1 vit nga vdekja e Dritëro Agollit, poetit të tokës dhe dashurisë

Si sot 1 vit më parë ndërroi jetë shkrimtari shqiptar Dritëro Agolli.

3 shkurti i vitit 2017-të do të ishe ditë e kobshme për letërsinë shqiptare, me ikjen e Agollit nga kjo botë.

Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës.

Poezia shqipe nuk do të mund të ishte ajo që është sot pa Agollin, njeriun e penës dhe studimit.

Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.

Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973).

Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. / KultPlus.com

Dua Lipa do të performojë në The Ellen DeGeneres Show

Dua Lipa do të performojë në një prej emisioneve më të shikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me 13 shkurt ajo do të jetë pjesë e Ellen Degeneres Show.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dua në Instagramin e saj.

Ellen Degeneres Show mbetet një prej emisioneve më të mira në Amerikë, moderuar nga Ellen Degeneres, një grua me ndikim dhe një moderatore shumë e zonja.

Në këtë emision kanë parakaluar emra të ndryshëm të muzikës botërore, përfshirë edhe Rita Orën. Ellen është edhe një bamirëse e njohur për veprat e saj për njerëzit në nevojë. / KultPlus.com

“Zonja Kandić nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme…”

UK LUSHI

I lexova disa statuse të disa shqiptarëve dhe shqiptareve, dëng me ngazëllim dhe mahnitje, mbi nominimin e aktivistes nga Serbia, Nataša Kandić, për Nobelin e Paqes.

More të uruar, nuk ju kam parë shpesh (e besa kurrë) të bëni statuse tumirësie të miradisë dhe kënaqësisë kandićiane p.sh. për Adem Demaçin, i burgosur 28 vjet nga shteti i Kandićit, për Ukshin Hotin, i vrarë nga shteti i Kandićit, për Adem Jasharin, i vrarë me gati krejt familjen nga shteti i Kandićit, për Ibrahim Rugovën, i marrë peng me familje nga shteti i Kandićit, për aktivisten shqiptare për të drejta humanitare Flora Brovina, e mbajtur me vite kazamateve të shtetit të Kandićit vetëm pse u kishte ofruar ushqime dhe përkujdesje mjekësore fëmijëve. A kanë bërë këta më shumë për lirinë dhe a meriton ndonjëri nga këta Çmimin apo Kandići?!

Si është e mundur gjithë kjo dalldi gëzimi për një “beancounter” të krimeve serbe dhe për një zë reagues krejt normal si Nataša Kandić?! Zonja Kandić nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme, çdo gjë që ka bërë deri më tash është diçka totalisht e zakonshme. Prej kur u meritueka Çmimi Nobel për Paqe për gjëra krejt të zakonshme?!

O tempora o mores!

Rita këndon ‘Anywhere’ në Late Night with Seth Meyers (VIDEO)

Rita Ora ka sjellë mbrëmë në emisionin Late Night with Seth Meyers këngën e saj “Anywhere”.

Ajo ka qenë e ftuar në emisionin e njohur amerikan ku ka performuar këngën e saj të njohur.

Rita do të jetë në Kosovë për 17 shkurt. Ajo sapo ka realizuar këngën për “Fifty Shades Freed”. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=SY6di8v4LO8

Testamenti

Poezi nga Dritëro Agolli.

O toka ime që të lërova e të thura këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?

Më mirë ma bëj diku në një brazdë,
Apo larg mbi përrua ndofta,
Mbi mua të tundë bishtin e saj një laraskë,
Duke më sjellë lajme nga bota,

Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta,
E kyçur dera, me lloze porta…

2012

“Na shqiptarët s’kemi dashuni njani me tjetrin…” (VIDEO)

At Zef Pllumi në një intervistë të rrallë televizive, vite më parë, përmbledhë mirë realitetin shqiptar.

Kur gazetarja e pyet se prej nga i vjen e keqja shqiptarëve, ai bindshëm e pa menduar shumë thotë se shqiptarët janë faji i vetes.

“E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër” tregon At Zef Pllumi.

Një burrë i qetë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetave. Ai ndërroi jetë në vitin 2007 në Romë të Italisë.

“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht” tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Presidenti Moisiu vlerësoi Atë Zefin “si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.

Nga ana e tij Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve. / KultPlus.com

BERLINALE bojkoton filmat me të akuzuarit për ngacmim seksual

Drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, Dieter Kosslick, ka zbuluar sot se në festival nuk do të shfaqen filmat ku marrin pjesë artistët që janë akuzuar për abuzim seksual, në kuadër të kampanjës #Metoo.

Kosslick ende nuk ka zbuluar emrat e këtyre filmave, por ka treguar se janë rreth pesë filma të cilët nuk do të shfaqen në Berlinale këtë vit.

Festivali fillon me 15 shkurt, edicionin e tij të 68-të.

“Është një prej debateve më sensibilizuese që ka ndodhur së voni, dhe ka prodhuar rezultate të jashtëzakonshme. Nuk mund të garantoj se në filmat tjerë nuk do të dalë ndonjë gjë e papritur rreth kësaj çështjeje” ka treguar Kosslick.

Janë gjithsej 400 filma që do të vijnë këtë vit në Berlinale, para audiencës që vjen nga mbarë bota.
Madje, kampanja #Metoo e cila u nis nga disa gra që akuzonin personazhe të njohura për ngacmim seksual, do të ketë edhe programin e vet filmik në Berlinale.

Skandalet me ngacmimet seksuale nisën para disa muajsh kur Harvey Weinstein u akuzua nga disa aktore e artiste për ngacmim seksual, e më pas edhe të tjerë meshkuj u akuzuan për këtë dukuri të tmerrshme. / KultPlus.com

Festivali ‘Kala’, shtatë ditë muzikë dhe vallëzim në Shqipëri

Edicioni i këtij viti i festivalit Kala është konfirmuar të mbahet në verë.

I pari festival ndërkombëtar i muzikës në Shqipëri, Kala Festival premton që këtë verë do të ketë vallëzim, muzikë dhe kënaqësi, nga 20 deri me 27 qershor.

Festivali do të mbahet në një pjesë të bregdetit shqiptar tek e cila mund të arrihet vetëm me barkë, aty ku ‘Adriatiku e takon Jonin’.

Disa prej klubeve londineze më të njohura si secretsundaze, Phonica, Stamp the Wax, Feelings dhe Savage e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, shkruan KultPlus.

Po organizohet madje edhe transport nga vendet tjera, si nga Corfu në Greqi.

A post shared by Kala (@kalaalbania) on

Priten të bëhen të ditur ditëve në vazhdim të gjithë artistët dhe klubet që do të jenë pjesë e këtij festivali në Shqipëri. / KultPlus.com

Shkurte Fejza dhe Kastriot Tusha vijnë me këngën ‘Një zemër’ (VIDEO)

Shkurte Fejza dhe Kastriot Tusha kanë bashkuar forcat për një këngë e cila vjen në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Dy këngëtarët e njohur kanë bashkëpunuar me Faruk Tashollin dhe Edmond Zhulalin për të sjellë këngën “Një zemër”, së cilës i kanë bashkangjitur edhe videoklipin.

Në fund të këngës, dy mjeshtrit e muzikës bashkojnë duart për të krijuar shqiponjën, simbolin kombëtar shqiptar, shkruan KultPlus.

Me 17 shkurt 2018, Kosova feston dhjetë vite pavarësi dhe kësisoj edhe këngëtarët dhe artistët nisin e krijojnë diçka simbolike mbi këtë ditë të rëndësishme në historinë e Kosovës. / KultPlus.com

Ah, po bie shi prapë

Eja, mike, se po bie shi.
Më duketë sikur qan qielli, sikur derdh lotë të hollë. Edhe zëmra ime sot po qan. Jam vetëm, lotët e qiellit riedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtët brënda në zëmër.
E mban mënt, mike, kur ishim bashkë sa shum’ e donim shinë? E mban mënt gazin që ndjenim afrë dritares kur binin pikat e mbëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.
Ahere, kur bota mbytësh në lot, në ishim të gëzuarë; ahere, kur bota mbulohësh me ujë të ftohtë, ne kishim nxehtë në zëmrët.
Po tani, nga kjo odë gjysm’ e errët, shikoj pikat që po kullojnë, dhe po mbërdhi.
– Mit’hat Frashëri –

Dua Lipa dhe Natalie Portman, këtë javë në Saturday Night Live (VIDEO)

Formati i emisionit ka tri dekada që ka mbetur i njëjtë.

Çdo emision mblidhen dy artistë të njohur ndërsa edhe performohet gjatë emisionit.

Në episodin e kësaj të shtune, Dua Lipa dhe Natalie Portman janë dyshja që do të argëtojnë shikuesit e emisionit.
Dua Lipa është nga Prishtina ndërsa Portman ka origjinë izraelite.

Secili episod fillon me një monolog ndërsa përfundon me thënien “Live from New York, it’s Saturday Night!”. / KultPlus.com

Shqiptarja Marina Sula, në listën e Forbes 30 under 30

Në listën e prezantuar nga FORBES, në mesin e 30 pesonazheve më me ndikim në Evropë më të rinj se 30 vjeç është edhe Marina Sula.

Artistja shqiptare jeton prej kohësh në Vjenë, ndërsa sipas listës ajo ka ndikuar në kulturë, pasi edhe është radhitur nën listën e artit dhe kulturës formuluar nga Forbes, për vitin 2018-të.


Low Frequencies – Olivia Coeln, Marina Sula, 2016

E lindur në Lezhë, Shqipëri, Marina Sula u diplomua në Universitetin e Vjenës me diplomë në artin historik dhe më pas mori pjesë në Akademinë e Arteve të Bukura të qytetit.

Aktualisht jeton dhe punon në Vjenë dhe ka marrë pjesë në gjithsej tetë ekspozita që nga viti 2014, 4 prej tyre solo, në Shqipëri, Austri dhe Itali. Puna e saj fokusohet në instalimet dhe përfshin instalimet hapësinore, fotografi, skulptura dhe vizatime abstrakte digjitale, të bëra me majë të gishtave të dorës së artistit në pajisjen e saj mobile dhe të përkthyera në vizatime abstrakte.

Ekspozita e 26 vjeçares, “Soft Power”, në Galerinë e Gabriele Senn në Vjenë në fund të vitit 2016, u vlerësua për përdorimin e saj të strategjive të reklamimit, performancës së medies sociale dhe afërsisë të dashur në ritualet e tilla si spastrimi i trupit për të shpërndarë dallimet midis një brenda dhe jashtë, privatësinë dhe ekspozimin. / KultPlus.com

Librat që Tolstoy i propozon për secilën moshë të jetës

Pas ditëlindjes së 50-të, Leo Tolstoy vendosi të distancohej nga të gjithë dhe të provonte të gjente kuptimin e jetës.

Shkrimtari që solli në jetë personazhet e ndryshme artistike, dikur e humbi veten.

Në moshën 63 vjeçare, në një letër dërguar një miku, Tolstoy e përmblodhi një listë të librave që sipas tij janë mundësi e mirë për njeriun të jetë i lumtur, duke lexuar, shkruan KultPlus.

Mosha 0-14
Tales from The Thousand and One Nights: The 40 Thieves, Prince Qam-al-Zaman
Tregimi i Joseph nga Bibla
Pushkin’s Poems – “Napoleon”
The Byliny – Dobrynya Nikitich, Ilya Muromets, Alyosha Popovich

Mosha 14-20
Polinka Saks – Aleksandr Druzhinin
A Sportsman’s Notebook – Ivan Turgenev
Dead Souls – Nikolai Gogol
Die Räuber – Friedrich Schiller
Yevgeny Onegin – Alexander Pushkin
David Copperfield – Charles Dickens

Mosha 20-35
Poema – F.T. Tyutchev
Iliada / Odisea – Homer
The Symposium and The Phaedo – Plato
Hermani dhe Dorothea – Johann Wolfgang von Goethe
Notre-Dame de Paris – Victor Hugo

Mosha 35-63
Novelat e George Eliot, Anthony Trollope dhe Henry Wood.
Të mjerët – Victor Hugo
Progress and Poverty – Henry George
The Essence of Christianity – Ludwig Feuerbach
Discourse on Religious Subject – Theodore Parker

BRAINPICKINGS / KultPlus

Mrizi i Zanave, reportazh nga Rai Uno

“Mrizi i Zanave” në Fishtë të Lezhës dhe Altin Prenga në një Reportazh fantastik te realizuar nga kanali televiziv italian RAI UNO.

Tek “Mrizi i Zanave”, i cili ka marrë emrin e veprës poetike të Gjergj Fishtës, nuk mblidhen zanat, por qytetarë shqiptarë nga të gjitha viset e të huaj që vijnë për të shijuar kuzhinën tradicionale me produkte ekskluzivisht të zonës.

Indianët e Amerikës kanë lënë një kod prej 20 pikash për njerëzimin

1. Zgjohu bashkë me Diellin. Lutu vetëm dhe shpesh. Shpirti i Madh do të të dëgjojë, vetëm nëse flet.

2. Ji tolerant me njerëzit që kanë humbur rrugën e tyre. Injoranca, xhelozia, zemërimi dhe babëzia burojnë të gjitha nga një shpirt i humbur. Lutu që ata të gjejnë rrugën.

3. Kërkoje vetveten, ti vetë. Mos lejo që të tjerët të krijojnë rrugën tuaj për ty. Është rruga jote dhe vetëm e jotja. Të tjerët mund të ecin me ty, por askush nuk mund të ecë për ty.

4. Trajtoji mysafirët në shtëpinë tënde me nderime. Shërbeju ushqimin më të mirë, ofroju shtratin më të mirë dhe trajtoi me respekt dhe nder.

5. Mos merr atë që nuk është e jotja, as nga një person, komunitet apo kulturë. Nuk është fituar dhe nuk të është dhënë. Nuk është e jotja.

6. Respekto çdo gjë të vogël mbi tokë.

7. Ndero mendimet, mendimet, dëshirat dhe fjalët e njerëzve të tjerë. Le të shprehë secili vetveten.

8. Asnjëherë mos fol keq për të tjerët. Energjia negative që vendos në univers do të shumëfishohet kur të kthehet tek ti.

9. Të gjithë bëjnë gabime. Dhe të gjithë gabimet mund të falen.

10. Mendimet negative shkaktojnë sëmundje të mendjes, trupit dhe shpirtit. Praktiko optimizmin.

11. Natyra nuk është PER ne, por një PJESE e jona. Kafshët, bimët dhe çdo krijesë tjetër, janë të gjitha pjesë e familjes së botës.

12. Fëmijët janë farat e të ardhmes sonë. Duhet të mbjellësh dashuri në zemrat e tyre, dhe t’i mbushësh me urtësi dhe mësime të vyera për jetën. Kur të rriten, jepu hapësirë të piqen.

13. Mos e lëndo zemrën e të tjerëve. Helmi i dhimbjes që shkakton do të kthehet tek ti.

14. Ji i ndershëm gjithë kohës. Ndershmëria dhe e vërteta janë testet e vullnetit të njeriut në këtë botë.

15. Ruaj ekuilibrin. Stërvit trupin për të fuqizuar mendjen. Pasurohu në shpirt për të kuruar dhimbjen emocionale.

16. Merr vendime të ndërgjegjshëm për atë që do të jesh dhe si do të reagosh. Ji përgjegjës për veprimet e tua.

17. Respekto hapësirën personale të të tjerëve. Mos prek sendet personale të të tjerëve – sidomos objektet e shenjta dhe fetare. Kjo është e ndaluar.

18. Ji i vërtetë, së pari me veten tënde. Nuk mund të ushqesh dhe ndihmosh të tjerët, nëse nuk ushqen dhe ndihmon veten së pari.

19. Respekto besimet e të tjerëve. Mos u përpiq t’u imponosh të tjerëve besimet e tua.

20. Ndaje pasurinë me të tjerët. Bëj bamirësi. / Bota.al

Adem Gashi në mesin e finalistëve në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Adem Gashi i cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “U dogj ky film”. Adem Gashi është finalisti i fundit i edicionit të dytë të “KultStrofa”, kurse KultPlus nesër do të bëjë publike edhe përbërjen e jurisë profesionale të këtij edicioni.
Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. / KultPlus.com

Sot është datëlindja e artistit Sulejman Pitarka

Kjo ditë shënon datëlindjen e artistit Sulejman Pitarka, i cili ka luajtur me sukses 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në fushën e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Ai ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, ai i lindur në Dibër, kur ishte në moshën trevjeçare së bashku me familjen e tij u vendosën në Durrës, ku edhe e kaloi fëmijërinë e tij.

Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 – 1947) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951, u përzgjodh për t’iu bashkëngjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi./ KultPlus.com

Nesër bëhet një vit pa poetin e madh Dritëro Agollin

Nesër bëhet plot një vit që kur Letërsia shqiptare humbi njërin nga poetët më të mëdhenj. Dritëro Agolli, pas disa ditësh qëndrimi në spital ndërroi jetë në Tiranë më 3 Shkurt të vitit 2017, shkruan KultPlus.

Ai vlerësohet si një ndër autorët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, me veprat si Komisari Memo, Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo , Trëndafili në gotë, e shumë vepra të tjera.

Krijimtaria e tij letrare është dëshmuar në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, që e kanë bërë edhe fitues të disa çmimeve. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit, protagonist është bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku.

Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Ai ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vite ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. /KultPlus.com

10 thëniet më të mira të Charles Bukowskit

Henry Charles Bukowski është një nga poetet më të njohur botëror. Ai ka shkruar shumë poezi, e tregime të shkurtra. Është autor i rreth 50 librave, përfshirë “Femrat” dhe “Zyra postare”, “Zonja vdekje” shkruan KultPlus.

Duke qenë se thëniet e tij tashmë janë shumtë njohura dhe shpesh përdoren në rrjete të ndryshme, KultPlus ju sjellë disa nga citatet më të mira të tij.

1. “Doja ta thoja me zë të lartë atë që ndieja, por qëndrova i heshtur nga frika se nuk do të më kuptonin”.
2. Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
3.“Mua më pëlqejnë personat e hutuar, ata që sapo i përqafon duken të plotë, ndërkohë që më parë të dukeshin të thyer në mijëra copëza”.
4. “Unë nuk kam nevojë për dikë që të më përsërisë vazhdimisht se do të jetë aty, se nuk do të më lëshojë, apo se nuk do të më tradhtojë kurrë. Më mjafton dikush që në të gjitha rastet që të më dërgojë në djall, sërish të rikthehet tek unë”.
5. “Shpreheni atë që ndjeni. Mos kini frikë nga pasojat, sepse koha nuk fal askënd. Dashuroni, urreni, shpreheni çdo emocion të fortë që po përjetoni. Njerëzit janë spektakli më i bukur në botë, dhe për të cilin nuk paguhet ndonjë biletë”.
6. “Një nga ndjesitë më të bukura në botë është kur përqafon dikë dhe ai person të shtrëngon akoma më fort”.
7. “Mund të them se dashuria është si alkooli. E provon një herë, të trullos kokën, por sërish do një gotë tjetër, një tjetër, e kështu me radhë. Të bën të ndihesh keq, aq keq sa nuk do ta provosh më. Por, më vonë, që me gotën e parë do të tundohesh dhe nuk do të thuash dot “Jo””.
8. “Asnjë marrëdhënie nuk është një humbje kohe : nëse personi tjetër nuk të ka dhënë atë që kërkoje, dije se të ka mësuar gjënë për të cilën kishe vërtet nevojë”.
9. “Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë”.
19. “Gjej atë çfarë e dëshiron dhe më pas leje që të të vras”./ KultPlus.com

Ekskluzive: Italianët me film për Skënderbeun, Rimi Beqiri në rolin e heroit të madh

Është tipik zeshkan, dhe pikërisht pamja e tij e bëri për vete regjisorin italian Steven Renso që t’ia besoj rolin e Skënderbeut aktorit shqiptar Rimi Beqiri. I njohur në teatrort dhe kinematografinë italiane, Rimi Beqiri ka treguar për përvojën e tij për filmin “Kastriota”, që tashmë ka lansuar edhe trailerin. “Ndihem krenar që regjisori ma besoi mua rolin e heroit tonë kombëtar, i njohur dhe i respektuar në të gjithë Evropën dhe jo vetëm në Evropë”, ka thënë Beqiri për KultPlus. Ky film pason filmin tjetër për Skënderbeun që ishte realizuar nga një produksion rus qysh në vitin 1953, por Beqiri ka spikatë se nëse do të duhej të realizohej një film i madh mbi këtë figurë të rëndësishme shqiptare, atëherë do të duhej ti besohej ndonjë produksioni të madh hollivudian.

Ardianë Pajaziti

KultPlus:“Kastriota” është filmi i fundit që është realizuar mbi figurën e Skënderbeut, dhe pikërisht roli i Skënderbeut bartet nga ju, si ndiheni që luani një rol kaq të madh?
Rimi Beqiri:
Ndiej një përgjegjësi të madhe, por dhe një emocion të veçantë, gjithashtu ndihem dhe krenar që regjisori ma besoi mua rolin e heroit tonë kombëtar i njohur dhe i respektuar në të gjithë Evropën dhe jo vetëm në Evropë.
Rolet që një aktor mund të bëj janë të shumta por që unë të bëja rolin e “Skënderbeut” nuk e mendoja ndonjëherë, edhe pse në skenë kam sjellë një Skënderbe pak më “modern” se çka qenë tek filmi i fundit “capolavoro” me produksion rus të vitit 1953, ku shumica e kujtimeve tona menjëherë shkon tek ai film.

KultPlus: Filmi është i metrazhit të shkurtë dhe është produksion italian, na tregoni më shumë si erdhi deri te realizimi i filmit?
Rimi Beqiri:
Regjisori Steven Renso, i fejuar me një vajzë nga anët e mia, dmth Tirana, duke vajtur shpeshëherë dhe duke vizituar shpeshëherë Tiranën, eshte mahnitur me figuren e heroit tonë, aty pastaj është informuar disi më tepër nga të gjitha anët derisa arriti më në fund vendimit që të xhiroj një film me metrazh të shkurtër, dhe pse mos duke rrezikuar shumë, por është edhe mahnitur vetëm për të treguar një pjesë të jetës së heroit tonë me një pikëpamje artistike të tij personale.

KultPlus: Po roli, si erdhi deri te besimi i regjisorit që ju të bartni këtë rol?
Rimi Beqiri:
Unë Steven e kam njohur dhe më parë, sepse kam xhiruar diçka tjeter me të, por ai mbasi vendosi të xhirojë këtë mbi Skënderbeun, menjëherë më kontaktoi entuziast duke më treguar për këtë projekt duke më thënë që jam zeshkan, me mjekërr zeshkane dhe i ngjaj taman Skënderbeut, por dhe modern, siç e kishte menduar ai…pastaj shtoi dhe disa elemente të tjera sikurse që jam i zoti si aktor… por i lëmë mënjanë këto ahahaha, kështu që rolin do ta bëja unë sepse nuk bënte ndryshe, sespe, po të mose pranoja rolin, sipas tij, ai nuk do ta xhironte filmin.

KultPlus: Figura e Skënderbeut është mjaftë komplekse, dhe një film mbi të është një përgjegjësi mjaftë e madhe, për cfarë flitet në këtë film më konkretisht?
Rimi Beqiri:
Në këtë film nuk flitet e gjithë jeta e tij, sepse duke qenë një film i shkurtër, regjisorit i interesonte vetem një fragment i rëndësishëm i jetës së tij, dmth momenti kur ai është si puna e Hamletit me dyshime. Momenti kur Skënderbeu zbulon prejardhjen e tij dhe pastaj nis dhe hyn në një tunel me një rrugë të vështirë: duhet të zgjedhi që të vazhdojë të rrijë si gjeneral i perandorisë të Sulltanit Murat, apo të vendos të kthehet në Shqipëri dhe të lirojë popullin e tij, e të ndjeki gjurmët e babait të tij. Në këtë mes është patjetër dhe figura e Hamzait që prezantohet si një figurë e ëndrrës së tij. Filmi është në mes ëndrrave të këqija dhe realitetit të paqartë që i paraqitet Heroit tonë.

KultPlus: Tashmë sapo është plasuar traileri i filmit, po për rrugëtimin e këtij projekti jeni në dijeni se si do të shkojë, kur dhe ku do të shfaqet?
Rimi Beqiri:
Mendoj se njëherë filmi si shumë filma të tjerë me metrazh të shkurtër do marri rrugën nëpër festivale të ndryshme, si në vendin tonë ashtu dhe jashtë, dhe shpresojmë që të arrijë sa më lartë. Pastaj mendoj se do shfaqet edhe në disa evente të ndryshme kulturore që do zhvillohen këtu në Romë ose në disa qytete tjera të Italisë, sepse viti 2018 është dhe viti i kujtimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë.

KultPlus: Ku është xhiruar filmi?
Rimi Beqiri:
E kemi xhiruar në një nga malet e “Dossenas” 1200 metra lartësi me -5 gradë ftohtë, që ndodhet në një provincë të Bergamos.

KultPlus: Në bazë të trailerit, shihen edhe kostume të vecanta në këtë projekt, sa të kanë dhënë emocione këto pamje?
Rimi Beqiri:
Ah kostumet janë shumë të bukura dhe pse nuk janë njëlloj fare si të asaj kohe por shumë emocionuese, sepse këto lloj kostumesh të shtojnë andrenalinën e duhur dhe të bëjnë të mendosh si në atë kohë, të ndihmojnë të hysh në rol sa më shpejt dhe të mbash përgjegjësinë e atij personazhi deri në fund…në këtë rast të Skënderbeut modern.

KultPlus: Do të duhej të bënin kineastët më shumë për këtë figurë kombëtare?
Rimi Beqiri:
Unë personalisht mendoj që po ta marri në dorë një produksion Hollyëoodian, një film të tillë, figura e Skënderbeut do të zmadhohej sa më shumë në nivelet botërore, dhe sa më shumë te njerëzit e thjeshtë dhe jo vetëm te studiuesit e historisë. Do dilte diçka madhështore.

KultPlus: Tashmë keni provuar ndjesinë të jeni në karakterin e Skënderbeut, sa do të dëshiroje të luaje në një film më të madh mbi këtë figurë të rëndësishme kombëtare?
Rimi Beqiri:
Do ta dëshiroja shumë, por këta janë ëndrra dhe ëndrrat siç mire i dimë, jo të gjitha nganjëherë realizohen por në të shumtën e rasteve mbeten vetëm ëndrra, me këtë nuk dua të them që jam pesimist, por realiteti sot është ky, që të besh filma të bukur sidomos epik kolosal duhen shumë gjëra, por në radhë të parë duhen shumë para./KultPlus.com

Shtëpia e veçantë në Dresden që krijon muzikë në shi

E zhvendosur në rrethin studentor të Dresdenit është një shtëpi që duket sikur krijon muzikë në shi, kjo për shkak të arkitekturës së saj të veçantë, përcjellë KultPlus.

Kjo shtëpi është pjesë e një kompleksi të quajtur Kunsthofpassage Neustadt dhe përbehet prej pesë oborreve ku secili përfshin një temë të ndryshme. Ka oborrin e dritës dhe oborrin e kafshëve, dhe natyrisht oborrin e muzikës.

Shtëpia e këndimit është vepër e skulptorit Annette Paul dhe disenjatorëve Christoph Roßner dhe André Tempel, të cilët të gjithë jetojnë në këtë ndërtesë. Annette thotë se ajo ishte frymëzuar nga jetesa në Shën Petersburg, Rusi, ku moti i keq do të krijonte një ‘teatër shiu’ në dritaret e shtëpisë së saj.
Me këtë në mendje, ajo dhe bashkëqytetarët e saj projektuan rrjetin e ndërlikuar të tubave, gypave dhe kanaleve me akustikë optimale për të përforcuar shiun. Që nga krijimi i saj në vitin 1999, kjo zhurmë e çuditshme në Gjermaninë Lindore ka tërhequr mjaft shumë turist. /KultPlus.com

Arlinda Guma në mesin e finalistëve në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Arlinda Guma e cila në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Si fluturat e natës”. KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. / KultPlus.com

Atdheut

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

I bëra për ty shërbëtorë
Çdo muskul, çdo kockë e çdo gisht;
Krah teje s’njoh kishë e shenjtorë,
Nuk njoh Muhamet apo Krisht.

Nëse më kërkon, do të thotë
Të duhem, prandaj më kërkon;
Rabeckë të jem nëpër botë,
Dragua të vij, kur më fton…/KultPlus.com

Ermal Meta publikon videoklipin e këngës ”Non mi avete fatto niente”

Kantautori shqiptar Ermal Meta, tashmë për të tretën herë radhazi do të jetë pjesë e skenës së Sanremo 2018, ndërsa këto ditë ka publikuar edhe videoklipin e këngës që do të prezantohet në festivalin më të madh të muzikës italiane, shkruan KultPlus.

Kënga, ”Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë), është një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro, ndërsa trajton një tematikë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

Sanremo 2018 do të zhvillohet prej datës 6 deri më 10 shkurt në teatrin Ariston të qytetit të Sanremos e do të drejtohet nga një emër i rëndësishëm i muzikës italiane, nga këngëtari Claudio Baglioni. Në kategorinë big do të garojnë 20 këngëtarë të njohur italianë.

Ermal Meta në vitin 2015 u prezantua në Sanremo në seksionin e të rinjve me këngën “Odio le favoel” (Urrej përrallat) ku u klasifikua në vend të tretë, ndërsa më vitin 2016 garoi në kategorinë big me këngën “Vietato di morire” (E ndaluar të vdesësh) duke fituar çmimin e kritikës “Mia Martini”./KultPlus.com