‘Moshe: Një tregim në vazhdim’ nga Orhan Kurtolli, një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë

Era Berisha

Pikturat e vendosura në muret shumëngjyrëshe po merrnin frymë nën ashpërsinë kaotike të ngjyrave intensive të cilat përplasnin vëmendjen e të pranishmëve në mëdyshjen e zbulimit të enigmës së fshehur e cila ndoshta është një gjëegjëzë e shkëlqyer e veprave artistike të Orhan Kurtollit që mbrëmë erdhën në ekspozitën e titulluar ‘Moshe: një tregim në vazhdim’, të kuruar nga Albert Heta në Klubin e Boksit, shkruan KultPlus.

Në një hapësirë që i ngjasonte një labirinti që nuk kishte një rezultat apo përfundim të menduar, audienca fillimisht pati rastin t’i admiroj dy piktura të përmasave të mëdha të cilat ishin të vendosura në hyrje të ekspozitës e po një lloj si ambienti, këto piktura po portretizonin një gjendje fort të ngatërruar e cila shprehej në një dominim të ngjyrës së verdhë që stimulonte emocione dhe ndjenja të strukura në thellësinë e ndezur nga prezenca verbuese e pikturave.

Ndërkohë, disa piktura të cilat ndodheshin në kënde të vetmuara, ishin pikërisht ato që komunikonin një vetmi e një brengë të errët por që frymonin në ngjyra krejtësisht të gjalla. Ngjyra rozë që kishte kapluar atmosferën në këto piktura, po rrëmbente edhe kuriozitetin e secilit për të soditur britmat e heshtura të cilat mbyteshin brenda trubullimës së shkaktuar nga plotësimi shpirtëror i qetësisë së pikturave.

Tutje në vazhdim ndodheshin edhe piktura të cilat vinin në kontrast me pikturat e mëparshme për arsye se tani në një imazh monokromatik po shfaqej një përsosje e pandryshuar e gjendjes së njeriut në boshllëkun e mendimeve çoroditëse të cilat ishin të rafinuara kujdesshëm nga mëndafshi i penës që ka mbizotëruar mbi kanvaset e definuara në kënde nga një vijë e bardhë që përshtatej këndshëm me prapavijën e murit të bardhë.

Kurse krejt në fund të ekspozitës, të vendosura ishin piktura të cilat dukshëm dëshmojnë edhe periudhën kohore të tyre. Prandaj, për të folur më shumë rreth përmbajtjes së tyre, për KultPlus foli artisti Orhan Kurtolli, i cili tregoi se përmbajtja e tyre ndahej në tre faza.

“Një pjesë janë nga një cikël më i hershëm, një pjesë janë piktura pak më të vjetra që kanë të bëjnë kryesisht me preokupimin tim në pikturë, me kaosin urbanistik që ka ndodhur në qytet dhe pasojat e atij kaosi. Disa punime reflektojnë një tjetërsim apo tërheqje në vetmi. Pastaj, piktura më të qeta nga tërë ajo tollovi që është formuar në qytetin tonë dhe në fund shfaqet një cikël i pikturave që datojnë qysh nga viti 1970, të realizuara në mënyrë mjaft interesante sepse kam qenë shumë i ri kur i jam rikthyer pasionit tim përsëri”, thotë Kurtolli.

Sipas tij, ky tregim ende po vazhdon sepse ‘Moshe: një tregim në vazhdim’ është ekspozita e tretë personale e artistit e cila erdhi si pasojë e një bisede të zhvilluar me kuratorin i cili ka përzgjedhur këto punime të gatshme që vulosën pikënisjen e kësaj ekspozite.

“Pikturat janë realizuar pa menduar për një ekspozitë sepse janë thjesht një punë të cilën unë e zhvilloj në një vazhdim më ndryshe nga ekspozitat e kaluara por me probleme të njëjta. Ndërsa, ajo se çfarë dominon është situata dhe atmosfera surreale ku gërshetohet nostalgjia dhe situatat e tanishme ku unë si krijues jam munduar ta reflektojë një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë”, thotë Kurtolli për KultPlus.

Tutje ai ka falënderuar miqtë dhe artistët që ishin prezent në ekspozitë ku ai shpresonte se të gjithë janë ndarë të kënaqur.

“U ndjeva mirë sepse ishte një hapje jo e rëndomtë sepse papritmas u hap dera dhe filloi ekspozita e cila do të qëndroj për një muaj”, përfundon ai.

Kjo ekspozitë konsiderohet shfaqja e parë e një projekti hulumtues në vazhdim sepse artisti tashmë ka realizuar dy ekspozita personale ndërsa ekspozita e tretë me emrin “Moshe: Një tregim në vazhdim” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, x-print dhe DZG.

“Moshe: Një tregim në vazhdim” është pjesë e Programit Hapësinor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. / KultPlus.com

“Moshe: Një tregim në vazhdim” me Orhan Kurtollin, ekspozita e radhës në ‘Stacion’

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë prezenton ekspozitën “Moshe: Një tregim në vazhdim”, projekt kuratorial nga Albert Heta i konstruktuar në hulumtimin e veprave të zgjedhura artistike të Orhan Kurtollit, dhe dokumentacionin e zgjedhur personal arkivor të artistit.

Orhan Kurtolli (1952) ka lindur dhe jeton në Prishtinë. Pikturat e tij i referohen vrojtimit të angazhuar të ambientit, kushteve, njerëzve dhe arkitekturës së këtij qyteti, dhe shoqërisë kosovare. Gjatë vrojtimit të tij të gjatë, Kurtolli ka përjetuar edhe zhvillimet e hovshme historike në skenën e artit pamor në Kosovë, dhe zhvillimet e përmbysjet në kontekstin shoqëror dhe politik kosovar. 

Ekspozita “Moshe: Një tregim në vazhdim” është shfaqja e parë e projektit hulumtues në vazhdim, bashkëpunim me artistin “duke na shikuar neve dhe duke i parë me sy të ri edhe punimet e tija” në Klubin e Boksit. 

“Moshe: Një tregim në vazhdim” është pjesë e Programit Hapësinor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Ekspozita hapet më datë 25 maj në ora 19:00 tek Klubi i Boksit në Prishtinë.

Ekspozita “Moshe: Një tregim në vazhdim” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, x-print dhe DZG. / KultPlus.com

Albert Heta ftohet të marrë pjesë në Kongresin e Shkollave të Larta Kombëtare të Artit

Albert Heta, Drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK është ftuar nga ANdÉA – Association nationale de écoles supérieures d’art (Asociacioni Kombëtar i Shkollave të Larta të Artit) për të marrë pjesë në Kongresin e 45-të Shkollave të Larta Kombëtare të Artit që po mbahet në Rennes të Francës, përcjellë KultPlus.

Kongresi veror ANdÉA është moment me rëndësi për 45 Shkollat e larta franceze të artit. Takimi po ashtu është moment për hapjen dhe ngritjen e çështjeve politike në raport me sistemin arsimor dhe artin. Shkollat Franceze të Artit janë bërë institucione autonome para rreth 10 viteve.

Në këtë situatë të re, disa çështje politike janë me rëndësi në këtë zhvillim, si marrëdhëniet mes qeverive lokale dhe shtetit. Qeveritë lokale të qyteteve dhe rajoneve janë përfshirë në financimin e 35 nga 45 shkollave të artit që funksionojnë në Francë. Shteti po ashtu pjesërisht është përfshirë në ifinancimin e institucioneve të reja arsimore të artit përmes Ministrisë së Kulturës së Francës.

Janë shumë çështje që tani janë duke u bërë të rëndësishme në raportin në mes institucioneve lokale dhe politikave kombëtare. Një nga pyetjet e hapura është kualiteti dhe natyra e kontratave të punës për profesorët lokal, dhe të tjerët, në shkollat që udhëhiqen nga shteti. Në këtë kontekst të ri, të institucioneve autonome dhe lidhjet mes shkëmbimeve lokale dhe ndërkombëtare, pyetjet që Kongresi do t’i shtrojë për diskutim janë: Ku jemi ne me të vërtetë në këto marrëdhënie ndërkombëtare? Cilat politika dhe cilat marrëdhënie me botën ne i dëshirojmë të ndodhin me “veprimet tona ndërkombëtare”, ku rëndësia e këtyre raporteve është duke u rritë në një shpejtësi të lartë? Çfarë bashkëpunimi është i nevojshëm për implementim dhe themelimin e platformave bashkëpunuese jashtë vendit? Me çfarë qëllime? A kërkojmë mundësi të reja për studentët? A dëshirojmë të ngrisim numrin e nxënësve ndërkombëtarë në shkollat tona? A dëshirojmë të shkëmbejmë kompetencë, ndër të tjera të zhvillojmë edukim për art aty ku mungon edukimi në botë? A është e nevojshme të krijohet një kampus jashtë vendit?

Ftesa dhe pjesëmarrja e Albert Hetës në Kongresin e ANdÉA lidhet drejtpërdrejt me pozitën e rëndësishme ndërkombëtare të punës së Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe rritjes së ndikimit ndërkombëtar të platformës artistike dhe arsimore Shkolla Verore si Shkollë dhe relacionin e programit me zhvillimet në Prishtinë dhe më gjerë në rajon, si dhe pyetjet fundamentale se si të konstruktohen marrëdhëniet me vendet e jashtme dhe përmes çfarë kanaleve të reja kjo bëhet e mundur sot, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com

Albert Heta prezanton sonte programin e Shkolla Verore si Shkollë në Sarajevë

Sonte më 25 qershor me fillim nga ora 18:00 në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, bëhet prezantimi i programit të Shkolla Verore si shkollë, shkruan KultPlus.

“Akademia e Arteve të bukura në Sarajevë dhe Sonemus ftojnë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në prezantimin e programit të Shkolla Verore si Shkollë 2018 – platformës ndërdisiplinore, edukative me qendër në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Fillimisht e inspiruar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor ishte strukturuar në mes të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, Shkolla Verore si Shkollë është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen dhe për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme, duke zbatuar modele të reja dhe krijuar mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunimin arsimor dhe artistik.

Prezantimi dhe diskutimi në perspektivat e arsimimit në fushën më të gjerë të artit bashkëkohor bëhet me: Albert Hetën, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Donjetë Murati, hulumtuese dhe koordinatore e programit në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Anja Bogojevic, kuratore/historiane e artit, asistente në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë, bashkëthemeluese e Qendrës për Art Bashkëkohor Abart, Mostar; Admir Mujkic, artist/asistent në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë; Amila Ramovic, kuratore/muziciente, asistente në Akademinë e Muzikës dhe Akademinë e Arteve Skenike në Universitetin e Sarajevës; Ališer Sijarić, kompozitor, profesor në Akademinë e Muzikës në Universitetin e Sarajevës dhe drejtor artistik i Organizatës Sonemus.

Programi i Shkolla Verore si Shkollë 2018 mbahet më 16 korrik – 2 gusht, 2018.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur thirrjen e dytë për aplikim në kurse. Afati i fundit për aplikim është më 25 qershor, 2018.

Udhëheqësit e Shkollës Verore si Shkollë 2018 kanë përpiluar një program sfidues dhe inspirues duke kombinuar klasë të bazuara në teori dhe produksion, ligjërata dhe prezantime publike, ekspozita, perfomanca dhe program filmi. / KultPlus.com

Albert Heta prezanton Shkollën Verore si Shkollë sot në Beograd

Albert Heta dhe Branimir Stojanović sot me fillim nga ora 19:00 në Remont – Asociacioni i Pavarur Artistik prezantojnë programin e Shkollës Verore si Shkollë, shkruan KultPlus.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur edicionin e katërt të Shkollës Verore si Shkollë dhe thirrjen e dytë për aplikim në Shkolla Verore si Shkollë 2018.

Përmes kësaj thirrje vetëm një numër i caktuar i bursave të pjesshme është i mundshëm. Afati i fundit për regjistrim në kurset e Shkollës Verore si Shkollë 2018: E hënë, 25 qershor, 2018. Rezultatet shpallen jo më vonë se më 28 qershor, 2018.

Në prezantim Albert Heta, drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Branimir Stojanović do prezantojnë programin dhe bashkëbisedojnë më të pranishmit për kontekstin dhe zhvillimin e projektit, synimet dhe mundësitë e bashkëpunimit me programin dhe partnerët të projektit.

Programi i vitit 2018 do të përfshij seminare, punëtori, ligjërata, performanca, program filmi dhe ekspozita nga artistët, kuratorët, filozofët, arkitektët, shkrimtarët dhe dijetarët duke përfshi: Julieta Aranda, Zdenka Badovinac, Carolyn Christov-Bakargiev, Sezgin Boynik, Boris Buden, Mladen Dolar, Slavco Dimitrov, Linda Gusia, Jakup Ferri, Kate Foële, Lek Gjeloshi, Felix Gmelin, Laura J Kurgan, Thomas Keenan, Sami Khatib, Vjollca Krasniqi, Nita Luci, Meriton Maloku, Ari Benjamin Meyers ëith Sandhya Daemgen, Miran Mohar, Andrej Nikolaidis, Renaud Proch, Danilo Prnjat, Bernhard Rüdiger, Anri Sala, Jelena Vesić, Branimir Stojanović, Milica Tomić, Alenka Zupančič, Dardan Zhegrova.

Programi mbahet prej 16 korrikut deri me 2 gusht 2018.

Me Shkollën Verore si Shkollë, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka krijuar një platformë të unike të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, të stacionuar në Prishtinë, si model përparimtar; duke zhvilluar një planprogram ndërdisiplinar, duke angazhuar profesionistë të zgjedhur për të përhapë dije dhe shkëmbyer ekpertizën e tyre në Prishtinë me studentë ndërkombëtarë dhe me publikun.

Fillimisht e inspiruar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor ishte strukturuar në mes të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, Shkolla Verore si Shkollë është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen dhe për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme, duke zbatuar modele të reja dhe mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunimin arsimor dhe artistik.

Pas suksesit të arritur gjatë këtyre viteve të kaluara, Shkolla Verore si Shkollë e ndërton agjendën e saj duke u bazuar në perspektiva dhe eksperienca të cilat në teori dhe praktikë reflektojnë dhe sfidojnë historitë aktuale në rajon dhe lidhjet me artin dhe shoqërinë edhe më gjerë.

Nëpërmjet situatave të cilat i ikin kufizimeve normale, Shkolla Verore si Shkollë synon të ndërlidhë dijen dhe praktikat artistike, kulturore, politike, institucionale dhe shoqërinë civile në mënyrë që të hulumtoj dhe pozicionoj këtë rajon në raport me koordinatat ndërkombëtare dhe globale.

Udhëheqësit e Shkollës Verore si Shkollë 2018 kanë përpiluar një program sfidues dhe inspirues prej 16 korrikut deri me 2 gusht 2018, duke kombinuar klasë të bazuara në teori dhe produksion./ KultPlus.com

Albert Heta, folës dhe panelist në Forumin për Kulturë Evropiane

Albert Heta, Drejtor Artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK është ftuar si folës dhe panelist në edicionin e dytë të Forumit për Kulturë Evropiane, me temën “Act for Democracy!”, që po mbahet në Amsterdam nga 31 maji deri me 3 qershor 2018.

Paneli “Art i Rajonalizmit”, pjesë e Forumit për Kulturë Evropiane – Act For Democracy! do të ndodhë të shtunën me 2 qershor prej 14:30 – 16:30 në De Balie – Salon, me panelistët Jacky Wylie (Drejtore e Teatrit Kombëtar në Skoci), Albert Heta (Drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë) dhe Sjoerd Bootsma (Leeuwarden Kryeqyteti Evropian për Kulturë 2018), ku do të diskutohet për fuqinë e kulturës rajonale, ndikimin në shtetet kombëtare dhe të ardhmën e Evropës. Programi moderohet nga Aldith Hunkar (Hunk-ArT).

E inicuar nga De Balie dhe DutchCulture – Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Holandës, Forumi për Kulturë Evropianë hulumton Evropën nga prizimi i artit, kulturës dhe historisëm në një kohë kur idetë për një Evropë të bashkuar janë nën kërcënim ma shumë së kurrë. Artistët dhe dijetarët nga gjithë bota do të ndanjë idetë e tyrë për Evropën, sfidat dhe të ardhmën duke shfrytëzuar teatrin, performancën, debatet, ligjeratat, shfaqjet e filmit dhe ekspozitat.

Edicioni i kaluar dhe i pari i Forumit ka qenë një sukses i madh me më shumë se 230 kontribuës ndërkombëtar si Marlene Dumas, Ulrich Seidl, Jude Law dhe Rem Koolhaas.

Kontribues të tjerë në Forumin për Kulturë Europiane përfshijnë, ndër të tjerë: Alessandro Baricco (shkrimtarë, Itali), Achim Borchardt-Hume (drejtor i ekspozitave & programit në Tate Modern), Natalia Kaliada (Drejtore e Belarus Free Theater), Achille Mbembe (filozof, Kamerun), Srecko Horvat (filozof, Kroaci), Asli Erdoğan (shkrimtare, Turqi), Richard Mosse (fotograf, Irelandë), Wolfgang Tillmans (artist, Gjermani), Shantel (muzicient, Gjermani), Hissa al Dhaheri (kurator, Emiratet e Bashkuara Arabe), Mark Lilla (shkenca politike, SHBA), Santiago Sierra (artist, Spanjë), Flavia Kleiner (aktivist, Zvicër), Ivo van Hove (drejtor teatri, Holandë), Reem Fadda (kuratore, Palestinë), WENDE (këngëtar-tekstshkrues Holandë), Jacob Sam-La Rose (artist i fjalës së thënë, Mbretëria e Bashkuar), Vasyl Cherepanyn (kurator, Ukrainë), Alain Geismar (politikan), Flavia Kleiner (aktivist politik, Zvicër), Madi Maxwell-Libby (artist i fjalës së thënë, Mbretëria e Bashkuar), Rem Koolhaas (arkitekt, Holandë), Ulrike Guerot (shkenca politike, Gjermani) dhe Seyran Ates (avokate dhe feministe muslimane).

Gashi: MKRS-ja do të jetë e hapur për një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile

Ministri Kujtim Gashi, ka takuar drejtuesit e Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv Albert Heta dhe anëtarët tjerë të bordit, profesori Fadil Hysaj, regjisori Fatos Berisha e Sali Shoshi nga CHwB.

Në takim u diskutua për situatën kulturore në vend dhe se si ajo të përmirësohet dhe aktivitetet kulturore brenda dhe jashtë vendit të prezantohen sa më mirë. Në lidhje me këtë, ministri Gashi ofroi gatishmërinë e plotë të tijën personale por edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të punuar bashkërisht ashtu që politikat kulturore dhe implementimi i tyre të jetë që kultura të ketë rolin dhe vendin e vet meritor në vend dhe në skenën kulturore ndërkombëtare. “Ministria do të jetë adresa e duhur për përkrahjen e kulturës dhe do të jetë një derë e hapur për bashkëpunim të mirëfilltë në të mirë të kulturës dhe mbështetje të vlerave”, tha ministri.

Ministri e vlerësoi punën që bëjnë institucionet dhe organizatat e pavarura kulturore, duke qenë një faktor i rëndësishëm që e mban gjallë kulturën në vendin tonë, e që në bashkëpunim edhe me institucionet nacionale, duke filluar me MKRS-në, e përmbushin mozaikun që kultura të jetë një tërësi./ KultPlus.com

Albert Heta, i ftuar në Konferencën Vjetore CIMAM 2017

Albert Heta, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, është ftuar të marrë pjesë në Konferencën Vjetore CIMAM 2017.

Konferenca Vjetore CIMAM 2017 do të mbahet në Singapor (10-12 nëntor), organizuar nga Galeria Kombëtare e Singaporit, me vizitat studimore në Ho Chi Minh City, Vietnam (8-9 dhjetor) dhe Jakarta dhe Yogyakarta, Indonezi (13-15 nëntor).

Konferenca e këtij viti merret me Rolet dhe Përgjegjësitë e Muzeve në Shoqërinë Civile.

Duke marrë parasysh sentimentet në rritje të nacionalizmit popullist, i cili po dëshmohet gjithandej rreth botës, dhe duke vazhuar fokusin nga konferenca e Barcelonës (Konferenca CIMAM 2016 Muzeu dhe Përgjegjësitë e tij), është imperativ që të ri-vlerësohen dhe ri-ekzaminohen rolet e muzeve, funksionet e tyre publike dhe si këto institucione i përgjigjen sfidave aktuale.

CIMAM apo Komiteti Ndërkombëtar për Muzetë dhe Koleksionet e Artit Modern është një forum i rëndësishëm ndërkombëtar i karakterit profesional i krijuar për diskutimin e çështjeve teorike, etike dhe praktike në lidhje me mbledhjen dhe shfaqjen e artit modern dhe bashkëkohor.

CIMAM është komitet ndërkombëtar që bashkëvepron me ICOM – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (The International Council of Museums). ICOM është organizatë ndërkombëtare që përfaqëson muzetë dhe profesionistët e muzeve në botë. Që nga viti 1946, ICOM ka asistuar anëtarët të komunitetit të muzeve, të struktura në komitete kombëtare, për të ruajtur, dhe konzervuar trashëgiminë kulturore dhe për bërë të qasshme dhe për ta ndarë me të gjithë. Sekretariati i ICOM gjendet në shtëpinë e UNESCO-s, Paris.

Kontributi më i rëndësishëm i CIMAM bëhet nëpërmes Konferencës Vjetore që është një mundësi për komunikim, bashkëpunim dhe shkëmbim të informatave, ndërmjet muzeve, profesionistëve të arteve pamore, artistëve dhe institucioneve të tjera që merren me artin modern dhe bashkëkohor.

Qëllimi i konferencës është t’i paraprijë dhe diskutojë çështjet në raport me udhëheqjen dhe zhvillimin e muzeve të artit bashkëkohor dhe koleksioneve në gjithë botën. Delegatët e konferencës gjithashtu kanë mundësinë e privilegjuar të marrin pjesë në vizitat në muzetë më të rëndësishëm dhe qendrat e artit në qytetin mikpritës.

Konferenca e parë vjetore e CIMAM-it u zhvillua në vitin 1962 në Hagë. / KultPlus.com