“Merrmi të ligat dhe jepmë bardhësi”

Ardhja e pranverës në kultura të ndryshme lidhet me një sërë ritualesh. Të shqiptarët me 1 mars shumë prej fëmijëve, vajzave dhe grave por edhe meshkujve vendosin në dorë një lidhëse dyngjyrëshe bardh e kuq, që njihet ndryshe edhe si laramani. Ka prej tyre që e vendosin në datën 1 dhe e heqin në datën 14 siç ka të tjerë që e vendosin në 14 dhe e heqin “kur shohin dallëndyshen e parë”.

Sipas studimeve etnologjike, verorja është ngushtësisht e lidhur me traditat e Vitit të Ri festuar në të kaluarën në muajin mars, si një formë primitive e Vitit Agrar i lidhur me ciklet vegjetative dhe astronomike. Verorja njihet nga etnologët në fillimin e shekullit XX si ritual i një marsit, i pranishëm jo vetëm tek rumunët, por edhe tek shqiptarët dhe bullgarët në Ballkan. Fshatarët e ruanin zakonin në çdo fillim pranvere si shenjë mbrojtjeje kundër sëmundjeve dhe fatkeqësive. Verorja është një objekt i vogël zbukurues që përbëhet nga mpleksja mes një peri të bardhë dhe të kuq që mbahet nga gratë dhe vajzat përgjatë gjithë muajit mars, si simbol i ardhjes së pranverës.

Arkeologët kanë zbuluar objekte me një vjetërsi prej mijra vjetësh që mund të konsiderohen si verore. Ato kanë formën e gurëve të vegjël të ngjyrosur në bardh e kuq që mbaheshin si varëse në qafë. Të dyja ngjyrat janë të hapura ndaj interpretimeve: e kuqja mund të kuptohet si gjallëria e gruas ndërsa e bardha si mënçuria e burrit. Pra kjo lidhëse e verores shpreh ndërthurjen e pandarë të këtyre dy parimeve. Domethënia e perit të bardhë dhe të kuq që ndërthuren në një lidhëse ku edhe varet një objekt, ka një kuptim të lidhur edhe me disa legjenda.

Lidhësja ose lidhej në dorë, ose vendosej në gjoks. Ajo vendosej në 1 mars deri sa shfaqeshin shenjat e ardhjes së pranverës: dëgjohej ndonjë zog duke kënduar, lulëzonin qershitë, vinin dallëndyshet. Atëherë lidhësja lidhej ose pas një trëndafili ose tek ndonjë pemë në lulëzim, që të sjellë fat ose hidhej në atë drejtim nga ku vinin zogjtë udhëtarë duke pëshpëritur: “Merrmi të ligat dhe jepmë bardhësi!”. Duke u kthyer në vendin tonë, kjo traditë gjendet tek të krishterët të cilët e vendosin në datën 1 mars ndërsa të tjerë, edhe për mosnjohje të traditës, por edhe sepse veprojnë sipas kalendarit “alla turka”, e vendosin në datën 14 mars./KultPlus.com

Talenti i fshehtë i Keira Knightley, aktorja luan këngën “Despacito” me goditje në dhëmbë

Aktorja e famshme, Keira Knightley, duket se është një femër me talente të shumta.

Britanikja e popullarizuar e ka befasuar nikoqirin Jimmy Fallon duke demonstruar se si mund te luajë hitin “Despacito” në dhëmbët e saj.

Gjatë një interviste në emisionin The Tonight Show, 33-vjeçarja është pyetur nëse ka talente të fshehura, ndërsa një prej atyre që e ka treguar është se mund të luajë me dhëmbë.

Kjo formë e artit ka të bëjë me nxjerrjen e tingujve përmes goditjes me gishta në dhëmbë, ndërsa Keira ka treguar se si e ka mësuar këtë truk.T

“Ishte një djalë në shkollë kur isha rreth shtatë ose tete vjeçe dhe shkoi në një talent shou në televizion dhe luante me dhëmbët e tij.

“Kështu, të gjithë në shkollën tonë e pëlqenin atë që bënte ai dhe filluan të luanin me dhëmbë”, ka treguar Knightley për këtë talent të sajin. / Telegrafi / KultPlus.com

Muzeun Historik Kombëtar hap projektin “Vizatoj historinë 4”

Muzeu Historik Kombëtar fton publikun shqiptar dhe jo vetëm, që të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së projektit “Vizatoj historinë 4”. këtë të premte, më 15 Mars 2019, përcjell KultPlus.

Sektori i Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të programit “Edukimi përmes kulturës” zhvillon për të katërtin vit radhazi projektin “Vizatoj Historinë” me shkollat 9-vjeçare të Tiranës.

Këtë vit shkollat pjesëmarrëse në projekt do të jenë:

1.Shkolla 9-vjeçare “Fan S. Noli” në Tiranë,
2.Shkolla 9-vjeçare “Dhora Leka” në Tiranë,
3.Shkolla 9-vjeçare “28 Nëntori” në Tiranë,
4.Shkolla 9-vjeçare “Ali Demi” në Tiranë,
5.Shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë,
6.Shkolla 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë,
7.Shkolla 9-vjeçare “Misto Mame” në Tiranë,
8.Shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi” në Tiranë,
9.Shkolla 9-vjeçare “Shkolla e Kuqe” në Tiranë,
10.Shkolla 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë.

Ekspozita hapet në ora 10.30, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. / ata

Videoart për të kuptuar Shqipërinë

Arti shqiptar ka krijuar ura komunikimi me artin bashkëkohor, megjithë vështirësitë e vendit të vogël. Festivali i parë i videoartit në Vjenë – një dëshmi tjetër se nga e ashtuquajtura “provincë” vijnë idetë më të mira.

Grumbuj të pafund njerëzish që derdhin lotë, këputen nga pikëllimi para kamerave, sepse diktatori ka vdekur, – ngjyra të ndezura e forma kubiste mbi fasada të rrënuara, – një vajzë që i jep ngjyrë fotografisë bardhë e zi të nënës – disa nga imazhet e Festivalit të parë të Videoartit nga Shqipëria të organizuar në Vjenë në muzeun Belvedere 21.

Për dy netë 13 videoartistë shqiptarë i prezantuan publikut austriak art multimedial jo vetëm për të njohur skenën e artit të tyre, por edhe për të kuptuar Shqipërinë. Një pjesë e tyre ka dalë prej vitesh nga gjeografia shqiptare e kontribuon në artin bashkëkohor europian si Anri Sala apo Adrian Paci, të tjerë lëvizin lirshëm në skenën perëndimore të artit, kanë studiuar jashtë Shqipërisë duke mbledhur përvoja e eksperimentuar me trashëgiminë shqiptare dhe eksperiencën e re – Silva Agostini jeton në Berlin, Elsa Martini në Vjenë, Violana Muranaj në Nju Jork dhe Tiranë, Ermela Teli në Zvicër, Adrian Paci në Milano dhe Shkodër, – Arti shqiptar ka kohë që ka dalë nga ngushtica e provincës artistike, por megjithatë: “Ne akoma jemi një vend i vogël, një vend i mënjanuar disi nga kanalet e mëdha të diskutimit kulturor e artistik, por nuk jemi të përjashtuar. Edhe ky festival është pjesë e këtyre përpjekjeve për të krijuar një dialog mes skenës së artit shqiptar dhe skenës botërore, por këto janë procese që duhen mbajtur gjallë vazhdimisht”, thotë Adrian Paci, një artist i njohur tanimë.

Trashëgimia e diktaturës – lëndë për artin

Për artistin shqiptar trashëgimia e diktaturës është tani pjesë e imagjinatës artistike. Një e kaluar sado e rëndë kur transformohet në art mbetet aktuale në kujtesë – si në videon artistike të Adrian Pacit “Interregnum” për deformimin e individit në diktaturë, në monologun e videoartistit Driant Zeneli që hedh një vështrim në fëmijërinë e tij në diktaturë teksa bën një autoportret nga fotografia, apo në paraqitjen vizuale të historive të viktimave të diktaturës nga grupi artistik “Memo”, me tekste të shkruara nga shkrimtari Agron Tufa.

Viktimat e diktaturës nuk flasin dot më sot, por historitë e tyre rrëfehen nga të tjerët në projektin MEMO. Zëri i tyre i dhimbjes është zëri i artistëve të sotëm që kanë fatin ta jetojnë lirinë, prandaj edhe nuk duhet të harrojnë. Një përmendore e kujtesës mbi diktaturën që mund ta ngrejë si të tillë vetëm arti. Pikërisht për përballjen me këtë traumë, sipas artistit Leonard Qylafi, nevojiten instrumente të ndryshme multimediale. “Hyrje në memorjen kolektive përmes perspektivës personale”. Nuk mjafton fjala, vizualiteti, por duhet edhe tingulli, edhe thithja e ambientit përreth, edhe dokumentimi. Tingulli i bashkuar me vizualen jep efektin e fortë të videos së tij “Nailsong”, ku një dorë e trazuar vizaton rrathë të çrregullt koncentrikë në praninë e një zëri paralajmërues.

Videoart – një zhanër i përqafuar nga artistet shqiptare

Skena e videoartit shqiptar nuk është një terren i dominuar nga meshkujt. Artistet shqiptare ka kohë që eksperimentojnë me imazhet e refleksionet e tyre. Një fokus i veçantë në festival ishin punimet e artisteve shqiptare. Annemarie Türk e shpjegon këtë zgjedhje. “Artistet nuk janë ende të prezantuara siç e meritojnë, një fenomen që gjendet kudo në botë. Për shkak se dita e parë e këtij festivali ishte edhe 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas ka qenë gati një detyrim që ta vendosnim një pikërëndesë në skenën e artit të krijuar nga femrat.”

Shumica e videoartisteve vijnë nga bota e penelit. Violana Murataj e zbuloi videoartin, kur erdhi për herë të parë një kamera në shtëpi “U ndjeva kaq pranë këtij mediumi, çdo ditë e më shumë zbuloja diçka të re.” Pas studimeve të videoartit në Nju Jork ajo u kthye në Tiranë, jo thjesht për shkak të diellit, por të klimës shqiptare. “Aq më tepër Shqipëria të ofron mjaft mundësi për të trajtuar tematika të artit, qofshin këto sociale, familjare, ka shumë tematika të prekshme për ne artistët dhe për secilin artist kjo mund të krijojë hapësira të gjera për t’i trajtuar ato në art”.

Elsa Martini, që jeton prej 10 vitesh në Vjenë kthen në art jo vetëm kujtesën e marrë nga vendlindja, por edhe përvojën në vend të huaj. Shqipëria dhe Vjena janë për të “interferime” që pasurojnë njëra-tjetrën. “Më është dashur të punoj me asimilimin e kulturës këtu, por edhe riparjen e historisë sime nga një pikë tjetër vështrimi. Më është dashur t’i ristrukturoj mendimet, emocionet, të gjithë jetën time.” Në punimin e saj “Executing love” ajo përpunon përvojën e emigracionit. Një puthje që duket se nuk merr fund mes dy personave, një burrë e një grua në uniformë të autoriteteve të sigurisë, një puthje e parealizuar për shkak të ndarjes nga një xham.

Ermela Teli që prej tre vitesh jeton në Zvicër u prezantua me punimin “A political care”, një video artistike mbi jetën e familjeve rome në periferi të shoqërisë në Shqipëri. Ajo e kupton artin “si një nevojë të brendshme për të komunikuar edhe përtej mureve të Shqipërisë dhe problemeve ekonomike, unë flas, ndjej dhe jetoj në mënyrën time si krijuese. Udhërrëfyesi im në rrugën e artit është vetë jeta, dhe ajo që unë zbuloj duke e njohur atë përmes sfidash, rrethanash dhe ngjarjesh.” Videoartistet shqiptare, mes tyre edhe Donika Çina, Alketa Ramaj, Silva Agostini sollën momente të tjera të shkurtra, herë pas here reflektime private por të kaluara në sitën e artit ato sillnin një dimension tjetër, atë të marrëdhënieve njerëzore.

Kryeqyteti, rrënimi dhe ndryshimi

Anri Sala, artisti shqiptar ndërkohë mjaft i njohur në botë, nuk ishte vetë në Vjenë, por me punimet e tij “Déjeuner avec Marubi”, – titulli që mbante edhe festivali – dhe punimin e tij të njohur ndërkohë, në galeritë botërore, “Dammi i colori”. Ngjyrat si mënyrë për t’i ikur trishtimit të një “qyteti të vdekur”, siç rrëfen një zë në sfond, zëri i Edi Ramës, atëherë kryebashkiak i Tiranës që ndërmori aksionin e njohur të lyerjes së fasadave në Tiranë. Ndërsa kamera dokumenton ndryshimin e Tiranës, në sfond dëgjohet zhurma tipike e Tiranës.

Videoartisti që prezantoi Shqipërinë Bienalen e Venecias në vitin 2017, Leonard Qylafi, solli një këndvështrim tjetër, ai sheh me syrin e artistit ndryshimin kaotik të Tiranës. Në një montazh fotografik dokumentohet hap pas hapi transformimi i peizazhit para dritares së artistit, imazhe që të bëjnë të kuptosh edhe anarkinë urbane që shoqëroi këto vite Tiranën. Ergin Zaloshnja, një artist i angazhuar politikisht, për të arti është “mjet për të kritikuar strukturat e pushtetit”. Punimi i tij, “Tha Last Hope” dokumentonte një projekt në afërsi të Liqenit Artificial. 

“Déjeuner avec Marubi” – një festival i kufizuar në dy netë por me imazhe intensive. Në intervalet mes prezantimit të videove publiku austriak kishte mundësi të njihte artistët nga Shqipëria përmes bisedave të organizuara me ta. Kur dëgjon të flasin artistët shqiptarë për këmbënguljen e tyre për të vazhduar rrugën e tyre si artistë, megjithëse ajo nuk është e lehtë, kupton se kjo rrugë të paktën është  shtruar me motive të forta që mezi presin të transferohen në art. “Pikërisht në periferitë larg të ashtuquajturave qendra gjen projekte e ndodhin gjëra shumë interesante, sidomos në hapësirën e kulturës dhe artit, skena e artit shqiptar ka kohë që është një pjesë e rëndësishme e artit europian”, përmbledh Annemarie Türk.

Artistët shqiptarë që morën pjesë në festivalin e parë të videofilmit ishin Silva Agostini, Donika Cina, Elsa Martini, MEMO, Violana Murataj, Adrian Paci, Leonard Qylafi, Alketa Ramaj, Anri Sala, Ermela Teli, Ergin Zaloshnja, Driant Zeneli, Fani Zguro. Për organizimin e festivalit punoi Annemarie Türk me mbështetjen e Zyrës së Kancelarit të Austrisë. Punimet u prezantuan në Kinemanë Blickle në Belvedere 21, Muzeun e Artit Modern. /DW

Stilisti Marc Jacobs mohon plagjiaturën e logos së grupit “Nirvana”

Stilisti i modës Marc Jacobs pohon se bendi muzikor “Nirvana” ndoshta nuk i posedon të drejtat e autorit në logon e “smiley”, të cilën e dizajnoi Kurt Cobain në vitin 1994.

Avokatët e stilistit Marc Jacobs e paraqitën kërkesën për ta hedhur poshtë padinë të cilën e paraqitën kundër tij mbajtësit e të drejtave të autorit të Nirvanas, në radhë të parë Kris Novoselic dhe Dave Grohl, të cilët e akuzojnë atë për shkelje të të drejtave autoriale.

Image

Koleksioni i dizajnit Redux Grunge e përmban një “fytyrë smiley” të vizatuar, të ngjashme me atë që Nirvana e përdorte si logo të veten gjatë viteve ’90.

Në padinë e ngritur në fillim të janarit thuhet se Marc Jacobs e përdori qëllimisht logon e Nirvanës me qëllim të reklamimit të produkteve të veta, siç thuhet, në mënyrë shtypëse dhe qëllimkeqe.

Ky stilist i modës e pranon se logoja e saj është frymëzuar nga simboli që ishte në bluzat të cilat i përdornin anëtarët e Nirvanës në koncerte gjatë viteve ’90, por gjithashtu e pohon se ai në fakt e riinterpretoi dizajnin në një mënyrë që ta përfshijë elementin e vet personal në zgjidhjen grafike përndryshe të zakonshme, shkruan KOHA Ditore.

Jacobs i zëvendësoi kryqet në logo të cilët i përfaqëson sytë me shkronjat M dhe J, ndërsa fjalën “Nirvana” e zëvendësoi me fjalën “Heaven” dhe ai beson se nuk e shkel të drejtën e autorit, sepse kjo nuk është kopje e dizajnit të mbrojtur me të drejtat autoriale të Nirvanës.

Në deklaratën e disenjatorit të modës gjithashtu thuhet se mbajtësit e të drejtave autoriale të Nirvanës ndoshta as ligjërisht nuk e posedojnë logon të cilën e bëri frontmeni Kurt Cobain para vdekjes së tij në vitin 1994.

Është interesante të theksohet se, Courtney Love, e veja e Cobain, së bashku me vajzën e tyre të përbashkët, Frances Bean Cobain, u shfaqën në reklamën e linjës së modës së Marc Jacobs, përcjell “Guardian”.

“Hockney- Van Gogh”, ekspozita që po bën bujë në Amsterdam

David Hockney ka kapur vëmendjen e artdashësve në mbarë botën me ekspozitën e tij që ka hapur në Muzeun e Van Goghut që ndodhet në Amsterdam të Holandës.

E veçanta e kësaj ekspozite të titulluar “Hockney – Van Gogh: Kënaqësia e Natyrës” është se kuratorët kanë vendosur që t’i ekspozojnë veprat e dy artistëve të mëdhenj të kohës.

Artisti britanik David Hockney, është padyshim njëri ndër artistët më me ndikim të shekullit të 20-të, shkruan Livingit, transmeton Klan Kosova.

Është e qartë se piktori Hockney është frymëzuar thellësisht nga Van Gogh-u. Në pikturat e tij mund të vërehen disa elemente që janë të ngjashme me ato të piktorit holandez.

Punimet e piktorëve Hockney – Van Gogh do të qëndrojnë të ekspozuara në muzeun e Amsterdamit deri më datë 26 maj të këtij viti.

Shqipëria, bukuria e pazbuluar e Ballkanit

Televizioni gjerman RTL i ka dedikuar një shkrim turizmit shqiptar të cilin e vlerëson si një bukuri të pazbuluar.

Teksa vë në dukje një sërë pikash turistike në Shqipëri si plazhet e mrekullueshme të Ksmailit, apo qytetet e lashta si Berati, Gjirokastra e Butrinti, RTL shkon më tej duke shtuar se Shqipëria ofron siguri dhe nuk është shumë e shtrenjtë për xhepat e turistëve gjermanë.

Më poshtë shkrimi i plotë i RTL:

Bukuria e pazbuluar e Ballkanit

Plazhe fantastike me peisazhe të egra dhe romantike dhe një kulturë e mahnitshme – dhe për momentin me çmimet më të ulëta në të gjithë Mesdheun.

Po flasim për Shqipërinë. Vendi i vogël në Ballkan është një nga destinacionet të pavlerësuara, por ndoshta jo për një kohë të gjatë.

“Lonely Planet” e përzgjodhi Shqipërinë si destinacionin e tij absolut të ëndrrave.

Shqipëria nuk e rëndon xhepin tuaj

Nëse Kroacia është plot me turistë dhe Greqia është shumë e shtrenjtë, atëherë ndoshta duhet të bëni një vizitë në Shqipëri.

Bregdeti është i bukur, ka shumë histori për të zbuluar dhe plazhet nuk duhet të fshihen nga ato të vendeve të tjera të Mesdheut. Dhe: është më i lirë se të gjithë!

Në Shqipëri, për pushimet e verës, një apartament për katër persona, për dy javë kushton 750 euro.

Shqipëria është për të gjithë

Siguria? Shqetësimi është pa baza. Edhe pse mund të ketë krim të rrugës, ai është jashtëzakonisht i rrallë. Dhe fatkeqësisht ky lloj krimi mund të jetë i pranishëm në çdo rajon turistik.

Ka shumë arsye të vizitoni vendin përgjatë deteve Adriatik dhe Jon – plazhet e ëndrrave në Rivierën Shqiptare janë një prej tyre.

Por, vendi i vogël ballkanik ka shumë më tepër për të ofruar, përfshirë Alpet e Shqipërisë.

Vendpushimi bregdetar i Ksamilit

Në jug të Shqipërisë është fshati i Ksamilit që ka një plazh të mrekullueshëm. Një përzierje e guralecëve dhe e rërës formon bazën e tij, çka për rrjedhojë bën që uji i detit të jetë kristal i pastër dhe me reflekse të blusë së thellë.

Përballë plazheve janë katër ishuj të vegjël, madje dy prej tyre shumë pranë. Dy të tjerët mund t’i arrini më këmbë kur ka zbaticë.

Kur koha është e mirë, ju mund të shikoni edhe Korfuzin, që ndodhet nga ana tjetër e Jonit.

Zona antike e Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit është rreth 9,5 hektarë dhe ofron pamje spektakolare.

Atraksioni kryesor i parkut është zona antike e Butrintit. Ajo është një nga zonat më të bukura arkeologjike të Shqipërisë (që daton në shekullin 8 para Krishtit) dhe është një nga destinacionet turistike më popullore të Shqipërisë si dhe një nga atraksionet më të famshme turistike.

Syri i Kaltër

Syri i Kaltër është gjysmë ore me makinë nga Ksamili. Këtu, një lumë i tërë buron nga nëntoka.

Ai është burimi më i pasur i ujit në vend. Thellësia e tij llogaritet në më shumë se 25 metra. Për shkak të ngjyrës së tij blu, burimi i ujit nga një liqen malor me temperaturë 12 gradë Celsius quhet Syri i Kaltër.

Gjirokastra – qyteti i 1000 hapave

Gjirokastra është një qendër kulturore e Shqipërisë, kështu që te ajo ka shumë për të zbuluar.

‘’Qyteti i 1 000 hapave’’ është shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO që në vitin 2005 dhe është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë.

Gjirokastra është e veçantë për shkak të pamjes së saj unike.

Berati – Qyteti i një mbi një dritareve

Berati është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri dhe të impresionon me shtëpitë e bardha, xhamitë dhe kishat.

Berati është quajtur edhe “Qyteti i një mbi një dritareve” për shkak të shtëpive tipike, dritaret e të cilave “bien” mbi njëra-tjetrën duke zbukuruar pamjen e qytetit.

Në vitin 1961 Berati u shpall qytet-muze.

Që nga viti 2008 ai është shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO dhe kjo është arsyeja që në tri lagje të vjetra të qytetit, Mangalem, Goricë dhe Kala ndërtimet e reja janë ndaluar plotësisht./ Top Channel

New York Times vlerëson restorantin shqiptar në Bronx

Kritiku gastronom dhe redaktori kolonës ‘Gatimi’ i ‘New York Times Magazine’, Pete Wells, ka bërë një artikull vlerësues për restorantin shqiptar ‘Cka ka Qellu’ në Bronx të New Yorkut.

Mënyra më e mirë për të hyrë në restorantin shqiptar ‘Cka Ka Qellu’, është që të kalosh nga Arthur Avenue.

Pronari i restorantit  ‘Cka Ka Qellu’, Ramiz Kukaj tenton që të ruajë kulturën gastronomike të vendit prej nga vjen.

Ai thotë se ambienti i restorantit të kthen pas në kohë, në shekullin e 19-të. Dyshemetë dhe muret e restorantit duket sikur janë zhvendosur nga ambjentet e një ferme tipike shqiptare, dhe grupi muzikor i restorantit, luan meloditë popullore me instrumentet tradicionale shqiptare. Restoranti i Kukajt në Bronx duket që është i zhytur në nostalgji.

Image result for cka ka qellu

Shqiptarët mesa duket kanë sjellur një miksim të kuzhinës së tyre me atë italiane. Përshembull suxhuku është një nga prodhimet e njohura shqiptare. Pronari i ‘Cka ka Qellu’, Ramiz Kukaj, tregon që  synimi i restorantit është që të ruhet tradita.

Disa nga prodhimet e tjera autentike shqiptare si përshembull buka e pjekur e shtëpisë, bakllavaja me shurup, apo kafeja turke e zier në sobë janë pjesë e pandashme e restorantit të Ramiz Kukajt, ‘Cka ka Qellu’.

Image result for cka ka qellu

Eliza Dushku nuk nxiton të kthehet në Hollywood pasi fitoi rastin e ngacmimit seksual

Aktorja Eliza Dushku nuk po nxiton të kthehet në Hollywood pas fitores së madhe rreth rastit të ngacmimit seksual kundër kolegut në serinë “Bull”, Michael Weatherly.

Aktorja, e cila është duke e pritur fëmijën e saj të parë, u largua nga Tinseltown pas disa vjetësh dhe u shpërngul në Massachusetts, ku u martua me biznesmenin Peter Palandjian dhe u kthye në shkollë për ta studiuar psikologjinë holistike në Universitetin Lesley.

Por për revistën “Time”, ajo thotë se karriera e saj e aktrimit nuk ka përfunduar – ajo vetëm kishte nevojë për një pushim pas skandalit me Bull.

“Kisha nevojë për distancë për ta rikalibruar dhe nisur familjen”, shpjegon Dushku. “Por nuk dua që njerëzit të mendojnë se denoncimi e nënkupton përfundimin e karrierës. Mund të aktroj. Mund të jem në L.A. Thjesht kam nevojë të jem këtu tani.”

Ajo gjithashtu nuk ndjen keqardhje për faktin se vendimi i saj me CBS doli në publik, duke thënë për “Time” se “njerëzit kanë nevojë për një tregim koheziv për atë se kush janë dhe ne jemi po aq të sëmurë sa edhe sekretet tona. Kështu që, emërtimi i sekreteve tona – është pjesë e shërimit.”

Sidoqoftë, Dushkut nuk i lejohet ta diskutojë më hollësisht marrëveshjen gjyqësore pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për moszbulim të detajeve, shkruan KOHA Ditore.

“Po flasim në kod. NDA-të (non-disclosure agreement) i riviktimizojnë njerëzit”, thotë ajo. “Ato u japin më shumë fuqi të fuqishmëve. Dhe, si person më pak i fuqishëm, duhet të jetoni në versionin e djallosur të dikujt tjetër për realitetin.”

Aktorja thuhet se u largua nga seria “Bull” pasi u përball me Weatherlyn për sjelljen e tij, ku përfshihej lëshimi i këngëve provokuese kur ajo punonte dhe propozimi për treshe.

Eliza u shfaq në tre episode të serisë “Bull” në vitin 2017.

Drejtorët e CBS ranë dakord që Dushkut në një marrëveshje konfidenciale t’ia paguajnë një shumë prej 9.5 milionë dollarësh.

Weatherly tha për “New York Times” se ai i kërkoi falje Dushkut kur ajo u përball me të, duke shtuar se ai tani e kupton se mënyra se si ai kishte folur dhe humori i tij në disa raste nuk ishin të përshtatshme.

Varri monumental i Persqopit, atraksioni kulturor i rijetëzuar

Përfundon restaurimi i Varrit Monumental të Vendbanimit Antik të Persqopit.

Varri Monumental ndodhet në pjesën lindore të malit të Vilës. Ai është pjesë e vendbanimit të njohur me emrin “Muret antike dhe varri i Persqopit”, në malin e Petrelës.

Persqopi ishte një nga qytetet antikë që nuk u ripërdorën për shumë kohë. Mendohet se popullsia lëvizi dhe u vendos në Petrelë.

“Zgjerojmë hartën e Tiranës me monumente të reja të vizitueshme duke afruar turistë, studiues dhe brezin e ri përmes programeve të edukimit”, u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti për këtë restaurim.

”Shpëton falë restaurimit një tjetër monument i rëndësishëm i historisë dhe arkeologjisë, Varri Monumental i Vendbanimit Antik të Persqopit, Petrelë. Me bashkëpunëtorët tanë nga  Tourism Investment and Finance Fund, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës ky monument është investimi më i ri në rrethinat e Tiranës sa i përket turizmit kulturor, duke zgjeruar vizitueshmërinë në objektet e monumenteve të kulturës”, tha Margariti. / KultPlus.com

Motrat

Monjola Nasi

Unë jam motra e tretë,
ajo që u martua larg.
Trekëndëshi është forma më rezistente në natyrë.
Forca përhapet njëlloj në çdo brinjë.
Dhe pastaj dihet se çfarë thonë përrallat.
Pa princa ndërluftues dhe pa njerka,
na mbeteshin fare pak zgjedhje.
Po netëve s’do na shihni në qiell 
me fluturime dhe plane dhe mallkime
(mos kujtoni se s’mundemi).
Tani jemi të treja me thinja.
Fëmijët tanë po rriten.
Trazojmë supën deri në mëngjes. 
Secila sjell me vete çfarë të mundet:
Herë mishin, herë gjakun, herë kripën,
me raste, vetëm duart.
Pastaj shpërndahemi pa gdhirë.
Përrallat kanë të drejtë që lajmërojnë.
Forca përhapet njëlloj në çdo brinjë./ KultPlus.com

Instituti Albanologjik së shpejti nën llupën e Integra-s, në radhë edhe institucionet e tjera publike

Gili Hoxhaj

Pas publikimit të raportit “Kriza në Akademi: Vlerësim i Shoqërisë Civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që ka pasqyruar gjendjen në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë e është përcjellë me goxha zhurmë, tashmë Integra në bashkëpunim me KFOS-in veçse kanë filluar hapat për  vlerësimin dhe shqyrtimin e  punës së Institutit Albanologjik të Kosovës. Kjo bazuar në faktin se Integra i ka vlerësuar si institucione vitale për shoqërinë dhe përmes rekomandimeve do  t’u shërbejë edhe atyre në misionin që kanë.

Në rrjedhën e angazhimit të organizatës Integra për vlerësim të institucioneve të heshtura, kjo organizatë ka iniciuar për herë të parë një proces rishikimi dhe reflektimi mbi punën e Institutit Albanologjik, si një nga institucionet kryesore të financuara nga shteti. Përmes punës hulumtuese, duke informuar, zhvilluar dhe ofruar aktivitete efektive të bazuara në evidencë, Integra në bashkëpunim me KFOS-in dhe Shkëlzen Gashin si konsulent, synojnë të nxisin dialog  publik dhe angazhim për rëndësinë e parimeve të transparencës. Kjo iniciativë ka ardhur bazuar në faktin se Institutit Albanologjik dhe një serë institucionesh të tjera publike janë vlerësuar si institucione që deri tash janë kursyer filtrave monitorues dhe cilësohen si më të kufizuara në raport me përgjegjësinë që kanë ndaj publikut.

“Ne si Integra në bashkëpunim me KFOS-in  dhe Shkëlzen Gashin si konsulent tanimë veç jemi në fazat finale të gjenezës për ta realizuar një vlerësim për Institutin Albanologjik të Kosovës”, shpjegoi fillimisht regjisori dhe drejtori ekzekutiv i Integra-s Kushtrim Koliqi. 

Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi gjatë prezantimit të raportit për AShAK-un në KTV

Regjisori dhe drejtuesi i Integra-s, Kushtrim Koliqi tutje tha se puna e monitorimit të IAK-ut është e konceptuar në tri faza, ku faza e parë është vlerësimi për institucionin, pastaj do të vazhdohet me takime avokuese që fillimisht bëhen me institucionin që vlerësohet,  për ta vazhduar në takime me institucionet përgjegjëse  që lidhen me këtë institucion, kurse krejt në fund vazhdohet me dialog publik që i tregon publikut për punën e institucionit të vlerësuar.

“Jam i lumtur që Integra është profilizuar në këtë lloj të punës së vet si detyrë e Shoqërisë Civile dhe besoj që impaktin që kemi pasur me AShAK-un do ta kemi edhe me Institutin Albanologjik, ekipa përbëhet nga njerëz kredibil dhe kështu do të vazhdojmë punën. Shumë shpesh në Kosovë bëhen hulumtime të cilat mbesin aty, e jona është që të zhvillojmë hulumtime dhe me ato të gjetura të zhvillohen aktivitete të tjera siç janë takimet avokuese ku do të takohemi me dhjetëra njerëz dhe institucione të tjera që kanë të  bëjnë me këtë institucion dhe me politikëbëresit, me njerëzit që e ndajnë buxhetin dhe me institucione të huaja ndërkombëtare që kanë investuar në Kosovë që këto institucione të jenë të pavarura”, shpjegoi Koliqi për KultPlus.

Kushtrim Koliqi/ regjisor dhe Drejtor Ekzekutiv i Integra-s

Edhe pse tashmë në adresën e Integra-s kanë qarkulluar mjaft kritika për Instututin Albanologjik të Kosovës, Koliqi insiston që këtë proces të hulumtimit ta fillojnë pa asnjë paragjykim.

“Ndoshta do të befasohemi për të mirë, ndoshta do të gjejmë diçka edhe më të keqe që nuk e kemi paramenduar. Gjithçka çfarë ne do të publikojmë do ta bazojmë në fakte dhe hulumtim”, thekson Kushtrim Koliqi.

Arsyeja pse Integra do të fokusohet në një hulumtim shumë të thellë për këtë raport është se beson në specifikat e secilit institucion, andaj dhe problematikat variojnë varësisht prej institucionit.

“Problematikat që i ka Akademia e Shkencave nuk i ka Institutit Albanologjik, kështu që ne mundohemi që të gërmojmë sa më thellë që hulumtimi të jetë sa më preciz dhe rekomandimet të jenë sa më të sakta. Ne fillimisht e shikojmë ligjin e tyre, statutin, rregulloret e brendshme dhe e shohim se sa ata prodhojnë në kuadër të mandatit që ua ka përcaktuar ligji, statuti apo rregullorja specifike”, shpjegoi tutje udhëheqësi i Integra-s.

Institucionet e tjera publike që Integra synon t’i ‘zgjojë’ nga zona e rehatisë

 Janë një serë institucionesh të  tjera të cilat “Integra” i ka vlerësuar si të heshtura e që funksionojnë në botë të tyre pa ndjenjën e përgjegjësisë dhe transparencës. Institucionet të cilat kjo organizatë synon t’i ‘zgjojë’ nga zona e rehatisë pas Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e Institutit Albanologjik të Kosovës janë: Teatri Kombëtar i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, Instituti Kosovar i Historisë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Universiteti i Prishtinës, Muzeu i Kosovës etj.

“Është mirë që secili institucion (të cilin ne mendojmë t’ua bëjmë një lloj skanimi) të mos na shohin si armiq por në një far forme si partnerë që në mënyrë metodologjike po u benë një skanim të punës së tyre, të ligjeve, rregulloreve, veprimtarisë së tyre e që rezultojnë me rekomandime që janë dashamirëse”, tha Koliqi për KultPlus.

Kushtrim Koliqi  tutje ka treguar se këtë iniciativë e kanë marrë  duke  bazuar në  atë se këto institucione, pavarësisht që financohen nga fondet publike, ato kurrë nuk kanë kaluar përmes ndonjë iniciative monitorimi ose vlerësimi nga Qeveria apo Parlamenti, e  as nga organizatat e Shoqërisë Civile. Ai thotë se kjo gjendje ka krijuar një klimë të perceptimit se këto institucione kanë krijuar “ishujt e tyre”, të cilët pavarësisht faktit se shpenzojnë fonde publike, janë të izoluar sa i përket transparencës dhe përgjegjësisë ndaj publikut.

“Ideja e Integra-s për të realizuar vlerësime për institucione publike bazohet në faktin se ka shumë institucione publike edhe qeveritare, nacionale dhe lokale që jetojnë si në “ishuj” që nuk japin askujt llogari për punën e tyre dhe në të njëjtën kohë janë shfrytëzues masiv të fondeve publike. Kemi filluar me AShAK-un si institucioni emblemë i këtij tipi dhe do të vazhdojmë institucione të tjera të cilat ne mendojmë që është mirë t’ua bëjmë një rishikim, vlerësim në bazë të cilave dalim me rekomandime konkrete se si ata duhet t’i përmirësojnë aspekte të ndryshme të institucioneve të tyre”, tha Koliqi, i cili tutje shpjegoi se rekomandimet lidhen edhe me institucione të tjera të mëdha ndaj  të cilave institucionet vartëse duhet të jenë llogaridhënëse. Pas publikimit raportit “Kriza në akademi”, AShAK-u vitin e kaluar ishte detyruar për herë të parë të raportojë në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, pasi që raporti tregonte se ndonëse ligjërisht AShAK-u është i obliguar t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet, kjo gjë nuk kishte ndodhur.

“Në një farë formë bëjmë rekomandime, jo vetëm për institucionin që ne e vlerësojmë por edhe institucionet e tjera që kanë një farë rëndësie dhe kanë përgjegjësi për institucionet e tjera vartëse”, u shpreh Koliqi.

Koliqi u shpreh se ideja e tyre nuk është vetëm të nxjerrin raporte dhe hulumtime, por ata synojnë që këtyre institucioneve dhe të tjerave t’u kthehen edhe pas disa vitesh, për të parë se sa ka ndryshuar gjendja në ato institucione.

Raporti vlerësues për punën e Institutit Albanologjik të Kosovës pritet të përfundohet në pjesën e dytë të vitit./ KultPlus.com

Avioni “Falcon” që solli Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij nga Beogradi në Romë

Shkrimi i dhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Ylli Polovina

Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Falë shtypit të shkruar të mëngjesit të së enjtes, 6 maj 1999, grumbulluam një informacion të mjaftueshëm për mënyrën se si Ibrahim Rugova pati ardhur në Romë.

Ministrisë së Punëve të Jashtme mes të tjerash i nisëm menjëherë edhe këtë përshkrim lakonik:

-“Të martën pasdite me një telefonatë Sllobodan Millosheviçi i ka ofruar qeverisë italiane që në Romë të vinte Rugova. Media thotë se telefonata e Millosheviçit është bërë me ministrin e Jashtëm italian. Millosheviç ka thënë në këtë bisedë telefonike: “Zoti Rugova është një njeri i lirë, ka kërkuar të vijë në Romë dhe ju prej kohësh keni kërkuar t’i garantoni lirinë. Në rast se e pranoni në Itali ejani ta merrni”.

-Dini ka kërkuar kohë për të dhënë përgjigje, ka njoftuar kryeministrin D’Alema dhe me të ka koordinuar të gjitha lëvizjet e tjera. Sipas shtypit, që të dy nuk e kishin në besë Millosheviçin, por vendosën që “të shohin” lojën e tij. Masimo D’Alema brenda 24 orëve vendosi ta presë Rugovën. Vendimin e mori bashkë me Lamberto Dinin dhe disa nga këshilltarët e tij të ngushtë. Ata menjëherë për këtë gjë njoftuan sekretaren amerikane të Shtetit Ollbrajt, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Solana dhe kancelarin gjerman Shrëder.

-Ibrahim Rogova ka mbërritur në Beograd pasditen e vonë të së martës. E ka shoqëruar policia dhe një nënkryeministër serb. Lëvizi nga vendi sekret ku u mbajt vetëm të mërkurën në mëngjes. Në orët e para të pasdites, i shoqëruar edhe nga ambasadori italian në Beograd Rikardo Sesa, ka hipur në një avion “Falkon” të shërbimeve sekrete italiane.

Ky udhëtim i fshehtë u përgatit nga nënsekretari kryeministror Marko Miniti dhe Xhanfranko Batelli, shefi i SISM-it, Shërbimit Sekret Ushtarak Italian.

Rikardo Sesa për një kohë para nisjes e ka pritur Rugovën, ka biseduar me të dhe e ka qerasur së bashku me familjen.

Fluturimi i këtij avioni u ndoq nga radarët e NATO-s prej gjeneralit Dino Trikario, shefi i vëzhgimit ajror në Viçensa.

Rugova mbërriti në aeroportin Çampino bashkë me gruan e tij Fana, tre fëmijët dhe ndihmësin personal Adnan Merovci”.

Në librin e tij të vitit 2012 “Në hap me Rugovën” Merovci çuditërisht ka të pasqyruara shumë pak të dhëna për këtë ngjarje. Kur e kam takuar dhe pyetur në Prishtinë, më 22 maj 2015, përse kishte vepruar ashtu, Adnani saktësoi se hollësi do të ketë në një libër tjetër.

Ky libër i ri deri tani nuk ka dalë dhe ne jemi të shtrënguar të përdorim faqen e vetme me këtë temë, 315, të “Një hap me Rugovën”.

Atje thuhet: “MILOSHEVIQI i lodhur dhe i ndodhur nën presion ndërkombëtar kishte vendosur ta lironte RUGOVËN ashtu siç kishte planifikuar. Donte që nga gjesti i lirimit të nxjerrë maksimumin.

Italia kishte dërguar avionin për të na marrë nga Beogradi. SHAINOVIQI (nënkryeministri i qeverisë së Jugosllavisë-shënimi ynë), më pas tentoi me mish e shpirt të na ndajë RUGOVËN dhe mua nga familja e Kryetarit, në mënyrë që të mund të manipulonte me ne edhe në Itali, duke na shantazhuar me familje. Këtë qëllim ogurzi e diktova me kohë”.

Më tej Adnan Merovci shprehet: “Mund të them se Kryetari në këtë kohë ishte totalisht pasiv dhe i molisur. Nuk është modesti, por duhet të them se po të mos e diktoja me kohë dhelpërinë dhe dinakërinë e SHAINOVIQIT, ai do të arrinte të na ndante nga familja dhe kjo do të ishte poshtërsia më e madhe e tyre dhe naiviteti më i madh i yni.

Kam reaguar pa pardon dhe kam bërë me dije se nëse tentoni të na ndani, atëherë as ne nuk lëvizim të gjallë. RUGOVA kuptoi se unë isha shumë nervoz, por nuk ishte në ngjarje çka mund të ndodhte. Këtë moment e përmenda në dëshminë time në Tribunalin e Hagës”.

Vazhdon Merovci: “Nga Prishtina me vetura deri në Beograd, nga  Beogradi me avion qeveritar Italian fluturuam për Romë. Ishim të lirë. Edhe sot më kujtohen gugatjet e Agronit, djalit të Nexhatit në aeroplan, i cili mbushte 7 muaj, nga e cila deri atëherë afër 20 për qind të jetës së tij e kaloi në arrest shtëpiak.

Para se të aterrojmë në Aeroportin e Romës jam ulur pranë Kryetarit dhe i kam thënë:

“Kryetar, ne u liruam. Në Kosovë mbetën ata që mbetën. Në aeroport do të ketë gazetarë. T’i kisha potencuar dy gjëra. E para, t’i sqarosh me gjuhë të lehtë dhe të kuptueshme rrethanat e shkuarjes në Beograd dhe takimin me MILOSHEVIQIN dhe e dyta disa fjalë për pjesëtarët e UÇK-së, të cilët mbetën nëpër malet e Kosovës në ndihmë të NATO-s për ta çliruar Kosovën”.

Më shikoi me bisht të syrit dhe duke buzëqeshur më tha:

“Mirë, mirë, Adnan”. (RUGOVIZËM)”.

E vazhdon Adnan Merovci rrëfimin e tij shumë të shkurtër: “Në aeroportin e Romës kishte dalë sekretari i shtetit italian dhe dhjetra gazetarë, Në zbritje nga aeroplani, RUGOVA dha deklaratën e parë shumë të zbehtë dhe pa përmbajtje të fortë. U pa se është i lodhur.

Isha shumë i pakënaqur me paraqitjen e tij të parë publike. Si i lirë pas arrestit shtëpiak, mendoj se ai duhej të ish më bindës”.

Paragrafi i fundit i episodit përfshin fjalët: “Shkuam në një sallë të madhe ku pritnin qindra gazetarë, edhe aty RUGOVA nuk shkëlqeu. Lodhja, tronditja, presioni e kishin bërë të vetën”.  Në të vërtetë kjo ngjarje ka ndodhur të nesërmen, më 6 maj, dhe na shtrëngon të besojmë se Adnan Merovci, për arsye që nuk i kuptojmë dot pa na i shpjeguar ai, ka realisht të fiksuara vetëm pak mbresa prej çastit të zbarkimit në Romë.

Tani le t’i drejtohemi një burimi tjetër informimi për mbërritjen e papritur të Ibrahim Rugovës në kryeqytetin italian.

Ky është ministri i Jashtëm italian Lamberto Dini.

Sipas një ditari të tij botuar në revistën e përjavshme italiane “Panorama” një muaj më vonë, në 3 qershor 1999, Dini ka shkruar:

“Është ai! Në telefon më flet për Rugovën.

Më 3 maj jam në zyrën time kur bie zilja e telefonit. Ulem. Është vetë Millosheviçi. Zëri i tij është i largët. Një qetësi që të akullon. I them menjëherë se jam i shqetësuar. Bombat nuk mbarojnë. “Nuk dua të flas për luftën tani”, më ndërpret. “Dua të koordinoj kthimin e Rugovës. Ai dëshiron të shkojë në Maqedoni” më thotë, duke më shpjeguar se nuk mund ta bënte këtë lëshim, sepse jeta e tij do të ishte në rrezik. “Në rast se jeni dakort po jua dërgoj ta merrni nesër në Prishtinë me familjen e tij. Avioni mund të vijë vetëm pasdite. Dua që të udhëtojnë ditën”.

I kërkoj që të presë një konfirmim. Menjëherë lajmëroj kryeministrin D’Alema, i cili është i lumtur. Pastaj telefonoj zonjën Ollbrajt. “Great” thërret ajo. E përjavshmja “Times” tregoi se si menjëherë ajo nxiti ambasadorin e saj për të kontrolluar në se Rugova nuk ishte një dhuratë e helmët. Nuk ishte e vërtetë. “Mund të ftojmë Hillin nëse Rugova qëllon kundër bombave”, tha. Dhe ne iu përgjigjëm: “Dakort”. Të nesërmen, natyrisht për çdo të papritur, ambasadori duhet të presë pak para se të takojë udhëheqësin kosovar. Rugova është një njeri që ka kaluar prova, i provuar. Thotë se në Kosovë ekziston tashmë vetëm tokë ku fshihen të mbijetuarit. Dëshiron të kthehet këtu dhe të vejë në Komizo. Dhe pastaj në Maqedoni”.

Siç sadopak lexuesi e percepton, kontakti i parë i presidentit të Kosovës me italianët, politikanë kryesorë të saj, por edhe media, përgjithësisht ishte dashamirës. Veç nuk munguan gjeste të skithta të disa gazetave dhe televizioneve. Për shembull në orën 20.00 të 5 majit, në edicionin e lajmeve të TG5 të Canale 5, në një telekronikë nga Kukësi u tha se megjithë që ushtria italiane dërgonte kamionë, të cilët gratis transportonin refugjatët kosovarë për në brendësi të Shqipërisë, policia e qytetit e organizonte largimin e tyre drejt autobuzave privatë, ku për çdo njeri që të udhëtonte kërkoheshin 20 marka. Por edhe këta autobuzë, mëshoi komentatori, i dërgonin refugjatët vetëm njëqind kilometra më tutje dhe aty i linin si prehë e taksistëve dhe harrxhimeve të tjera të parave.

Po ashtu, ndërsa lajmet filluan të njoftonin mbërritjen e Ibrahim Rugovës në Romë, një njoftim tjetër ecte këmbëngulshëm paralelisht, me po të njëjtën shpejtësi: kishte rënë në Shqipëri një helikopter luftarak Apash.

Të dy pilotët e tij patën vdekur dhe kjo ngjarje u quajt si humbja e parë e amerikanëve në periudhën e bombardimeve të NATO-s.

Fillimisht ky lajm i fundit, i theksuar fort, mund të përbënte rast dhe mundësi për ta sfumuar e kompromentuar të parin, por media kryesore italiane nuk u tundua prej kësaj loje. Rugova qe numri një dhe jo humbësi, por fitimtari i padiskutueshëm i kontaktit me syrin e vëmendshëm të gazetarëve.

Këta madje u prinë t’i përcillnin opinionit publik italian një pamje optimiste të profilit të tij. Kjo ndoshta sepse qenë mjaft të vendosur kundër njerësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Unë do të kisha mundësinë në 6 maj 1999, për një rastësi të thjeshtë, ta shihja nga shumë afër Rugovën më parë se çdo diplomat tjetër shqiptar në Romë. Ambasadori ynë dhe ministri i Jashtëm Paskal Milo do ta takonin disa orë më pas, madje do të zhvillonin bisedime dhe këtë e kam rrëfyer në shkrimet e mëparshme.

E theksoj “përparësinë” time të mundësisë për të qenë fare afër më parë se të tjerë për të provuar më tej se italianët qenë më optimistë dhe më shumë vlerësues për paraqitjen e parë të Ibrahim Rugovës në vendin e tyre se edhe vetë ndihmësi i tij shumë besnik, Adnan Merovci.

Kam mësuar më vonë, si ngulmim i kërkimeve të mia, që jo vetëm në Shqipëri dhe tek mjaft bashkëkombës gjithkund, këtë ikje të Rugovës nga sheshbeteja, Prishtina dhe Kosova,  bashkë me familjen e tij si edhe me një avion special dhe shumë komod, nuk e patën pritur hiç mirë. E kishin vështruar dhe interpretuar si të qe gjysma tjetër e gjestit të tij kolaboracionist i takimit “buzagaz” në zyrën e Sllobodan Millosheviçit.

Dy dëshmi të kësaj që sapo shkruaj: E para, në Tiranë qe zemëruar Sabri Godo, i cili ishte kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Shqiptar.

Sipas tij, çfarë e pati theksuar fort TG5 si “dush i ftohtë vjen nga Tirana”, “Ibrahim Rugova nuk kishte mandatin e forcave të tjera politike kosovare për të kryer bisedime në kryeqytetin italian”.

E dyta dëshmi, por që është gjetur më vonë, kur u riktheva në Tiranë për të vijuar punën në administratën qëndrore të Ministrisë së Jashtme. Pikërisht në çastin kur lajmin e mbërritjes së Rugovës në Romë bashkë me familjen e tij dhe të ndihmuar nga Millosheviçi e mësuan komanda e shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi i tha kolonelit të ardhur nga Shqipëria si vullnetar, D. G., këto fjalë: “A nuk e meriton një plumb ky?”

Prezantimi pozitiv (i dëshiruar) i medias italiane për Ibrahim Rugovën shkonte në përputhje me atë të qeverisë së vendit si edhe të jo pak politikanëve. “Corriere della Sera” titullonte dukshëm “Pashë tokën time të djegur, nuk jam një tradhëtar”, “La Repubblica” përveç shkrimit “Shpëtoni popullin tim, duam një paqe të drejtë”, kishte edhe një të dytë: “Presidenti” nuk i përgjunjet Beogradit”.

Ndërkaq në këtë rrjedhë favorizuese për një imazh pozitiv të asaj që po ndodhte në ato orë të nxehta të luftës në Ballkan, ishte edhe një intervistë e kryeministrit Pandeli Majko dhënë të përditshmes me tirazhin më të madh: “Corriere della Sera”.

Ai botohej në krye të faqes 9 dhe shoqërohej me një foto të këtij politikani shqiptar. Titulli ishte “Kryeministri i Tiranës ngre krye: “Lërini këtu”.

Pandeli Majkos i bëheshin 10 pyetje dhe midis të tjerash ai në përgjigjet e veta ngulte këmbë: “Jam i bindur për një gjë: Më mirë të ngrihet një kamp për dhjetë mijë vetë në Shqipëri se ta bësh këtë gjë në Itali”.

E kishte fjalën për një urë ajrore Maqedoni-Itali, e cila do të mbarte të paktën pesë mijë refugjatë kosovarë në ishullin e Siçilisë.

Shpjegonte Majko: “Para së gjithash përse kemi vendosur t’i shkojmë gjer në fund pritjes së të gjithë refugjatëve që arrijnë. Por edhe për një arsye tjetër të rëndësishme: kështu si po bëhet i jepet të drejtë Millosheviçit”.

Më pas kryeministri shqiptar sqaronte: “Flitet për përçarje mes kosovarëve, por më e shumta që mund të thuhet është se ata kanë divergjenca në opinione. Jam i sigurtë që një marrëveshje do ta gjejnë”.

Po ashtu Majko theksonte dhe qortonte: “Qeverisë shqiptare i vijnë vetëm 9,3 përqind e ndihmave, por gjithçka është e regjistruar. Përse organizatat ndërkombëtare nuk janë edhe ato kaq transparente? Le të publikojnë edhe ato ndihmat që vijnë dhe si i përdorin”.

Kjo intervistë në “Corriere della Sera” qe në kohën e duhur dhe e shprehur në formën më të qartë. Autori i këtyre rradhëve ca më tepër gëzohej sepse në mbledhjen e punës së trupës diplomatike disa mëngjeze më parë kishte dalë kundër një porosie të shkruar, të ardhur prej vetë Kryeministrit, sipas të cilës ne duhej të bënim çdo përpjekje për të gjetur mundësi strehimi në Itali të refugjatëve bashkëkombës të Kosovës.

Kjo direktivë ishte, pa dashje të autorit, një lehtësim i zbrazjes së territorit amë të tyre. Millosheviçi nuk do të dëshironte më shumë se sa këtë naivitet.

Majko, e theksojmë, nuk e kishte sipërmarrë këtë drejtim të zhvillimit të ngjarjeve sepse donte boshatisjen e Kosovës, por efekti do të qe ky dhe në Ambasadën tone në Romë ne duhej të mos e pranonim dhe ta ndalnim këtë ecuri të gabuar.

Nuk po hyj në hollësi të tjera përse ndërhyrja ime, pothuaj vetmitare, shkaktoi habi, në mos edhe gjykimin se isha mendjemadh, tepër vetëvlerësues.

Por rikthehemi në 6 maj, në orët e mesditës.

Në adresë të konsullit Drini Bello, punonjës i Shërbimit të Fshehtë Civil Shqiptar, prej qendrës së tij në Tiranë erdhi një radiogram.

Ai thoshte përafërsisht se “Kemi informacion që Rugova është drejtuar për në Romë. Ta gjesh ku është akomoduar dhe mundësisht dhe këtë, po e bëre, do të na sjellësh shumë shërbim: na duhen foto të vendit ku po rri”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 mars 2019

“Dy orë në të ardhmen”, një mbrëmje me poezi të artistit Dardan Zhegrova

Shtatëmbëdhjetë po vazhdon edhe këtë muaj me Natën e Poezisë. Kësaj here artistin Dardan Zhegrova do i ndajë poezitë e tij me të pranishmit.

Krejt puna e poezive për Dardanin ka fillu kur ai ka vendos me e incizua veten me telefon, një lloj rrëfimi personal e intim me një mjet shumë social si telefoni.

Ai i shpreh ndjenjat, imagjinatën e “daydreams” për me e ndryshu realitetin e me ndërhy në kujtimet e tija, nëpërmjet poezisë. Poezitë e tij bëhen si formë për të kujtuar se çka do ai dhe se si e percepton rrëfimin e tij.

Këtë here ai ka me lexu poezi qe i ka shkru ose incizu përgjatë vitit të kaluar e që transmetojnë ma së miri realitetin e tij duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Videoklipi i Jonida Maliqit po akuzohet për plagjiaturë, kjo është kënga me të cilën ka ngjashmëri (VIDEO)

Jonida Maliqi ka sjell ditë më parë videon e këngës pjesëmarrëse në Eurovision.

Këngëtarja do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin më të madh evropian me këngën “Ktheju tokës”. Por, një pjesë e videos së këngës del të jetë e ngjashme me një projekt tjetër muzikor dhe për këtë ka marr kritika.

Nëse do të vërejmë me kujdes materialin e prezantuar, ai ka një ngjashmëri të dukshme me këngën “Children of the Wild” të artistit Steve Angelo.

Nëse ekspertët vendosin se videoja nuk përmban identitet, por është kopjuar në një masë të madhe, Shqipëria rrezikon të përjashtohet nga Eurovision dhe të njolloset imazhi që është ngritur nga dhjetëra artistë shqiptarë.

Këngëtarja jonë pritet të këndojë në pjesën e dytë të natës së dytë gjysmëfinale, në datën 16 maj në shtetin e izraelit.

Ndryshe, Netta Barzilai kujtojmë se është fituesja e vitit të kaluar me këngën “Toy”, e cila ishte përfol shumë për paraqitjen skenike./KultPlus.com

Serbia shkarkon anëtaren e bordit të RYCO-s, shkak pjesëmarrja në takimin në Kosovë

Serbia ka shkarkuar Milica Skiljevic, anëtaren e bordit drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO, vetëm pse kjo e fundit ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin e sotëm të kësaj organizate në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie për të njoftuar për shkarkimin e anëtares nga bordi i RYCO-s derisa e ka quajtur shqetësuese ndërhyrjen e politikës në këtë bord.

“Kosova në vitin 2019 e kryeson një nga proceset më të rëndësishme siç është RYCO. Është fat i mirë që të gjitha shtetet anëtarë të RYCO-s kanë pasur përfaqësuesit e tyre, por mbrëmë në orët e vona jemi njoftuar se njëra nga anëtarët e Serbisë është shkarkuar vetëm pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe mosprezenca e saj ka bërë që ky takim mos të vazhdojë sepse nuk ka pasur kuorum”, ka thënë Gashi.

“Ky është një lajm shumë i keq sepse Kosova ka qenë e përkushtuar që ta shtyj përpara misionin e RYCO dhe mua si kryesues i këtij bordi është jashtëzakonisht zhgënjyese veprimi i Serbisë dhe shfrytëzimi i temave politike”, ka vazhduar ai.

Gashi i ka bërë thirrje Berlinit që t’i bëjë presion Serbisë që të mos i pengojë proceset e RYCO-s./ Epoka e re/ KultPlus.com

Piktura e Tefta Tashko Koços fiton çmimin e parë në Angli

Piktura në vaj e divës shqiptare Tefta Tashko Koço, e titulluar ‘Perla’, pikturuar nga piktorja Suela Pulaha Brown ka shënuar një sukses në Angli.

Brown morri pjesë me këtë pikturë në Ekspozitën e Festivalit të Artit 2019, të zhvilluar përgjatë muajit Shkurt në Galerinë e Arteve të qytetit Nuneaton, Angli, ku dhe u vleresua me Çmimin e 1-rë në kategorinë e portretit, si dhe me trofeun David Wilson. Piktura u përzgjodh nga rreth 700 piktura që morën pjesë në konkurrim. Piktura e Divës Shqiptare, tërhoqi vëmendje të veçantë të kritikës si dhe publikut artdashës në Angli./ Tema/ KultPlus.com

Kineastja Iris Elezi dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të prezantojnë kinematografinë shqiptare në Austri

Festivali i Filmit Crossing Europe që mbahet në Linz, Austri në datat 25 – 30 prill, 2019, në bashkëpunim me Muzeun Austriak të Filmit, në edicionin e tij të XVI-të, ka përzgjedhur për programin Spotlight: Në fokus 2019, kineasten Iris Elezi si një nga personalitetet e spikatur femëror të kinematografisë evropiane dhe për punën e saj shumë vjeçare për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë filmike shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Drejtoresha Znj. Iris Elezi, do të prezantojnë kinematografinë shqiptare në një nga institucionet më të rëndësishme botërore, Muzeun Austriak të Filmit në Vjenë. Krahas arritjeve të saj me filmin BOTA dhe evidentimit të angazhimeve me detyrën si Drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, në programin e kuruar prej Znj. Elezi do të shfaqen edhe filma të tjerë për të dhënë një panoramë sa më të gjerë të kinematografisë shqiptare për publikun që ndjek Festivalin e Filmit Crossing Europe.

Regjisorja Iris Elezi është personalitet i shquar në kulturën bashkëkohore të kinematografisë evropiane.

Ajo studioi teori dhe kritikë filmi, antropologji, studime gjinore dhe produksion filmi. Elezi bën përpjekje aktive për konservimin e filmave dhe është pedagoge me eksperiencë, producente, autore, regjisore, si dhe një prej “emisareve” më të apasionuara të kinematografisë shqiptare jashtë vendit. (Jurij Meden, Muzeu Austriak i Filmit).

Përzgjedhja e filmave për Carte Blanche të saj është ndarë midis filmave të prodhuar në të kaluarën dhe prodhimeve më të reja. Krahas tre filmave artistikë të vitive ’70 nga regjisorja Xhanfise Keko, programi historik përfshin gjithashtu një komedi të dashur e realizuar pas vdekjes së Hoxhës nga njëri prej figurave qendrore të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Pjesa e programit me filma të prodhuar rishtazi ofron një prezantim ideal në universin e kinemasë shqiptare me dokumentarin esse të kritikut Mark Cousins, Këtu ka dragonj. Kjo pjesë e programit plotësohet me dy filma të tjerë, BOTA nga Iris Elezi, dhe prodhimi më i fundit dhe shumë i suksesshëm që u shfaq në festivale të shumta ndërkombëtare, NËNTOR I FTOHTË nga Ismet Sijarina.

Përmbledhje e programit në Festivalin e Filmit CROSSING EUROPE në Linz, Austri (25 – 30 prill 2019) – Carte Blanche Iris Elezi

PËRRALLË NGA E KALUARA (AL 1987), D: Dhimitër Anagnosti, 86 min. – Artistik
BOTA (AL/IT/KO 2014), D: Iris Elezi & Thomas Logoreci, 100 min. – Artistik KËTU KA DRAGONJ (GB 2013), D: Mark Cousins, 79 min. – Dokumentar esse NËNTOR I FTOHTË (KO/AL/MK 2018), D: Ismet Sijarina, 93 min. – Artistik MIMOZA LLASTICA (AL 1973), D: Xhanfise Keko, 38 min. – Artistik
TOMKA DHE SHOKËT E TIJ (AL 1977), D: Xhanfise Keko, 74 min. – Artistik KUR PO XHIROHEJ NJË FILM (AL 1981), D: Xhanfise Keko, 60 min. – Artistik

Përmbledhje e programit: Xhanfise Keko në Muzeun e Filmit Austriak (1 & 2 Maj)

HERE BE DRAGONS (GB 2013), D: Mark Cousins, 79 min. – Dokumentar MIMOZA LLASTICA (AL 1973), D: Xhanfise Keko, 38 min. – Artistik
QYTETI MË I RI NË BOTË (AL 1974), D: Xhanfise Keko, 52 min. – Artistik TOMKA DHE SHOKËT E TIJ (AL 1977), D: Xhanfise Keko, 74 min. – Artistik KUR PO XHIROHEJ NJË FILM (AL 1981), D: Xhanfise Keko, 60 min. – Artistik

Kineastja Iris Elezi do të jetë personalisht e pranishme në shfaqjet e filmave në Linz si dhe në Vjenë, dhe do të ketë, gjithashtu, diskutime si pjesë e festivalit CROSSING EUROPE. Programi Në Fokus 2019 / Spotlight 2019, mbahet në bashkëpunim me Muzeun e Filmit Austriak./ KultPlus.com

KultPlus ju sjellë filmat që do të shfaqen në “Javët e Frankofonisë”

Në kuadër të javëve të Frankofonisë, Aleanca Franceze ju fton në Festivalin e Filmit të shkurtër. Nga 13 deri më 19 mars, zbuloni filmat e shkurtër francez mbi temat aktual. Filmat janë për mosha të ndryshme ndërsa hyrja është falas.

-E mërkurë, 13 mars, ora 20:00
“En haut de l’affiche” përzgjedhja e filmave nga emra të mëdhenj kinemasë: Lambert Wilson, Wes Anderson, Bruno Podalydes, Emmanuelle Devos, Marilyne Canto dhe Natalie Portman.

-E enjte, 14 mars, ora 18:00 – seancë për fëmij
“C’est fantastique !” : Dhe nëse imagjinata nuk do kishte kufi? Pesë filma për të shtyrë kufijtë e zakonshëm.

-E shtunë, 16 mars, ora 11:00 – sesioni i fëmijëve
“Drôles de bêtes !” : Në dy këmbë, në të katër këmbët, centipedë … Miqtë tanë kafshët bëjnë 400 të shtëna.

-E henë, 18 mars, ora 19:30
“Un monde sans frontières ?” : Politikat e Migracionit, Emigracioni dhe të Drejtat e Njeriut, Tema mjerisht të aktualitetit.

-E martë, 19 mars, ora 19:30
“Prix SNCF du polar 2019” : 98 minuta për të ofruar një vështrim kompleks dhe bashkëkohor në çështjet sociale thelbësore, midis humorit dhe dramës./ KultPlus.com

Javët e Frankofonisë: Programi i plotë

Ndryshimi i Tiranës në 30 vjet erdhi përmes një ekspozite

Ndryshimi i kryeqytetit shqiptare ne tre dekada prezantohet ne nje ekspozite te veçante ne galerinë FAB. Ne kujdesin e piktorit italian Eguenio Tibaldi dhe me pjesëmarrjen e 10 piktorëve të rinj shqiptarë, ekspozita sjell punime ne telajo dhe instalacione qe trajtojnë transformimin urban te Tiranës nga viti 1989 deri ne vitin 2019-të.

Pjesëmarrja e të rinjve ishte e nevojshme për këtë ekspozitë për të sjellë energjinë e re qe i duhet kryeqytetit, i cili është gjithmonë ne zhvillim.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri ne datën 18 Mars./VizionPlus/ KultPlus.com

Skandaloze: Shqipëria përfaqësohet në Gjermani me flamurin me yll të kohës së komunizmit

Në panairin  e librit në Frankfurt të Gjermanisë flamuri shqiptar është prezantuar me simbolin e yllit komunist mbi shqiponjë.

Skandali është denoncuar nga pjesëmarrës në këtë panair.

Një nga qytetarët që ka dërguar fotot, ka ironizuar duke e lidhur shfaqjen e flamurit me yllin komunist me aktualitetin e qeverisjes Rama. Nuk dihet se si ky flamur ka përfunduar të valëvitet i qetë pa djeninë e palës shqiptare./insajderi/ KultPlus.com

Shqipëria rrezikon pjesëmarrjen në Eurovision, Jonida Maliqi kopjoi videon e këngës “Ktheju tokës”

Jonida Maliqi ka sjell ditë më parë videon e këngës pjesëmarrëse në Eurovision.

Këngëtarja do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin më të madh evropian me këngën “Ktheju tokës”. Por, një pjesë e videos së këngës del të jetë e ngjashme me një projekt tjetër muzikor dhe për këtë ka marr kritika.

Nëse do të vërejmë me kujdes materialin e prezantuar, ai ka një ngjashmëri të dukshme me këngën “Children of the Wild” të artistit Steve Angelo.

Nëse ekspertët vendosin se videoja nuk përmban identitet, por është kopjuar në një masë të madhe, Shqipëria rrezikon të përjashtohet nga Eurovision dhe të njolloset imazhi që është ngritur nga dhjetëra artistë shqiptarë.

Këngëtarja jonë pritet të këndojë në pjesën e dytë të natës së dytë gjysmëfinale, në datën 16 maj në shtetin e izraelit.

Ndryshe, Netta Barzilai kujtojmë se është fituesja e vitit të kaluar me këngën “Toy”, e cila ishte përfol shumë për paraqitjen skenike. /Telegrafi/ KultPlus.com

54 vjet nga vdekja e Fan Nolit

Sot bëhen 54 vjet nga vdekja e Fan Stilian Nolit. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.

Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”, shkruan KP.

Ai u lind më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.

fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë./ KultPlus.com