetor, futen pa trokitur, në shtëpinë time…na premtojnë vazhdimisht se do i’a gjejnë eshtrat babait…Ma kanë mbushur murin me dekorata e lavde – ishte luftëtar i dalluar, i dalluar, i dalluar, i dalluar!

Po për çfarë i dalluar!? 

Për të vrarë i dalluar,

Apo, fakti që është i zhdukur, qenka i dalluar ai?

Po të ishte këtu, nuk do të ishte i dalluar për të mirë, përkundrazi, do ta denigronin imazhin e tij, madje, do të paguanin dëshmitar fiktiv për ta përbaltur përjetësisht karakterin e tij!

Nëpërmjet këtij teksti autori si përfundim na tregon se në kulturën tonë nuk ka ushtarë, të cilët janë ndërmjetësim afirmativ mes jetës dhe vdekjes. Ka dëshmorë ose të zhdukur, dekorata dhe premtime, lule që marrin familjarët e tyre në përvjetore.

Vit pas viti, ngrisin monumente, shpërndajnë dekorata si cigaret nëpër ahengje, i çojnë deri në qiellin e Zeusit me këngë, madje, jehu i këngëve dëgjohet kudo, në radio, në televizor, në autobusa…në pazar, nuk shiten delet, lopët, viçat, pulat, punëtorët e krahut, po su dëgjua muzika patriotike!!! Ndërsa, gratë, akoma i fashitin dhembjet e shpirtit me infuzione!”

Dhimbjet e dhembjet e viktimave nuk shërohen në dyert e spitaleve të Kosovës! Për nënën e dëshmorit nuk ka infuzione, për ish-ushtarin nuk ka bukë, për viktimat nuk ka drejtësi e përfituesit me tërë qenien e tyre, nga skena politike e deri tek përpëlitjet e tyre në studiot televizive disi na thonë: frikësohuni nga vdekja më shumë se nga jeta, apo duajeni vdekjen më shumë se jetën, në mënyrë që të kemi sa më shumë viktima e heronj, të cilët nëse i fusim në proces të transhedencës përfundojnë jo më shumë se viktima, të shfrytëzuar nga epshet e fantazmave të uritura për pushtet, të cilët “shpërlahen” me luftërat. Pastaj, zinxhiri i këtij procesi trashet përherë e më shumë, sepse problem kurrë nuk bëhet mirëqenia e të gjallëve.

Militarizëm edhe në liri. Fjalë me thika e sopata, plumba e heshta që servohen çdo ditë nga filan kundërshtari për filan kundërshtarin, të cilët kurrë nuk ulen bashkë. Krejt e kuptueshme se nëse ç’militarizohemi (edhe) nga ideja se armët tona drejt çlirimit nuk janë armët me të cilat bëhen luftërat e përgjakura. Armë e jona bëhet veç një trup dhe një mendje, që punojnë çdo ditë për tu çliruar nga mizoritë e përfituesve të luftërave që ushqehen si vampirët me gjak.

Nëpërmjet interpretimit dhe simbolikave që shfaqen në këtë dramë, përherë ndodhet lufta si tejkalim a kapërcim që tenton të bëhet dhe si luftë me veten, për çlirim. Në Kosovën e pasluftës ende zhvillohet lufta për territor, sepse fantazmat e uritura për pushtet numërohen si ushtarë fiktivë të kësaj toke, të cilët rehatinë e tyre e shtrijnë në rrugët New York-ut e Florida-s e fatkeqësia është se ata nga rrugët e Matit apo Kodrës së Trimave bëhen ndjekës e mirëmbajtës të epsheve e lezetimeve të pushtetit të “ushtarëve” nga lagjet e shtrenjta. Pra njeriu i cili i refuzon këto rëndomësi e tragjedi të jetës është jo më shumë se ajo pjesa e të papjesëve.

Në këtë rast misioni sublim i teatrit përmbushet kur pranohen të gjitha marritë e kësaj kohe, nuk glorifikohet vuajtja dhe gjaku e kështu vie zemërimi e ndërgjegjësimi. Drama e cila na thërret që të merremi me traumat tona që kushedi në çfarë faze të sëmundjeve fizike e psikike kanë kaluar.

Vit pas viti, hipokritët, i marrin për shkas të rënët, për të mbajtur pezull pushtetin,

Sidomos kur i merr malli për të ngrënë ndonjë peshk taze në ditën e të rënëve, ua ngacmojnë me kazmë varrët të rënëve, trazohen dhe qyqet në rrem me fjalimet njëjta, përdorur para 20 vitesh. Të njëjta nëpër shekujt të njëjtat sot, të njejtat nesër, të nëjtat pas 20 vitesh, deri kur me të njëjtat!?

Fuckit,

Deri kur, deri kuuuuur???”

Krejt e kuptueshme kur aktori Drin Berisha pas çdo shpjegimi ku gjendet mes arsyes dhe pa arsyes e jep piskamën: Nënën ja q*** luftës,

ku është e ku s’është, me bë me më dal përpara, e shti në dhe për së gjalli!”.

Edhe më i dhimbshëm bëhet kujtimi mbi babain e tij të vrarë në luftë kur flet me veten, me dyer e mure, me zogjtë “Ej o zog, a je aty, babain tim atdheu e ka hëngër, kujdes, ruaj zogjtë. Ai ishte paqësor siç je ti, paqësor ishte.

Bënte roje në një spital psikiatrik në qytet.”

Në ndërkohë që flet me arsye e dëshpërim të madh se si lufta vetëm varfëri sjellë. Tërë piskama, mllefi, zemërimi, neveria për luftën si përfundim shndërrohet në antologji të këtyre shprehjeve ku poezia frymëzuese kalon nga vaji, ëndrrat e dëshirat në mallkim. Na tregon se ne nuk i njohim dhimbjet e Kosovës vërtetë ose që secila derë në Kosovë është ndërmjetësim afirmativ mes njerëzve që jetojnë në të shkuarën dhe ushtarëve fiktivë që sjellin zëra nga e ardhmja. Në realitet nuk ka mes ku dyert hapen për ata që gjendet mes martirëve dhe lagjeve luksoze. Mesi është dera që “Biri/bija e mallkuar e Kosovës” kërkon që ta hap, e në valixhe ka dëshpërimin, pranimin e situatës e ndërgjegjësimin që nuk e çojnë këmbët as tek e kaluara as tek e ardhmja, por kërkon të jetë prezent pasiqë gjithë ato fjalë e shprehje i thotë duke shkumuar nga neveria e cinizmi. Derës që i lutet të hapet e që duket në pamje të parë mister se ç’derë është, unë e pashë si shpresë të vetme dhe strehë të ardhshme për pjesën e të papjesëve apo siç do t’i quante Dostojevski- Të fyerit dhe të poshtruarit. Katarsisi i fjalëve dhe dera si përfundim janë thirrje e piskama e fundit e tragjedisë së Pse-së, dhe pse-të nuk kanë mëshirë e nuk japin më shumë veç frikës, e frika më e madhe që e përçon kjo dramë është që të mos bëhemi si armiku, por t’i hapim rrugë vetës tonë që të çlirohemi nga traumat dhe politikat që rrënjosin praktika traumatizuese.

Dramës “Dera” të Naser Shatrollit do të iu referohesha si ‘Simulacra’ e autorit francez Jean Baudrillard, e cila jep kuptimet dhe simbolikat e kulturës dhe mediave që ndërtojnë përceptime mbi realitetin, ku jetërat dhe ekzistenca e përbashkët bëhen të lexueshme, e autori nëpërmjet simbolikave dhe tekstit na thërret për kurë, pranim, ndërgjegjësim, zemërim, autenticitet, dhe nuk e maskon mungesën e realitetit, por e reflekton atë. / KultPlus.com

Të ngjajshme