Festivali i filmit arkeologjik ul siparin e edicionit të dytë

31 Tetor, 2022 - 10:40 am

Festivali Europian i Filmit Arkeologjik “Arkeovizion” uli siparin, pas një jave me projeksione të cilat e kanë afruar më shumë publikun me shkencën e arkeologjisë.

Dy dokumentarët e fundit të shfaqur në Muzeun Historik Kombëtar, ishin filmi gjerman “Arkeologji 2.0″ dhe filmi bullgar “Arkeologjia nënujore  në rajonin e Sozopolit/ Në thellësitë e liqenit të Ohrit”.

Të pranishmit u njohën me metodat e teknologjinë bashkëkohore që përdoren tashmë, duke lënë mënjanë lopatën e furçën e imtë për t’i zëvendësuar me metoda gjeofizike.

Këto metoda vijnë nga fusha ushtarake, ku me ndihmën e gjeomagnetikës zbuloheshin nëndetëset e armikut, ndërsa në arkeologji ato zbulojnë mure, rrugë dhe varre nën tokë.

Ky ishte edicioni i dytë i “Arkeovizion”, Festivali Europian i Filmit Arkeologjik organizuar në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), me mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) si dhe të ambasadës gjermane në Tiranë, asaj franceze, bullgare, Institutit Italian të Kulturës, si dhe Misionit të BE në Shqipëri.

Përgjatë javës së filmit arkeologjik, u shfaqën edhe 2 prodhime shqiptare, të financuara nga Bashkimi Europian. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme