“Nën urën tonë edhe Ibri vajton”

KutPlus ju sjellë një kënge të viteve të 80-ta të kënduar nga Vera Oruqaj, në të cilën i këndohet Urës së Ibrit në Mitrovicë. Kënga titullohet “Ura e Ibrit”.

Në ora 18 po të presë diku

Po s’më erdhe sonte s’më sheh kurrë

Hapat përmbi urë zemrën ma qetësojnë

Mbi supe dy duar më ledhatojnë

Nën urën tonë edhe Ibri vajton

Këtë shushurimë ma dëgjon

Nën urën tonë edhe loti pikon…. për më shumë klikoni në videon më poshtë. / KultPlus

Dua Lipa, e përlotur në dokumentarin nga misioni bamirës me refugjatët sirianë

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa kishte qëndruar për disa ditë në Liban me mision bamirës me UNICEF-in, shkruan KultPlus.

Lipa është shprehur se ndjehet me fat që ka lindur në Londër ku ka pasur mundësin që të realizojë ëndrrat e tyre si dhe ka theksuar faktin se familja e saj kanë qenë refugjatë nga Kosova.

Lipa në dokumentar shihet duke u takuar më fëmijët dhe të rinjë nga Siria gjersa mëson më shumë për ta dhe çfarë ata bëjnë. Lipa është gjatë gjithë kohës e shoqëruar ehd enga stafi i UNICEF-it të cilët i tregojnë më shumë për jetën që bëjnë refugjatët dhe sfidat me të cilët përballën ata. Në dokumentar Dua Lipa shihet e shoqëruar edhe nga babi i saj Dukagjin Lipa./ KultPlus.com

“Kultura për Ndryshim”, në ditën Ndërkombëtare të Librit sjellë diskutim me Çun Lajçin dhe Edi Shukriun

Me rastin e 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit, programi “Kultura për Ndryshim” ka organizuar lexim dhe diskutim të hapura me aktorin e poetin Çun Lajçi dhe poeten e arkeologen Edi Shukriu.

Leximi dhe diskutimi do të mbahen nesër në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik prej orës 11:00. Po ashtu leximi dhe diskutim do të mbahen edhe në Han të Elezit në Shtëpinë e Kulturës prej orës 14:00. /KultPlus.com

Vazhdon ruajtja e trashëgimisë në Gjirokastër, miratohet projekti për restaurimin e banesës së Lavdim Kaçit

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin: “Ndërhyrje restauruese në banesën e Lavdim Kaçi-t”, lagjja Manalat, Gjirokastër.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër parashikon ndërhyrje emergjente në restaurimin e murit rrethues të banesës.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./ KultPlus.com

Filmi “Bunker” zgjidhet filmi më i mirë i huaj në festivalin e filmit në Arizona

Film “Bunker” i cili u zgjodh si filmi më i mirë i huaj në festivalin e filmit Arizona në Amerikë, shfaq Shqipërinë në kohën e Komunizmit, shkruan KultPlus.

“Bunker” është film i metrazhit të gjatë i cili është vendosur në vitet e 80-ta, në kohën e komunizmit në Shqipëri. Filmi flet për Fridën, një vajzë 18 vjeçe e cila është dashuruar me Arturin, një djalë i bukur i qytetit, familja e të cilit është politikisht në kundërshtim me qeverinë totalitare. Dhe pikërisht kjo lidhje është edhe boshti i këtij filmi. Ky filmi i takon zhanrit dramë.

Filmi “Bunker” është punuar me regji të Kast Hasa, kurse me role në këtë film janë përfshirë aktorët: Klod Hoxha, Enxhi Cuku, Kristi Baçi, Kristaq Pilo, Arjeton Toni Osmani, Gramos Gashi, Kast Hasa, Ioana Sinani dhe Anila Mucaj.

Duke i qëndruar besnik misionin të saj për shfaqjen e filmit të pavarur, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Arizonës ka shfaqur mbi 2.800 filma nga 95 vende të ndryshme të botës./ KultPlus.com

Ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” do të hapet në Washington

Ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” e cila në muajin shkurt zuri vend në hollin e Kuvendit të Kosovës, së shpejti do të do të hapet edhe në Washington.

Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla, të kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur. 

Ekspozita ka në fokus 1653 persona të cilët akoma figurojnë të pagjetur në Kosovë që nga lufta e fundit.

Datat se kur do të hapet kjo ekspozitë në Washington akoma nuk janë bërë të ditur. Për të mësuar më shumë për këtë ekspozitë mund të lexoni shkrimin më poshtë të publikuar nga KultPlus me rastin e hapjes së ekspozitës.

Ekspozita organizohet nga Integra në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, me Kuvendin e Kosovës, Zyren Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Fondacionin “Rockefeller Brothers”./KultPlus.com

Lëshohen në qarkullim pullat postare me pamje të veprave nga Esat Valla

Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim pullat postare me pamje të veprave të akademikut Esat Valla.

 Lëshimi në qarkullim i këtyre pullave postare është duke u bërë me qëllim të promovimit të vlerave dhe artit që ka Kosova.

Esat Valla është piktor surrealist dhe ekspresionit nga Gjakova. Ai ka kryer Akademinë e Artit Figurativ në Beograd në vitin 1971, ai ka ekspozuar në Kosovë, ish-Jugosllavi dhe Norvegji. / KultPlus.com

“Kur New York ishte një fshat”, publikohet galeria mahnitëse (Foto)

New York sot është një nga vendet më të zhvilluara, ku ngrihen kulla nga më të lartat në botë.

Gjithsesi, shumë pak njerëz e dinë se shumë vite më parë, ky vend ka qenë thjesht tokë bujqësore, ku ngriheshin disa ferma.

Muzeu i koleksionit online të Qytetit të New Yorkut zbulon një sërë fotosh që tregojnë se si dukej qyteti në atë kohë.

Galeria përmban ilustrime dhe fotografi të kodrave New York City, të cilat më vonë u shkatërruan për të krijuar atë që është sot./top-channel/ KultPlus.com

Reportazh i BBC-së: Në Shqipërinë e tolerancës fetare, aty ku ezanin e thërret një ish-i krishterë

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e botës për bashkëjetesën e saj fetare. Dhe është BBC ajo që i ka kushtuar një reportazh këtij fenomeni, i konsideruar si një pasuri e gjallë e shqiptarëve që ia ka ënda çdo vendi, sidomos atyre me konflikte sektare.

Një korrespondent i medias prestigjoze britanike është ndalur në Berat, ku ka takuar një muezin, ish-të krishter të konvertuar, nëpërmjet edhe figurës të cilit, ka ndërtuar tablonë e një vendi të paqtë fetarisht, si një garanci edhe për paqe sociale….

(Titulli është redaksional. Titulli në origjinal është: “Shqipëria, ky sinonim i tolerancës fetare” )

Nga Quinn Hargitai

Edhe pse kjo ishte hera e parë që po takoja Hasib Buba-n, kisha dëgjuar zërin e tij tashmë disa herë duke bërë jehonë nëpër rrugët me kthesa dhe rrugicat e Beratit, një qytet i vogël në pjesën jug-qendrore të Shqipërisë.

Me flokët e mbyllta, të ndara me kujdes, një mjekër mirë të mbajtur, udhëheqësi fetar 25-vjeçar shpjegoi se si një nga detyrat e tij si muezin është të thërrasë ezanin për faljen e namazit, gjë që ndodh pesë herë në ditë.

Ai është fotografia e vërtetë e një muslimani të devotshëm; por unë mbeta i befasuar kur mësova se kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu.

“Në fakt unë jam rritur si i krishterë,” shpjegon Buba, “dhe për vite me rradhë kam ndjekur këtë rrugë. Më vonë në moshë të pjekur, pata një debat me një nga miqtë e mi, i cili ishte musliman. Debati vazhdoi për muaj, dhe në mënyrë që të jem sa më i përgatitur për diskutimet tona,

unë fillova të lexoja për Islamin, përpiva gjithçka që pata mundësi në lidhje me këtë fe. Në fund, edhe pse mu duk se debatin e fitova unë, i gjithë procesi më shtyri të bëj pyetje në lidhje me bindjet e mia. Përgjigjet e dhëna nga Islami kishin më shumë kuptim për mua, kështu që unë u konvertova në musliman”, thotë ai.

Edhe pse zgjedhja për t’u konvertuar mund të duket e habitshme për shumëkënd, realiteti është se Shqipëria prej kohësh konsiderohet si një vend i tolerancës dhe harmonisë fetare.

Fetë dominuese në Shqipëri janë Islami dhe Krishterimi, ku muslimanët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë. Megjithatë, mbetet një unitet i përbashkët në mes të banorëve të vendit. Kishat dhe xhamitë shpesh zënë të njëjtën rrugë, dhe martesat ndërfetare janë pranuar gjerësisht në kulturën e vendit.

Veçanërisht vlen të shquhet Berati, në të cilin gjendet Muzeu Onufri që mban ikonën e burimit të jetës. Kjo vepër artistike shqiptare e shekullit të 18-të përshkruan një skenë të krishterë me minare në sfond dhe është lavdëruar si një simbol i harmonisë fetare të famshme të vendit.

Gjatë një vizite në vitin 2014, Papa Françesku, kreu i kishës katolike, vlerësoi vendin ballkanik për tolerancën e saj të dukshme fetare, duke thënë se kjo tolerancë duhet të shërbejë si një shembull për gjithë botën.

Gjatë fjalës së tij në Tiranë, Papa Françsku vlerësoi “bashkëjetesën paqësore” të feve në vend, duke shtuar se “kjo është veçanërisht e rëndësishme në këto kohëra kur fryma autentike fetare është duke u shtrembëruar nga grupe ekstr.emiste”.

Kurioz të di se si ka arritur popullsia e Shqipërisë të mbesë e bashkuar, e pyeta Buba-n për mendimin e tij mbi këtë temë.

“Shqipëria ka pasur gjithmonë traditë të pranimit të të tjerëve. Nëse shikoni nëpër historinë e vendit, ju do t’a shihni harmoninë në çdo shekull. Edhe gjatë Perandorisë Osmane. Shumë njerëz ia atribuojnë atë komunizmit, por unë nuk e besoj”.

Buba është duke iu referuar periudhës në mes të viteve 1944 dhe 1992, kur Shqipëria ishte nën një regjim të rreptë komunist të udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha. Gjatë regjimit, Shqipëria u bë shteti tërësisht i izoluar praktikisht me asnjë lidhje me botën e jashtme.

Në vitin 1967, Hoxha forcoi kontrollin e tij mbi vendin edhe më tej duke ndaluar të gjitha fetë, duke deklaruar Shqipërinë si shteti i parë ateist në botë. Gjatë kësaj kohe, kishat dhe xhamitë u konfiskuan nga ushtria dhe u shkatërruan apo u kthyen në kinema e salla për vallëzim. Klerikët ishin zhveshur nga titujt e tyre, ishin turpëruar dhe në disa raste madje ishin burgosur.

Disa spekulojnë se ky përjashtim i dhunshëm i fesë së organizuar ka rezultuar me adaptimin e mendimit laik ndër shqiptarët, dhe se vendi është i njohur për mungesë të çfarëdo tensioni ndërfetar, sepse besimi nuk është një element i rëndësishëm i jetës për shumë njerëz sot. Dhe Buba lutet që kjo të ndryshojë.

Për të ilustruar se si harmonia fetare ekziston ne Shqipëri, ai solli shembullin e fundit të Malbardhit, një fshat i vogël në veri të Shqipërisë. Disa vjet më parë, zona e vogël bëri bujë në të gjithë vendin, kur popullsia lokale muslimane kishte mbledhur fonde dhe kishte rindërtuar kishën e vetme katolike të fshatit, e cila ishte shkatërruar bashkë me shumë kisha tjera gjatë sundimit të Hoxhës.

Këto tregime janë veçanërisht me rëndësi në kohën e sotme. Me frikën nga rritja e mundshme e grupeve ekstremiste, duket se vija e dallimeve në mes të besimeve ka shkuar duke u shtyrë edhe më thellë.

“Kam dëgjuar gjitha këto biseda të disa personave që dëshirojnë të ndërtojnë mure dhe të ndalojnë besimtarët e besimeve të caktuara nga hyrja në vendet e tyre”, tha Buba. “Kjo vetëm se do të ngjallë urrejtje dhe keqkuptim. Arsyeja pse ekziston harmonia në Shqipëri është për shkak se ne angazhohemi njëri me njërin. Ne debatojmë, diskutojmë dhe edukojmë veten në lidhje me ata që na rrethojnë. “

Është e vështirë të thuhet nëse bota do të marrë shembullin e Buba-s dhe të Shqipërisë për zemër, por ka diçka për të thënë për shtetin e vogël ballkanik në të cilën fëmijët rriten duke dëgjuar edhe thirrjen për namaz edhe këmbanat e kishave prej jashtë dritareve të tyre. Për ta, bashkëjetesa dhe harmonia janë bërë aq të natyrshme sa ajri që thithin. / KultPlus.com

Luiza kishte zemër të hidhur

Poezi nga Luan Rama.

A e keni provuar vallë shijen e tradhëtisë 
ç’shije ka më thoni
vallë shije dheu squfuri karboni 
lotësh apo gjaku? 
Jo atë të gëzimit të çastit 
harbimit të një seksi kalimtar 
të një dehje efemere 
por atë të tradhëtisë së shpirtit 
ku jeta tënde nuk ka më kuptim
veluri është zbehur e shuar
e jeta i ngjan një mali të hirtë që rëndon sa bota
është hija që ecën në një fill të nderur 
mbi humnerë zije
një ecje e rrezikshme midis jetës dhe vdekjes 
ku ti mund të biesh nga çasti në çast. 
Luiza, 17 vjeçare kishte zemër të bukur 
sandalet i mbetën në baltë 
kur trupi i zhytej në botën tjetër
përhumbur e dehur nga helmi
në ujrat e turbullta të liqenit të Tiranës
një requiem një adagio qumështi të mpiksur
një lamtumirë me buzën e hidhur të një jete
që nuk u gëzua
«Lacrimosa» e Mozart në një korr qiejsh
pa yje
Luiza kishte zemër të hidhur…
—–

22 prill, 2019. / KultPlus.com

Nëse po lexoni një libër, nesër në autobusët e Tiranës nuk do paguani biletë

Mos u habisni nëse, teksa jeni duke lexuar një libër në autobus dhe prisni që të paguani paratë, fatorino mund të mos vijë për të ua kërkuar.

Nesër në transportin urban në Tiranë bileta e autobusëve do të jetë libri që po lexoni. Ndaj bëni mirë që nesër, në ditën ndërkombëtare të librit, ta nxirrni romanin nga poshtë jastëkut dhe ta merrni vete. Ai do të jetë bileta juaj.

Kjo është nisma që ka zgjedhur Ministria e Kulturës, në Ditën Ndërkombëtare të librit, për të promovuar leximin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkruan:

Mos e lër në shtëpi librin që po lexon. Merre me vete. Në 23 Prill do të jetë bileta jote në urbanët e kryeqytetit. Udhëto falas, leximi të hap rrugët!

#UdhetoPermesLibrit

#23prill

#DitaNdërkombëtareeLibrit

Në prag të Ditës së Librit, brenda bibliotekave më magjike të botës

Nesër, më 23 prill shënohet Dita Botërore e Librit dhe e Drejtave të Autorit – në këtë ditë promovohet leximi, botimi dhe të drejtat e autorit.

Ideja për këtë ditë kishte ardhur nga shkrimtari Vicente Clavel, për ta nderuar kështu autorin e famshëm Miguel de Cervantes.

Fillimisht ishte menduar data 7 tetor që asocionte me lindjen e autorit dhe më pas 23 prilli data e vdekjes së tij – siç edhe vendosi UNESCO më 1995, transmeton Klan Kosova.

23 prilli shënon edhe përvjetorin e vdekjes së William Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega, si dhe të lindjes ose vdekjes së disa të tjerëve autorë të shquar.

Për ta shijuar magjinë e kësaj dite dhe të librit mund të “hyni” brenda bibliotekave më magjike të botës.

“Bibliotekat në tërësi janë një mrekulli – një mrekulli sepse ato paraqesin botën, brenda një hapësire relativisht të vogël, siç është, siç ishte dhe si ndoshta do të mund të ishte”, thotë Georg Ruppelt në pjesën hyrëse të librit “The World’s Most Beautiful Libraries”.

Libri prej gati 600 faqesh, i cili doli në gusht të 2018-ës, përmban imazhe të hollësishme për disa nga bibliotekat më të vjetra, më ekstravagante dhe më të nderuara të botës , transmeton Klan Kosova.

Më poshtë mund t’i shijoni edhe ju, së paku përmes fotografive.

“Stiftsbibliothek Kremsmünster”, Austri

“Apostolica Vaticana”, Itali

“Statale Oratoriana dei Girolamini”, Itali

“Convento de Mafra”, Portugali

“Sankt Gallen”, Zvicër


“Admont”, Austri

“Strahovská Knihovna”, Çeki

“Real Gabinete Português de Leitura”, Brazil

“Duhet të njohësh shpirtin e njeriut, që të mund t`i admirosh fytyrën”

KultPlus ju sjellë disa thënie me shumë vlerë nga njerëz të famshëm.

1. Depresioni është si një grua me të zeza. Nëse shfaqet, mos e dëbo. Ftoje brenda, ofroi një karrike, trajtoje si mysafire dhe dëgjo atë që dëshiron të thotë –Carl Jungu

2. Nëse mjeti juaji i vetëm është çekiçi, keni tendencën ta shihni çdo problem si një gozhdë –Abraham Mazlou

3. Është më e thjeshtë të luftosh për një parim, sesa të jetosh sipas tij –Alfred Adler

4. Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, unë jam ajo që kam zgjedhur të bëhem –Carl Jungu

5. Të jesh praktik në politikë, do të thotë të injorosh faktet – Henri Bruk Adams

6. Kush mendon shumë që të bëjë të mira, nuk gjen kohë të jetë i mirë për vete – Rabindranath Tagore

7. Barra më e rëndë për një fëmijë janë jetët e pajetuara të prindërve –Carl Gustav Jung

8. Nëse mendoni se edukimi është i shtrenjtë, prisni të shikoni sesa kushton injoranca – Barack Obama  

9. Nëse doni të jetoni një jetë të lumtur, lidheni atë me një synim, dhe jo me njerëz apo objekte – Albert Ajnshtajn

10. Ju duhet të jeni vetë ndryshimi, që dëshironi të shihni në botë – Mahatma Gandi

11. Gjithçkaje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën – Friedrich Nietzsche

12. Vetëm kur e braktisni dikë, bëheni plotësisht të hipnotizuar nga gjithçka që sillet rreth tij. Ky është paradoksi i dashurisë – Erich Maria Remarque

13. Duhet të njohësh shpirtin e njeriut, që të mund t`i admirosh fytyrën – Victor Hugo

14. Ata që nuk bëjnë asgjë, zakonisht janë të parët që kritikojnë për çdo gjë- Charles Spurgeon

15. Mos u mbaj fort pas dikujt që po ikën, përndryshe nuk do të takosh atë që po vjen –Carl Gustav Jung

16. Ti dhe vetëm ti mund t’i ndryshosh situatat e tua. Mos fajëso asgjë dhe asnjë për to –Leonardo Dicaprio

17. Të çuditshëm jemi ne njerëzit, harrojmë sa të mëdhenj jemi kur dashurojmë e sa të vegjël kur urrejmë- Azem Shkreli

18. Po nuk foli i marri, nuk dallohet dot nga i urti –Sami Frashëri

19. Kam tri gjëra për t’ju mësuar: thjeshtësi, durim, dhembshuri. Këto janë tre thesaret më të mëdha – Lao Tzu

20. Gjithçka në lidhje me njerëzit e tjerë që nuk na kënaq, na ndihmon që të njohim dhe kuptojmë më mirë veten tonë  –Carl Jungu. / KultPlus.com

Sot 101 vite nga lindja e Ibrahim Kodrës, piktor shqiptar me famë ndërkombëtare


Ibrahim Shaban Likmetaj Kodra (lindi në Ishëm, më 22 prill 1918 – më 7 shkurt 2006 vdiq në Milano) ishte një piktor shqiptar me famë ndërkombëtare. Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht.

Jetëshkrimi

Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me njė bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta.

Varri i Ibrahim Kodrës, në Ishëm, Durrës, Shqipëri

Varri i tij monumental gjendet përballë hyrjes së kalasë së Ishmit.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetėm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara:

Vatikan Muzetë, Vatikan
Dhoma e Deputetëve (Itali), parlamenti italian, Itali
Muzeu Kodra, Lugano, zvicerane
Kosova Galeria Kombëtare e Arteve, Prishtinë, Shqipëria
Muzeu Kodra, Milano, Itali
Art Gallery nga bazilike Santuario di Santa Maria de Finibus terrae, Santa Maria di Leuca, Itali
Art Gallery mbledhja e Metropolitan qytetin e Milanos (Provincia di Milano), Itali

Ekspozita arti

Disa nga ekspozitat e tij:

Ekspozitë kolektive në “Paradise” me Picasso, Dali, Matta, Ernst, Levi, Panseca, Braque, etj.
Ekspozitë kolektive në “Stone Gallery” në Newcastle me Corneille, Gear, Gleghorn, Michaux, Millares, etj.
Ekspozita në Milan, The Stone Gallery në Newcastle, “Senator” në Stuttgart, poashtu edhe në “New Art Center” në Zurich.
Expozitë personale në Galerinë e Artit Modern në Prishtinë.
Expozitë personale në Princess Hall në New York, “2D Gallery” në Sassari.

Music Lesson, 1997, oil on canvas, 80×100

the date, 1987, oil on canvas, 80×100

The war for peace, 1977, oil on canvas, 80×100

The birth of the idol, 1971, oil on canvas, 80×100

Seeking new idols, 1968, oil on canvas, 80×100

The sea, 1968, oil on canvas, 80×100

Katalogë dhe bibliografi

Ibrahim Kodra : [Catalogue], Ibrahim Kodra, Antonino De Bono, OCLC 22099930, Series: Profili del Comanducci
Il Carpine. Galleria d’arte (1966), Ibrahim Kodra, Walter Fedler, OCLC 25750755, Rome
Solarità mediterranee (2004), Ibrahim Kodra, OCLC 60681846, Palermo – Palazzo della Regione
Nga Ishmi në Brera : Kujtime (2000), Ibrahim Kodra, Demetrio Patituc̦it, ISBN 9789992730218, OCLC 48038281, Onufri, Tirana
Ibrahim Kodra : artist file : study photographs and reproductions of works of art with accompanying documentation 1930?-1990, OCLC 855508359, New York – Museum of Modern Art
Ibrahim Kodra (1974), Antonino De Bono, OCLC 487777958
Ibrahim Kodra (1972), OCLC 717918057, La Spezia – Galleria Il Gabbiano
Kodra (1974), Carlo Munari, OCLC 220465417, Milano – Collana d’oro maestri del mediterraneo
Ibrahim Kodra e il Teatro Massino (1997), OCLC 799494763, Palermo – Centro Paolo Borsellino
Ibrahim Kodra : Palazzo Muncipale dal 16/11 al 9/12/84 (1984), Ibrahim Kodra, Cernusco. Assessorato alla Cultura, OCLC 313541343, Milano – Tipogr. B.C.S. [Dr.].
Ibrahim Kodra : 25 marzo-20 Aprile 1972 (1972), OCLC 2606927, Napoli – Galleria d’arte “Il Tarlo”
Ibrahim Kodra : mostra personale del pittore 14 marzo – 3 aprile 1959, Milano – Galleria Bergamini, OCLC 272565950
Ibrahim Kodra : Galerija e Artit Prishtinë Jugosllavia, Korrik 1968 (1968), Anton Çeta, OCLC 780550902, Pristina, Yugoslavia – Umetnička Galerija Priština
Ibrahim Kodra : omaggio a Positano (2006), Massimo Bignardi, OCLC 849322394
Kodra das Fantastische in der Kunst ; Vernissage am 7. März 1984 … anläßlich der Partnerstadt-Aktion “Die Lombardei & Mailand” (1984), OCLC 179755168, Frankfurt am Main – Hertie Zeil
Ibrahim Kodra : opere degli anni ’80 (1982), Michele Prisco; Giorgio Celli; Carmelo Strano, OCLC 849043385, Palermo – La Tela Petruso
Ibrahim Kodra : colori d’acque e d’Albania, Aldo Gerbino; Ivan Caric; Giorgio Celli, OCLC 849043391
Dal 13 al 28 marzo 1976 per una ricerca comune Ibrahim Kodra più Gigi Gherard (1976), OCLC 797452882, Monza – Galleria Agrati
Kodra (1982), Paul Éluard; Enrico Crispolti; Renzo Bertoni, OCLC 849031229, Palermo – Edizioni Centro d’Arte La Tela
Kodra, një univers (1992), Abdulla Tafa, OCLC 255014199, Tirana – Enti ART
Il lungo inverno (The long winter) (1988), Roberto Ruberto; Ibrahim Kodra, OCLC 52561452, Milano – Rosone
Sav taj crtež : 17 međunarodnih izložba (originalnog) crteža (2009), Daina Glavočić; Ljubica Dujmović Kosovac; Andy Jelčić; Slobodan Drenovac, OCLC 781150027, ISBN 9789536501649, Rijeka (Croatia) – Muzej moderne i suvremene umjetnosti

Ibrahim_Kodra,_Music_lesson,_1997_oil_on_canvas,_80x100_cm
Ibrahim_Kodra,_Seeking_new_idols,_1968_oil_on_canvas,_80_x_100_cm
Ibrahim_Kodra,_The_birth_of_the_idol,_1971_oil_on_canvas,_80x100_cm
Ibrahim_Kodra,_The_date,_1987_oil_on_canvas,_80x100_cm
Ibrahim_Kodra,_The_sea,_1968_oil_on_canvas,_80x100_cm

Monumentet kulturore në Kosovë pa mbrojtje nga zjarri

Asnjë objekt kulturor në Kosovë nuk ka sistem të mbrojtjes kundër zjarrit dhe kjo paraqet rrezik për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, ka thënë Kaltrina Thaçi, arkitekte në organizatën “Cultura Heritage Without Borders” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij), zyra në Kosovë.

Shumë vende në Evropë kanë filluar t’i shikojnë masat mbrojtëse kundër zjarrit në ndërtesa me rëndësi të veçante kulturore, pas zjarrit në Katedralen mesjetare, Notre Dame, në Paris.

Katedralja mesjetare, Notre Dame, në zemër të Parisit, është përfshirë nga zjarri ditën e hënën, mirëpo zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, të vjetër 850 vjet, pavarësisht se maja dhe çatia u shembën.

“Asnjë aset i trashëgimisë kulturore nuk ka sistem të mbrojtjes kundër zjarrit të instaluar brenda”, ka thënë Kaltrina Thaçi nga CHWB, zyra në Kosovë për Radion Evropa e Lirë.

“Në Kosovë kemi mungesë të rregullores, e cila do të thotë përcakton kushtet e mbrojtjes kundër zjarrit në ndërtesat e trashëgimisë kulturore. Kjo duhet të jetë një rregullore specifike, e cila të tregon se çfarë parametra duhet të ketë ndërtesa dhe si të bëhet instalimi i mbrojtjes kundër zjarrit në ndërtesa historike, për shkak që kjo dallon prej ndërtesave të tjera publike, të cilat nuk kanë status të mbrojtjes”, ka shpjeguar ajo.

Gjithashtu, sipas Thaçit, gjendja e trashëgimisë kulturore në shtetin e Kosovës është shumë e degraduar.

Në vitin 2018, CHWB-ja ka bërë një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Në raport thuhet se mbrojtja e trashëgimisë kulturore ka qenë fare pak në agjendë të qeverive qendrore dhe atyre komunale.

“Rezultatet e intervistave të realizuara dëshmojnë që një përqindje e madhe e institucioneve lokale dhe qendrore në Kosovë, nuk posedojnë plane konkrete për mbrojtjen dhe trajtimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, rezultat ky që dëshmon që trashëgimia kulturore vazhdon të mos jetë një aspekt i rëndësishëm i agjendave vjetore të institucioneve të Kosovës, duke e lënë atë si një temë, e cila shtjellohet vetëm në raste kur këto asete janë në rrezik të shkatërrimit”, thuhet në raport.

Ndërsa, Vjollca Aliu, drejtoreshë në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rreziqet kryesore që i kanosen trashëgimisë kulturore në Kosovë, janë zhvillimet e pakontrolluara.

“Aseteve të trashëgimisë kulturore u kanosen rreziqe nga më të ndryshme siç janë transformimet strukturore nga shkaqet klimatike, nga gjelbërimi i pakontrolluar, nga faktori njeri dhe sa i përket zhvillimit hapësinor trashëgimisë i kanoset rreziku posaçërisht nga zhvillimi i pakontrolluar. Zhvillimi i pakontrolluar më vete bie një mori problemesh, jo vetëm siç është prishja e kuadrit vizual, por edhe prishja e qasjes hapësinore në objekt që shpesh rezulton me probleme në implementimin e strategjive për parandalimit të rrezikut”, ka thënë Aliu.

Prizreni është qyteti që ka një numër të madh të objekteve më rëndësi kulturore.

Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës në Prizren.

Shumë objekte kulturore në këtë qytet kanë pësuar dëmtime si pasojë e protestave të dhunshme, moskujdesi nga komuna, ndërtimet ilegale etj.

Valon Xhabai drejtor në organizatën “Ec Ma Ndryshe” në Prizren që merret me aktivizmin qytetar, e sidomos me atë kulturor, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rreziku më i madh, i cili i kanoset trashëgimisë kulturore, është faktori njeri.

“Faktori njeri nuk është kujdesur aq sa duhet, faktori njeri i ka rrënuar shtëpitë e vjetra, faktori njeri edhe kur është dashur të intervenohet në diçka, nuk e ka bërë intervenimin ashtu siç duhet sipas standardeve që duhet”, ka vlerësuar Xhabai.

Në vitin 2016 për herë të parë në Kosovë është krijuar databaza online e trashëgimisë kulturore nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku vendosen të gjitha të dhënat për çdo monument që gjendet në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Fëmijët shqiptarë nga Ukraina me udhëtim të veçantë në Shqipëri

Këta fëmijë mësojnë gjuhën shqiptare dhe historinë e Shqipërisë, por asnjëherë nuk kanë shkelur tokën shqiptare.

Një ide interesante për tu njohur me vendin e origjinës. Mirabelle Supure, shqiptare e Ukrainës ka ndërmarrë një nismë për organizimin e një udhëtimi veror në Shqipëri, me qëllim që të rinjtë e komunitetit shqiptar në Ukrainë të njihen më tepër me gjuhën dhe traditat e të parëve të tyre.

Ajo ka treguar për iniciativën dhe dëshirën për të njohur Shqipërinë dhe për të mos e harruar vendlindjen, përcjell albinfo.ch.

Tregimi

Unë jam Tetiana Siupiur ( Mirabelle Supure) dhe kam lindur në jug të Ukrainës. Prindërit e mi janë nga një fshat që quhet Karakurt ku jetojnë shqiptarët e Ukrainës. Ky fshat ke më shumë se sa 200 vjet që është i banuar. Dhe për mrekulli banorët e Karakurtit vazhdojnë të mbajnë gjallë gjuhën shqiptare dhe traditat shqiptare. Jam rritur më shpirtin shqiptar, gjë që më ka përgatit mirë të dal në jetë. Më ka rritur të jem njëri me kulturë. Udhëtimi im i parë te vendi i paraardhësve të mi ka qenë në vitin 2007. Kam ndier një lidhje të fortë me shqiptarët dhe Shqipërinë. Jam ndier që i kam kuptuar dhe që më kanë kuptuar. Edhe pas 200 vjetësh flasim të njëjtën gjuhë. Kur isha në Shqipëri, kam menduar që të rinjtë e tjerë nga komuniteti shqiptar në Ukrainë duhet të kenë mundësi për të parë këtë vend. Fëmijët në shkollën e Karakurtit mësojnë shqipen bashkëkohore. Një herë në vit, mësuesja e tyre e gjuhës shqipes, Natalia Kircheva, shkon në Universitetin e Tiranës për të mësuar shqipen bashkëkohore. Pastaj ajo kthehet në Karakurt për të mësuar fëmijët.

Të dashur miqtë, kudo që të ndodheni, Karakurt 200 Vjetori i Ekzistencës së Shqiptarëve në Ukrainë, ne kemi një projekt për të realizuar së bashku! Duam të çojmë një grup fëmijësh shqiptarë nga Ukraina në Shqipëri për një pushim veror. Këta fëmijë mësojnë gjuhën shqiptare dhe historinë e Shqipërisë, por asnjëherë nuk kanë shkelur token shqiptare, shkruan justgiving.com.

https://www.justgiving.com/crowdfunding/mirabelle-supure?fbclid=IwAR0JAFF7Ifjasbkf9AULX1G9wFVvxlj9TKkj0_nxE60iEroz9uoBTBaNSkA

Mbillen fidane me emrat e dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve

Ditën Ndërkombëtare të Tokës, datë 22 Prill, Gjakova do t’ua dedikojë të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Në nderim të dëshmorëve, martirëve dhe personave të pagjetur nga Komuna e Gjakovës, nesër në varrezat e martirëve në Çabrat do të bëhet mbjellja e fidanëve.

Secili prej këtyre fidanëve do të mbart emrin përkatës, thuhet në njoftimin e Grupit të Gjakovarëve

Mbjellja e fidanëve do të zhvillohen në të gjitha rajonet e komunës së Gjakovës në data të caktuara deri më 5 qershor 2019. / KultPlus.com

Sot shënohet Dita ndërkombëtare e Tokës

Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill të vitin 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret që u quajt “Dita e Tokës”.

Edhe në Kosovë do të shënohet kjo ditë përmes mbjelljes së fidanëve dhe pastrimit të ambientit, aktivitete këto të organizuara nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Let’s Do It Kosova.

Ndryshe, më 22 prill, në mbarë botën, dashamirëse të mjedisit organizohen një varg aktivitetesh për të mirën e mjedisit dhe njeriut, si aktivitete pastrimi, gjelbërimi, pyllëzimi, manifestime në formë protestash, ekspozita, koncerte, vizita, peticione, orë edukative me nxënës, etj. / KultPlus.com

Franca nuk ka pemë të mjaftueshme për ta bërë çatinë e Notre Dame siç ka qenë

Kur katedralja e Notre-Dame të rindërtohet, ka shumë gjasë që të mos duket siç ka qenë më parë. Kjo për shkak se Franca nuk ka pemë aq të gjata sa për ta bërë çatinë e saj siç ishte.

Kështu ka bërë të ditur Bertrand de Feydeau, nënkryetari i organizatës për mbrojte dhe promovim të trashëgimisë së Francës “Fondation du Patrimoine”.

“Ne do të duhet të zbatojmë teknologji të reja që do të lënë pamjen e katedrales ashtu siç ne duam,” deklaroi ai.

De Feydeau për CNN tha se nuk është e sigurtë nëse ka pemë të mjaftueshme në Evropë që përputhen me përshkrimin e asaj që do të nevojitet për ta rindërtuar kulmin ashtu siç ishte.

Sipas faqes së internetit të Notre-Dame, për ndërtimin e saj ishin prerë 1 mijë e 300 pemë, në mes viteve 1160 dhe 1170, e shumë prej tyre ka gjasë të kenë qenë 300 deri në 400 vite të vjetra aso kohe.

Kompania e sigurimit “Groupa”, ka ofruar të paguajë për 1 mijë e 300 pemë për rindërtimin e çatisë. Kompania tha se lisat duhet të jenë nga pyjet e Normandisë, në mënyrë që të përputhen me ndërtimin origjinal të saj.

Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, të UNESCO-s, Mechtild Rosslertha se katedralja duhet të rindërtohet siç ishte në fillim.

“Ne do të përdorim metoda moderne, por duhet të bëhet ashtu sic ka qenë”, ka deklaruar Rossler.

E disa ekspertë të tjerë kanë një tjetër mendim. Sipas tyre bazuar në zjarrin e së hënës (15 prill), druri nuk do të ishte një ide e mirë për rindërtimin e kulmit.

Katedralja e Notre Damit u përfshi nga një zjarr masiv të hënën rreth orës 18:30 i cili shkatërroi dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.

Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe çatia u shembën krejtësisht.

Shkaktari kryesor i zjarrit ende nuk është vërtetuar po hetimet e para kanë treguar se dyshimi kryesor është tek qarku i shkurtër elektrik.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është zotuar se brenda pesë vitesh do të bëhet rindërtimi i saj, madje se kjo katedrale do të bëhet edhe më e bukur se që ka qenë më parë.

Deri tani për rindërtimin e saj janë grumbulluar më shumë se 1 miliardë dollar./Ndërtimi.info/ KultPlus.com

Sindroma e Arrogancës

Nga: Alfonso Hernandez
Përktheu: Bajram Karabolli

Bëhet fjalë për një sëmundje me peshë të tillë që i sjell gabimet njëri pas tjetrit, sepse, si pasojë e saj, aftësia e analizës nuk funksionon dhe vendimet apo masat e marra janë produkt i çekuilibrit, arrogancës dhe konfuzionit ekstrem.

Tani vonë lexoja një artikull të publikuar nga gazetari spanjoll Francisko Rubiales, me titull “Të qeverisur nga të çmendur të rrezikshëm”, ku autori tregon se miliona qytetarë, në gjithë botën, nuk arrijnë të kuptojnë devijimin e politikës dhe as sjelljen e politikanëve. Ata ndihen të çoroditur para mungesës së urtësisë, qartësisë dhe zellit shërbyes të politikanëve, ndihen të flakur e të shkelur nga arroganca e tyre, nga etja e tyre për privilegje dhe përfitime.

Në shkrimin e tij ai citon politikanin dhe psikiatrin David Owen, i cili ka qenë ministër i Shëndetit (1974-1976) dhe ministër i Punëve Jashtme (1977-1979) i Britanisë dhe i cili pohon se shumë prej atyre që sot na qeverisin janë të sëmurë të rrezikshëm mendorë. Sëmundja e tyre do të sqaronte çdo gjë që popullit i rezulton e pashpjegueshme, përfshi korrupsionin, padrejtësinë, gënjeshtrat, dështimet, privilegjet e politikanëve, arrogancën e tyre, abuzimet dhe bëmat e panumërta kundër qytetarëve.

Për Rubialesin, shumë prej politikanëve që sot qeverisin, janë plotësisht të sëmurë mendorë dhe kanë nevojë urgjente për trajtim intensiv psikiatrik.

Sipas David Owenit, sëmundja e tyre mendore ka simptomat e qarta të “Sindromës së arrogancës”. Pasi kreu detyrat në dy ministritë e lartpërmendura, psikiatri Owen vitet e fundit iu përkushtua mjekësisë, duke studiuar dhe investiguar trurin e njeriut. Gjatë kësaj kohe anglezi Owen ka zhvilluar një tezë mbi këtë “sindromë hybris” (teprisë). Për atë kjo sindromë është një çrregullim personaliteti, simptomat e së cilës janë izolimi (vetmia), deficiti (mungesa) i vëmendjes ndaj të tjerëve dhe paaftësia për të dëgjuar të afërmit dhe ekspertët.

David Owen (In Sickmess and in Power, 2008) shpjegon se zotërimi i pushtetit shkakton ndryshime në gjendjen mendore dhe të çon në një sjellje arrogante; në këtë rast, sëmundjet mendore duhen të quhen “Sindromë e Arrogancës” në katalogun botëror të tyre.

Francisko Rubiales më tej shtjellon se disa politikanë, pushteti i bën të humbasin arsyen, i kthen në kryelartë dhe arrogantë dhe, si përfundim, ata largohen nga realiteti. Madje, disa prej tyre i kthen në të sëmurë mendorë vërtet të rrezikshëm, të cilët, sipas Owenit, bëhen të paaftë për të marrë vendime të drejta dhe për të mirëqeverisur.

“Me të marrë pushtet, ata besojnë se tashmë janë perëndi ose të dërguarit e Zotit në tokë, adhurojnë personalitetin e tyre dhe shpesh bëhen mizorë. Disa besojnë se kjo sëmundje ndodh vetëm gjatë tiranive, por e vërteta është se ajo zhvillohet edhe gjatë demokracive, duke prekur pushtetarë që janë zgjedhur me votë të lirë”.

Sindroma e Arrogancës, tek drejtuesit që qeverisin demokracitë, të cilët nuk e kanë mundësinë të sillen tamam si diktatorë mizor, ka të tjera tipare dhe dukuri: ata ndjehen euforikë, nuk kanë skrupuj, nuk janë të vetëdijshëm për gabimet dhe dështimet e tyre dhe janë të aftë t’i zërë gjumi top, pa e vrarë mendjen për kundërshtimin masiv të qytetarëve, për pasojat e frikshme të dështimeve, për dramat dhe varfërinë e njerëzve, gjë që, për çdo person me mendje të shëndoshë, do të ishin të padurueshme. Pra, është një sëmundje me peshë të tillë që i sjell gabimet njëri pas tjetrit, sepse, si pasojë e saj, aftësia e analizës nuk funksionon dhe vendimet apo masat e marra janë produkt i çekuilibrit, arrogancës dhe konfuzionit ekstrem. Pra, janë të gjitha gjasat që kjo sindromë të jetë Sindroma e Arrogancës, e përshkruar nga psikiatri David Owen.

Rubiales konsideron se një politikan që nuk ka brerje ndërgjegjeje për rrënimet që shkakton, që nuk ndjehet aspak fajtor dhe që nuk pendohet për asgjë, që nuk preket fare përpara vuajtjeve dhe kundërshtive të masës së madhe të të papunëve, të të varfërve, të njerëzve fatkeq që ka prodhuar qeveria e tij, sigurisht, duhet të ketë humbur arsyen dhe duhet të jetë i sëmurë rëndë. Owen thotë se ata që vuajnë nga Sindroma e Arrogancës nuk janë të aftë të qeverisin dhe e çojnë vendin që qeverisin drejt rreziqeve. Nëse këta politikanë të sëmurë do ta kthjellonin sado pak gjykimin, do të jepnin menjëherë dorëheqjen. Por, këtë do ta bënin vetëm nëse do të kuptonin se janë dukshëm të paaftë psikologjikisht për të qeverisur një popull me gra dhe burra të lirë. / KultPlus.com

Roman Polanski kërkon t’i kthehet anëtarësia në Akademi

Regjisori Roman Polanski ka kërkuar nga gjykata kthimin e anëtarësimit të tij në Akademinë Amerikane të Arteve filmike dhe Shkencave për gati një vit pasi ishte përjashtuar nga ky institucion për sjellje të pahijshme.

Akademia në muajin maj të vitit të kaluar ka bërë një lëvizje të pazakontë duke përjashtuar Polanski dhe aktorin Bill Cosbyn, pak muaj pasi ajo anuloi anëtarësimin e producentit Harvey Weinstein për shkak të akuzave për keqtrajtim seksual.

Ai u ankua për vendimin dhe akademia refuzoi ankesën e tij në janar, transmeton KosovaPress.

Polanski, i cili në vitin 2003 fitoi çmimin Oskar për regjisorin më të mirë për filmin “The Pianist”, është ende një i arratisur pasi ai u vetëdeklarua fajtor për marrëdhënie seksuale të paligjshme me një të mitur në vitin 1977. Pas vendimit, ai iku nga SHBA-të dhe tash jeton në Evropë.

Ishte anëtar i Akademisë për gati 50 vjet deri në kohën kur u përjashtua dhe filmat e tij kanë qenë të nominuar për 28 çmime Oscar.

Përjashtimi i Polanskit nga grupi do të thotë se ai nuk mund t’i votojë më për kandidatët dhe fituesit, mirëpo ai dhe filmat e tij mund të fitojnë çmime Oscar.

Pas përjashtimit të Weinstein, Akademia rishikoi standardet e sjelljes për më shumë se 8.400 anëtarë. Akademia deklaroi se nuk është një vend për “njerëzit që abuzojnë me statusin e tyre, fuqinë dhe ndikimin në një mënyrë që shkel standardet e mirësjelljes”. /KultPlus.com

Ndërtohet anija turistike në Vlorë, e destinuar për ujërat shqiptare

Një anije turistike e destinuar për të lundruar në ujërat shqiptare po ndërtohet në kantierin e Vlorës, pranë Pyllit të Sodës.

10 punonjës shqiptarë dhe 2 mjeshtra turq janë angazhuar në këtë projekt, i cili do t’i japë një tjetër hov zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Ky projekt shënon po ashtu një hap përpara në industrinë e ndërtimit të anijeve në vendin tonë, një sektor që ka pasur kulmin e tij të zhvillimit dekada më parë.

Anija po ndërtohet në një kantier të vendosur në zonën e Pyllit të Sodës, ndërsa përfshirja në këtë projekt e dy mjeshtrave turq dëshmon edhe nivelin e kënaqshëm të pagesave për punëtorët e angazhuar në këtë industri.

Industria e ndërtimit të anijeve në Shqipëri i ka fillesat në Kantierin Detar Durrës, që ka shënuar historinë e flotës shqiptare.

Krahas ndërtimit të anijeve metalike, në këtë kantier kryheshin edhe riparime kapitale të anijeve të të gjitha tonazheve, në të gjithë tërësinë e anijes me një cilësi të lartë.

Kantieri Detar i Durrësit e arriti kulmin e tij mes viteve 1967-1985 kur filloi ndërtimi i anijeve metalike.

Në vitin 1968 në këtë kantier u prodhua anija metalike “Punëtori” dhe më pas lëshohet në det rimorkiatori i parë i prodhimit shqiptar “Debatik” me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 m.

Në ’85-ën, në këtë kantier u ndërtua edhe anija e tonazhit 2200 BRT, si dhe një numër i konsiderueshëm anijesh të tjera si transporti, anije peshkimi metalike të tonazheve të vogla dhe të mesme etj.


“Libri i Luftës” promovohet edhe në Zvicër

Në Zvicër do të promovohet “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi. Në libër autori paraqet përvojën dhe punën e tij dhjetëra vjeçare në gazetari.

“Libri i Luftës” është për thyerjen e censurës në Televizionin e Prishtinës, për të vërtetën e Kosovës, luftës së UÇK-së, Kosovës së lirë, etj.

Më 26 prill 2019 në orën 19:00, në Ambasadën e Republikës së Kosovës

Adresa: Zäghringerstrasse 25, 3012 Bern

Më 28 prill 2019 në orën 14:00 në restorantin “Centrum 68”

Adresa: Landstrasse 64 5436 Würenlos

Më 29 prill 2019 në orën 18:00 në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës

Adresa: 63 Rue de Lausanne, 1202 Geneve