“Unë nuk pata fatin ta njohë kurrë babën Zymer”, rrëfehet djali i cili humbi babën në luftë

24 Prill, 2019 - 2:23 pm

Lufta e fundit në Kosovë la pasoja të mëdha për vendin tonë, por dhimbja më e madhe është humbja e mijëra njerëzve, ndërsa i tmerrshëm është fakti se në mesin e tyre ka endë të zhdukur për fatin e të cilëve familjet ende presin përgjigje, ata duan t’i kenë trupat e familjarëve sepse vetëm atë herë shpirti i tyre do të ishte më i qetë.

Por, në këtë aspekt tash e 20 vite ndonëse është punuar për zbardhjen e fatit të tyre, ende rezultojnë të zhdukur rreth 1,648 persona.

Një histori të dhimbshme sot për KultPlus e ka ndarë edhe Atdhe Krasniqi. Djali 20 vjeçar që sot e feston ditëlindjen e tij por edhe kësaj radhe në mungesë të informacionit për babin e tij të zhdukur në luftë.

“Unë jam djali i Zymerit që nuk e njoha kurrë !”, thotë Atdheu, emri i të cilit dëshmon për dashurinë e familjes së tij për vendin e vet.

“Sot 20-të vite më parë erdha në jetë … Kur në vitin 1999 familjen time e larguan forcat serbe nga Kosova unë isha në mbrojtjen më të mirë , në barkun e nanës Lume! Unë linda në Shqipëri dhe isha sugari i prindërve, por unë nuk pata fatin ta njohë kurrë babën Zymer e sot e 20-të vite kam mall për të ! Po jetoj në një shtet pa respektin dhe mbrojtje, pa përparësi dhe përgjegjësi. Unë sot festoj ditë lindjen e 20-të dhe malli për babën Zymer nuk më shuhet asnjë herë ”, ka rrëfyer dhimbjen e tij Atdheu. / KultPlus.com

Të ngjajshme