Fakte dhe dokumente për jetën e Nënës Terezë në ekspozitën e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës

17 Tetor, 2022 - 4:17 pm

“Zemra ime ka një dashuri të madhe me ardhë në Shqipëri me motrat e mia e me sjell këtë dashuri dhe këtë paqe“ është një ndër paragrafët e letrës së shkruar nga Gonxhe Bojaxhiu Nënë Tereza vite më parë, letër që ishte në mesin e letrave, fotografive dhe dokumenteve që u prezantuan në ekspozitën e përbashkët mes arkivave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ekspozitë kjo që u prezantua në shenjë të 25 vjetorit të vdekjes së Nënës Terezë, shkruan KultPlus.

Brenda një hapësire të rrethuar me 16 pllaka me mbishkrime, dokumente e fotografi të ndryshme në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës shpërfaqen këto dokumente, fotografi e letra që sjellin Nënën Terezë edhe më afër, e krejt kjo ndjesi e afërt me Nënën Terezë mund të përjetohet deri më 21 tetor, kur edhe do të mbyllet kjo ekspozitë.

Ideja për realizimin e një ekspozite të tillë kushtuar Nënë Terezës lindi thuajse para një viti, edhe pse hulumtimet për këto dokumente kanë filluar para pesë viteve, kanë bërë të ditur organizatorët.

Sipas tyre, hulumtimet janë realizuar në Shkollën e Mesme të Shkupit, ku edhe ka mësuar Nënë Terezë.

Muzafer Bislimi nga Arkiva Shtetërore e Maqedonisë së Veriut ka thënë për KultPlus se Nëna Terezë është shqiptare, pavarësisht faktit se Nëna Terezë i takon gjithë botës.

Secila pllakë përmban në vete fotografi e mbishkrime të ndryshme nga jeta e Nënë Terezë, si misionere nëpër botë, gjetje të të dhënave për familjen e saj, nderimet e figurës, pjesë nga shkollimi i saj, çmimet e fituara e shumë dokumente tjera.

Mirëpo për dallim nga herët tjera, kjo ekspozitë sjell hulumtime me zbardhje të dokumenteve të pa publikuara më parë siç janë: Kërkesa e miratuar për pasaportë nga Kryesia e qytetit të Shkupit për Nënë Terezën me datë 17 shtator 1928, pasqyrimi i gjithë anëtarëve të familjes Bojaxhiu dhe mirënjohjet nga organizatat ndërkombëtare.

Të pranishëm në hapje të kësaj ekspozite ndër të tjerë ishin edhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, profesori i historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës Jahja Drancolli, ku ky i fundit u shpreh i bindur se këto hulumtime sjellin përmirësime të duhura dhe fakte, sikurse është edhe dokumenti nga Vatikani, ku në atë dokument shkruhet se Nëna Terezë është shqiptare./ KultPlus.com

Të ngjajshme