Jacques Baudouin është ish-këshilltar i Bernard Kouchner-it, kur ishte Ministër i Punëve të Jashtme.
Jacques Baudouin botoi
“Kosova: lindja e demokracisë”, e cila gjurmon luftën e Kosovës për
pavarësi. Të martë, më 23 prill në ora 19:30, Jacques Baudouin vjen të flasë dhe të diskutojë
për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Francës. Takimi do të jetë në frëngjisht dhe
shqip.
Ardhja e Jacques Baudouin është bërë në bashkëpunim me shtëpinë botuese Buzuku dhe Ambasadën e Francës në Kosovë./ KultPlus.com
Rita Ora ka publikuar këngën e re “Carry On”, një bashkëpunim më Kygo për filmin me të ri Pokemon: Detektivi Pikachu, shkruan KultPlus.
Rita në videoklipin e këngës shihet e veshur me të verdhë dhe luan rolin e një detektive e cila është në kërkim të personazhit kryesor të filmit./ KultPlus.com
Burhan Spahiu, një nga artistët e skenës shqiptare, solist bariton i skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit është ndarë nga jeta. Ai lindi në Berat më 5 Janar 1943. Shkollën e mesme e kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe gjatë viteve 1962 – 1967 kryen studimet e larta për kanto në “Konservatorin Shtetëror të Tiranës”, në klasën e pedagogut Ramiz Kovaçi.
Pas mbarimit të studimeve emërohet solist në TOB, ku punon deri në vitin 1989. Gjatë periudhës 20 vjeçare, që ka punuar në TOB, baritoni Burhan Spahiu u dallua për realizimin e një numri të madh rolesh. Janë role nga operat shqiptare dhe nga kryeveprat botërore, ku u shqua për niveli të lartë artistik, si për vokalin, ashtu edhe për lojën skenike.
Baritoni Burhan Spahiu me zërin e tij kumbues, të ngrohtë, me lojën e shkathët, realizoi role, që kanë mbetur në mendjen e spektatorit. Të tilla janë rolet: Talipi, opera “Skënderbeu”; Shemshedini, opereta “Brigada e grave”; Frroku, opera “Përtej mjegullës”; Marcello, opera “La Boheme”; Papuli, opereta “Dhëndrri u transferua”;
Gjeta, opera “Mrika”; Shahin Miluka, opera “Zgjimi”; Kristoja, opera “Lulja e Kujtimit”; Figaro, opera “Berberi i Seviljes”; Rusbashi, opera “Goca e Kaçanikut”; Murrashi , opera “Toka Jonë”; Escamillo, opera “Carmen”; Germont, opera “La Traviata”; Mark Suta, opera “Borana”; Alfio, opera “Cavalleria Rusticana” dhe mjaft role të tjera.
Ka realizuar një numër shumë të madh koncertesh me një repertor të pasur edhe në gjini të tjera vokale si arie, duete, romanca e këngë popullore. Në fushën e pedagogjisë, është një ndër pedagogët më të suksesshëm të Akademisë së Arteve. Një numër i madh studentësh, që kanë mbaruar në klasën e tij, sot, janë artistë të TKOB-së, fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Për aktivitetin e tij, Burhan Spahiu është vlerësuar me çmime e urdhëra të ndryshëm gjatë karrierës së tij artistike. Baritoni Burhan Spahiu ka vendin e tij të merituar në TKOB e artin shqiptar./gazeta-shqip/ KultPlus.com
Sot në ora 19:00 bëhet hapja e ekspozitës “Grafika nga Trashëgimia Kulturore e Qarkut Korçë”, e cila do të mbahet në Galerinë e Hamamit të Gazi Mehmet Pashë, në Prizren.
Përmes kësaj ekspozite do të shfaqen pjesë të trashëgimisë kulturore të Korçës.
Kjo ekspozitë organizohet në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Korcë-së dhe të Prizenit dhe mbahet në kuadër të kalendarit kulturor në mes Kosovës dhe Shqipërisë./ KultPlus.com
Një rol tjetër i rëndësishëm do i shtohet listës së roleve të shumta që ka interpretuar sopranoja e njohur kosovare, Marigona Qerkezi, shkruan KultPlus.
Qerkezi, do të ketë rolin e Donna Anna-së në operën “Don
Giovani” që do të mbahet në teatrin
nacional në Tokyo. Qerkezi është kosovarja e parë që performon në Operën e
Tokyos.
“Shumë e lumtur që të
debutoj një rol kaq të bukur në teatrin
e mrekullueshëm të operës në Tokyo”, është shprehu Qerkezi në një postim në Facebook.
Në Tokyo do të jepen gjithsej pesë shfaqje, e në të gjitha këto shfaqje sopranoja kosovare do të performojë në rolin e Donna Anna-s. Opera do të shfaqet më 17, 19, 22, 25, dhe 26 maj./ KultPlus.com
Një numër i veprave të Franz Kafka-s të papublikuara dhe të fshehura për një kohë të gjatë mund të publikohen së shpejti, pas një beteje të gjatë mbi pasurinë e tij letrare që ka tërhequr krahasime me disa nga tregimet e tij surreale.
Një gjykatë në Cyrih përkrahu vendimin e Izraelit në një seancë javën e kaluar duke vendosur se kutitë e ruajtura dhe përmbajtjet e tyre duhet të transportoheshin në bibliotekën kombëtare të Izraelit.
Veprat mund të hedhin dritë në një nga figurat më të errëta të letërsisë, një hebre gjermanfolës nga Praga, pasuria kulturore e të cilit ka shkaktuar kundërshtime të mëdha mes Izraelit dhe Gjermanisë.
Ekspertët kanë spekuluar se kutitë mund të përfshijnë përfundime të disa nga veprave më të mëdha të Kafkas, shumë prej të cilave ishin të papërfunduara kur u publikuan pas vdekjes së tij.
Gjykata supreme e Izraelit ka zbuluar një koleksion të dorëshkrimeve të Kafkas, të cilat ishin të fshehura në një kasafortë në një nga bankat e Izraelit dhe në një apartament në Tel Aviv. Por, tani vendimi i Zvicrrës mund të përfundojë bashkimin e gjithë koleksionit të veprave të njohura të Kafka-s.
Kafka, emri i të cilit është bërë mbiemër për të përshkruar procese të padepërtueshme ligjore ose burokratike, ishte i njohur për tregimet e tij ku protagonistë të zakonshëm përballeshin me ngjarje misterioze. Në librin e tij “Procesi”, një punonjës i bankës vendoset në një gjykatë torturuese, pa i ditur kurrë akuzat që janë ngritur kundër tij./Kosovalive360/ KultPlus.com
Nga nesër në Kosovë besimtarët katolikë do të fillojnë festimin e Pashkëve. Festa e Pashkët shënon ditën kur të krishterët besojnë se është ringjallur Jezu Krishti. Kjo është festa më e rëndësishme e të krishterëve.
PROGRAMI:
VIGJILJA E PASHKËVE, e shtunë, 20 prill:
Mesha Solemne/Qëndore e Pashkëve, do të kremtohet në
Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në ora 21:00, të cilës do
t’i prijë Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, SH. T. Imzot Dodë
Gjergji. Në mbarim të meshës, do të ndahen vezë të pashkëve për fëmijë dhe të
pranishëm. Kjo meshë do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni i
Kosovës (RTK).
DITA E PASHKËVE, e diele, 21 prill:
Ora 11:00: Mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në
Prishtinë.
(Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Sh. T. Imzot Dodë
Gjergji, do të kremtojë meshën e Ditës së Pashkëve në Katedralen Zoja
Ndihmëtare në Prizren, në ora 11:00).
Ora 18:00: Mesha në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë,
Prishtinë.
PRITJA SOLEMNE E PASHKËVE
E Diele, ora 19:00 – 20:00: Pritja Solemne për Pashkë në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet poshtë Katedrales Shën Nënë Tereza Prishtinë, e cila organizohet nga SH. T. Imzot Dodë Gjergji./ KultPlus.com
Violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Çesari, ishte i ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” për të rrëfyer fëmijërinë e tij dhe rrugëtimin e një karriere të suksesshme. Ai tregoi se ka nisur t’i bjerë violinës që në moshën 3-vjeçare dhe prej asaj kohe prindërit e kishin nxitur të studionte, pasi kishin kuptuar që kishte vesh për muzikë.
“Unë kisha një jetë ushtarake në atë periudhë, nuk ia këshilloj asnjë kalamani atë lloj jete. Zgjohesha shumë herët në mëngjes dhe dilja, bëja gjysmë ore vrap dhe pastaj bëja një orë – një orë e gjysmë violinë e më pas shkoja në shkollë”, tregoi Oleni, duke lënë të kuptohej se në fakt fëmijëria e tij ka qenë shumë ndryshe nga ajo e fëmijëve të tjerë, edhe pse sot, sipas tij, çdo gjë ia ka vlejtur.
“Them se kam qenë me fat që kam bërë atë lloj regjimi, që sot kam një zanat që e adhuroj dhe më lejon të xhiroj botën, të bëj koncerte” shtoi më tej ai.
Së fundmi, Oleni është rikthyer në Tiranë për të dhuruar spektakël në datat 23 dhe 24 Prill. Bashkë me të do të jetë edhe një grup muzikantësh që vijnë nga vende të ndryshme të botës, për të ndezur atmosferën në Pallatin e Kongreseve./javanews/KultPlus.com
Një fotografi e babait me të bijën e saj përpara katedrales së Notre Damit, disa minuta përpara se ajo të përfshihej nga flakët, u përhap në internet, ku autorja e fotografisë kërkoi që t’i gjente ata, raporton BBC.
Brroke Windsor, 23 vjeçare tha babai dhe vajza që ajo e fotografoi rreth një orë përpara se katedralja të përfshihej në zjarr, janë gjetur.
Fotografia e saj, ku shihen babë e bijë duke luajtur përpara monumentit 850 vjeçar, u bë virale në internet, dhe u shpërnda shumë.
Ajo tha për BBC se dëshironte që ata (babai dhe vajza) ta kenë këtë foto si kujtim pasi që katedralja nuk është më.
Madje Brooke Windsor shkruan se personi në fotografi i shkroi asaj një mesazh, raporton fmimages.
“Kërkimi mbaroi! Fotografia ka arritur te babai dhe familja. Ai ka zgjedhur që të mbetet anonim për ta nderuar tragjedinë dhe ju shkruan ‘Faleminderit përsëri për këtë fotografi të bukur, ne do ta gjejmë një vend të veçantë për të.’ Faleminderit të gjithëve që e keni shpërndarë fotografinë dhe faleminderit për fjalët tuaja të mira” shkroi Windsor në Twitter.
Fotografia e babait që luan me vajzën e saj, u shkrep disa momente para se katedralja të digjej, dhe ngjalli reagime të mëdha të njerëzve në Twitter, që u përpjekën ta gjenin, dhe rezultoi me sukses.
Ambasada e Francës në Kosovë, ka falënderuar përfaqësuesit politik, fetarë dhe shoqërinë civile të Kosovës, për mbështetjen e tyre, pas zjarrit në katedralen e Notre-Dame në Paris.
Në një postim në Facebook ata kanë shkruar se këto mesazhe të bashkëndjesisë dhe miqësisë prekin thellësisht popullin francez.
“Franca falënderon gjithashtu Qeverinë e Kosovës për kontributin e saj në fondin për restaurimin e Notre-Dame”, thuhet në njoftimin e tyre.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për rindërtimin e katedrales Notre-Dame, e cila u përfshi nga flakët duke shkatërruar kështu një pjesë të katedrales.
Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, se do të ndajë mjete nga buxheti i shtetit, kishte ngjallur reagime të shumta.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Franca nuk ka nevojë për këto para, por për to janë në nevojë kosovarët që po përballen me mungesë fondesh për shërim, e atyre u kërkohen edhe gjëra bazike, sikur janë dorëzat sterile për lindje.
Kurse, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar që në vend se të ndihmohet Franca, Qeveria duhet t’i ridestinojë paratë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale./koha.net/ KultPlus.com
Çfarë e ke ti dritën me qiellin mos je fis kur sytë e tu me gjejnë unë vetëtijë, apo jo? flakërima që të përshkon fytyrën ky pyll i ndezur nga flokët e tu energji përhumbëse e mendjes bluja e drit’hënës mos është nga buzët e tua mos është pasuri e dritës çfarë ke veshur është pluhur kozmik apo yjesh çasti kur dora jote prek timen unë çel diej, a thua prej kësaj çfarë e ke ti dritën./ KultPlus.com
Sopranoja e famshme shqiptare brenda këtij viti do të prezantohet me një koncert në Tiranë, shkruan KultPlus.
Ky koncert do të mbahet në Tiranë, përkatësisht
në sheshin “Nënë Tereza” e cila ka të bëjë me kauzën “Fjongo Rozë”, që i dedikohet
luftës së kancerit të gjjirit.
Ermonela Jaho për këtë koncert në Tiranë ka konfirmuar për KultPlus e cila ka thënë se koncerti i Tiranës do të jetë në një periudhë të ngjeshur të paraqitjeve të saj nëpër botë, pasi që, dy koncerte të tjera po në atë periudhë janë paraparë edhe për Barcelonë.
Jaho ka thënë për KultPlus se ky koncert është një kontribut i saj personal për Shqipërinë, sikurse që ka konfirmuar se ky koncert do të mbahet në muajin tetor të këtij viti./KultPlus.com
“Për ata që nuk frikësohen nga vetmia, çdo gjë do të shijojë ndryshe. Në vetmi, ata do ta zbulojnë dashurinë, e cila në raste të tjera do të mbetej e pa vënë re. Në vetmi, ata do ta kuptojnë dhe respektojnë dashurinë e cila i ka lënë ata. Në vetmi, ata do të jenë në gjendje të vendosin nëse i’a vlenë të kërkohet që dashuria e humbur të kthehet ose nëse thjeshtë duhet ta lënë të shkoj dhe të fillohet një shteg i ri. Në vetmi, ata do të mësojnë se të thuash “jo”, nuk do të thotë gjithmonë mungesë e zemërgjerësisë dhe se të thuash “po” nuk është gjithmonë virtyt.
Dhe ata që janë të vetëm në këtë moment, nuk kanë nevojë kurrë të frikësohen nga fjalët e djallit: “Ti je duke e humbur kohën tënde”, ose madje edhe nga fjalët edhe më të forta të prijësit të djajve: “Askujt s’i bënë për ty”.
Energjia hyjnore është duke na dëgjuar neve, kur u flasim të tjerëve, por ajo gjithashtu na dëgjon edhe kur jemi të qetë dhe të heshtur dhe në gjendje për ta pranuar vetmin si bekim. Dhe, atëherë kur t’a arrijmë atë harmoni, ne marrim edhe më shumë se sa që kemi kërkuar./ filozofia.al/ KultPlus.com
Qendra Multimedia në bashkëpunim me Reading Balkans kanë sjellë sot në Prishtinë shkrimtarin Stefan Boskovic, i cili është pjesë e rezidencën letrare “Prishtina nuk ka lum”, shkruan KultPlus.
Tema që u diskutua ishte “Interpretimi prej perspektivës së fajësisë fëmijërore”. Kjo temë rrjedhë nga tregim “ Përbindëshat” që u lexua paraprakisht nga vet autori, i cili do të qëndrojë në Prishtinë gjatë muajit prill.
Tregimi “Përbindëshat” shtjellon aspektin kur fëmija kalon në adoleshencë, ndeshjen e tij me prindëri , perspektiva e fëmijës dhe perspektivën e prindërit dhe momentin kur të gjitha këto ndeshen mes veti. Në këtë tregim autori sjellë edhe një pjesë nga fëmijëria e tij, atëherë kur edhe ia ka marrë babait të tij parat fshehurazi, edhe pse shuma e tyre ishte shumë më e vogël se ajo në tregimin e tij. Ky tregim ka sipas tij ka shërbyer si një terapi psikologjike edhe për të.
“Adoleshenca është një prej temave që punoj më së shpeshti edhe në qoftë se personazhet janë të rritur. Për mu është më rendësi me u nis prej perspektivës së fëmijës i cili është duke kaluar në moshën e adoleshencës për shkak se këtu bëhet njëfarë kapërcimi prej perspektivës së pafajësisë së fëmijës tek gjërat të cilat janë relevante për botën e të rriturve”, tha Boskovic.
Fëmija i cili gjendet në qendër të këtij tregimi mendon se është
shkaktar i grindjeve që prindërit e tij kanë mes veti. Madje ai beson se gjithë
kjo është si pasojë se ai ka vjedhur disa para. Sipas tij situata të cilat
kalojnë fëmijët dhe mënyrat sesi ata i perceptojnë gjërat ndikojnë pastaj në mënyrën
sesi ata formësohen dhe mendojnë si të rritur.
“Unë mendoj që është shumë me rëndësi të trajtohen tema apo
mënyrën se si plasohen problematikat e ndryshme në moshën e hershme dhe si ndikojnë
më pas në atë se kush bëhemi kur të rritemi”, tha autori.
Ky tregim është pjesë
e marrë nga tregimet e tij “Shtazët transparente”, ku të gjitha tregimet kanë
një të përbashkët atë të trajtimit të marrëdhënieve në familje.
“Në përmbledhje janë 15 tregime që në fakt kanë tema të ndryshme dhe janë si pjesë të një kompozicion muzikorë që është më i madh. Në këto tregime, tema e adoleshencës gjithmonë mbizotëron dhe rikthehet në çdo tregim, si një romance apo një aferë dashurie mirëpo te gjitha kanë të përbashkët trajtimin e hapësirës dhe relacionit me familjen”, theksoi tutje autori.
Stefan Boskovic ka mbaruar shkollën e mesme muzikore “Vasa Pavić” në Podgoricë. Ka studiuar në Akademinë e Muzikës në Cetinje. Ai u diplomua në dramaturgji në Fakultetin e Arteve Dramatike në Cetinje. Ai ka botuar edhe tregime të shkurtra: “Në pikën e vdekjes”, “Gjërat e mia të preferuara”, “Kafshët transparent” (Ars, 2014. Libri Partizane 2017)./ Xheneta Uka/KultPlus.com
Një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë shkëlqyer në një garë me 380 universitetet më të mira të botës. Lista e top universiteteve botërore të cilat mbetën prapa UP-së në garën nga fusha e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit ndërkombëtar përfshin edhe Harvardin.
Gara e cila është mbajtur në Vjenë të Austrisë, është e organizuar në disa runde. Kumtin për këtë sukses e ka dhënë deputetja Vjosa Osmani, njëherësh profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
“Në garë me 380 universitetet më të mira në botë, këta studentë shkëlqyen duke e rradhitur Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës në top 15% të universiteteve garuese në Willem C. VIS, garë nga fusha e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit ndërkombëtar. Për ta kuptuar se sa e jashtëzakonshme dhe çfarë historie është bërë, këtu janë vetëm disa nga Universitetet me famë botërore që ekipi i studentëve tanë të jashtëzakonshëm I LA PRAPA: Yale University, Harvard University, Duke University, Columbia University, Stanford University, New York University, Cornell University, Georgetown University, Northwestern University, Oxford University, Queen Mary University of London, King’s College London, Queen’s University, London School of Economics, e mbi 300 të tjera. Pra, UP u rangua para tyre. Dhe kjo nuk është hera e parë sepse ekipi ynë arriti sukses të ngjashëm edhe në vitin 2017”, ka thënë Osmani, përcjell Koha.net. “A nuk është kjo e jashtëzakonshme e historike”, ka pyetur më tej profesoresha.
Osmani ka thënë tutje se “e gjithë Kosova, me të drejtë, mburren me të arriturat e të rinjve tanë në sport e në muzikë”, shkruan koha.net.
“Madje një Kosovë e tërë çohet në këmbë thjeshtë për kualifikim në gara sportive. Por asnjë reagim i vetëm për këtë performancë historike të studentëve tanë. Asnjë shprehje e mirënjohjes që na zbardhën fytyrën para tërë botës. Që i lanë pa fjalë me prezantimet e tyre profesionistët më të njohur në botë në fushën e drejtësisë. Madje u desh për një vit të tërë të kërkojmë fonde në mënyrë që të mundësohet pjesëmarrja e tyre në këtë garë pas një vit pune e përgatitjeje të pandalshme”, ka thënë Osmani. “Mos harroni, asnjë shtet nuk ka ecur përpara dhe nuk është zhvilluar vetëm nëpërmjet muzikës e sportit. POR, çdo rast i shteteve të suksesshme e të zhvilluara kanë një të përbashkët: investimin në arsim”, ka thënë më tej ajo.
Osmani tutje ka përmendur emrat e studentëve pjesëmarrës në atë që është e njohur si “Olimpiada e Drejtësisë”. Ka kërkuar që këta emra të mbahen mend për të ardhmen: Levik Rashiti, Vlera Rexha, Yll Sadiku, Gerta Ragipi, Zgjim Mikullovci, Donika Bunjaku.
“Suksesi i tyre është dëshmia më e mirë se kur ka meritokraci Kosova mund të ketë sukses. Sepse shkaku i punës së tyre suksesi i Universitetit të Prishtinës u paraqitë para tërë botës – para mijëra pjesëmarrësve nga e gjithë bota. Krenari e kënaqësi e jashtëzakonshme për mua e Donikë Qerimin që punuam me këta studentë të talentuar dhe me shumë të tjerë përgjatë këtyre 17 viteve që angazhohemi për këtë sukses e për këtë moment. Falenderim i pafund për GIZ, Qeverinë gjermane dhe UP-në që besuan në ne dhe mundësuan pjesëmarrjen e ekipit të Universitetit të Prishtinës në këtë ngjarje që me të drejtë nga BBC është quajtur ‘Olimpiada e Drejtësisë’”, ka thënë ajo./ KultPlus.com
Yll Rugova, iniciues i kandidaturës së Prishtinës për bienalen evropiane të artit “Manifesta 2022”, ka thënë se kryeqyteti i Kosovës e ka fituar këtë kandidaturë.
Sipas tij, Prishtina akoma s’ka nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, por ka shtuar se kanë marrë konfirmim nga Roterdami që Prishtina është zgjedhur për të qenë nikoqire e edicionit të vitit 2022.
“Është lajm shumë i mirë që po na gëzon të gjithëve që Prishtina po mundet me qenë nikoqire për një ngjarje kaq të madhe. Kemi marrë konfirmimin nga Roterdami që Prishtina është përzgjedhur në grupin e ‘Manifestës’ për të qenë nikoqire e edicionit 2022, kurse formalizimi bëhet në fillim të muajit maj mes komunës dhe ‘Manifestës’ pas së cilës bëhet një komunikatë për media e besoj se pastaj ky lajm do të jetë edhe lajm botëror”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.
Sipas tij, megjithatë, ekziston rreziku që të shkaktohen probleme nga institucionet dhe të humbet kjo mundësi.
Ai ka bërë të ditur se në shpalljen e kandidaturës Prishtina ka thënë se do të presë 200 mijë vizitorë, ndërsa ish-drejtori i Kulturës në Prishtinë ka shtuar se presin rreth 20 milionë euro të hyra për qytetin./KultPlus.com
Nëse qaj mund të ma ndjeni zërin Në vargjet e mia; Mund ti prekni, Lotët e mi, o duar? S’e dija sa të bukura ishin këngët, Sa boshe fjalët Para se t’më zinte ky hall
Ka një vend, e di Aty çdo gjë mund të thuhet, Jam afruar shumë, e dëgjoj, Nuk mundet ta shpjegoj./ KultPlus.com
Dje në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Shtimes, është hapur ekspozita e titulluar me emrin “Reinkarnacion Artistik”. Kjo ekspozitë është hapur për nder të 10 vjetorit të vdekjes së piktorit, Sherif Beqa shkruan KultPlus.
Në ambientet e galerisë së shtëpisë së kulturës në Shtime u ekspozuan mbi tridhjetë punime të realizuara nga piktori gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe gjatë dhjetëvjetëshit të parë të lirisë. Veprat artistike të piktorit që u përkujtua, sa me mall, e po aq edhe me krenari, ishin të realizuara në teknika dhe materiale të kombinuara, tema boshte e të cilave ishte motivi i atdhedashurisë, duke pasqyruar vuajtjet e popullit të shtypur nga tirania serbe para çlirimit.
Në anën tjetër një pjesë e veprave kishin reflektimin e
realitetit të ri në vend, duke mos lënë anash as aspektin social dhe natyrën e
vdekur, të realizuara me mprehtësinë artistike që e shquan autorin e këtyre
veprave.
Në praninë e shumë qytetarëve të kësaj qyteze, mysafirëve të ftuar nga institucionet lokale dhe qendrore, bashkëkohësit e artistit adresuan para të pranishmëve evokime kujtimesh nga krijimtaria e profesor Sherif Beqës si piktor si dhe nga veprimtaria e tij si atdhetar.
Ekspozita “Reinkarnacion Artistik”, do të jetë e hapur edhe gjatë dy ditëve të ardhshme./KultPlus.com
Premiera e sezonit të 8-të kishte 55 milionë shikime të pirateruara, shkarkime dhe torrente në 24 orët e fundit.
Game of Thrones u rikthye në HBO të Dielën me disa prej vlerësimeve më të mëdha dhe audienca të çmendura.
Nga këto 55 milionë shikime të pirateruara, pjesa më e madhe vinin nga transmetime jo zyrtare, shkarkimet përbënin 12.2%, torrentet publike 10.5% dhe torrentet private 0.5%.
Krahasuar me HBO, ky i fundit pati 17.4 milionë shikime në të tre platforma, dy në internet dhe një kabllor. 11.8 milionë shkuan përmes platformës kabllor TV dhe 5.6 milionë përmes kanaleve zyrtare të kompanisë në internet.
Pjesa më e madhe e shikimeve të pirateruara të Game of Thrones vinin nga India me 10 milionë dhe Kina me 5 milionë. Në SHBA ishin vetëm 4 milionë shikime ilegale./insajderi/ KultPlus.com
Dio Dragaj është emri më i ri shqiptar që pritet të shijojë suksese në arenën ndërkombëtare në muzikë.
Talenti kosovar ka arritur që pas disa performancave të mrekullueshme të sigurojë pjesëmarrjen në finalen e “The Voice Kids” të Gjermanisë.
14-vjeçari, që është edhe i biri i Adnan Dragajt, ish-frontmenit të grupit të njohur “Humus”, në audicionet e fshehta kishte bërë që anëtarë të jurisë edhe të ngriheshin në këmbë duke kërkuar që ai të bëhej pjesë e grupeve të tyre.
Dragaj do të paraqitet në finalen e madhe të dielën e 21 prillit me fillim prej orës 20:15 në kanalin televiziv SAT1, ku edhe do të kuptohet si mund të votohet nga publiku për kosovarin.
Disa nga performancat e shkëlqyeshme të tij mund t’i ndiqni më poshtë./koha.net/ KultPlus.com
Për tri ditë radhazi Prishtina do të jetë qendër e letërsisë gjithë kjo falë edicionit të ri të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – POLIP. Duke filluar nga 10 maj shkrimtarë, muzikantë e artistë nga vende të ndryshme do të sjellin me të rejat e letërsisë në Qendrën Multimedia, shkruan KultPlus.
Festivali ‘polip’ është ngjarja më e madhe letrare në Kosovë. Në kuadër të festivalit ftohen shkrimtarë, muzikantë e artistë nga vende të ndryshme të botës. Hyrja për të gjithë të interesuarit është falas ndërsa të gjitha aktivitetet mbahen në shqip dhe anglisht. Veç leximeve, ashtu si çdo edicion edhe ky edicion i ri do të sjellë edhe diskutime shumë interesante.
Edicioni i IX i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – POLIP do të fillojë më 10 maj dhe do të përfundojë më 13 maj.
Vitin e kaluar motoja e këtij festivali ishte “Republika e Lirë e Letërsisë”, ndërsa në hapje të tij ishte kujtuar shkrimtarin Kujtim Paçaku./ KultPlus.com
Arbëreshët në Itali janë duke festuar Pashkët dhe si çdo vit ashtu siç e kanë tashmë traditë kanë veshur kostumet e tyre tradicionale.
Veshjet tradicionale, të përdorura fillimisht si një veshje e përditshme ose për dasma, sot vishen si një shenjë e vërtetë e dallimit, prestigjit, krenarisë dhe përkatësisë.
Çdo veshje ka veçantinë e saj: ka rrip, harqe, vello, kapele, të gjitha të bëra me materiale me cilësi të lartë dhe punë artizanale. Ngjyra më e zakonshme është e kuqja , përpos kostumeve të veçanta ata sot vendosin në kokë plisin me flamur shqiptar.
KultPlus ju sjellë fotografi të realizuara nga fotografi Mario Calivà në Horën e Arbëreshëve./KultPlus.com