‘Copë Copë’ solli në Beograd zërat e të mbijetuarave të dhunës

Gili Hoxhaj

Shfaqja “Copë Copë” kishte mbledhur publikun në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, aty kur për tri ditë radhazi publiku nga Beogradi është takuar me artin dhe kulturën e Kosovës, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”.

Në një formë më të pazakontë shfaqja mblodhi njerëzit rreth vetes.

Mes të bardhës e të kuqes aktorja ecën në hapësirë e lëvizjet i përcjellë pa zë. As kur mundohet të flasë nuk arrin të dëgjohet pasi nuk arrin të nxjerrë zërin. Pas hapave të saj publiku futet brenda për të ndjekur lojën e aktoreve në skenë. “Copë Copë” me tekst të Blerta Zeqirit e regji të Zana Hoxha Krasniqit, ishte një ndeshje e zërave të grave që janë përballur me forma të ndryshme të dhunës, nga njerëz të ndryshëm të familjes dhe jashtë saj. Dhuna psiqike manifestohet edhe përmes zërit të nënës që bijës ia kujton martesën. Meli Qena në personazhin e nënës rri pranë Anisa Ismajlit që vjen në personazhin e së bijës që mbi fytyrë e trup mban një rrjetë të zezë, prej të cilës mundohet të zhveshet. Për nënën martesa nënkupton asgjë më shumë e as më pak se rahatinë e bijës.

Premierën e parë e pati në vitin 2015 dhe si e tillë në çdo reprizë nga atëherë është rifreskuar. Bashkime Sylejmani me rrëfim personal rri pranë aktoreve Anisa Ismaili dhe Qëndresë Kajtazi, Meli Qena, Donikë Ahmeti, Albina Kelmendi.

Në tryezën e rrumbullakët, Anisa Ismajli që vihet në rolin e psikologes ka mbledhur gratë të cilat mes performancës, këngëve të kënduara fuqishëm nga Albina Kelmendi, e rrëfimeve në interaktivitet me njëra tjetrën shpalosin rrëfimet dhe mënyrën se si i kanë mbijetuar dhunës në familje. Bashkime Sylejmani, e mbijetuara e dhunës rri mes aktorëve, me një komunikim origjinal kthen sytë tek përjetimet personale.

Pasi që Zana Hoxha- Krasniqi mes duartrokitjesh u bashkua me aktoret në skenë, ato ndajnë falënderime në tri anët ku ndodhej publiku, mes vete ndajnë dhe përqafime. Zana Hoxha- Krasniqi tha se është ndjerë shumë e vlerësuar nga mirëpritja në Beograd, për të ishte hera e dytë që e sjellë një shfaqje në Beograd kurse hera e parë që prezantohet në Festivalin “Mirëdita, dobar dan”.
“Shfaqja “Copë Copë” paraqet fatet e ndryshme të grave kosovare të cilat me rrëfimet e tyre universale të mbijetesës nga dhuna komunikojnë përtej gjuhës së folur duke komunikuar edhe emocionalisht me publikun. Është një vepër e cila evulon por performohet çdo herë me të njëjtin intensitet sikurse para tre viteve kur është prezentuar fillimisht”, tregoi regjisorja Zana Hoxha Krasniqi.

Anisa Ismajli e cila edhe e nisë e përfundon shfaqjen tha se gjithnjë ndihet mirë në këtë skenë ku ajo ka luajtur për katër herë. Ndërsa tha se ndihet tejet e lumtur që përmes kësaj shfaqje edhe është bërë pjesë e Festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”.

”Kjo shfaqje është punuar në proces, janë vizituar strehimoret në Kosovë dhe janë marrë rrëfimet e grave dhe ato janë gërshetuar në këtë shfaqje. Sa herë e japim këtë shfaqje duket sikur premierë pasi që është shumë emocionale dhe sa herë këndon Albina ne rrëqethemi dhe hyjmë në rol”, u shpreh Ismajli për KultPlus.

Albina Kelmendi tha se ndihet e lumtur që edhe mbrëmë arritën t’i përcjellin emocionet e shfaqjes tek publiku.

Pjesëmarrja në këtë shfaqje thotë se i dhuron një eksperiencë krejt tjetër.
“Jam shumë me fat që unë si këngëtare jam zgjedhë që të jem pjesë e kësaj drame që ka bërë bujë të madhe. Unë jam mësuar që ta përjetoj ngjarjen aty për aty ndërsa bashkëpunimi me aktorët ka qenë një ndjenjë shumë e mirë. Jemi munduar t’i zgjedhim disa këngë që nuk janë shumë të dëgjuara por kanë vlerë shumë të madhe”, tregoi Kelmendi për KultPlus.

Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, ndërsa është përkrahur nga CFD.
Festivali “Mirëdita, Dobar Dan” sonte mbyllë edicionin e pestë të festivalit me ekspozitën e artistes Eliza Hoxha.
Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com

Leonora Jakupi do ta përfaqësojë Kosovën në Eurovizionin turk

Këngëtarja Leonora Jakupi do të përfaqësojë Kosovën në Eurovizionin turk – ose Turkvision Song Contest 2018.

Datat dhe vendi i saktë ku do të mbahet gara nuk dihen ende, por ky do të jetë edicioni i katërt i garës muzikore që është inspiruar nga Eurovizioni.

Në festival këndohet kryesisht në gjuhën turke ndërsa kanë të drejtë të marrin pjesë vendet ku flitet gjuha turke. Suedia, Moldavia, Austria, Polonia, Holanda e Rusia do të bëjnë këtë vit debutimin.

Në faqen e festivalit shkruhet se Leonora Jakupi – këngëtare e njohur nga Kosova, do ta përfaqësojë shtetin në këtë garë.

Leonora është këngëtare e njohur e estradës muzikore shqipe. Deri tash 43 regjione ku flitet gjuha turke kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Në tri edicionet e kaluara në festival kanë fituar përfaqësuesit nga Azerbajxhani, Kirgistani dhe Kazakistani. / KultPlus.com

Lidija Dimkovska në rezidencën letrare ‘POETEKA-Tirana in Between’

Pas suksesit të muajit Maj, me autoren boshnjake Emina Žuna, Programi READING BALKANS vijon në muajin Qershor me poeten e shquar maqedonase Lidija Dimkovska.

Ky Programin i shkrimtarëve në rezidenca letrare të rajonit organizohet nga POETEKA me mbështetje nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian dhe TRADUKI.

Lidija Dimkovska (Shkup, Maqedoni, 1971) është poete, romanciere, eseiste dhe përkthyese. Ajo ka botuar 6 libra me poezi dhe tre romane, të cilat janë përkthyer në më shumë se 20 gjuhë. Ka merituar çmimin për debutimin e poezisë maqedonase, çmimin gjerman poezia “Hubert Burda,” çmimet rumune poezi Poesis dhe “Tudor Arghezi”, Çmimin Europian për të Poezisë “Petru Krudu” (2016). Librat e saj poezi janë përzgjedhur deri në finale për çmimin gjerman letrar “Brücke Berlin,” për çmimin letrar amerikan “Çmimin libri më i mirë i përkthyer” dhe për për çmimin letrar polak “Poeti Europian i Lirisë”.

Të dy romanet e saj “Kamera e fshehur” (2004) dhe “A Spare Life” (2012) morën çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Maqedonisë si librat më të mirë të prozës të vitit. Romani “A Life Spare” marri gjithashtu Çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë (2013) si dhe çmimin për librin më të mirë të përkthyer në vitin 2017 (botuar në anglisht Two Lines Press, SF, 2016).

Romanet e shkrimtares Lidija Dimkovska kanë pasur shumë botime në anglisht, polonisht, sllovakisht, sllovenisht, serbisht, bullgarisht, italisht, çekisht dhe hungarisht. Ajo ka qenë editore e një antologjie të poezisë të ri të Maqedonisë, një antologji e poezisë bashkëkohore sllovene në gjuhën maqedonase dhe një antologjie të pakicave dhe emigrantëve në Slloveni. Në fushën akademike ajo ka Ph.D. mbi letërsinë rumune në Universitetin e Bukureshtit, ku punoi si pedagoge e gjuhës dhe letërsisë maqedonase. Tani jeton në Lubjanë, Slloveni dhe përkthen letërsi rumune dhe sllovene në gjuhën maqedonase.

Lidija Dimkovska ka marrë pjesë në festivale të shumta letrare ndërkombëtare dhe shkrimtare në rezidencë në Iowa, Londër, Berlin, Vjenë, Graz, Salzburg, Krems, Cortanovci, Split dhe së fundmi edhe në Tiranë.

Programi READING BALKANS” mirëpret dhe bashkon në një platformë të vetme poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Europa Juglindore (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia).

‘Skenderbeu: Manuskripti i Marlout’ i Ag Apollonit

Doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit Ag Apolloni, i titulluar “Skenderbeu: Manuskripti i Marlout”. Kjo dramë vjen si homazh për “Vitin e Skenderbeut” dhe na sjell një histori të shkruar sipas poetikës postmoderne të dorëshkrimit, pra si gjetje e një drame elizabetiane të shekullit 16 e cila konsiderohet dramë e humbur.

“Skenderbeu: Manuskripti i Marlout” është ndërtuar si një rrjet intertekstual me tekste historike, letrare, kinematografike dhe teatrore, duke krijuar kështu besueshmërinë e rrëfimit dhe duke na prezantuar një hero të dualizuar, që perveçse mit, shfaqet edhe si një njeri i thjeshtë.

Drama është e përbërë nga dy pjesë, të ndara në skena. Skenderbeu i Apollonit është një Skenderbe postmodern, që aq sa i afrohet historisë, po aq i largohet asaj, duke u shfaqur si një hero që i flet më së miri lexuesit të ditëve të sotme.

“Skenderbeu: Manuskripti i Marlout” nuk tenton të jetë një paraqitje strikte e fakteve historike, por synon të jetë një tekst që shfaq erudicionin e autorit dhe e largon këtë figurë historike nga patetizmi romantik. Ag Apolloni, në këtë dramë, nuk sjell risi vetëm artistike, por prish edhe funksionin mimetik të dramës, duke inkorporuar në tekst narratorin, që i mvesh dramës edhe statusin diegjetik.

Drama “Skenderbeu: Manuskripti i Marlout” plotëson kushtin që parashihte Horaci për letërsinë, “dulce et utile”, pasi përveçse përcjell vlera estetike, i paraqet lexuesit një hero që nuk mund të qëndrojë i distancuar nga ana njerëzore.

Drama ka 287 faqe dhe është botuar nga Shtëpia Botuese OM, dega e Tiranës. / KultPlus.com

Ermal Meta i emocionuar: Vendi im faleminderit, nuk kam për ta harruar!

Këngëtari Ermal Meta sot ka mbajtur koncert në Tiranë ku ka argëtuar fansat e tij shqiptarë në sheshin Skënderbej.

Përmes rrjeteve sociale ai ka treguar se çfarë emocione ka pasur.

“Vendi im faleminderit, nuk kam për ta harruar”, ka shkruar Meta, që përfaqësoi Italinë së fundmi në Eurovision, ndërsa është një nga këngëtarët më të pëlqyer në Itali.

https://www.youtube.com/watch?v=zl91y85WVLw

Sa vlen një shqiptar?!

Ben Andoni

Nëse nuk do të ishin kriteret rreptësisht matematike përdorur nga institucione të ndryshme ekonomike ndërkombëtare me anë të të cilave përcaktohen matrica rritje dhe mirëqenie, vlera e jetës së një shqiptari nuk do të kuptohej me gjuhën e shifrave. Në fakt, nuk është se kushton aq shumë, në praktikë. Kujdes, nuk është se këtu po bëjnë përjashtim qytetarët e tjerë të vendeve në zhvillim ose të varfra, porse neve na vlen në këtë argument vetëm ajo që flitet për ne.

Në një vlerësim të Bankës Botërore, që i është referuar të dhënave të vitit 2014, Shqipëria duke përfshirë njerëzit, pasuritë natyrore dhe prodhimin kombëtar është çmuar me vlerën e 153,6 miliardë dollarëve. Vlera më e madhe i shkon kapitalit human (njerëzit) me rreth 66 miliardë lekë, duke zënë kështu 42 për qind të totalit të vlerës së pasurisë së Shqipërisë. Në gjuhën e shifrave kjo nuk do të thotë asgjë ose do të thotë shumë për burokratët, por kjo është e palexueshme në atë vërtetësi sesa vlen realisht një shqiptar.

Për këtë duhet të kishte një kriter rreptësisht matematik me një atribut moral-etik. P.sh. në këtë të fundit mund të konsiderojmë pagesën që një shqiptari të thjeshtë i takon pas daljes në pension dhe për të ardhur keq është se ajo është e barazvlefshme me 1/4 ose 1/5 e rrogës që ai ka përftuar në moshën aktive të punës.
Jo fare çuditërisht, me gjithë kushtet e këqija ekonomike të vendit por edhe paradoksin e një modeli ekonomik që rezultoi dështim, Shqipëria socialiste i paguante një qytetari shqiptar 3/4 e rrogës që ai meritonte kur ishte i punësuar. Për vit flitet për matrica, skema pensionesh, por një gjë është fakt: shqiptari i moshës së tretë është një person krejt i zvetënuar dhe me rrogën që merr është një barrë për të afërmit, por edhe i jetës së vet të mjerë, ku atij i humbet veç statusi shoqëror çdo gjë e cila lidhet me një lloj kamje. Ky ishte gjykimi për njeriun që nuk kontribuon dot më për përmirësimin e statistikave që vlejnë për GDP e vendit.
E, nëse do t’i referohemi atij që kontribuon gjendja është më e keqe. Shqipëria ka ende një shifër të frikshme të papunësisë, shpërndarje jo të rregullt të të mirave materiale dhe një shtet a-social që ndihmon të pasurit kundër të varfërve. Të mjafton të shikosh ligjet dhe interpretimet që u bëhen atyre, të kuptosh batakun ku e kanë futur monopolet ekonominë e vendit dhe urrejtjen që administrata e shtetit ka ndaj shqiptarit të thjeshtë, e kupton argumentin e vërtetë sesa vlen në fakt jeta e shqiptarëve.

Shqipëria është makth për shqiptarët lidhur me mungesën e rregullave të lojës, respektin ndaj shtresave në nevojë dhe politikën e atillë që pengon qytetarin e thjeshtë të kontribuojë si duhet dhe të marrë ato që i takon. Le të marrim për bazë, dy shërbime bazike, për të cilën kontribuon e gjithë shoqëria: shërbimi mjekësor dhe ai arsimor. Shërbimi mjekësor, tashmë është i munguar në rajone të tëra të vendit, kurse shpërndarja e mjekimeve dhe ndihma që i vjen pacientëve direkt në spitale apo ata që trajtohen në shtëpi është skandaloze. Pa përmendur listat e ilaçeve dhe spekulimet e monopoleve dhe politikanëve me ilaçet e fatkeqëve ankesat e të cilave kryeministri i ka marrë live.
Sistemi arsimor tashmë është i degraduar por edhe një barrë tjetër, që i takon si përfitim gjithnjë e më shumë pinjollëve të të pasurve dhe pak atyre për të cilat sakrifikojnë familjet e që mund të ndjekin shkollën jashtë. E themi këtë sepse vetëm ata kanë mundësi pastaj të punësohen lehtë, falë dhe ndihmës së pakursyer që jep ajo pjesë e shoqërisë shqiptare, e cila mendon thjesht të shpërndajë të mirat materiale vetëm te shtresa e tyre. Arsimi ka rënë në kuotat më të ulëta dhe niveli i të paditurve funksional është frikshmërisht i madh.

Në këtë hulli jetojnë dhe punojnë shqiptarët e thjeshtë, të cilët u duhet t’u mbijetojnë situatave të ndryshme. Fillimisht, të mposhtin informalitetin për të cilin kontribuojnë të gjithë dhe pamundësinë që u jep shpërndarja jo e drejtë e gjërave në vend.

Në Shqipëri është e vërtetë që kapitali human, referuar BB, është më i vlerësuar sepse burimet e tjera janë pjesë e përvetësimit nga pakica që ka në dorë fatet e vendit. Duhet shtuar këtu edhe makutëria e shumicës së pronarëve të rinj që ka ende në kokë urrejtjen e komunistëve për pronat, duke përvetësuar pronat reale dhe duke i kthyer pronarët realë në skamnorë dhe lypës të pronës së tyre.

Dhe ndodh, që falë këtij realiteti, 1 milionë shqiptar, referuar Bankës Botërore jetojnë me më pak se 500 Lek në Ditë (E Euro), ndërsa një masë e madhe dëshiron të ikë nga vendi. Po a ka vallë ndonjë parametër të faktit sesa kushton një shqiptar? Për patetikët nuk ka, por në realitet jeta e shqiptarit vlen gjithnjë e më pak…Ndaj shqiptarët lindin gjithnjë e më pak dhe Shqipëria po bjerret nga shqiptarët.
Për këtë duhen pyetur më mirë politikanët që duan të amnistojnë pasuritë e tyre apo gjyqtarët që u kanë marrë drejtësinë njerëzve apo ata që kanë përvetësuar pronën publike…

Ky është paradoksi shqiptar i kohëve moderne të Demokracisë së shekullit XXI. Në ndihmë dalin matricat matematike të ekonomistëve që i japin një vlerë jetës së shqiptarit, e cila në fakt nuk i përgjigjet asfare realitetit ku jetojmë. Sa vlen realisht një shqiptar? (Homo Albanicus-Gazeta Shqiptare)

‘Shisja gazeta në semafor’, Ermal Meta rrëfen fëmijërinë e vështirë

Ermal Meta këngëtari me origjinë shqiptare i cili karrierën e tij e ka zhvilluar në Itali ditën e djeshme ka mbërritur në Tiranë, ku do të mbajë një koncert në Sheshin Skënderbe.

Përpara performancës së tij Ermali ka vendosi që të bëjë një konferencë për mediat, ku dhe ka rrëfyer më shumë gjëra për jetën e tij private dhe për famën që ka fituar në Itali.

Por siç tregoi dhe këngëtari jeta e tij nuk ka qenë kaq e thjesht, pasi rruga drejt famës ka qenë e mbushur plotë me vështirësi.

Ermali tregoi se i është dashur të punojë që në moshë të vogël , por mendjen e tij gjithmonë e ka pasur tek pasioni i tij.
“Kur isha 14 vjeç shisja gazeta në semaforë dhe ngaqë nuk e dija që boja linte gjurmë, kur prekja fytyrën bëhesha sterrë i zi. Kur shkoja në shtëpi mamaja gjithmonë më pyeste, “ku ke qenë?”. Unë i thosha që isha në punë, por thoshte që nuk më besonte”, tregoi Meta.

Ndër të tjera këngëtari ka rrëfyer se pavarësisht vështirësive që ka hasur në jetën e tij kurrë nuk hoqi dorë nga muzika.

‘Nëse ju kish ndalë një fëmijë n’shesh edhe u’a kish jep një dhuratë, qysh kishit reagu?’

Një eksperiment social në disa lokacione në kryeqytet tregon se si reagojnë qytetarët kur atyre u afrohet një fëmijë, ka një dhuratë dhe kërkon një përqafim.

Reagimet janë nga më të ndryshmet, për më tepër mund ta vlerësoni vetë secilën situatë.

Sonte në Teatrin Kombëtar vjen shfaqja ‘Up with People’

Me fillim prej orës 20:00, sonte në Teatrin Kombëtar vjen premiera e shfaqjes ‘Up with People – Live on Tour’.

Up with People është një organizatë ndërkombëtare jo profitabile me bazë në Denver, Colorado, USA. Up with People është themeluar duke u bazuar në principet që përmes muzikës si element kryesor të komunikojë dhe inspirojë njerëzit. Përmes muzikës dhe aktiviteteve të ndryshme, Up with People nxit të rinjtë për të qenë agjentë pozitivë të ndryshimeve për një botë më shpresëdhënëse, të besueshmë dhe paqësore. Grupi i Up with People ka performuar në më shumë se 70 shtete të botës dhe është ndjekur nga më shumë se 1.1 miliardë njerëz.

Produksioni i fundit i Up with People Live On Tour 2018 fokusohet në shpresat tona për një të nesërme më të mirë. Performanca përfshinë këngë dhe vallëzime ndërkombëtare, potpuri zbavitëse të pop-it, dhe këngë origjinale të kompozuara për të inspiruar njerëzit drejt përkushtimit personal për të mbajtur shpresat për të ardhmen në komunitetin e tyre.

Për herë të parë në historinë 53-vjeçare të Up with People, 105 të rinj nga 18 shtete do të vizitojnë Kosovën nga data 22 Maj – 5 Qershor, 2018 duke qëndruar në familjet nikoqire dhe duke performuar në Gjakovë dhe Prishtinë.

Albert Heta, folës dhe panelist në Forumin për Kulturë Evropiane

Albert Heta, Drejtor Artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK është ftuar si folës dhe panelist në edicionin e dytë të Forumit për Kulturë Evropiane, me temën “Act for Democracy!”, që po mbahet në Amsterdam nga 31 maji deri me 3 qershor 2018.

Paneli “Art i Rajonalizmit”, pjesë e Forumit për Kulturë Evropiane – Act For Democracy! do të ndodhë të shtunën me 2 qershor prej 14:30 – 16:30 në De Balie – Salon, me panelistët Jacky Wylie (Drejtore e Teatrit Kombëtar në Skoci), Albert Heta (Drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë) dhe Sjoerd Bootsma (Leeuwarden Kryeqyteti Evropian për Kulturë 2018), ku do të diskutohet për fuqinë e kulturës rajonale, ndikimin në shtetet kombëtare dhe të ardhmën e Evropës. Programi moderohet nga Aldith Hunkar (Hunk-ArT).

E inicuar nga De Balie dhe DutchCulture – Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Holandës, Forumi për Kulturë Evropianë hulumton Evropën nga prizimi i artit, kulturës dhe historisëm në një kohë kur idetë për një Evropë të bashkuar janë nën kërcënim ma shumë së kurrë. Artistët dhe dijetarët nga gjithë bota do të ndanjë idetë e tyrë për Evropën, sfidat dhe të ardhmën duke shfrytëzuar teatrin, performancën, debatet, ligjeratat, shfaqjet e filmit dhe ekspozitat.

Edicioni i kaluar dhe i pari i Forumit ka qenë një sukses i madh me më shumë se 230 kontribuës ndërkombëtar si Marlene Dumas, Ulrich Seidl, Jude Law dhe Rem Koolhaas.

Kontribues të tjerë në Forumin për Kulturë Europiane përfshijnë, ndër të tjerë: Alessandro Baricco (shkrimtarë, Itali), Achim Borchardt-Hume (drejtor i ekspozitave & programit në Tate Modern), Natalia Kaliada (Drejtore e Belarus Free Theater), Achille Mbembe (filozof, Kamerun), Srecko Horvat (filozof, Kroaci), Asli Erdoğan (shkrimtare, Turqi), Richard Mosse (fotograf, Irelandë), Wolfgang Tillmans (artist, Gjermani), Shantel (muzicient, Gjermani), Hissa al Dhaheri (kurator, Emiratet e Bashkuara Arabe), Mark Lilla (shkenca politike, SHBA), Santiago Sierra (artist, Spanjë), Flavia Kleiner (aktivist, Zvicër), Ivo van Hove (drejtor teatri, Holandë), Reem Fadda (kuratore, Palestinë), WENDE (këngëtar-tekstshkrues Holandë), Jacob Sam-La Rose (artist i fjalës së thënë, Mbretëria e Bashkuar), Vasyl Cherepanyn (kurator, Ukrainë), Alain Geismar (politikan), Flavia Kleiner (aktivist politik, Zvicër), Madi Maxwell-Libby (artist i fjalës së thënë, Mbretëria e Bashkuar), Rem Koolhaas (arkitekt, Holandë), Ulrike Guerot (shkenca politike, Gjermani) dhe Seyran Ates (avokate dhe feministe muslimane).

Arkitekti Përparim Rama: Xhamia e Madhe duhet të jetë te Prishtina e Vjetër

Arkitekti Përparim Rama e ka një ide rreth ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Debati që herë forcohet e herë është i qetë, kësaj here është rikthyer pasi Rama ka komentuar rreth kësaj Xhamie.

“Pozita e tanishme, tek Posta, është e gabuar nga aspekti urban, arkitektonik, tradicional e historik. Për hir të qytetit tonë dhe të gjithë qytetarëve e sidomos të komunitetit Islam nuk duhet të lejojmë të bëjmë këtë gabim, kur kemi mundësinë të rigjenerojmë pjesën më të rëndësishme të kryeqytetit tonë” ka shkruar mes tjerash Rama.

“Pozita në Prishtinën e vjetër, aty ku janë tri xhamitë dhe Hamami, ku ka qenë Çarshija e Vjetër, aty ku është tregu, aty ku kanë fillu celulat e para të qytetërimit të Prishtinës, aty duhet të jetë edhe Xhamia e Madhe. Rrugët përreth duhet të shndërrohen në rrugë këmbësorësh. Të gjithë hapësirat publike duhet të rehabilitohen dhe të na e përkujtojnë historinë tonë, Prishtinën e Vjetër” ka shkruar Rama.

Ai thotë se Sheshi Nëna Terezë duhet të lidhet me këtë pozitë, edhe të vazhdojë në anën tjetër deri te katedralja.

Kësisoj sipas tij duhet të bëhet edhe ndërlidhja e feve/besimeve që na karakterizojnë si komb si nga aspekti shpirtëror edhe nga ai urban.

“Paramendoni lidhjen e të gjitha Xhamive përreth me hapësirën publike për këmbësorët, dyqanet me filigranë, zejet e ndryshme, tregu e produktet vendore, me përplot histori e trashëgimi” ka treguar Rama, arkitekt i njohur kosovar. / KultPlus.com

‘Ekskluzive: Ja pse armiqtë duan ta shkatërrojnë këtë këngë (+81)’

Një grup artistësh, që për momentin mbeten anonim kanë lanësuar një këngë të zhanrit rock.

“Ekskluzive: Ja pse armiqtë duan ta shkatërrojnë këtë këngë (+81)”, e kanë quajtur projektin e tyre, që zgjat fiks 3 minuta e 4 sekonda.

Në një artikull satirik me të cilin është lanësuar kënga thuhet se “fillimisht ajo ka qenë 12 minuta e gjatë, por 9 minuta të saj u zhdukën në mënyrë misterioze”.

I atribuohet revistës inekzistente “Revista Perdja”, është cituar njëri nga artistët pjesëmarrës në projekt.

“Unë mendoj se kjo vepër përdor një koncept metafizik audio-viziv, që ruan një konsekuencë stilistike. Aty interpretohet si duhet fjala ‘flutur’, që gjendet andejpari si fjalë kyçe, teksa fluturon nëpër një mosprani koherente njerëzore, duke i hapur rrugë unike tingullit të kitarës, muzikës, zërit e mbi të gjitha lajmit”, ka thënë për revistën artisti dhe kritiku Tonin Berisha, që jeton dhe vepron në Belgjikë.

Ndërkaq, për historianin dhe analistin politik Bashkim Ibrahimi, “ka qenë momenti i duhur që kjo këngë ta përhapë të vërtetën që armiqtë janë munduar ta fshehin”, thuhet më tej në artikullin nga “Revista Perdja”.

Në videoklip, që vetë-cilësohet si më i miri ndonjëherë janë shkruar tituj bombastik portalesh.

Për të mos humbur kohë më shumë: A e dini se cili lajm po e çmend Serbinë? Cilat fjalë rrisin inteligjencën e shqiptarëve? Pse armiqtë duan ta shkatërrojnë këtë këngë dhe pse nuk do ta besoni këtë që do ta lexoni?

Për këto dhe shumë të tjera, bëhuni pjesë e së vërtetës dhe dëgjojeni e shikojeni këtë vepër të rrallë audio-vizive të bazuar në ngjarje të vërtetë.

Muzeu i Kosovës, nikoqir i konferencës ‘Promovimi i paqes nëpërmjet edukimit’

Alberina Haxhijaj

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, sot në 1 qershor Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, UNDP dhe IOM, kanë përgatitur konferencë dhe punëtori edukative.
Në konferencën me temë “Promovimi i paqes nëpërmjet edukimit” u kërkuan investime sa më të mëdha në edukimin e fëmijëve dhe ofrimi i një jete sa më cilësore, shkruan KultPlus.

Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, kërkoi që për fëmijë të diskutohet edhe të punohet çdo ditë.

“Ajo për të cilën ne vazhdimisht po bëjmë përpjekje është që të krijojmë kushte dhe mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët tanë. Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm që kemi probleme dhe sfida por jemi të vendosur që të mos ndalemi para këtyre sfidave. Ne kemi nevojë për më shumë hapësira e sidomos për kopshte dhe çerdhe ku fëmijët tanë që në moshë të hershme të kenë qasje në edukim”, u shpreh ai.

Tutje Bytyqi tha se të gjitha institucioneve në Kosovë iu mbetet që të bëjnë maksimumin dhe të krijojnë kushte dhe hapësira për edukim sa më të mirë të fëmijëve, e në këtë mision ai tha se duhet që të ndihmojnë edhe edukatorët, prindërit dhe e gjithë shoqëria.

Deputeti Ismail Kurteshi tha se Komisioni Parlamentar në Kuvendin e Kosovës do të angazhohet që ti bëjë ligjet më të mira për fëmijët por edhe që të bëhet presion në Qeveri dhe në institucione përkatëse që të punohet së bashku për një të ardhme më të mirë për fëmijët.

Ndërsa Drejtori i Muzeut të Kosovës – Skendër Boshtrakaj tha se muzeu vazhdon që në agjendën e tij të ketë prioritet fëmijët.
“Ne jemi muze i vogël i një vendi të vogël dhe një muze si ky nuk mundet me bo shumë, me e ndrru imazhin e vendit, me siguru të hyra të mëdha si sigurojnë muzetë nëpër botë. Mirëpo, ajo që mundemi është me i hapë dyert për gjeneratën e re, që kjo gjeneratë me e pasë një institucion të vetin ku mirëpritet dhe ku ndodhin çdo ditë aktivitete që janë të dizajnuara për këtë gjeneratë. Në këtë drejtim Muzeu i Kosovës ka shumë programe për fëmijë dhe ju ftojmë që të bëheni pjesë e tyre”, tha ai.

Shefja e Misionit e IOM-it Tajma Kurt tha se kjo është një festë shumë e veçantë për fëmijët dhe po mbahet po ashtu në një vend të veçantë dhe të dashur për ta.

Ndërsa Udhëheqësi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandão Có, tha se shënimi i kësaj dite e cila festohet në gjithë botën na bën që të kujtojmë rolin e rëndësishëm që ka investimi në fëmijë.
“Investimi më i mirë që mund të bëni në shoqëri është investimi në edukimin e fëmijëve sepse gjëja më e mirë është një fillim i mirë edukues për fëmijët”, tha ai duke shtuar se do të vazhdojnë punën e tyre së bashku me institucionet e Kosovës për të siguruar arsim kualitativ për çdo fëmijë.

Sot në tërë Kosovën përmes aktiviteteve të ndryshme po shënohet 1 qershori, Dita e Fëmijëve.
Ndërsa në Muzeun e Kosovës fëmijët pjesëmarrës do të kenë mundësi të lënë gjurmët e tyre duke ndihmuar në realizimin e projektit “Qytetet e Paqes” që udhëhiqet nga Ellen Frenk. / KultPlus.com

Akua Naru ishte mbyllja ideale e Festivalit FemArt

Alberina Haxhijaj

Hip-hop këngëtarja dhe poetja feministe Akua Naru ishte mbyllja e fuqishme e edicionit të 6-të të FemArt-it.
Atelieja përballë Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sportit mirëpriti këngët më të njohura të kësaj këngëtareje duke përfshirë edhe këngët nga albumi i saj i saj i ri “The Blackest Joy”, shkruan KultPlus.
“A jeni gati që të dëgjoni një performancë nga një grua e mrekullueshme dhe me ngjyrë. Sepse sonte është një grua në mikrofon që po bën muzikë”, i tha ajo publikut me tu ngjitur në skenë. Fakti që ajo e thekson që në fillim se është një grua me ngjyrë dhe që bën muzikë ka të bëjë me misionin që kjo këngëtare i ka vënë vetes, të dëshmojë se këngëtaret me ngjyrë dhe feministe kanë vend në muzikë. Ajo këtë po e dëshmon çdo ditë me koncertet dhe me famën ndërkombëtare.

Reperja dhe poetja, vokalistja dhe kompozitorja Akua Naru e ka bashkuar dashurinë për muzikën dhe për udhëtimet duke dërguar nëpër vende të ndryshme tregimet e saj e që shpesh lidhen me paraardhësit e saj si formë për ti nderuar ata. Pasionin për artin ajo e ka pasur qëkur ishte e re, kur ëndërronte që të bëhej këngëtare.
“Muzika ime është poezi. Kjo natë i takon poezisë. Unë jam thjesht një poete që e shfrytëzon muzikën për të treguar historitë e saj”, i tha ajo publikut që e shoqëroi në këtë udhëtim të saj.

Një publik të cilin ajo asnjëherë nuk e kishte menduar se do ta takonte në Prishtinë. ‘Jeta fsheh surpriza shumë të bukura, gjithçka që duhet të bëjmë është të vazhdojmë përpara pa marrë parasysh pengesat’ – është një tjetër thënie që qëndron thellë në mendjen e artistes.

“Kjo është hera ime e parë dhe është shumë bukur. Më vjen keq që nuk e flas gjuhën shqipe, do të dëshiroja që ta bëja këtë mirëpo besoj që muzika mund të flasë në të gjitha gjuhët… Është shumë bukur të shoh njerëz të cilët bashkohen në një hapësirë të njëjtë dhe ndajnë së bashku po atë hapësirë, në të njëjtën kohë dhe dëgjojnë të njëjtin tingull. Besoj që kështu ne prodhojmë një energji, e cila ka vibrim dhe është shëruese. Meqenëse nuk ju njoh dhe kjo është hera ime e parë këtu dua që edhe unë të dëgjoj tingujt tuaj, dua që të këndoni me mua së bashku dhe të bëhemi një trup i vetëm në këtë sallë” tha ajo.

E publiku i cili shijoi paraqitjen e këngëtares bëri pikërisht këtë. Ata përcollën hapat e saj dhe këndonin këngët e saj.
“Nuk mund ta besoj që nuk jemi takuar më parë e as ta besoj që fjalët të cilat unë i kam shkruar po shqiptohen nga ju. Ju sollët lot në sytë e mi”, tha ajo gjersa publiku këndonte këngët e saj.

“Kompanitë muzikore dëshirojnë që të sjellin përmes muzikës histori të cilat ata i përzgjedhin e që shpeshherë kanë të bëjnë me seksizëm, drogë, konsumerizëm, dhunë. Mendoj se ata e bëjnë këtë që të na mbajnë neve në një nivel ku vetëm mbijetojmë dhe nuk reagojmë ndaj asaj që po ndodhë nëpër botë, të paktën kështu e shoh unë. Ata i përcjellin agjendat e tyre dhe prandaj muzika dhe artistët e pavarur janë shumë të rëndësishëm dhe interneti ka qenë një bekim për artistët të cilët kanë dashur që ti shpërndajnë këto histori”, tha ajo.

Ky koncerti shënoi mbylljen e edicionit të 6-të të Festivalit të Feministeve – FemArt-it. / KultPlus.com

Në revistën Cosmopolitan, krijimet e dizajneres shqiptare

Krijimet e dizejnatorës shqiptare e cila jeton dhe vepron në New York, Sara Shala, tashmë janë shfaqur edhe në revista të tjera të njohura si Vogue, Marie Claire, Elle, Harper’s Bazaar, REFINERY29, Nylon, Washington Post, Essence, Inked Mag, Untitled magazine e të tjera, shkruan KultPlus.

Unaza e cila shihet në dorën e modeles, në numrin e ri të revistës Cosmopolitan, versioni i Hungarisë, është punë e dizajneres shqiptare Sara Shala. Kjo unazë ka qenë më e shituar apo “bestseller” në koleksionin e kreatores.

Sara Shala ka vite që e ka themeluar brendin e saj të aksesorëve në New York.Kreatorja shqiptare Sara Shala njihet për krijimet e veçanta të cilat ajo i realizon. Krijime këto të cilat nuk kanë lënë pa u vënë re nga kreatorë të tjerë të modës dhe njerëz të njohur të kësaj fushë, e të cilët zgjedhin pa ngurrim aksesorët e Sarës për të kompletuar një veshje me plot stil.

Kështu qaforet, unazat, vathët por edhe aksesor të tjerë të realizuar më shumë dashuri nga Sara, kanë zënë vend nëpër revista të njohura dhe janë mbajtur nga personalitet të njohura në fushën e artit.
Ato janë shfaqur në fotosesionin e realizuar nga Dani Morales, janë mbajtur nga Denham, Isis Louw,Catherinë Wanders, Alison Brie e të tjerë duke mos harruar edhe modelen e njohur shqiptare Emine Çunmulaj./KultPlus.com

Me e tut tutën

Sibel Halimi

(Hera, variant)

Mos u tut nga hijet kudo
Ato janë aktore n`teatrin e territ
Me i prekë s`mundesh, sall prapa të vijnë
Mos u tut, se trishtimi ma i madh ditën a`
Hera, mos u tut as prej insekteve që banue me neve kanë
Janë picirruke, të pickojnë sall për ta kujtu
Ndjesinë e t`voglit, që sherr të madhit s`mun i ban
Mos u tut, as kur njerëzit britma lëshojnë
Ata janë të trishtuem nga vetja
E frika jote i ban me mendue se bota e tyne asht
Madje, Hera, tutë fare mos ki
As kur n`agun e mëngjesit
Psalme kushtu zotit dëgjon
Kot marrin mundin për t` lidhë me ta`
Sepse ti veç nji gjaje që shihet i beson
Tuta mjet kontrolli e njerëzia gogolë
Hera ime, mos u tut as atëherë kur na s`jemi aty
Shiko vërdallë, ndiej, merr frymë…
N`bebëzat tua jena
Mos u tut nga zhurma e hapave të tu
Krejt njisoj asht
Njerëzit janë gjeodetë
I masin rrugët sa t`gjata e ku t`qojnë
Ti marsho sigurt
Kryenaltë!
Mos u tut as nga mësueset
Dhe detyrat që t`i japin ato
Bani si të duesh, siç ma së miri i kupton
Se obligimet shpesh bajate janë
Por të tilla që duhet me i ba
Thithe gishtin si biberon, rrëshqitë me gishta flokëve t`arta
Mendo qetë për gjanat që t`pëlqejnë
Vafshin n`djall
Krejt ata që duan tjetrit
T`i bahen busullë
Mos u tut nga frika
Se ethet n`bark hi
i kanë
Babaroga s`asht
Veç njerëzit janë…

ReMusica jehoi shqip përmes koncertit “Natë Shqiptare”

Festivali ReMusica ka sjellë mbrëmë koncertin e radhës të suksesshëm të titulluar “Nata Shqiptare”. Mbrëmje kjo e cila solli interpretime të këndshme nga muzikantët si: Klevis Gjergji, Meriton Ferizi, Pëllumb Vula, Lejla Beqiri, Bledar Bujupi, Shkelzen Baftiari, Albin Abazi, Melos Buza dhe kori Siparantum, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare ka pritur koncertin “Nata Shqiptare”, koncert ky që mblodhi muzikantë të zot në kuadër të edicionit të 17-të dhe e cila pati në fokus kompozitorët dhe interpretët shqiptarë.

Koncert filloi me pianistin Klevis Gjergji dhe me veprën “Perhaps” nga kompozitori Endri Sina. Tutje pianisti me shumë mjeshtri solli edhe veprën “…upon…” nga Dorian Cene, për ta përmbyllur me “Prishtina Blues” nga Rafet Rudi. Vepra më karaktere të ndryshme të cilat edhe pse të shkruara së fundi u pritën mirë nga publiku.

Mbrëmja vazhdoi me “Trio Sonore” i përbërë nga Meriton Ferizi, Pëllumb Vula dhe Lejla Beqiri-Vula të cilët sollën kompozitorin Bashkim Shehu. Për të vazhduar me kombinimin e bukur të pianistit Melos Buza shoqëruar në obo nga Albin Abazi për të sjellë kompozitorin R.Schumann “3 romances”. Pas Schumann-it erdhi kompozitori B.Britten nga Albin Abazi. Një interpretim i bukur i “Six Metamorphoses”.
Tutje, para publikut u paraqit kuinteti pianistik i përbërë nga Meriton Ferizi-fagot, Pëllumb Vula-klarinet, Lejla Beqiri-flaut, Bledar Bujupi-kornë, dhe Shkelzen Baftiari në piano. Miq të festivalit të cilët kanë interpretuar edhe më parë pikërisht në kuadër të tij.

Ky program nga kuarteti pianistik është shfaqur edhe me parë në Gjakovë dhe në Shkup, kurse sonte ishte koncerti i tretë i këtij programi premierë përmes të cilit muzikantët kanë arritur që të tërheqin vëmendjen e donatorëve tashmë të njohur në Kosovë Dorothea dhe Georg Frankhauser nga fondacioni Pirolo. Kështu ky kuartet pianistik do të shfaqet më të njëjtin program edhe në Francë dhe në Zvicër tregoi për KultPlus, Lejla Beqiri-Vula.

“Luajtëm veprën nga Korsakov dhe Hans Huber. Dy kuintetë shumë të mëdha dhe shumë komplekse për nga ndërtimi. Hans Huber sonte ishte premierë në vendin tonë dhe më shumë gjasa edhe në Ballkan pasi që kompozitor është shumë i njohur në Zvicër por nuk është shumë i njohur për historinë e muzikës në përgjithësi. Pjesëmarrja jonë në këtë festival me karakter ndërkombëtar është shumë e rëndësishme dhe tejet motivuese për ne si artistë. Por edhe nxitje për ne që çdo herë të kemi një nivel të lart të performancës pasi që në këto festivale vijnë edhe artistë nga jashtë , prej vendeve me shumë më tepër traditë të muzikës klasike sesa që kemi ne këtu”, tha Lejla Beqiri-Vula.

Mbrëmja u përmbyll me korin Siparantum nga Pejë dirigjuar nga dirigjenti Memli Kelmendi. Ata për të pranishmit sollën veprën “Bum Çi-ke” nga Dafina Zeqiri Nushi, “Agnus Dei” dhe “Ater Umbra” nga Memli Kelmendi, “Ut Nobis Detur” nga Mendi Mengjiqi dhe “Siparantum” nga Kreshnik Aliçkaj.
“Kjo ishte një mbrëmje shumë e bukur pasi që u interpretuan vepra të kompozitorëve shqiptarë nga instrumentistë shqiptarë, një mbrëmje e ndarë në tri blloqe, në atë për piano, instrumente frymore dhe pjesa e fundit ajo korale. Ky është një festival shumë i rëndësishëm njëlloj si kjo natë pasi që promovoi vlerat tona, kompozitorët tanë dhe interpretët tanë”, u shpreh Memli Kelmendi për KultPlus.
Sonte është nata e parafundit e këtij edicioni të festivalit “ReMusica” i cili në Kishën “shën Ndou”, në Ulpianë do të sjelle solistë të talentuar vokal, në koncertin e titulluar “Prishtina Baroque Night”./KultPlus.com

Kryebashkiaku i Tiranës i dhuron “Çelësin e Qytetit” fituesit të Sanremos, Ermal Meta

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim të veçantë fituesin e Sanremos, këngëtarin shqiptar Ermal Meta, i cili së bashku me disa nga artistët më të mirë të skenës kombëtare, do të sjellë sot në mbrëmje një eksperiencë të paharrueshme në Sheshin “Skënderbej”. Kryebashkiaku Veliaj përgëzoi këngëtarin Meta për perfomancën e tij në festivalin më të rëndësishëm të këngës italiane, si dhe në skenën e Eurovizion dhe në shenjë mirënjohje për gjithçka që ai ka bërë për promovimin e vlerave dhe emrit të Shqipërisë në Itali dhe jo vetëm, i dhuroi “Çelësin e Qytetit” si simbolin e miqve të Tiranës.

“Shumë i lumtur sot që Ermali është në Tiranë. E kemi pritur shumë këtë moment. Ishte një ide që lindi me mikun tonë, ambasadorin italian, për 2 Qershorin, që është Dita e Republikës Italiane, por që të simbolizojë produktin më të mirë italo-shqiptar. Jam shumë i lumtur që e gjetëm produktin më të mirë italo-shqiptar. Dua të them që jemi shumë krenarë për ty. Unë e di që s’ke ardhur shpesh në Tiranë, ndaj tani që do vish më shpesh, ke nevojë për një çelës dhe Çelësi i Tiranës u jepet vetëm miqve specialë të qytetit, atyre që i konsiderojmë gjithmonë me derë të hapur”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Ermal Meta është një shembull shumë i mirë për të gjithë të rinjtë shqiptarë, se falë punës dhe talentit mund të arrish suksese të mëdha, pavarësisht se nga vjen. “Të jam mirënjohës sepse për shumë të rinj je simbol se çfarë mund të bëjë dikush që vjen nga një familje e thjeshtë, pa emër të madh, duke u munduar me talent, me punë pa u lodhur, duke u rrëzuar, ngritur dhe në fund fare duke ia dalë”, shtoi kryebashkiaku.

Këngëtari Ermal Meta falenderoi Tiranën për pritjen, ndërsa u shpreh se ndihej krenar për vlerësimin e bërë nga Bashkia e Tiranës. “Është krenari e madhe. Kam ikur para 24 vitesh nga Shqipëria dhe ika në një mënyrë shumë të shpejtë, as vetë nuk e kuptova, por u gjenda nga ana tjetër e detit dhe kthehem sot me një çmim jashtë mase të veçantë. Më bëhet shumë qejfi dhe e ndiej veten shumë krenar”, tha këngëtari Ermal Meta.

Më pas të dy ata kanë pedaluar me biçikletat e reja “Mobike” që kanë mbërritur në Tiranë, për t’iu bashkuar një bashkëbisedimi me studentët shqiptarë dhe italianë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ku këngëtari Ermal Meta rrëfeu dhe historinë e tij, nga largimi prej Shqipërisë, integrimi në shoqërinë italiane dhe muzikën.

Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha do të jenë të parët ata që do të ndezin sot në mbrëmje skenën e Sheshit “Skënderbej” dhe për të pritur më pas fituesin e Festivalit të RTSH-së dhe përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion, Eugent Bushpepajn. Nata e sotme do të kulmojë perfomancën e shkëlqyer të fituesit të Sanremos, këngëtarin shqiptar, Ermal Meta.

Ndërkohë në datën 3 Qershor Sheshi “Skënderbej” do të ‘digjet’ nga energjia e Kidës dhe do të kulmojë me performancën e shumëpritur nga gjithë shqiptarët të këngëtares me famë botërore, Rita Ora. Dy netë të mrekullueshme me dy emra të skenës botërore që i bëjnë shqiptarët gjithmonë krenar. Të dy koncertet do jenë falas për publikun, ndaj bëhu gati se ka ardhur Ora e Super Muzikës.

AGK-ja shkarkon drejtorin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ka shkarkuar nga detyra drejtorin ekzekutiv të AGK-së, Arben Salihu nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, falsifikim dokumentesh, raportim të rrejshëm para Bordit dhe lidhje të kontratave të dëmshme pa dijeninë paraprake të Bordit, duke bërë shkelje të statutit të organizatës, kontratës së punës dhe legjislacionit në fuqi.

Bazuar në dyshimet fillestare, sipas AGK-së, Salihu prej datës 13 mars 2018 ka qenë i suspenduar nga detyra me qëllim që t’i hapej rrugë një auditimi gjeneral dhe të pavarur të organizatës për periudhën dyvjeçare. Pas pranimit të Raportit të Auditimit ku janë konstatuar shumë shkelje, Bordi i AGK-së, ka marr vendim të prerë që Salihu me automatizëm t’ia shkëpus kontratën.

AGK poashtu ka miratuar dorëheqjen e financieres Florina Desku, e cila është ofruar pas prezantimit të draft dokumentit të auditimit të pavarur, ku evidentohen shkelje dhe lëshime në fushën e menaxhimit të financave si dhe pasi është zënë duke raportuar rrejshëm lidhur me raportet financiare të dorëzuara tek donatorët.

“Bordi i AGK-së është thellë i zhgënjyer me situatën e krijuar dhe shpreh vendosmëri për bashkëpunim me organet e drejtësisë me qëllim të hetimit të plotë të të gjitha dyshimeve. Njëkohësisht Bordi siguron komunitetin e gazetarëve se situata e krijuar nuk do të ndikojë në punën dhe përformancën e organizatës. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë dhe luftimi i dukurive negative brenda organizatës është e vetmja rrugë , me qëllim të ruajtjes së reputacionit dhe imazhit të oranizatës të ndërtuar me shumë mund prej vitesh”, thuhet në njoftim.

Bordi i AGK-së, të gjitha dosjet dhe materialin në dispozicion do t’i procedojë tek organet e drejtësisë.

Rrëfen Ermal Meta: Më erdhi turp që Italia nuk i dha 12 pikët Shqipërisë!

Sikurse pati premtuar, Ermal Meta do të mbajë sot një koncert në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Ai ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, ku zhvilloi edhe një takim special me Kryebashkiakun Veliaj. Sot gjithashtu këngëtari shqiptar ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinj dhe shqiptarë ku ka treguar pjesë nga jeta e tij. Ermal Meta ka thënë që askush nuk lind i famshëm, vetëm Jezusi ka lindur I tillë dhe duhet shumë punë për të arritur atu ku dëshiron. Qielli është shumë i madh dhe ka vedn për të gjithë është shprehur Meta.

“Nuk lind njeri i famshëm, vetëm Jezusi ka lindur i famshëm. Duhet punë për të arritur aty ku dëshiron. Ndjej kreativitetin, në fillim luaja në piano dhe kitarën nuk e llogarisja fare, në shtëpi me vëllain më tha të lozja basketboll dhe i thashë jo nuk dua se s’di, pas 3 minutash thyeva këmbën, 3 muaj nuk ulesha dot në piano, nga kjo mora një mik dhe i thashë më sill një kitarë, dhe ai ma solli, në atë moment zbulova një botë tjetër, piano është horizontale, ndërsa kitara është horizontale dhe vertikale. Shkruaja këngë por jo të gjithë i kuptonin dhe madje më pyesnin çfarë është kjo. Më pëlqejnë njerëzit që shprehin kreativitetin përmes artit. Arti dhe muzika në veçanti është shumë arrogant dhe nuk kërkon leje kurrë, pra e bën fakt të kryer, vjen kënga siç mund të gjesh dikë brenda në shtëpi dhe nuk të ka kërkuar leje për të hyrë. Kur kam shkruajtur këngë nuk e kam marrë parasysh publikun pasi i shkruaj për vete. Shqipëria më mungon çdo ditë, më mungon shumë. E kam humbur praktikën e gjuhës shqipe por jo praktikën e zemrës.Këngën që fituan SanRemon e shkruajtëm pasi në çdo vend të Europës ka frikë, dhe ne si muzikantë mundohemi ta mbledhim dh eta transformojmë. Një këngë nuk mund ta ndalojë luftën por mund të japë shpresa të vogla, çdo gjë kalon, edhe ato më të këqinjtë e njerëzimit sikur të kishin menduar që jeta nuk eshtë ë pafundme do ta kishin jetuar më mirë. Nuk kam momentalisht një bashkëpunim por do të doja shumë”, tha ai.

Do t’ju pëlqente të këndonit shqip dhe a do të shohim një këngë tuaj në gjuhën tonë?

“Jam rritur në Itali dhe nganjëherë më bëhet shumë e vështirë të shkruaj shqip pavarësisht se kam bërë 2-3 këngë por duhet studiuar në mënyrë më të saktë. Ishte një gjë shumë e rrallë që ishin 3 shqiptarë, Eugenti ka zë të mahnitshëm dhe ishte ai që këndoi më mirë nga ne të tre, meritonte 12 pikë dhe më erdhi shumë turp që Italia nuk ja dha, dhe kam bërë sherr atje për këtë fakt. Jam shumë krenar që jam shqiptar, një fëmijë nuk e zgjedh dot atdheun dhe vendin ku do të lindi, por nese do kisha mundësi të rilindja dhe të kasha koishiencë përsëri do të zgjidhja të lindja këtu.
I pyetur nese a do të këndonte anglisht për të hyrë në tregun botëror, Ermali është përgjigjur që nuk ka nevojë tregu anlez për të dhe as ai për tregun anglez.
“Motoja e jetës simë është: Këmbët në tokë dhe kokën në ajër, pra duhet të jem shumë i gjatë, nuk jam por e imagjinoj se si jam. Në Tiranë tamam kam qënë në 1992, më pëlqën shumë, pasi para 3 vitesh kam qënë vetëm për 4 orë dhe nuk e pashë fare.
Kësaj here i shpërlava sytë pasi në ’92 kam qënë për një arsye të zezë, më pëlqën Tirana. Doja të falenderojë të gjithë ato që më kanë thënë që ti me muzikën nuk ke asnjë lidhje. Të bëjnë mirë edhe ato që të injurajonë edhe ato që të dekurajojnë, i falenderoj me të vertëtë.
Gjëja e fundit që më ka bërë për të qarë kanë qënë padrejtësitë në San Remo, akuzat që më lënduan shumë, pasi nuk më përkasin, dhe fakti që ndenja në heshtje për dy ditë, nuk dola fare, ndenja me pizhama për dy ditë”, u shpreh Meta./javanews

Valdet Sadiku shpërblehet me mirënjohje në Festivalin “Mirëdita, dobardan” (FOTO)

Festivali “Mirëdita, dobardan” sot po vazhdon ditën e tretë të aktiviteteve në Beograd. Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita DobarDan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë.

Anita Mitic- ish Drejtoreshë e Nisma për të Drejtat e Njeriut në Beograd mbrëmë para koncertit të asnamblit “Zanat” në Beograd tha se janë aty edhe për të nderuar njërin nga kontribuuesit e këtij festivali, ambasadorin e Kosovës në Beograd, Valdet Sadikun.

“Cdo person në Kosovë duhet të jetë krenar me Valdet Sadikun”, u shpreh Mitic para se t’ia dhurojë mirënjohjen duke e falënderuar për mbështetjen dhe kontributin e tij.
Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com

“Zanat” sollën perlat e muzikës shqipe në Beograd, duartrokitjet e publikut i rikthejnë në skenë (FOTO)

Festivali “Mirëdita, dobardan” mbrëmë shënoi natën e dytë të festivalit. Qëndra për Dekontamin Kulturor është bërë adresë e njoftimit me kulturën e artin e Kosovës.

Gili Hoxhaj

Sopranoja Adelina Thaçi e pianistja Pranvera Hoxha nisën rrugëtimin e koncertit të mbrëmshëm. Pranvera Hoxha në të kuqe zë vendin pranë pianos prej nga dhe fillon lojën e saj bindëse, me një qëndrim të drejtë, ajo lëviz vetëm këmben e djathtë në harmoni me tingujt, ka një refleksion të shpejtë kur këtë ia kërkon vepra. Duart e saj duket sikur lundrojnë lehtë mbi piano, e kur zëri i sopranos pushon, muzikaliteti i saj pianistik veçse del në pah.

Adelina Thaçi, e veshur në të zeza, në dukje tejet elegante në paraqitjen e saj reflektonte sigurinë që tashmë me vite e ka ndërtuar në skenë. Me mimikë të gjallë e lëvizje që përfaqësojnë tekstet e këngës, me sytë drejt publikut ajo komunikonte me secilin që ishte në sallë. Përjetimi i saj ndaj veprave bëhet më i theksueshëm kur i bashkon duart e sytë i rrinë mbyllur.

“Asaman o trendafili Çeles”, “Margjelo”, “Lule bore”, “Njat zaman t’asaj furie” e “Agime Shqiptare” e Avni Mulës përmes zërit të e Adelina Thaçit ngjallën emocione të forta te publikut. Tek përfundimi e refreni i veprave, zëri i saj arrinte kulminacionin. Për Adelinën kjo mbrëmje solli emocione të dyfishta, që përveç duartrokitjeve nga publiku, ata së bashku i kënduan këngë të ditëlindjes. Thaçi tregoi për KultPlus se mbrëmë është ndjerë mjaft rehat përgjatë performancës.

“Kjo mbrëmje ishte jashtëzakonisht e mirë, duke filluar nga prezenca e publikut e diplomatëve. Ka qenë një mbrëmje e mrekullueshme dhe reportuari ka qenë aq i afërt dhe i mishëruar me neve. Për fund ishte një surprizë e mirë që ditëlindja ime u prit në këtë mënyrë edhe duke koncertu, dhe në fund që ma kënduan edhe mua këngën e datëlindjes”, tregoi Thaçi.

Ajo tutje tregoi se këto vepra janë përzgjedhur për arsyen se prezantojnë perlat e muzikës tonë që prezantojnë artin shqiptar. Tutje Thaçi u shpreh se shkëmbime të tilla kulturore janë të domosdoshme pasi që arti në mënyrë paqësore arrin t’i rrëzoj barrierat.

“Këto vepra nuk i kemi zgjedhë me ndonjë qëllim por ato janë të bukura dhe nuk kemi të tjera dhe për ta shpalosë artin shqiptar dhe këto këngë janë perla për me tregu artin tonë dhe se sa të bukura janë këngët tona. Këto shkëmbime kulturore kanë më shumë rendësi se politika, pasi që kultura përmes artit në mënyrën paqësore bën thyerjen e akullit dhe barrierave të shoqërive ndërmjet vete. Edhe Qeveria e Kosovës dhe Serbisë duhet që këto organizata që po mundohen përmes artit mi bashku popujt dhe kulturat, duhet të investohen më shumë në këto festivale, pasi që mendoj se festivalet e tilla janë çelësi kyç ”, u shpreh Adelina Thaçi për KultPlus.

Zërat e ansamblit “Zanat”, më larg skenës, si zëra të dytë iu bashkuan zërit të Adelinës në veprën “Agimet shqiptare” duke bërë publikun që të kthehet në kërkim të këtyre zërave. Pasi që Pranvera Hoxha largohet nga skena, vendin në piano e zë pianisti e kompozitori Artan Hasani. Vepra e parë vjen pa ndërhyrje nga pianisti, i cili me një teknikë të saktë e precizitet artistik veçse kompleton programin e ansamblit “Zanat”. Ai tha për KultPlus se interpretimi i këtyre veprave në kuadër të festivalit, e pritja e publikut atje i kanë dhuruar një ndjenjë shumë të veçantë.

Kjo është hera e dytë që Artan Hasani interpreton veprat e njohura shqipe me ansamblin “Zanat”. Me një intensitet të shpeshtë duartrokitjesh ato ishin përcjellë në Festivalin “Dam”, aty ku edhe kishin debutuar si ansambël. Ky ansambël është formuar së fundmi me anëtaret e solistet e Filharmonisë së Kosovës. Ansambli i përbërë nga Adelina Thaçi- Meta, Elida Kryeziu- Hoti, Diellza Sylejmani, Arstina Kelmendi, Albana Piperku ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e muzikës shqiptare. Të gjitha në të zeza, me pak hapësirë në mes vete, veçantitë e zërave të tyre e sollën një interpretim ndryshe të veprave. “Fustanin që ta solla mbrëmë”, “Hapi sytë e zezë”, “Kaçurrelja”, “Ç’u mbush mali plot me rrush”, ishin veprat që njëra pas tjetrës erdhën e u pritën me emocion të njëjtë nga publiku. Sytë e publikut i cili qëndronte në një zonë më të errët, me vëmendje përcollën interpretimin e solisteve që qëndronin në një ndriçim të zbehtë.“Bjeri çiftelisë” e “Këngë moj buçit në male” bën që publiku të mos kursej duartrokitjet edhe gjatë interpretimit të tyre. Në një bashkim të duartrokitjeve të publikut e ansamblit, në fund të veprës me brohoritje, duartrokitjet e publikut i cili u ngrit në këmbë ishte në kërkim edhe të një interpretimi tjetër.

Elida Kryeziu Hoti tha se u nda tejet e kënaqur nga mikpritja e publikut. Ajo tha për KultPlus se do të vazhdojnë që në raportuarin e interpretimeve të tyre të fusin vepra që janë perla të muzikës shqiptare.

“Kjo është hera e parë që vijmë në festival, por nuk do të thotë që nuk do të vijmë prapë, sepse ka qenë një mikpritje jashtëzakonisht e madhe të cilën nuk e kemi pritur, bazuar edhe në situatën që u krijua dje. Prape se prapë ne jemi të lumtura me prezencën e publikut dhe që janë ndarë të kënaqur me neve. Këto këngë i kemi përzgjedhur për shkak se janë këngët më të bukura shqiptare, sidomos kjo e fundit e Musa Piperkut nuk përsëritet kurrë”, u shpreh Kryeziu për KultPlus.
Mes publikut të mbrëmshëm që për më shumë se një orë shijoi këtë koncert, ishte dhe një i ri me emrin Luka Berberina. Berberina tregoi për KultPlus se i dëgjon dhe i pëlqen shumë këngët shqiptare, prej nga edhe i ka mësuar disa fjalë shqipe, të cilat i flet.

“Më pëlqyen këto këngë, sidomos kënga e fundit të cilën do ta kërkoj për ta dëgjuar prapë. Kam qenë në Ohër, dhe në një farë forme, aksidentalisht kam parë një CD të Sofrës pejane më 2008 dhe kam nisur ta dëgjoj. Më pas kam vazhduar të dëgjoj disa këngë tjera dhe më pëlqejnë shumë. Mendoj se është një muzikë shumë e njëjtë edhe pse gjuha është e njëjtë ato arrijnë të më prekin kur i dëgjoj”, tha Berberina.

Festivali “Mirëdita, DobarDan” sot do të vazhdoj ditën e tretë të aktiviteteve, ku në mbrëmje do të prezantohet shfaqja teatrale “Copë Copë” me regji të Zana Hoxha – Krasniqit.
Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com