Shporta me bukë të freskët

Poezi nga Mevlana Xhelaladin Rumi

Në qoftë se do të mësosh teori,
fjalosu me teoricienët. Kjo gjë bëhet me gojë.
Kur ti mëson një zanat, ushtroje atë.
Se të mësuarit vjen nga duart.
Nëse kërkon që t΄i shërbesh zotit, varfëri shpirtërore
dhe zbrazëti, duhet të bëhesh mik me një mësues.
Bisedimi, leximi i librave, dhe bërja e praktikave
nuk të ndihmojnë. Shpirti e merr nga shpirti atë dituri.
E fshehta e mungesës
mund të jetojë në zemrën tënde udhëtare,
dhe kjo gjë nuk është ende në dijeninë tënde .
Prisni të çelë dëlirësia e ndriçuar,
gjoksi juaj pothuaj mbushet me dritë,
ashtu si tha Perëndia:
A nuk të shpalosëm ne ty? (Kurani 57: 4)
Mos e kërko atë jashtë vetes.
Ti je burimi i qumështit. Mos mil të tjerët!
Ke një burim brenda vetes.

Mos u vërdallos me një kovë bosh.
Ti ke një shtrat lumi që futet në oqean,
por ti kërkon ujë në një pellg të vogël.
Lutu të rrezatojë dashuria. Meditoni vetëm
mbi atë. Kurani thotë:
Dhe ajo është me ty. (57: 4)
Është një shportë me bukë të freskët në kokën tënde,
por ti shkon derë më derë për të kërkuar kothere.
Trokit në derën e brendshme, askund tjetër.
spërkatesh deri në gju nga uji i freskët i lumit,
dhe ende kërkon ujë nga torbat e njerëzve të tjerë.
Uji është kudo rreth teje, por ti shikon
vetëm gardhet që të ndajnë nga uji.
Kali është nën shalët e kalorësit,
ndërsa ti ende pyet: “Ku është kali im?”
Ja aty, e ke nën vete!
Po, ky është një kalë, por ku është kali?
Nuk mund ta shohësh?
“Po mund ta shoh, po kush ka parë një kalë të tillë?”
Çmendur nga etja, ti s’arrin dot të pish ujë nga lumi
që rrjedh para syve të tu. Ti je si një perlë
që thellë mbi pjesën e poshtme brenda guaskës pyet
Ku është oqeani?
Këto dyshime mendore
formojnë gardhin pengues.
Qëndro i hutuar brenda Perëndisë,
dhe vetëm kaq.

Shqipëroi nga anglishtja
Laureta Petoshati

Elvana Gjata performon për herë të parë në Francë (FOTO)

Këngëtarja e njohur nga Shqipëria, Elvana Gjata, nuk di të ndalet.

Pas projektit të saj muzikor “Forever is over” që rezultoi të jetë mjaft i suksesshëm, këngëtarja ka nisur turneun veror në Francë.

“Kalova një ditë fantastike sot në Leucate, në intepretimin tim të parë të Forever is Over”, ka shkruar ajo në Instagram.

Elvana ishte e ftuar si pjesëmarrëse në festivalin e përvitshëm të radios franceze “NRJ Summer Tour”. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BXbKpB2hNPe/

Takimi i parë me Ibrahim Rugovën dhe deklarata e presidentit Chirak

Shkruan: KLARA BUDA

Studimet Universitare në Francë, në shkollën e “non-violencës” s’ka dyshim që kanë vulën e tyre, jo vetëm në tolerancën dhe frymën jo konfliktuale, por edhe në obstinimin intelektual si pjesë e individualitetit të tij jashte normës si studjues e më pas si politikan. Por nëse ai i zhvilloi dhe i shprehu me forcë e vendosmëri këto veti pas studimeve në Francë, ishte origjina e tij që ia kishte dhënë atij mësim e madh…

“Esprit”, është një revistë idesh filozofiko-politike themeluar në vitin 1932 dhe e angazhuar në problemet e kohës. Kjo revistë prestigjioze kishte pranuar në gjirin e saj Komitetin Kosova, që kishte objekt sensibilizimin e opinionit publik francez mbi Çështjen e Kosovës. Ky komitet mblidhej çdo javë në selinë e revistës, në rrugën Saint-Martin, në Paris.

Në ambientet e kësaj reviste e kam takuar për herë të parë Dr. Ibrahim Rugovën, intelektualin që nevoja për aksion politik në shërbim të popullit të tij e transformoi në politikan. Në vitin 1993 do ta intervistoja për herë të parë në studiot e Radio Francës Internationale, në Paris. Nga viti 1992, ai isht Presidenti i Republikës së Kosovës, në atë kohë, e vetëshpallur dhe e panjohur ndërkombëtarisht. Megjithëse jo politikisht korrekte, unë do ti drejtohesha publikisht Zoti President i Kosovës.

Siluheta e tij e hollë, me shallin e mëndafshtë nyje mbi kravatë, shënjë e elegancës së viteve parisiane, nuk kalonte pa rënë në sy. Por ajo që më bëri përshtypje që prej përshëndetjes kur e prita në hyrje të shtëpisë së radios dhe gjatë gjithë bisedës që bëmë së bashku on dhe off mikro, ishte se natyra e tij e qetë dhe i butë që emetonte ngrohtësi. Ai ishte një përzierje zjarri intelektual dhe stili jo të rastësishëm. Autori i eses aq të komentuar: Refuzimi Estetik, ishte pikërisht e kundërta e steriotipit të mashkullit ballkanik viril e muskuloz. Gjithshka që rezatohej nga figura e tij, dukej sikur qe krijuar si refuzim estetik i këtij steroitipi dominant. Kjo është arsyeja pse francezët do ta quanin “Le frêle colosse du Kosovo” (kolosi i brishtë i Kosovës).

Në takimet e mëpasshme, vërejta se shallin e kishte të përhershëm dimër e verë, si për të garantuar atë ngrohtësinë që rezatonte prania e tij. Ishte kjo thjesht një zgjedhje estetike e paqëllimtë, apo një mjet kumunikimi, për tu distancuar përmes stilit të veshjes nga modeli i politikanit dominant ballkanik, pra për të nënvizuar një ndryshim? Më pas duke ndjekur rrugëtimin e tij, mu krijua bindja se ajo ishte një shprehje e natyrës së liderit Kosovar dhe e qellimtë apo e rastësishme, ajo ndihmonte për të qartësuar diferencën e tij. Por një ditë ai do të deklaronte se do ta hiqte shallin kur të pamvarësohej Kosova. Nuk kishte më dyshim se ai shall elegant që i metaforë e zgjedhës së Kosovës, që i rinte si një lak në fyt. Por fatkeqësisht ai do ta mbante shallin e tij deri në fund. Kosova do të ishte zyrtarisht e pavarur vetëm pas vdekjes së tij. Presidenti legjendar i Kosovës nuk do ta shihte Kosovën të pavarur.

Nuk ka dyshim se teoria e tij e Rezistencës Paqsore, u përpunua mirë e më mirë edhe falë studimeve të tij të thelluara në filozofi dhe letërsi në Francë. Por ajo lindi e erdhi nga trashëgimia e Kosovës dhe u bë bekim për popullin e saj. Studimeve Universitare në Francë, në shkollën e ‘non-violencës, s’ka dyshim që kanë vulën e tyre, jo vetëm në tolerancën dhe frymën jo konfliktuale, por dhe në intelektualin e obstinuar si studjues e më pas si politikan. Por nëse ai i zhvilloi dhe i shprehu me forcë e vendosmëri të madhe këto veti pas studimeve në Francë, ishte origjina që ia kishte dhënë atij mësimin e madh. Rugova ishte djalë i vetëm, pasi babai i tij, sikurse më parë i gjyshi, do të vriteshin nga serbët. Në këto kushte Ibrahimi u rit nga gra të vuajtura që e edukuan me butësi, se nuk donin ta shihnin edhe atë të vdiste sikurse parardhësit e tij. Së bashku me këtë edhe mungesa e shëmbullit të imazhit mashkullor klasik, krijuan premisat e favorshme që të lindë individualiteti i babait të Rezistencës Paqsore. Ai ishtë rezultat i mënçurisë të farkëtuar në tre breza konfliktesh serbo-shqiptare. Kjo ishte “shkolla” e parë që i mësoi të hedhë poshtë dhunën. Ndaj mendoj se aty, në trojet e Rugovës lindi “Rezistenca paqsore” që sigurisht, ku më mirë se në Ecole Pratique des Hautes Etudes në Paris, do të zhvillohej e do të merrte forcë. Ishte pikërisht ky formim që e bëri të qendronte konseguent dhe të kishte largpamësinë të këmbëngulte në rrugën paqsore edhe kur askush nuk besonte më në të.

Siç e përmenda më lart, më 1993 ai do të ishte i ftuar i RFI-së Paris. Së bashku me kolegun kosovar Arif Krasniqi do ta intervistonim atë live duke ju drejtuar me termin Zoti President.

Përdorimi i termit president në një radio publike franceze, për kreun e një republikë të panjohur nga Franca ishte politikisht jo korrekt, pra një gabim profesional. Kolegët serbë nuk e lanë të kalojë këtë fakt. Ata kishin në dorë një gabim të redaksisë shqipe dhe e nënvizuan atë në të gjitha instancat. Personalisht jam shumë e kujdesshme në respektimin e etikës, por përpara legjitimitetit të zgjedhjes së Dr. Rugovës President, të mbështetur nga një referendum gjithëpopullor, ky ishte një “gabim” i pashmangshëm. Disa muaj më pas, kjo redaksi e parë e gjuhës shqipe në Paris do të mbyllej. Emisioni qe hapur me një fond të jashtëzakonshëm të parlamentit francez, votuar me propozimin e grupit të miqësisë Francë-Kosovë, që nuk u përsërit. E lajmërova live lajmin për mbylljen e programit; nuk i kisha llogaritur mirë forcat, zëri i dridhur, tradhtoi lotët që më kishin mbushur sytë.

Në përpjekjet e tij të paepura të lobimit për pavarësinë e Kosovës në periudhën 93-99, Dr. Rugova do të vinte shpesh në Paris, dhe kam pasur fatin ta shoh nga afër elegancën e sjelljes së tij. Në 13 dhjetor 1993, në kthim nga Washingtoni, Rugova do të ndalte në Paris. Do ti mbuloja për BBC-inë gjithë takimet e Presidentit për të kërkuar mbështjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe aktivitetin e dhënies së titullit Dr Honoris Causa nga Universiteti St. Denis, Paris VIII. Pas këtij nderimi, do ta intervistoja për BBC-inë. Ishte koha kur opoziat serbe ishte ngritur në protesta kundër regjimit të Milosheviçit. Pyetja ime insistuese, nëse mund të bashkohej protesta e Kosova me atë të opozitës serbe, për të rrëzuar Milosheviçin, dukej, se nuk i pëlqeu. Por si gjithmonë, reagoi butësisht. Butë por prerë: “Ju lutem, ajo është çështje e popullit serb, është mirë që Serbia të demokratizohet. Kjo do të jëtë një gjë e mirë edhe për rajonin, por Kosova ka organizimin e saj, që nuk ka të bëjë më Sërbinë!”

Gjatë vizitave dhe takimeve, ai ishte gjithmonë i rrethuar nga intelektualë, miq të tij që nga koha kur studionte pranë Roland Barthes, apo nga artistë kosovarë të mirintegruar, kitaristi Ehat Musa e Daut Berisha ishin më të afërtit në mes tyre. Berisha, ky piktor diskret, nuk dukej kurrë në asnjë aktivitet të komunitetit, por shfaqej dhe ishte i gjithëgjendshëm gjatë qëndrimit të Dr. Rugovës në Paris. Të gjithë këta artistë e intelektualë, mes tyre Presidenti i revistës Esprit e njëkohësisht drejtori i botimit të saj, Olivier Mongin apo juristi i mirënjohur Antoine Garapon e trajtonin me respekt të veçantë Dr Rugovën. Ata, përmes revistës “Esprit” dhe Komitetit Kosova ku militonin Marie Françoise Allain, Muhamedin Kullashi, Musa Jupolli, Xavier Galmiche apo Joël Hubrecht, ndër të tjerë, u bënë avokatë të rrugës së tij të Rezistencës Paqësore. Mendje hapur dhe modest Dr. Rugova e forcoi dhe përpunoi gjithnjë e më mirë teorinë e tij të Rezistencës Paqsore, vënia në praktikë e të cilës bëri aq shumë për njohjen e çështjes së Kosovës në botë!

Një darkë pas takimit në revistën “Esprit”, ku së bashku me gazetaren Marie Françoise Allain ishim femrat e vetme, Dr. Rugova mundësoi që të na sillnin lule. Ishte hera e parë që shihja një lider shqiptar, europian të mirëfilltë, e me bindje të thella për përkatësinë e tij europiane, që asgjë nuk e lëkundte. Shumica e burrave ballkanikë e humbin politesën ndaj femrave kur veshin petkat e liderit politik.

Pas shumë përpjekjesh, më 13 qershor 1998 Presidenti francez Jacques Chirac (Zhak Shirak) e priti Dr. Rugovën në Palais de l’Elysée. Ishte një ditë e shtunë, është një kujtim i paharruar. Atë kohë punoja si këshilltare në departamentin e medias në UNESCO dhe korrespondente prej Parisi për BBC-në Londër. Ndërsa prisnim për të regjistruar konferencën për shtyp që jepet në rastet e takimeve të dy Presidentëve në funksion, këshilltari i shtypit të Elizesë na komunikoi se do të kishte vetëm një seancë fotosh dhe një falenderim të liderit kosovar. Kjo do të thoshte se Presidenti Chirak nuk do të fliste, gjë që nënkuptonte se atij nuk duhet ti bëheshin pyetje. Republika e Kosovës, megjithëse legjitime, ishte në atë kohë e panjohur nga Franca. Presidenti Chirac nuk mund ta priste Presidentin Rugova në titullin e Presidentit. Për ta bërë këtë ai, më parë, duhej të njihte Republikën e Kosovës. Kur presidentët dolën në oborrin e Elizesë duke njohur protokollin dhe vendosjen e presidentëve, qendrova afër vendit ku do të vinte Presidenti Jacques Chirac. Gazetarët e bombarduan me pyetje Presidentin Rugova, por askush nuk i bëri pyetje Presidentit Chirak. Personalisht e dija se çfarë duhet të bëja. E shkela protokollin dhe e pyeta Presidentin francez, pothuaj si lutje, mbi pozicionin e Francës. Më e keqja që mund të ndodhte ishte që Presidenti të mos përgjigjej, pasi ne ishim paralajmëruar se nuk do të kishte pyetje. Por ai u përgjigj. Po e jap të plotë thelbin e përgjigjes së presidentit francez Jacques Chirak, për të cilën me modesti, kontribova unë vetë:« Sot në Kosovë ne jemi në një situatë afërsisht të të njëjtës natyrë [si dikur në Bosnje]. Gjithsejcili e sheh mirë që ka një nderhyrje brutale nga ana e Serbëve që shkakton exodin e kosovarëve, që shkakton konfliktet, të vrarët, se egziston në realitet një vullnet i pastrimit etnik, që po përseritet. Kjo gjë është e papranueshme dhe duhet të marrë fund. Nëse kjo do të vazhdonte, do te kishte rrezik të madh, pasi konflikti do të perhapej në ansamblin ballkanik. Në këto kushte Franca ka një pozicion të thjeshtë: duhet të perdoren gjithë mjetet duke përfshirë dhe ato ushtarake, për të vendosur paqen. Vendimet e para të NATO-os u morrën në këtë frymë, që përkon me pozicionin Francez dhe me domosdoshmërinë. Ne dëshirojmë që aksionet eventuale ushtarake të miratohen në unanimitet, në gjirin e grupit të kontaktit dhe mendoj se kjo është e mundur. Ne e mbështetëm menjëherë rezolutën që kërkon autorizimin e Këshillit të Sigurimit për të reaguar në mënyrë ushtarake nese del nevoja dhe urojmë qe vendimet të merren në gjirin e Këshillit të Sigurimit. Këtë të djelë do të behen veprimet e para, të hënën do të zhvillohen bisedimet midis Eltsinit dhe Milosheviçit, dhe shpresoj se do të arrijmë ndalimin agresionit të Serbëve në Kosovë, në të kundërt do të përdoren të gjitha mjetet duke perfshirë dhe ato ushtarake. »

Ishte një deklaratë e fuqishme në mbështetje të Kosovës, e bërë për herë të pare nga Franca në këtë nivel, Presidentit Rugova i ndriçonin sytë. Duke u larguar, ai përsëriti shprehjen e tij origjinale, tashme të zakonshme: « L’independance pour Kosova » (Pamvarësi për Kosovën).

Presidenti Rugova, gjithë jetën e tij do t’ia kushtoi Pavarësisë së Kosovës. Sigurisht që ai do të kishte parapëlqyer të qendronte pranë librave. Kjo duket edhe në këtë thënie të tij:” Nëse në historinë e Shqipërisë do të ngelet diçka nga unë, kjo do të jetë figura e intelektualit”.

Nuk e kishte gabim, suksesi i tij në popull do ti vijë nga politika e Rezistencës paqsore që e zgjodhi intelektuali i thelluar, e që besoi se shprehte një aspiratë shekullore dhe kjo në një kohë që intelektualë të tjerë e kritikonin pikërisht për çka ishte i famshëm: Rezistencën Paqsore. As shtrëgimit i dorës së Milosheviçit, pas sekuestrimit të tij prej serbëve në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe transferimit në një vend të panjohur, i paraqitur si tradhëti, por që në fakt s’ishte asgjë, nuk do ta lëkundte besimin e tij në popull.

Edhe pas gjithë luftrave në ish – Jugosllavie, në fund të viteve 90 të, kur kjo rezistencë i kishte treguar qartë limitet e saj, edhe ateherë kur askush nuk besonte më se ajo do tu sillte zgjidhje shqiptarëve të Kosovës, respekti dhe reputacioni që kishte krijuar Dr. Rugova, i hapte përmes tij, çështjes së Kosovës të gjitha dyert dhe falë kësaj ai vazhdoi të bënte për Kosovën diplomatkisht më shumë se gjithkush tjetër, madje, paradoksalisht, edhe gjatë fazës më të zjarrtë të veprimit të UÇK-së, ishte ai që vazhdonte të bëntë më shumë.

Ideatori dhe lideri i Rezistencën Paqsore, do të mbahet mend si shkollari elegant që ja kushtoi gjithë jetën e tij çështjes së Kosovës. Ai që shumë europianë do ta quanin Gandhi i Kosovës, ngelet politikani i rrallë modern shqiptar me bindje perëndimore që askush nuk e ka barazuar deri më sot.

KLARABUDAPOST.COM

Përdorimi i emrit Anna Oxa tash do të dënohet me ligj

Këngëtarja shqiptare Anna Oxa e ka patentuar emrin e saj.

Kjo do të thotë se askush në botë nuk do të mund ta përdorë emrin e saj, pa lejen e saj. Ajo ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Itali për të realizuar planin e saj.

Anna Oxa, emri i vërtetë i së cilës është Iliriana Hoxha, ka treguar se do të dënohet me ligj përdorimi i emrit të saj. Njëjtë ka vepruar edhe me emrin e kompanisë së saj – Oxarte.
Shpesh artistët patentojnë emrat e tyre, si shenjë dalluese dhe e cila është pronësi ligjore e tyre. / KultPlus.com

Kur Irene Papas i tha Margarita Xhepës: “Qenke më e bukur se unë”

Margarita Xhepa, kjo aktore e madhe e skenës kulturore shqiptare, nuk ka ditur të zhgënjejë asnjëherë me performancat e saj në teatër dhe në film.

Mjeshtre e madhe e artit, që shumë herë është krahasuar edhe me Irene Papas e me Melinë Mërkurin, është rritur në një varfëri shpirtërore e fizike, për faktin se nëna i vdiq qysh e re dhe ajo u desh të gjendej e vetme në rrugën e jetës.

Irene Papas madje në një rast shumë afër fizikisht me artisten shqiptare, i pati thënë ca fjalë që e mrekulluan artisten dhe të gjithë shqiptarët.

Para disa vitesh, Margarita Xhepa dhe Kadri Roshi morrën pjesë në një festival teatrosh në Selanik ku ishte e pranishme edhe Irene Papas. Margarita doli në skenë për të marrë mirënjohjen e saj, ndërsa Papas i tha “Më vjen keq që qenke më e bukur se unë”.

Tregimin e jep aktori Jovan Jano para disa vitesh, por nuk ka dyshim se diçka e tillë ka ndodhur marrë për bazë bukurinë dhe talentin e aktores Margarita Xhepa.

Xhepa është një ndër aktoret emblematike dhe më të respektuarat në historinë e kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Një Sophia Loren shqiptare, një Ingrid Bergman e dytë, ajo është përfshirë në libra të studiuesve të ndryshëm dhe është cilësuar si aktore e kalibrit më të lartë botëror.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.

Veç roleve në teatër, ka realizuor edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në vitin 1997 interpretoi ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit. / KultPlus.com

Muzika dhe dasmat e çoroditura që po marrin jetë njerëzish

Shkruan: Mr.sc. Elizabetë Qarri, Pedagoge e muzikës, ligjëruese universitare

Në kulturën shqiptare muzika tradicionalisht ka qenë pjesë e jetës njerëzore si refleksion i proceseve të ndryshme kulturore e historike. Ajo pasqyron gjendjen shpirtërore të popullit si pjesë e identitetit historik kombëtar. Shqiptarët historikisht i kanë kënduar si gëzimit ashtu edhe vuajtjes, i kanë kënduar trimave e dëshmorëve, krenarisë e sakrificës kombëtare.

Krijuesit dhe artistët kanë qenë gjithmonë ata që me krijimtarinë dhe artin e tyre, kanë nxjerrë edhe heronjtë e mëdhenj kombëtar të dalë nga luftërat shtypëse ndaj shqiptarëve. Pra, si në ditët e gëzimit edhe në ditët e trishta të jetës, ngushëllimin e gjejmë te kënga. Te shqiptarët po këtë kulturë e hasim edhe në vallet tona, e tillë është “ Vallja me shpata” por edhe shumë të tjera. Të gjitha këto, janë vetëm një pjesë e realitetit të trashëgimisë sonë, ndaj edhe janë ngritur sintagma të shumta te shqiptarët për muzikën dhe këngën në veçanti. Por, mjerisht një pjesë e kulturës dhe traditës sonë e përcjellë tashmë në dasmat tona, kohëve të fundit po krijon deformitete të mëdha, përmasa këto që festat familjare po i shndërron në kob familjar.

Është bërë lajm i zakontë që paku një herë në javë të dëgjojmë se si nga të shtënat e armëve në dasmat shqiptare gjithandej, plagosen e humbin jetën burra, gra e fëmijë. Rituali i shtënies me armë dikur paralajmëronte ardhjen e krushqve, kishte kuptimin e “kushtrimit” pra njoftimit apo lajmërimit. Sot është ndryshe, ritualet e çmendura të gjuajtjes me armë në festa të rëndësishme, pasqyrojnë agresivitet dhe mentalitet arkaik e primitiv, ku nevoja për tu çliruar nga komplekset e thella njerëzore dominon edhe mbi jetët e njerëzve. Euforia e dasmave është shndërruar në një fenomen shoqëror, ku shtresa të caktuara të shoqërisë po krijojnë madje edhe modele absurde që imponojnë jo vetëm mënyrën e të festuarit, por tashmë edhe mënyrën e shpenzimit të parasë.

Dikur, dasmat pasqyronin identitetin kulturor të një treve të caktuar, ndërkaq sot diferencën e përbëjnë shtresat shoqërore si refleksion i mentalitetit kulturor, të cilat pasqyrojnë nivelin social e intelektual të tyre. Euforia e dasmave shqiptare po ndikohet edhe nga modelet krijuara që shfaqen çdo ditë të publikuara në rrjetet sociale, ku në raste të caktuara shpenzimi i shumave marramendëse që arrin deri në dhjetëra mijëra euro për një natë, lë të kuptosh anomalitë dhe problemet e shumta që ka shoqëria jonë. Madje, dëgjojmë edhe rrëfime të ndryshme se si merren edhe kredi me mijëra euro euro, që shpenzohen për një natë ani pse kthehen për dhjetë a më shumë vite. Pra, në një farë forme, kriteri që përcakton nivelin e dasmës është bërë shpenzimi enorm i parasë. Kjo çoroditje mbase mund të duket normale për njerëz që nuk e kanë provuar skamjen, por jo edhe për një familje të kapluar nga varfëria e cila preokupimin e vetëm ditor e ka sigurimin e ushqimit për fëmijët e tyre. Ky është kontrasti më i dhembshëm i shoqërisë sonë, e të tilla në familjet tona shqiptare ka shumë. Ndoshta do ti trajtonim më me gjentilesë të gjitha këto, sikur të mos na impononin e bënin publike, por kjo situatë pa dashje të shtyn të mendosh në repartet e spitaleve të mbushura me fëmijë e pleq të cilët ditët e fundit të jetës i shtyejnë me shpresë se sëmundja e tyre mund të gjejë shërim jashtë vendit. Për ta, lajmi më i gëzueshëm mund të jetë një dorë e zgjatur e një zemër humane, që i bën ata ta shohin diellin përsëri. Por, ne shqiptarët raportin me gëzimin dhe hidhërimin e kemi disi të cuditshëm. Herë pas here humbim sensin e ruajtjes së ekulibrave të kësaj marrëdhënieje dhe si rezultat përfundojmë lehtësisht të palumtur apo edhe në tragjedi.

Një makth tjetër që këto ditë po krijon çoroditja e dasmave, është ai urban. Në rrugët kryesore të kryeqytetit këto ditë vere shohim se dasmat janë shpeshtuar. Është e çuditshme se si ne e konceptojmë lumturinë. Po s’ia imponuam të tjerëve, disi nuk e shijojmë, e bëjmë me çdo kusht dhe shfrytëzojmë çdo mjet për ta bërë, madje edhe kur shijojmë ushqimet e preferuara, i publikojmë me fotografi, sepse na shijojnë më shumë. Në të vërtetë, është shumë bukur të gëzohesh dhe çdokush ka të drejtë të jetë i lumtur, por çuditërisht kemi dëshirë që gjërat ti bëjmë më shumë për të tjerët sesa pë vete. P.sh. cfarë kuptimi ka kur në kolonat me dasmorë sheh gra e fëmijë të ulur në xhamat e hapur të automjeteve duke goditur me grushta kulmin e automjetit, e duke komunikuar me eufori, ndërkohë muzika gumëzhin deri në qiell?

Habitem se si arrijnë ta bëjnë. Madje, kur sheh në njërën anë flamurin kombëtar e në anën tjetër muzikën e përzier me elementë orientalë, sllavë, e shumëçka tjetër, atëherë fillon e mendon se aty diçka nuk shkon, ose flamuri me muzikën ose muzika me flamurin, jo pse kam kundërshti për njërën apo tjetrën kulturë, por kundërshtoj fortësisht pretendimet se kështu ruhet tradita. Fundja, ti qëndrosh në ballë flamurit kuq e zi, do të thotë të qëndrosh “shqip” me gjithë karakteristikat e tij. Epo, kështu i bën pyetje vetes se athua si do ta përjetonte e komentonte këtë situatë një individ joshqiptar, jo pse të tjerët janë më të mirë se ne, por cili është modeli që ne duam?! Por ka edhe më keq.

A duhet menduar dikush se në këtë kaos dikush mund të bie nga xhami e të përfundojë nën rrotat e automjetit? Apo tjetra, se si do të ndjehej një njeri që në po atë minutë mund ta ketë humbur një të dashur nga familja e tij? A do të duhej që edhe ai të ulërijë jashtë nga xhamat e automjetit, që ta kuptojë bota hidhërimin e tij? Si gëzimi, edhe trishtimi janë pjesë të jetës, por nuk kuptoj pse duhet t’ia imponojmë të tjerëve, pa na e kërkuar. Në botë, në një minutë lindin rreth dyqindepesëdhjetë dhe vdesin rreth njëqindepesëdhjetë njerëz. Pra, drama njerëzore në të njëjtin moment mund të jetë e ndryshme për secilin nga ne. Ritualet kanë edhe vendin edhe kohën e duhur. Për më tepër, kultura e ruajtjes së traditës nënkupton nivelin e civilizimit të një populli, për ta përcjellur dhe ruajtur ndër breza atë. Ndërkaq, euforia si në gëzim ashtu edhe në trishtim mund të sjell kob të ri, këtë që armët po na e sjellin në dasmat tona! T’i largojmë ato e të provojmë virtytin e madh të maturisë, në gëzim e trishtim!

Këto janë mësueset e para të gjuhës shqipe

Në vitin 1891, Korça qyteti më elitar shqiptar, qyteti i dijeve dhe i mësonjëtores së parë shqipe do të shënonte dhe hapjen e një shkolle për vashat. Ishte një hap i madh për kohën. Ndoshta më moderni. Në një kohë kur prej pesëqind vjetësh sundonin osmanët, të cilët e kishin mbajtur në obskurantizëm popullin shqiptar dhe veçanërisht femrën, hapja e një shkolle për vashat do të ishte një kthesë vendimtare drejt emancipimit.

Të ishe mësues në atë kohë për meshkujt ishte e vështirë sepse të rrezikohej jeta në çdo moment nga turqit, dhe qarqet shoviniste greke, të cilët dënonin çdo përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe. Janë jo të rralla rastet kur ata që predikonin shqip dhe mësuesit e parë vdiqën në mënyrë të llahtarshme e të mistershme.

Por brezi i shqiptarëve që rritej në atë kohë do ishte me të vërtetë brezi i artë i kombit shqiptar. Ata e adhuronin kombin, ata edukoheshin me një frymë të tillë, ku jeta nuk ishte asgjë para këtij ideali të çmuar. Dhe jepnin çdo gjë për idealin. Ishte një frymë mahnitëse shqiptare.

Motrat Qiriazi do të ishin pjesë e kësaj fryme, pjesë e këtij ideali me emrin komb. Dhe do realizonin diçka që deri në atë kohë as nuk ishte menduar e jo më të bëhej realitet. Do ishin mësueset e para shqiptare në shkollën e vashave dhe vite më pas do bëheshin drejtueset e saj. Sa guxim, sa ngjadhnjim, sa forcë!

Të bën përshtypje karriera e tyre në një kohë obskurantizmi. Por ia dolën. Të dyja bashkë në udhëtimin e arsimit shqip, aq sa më të drejtë mund të cilësohen si binjaket e shqipes së çmuar.

“Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”.

Për Sevastinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.

Dhe në fakt të dyja do shkëlqenin në karrierën e tyre në një vend të vështirë si Shqipëria duke dhënë kontribute të çmuara jo vetëm në arsim por dhe në emancipimin e gruas shqiptare.

Ishin të pandara në veprimtarinë e tyre derisa vdekja i ndau. Së bashku do ishin mësueset e para të shkollës së vashave, më pas do shkonin në Rumani dhe në Amerikë ku do jepnin një kontribut të padiskutueshëm dhe në revistën “Ylli i mëngjesit” në Amerikë.

Ajo që do ndriste pak më shumë nga këto veprimtare patriote dhe ndër më të kulturuarat në jetën shqiptare do ishte Parashqevia. Rezultatet e saj do ishin shkëlqyese.

Parashqevi Qiriazi do të lindë në 2 qershor të vitit 1880 në Manastir. Shkollën e parë fillore dhe të mesme do ta kryente në vendin e saj të lindjes. Më pas do të vazhdojë studimet në kolegjin e Stambollit për vajza në degën e letërsisë dhe do të shquhej për veprimtaritë e saj studentore.

Ëndrra e saj e madhe ishte të kontribuonte për Atdheun. Në një kohë të artë ku veprimtaria patriotike ishte në kulmin e saj njerëzit më të ndritur të kombit shqiptar iu përkushtuan ideve kombëtare dhe veçanërisht çështjes së gjuhës shqipe. Kështu ajo do bëhet mësuese dhe pak muaj më vonë drejtuese në Shkollën shqipe të Vashave në Korçë.

Parashqevia do të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit ku u hartua alfabeti shqip dhe ajo do të përpilonte këngën e Famshme të alfabetit.

Në 16 janar të vitit 1909 Parashqevia do të hartojë në bazë të alfabetit të ri të vendosur nga Kongresi i Manastirit abetaren shqipe që është teksti i parë i hartuar me alfabetin e ri.

Në vitin 1912 ajo do regjistrohet në studimet pauniversitare për pedagogji në Kolegjin e Oberlinit në Ohaio, SHBA. Dhe aty ajo do shkëlqente me temën e saj të doktoraturës që ishte: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.”

Në Amerikë ajo hartoi dhe programin mësimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit.

Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914 do të largohet nga Shqipëria. Gjatë fundit të vitit mori pjesë në krijimin e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në Sofje ku do të jetë sekretare.

Gjatë viteve 1917-1920 ajo do qëndrojë në SHBA ku do të hapë një revistë shumë të njohur me emrin “Ylli i mëngjesit”. Në vitin 1913 ajo emërohet drejtoreshë e shkollës së Vashave në Korçë e cila më pas do hapet në Tiranë.

Në vitet e pushtimit nazifashist do të arrestohet dhe do të internohet në kampet e përqëndrimit. Pas çlirimit do t’i shtetëzohet Instituti Qiriazi. Dhe do ta ngrysë jetën si Mësuese patriote.

Minas Halaj, artisti i fytyrave që kthehen në art me lule (FOTO)

Një piktor i tillë sheh të bukurën në çdo fytyrë. Ndoshta thënia bëhet edhe më e qëndrueshme kur shohim se Minas Halaj në cdo fytyrë inkuadron lule të bukura. Abstrakte më pas bëhen këto fytyra kur hyjnë në duart e artistit amerikano-armen.

Halaj është 35 vjeçar ndërsa pasi ka përfunduar shkollimin fillestar në Jerevan të Armenisë, ka vazhduar jetën e tij në Amerikë. Artist i disa mediumeve, ai eksperimenton me vaj, me grafikë, me kafshë, me natyrën dhe me anatominë.

Pikturat e tij janë në shtëpinë e Jim Carrey, dhe artistë të tjerë kanë në muret e shtëpive të tyre punë nga dora e këtij artisti. Pos të bukurës, Halaj merret edhe me tema artistike më sensitive. Në koleksionin e tij gjenden edhe piktura të inspiruara nga Rilindja Amerikane, që reflektojnë përvojën e refugjatit, nevojës për shtëpi, vuajtjes shpirtërore. / KultPlus.com

Valltarët nga Shkodra ngrejnë flamurin kuq e zi në mes të Serbisë (FOTO)

Ansambli artistik i Teatrit “Migjeni” i Bashkisë Shkodër ngre flamurin kuq e zi në Serbi duke bërë një prezantim dinjitoz.

Ne festivalin ballkanik “Urat e Ballkanit” Shqipërinë e prezantoi Teatrit “Migjeni” i Shkodrës. Ansambli ynë bëri një prezantim mbreslënës më 1 dhe 2 Gusht në Prijepolje. Shqipëria, Shkodra , ansambli artistik i qytetit tonë dhe flamuri kuq e zi që u mbajt për gjatë gjithë rrugës në Serbi, bënë që përtej një festivali, eventi të krijojë një tjetër dimension, atë tē një ure afrimi mes dy vendeve tona, shkruan Bashkia Shkodër në faqen e saj zyrtare.

“Will and Grace” nënshkruan edhe për sezonin e dytë të rikthimit

Ende pa dalë sezoni i parë i vazhdimit të serialit të njohur Will and Grace, NBC ka nënshkruar me ta për vazhdimin
edhe të një sezoni.

Seriali i njohur i viteve 90-të dhe fillimit të viteve 2000, do të kthehet me 11 episode muajin tjetër, ndërsa tanimë ka nënshkruar edhe për sezonin e dytë.

Sezoni i dytë vjen vitin tjetër, me 18 episode. Jack, Grace, Will dhe Karen Walker janë katër personazhet kryesore të serialit që u shfaq deri në vitin 2006 dhe mbetet një ndër serialet më të njohura amerikane ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Fansat janë gëzuar që tanimë i kanë siguruar 24 episode dhe dy sezone të reja të këtij seriali. Seriali gjithmonë komentohet për trajtimin ndaj komunitetit gej e lezbik, për faktin se dy meshkujt në serial janë homoseksualë ndërsa dy vajzat kanë tendenca shpesh të kenë pëlqim me vajza të tjera. / KultPlus.com

Bebe Rexha dhe Louis Tomlinson me performancë të shkëlqyer te ‘Jimmy Fallon’ (VIDEO)

Dyshja Bebe Rexha dhe Louis Tomlinson kanë interpretuar këngën e tyre “Back to You” në shoun televiziv “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon” në New York, shkruan KultPlus.

Kjo performancë të cilën Rexha e ka shpërndarë në Facebook është pëlqyer shumë nga fansat dhe ka filluar të shpërndahet menjëherë pas publikimit.

Më poshtë po ju sjellim videon e performancës në fjalë. / KultPlus.com

Avicii i impresionuar me ‘vokalin e jashtëzakonshëm’ të Rita Orës (VIDEO)

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Rita Ora është mysafire e DJ-it suedez, Avicii në albumin e tij të ri.

Në rrjetet sociale Avicii ka vlerësuar lartë vokalet e këngëtares shqiptare, me të cilën do të sjellin këngën “Lonely Together”, transmeton Koha.net.

“Dëgjoni vokalet e jashtëzakonshme të Rita Orës në “Lonely Together”. Pesë ditë kanë mbetur deri kur të mund ta dëgjoni këngën e plotë”, ka shkruar Avicii.

Më 10 gusht Avicii do të sjellë albumin e tij që e ka titulluar “Avīci”, i cili nuk përfaqëson emrin e artistit.

Youredm shkruan se në budizëm “Avīci” është niveli më i ulët i “ferrit” mbretëror, në të cilin të vdekurit që kanë kryer vepra të rënda mund të rilindin.

Fansat tashmë kanë dëgjuar sekuenca të shkurtra të këngëve “Lonely Together” dhe “Without You”, kurse së shpejti pritet t’i dëgjojnë edhe “Friend Of Mine,” “What Would I Change It To,” dhe “You Be Love”. / KultPlus.com

Telegram ngushëllimi për vdekjen e aktorit Skender Tafaj nga SHATK-ja

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) përmes një komunikate për media ka shprehur ngushëllimet familjarëve, miqve e kolegëve për vdekjen e aktorit Skender Tafaj, përcjellë KultPlus.

“Me rastin e vdekjes së aktorit Skender Tafaj (1948 – 2017), Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të shumtë. Në këto çaste të rënda për ju, ne bashkëndjejmë me dhembjen dhe me pikëllimin për aktorin dhe artistin e shquar, i cili, për shumë vjet, skenës teatrore dhe filmike kombëtare i fali personazhe dhe kreacione të shumta artistike”, thuhet në komunikatë.

SHATK më tutje thotë se, “si një nga aktoret tanë me individualitet krijues, ai, prej vitit 1969 e deri në vitin 1988 (kur për shkaqe politike u detyrua të largohej nga Kosova), veproi dhe krijoi në skenën e ish Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës, ku, me rolet e tij të shumta, u shqua në shfaqje të tilla si: “Revizori”, “Miza në vesh”, “Hotel Kashta”, “Makbethi”, “Një nuse per Stasin”, “Trungu ilir”, “Hamleti”, “Gof”, “Verbimi i Samsonit”, “Varri i qyqes”, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Zogu i diellit”, “Konfiteori”, “Princi i hijeve”, “Ventrusët”, “Beselam pse më flijojnë” etj. Ai gjithashtu njihet edhe per rolet dhe kreacionet e tij artistike në disa nga projektet kinematografike të ‘Kosova Filmit’”.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se vdekja e aktorit Skender Tafaj është një humbje e madhe për artin tonë teatror dhe kinematografik.

Kjo Shoqatë thotë se, “emri, jeta dhe vepra artistike e Skender Tafajt përfaqësojnë një nga periudhat më të rëndësishme të zhvillimit të teatrit e të filmit në Kosovë. Në ngrehinën historike të vlerave tona skenike e filmike, ai dhe brezi i tij i artë do të mbahen në mend për rolet dhe kreacionet e shumta artistike me veçori dhe tipare të theksuara kombëtare. Në këto çaste të rënda dhembjeje për ne të gjithë, ne lutemi që shpirti i tij të pushojë përjetësisht në paqe!”. / KultPlus.com

Ajo që nuk është ditur për monumentin e Skënderbeut në Prishtinë

Shkruan: Ilir Muharremi

Duhet të sqarohemi që në fillim, se ky nuk është shkrim historik apo ndonjë teori e thatë që tenton të njollosë historinë, por një vështrim, analizë rreth monumentit të Skënderbeut në Prishtinë tek i cili çdo ditë gjejë diçka tërheqëse interesante. Pse heroi në atë monument është më i madh se kali, kur dihet që kali është më i madh se njeriu, në përmasat trupore. A paraqitet Skënderbeu si figurë legjendare? A duhet të jetë tokësor në raport me kalin? A është proporcionalisht i punuar gabim nga skulptori? A rriten qëllimisht përmasat apo përzihet ana mitike me atë reale të njeriut? Mitit është mit dhe në vete nuk ruan ndonjë saktësi shkencore, kurse kalimi i Skënderbeut në figurën reale ashtu siç ishte kjo, është më e rëndësishme. Këtë e bëri profesori Oliver Jens Schmitt në librin e tij. Në libër Skënderbeu zbret nga lartësitë legjendare, bëhet personazh tokësor.

Kurse skulptura e Skënderbeut në Prishtinë e punuar nga J. Paco në material bronz si duket më shumë ka të bëjë me pjesën legjendare të tij se skulpturës realiste me përmasa të sakta. Nëse bëjmë një matje të thjeshtë përmes njësive matëse të barabarta, lartësinë e kalit edhe lartësinë e trupit të Skënderbeut. Kuajt maten duke filluar nga pjesa ku qafa e tyre bashkohet me kurrizin, deri te patkonjtë, kurse njeriun nga pjesa e sipërme e kokës gjerë te gishtërinjtë e këmbës, vërejmë më të plotë dhe më të madh figurën e Skënderbeut sesa atë të kalit. Ana artistike proporcionale nuk është e saktë me përmasa reale.

Pyetja që me vije është se si ka mundësi udhëheqësit e asaj kohe të viti 2001 të mos vënë re një detaj të tillë, që në fakt nxjerr më të lartë Skënderbeun se kalin? Kuajt më të lartë të njohur deri më sot janë nga 210 cm, ndërsa ata të vegjël që quhen Poni 145-148 cm. Nëse kali i tij që 1.73 më i lartë siç mendohej, ka mundësi që Skënderbeu të jetë më i shkurtë, por jo shumë më i lartë se kali në imazhin e shtatores, ndonëse kjo na pëlqen të gjithëve ta parafytyrojmë. E vërteta është se njeriut nuk mund të jetë më i lartë se kali.

Monumenti i Skënderbeut në Prishtinë është kopje e atij në Krujë, i ulur në kalë, derisa kali ngritë këmbën e djathtë, po ashtu edhe Skënderbeu me dorën e djathtë mban shpatën, kokën e ka të kthyer kah armiku ngaqë përballet me një ushtri shumë më të madhe. Ndodhet i pa frikësuar në betejë. Përveç që i jepet rëndësi figurës së Skënderbeut, duhet t’i jepet edhe figurës së kalit sepse kali përdoret si simbol që ka shoqëruar heroin. Barleti e thekson se kali qe i një race të zgjedhur dhe pas vdekjes së Skënderbeut nuk pranoi t’i hipte tjetër njëri, andaj dhe ngordhi.

Prej kohës rrjedh një dokument në qarqet e historianëve që flet jo saktë për gjatësinë e Skënderbeut. Në letër, Skënderbeu i drejtohej Venedikut me fjalët: “Në lidhje me rrobat, që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç iu janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje e aq jepmëni”. Çka del nga kjo se për Venedikun, 8 krahë rroba (stof) mjaftonin për të mbuluar një trup me shtat mesatar. Përflitet se gjatësia mesatare e trupit të tij qe prej 1.75 m. Nëse Skënderbeut nuk i mjaftonin 8 krahë rroba, kjo do të thotë se ai ka qenë më i gjatë se 1.75 metra. Atëherë, nëse ai ka kërkuar qoftë edhe vetëm një krah më shumë rroba, rezulton që ai ka qenë goxha shtatlartë, sepse nëse për një trup 1.75 m., mjaftonin 8 krahë rroba, atëherë me 9 krahë rroba mund të mbulohet një trup prej 1.98 m. Në tekst shkruan se “ Kjo do të thotë që Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth 2 metra i gjatë. Ndërkaq në anën tjetër, për të pasur një ide se si mund të jetë dukur veshja e Skënderbeut, mjafton të përmendet fakti që 1 krah venedikas ishte 0.58 m, rrjedhimisht, i bie që trupi i Princit arbëror, mbulohej me veshje të bëra nga 10.44 metra stof (0.58 x 9 = 5.22; 5.22 x 2 = 10.44).” E tëra kjo mbetet ende e pasaktë, por saktësia më e mirë është se njeriu asnjëherë s’mund të jetë më i lartë se një kalë, përjashtuar Ponin.

Përse mititzohet Skënderbeu dhe në realitet rriten përmasat e tij fizike?

Miti i përket një kohe të caktuar, historia shkruan për mitet greke, por edhe sot janë tërheqëse, por një figurë historike të mitizohet, andaj edhe te artistët ndikon kjo sepse sistemi dikton edhe realizmin e skulpturës rasti konkret i Skënderbeut me Kalin. Skënderbeun e mitizuan në shek. XIX dhe në XX. Të parët qenë arbëreshet më vonë diaspora dhe shtetet tjera.

Cili qe miti i vlerave të tij? Luftoi për atdheun e jo për interesa meskine. Vet ai bëhet legjendë me këtë thënien e famshme: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush!”, në radhe të parë qe prijës kombëtar që bashkoi shqiptarët nën flamurin kombëtar dhe i udhëhoqi kundër pushtuesve turq. Koha e tij qe triumfuese e ngjarjeve dhe betejave, nuk kishte thyerje, por trimëri shqiptare kundër barbarisë turke. Kjo nuk pati jetë të gjatë, për shkak vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të më vonshëm turk. Esenca nuk qëndronte te miti, legjenda, rritja e anës fizike, por të parimi etnik i cili qëndronte në një kohë kur dallimet fetare, krishterë/mysliman qenë më primare. Andaj, Skënderbeun unë e shohë njerëzor tepër njerëzor, sikurse Napoleonin apo ndonjë Gladiator të kohës.

Historia e Skënderbeut qe e një prijësi mesjetar, sundim vetjak ndaj pushtuesve e jo motive kombëtare sepse në atë kohë nuk kishin shumë kuptim. Vetë pasuesit e tij qenë me përkatësi të ndryshme etnike. Sundimi i tij qe mbi njerëz e jo mbi hapësira. Hapësira ku përplasej Skënderbeu qenë shumë elastike, as nuk zgjeroheshin e as nuk ngushtoheshin, ishte vetëm rezultat i përleshjeve. Gjithmonë historia e Shqipërisë është shkruar pa kontekst, ngaqë aty shqiptarët gjithmonë janë faktori kryesor dhe qendra e zhvillimeve. Arti duhet të tregoj të vërtetën e njeriut në aspektin estetik/artistik, të jetë çdo gjë proporcionalisht në vendin e duhur, përjashtuar historinë. Problemi tjetër që duhet të ngritët është pse gjithmonë Skënderbeu mendohet në kalë, kur ai qe edhe strateg i mirë, mendimtar, intelektual, nuk ishte vetëm luftëtar siç e përshkruan historia shqiptare apo siç e punojnë skulptorët shqiptarë. Ndoshta një ditë do ta zbresim nga kali ta punojmë me ndonjë libër ose duke biseduar. / KultPlus.com

Filmi ‘Home’, një rol të rëndësishëm në përhapjen e lidhjes kulturore të Kosovës

Sarandë Selimi

Bashkë-prodhuesit e filmit ‘Home’, film ky i cili mori BAFTA-n e parë të Kosovës, ndanë perspektivën e tyre mbi rëndësinë e projekteve bashkëpunuese si dhe rolin e ‘Home’ në përhapjen e lidhjes kulturore për Kosovën. Ky ishte Paneli Industrial në kuadër të edicionit të 16-të të DokuFest-it, i cili nisi mbrëmë këtë rrugëtim, shkruan KultPlus.

Ky panel mblodhi rreth vetës dy producentët si Afolabi Kuti nga Britania e Madhe dhe Shpat Dedën nga Kosova ndërsa të pranishëm për të folur rreth kësaj çështje ishin edhe Shpend Qamili-Fundraising dhe Koordinim dhe Eroll Bilibani-Producent Ekzekutiv i cili njëherësh edhe udhëhoqi këtë diskutim.

Gjithçka nisi me producentin nga Britania e Madhe Afolabi Kuti, i cili fillimisht foli rreth përshtypjeve të tij për Kosovën e në veçanti për festivalin DokuFest.

“Është kaq mirë të jem këtu me pëlqejnë njerëzit, ushqimi e gjithçka tjetër. Kur kam ardhur këtu të gjithë kanë qenë duke biseduar se si DokuFest ka nisë të sjellë një frymë të re të kinemasë, kam parë që gjithçka është e mundur këtu dhe mund të arrihet gjithçka duke e pas parasysh ekipin që është këtu. Nuk ka asnjë mënyrë që kishim pas mundësi ta realizojmë këtë film vetëm në Britani, pa ndihmën edhe të ekipës në Kosovë. Mbledhja e një numri të madh të njerëzve, FSK e gjithë njerëzit që janë mbledhur së bashku ka qenë thjeshtë e mrekullueshme”, theksoi Kuti, i cili vazhdoi të thotë se gjithmonë flet për DokuFest-in sikur të ishte ‘The Lord of the Ring’, ku Daniel, është mbrojtësi i unazës dhe të gjithë të tjerët bëhen së bashku për ta realizuar.

Ndërkohë Shpat Deda – producent i Kosovës, përfundimin e filmit ‘Home’ e ndjen sikur të kishte diplomuar në një universitet, pasi që, sipas tij ka mësuar shumë gjëra nga aty.

“Ka qenë një ekip e mrekullueshme edhe në Britani, ku kemi punuara dhe jemi bërë së bashku për këtë kauzë. Sa i përket këtij projekti mendoj që është shumë i rëndësishëm sepse njerëzit e industrisë së filmit në Kosovë kanë mundur të mësojnë nga kjo. Ne kemi pasur fat që kemi pas një ekipë të tillë prapa vetës dhe mendoj që mënyra më e mirë për të mësuar është duke e bërë”, pohoi Shpat Deda.

Krejt në fund të këtij diskutimi që u moderua nga Eroll Bilibani, foli edhe Shpend Qamili-Fundraising dhe koordinim, i cili kujtoj herën e parë të takimit me Daniel Mulloy. Ai poashtu theksoi që kanë punuar shumë të gjejnë mbështetje për realizim dhe që gjithçka të shkoi mirë. Edhe Qamili, u shpreh i lumtur që ka pas mundësi të jetë pjesë e këtij projekti që solli një çmim shumë të madh në Kosovë.

Ndërsa Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër DokuFest, vazhdon tutje me programin e tij shumë të larmishëm deri më 12 gusht. / KultPlus.com

Shtatorja e Nënës Terezës në Katedralen e Shën Patrikut në Manhattan, New York (FOTO)

Nënë Tereza, kjo figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse, shkruan KultPlus.

Shtatore të Nënës Terezë mund të shohësh në mbarë botës sepse veprat e saj kanë bërë që ajo të jetë kaq e dashur për njerëzit.

Një e tillë gjendet edhe në Katedralen e Shën Patrikut në Manhattan, New York.

Katedralja e Shën Patrikut është katedralja katolike më e madhe e stilit neo-gotik në Amerikën e Veriut. Kjo Katedrale madhështore mbanë brenda 3 mijë njerëz dhe është e vendosur në një bllok të madh në pjesën qendrore të Manhattanit.

Autori i skulpturës së Nënës Terezë në Katedralen e Shën Patrikut në New York City, është Timothy P.Schmalz. Ky skulptor asht kanadez dhe jeton në Shën Jacobs, Ontario, Kanada. Ky skulptor në punimet e tij është i përqendruar kryesisht në figura fetare por gjithashtu ka realizuar edhe figura publike.
Schmalz është i njohur sidomos për veprën “Jezusin i Pastrehë”, që ai e realizoi si një përkushtim ndaj të pastrehëve që jetojnë rrugëve.

Fotografinë e kësaj skulpture e ka shpërndarë Ilir Seci. / KultPlus.com

Gerta Xhelo, producente e filmave të animuar në TedEd mban prezantim në Anibar

TedEd është platformë edukative e TED, misioni i së cilës është “të ndezë dhe realizoj idetë e mësuesve dhe nxënësve rreth botes”. TedEd prodhon filma të shkurtër të animuar fitues çmimesh, për idetë të cilat nxisin kuriozitetin dhe inkurajojnë të mësuarit për miliona mësues dhe nxënës rreth botës, përcjellë KultPlus.

Përmbajtja e animacioneve të TED-Ed është informative dhe e perceptueshme për nxënësit e të gjitha moshave , si dhe e bukur për syrin dhe e krijuar me mjeshtri.

Gerta Xhelo është producente e përmbajtjes në TED-ed. Ajo është një shqiptaro-amerikane e cila aktualisht jeton në New York. Familja e saj u largua nga Shqipëria në Amerikë në një moshë të re në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për edukim dhe profesion. Ajo ndoqi shkollën e mesme në Queens të New York, dhe studioi financa dhe marketing në kolegj.

Ajo e shprehi dashurinë dhe vlerësimin për shkollën në blogun e TED-Ed duke thënë: “ Unë e dua shkollën! Dua çdo gjë që ka lidhje me të,” para se të vazhdonte ta shpjegonte qasjen kreative për të mësuar: “ Mua nuk më pëlqente sistemi i të mësuarit. Në vend të asaj, i kaloja disa kapituj dhe mësoja gjëra jashtë rendit të cilin na thonin të mësonim”. Entuziazmi i saj për përvojën e saj arsimore transferohet në punën që ajo bën për TED-Ed si Producente e Përmbajtjes.

Prej se u bë pjesë e TED në vitin 2013, Gerta e ka kuruar dhe menaxhuar prodhimin redaktues dhe vizuel të më shumë se 500 shikuesve arsimorë, e cila ka arritur audiencën prej përafërsisht një miliard njerëzish nëpër botë. Puna e saj ndihmon në përhapjen e ideve dhe mësimeve të të rinjve në shkallë globale, duke i lejuar ata të qasen në edukim përmes një mënyre të këndshme dhe të bukur.

Përpara se të ishte pjesë e TED-Ed, Gerta ishte Menaxhere e Burimeve Kreative në “The Mill”, një studio inovative dhe e shquar e efekteve vizuale, ku ajo rekrutoi dhe zhvilloi talentin për departamentin 2D.

Ajo gjithashtu prodhoi dizajne dhe animacione të pavarura për Kirart, dhe së fundi filloi të jap lëndën lidhur me strategjinë e karrierës në shkollën e arteve vizuele në New York.

Prezantimi i saj mbi punën në TedEd do të mbahet më 18 gusht në ora 14:00 në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’. Gerta do të jetë gjithashtu edhe anëtare e jurisë së Anibarit që do të vlerësojë filmat e kategorive Ndërkombëtare, Balkan, dhe Video të Animuara Muzikore. / KultPlus.com

Pullën Postare me portretin e Ismail Kadaresë, Sejdi Hoxha ia dorëzon shkrimtarit (FOTO)

Sejdi Hoxha, kryeshefi ekzekutiv në Postën e Kosovës, bashkë me veprimtarin e çështjes kombëtare Gani Syla, kanë takuar shkrimtarin tonë të njohur Ismail Kadare ku me këtë rast në emër të Postës së Kosovës edhe ja kanë dorëzuar pullën postare me portretin e tij që është emetuar në 80-të vjetorin e lindjes së shkrimtarit, në dhjetor 2016, në vitin që ishte shpallur: “Viti i shkrimtarit Ismail Kadare”, shkruan KultPlus.

Për një gjë të tillë ka njoftuar vetë Hoxha i cili është shprehur i privilegjuar për këtë takim.

“Sot pata nderin dhe privilegjin që së bashku me bashkëpunëtorë dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Gani Syla të takoj shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare. Në emër të Postës së Kosovës ia dorëzova pullën postare me portretin e tij që është emetuar në 80-të vjetorin e lindjes së tij, në dhjetor 2016, në vitin që ishte shpallur: “Viti i shkrimtarit Ismail Kadare”. Për dekada të tëra, Kadare përmes veprave të tij, intervistave dhe formave të tjera ishte në vazhdimësi bashkudhëtar me popullin e Kosovës në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt lirisë dhe pavarësisë.

Si një prej personaliteteve shqiptare më të respektuara në qarqet ndërkombëtare, Kadare ishte gjithnjë pranë kauzës së drejtë të popullit të Kosovës. Ai bashkëjetoi me vuajtjet dhe përpjekjet tona.
Ai ishte me ne edhe gjatë okupimit, edhe gjatë luftës çlirimtare, edhe gjatë procesit të bisedimeve për pavarësi duke ngritur zërin në qendrat më të fuqishme perëndimore.

Veprat e tij sot gjinden kudo, në të katër anët e botës, të përkthyera në dhjetëra gjuhë.
Duke shprehur nderim dhe respekt për veprën dhe figurën e shkrimtarit tonë më të madh kemi nderuar edhe Postën e Kosovës”, ka shkruar Hoxha. / KultPlus.com

Struga mirëpret artistët në edicionin e katërt të festivalit ‘K’tu fest’

Festivali i teatrove “K’tu fest”, mbrëmë ka hapur dyert për artistët. Në këtë edicion të katërt të festivalit i cili mbahet në Strugë, gjatë pesë netëve sa zgjatë ky festival, do të shfaqen vepra teatrore nga autorë shqiptarë dhe të huaj.

Aktorë të njohur shqiptarë si: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Yllka Mujo, Zijadin Selam, etj, mbrëmë ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij festivali.

Gjatë kësaj mbrëmje është shfaqur edhe premiera e dokumentarit nga autorja Merita Cocoli rreth historikut dhe zhvillimit të teatrit të Korçës. Personazhe të këtij dokumentari ishin aktorë, regjisorë, kineastë e njerëz të artit nga Korça të cilët shpalosën përvojën artistike të këtij teatri.

Po ashtu është ndarë çmimi “Art Gratia Artis” e cila iu nda politikanit Niko Pelleshi si mirënjohje për angazhimin e tij të pa kursyer për kulturë e art. Ndërkaq, më pas është shfaqur një program muzikor me serenata korçare nga këngëtarja Laxarela.

Festivali vazhdon sonte me një program, të pasur ku nga Teatri i Shkupit do të jepet shfaqja “Shfaqja që shkron mbrapsht” e regjisorit Agon Miftari.

Festivali “K’tu fest” i cili ka filluar mbrëmë dhe do të zgjasë deri më datë 9 gushtë, organizohet çdo vit në Strugë nga regjisorët Olsa dhe Xheladin Poshka dhe gjatë këtyre viteve në festival kanë parakaluar aktorë dhe shfaqje nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Rumania etj. / KultPlus.com

Orkestra popullore e RTP-së në Festivalin Ndërkombëtar në Berlin

Në këtë fotografi shihet Orkestra popullore e RTP-së në Festivalin Ndërkombëtar në Berlin në vitin 1969. Majtas lartë: Kolë Bala, Nexhmije Pagarusha, Zef Tupeci dhe Shaqir Hoti. Poshtë majtas: Velko Vojnovic, Jasko Makic dhe Isak Muqolli (ri-postim, kualiteti i fotos më i lartë). / KultPlus.com

Të huajt këndojnë shqip (VIDEO)

Pjesë të përzgjedhura nga folklori ynë, shpesh janë kënduar tejet bukur nga të huajt. ‘Ani more nuse’, ‘Po vijnë krushqit maleve’, ‘Janinës ç’i panë sytë’, ‘25 gërsheta’, ‘Gajdexhiut’ e këngë të tjera, vijnë përmes një video përmbledhëse ku të huajt dëgjohen duke kënduar për mrekulli këngët shqipe.

Pjesa e parë “Ani more nuse” vjen e kënduar nga grupi muzikor “Barcelona Ethnic Band”, ndërsa në pjesën e dytë, kori me të rinjtë gjermanë këndon një nga perlat e muzikës shqiptare “Po vijnë krushqit maleve” (E kompozuar nga Tish Daija në Plezhë të Shkodrës më 1945 dhe me tekst të Aleksandër Banushit).

Në pjesën e tretë, po aq e veçantë vjen kënga polifonike “Janinës ç’i panë sytë” (Qu’ont vu les yeux de Janinë?) e interpretuar nga Jean-Jacques Fauthoux, Martina A. Catella, Pierre de Trégomain, Romane Claudel Ferragui dhe Emmanuel Pesnot, koncert i zhvilluar nën përkujdesjen e “L’Association Act & Help”.

Në pjesën e katërt, orkestrali shqiptar nga Dasho Kurti së bashku me një këngëtare greke, duke interpretuar në shqip e greqisht “25 gërsheta” (Όι λουλέ ), një këngë e mirënjohur dhe e kënduar dikur nën interpretimin e Eli Farës.

Në pjesën e pestë, është grupi gjerman “Fabula Aetatis”, – i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe performon shpesh këngën e “Gajdexhiut” apo “E lutë nana bijën”.

Në pjesën e gjashtë, të këtij videoklipi kemi përzgjedhur perkusionin e valles nga Gabriele Gagliarini dhe Lavinia Mancusi, në bashkëpunim me Takadum Orchestra “Addije” (E realizuar në dhjetor të vitit 2015).

Dhe në pjesën e fundme kemi rezervuar një surprizë; një vajzë filipinase ka mrekulluar publikun e Dubait me këngën arbëreshe “Moj e bukura more”. Le Ghie ka interpretuar Live në koncertin madhështor “Comedi Junction”, i cili mbahet në Dubai, – ndërsa paraqitja e saj në skenë ka bërë bujë të madhe; një mesazh domethënës për shumë shqiptarë që mund të përfaqësohen edhe me këngët e vjetra shqiptare, e jo veçse ato në gjuhë të huaj.
Realizoi përmbledhjen për Konica.al: Edmond Prifti.

Dino Merlin sonte me koncert në Ulqin pas 30 vitesh

Këngëtari nga Sarajeva Dino Merlin, ka mbajtur një koncert në Kroaci i cili do të kujtohet një kohë të gjatë pasi salla ka qenë e mbushur plot njerëz. Pas triumfit të suksesshëm atje, Dino vazhdon turneun në Ulqin, shkruan KultPlus.

“Jam i lumtur që më në fund do të mbaj koncert në Ulqin. Në plazhin e mrekullueshëm të qytetit”. Ky do të jetë koncerti i parë i turneut ka thënë Dino Merlin.

Koncerti do të mbahet sonte duke filluar nga ora 22:00 në Pearl Beach në Ulqin të Malit të Zi, shkruan KultPlus.

I lindur më 12 shtator 1962, i njohur me emrin e tij të skenës Dino Merlin, është një këngëtar, kompozitor, muzikant dhe prodhues boshnjak. Ai është një nga artistët më të shquar dhe të suksesshëm nga Bosnja dhe Hercegovina dhe gjithashtu është shumë i famshëm në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. / KultPlus.com

‘Despacito’, sapo theu rekordin më të lartë të YouTube (VIDEO)

Është e pamundur që të mos e keni dëgjuar të paktën 100 herë këngën hit të kësaj verë “Despacito”.

Disa nga ju mund të jenë bezdisur nga kjo këngë pasi dëgjohet kudo. Por për ju që e pëlqeni dhe e klikoni pa fund, ne ju bëjmë me dije se sapo e keni bërë këngën më të dëgjuar në Youtube.

“Despacito”, ka arritur në 3 miliard klikime, duke lënë pas kështu “Gangnam Style” me 1 miliard klikime dhe “See You Again” e Charlie Puth dhe Wiz Khalifa-s me 2.9 miliard klikime.

Përveçse kënga më e klikuar në Youtube, Despacito është edhe kënga e parë në historinë e internetit që merr një numër klikimesh prej 3 miliard. / KultPlus.com