Historia e panjohur e heroit nga Mitrovica, Isa Boletini (VIDEO)


Ajo është padyshim një ndër fotografitë më kuptimplota të historisë shqiptare. Ismail Qemali, kryeministri i parë i Shqipërisë qëndron krah Isa Boletinit, prijësit të hekurt.

Në fakt, të dy personalitetet shfaqen me njëri-tjetrin në mjaft të tilla, e kjo nuk është një rastësi. “Plaku i Vlorës”, një diplomat i vjetër e me eksperiencë, kërkonte të tregonte në këtë mënyrë jo thjesht në atë kohë, por duke e fiksuar edhe në histori përmes këtyre fotografive, lidhjen e fortë me Isa Boletinin.

Cila është jeta e Isa Boletinit? Të fshehtat dhe të pathënat e tij? Betejat e dokumentuara, por edhe ato më pak të njohura. Si ishte Isa Boletini në planin njerëzor dhe çfarë marrëdhëniesh kishte me disa ndër figurat e kohës.

Vrasja në pabesi nga trupat malazeze dhe shumë të vërteta të tjera, shpesh të mbuluara, të gjitha këto vijnë në një dokumentar për jetën e tij, në TCH.

“Isa Boletini me kobure ishte më shume se aq”, shprehet ndër të tjera Nuri Bexheti.

“Pra këto nuk kanë të bëjnë me hapa që do ta bënin të diskutueshme figurën e Isa Boletinit”, thotë Maringlen Verli.

“Normalisht duhet të kishim edhe fotografi të tjera të momentit të mbërritjes së Isa Boletinit në Vlorë”, deklaron Niko Kotherja.

“Isa Boletini ishte i gatshëm të vdiste për shqiptarizëm, kjo është e vërteta”.

“Isa Boletini gjithmonë ka pas ardhur këtu te shtëpia jonë”, thotë Isa Shefqet Dollapi.

Për të parë dokumentarin për Isa Boletinin klikoni KËTU

Meghan e Harry: Mos na sillni dhurata, bëni bamirësi

Meghan e Harry kanë hapur një llogari të tyren në “Instagram”, që vetëm në pak ditë ndiqet nga mbi 4 milionë persona.

Në prag të të bërit prindër, çifti mbretëror falënderon ata që i kanë qëndruar pranë gjatë pritjes së fëmijës së tyre të parë, por bënë një apel: “Mos na bëni dhurata neve, bëni bamirësi”, transmeton tch.

Në postimin e publikuar shkruhet:
Duka dhe dukesha e Sussex janë jashtëzakonisht mirënjohës për shprehjen e dashurisë dhe mbështetjes në prag të lindjes së fëmijës. Çifti ka planifikuar prej kohësh të inkurajojë publikun të heqin dorë nga dhuratat dhe më mirë të bëjnë një donacion për shoqatat që mbështesin fëmijët dhe prindërit në vështirësi.

Nëse kë bërë një donacion, çifti të falënderon pafundësisht, nëse po e mendon ta bësh, atëherë mund t’u drejtohesh organizatave @thelunchboxfund, @littlevillagehq, @wellchild, e @baby2baby. Faleminderit për dashurinë tuaj”. / KultPlus.com

Bebe Rexha flet me krenari: Jam shqiptare dhe flas shqip (VIDEO)

Në shoun e njohur televiziv amerikan “Jonathan Ross Show”, e ftuar për këtë javë ishte këngëtarja e njohur shqiptare Bebe Rexha e cila gjatë emisionit shpalosi shumë gjëra nga jeta e saj, shkruan KultPlus.

Këngëtaret shqiptare që po bëjnë karrierë në botë, shumë shpesh po pyeten edhe rreth kombësisë së tyre. Edhe kësaj radhe Bebe nuk i shpëtoi kësaj pyetje.

Ajo u pyet nga moderatori se a është me rrënjë shqiptare dhe a flet shqip. Bebe pohoi se di të flas në gjuhën shqipe po jo aq mirë sa në anglisht.

“Po jam shqiptare dhe flas shqip nganjëherë, por më mirë e flas gjuhën angleze.”

 Ajo tutje foli edhe për prindërit e saj dhe përkrahjen e vazhdueshme që merr nga ta.

“Prindërit e mi më përkrahin shumë, ata janë shqiptarë dhe vizitojnë shumë shpesh trojet shqiptare”, tregoi Bebe duke u ndjerë krenare për prejardhjen e saj.

Këngëtarja shqiptare gjatë kësaj interviste, foli tutje edhe për paraqitjet e saj skenike dhe për problemet që kishte me dizajnerët e modës.

Ajo tregoi se për qilimin e kuq të Grammys, shumë dizajnerë refuzuan ta vishnin për këtë event shumë të rëndësishëm për karrierën e këngëtares, për arsye se e konsideronin atë me përmasa shumë të mëdha trupore. Por Bebe vendosi të vishej me fustanin që ajo ndihej mirë pa i interesuar komentet e dizajnerëve.  Ajo thotë që në fustanin e kuq u ndje si princeshë.

Bebe Rexha me këtë rast dha një mesazh për të gjitha vajzat.

“Pavarësisht a janë mbi peshë ose jo, femrat dhe gratë duhet ta pëlqejnë trupin e tyre sido qoftë”, tha Rexha.  / KultPlus.com

Mjekja shqiptare që ligjëron në universitete britanike

Profesoresha universitare në Angli, thotë se të qenit mjeke në Mbretërinë e Bashkuar është një sfidë e madhe, ashtu si edhe në çdo vend të botës.

Ardiana Gjini Beeley është Specialiste e Shëndetit Publik në Bristol të Anglisë.

Ardiana ka rrëfyer në emisionin “Histori Suksesi” në RTV Dukagjini hapat e karrierës së suksesshme të saj si dhe njohja me bashkëshortin e saj.

Mjekja e lindur në Gjakovë, kishte qenë studente në Universitetin e Prishtinës në momente shumë të vështira për Kosovën.

“Për shkak të masave të dhunshme në Kosovë, u detyrova të regjistrohem në Sarajevë , por edhe atje më zuri lufta dhe prapë u ktheva në Kosovë ku edhe diplomova në mjekësi”, tregon ajo, përcjell albinfo.ch.

Ardiana tregon se në vitin 1996 kishte filluar karrierën si mjeke në Spitalin e Gjakovës dhe me fillimin e luftës iu bashkëngjitë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Me eskalimin e situatës dhe intensifikimin e luftës u zhvendosa në Shqipëri ku edhe atje punova në institucione të ndryshme shëndetësore. Pas luftës u ktheva bashkë më OBSH dhe kontribuova për rimëkëmbjen e sistemit shëndetësorë”.

Gjakovarja tregon se ajo shkoi në Angli për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm, por fati deshi që ajo të njihte të dashurin e saj që tashmë janë të martuar.

“Në verën e vitit 2003 pasi kishte përfunduar studimet për Master takova bashkëshortin tim tashmë…Tashmë në Kosovë jemi një shoqëri më e hapur, në atë kohë kultura jonë ishte më pak e hapur. Martesa me një të huaj kishte vështirësitë e veta, dhe në fillim kishte aspekte shokuese, por edhe familja ime e kuptoi se jeta ime nuk ishte domosdoshmërisht e lidhur patjetër me Kosovën”, rrëfen Ardiana Gjini Beeley.

Mjekja tregon se edhe sot në Angli ka diskriminime ndaj të huajve e madje edhe ndaj grave.

“Jam ndoshta e vetmja jo e huaj në pozitën që unë drejtoj në Angli…Ka sfida që ndoshta nuk janë shumë të këndshme për sukses në atë vend”, thotë Ardiana.

Profesoresha universitare në Angli, thotë se të qenit mjeke në Mbretërinë e Bashkuar është një sfidë e madhe, ashtu si edhe në çdo vend të botës.

“Kam pasur shumë net pa gjumë për vendimet që kam marrë në lidhje me jetën e pacientëve, por fatmirësisht nuk kam pasur ndonjë situatë problematike”, thotë Ardiana Gjini Beeley.

Duke folur për sistemin shëndetësor në Kosovë, ajo ka thënë se është pozitive se nga momenti kur ajo e ka lënë punën në Kosovë, jetëgjatësia mesatare është rritur.

“Kur unë kam punuar mjeke në Kosovë jetëgjatësia mesatare ishte 67 vjet, ndërsa tani e ka kaluar 70-tën”, thotë ajo. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/pg/tvdukagjiniofficial/videos/

Haradinaj: Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan kush janë dhe nga vijnë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të premten udhëtoi në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës me ftesë të komunitetit katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, mbrëmë ka marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

“Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë. Ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin, e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjtë që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër”, kështu tha kryeministri  Haradinaj, në fjalën e tij, në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, i ftuar nga Komuniteti Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se sot ndihet jashtëzakonisht i nderuar që e ndajnë këtë kohë bashkë duke thënë se bashkëkryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail – Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.

“Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-ës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit. Jam sot me ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përçark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë”, shtoi ai.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj theksoi se toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetesës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjtën Nënë Terezën.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Shumë i nderuar të isha në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe shqiptarë të të gjitha trojeve tona, në shënim të 108-vjetorit të Kryengritjës së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare. Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, i kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garancë e thellimit të miqësisë së përhershme me ShBA-në”, ka shkruar Haradinaj.

Në nderim të kësaj date dhe gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe, në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim.

Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së. / KultPlus.com

Ritet e lindjes në Zym të Hasit

Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht si vazhdimësi e jetës së familjes. Hedhja mbi koka të krushqve grurë dhe sheqerka simbolizon pjellorinë – vazhdimin e jetës. Edhe kulaçi i nuses simbolizon pjellorinë, sikurse edhe vënia tre plisave mbi kokën e nuses. Rrethi i Grave në Zym – gjinekologji e kohës

Shkruan: Frrok Kristaj

Për botëkuptimet popullore martesa ka për qëllim kryesor shtimin e njerëzimit, përkatësisht sjelljen në jetë të fëmijëve. Ndërkaq, ardhja në jetë e fëmijëve paraqet ngjarje me rëndësi, gëzim të çiftit bashkëshortor, të familjes dhe të farefisit më të gjerë (Drita Statovci “Elemente mitologjike dhe demonologjike në doke e zakone të lindjes”, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr. 18, viti 1988, faqe 173-191).

Nga dëshira e madhe për t’u përtërirë jeta, përkatësisht për të pasur pasardhës, populli (pa dallim nacionaliteti, besimi, race apo vendi) ka krijuar doke e zakone të llojllojta, të cilat jetësohen në raste të caktuara të çastit të lindjes. Dukuritë e këtilla janë dëshmi e një vetëdijeje shoqërore, gjegjësisht janë dëshmi e një shkalle të zhvillimit njerëzor.

Te tradita shqiptare, pra edhe në Zym të Hasit, ardhja në jetë e fëmijës paraqet gëzim në familje.

Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht shihet si vazhdimësi e jetës së familjes. Dëshira për të pasur pjellori – fëmijë, në fakt shfaqet që në ditën e martesës – në ditën e dasmës, kur nusja hyn në oborr, me ç’rast i hidhet mbi kokë grurë e sheqerka.

Zakoni i lindjeve edhe sot është i ruajtur mirë si në fshatrat shqiptare, ashtu edhe nëpër qytete. Bile, ky zakon ushtrohet si në shtëpinë e vajzës, sidomos kur kumbara i dhëndrit, që ka ardhur me krushq, hyn te nusja (në shtëpi të vajzës) dhe asaj i derdh mbi kokë para (monedha të metalta), e po ashtu edhe kur vjen nusja në shtëpi të burrit (dhëndrit), në hyrje të oborrit një plakë hedh mbi koka të krushqve, por edhe të nuses, grurë dhe sheqerka (të përziera). Ndërsa, në nisjen e krushqve, tek dera e daljes nga oborri, një grua e afërme e familjes (që ka burrë e fëmijë) i spërkat krushqit me ujë të bekuar me një bisk me gjethe të lisit ose me një gem me gjethe të hardhisë së rrushit, në mungesë të drunjve, gjatë dimrit, i spërkatnin me lëvozhga të misrit. Pra, elementet e këtilla simbolizojnë pjellorinë – vazhdimin e jetës.

Kulaçi i nuses

Në Zym të Hasit, por edhe në viset tjera shqiptare, te shtëpia e dhëndrit dasma fillon në mesnatë (në mes të ditës së mërkurë dhe ditës së enjte) kur i zoti i shtëpisë shtie me armë, që është simbol i pastërtisë dhe i virgjërisë. Së pari shpnesha e sitë miellin e grurit, aq sa është e nevojshme për një kulaç, dhe e qet në një kërbël (fuçi e drurit me fund të ngushtë e grykë të gjerë, në formë elipse, me të cilën dikur bartej rrushi nga vreshtat e Zymit), e pastaj një vajzë, që zakonisht është “nër unazë – e fejuar”, që ka prindër, vëllezër e motra, përkatësisht që e ka zemrën plot) fillon të gatuajë kulaçin e nuses, që po ashtu është simbol i pjellorisë (Anton Nikë Berisha “Grishja dhe këngët e grishtarit në Zym”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, viti 1975, faqe 143-156); Rr. Berisha “Kontribut rreth zakonit të këngëve të “kulaçit të nuses”, Instituti Albanologjik i Prishtinës – folklor dhe etnologji, nr. III, viti 1975, faqe 119-121). Natyrisht se këto rite e zakone përcillen edhe me këngë e def.

Djali nën duvak

Po ashtu, doket dhe zakonet popullore dëshmojnë se për të lindur nusja djem, nga shtëpia e dhëndrit dikur kur niseshin krushqit për ta marrë nusen, patjetër e merrnin një djalë të vogël (“djali i kerrit”). Ndërkaq tash kur dasmat bëhen me makina, krushqit në makinë të nuses i marrin dy fëmijë (një djalë dhe një vajzë), dhe kur nusja hyn në makinë, ajo ua puthë duart që të dy fëmijëve, e kur nusja vjen në shtëpi të dhëndrit, familjarët e dhëndrit e marrin një djalë tjetër

dhe e fusin në makinë, të cilin nusja e ulë në prehër dhe më pastaj e përcjell kah dera tjetër, ku e prit një person, i cili djalin e merr dhe e hip mbi makinë nga e merr personi i mëparshëm dhe përsëri atë e ulë nusja në prehër dhe kështu ky rit përsëritet tri herë, për çka edhe nusja e dhuron me diçka atë djalë. Në fakt, më herët kur nuk kishte makina, nusja vinte me kalë të bardhë dhe e mbuluar me duvak të kuq, ndërkaq për “kalin e kutijave” praktikohej kali i kuq. Edhe atëherë veprohej kështu – një djalë e fusnin në duvakun e nuses për çka nusja e dhuronte me ndonjë dhuratë e pastaj e sillnin tri herë mbi kalë e nën kalë.

Kumbara ia vënë nuses tre plisa

Po ashtu, kumbara i shtëpisë së dhëndrit, që në dasmat e Zymit ka shumë rëndësi, pasi të vendosen krushqit në shtëpi të dhëndrit pas sjelljes së nuses, ua merr krushqve tre plisa dhe shkon te nusja dhe para se t’ia heqë duvakun, ia vë plisat tri herë në kokë e pastaj ia heq duvakun. Do përmendur se gjatë kësaj kohe nusja duhet të qëndrojë mbi një um të përmendës, apo të ndonjë metali tjetër, të mbështjellë me një thes që bartej gruri.

Ky pra është një rit me simbolikë të pjellorisë së dyfishtë. Themi kështu sepse umi i parmendës është i lidhur me tokën, që jep ushqime – pjellshmëri, që do të thotë se barazohet edhe me pjellorinë e nuses, përkatësisht se pjellshmëria e tokës bartet edhe tek ajo e nuses. Në anën tjetër, umi e ka edhe funksionin mbrojtës nga demonët e këqij, pasi që ata (demonët) i frikësohen hekurit (metalit).

Rrethi i Grave

Në afërsi të Zymit të Hasit, përkatësisht afër Kroit të Laskavecit, aty afër 70-80 metra në anën e djathtë nga drejtimi Gjonaj-Zym, gjendet Rrethi i Grave. Quhet Rrethi i Grave sepse siç pohojnë pleqtë e Zymit të Hasit, dikur ishte turp të lindnin gratë në shtëpi, ndaj plakat e shtëpisë i dërgonin shtatzënat te Rrethi i Grave për të lindur fëmijën e parë, të fundit, apo për t’i jetuar fëmija. Aty afër ishte edhe burimi i ujit (Kroi i Laskavecit), por kishte edhe drunj për ta ndezur zjarrin për ta nxehur ujin për nevoja të lindjes.

Bile, praktikohej që për t’u mos marrë vesh se e kanë çuar një grua shtatëzënë në lindje, gratë e tjera të familjes shkonin te Kroi i Laskavecit për të larë petka (rroba) pasi që uji edhe ashtu në Zym ishte i pakët. Në këtë mënyrë nga kalimtarët e rastit fare nuk kuptohej se dikush është në lindje, pasi që aty ndizej zjarri, nxehej uji nëpër kusi (enë të mëdha) dhe laheshin petkat.

Pra, Rrethi i Grave në njëfarë mënyre paraqiste një lloj gjinekologjie të vendbanimit. Nga kulti pagan thuhej se Rrethi apo Guri ishte çudibërës, forca e tij do të kalojë dhe ndikojë në shëndetin e fëmijës, që ai të jetojë. Njëherësh, edhe lehona të lirohet nga mëkati, nga e keqja, nga qoftëlargu, ndërsa uji i Laskavecit (i burimit që vazhdimisht rrjedh) ndikon në rrjedhën e jetës normale me cilësi forcimi, si të lehonës ashtu edhe të fëmijës së lindur.

Pas lindjes gratë ktheheshin në shtëpi dhe varësisht nga stina – gjatë pranverës, verës e vjeshtës së hershme thoshin se fëmijën e solli lejleku apo shqiponja, përkatësisht në vjeshtën e vonë dhe dimrit thoshin se fëmijën e kanë gjetur në grazhd të bagëtive në ahur.

Do përmendur se edhe pas interesimit tonë se a ka ndokund në trevat shqiptare diçka të tillë si Rrethi i Grave në Zym, nuk kam dëgjuar e as nuk kam lexuar për diçka të tillë, që do të thotë se Rrethi i Grave në Zym të Hasit është unikat, që do të thotë se ia vlenë të vizitohet apo edhe të studiohet.

Ritet për lehtësim të lindjes

Natyrisht se për shtatzënat në mënyrë të veçantë janë kujdesur plakat e familjes, në mënyrë që akti i lindjes të jetë sa më i lehtë. Për t’u lehtësuar lindja janë bërë edhe disa rite siç ishte rasti kur nusja puthte katër muret e dhomës duke e formuar kryqin në dhomë. Pra, ndër elementet më të paraqitura pa dyshim se ka qenë ai i kryqit, pastaj i ujit që rrjedhte, që të rrjedhë edhe jeta (si te Rrethi i Grave që ekziston burimi – Kroi i Laskavecit). Këto rite, por edhe të tjerat që nuk po i përmendim me këtë rast, përkojnë edhe me disa simbole ilire.

Në fakt, kryqi si simbol solar, përkatësisht i diellit, simbolizon jetën dhe shëndetin. Në anën tjetër, uji që rrjedhë simbolizon pjellshmërinë, vdekjen dhe përtëritjen, por që ka edhe aftësinë e pastrimit si mjet i të liruarit nga papastërtia apo edhe nga mëkati. Ishte pra ky një Rreth, shkëmb ku shkonin gratë lehona, bënin lutje magjike për të lindur fëmijë të shëndoshë, për t’u jetuar si dhe për t’u shëruar gratë nevojtare kur nuk u jetonin fëmijët.

Ruajtja e fëmijës nga mësyshi (amuletja)

Në ditët e para të lindjes si lehonat ashtu edhe fëmijët i ruajnë nga gjërat e pakëndshme, si nga demonët e këqij, nga terri, nga vetmia, nga “syri i keq” e kështu me radhë. Bie fjala, për ta ruajtur lehonën, ajo duhet që në shokë (brez) të mban hudhra.

Lehona, për çdo siguri, e lyente belin e këmishës me gjakun e breshkës për lindje të lehtë. Për të mos u diktuar, të gjitha gratë, në të dy anët e belit të këmishës, “turrat” (kindat) e këmishës i qepnin me një bez (paft) të kuq. Në anën tjetër, fëmija duhet ta ketë fytyrën e mbuluar, apo që në djep të ketë edhe hudhra, apo në shokë me të cilën lidhet për djepi, përkatësisht mund të ketë edhe këmbë të iriqit, lëkurë të gjarprit, dhëmbë të ujkut etj., në mënyrë që të mbrohej nga “syri i keq” (msyshi) – amuletja, demonët e këqij, e të tjerë.

Urimi për sapo të lindurin

Si kudo edhe në Zym të Hasit, pas lindjes së fëmijës shkonin dhe e uronin familjen për fëmijën.

Me atë rast bëhej njëfarë dallimi në aspektin gjinor të fëmijës, sepse nëse ishte vajzë, shkonin gratë e familjes dhe të prindërve të nuses apo bijat e shtëpisë – farefisit, kurse nëse ishte djalë, e veçmas nëse ishte fëmija i parë apo i vetmi djalë, atëherë shkonin edhe meshkujt, të cilët e uronin në forma të ndryshme, si “Ju rrnoftë”, “U rritët me vëllazën e motra”, “U bëftë trim me fletë”, “I besoftë pazari” e kështu me radhë.

(Literatura është hequr nga redaksia për çështje teknike). / KultPlus.com

Vokalisti i Iron Maiden, “Qytetar Nderi” i Sarajevës

Bruce Dickinson, vokalisti i grupit të muzikës heavy metal, Iron Maiden, ka marrë titullin “Qytetar Nderi” në Sarajevë të shtunën, në shenjë vlerësimi për një koncert që ai luajti atje gjatë rrethimit të qytetit.

Dickinson e çoi grupin e tij në kryeqytetin boshnjak në dhjetor 1994, duke udhëtuar me një autokolonë ndihmash të shoqëruar nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara. Në atë kohë, qyteti ishte ende nën rrethimin 44-mujor të trupave serbo-boshnjake, që mori më shumë se 11 mijë jetë njerëzish, transmeton Tch.

“Duhej shumë guxim dhe humanizëm të vije në një qytet të shkatërruar dhe rrethuar si Sarajeva në 1994, të thoje jo dhe të flisje për ndaljen e luftës më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Igor Gavriq, shef i Këshillit Bashkiak të qytetit.

“Koncerti i bëri njerëzit e qytetit të besonin se ata dhe Sarajeva do të mbijetonin”, thuhej në motivim.

“Ne nuk mund të ndalonim luftën, por ajo që bëmë është që i lehtësuam njerëzit me faktin që ishim atje dhe këtë mund ta bëjnë të gjithë muzikantët. Janë politikanët, ushtritë dhe gjeneralët ata që ndalin luftërat. Muzika i flet njerëzve dhe i bën ata të ndjehen më mirë për jetët e tyre, në momente të caktuara”, tha Dickinson.

Gjeneratat e reja e kanë zbuluar koncertin përmes një dokumentari të kohëve të fundit, “Scream for Me Sarajevo” me titullin e marrë nga një thirrje e Dickinson para audiencës. / KultPlus.com

Mbyllet Ferfilm-i, ndahen çmimet për filmat fitues

Sonte në Ferizaj ka përfunduar edicioni i shtatë i Festivalit të Filmit Ndërkombëtar “Ferfilm” ku janë shpallur edhe fituesit në pesë kategori.

Filmi më i mirë i shkurtër fiktiv u zgjodh “SAP” i Clemence Marcadier nga Franca.

Filmi më i mirë i eksperimental u zgjodh “Space Dialogues” i Shashwati Talukdar nga India.

Filmi më i mirë i shkurtër animacion i takoi Sarah Forest, Cecile Floucat, Pauline Javelot, Juliette Gales, Thibaut Wambre dhe Kevin De Garidel.

Filmi më i mirë i shkurtër dokumentar u përzgjodh “For A Better Life” e Yasmin Mistry nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton kp.

Ndërsa, çmimi special i takoi filmit “Shadows” të Victoria Karakoleva nga Bullgaria.

Edicioni i shtatë i “Ferfilm” nisi më 2 prill ndërsa sonte u mbyll me ndarjen e çmimeve. / KultPlus.com

Rron Pllana brenda dy jave fiton dy çmime të rëndësishme

Kitaristi i ri Rron Pllana, brenda dy javësh i solli Kosovës dy çmime të para nga festivalet garuese ndërkombëtare të kitarës, shkruan KultPlus

Nën patronatin e Ministrisë së Kulturës së Bullgarisë e Bashkisë së qytetit Kyustendil, Bullgari dhe me organizim të Shtëpisë së Kulturës ‘Bratstvo 1869’ më dt. 3-6 Prill u mbajt festivali garues i 23-të me radhë i kitarës klasike. Në këtë festival morën pjesë dhjetëra garues nga vendet e rajonit dhe më gjerë të ndarë në katër kategori grupmoshash.

Në kategorinë e grupmoshave deri në 10 vjet për shkollat profesionale private me vendin e parë u shpërblye kitaristi i ri nga Kosova Rron Pllana, i vlerësuar si një talent premtues nga një juri e përbërë prej 9 anëtarësh, pedagogë dhe kitaristë të njohur nga rajoni dhe vendet evropiane si Italia dhe Hungaria.

Mirëpo ku nuk është çmimi i vetëm i Ronit, madje ai disa ditë më parë u shpërblye me vendin e parë për grupmoshat e tij edhe në festivalin ndërkombëtar të muzikës ‘Polyhymnia’ i mbajtur në Shkup më 28 mars.

Rron Pllana ndjek mësimet për kitarë klasikë në shkollën profesionale private ‘Misbah&Friends’ në Prishtinë, te mësuesi Kreshnik Berisha./ KultPlus.com

Vaçe Zela dhe zëri i saj i artë në këngën “Më ka zënë meraku”

KultPlus ju sjellë këngën “Më ka zënë meraku” të kënduar mjaft bukur nga këngëtarja e njohur shqiptare Vaçe Zela.

Më ka zënë meraku
me një cucë matjane 
Si  lule zambaku 
Moj vetull gajtanë
fol o fol me goje
lule malësore 

O  moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more

Besën kur ta dhashë moj 
Fjalën se të due 
Ditën kur ti pash moj 
Nja ta sytë e shkrum 

Fol o fol me gojë
Lule malësore 
O moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more. / KultPlus.com

Tradita shqiptare e Mirditës: Njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar

Kushdo që në kullën e tij mirditase, në fëmijërinë e largët, ka parë të varur një çifteli, nuk e ka të vështirë të kuptojë se Ansambli “Mirdita” më parë se në skenën e pallatit të Kulturës Rrëshen, apo në kalanë e Gjirokastrës, ka qenë i shpërndarë gjithandej ndër mirditorë, shtëpi më shtëpi e vatër më vatër, deri në rrëzë të Munellës. Ndaj ishte aq e dëgjuar shprehja “shtëpi e çifteli”.

Skena e parë ishte oda, veçmas ajo e dasmës, ku njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar. Njeriu i kullës në shkrep shpesh në mbrëmjet familjare, apo të kremtesh popullore, merrte çiftelinë dhe niste t’i luante gishtat dhe t’i thoshte fjalët. Nuk kishte rëndësi sa mirë dinte ta bënte ai këtë gjë, çiftelia, lahuta apo sharkia ishte pjesë e kulturës së tij të jetesës.

Përndryshe malësori kishte shpirt prej artisti dhe ai e shfaqte këtë thelb të tijin herë pas here. Ndaj dhe bariu në mal kishte me vete fyellin dhe merrte melodi baritore njëlloj si në antikitetin ilir, grek, romak. Ai gjithë ditën e ditës pas tufave në kullosë gdhendte dhe bishta frashëri për veglat e punës, dhe bilbila, zumare, me të cilat luante melodi baritore.

Bjeshkët tona janë ateliea e parë për shumë artistë të shquar të folkut, pse jo dhe për kompozitorët që i ulen motivet e bjeshkëve mbi pentagram. Mirditori krijonte melodi e muzikë gjer me kumbonët e bagëtive, ku kishte dhe një punishte të tyre prej bakri te Marlaskajt e Kuzhnenit, ku kumbonët që kishin shtegtuar deri në Shkumbin tingëllojnë prej shumë vitesh në arenën artistike-folklorike të Ansamblit “Mirdita”. Kësisoj Ansambli i sipërthënë është jo vetëm kënga e vallja e traditës, por dhe veshja, kostumet, ritualet, lojërat popullore, shenjat apo elementet dalluese, nga perkrenarja e princërve te kaculita e bariut etj.

Pjesë nga parathënia e Ndue Dedaj për monografinë e Ansamblit “Mirdita”/KultPlus.com

“ELIDA”, ëmbëltorja që nuk dëshiron t’ia di për vitet [foto]

Në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, për 41 vjet ka ndryshuar pothuajse gjithçka. Rrugët, ndërtesat, fasadat, lagjet, fryma, ecjet, lëvizjet, njerëzit. Gjithçka ka ndryshuar edhe në ndërtesat e vjetra të socializmit që ende janë njëfarë identiteti ikonik i qytetit. Dikur krejt afër Shtëpisë së Armatës, përkrah “SUP”-it, e pas Hotel Grandit, ishte Qendra e Sportit dhe Rinisë “Boro e Ramizi”. Është ende, por e shkatërruar dhe ndryshuar. Vetëm një gjë s’ka ndërruar aty. Ëmblëtore “Elida”.

Shkruan: Agnesa Sejdiu

Kjo ëmbëltore e cila karakterizohet me pothuajse të njëjtin imazh që nga dita kur është hapur, mban mbi supe kujtesë kolektive, aty tullumbat apo “indijankat” hahen njëjtë nga tre-ktër breza të një familje.

“Elida” është hapur në vitin 1978, dhe është një ndër të paktat kafene që në këtë qytet kaosi, i kanë mbijetuar kohës. Atëbotë dyshemenë e Elidës e kishte shkelur pothuajse çdo ditë, presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, së bashku me plotë shokë të tij.

Por, Rugova nuk ishte nga VIP-at e parë të “Elidës”. Para tij gjurmë të pashlyeshme, sa të ekzistojë kjo ëmbëltore, ka lënë Mahmut Bakalli, ish-udhëheqës i Kosovës në Jugosllavi. Jarania e Bakallit me të parët e kësaj ëmbëltore që kishin shetitur nga Tetova nëpër Jugosllavi, kishte bërë që ata të zënë vend këtu. Por, emri i kësaj ëmbëltore u vu kështu, sepse vajza e Mahmut Bakallit e kishte këtë emër, thonë për Ndërtimi.info, sot pasëardhësit e themeluesve të ëmbëltores.

Kjo ëmbëltore u hap pak kohë pas hapjes së qendrës tregtare nën Pallatin e Rinisë dhe Sportit “Boro dhe Ramizi”. Ishte padyshim atraksion i kohës dhe ishte po ajo kohë kur Kosova morri një hov. Ishte po ajo kohë kur u lëshua në funksion edhe Hotel Grandi.

Fotografi nga dita e përurimit të Qendrës Tregtare “Boro dhe Ramizi”, e para e këtij lloji në Kosovë. 

Ky vend në të katër anët, ngërthen me mijëra kujtime të njerëzve, e sidomos të moshuarve dhe atyre që arrijnë ta kujtojnë atë qysh nga hapja e saj. Plot kalojnë pragun e saj në qetësi, zënë një vend, shflejtojnë gazetën duke pirë kafe, tipike “old school”, çka për një të ri mund të ngjasojë në një tip filmi amerikan bardhë e zi. Ka edhe prej atyre që lexojnë lajmet në telefon, edhe disa që mblidhen për të llafosur e qeshur.

E rrethuar nga qelqi në dy anët që ngjiten me korridoret e gjata të Pallatit të Rinisë, “Elida” paraqet një ambient të ndriçuar lehtë. Mbi frigoriferët të cilët janë të pozicionuar përballë hyrjes së saj, ndodhen disa rafte në të cilat janë të vendosura plotë enë akulloresh shumë ngjyrëshe. 

Në anën e djathtë ndodhet një pasqyrë dhe një shank me disa karrige, për shumicën e atyre që preferojnë të pijnë kafen vetëm.

Bajram Idrizi, pronar i “Elidës” duke punuar në shank.

E Bajram Idrizi, pronari i saj, me mallëngjim flet për kohën kur ky vend vizitohej nga shumë fytyra eminente të vendit.

“Kanë qenë vitet ’86-’87, kur është formuar lidhja demokratike, atëherë i kemi pasur mysafir të rregullt Ibrahim Rugovën, Veton Surroin, Bujar Bukoshin, krejt këta përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, mirëpo Ibrahim Rugova ka qenë mysafir special që e kemi pasur gjithmonë për çdo ditë”, shprehet Idrizi.

“Mbijetesa” e Elidës nuk ka qenë fare e lehtë, sidomos kur në Prishtinë kishin filluar masat e dhunshme serbe. Në vitet e ’90-ta, ju vu dryri për të mos u hapur për tre vite rresht. Megjithatë, edhe pse e mbyllur e mu në qendër, ajo nuk ishte prekur e as dëmtuar, përgjatë kohës së luftës sa kishte qëndruar e mbyllur.

I gjithë enterieri është i njejtë me atë që ka qenë qysh në ditën e parë. Të paktat renovime që janë bërë, përfshijnë ndërrimin e karrigeve nga struktura e metalit dhe drurit, të cilat ishin sjellë të njëjta nga Turqia, dhe së fundi dyshemeja. Që nga tetori i vitit 2017, Elida është futur edhe në listën e trashëgimisë kulturore.

“Prej ’78-tës është i njëjti enterier. Ky është imazhi i lokalit, nuk e kemi ndërmend me e ndërru”, thotë pronari i lokalit, Bajram Idrizi. 

Një ndër vizitorët e rregullt të kësaj ëmbëltoreje është edhe trajneri i futbollit dhe ish-futbollisti i famshëm i Prishtinë, Afrim Tovërlani. 

Qysh 12 vjeç, ai e viziton “Elidën” thuajse çdo ditë. Me një vështrim që reflekton mallë për atë kohë që tani duket si ëndërr, ai tregon për ditët kur ishte regjistruar në pionierët e klubit të Prishtinës, dhe kishte kaluar nëpër korridoret e Pallatit të Rinisë gjithmonë duke u ndalur tek Elida, për të shijuar një akullore me shokët.

“Elidën e vizitoj prej që është hapur, atëherë kam qenë fëmijë, në vitin 1979 jam regjistruar për pionerët e klubit të Prishtinës edhe gjithmonë kom kalu nëpër këto korridore, për me shku në stërvitje edhe me e kthy në shtëpi. Edhe atëherë si fëmijë, kemi ngrenë ndonjë akullore apo ëmbëlsirë, mandej prap duke u rritë duke vazhdu po e njëjta rrugë stadium-shtëpi, kemi fillu me pi edhe kafe. Mandej para stërvitjeve u takojshim këtu me shoqëri e prej këtu shkonim bashkë në stërvitje. Kjo ka vazhdu me vite të tëra”, tregon Tovërlani.

E duke lundruar nëpër kujtimet e së kaluarës e fëmijërisë, ai mban mend tarracën që dikur e posedonte “Elida”. Aty zakonisht rrinin të rinjtë, ndërsa më të moshuarit brenda në lokal.

Terasa ishte në pjesën ku është lokali i hapur. Atëbotë ka qenë hapësirë e hapur edhe nga lartë, me pamje në qiell direkt.

“Meqenëse enterieri është thuajse i njejtë, e mbaj mend qe e kanë pasë edhe atë pjesën e tarracës përballë, edhe na si t’ri kemi ndejt andej, brenda kanë ndejt njerëz më të moshuar, mirëpo mandej kur jau morën atë pjesë, duhej patjetër me ndejt n’këtë pjesë. Ka njerëz që i mbaj mend e që ende vijnë e pijnë kafen në Elidë ashtu si un, nuk e ndërrojnë vendin”, thotë ai.

Ai nuk la pa përmendur as kohët më kritike, periudhën e demonstratave. Atëherë, në shumë raste “Elida” iu kishte shërbyer protestuesve si “vend-strehim”, gjoja nuk kshin qenë pjesëmarrës të demonstratave. 

“Më kujton shumë raste tjera, kur kemi pasë edhe periudha të këqija, si koha e demonstratave mandej kur kemi ikë prej demonstratave me hi nëpër pallat nëpër korridore, e me u ul diku ‘kinse nuk kesh’ në ato protesta e demonstrata, ma kujton shumë edhe shkuarjen në stadium, kur ishim në Ligën e Parë të Jugosllavisë, pinim nga një kafe para se me shku në ndeshje e në stadium na pritshin 40 mijë vetë”, tregon ai.

Elida tani është pjesë e shumë guidave për turistë, si një kafene që duhet vizituar patjetër, për të gjithë ata që duan të njihen me traditën e kafesë e akullores në vendin tonë./ndertimi.info/ KultPlus.com

Dyshemeja e re e ndërruar para tre muajsh
Karriget ikonike të Elidës
Edhe të rinjtë zënë vend në “Elidë”

Atdheut

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem kndon,
N’ty mendoj kur soset dita,
Terri boten kur e mblon.

Vec se ty te shoh un n’anderr,
Vec se ty, cuet, t’kam n’mendim;
Nder t’vështira ti m’je qanderr,
Per ty i lehtë m’vjen cdo ndeshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle
Une kam pa, larg tue ba shtek,
E pergjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushe ma e bleret nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prielli,
Jane ma t’kandshme stine e mot;
N’ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambel t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa ty nuk m’del prendvera,
Pa ty dielli nuk m’shkelxen.

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjall me fryme un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permende kam./ KultPlus.com

Kukësi, kandidat për çmimin Nobel për Paqe

Prof. Kesnofon Krisafi

Në shtypin e shkruar, në emisione të organeve të medias audio-vizive ose në portale zënë vend ngandonjëherë edhe vlerësime shpërfillëse për kontributet e Shqipërisë dhe njerëzve të saj gjatë luftës së Kosovës. Janë deformime të shëmtuara të të vërtetave historike që, për fat të keq, shkojnë paralel me disa zhvillime aktuale në Shqipëri, Kosovë, hera-herës edhe në mjediset shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Të shfaqura si koincidenca të rastit, në fakt janë djallëzore, sepse nxijnë realitetin dhe nxitin artificialisht, ngrenë në kult ndasi, grindje ose konflikte brenda forcave politike, zhvillime këto që nuk iu shërbejnë aspak shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre euroatlantike. Kjo thashethemnajë e padobishme është e përgënjeshtruar vazhdimisht nga publikimi i të vërtetave të pamohueshme, që nxjerrin në dritë solidaritetin vëllazëror të shqiptarëve në të dy anët e kufirit, veçanërisht gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Përkundër ndonjë tentative të pasuksesshme diversioniste, si dhe për ta risjellë sërish në vëmendjen e lexuesve këtë çështje, shfletuam librin Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002), botim i UMSH-Press & ONUFRI, Tiranë 2018. Autori Ksenofon Krisafi, ka mbajtur postin e ambasadorit, përfaqësuesit të përhershëm të Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë, në vitet 1998-2002, kur kriza kosovare dhe lufta e Kosovës ishin objekt diskutimesh edhe në forumet ndërkombëtare të Gjenevës. Prej tij shkëputëm pjesën e mëposhtme.

 Dhimbje e dashuri për popullin e Kosovës

Shqipëria, vendi i prekur që në fillim dhe drejtpërsëdrejti nga kriza kosovare, provoi ndër të parat dhimbjen e madhe për dramën e bijave dhe bijve të saj të përtej kufirit, viktima të politikës së egër të genocidit dhe të spastrimit etnik serb. Ajo u përball befasisht me një fluks të konsiderueshëm refugjatësh, të cilët nisën të kalonin kufirin qysh në qershorin e vitit 1998. Numri i tyre shtohej vazhdimisht duke krijuar probleme të mëdha në pikat kufitare të Padeshit, Morinës, Zogajt dhe Qafa e Prushit, në rrethet e Tropojës dhe të Hasit, në pikat kufitare të Vermoshit dhe Hanit të Hotit, në Qafë Thanë etj. Mbërritja e vazhdueshme e grupeve të shtuara të njerëzve, në kushtet e rënda të dimrit që kishte trokitur në derë në ato kohë të vështira, e përkeqësonte gjithmonë e më shumë gjendjen dhe punën e autoriteteve qendrore e lokale. Qeveria shqiptare e vlerësoi me seriozitetin maksimal situatën dhe mori me shpejtësi masat e nevojshme për të ndihmuar të sapoardhurit, duke i furnizuar me ushqime, strehim, tenda, veshmbathje, medikamente, asistencë mjekësore e shëndetësore etj. Me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 330, të datës 5 qershor 1998 dhe me ndihmën financiare të UNHCR, në Ministrinë e Pushtetit Vendor u krijua një Zyrë e posaçme për refugjatët, kurse në Prefekturën e Kukësit u caktua një i plotfuqishëm. Ndërkohë u krijuan shtabet lokale për përballimin e situatave që rëndoheshin nga çasti në çast. Vëmendje e veçantë iu kushtua grupeve vulnerabël, fëmijëve dhe grave shtatzëna, të moshuarve, të sëmurëve, të plagosurve dhe handikapatëve.

Kaloi kështu dimri i 1998-1999 dhe nisi pranvera, e cila për shqiptarët në të dy anët e kufirit, nuk erdhi si stina e ringjalljes, e shpresës për jetën dhe për ditë më të mira, por si koha e gjëmës së madhe, tepër e rëndë dhe e dhimbshme. Në muajt e parë të 1999, Kukësi, porta hyrëse e Shqipërisë, po përjetonte kohë epike. Ajo ishte hapur tej e ndanë, për pritjen e disa qindra mijëra qënieve njerëzore, që kishin lënë pas vatrat, shtëpitë e shkrumbuara, të mbjellat e shkatërruara, trupat e pajetë të të dashurve të vet. Në fytyrat dhe shpirtin e tyre shfaqej dukshëm hija e dhimbjes së papërshkrueshme të luftës, tmerrit, egërsisë, barbarisë së kriminelëve, të cilët kishin vite që po përgjaknin njerëz të pafajshëm, me të cilët kishin jetuar si shtetas të njëjtë të një shteti të përbashkët…

Pikërisht në ato ditë, si ambasadori i Shqipërisë, trokita në zyrën e Sadako Ogatës, për t’ia ripërsëritur dhe përshkruar tashmë më në hollësi, atë që ndodhte në Kukës, si dhe për t’i kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave të organizatës që drejtohej prej saj, me qëllim që të shpëtoheshin jetë njerëzish. Ajo, me sa duket, e mësuar me ngjarje të tilla, shprehu keqardhjen e çastit dhe u përpoq të më qetësonte, duke thënë se, sipas njoftimeve të saj, situata nuk ishte aq dramatike sa u përshkrua prej meje. Disa ditë më vonë, në seancën e 24 marsit 1999, të Komisionit të të Drejtave të Njeriut (KDNj), do të pranonte se kishin të drejtë ambasadori i shtetit shqiptar dhe strukturat e tjera të tij, që e ndjenin nga afër realitetin e vërtetë kosovar, të shfaqur dhimbshëm në të gjitha dimensionet, në territorin shqiptar.

Skenat që zhvilloheshin ato ditë në Kosovë, ngjanin së tepërmi me ndodhi të tjera, të rënda, që ishin vërtetuar në territoret e saj, shumë kohë më parë. Në vitin 1913, Dotation Carnegie, i alarmuar nga lajmet që mbërrinin nga skenat e luftës dhe mizorive me të cilat ajo shoqërohej në viset shqiptare të ish vilajetit të Kosovës, dërgoi një komision hetimi në vend, për verifikimin e situatës. Në raportin e vet ai mblodhi fakte dhe prova të shumta, midis të cilave bënin pjesë edhe dëshmi të publikuara në shtypin gjerman. Aty lexohet ndër të tjera se “Djegie shtëpish dhe fshatrash të tëra, vrasje në masë e popullsive të çarmatosura, dhunë e padëgjuar, plaçkitje dhe brutalitet i çdo lloji,- ja mjetet me të cilat kanë vepruar dhe veprojnë ende tupat serbo-malazeze, me qëllim që ta transformojnë tërësisht fizionominë etnike të rajoneve të banuara ekskluzivisht nga shqiptarë.”

Këtyre Komisioni iu shtonte edhe konstatimet e veta, duke thënë se “në fshatrat gjysmë të shkretuara, kur ato nuk ishin tërësisht të braktisura…, atyre iu mjaftonte që t’iu vinin zjarrin. Të paralajmëruar nga ndriçimi i zjarreve njerëzit largoheshin me nxitim të madh. Një migrim i vërtetë popullsish po kryhej…. Përgjatë hekurudhës vijonin radhë të pafundme karrosh, qerresh me buaj, të ndjekura nga familjet e emigrantëve dhe në rrethinat e qyteteve të mëdha ne gjetëm të vendosur grupe të ikurish.”

Këto rreshta duket sikur iu referoheshin ngjarjeve që ndodhnin jo në vitin 1913, por rreth 90 vjet më pas, kur në këto rajone kishte sërish të vrarë, gjak, plagë, shtëpi të djegura, të shkatërruara, vend i shkretuar, radhë të pafundme njerëzish, të lodhur, të rraskapitur, me dhimbje e plagë shpirti. Tabloja dhe imazhi nuk dallonin shumë me përjashtim të faktit që vendin e karrocave dhe qerreve e kishin zënë traktorët dhe kamionët. Mijëra burra, gra, fëmijë e pleq, hipur mbi ta ose edhe në këmbë ecnin pa u ndalur për t’iu larguar të keqes që i ndiqte nga pas. Ecnin drejt një shprese, drejt një destinacioni, që edhe pse i panjohur, dihej se ishte toka e tyre, atdheu i vet i munguar. Më tej, në Kukës, në mbarë Shqipërinë, sikurse edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe vende të tjera, zhvilloheshin aktet e tjera të dramës së nisur në qytetet dhe fshatrat kosovare. Aty ndalte për pak çaste rrugëtimi rraskapitës i dhjetëra e qindra mijëra njerëzve që iknin përmes “shiut të plumbave” të ushtrisë serbe.

Në mesditën e 28 marsit 1999 kishin kaluar Morinën dhe kishin marrë rrugën e Kukësit rreth 300 vetë nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël. Ishin ata që shpëtuan nga masakra e forcave serbe e datave 25, 26 dhe 27 mars. Tragjedia e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, ishte pjesë e operacionit famëkeq “Patkoi”, që kishte për qëllim neutralizimin e aksioneve çlirimtare të UÇK-së. Në masakrën e Krushës së Vogël u vranë 113 vetë nga mosha 13 vjeçare deri në atë më të vjetrin, ose rreth 70% e 178 meshkujve. Në Krushën e Madhe, siç shkruan Hashim Thaçi, u krye një ndër krimet më të mëdha të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile shqiptare. Përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës gjetën 2 krematoriume, 8 varreza masive dhe 243 të vrarë – gra, fëmijë dhe pleq, çka ka bërë që masakra të cilësohet si Aushvici i Krushës së Madhe. Mbërritja e tyre në Kukës u pasua nga “ortekë” të tjerë refugjatësh prej dhjetra e qindra mijëra vetësh, kryesisht gra, fëmijë e të moshuar. Ata vinin në këmbë, mbi traktorë dhe automjete të tjera dhe mbushnin çdo hapësirë të lirë në qytet, në rrethinat e tij dhe në rrugën Morinë – Kukës. Siç thuhet në librin librin “Kukësi në 79 ditë”, streha e parë ishin shtëpitë e kuksianëve dhe pastaj, kur numri rritej, strehë bëhej çdo mjedis, nga sheshi qendror, hapësira ndërmjet xhamisë dhe ndërtesës së Prefekturës, ish-këndi i lojërave për fëmijë, mjediset e brendshme të magazinave, xhamia dhe Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina”, hapësirat rreth tyre, traktorët etj. Gjëndja rëndohej sepse në qytet mbaronte buka, mielli dhe mallrat e tjerë ushqimorë, ndërsa fluksi i të ardhurve shtohej pandërprerë. Autoritetet shqiptare vunë me shpejtësi në dispozicion miell dhe ushqime nga rezervat e shtetit, rreth 20 mijë çadra etj.

Njerëzit e Kosovës ndalnin në Kukës “për të marrë frymë” nga lodhja, traumat, dëshpërimi, për të shkarkuar dhimbjen për njerëzit e vrarë e të masakruar, për shtëpitë e rrënuara, për dëbimin nga trojet e veta. Më pas niseshin me kolona automjetesh për në qytete të tjerë. Por qyteti mbetej kurdoherë plot. Apartamentet e banorëve vendas ishin të tejmbushura, po ashtu shkollat, magazinat e braktisura etj. Aty kishin mbërritur gjithashtu edhe rreth 500 gazetarë të huaj.

Me porosi nga MPJ, më 29 mars 1999, i kërkova takim Drejtorit të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, Brunson Mackinley, i cili më dëgjoi me vëmendje të veçantë dhe më premtoi se do të bënte gjithëçka ishte në kompetencën e organizatës që drejtonte, për të lehtësuar gjëndjen e refugjatëve kosovarë.

Tre ditë më vonë, më 1 prill, i mbushur me shqetësim e dhimbje të thellë nga aktet e shumta të kësaj tragjedie që luhej me fatet e vëllezërve tanë të përtej kufirit, do t’i drejtohesha seancës plenare të KDNj, në atë që u quajt Debat special për Kosovën, duke thënë ndër të tjera se “Ajo që po ndodh sot në Kosovë nuk është një episod i izoluar dhe as i rastit. Është vazhdim i një politike konstante dhe i përpjekjeve të dështuara të Beogradit për të realizuar ëndrrën shekullore të qarqeve shoviniste serbe, spastrimin etnik në Kosovë. Është një nga aktet më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili që prej gjysmës së dytë të shekullit të kaluar ka qënë sistematikisht viktimë e shovinizmit serb. Siç jeni në dijeni, brenda një kohe shumë të shkurtër, mbi 500 mijë persona janë dëbuar nga Kosova. Mijëra të tjerë janë mbledhur në kampe përqëndrimi dhe mbahen peng në vende ku serbët mendojnë se do të jenë objekt i sulmeve ajrore të NATO-s. Sipas dëshmive të refugjatëve, qindra dhe ndoshta mijëra të tjerë janë vrarë egërsisht. Këto masakra çnjerëzore si dhe shkatërrimi total i qindra fshatrave dhe qyteteve shqiptare, që tregojnë vënien në jetë nga ana e Beogradit të politikës së tokës së djegur, përbëjnë një katastrofë humanitare në përpjestime të pashembullta. Ky është një nga aktet më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar ka qenë sistematikisht viktimë e shovinizmit serb.”

Çmimi Nobel i Paqes për Kukësin?!

“Qyteti i Kukësit, gjatë kësaj krize, mbajti dhe përballoi barrën më të rëndë të pasojave të krizës… Në këtë qytet prej vetëm 15 000 banorësh, të mbidhjetëfishuar nga refugjatët kosovarë, nuk pati asnjë incident, asnjë grabitje, asnjë vrasje dhe asnjë akt tjetër të tillë, madje as në rrethinat dhe rrugët e rrënuara, gjatë transportit të të shpërngulurve kosovarë. Vetë qytetarët e Kukësit treguan një përkujdesje të veçantë në trajtimin e refugjatëve kosovarë, kujdes i cili i vuri pritë përhapjes së epidemive dhe vdekjeve… Shumë nëna kuksiane u kthyen në nëna edhe për shumë fëmijë të Kosovës, të ngelur jetimë pas masakrimit të prindërve të tyre nga forcat policore serbe. Gjatë kohës së krizës së Kosovës, qyteti i Kukësit u bë një simbol i gjallë i humanizmit dhe paqes.” Vlerësimet e mësipërme bëheshin në një letër që mban datën 5. 2. 2000, të cilën Kryeministri shqiptar i asaj kohe, z. Ilir Meta, ia drejtonte znj. Sadako Ogata. Nëpërmjet saj kërkohej ndërhyrja “pranë Komitetit të Institutit norvegjez të Çmimit “Nobel” për Paqen, për të përkrahur e mbështetur qytetit shqiptar verior të Kukësit si kandidaturë për dhënien e Çmimit “Nobel” të Paqes.”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kabineti i Kryeministrit na shkruan që të ndërhynim te organizatat ndërkombëtare në Gjenevë për t’iu kërkuar që edhe ato të lobonin në Komitetin e Institutit norvegjez të Çmimit “Nobel” për Paqen. I kërkova takim znj. Ogata, e cila më priti  menjëherë. Pasi iu referova përmbajtjes së letrës, i fola për “sakrificat e banorëve të Kukësit për pritjen dhe strehimin e refugjatëve kosovarë duke kryer kështu një akt të paprecedent në historinë e njerëzimit.” I kujtova se para disa vitesh, Çmimi “Nobel” i ishte dhënë një shqiptareje, Nënë Terezës, duke i theksuar se populli shqiptar i trashëgon këto virtyte fisnike. Banorët e Kukësit, pjesë e këtij populli, e meritojnë vlerësimin me këtë çmim.

Zonja Ogata më bëri të ditur se Kukësin dhe banorët e tij, kishte patur rastin t’i njihte gjatë vizitës që kishte bërë në atë qytet në kohën e luftës në Kosovë. Foli me admirim e simpati për humanizmin, bujarinë, mikpritjen dhe solidaritetin e tyre me refugjatët kosovarë, që meritojnë të vlerësohen me një çmim të tillë. Por shpjegoi se Komisariatit i vijnë me qindra kërkesa për mbështetje propozimesh për dhënie çmimesh të ndryshme që e vështirësojnë ndërhyrjen e saj dhe, në rast se do ta bënte një gjë të tillë, mund të krijonte komplikacione e precedentë të papëlqyer, megjithatë ajo premtoi se do të përpiqet ta bëjë një gjë të tillë në rrugë të tjera.

Kërkesën e kryeministrit shqiptar për mbështetjen e kandidaturës së Kukësit për Çmimin “Nobel” për Paqen, me nismën tonë, ia transmetuam në 5 mars 2000 edhe Drejtorit të Përgjithshëm të OIM, z. Brunson Mackiley, gjatë një dreke, ku merrte pjesë edhe zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i misionit amerikan Michael Arietti. Pranoi menjëherë, duke premtuar se do të ndërhynte energjikisht, por për të vepruar priste letrën e Kryeministrit. Gjatë drekës u bisedua gjerësisht rreth çështjes së Kosovës, krizës së rëndë në atë vend, kontributit të OIM, organizatave të tjera ndërkombëtare, Shqipërisë dhe vendeve të tjerë. Z. Mackinley, i karakterizuar nga ndjenja objektiviteti dhe paanshmërie, ishte takuar ato ditë në Bruksel me Bodo Hombah, drejtues i Paktit të Stabilitetit. Më njoftoi se kishte biseduar edhe rreth nismës së krijimit të një organizmi permanent rajonal dhe me këtë rast kishte propozuar kandidaturën e Tiranës për vendosjen e selisë së tij…

Mbështetje i kërkuam edhe Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Jakob Kellenberger si dhe Presidentes së Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Dr. Astrid N.Heiberg.

Vijon…/voal.ch/ KultPlus.com

Hapet thirrja për pjesëmarrje në Konferencën e III-të Ndërkombëtare të Arkivistikës

Konferenca III- të Ndërkombëtare e Arkivistikës është e organizuar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve , Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave si dhe me Agjencinë Shtetërore të Arkivave shkruan KultPlus.

Konferenca do të mbahet në Kuvendi Komunal të Komunës së Çairit në Shkup të Maqedonisë Veriore  me datë 14-15 të muajit qershor . 

Gjatë gjithë shek. XX viset e Ballkanit kanë kaluar fate të ngjashme, duke qenë subjekte të herëpashershme të ndryshimeve administrative dhe demografike, kanë kaluar periudha të ndryshme konfliktesh të armatosura, kurse fillimi i shek. XXI i gjeti duke aspiruar për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndryshimet e çfarëdollojshme kanë reflektuar realitetin e tyre në arkiva jo vetëm përmes dokumenteve të prodhuara dhe të arkivuara, por edhe përmes impaktit në ligjet apo rregulloret përkatëse për arkivat, metodat e punës arkivore dhe në mënyrat e shfrytëzimit ,misioni thelbësor i arkivave ka ndryshuar në varësi të sistemit qeverisës . 

Temat e propozuara:

  • Ndërkulturalizmi në Ballkan
  • Të drejtat e njeriut
  • Arkivat nën regjimet represive
  • Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare
  • Arkivat dhe krijimtaria artistike
  • Arkivat, përgjegjësia, aksesi në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale
  • Arkivat, mjedisi natyror dhe katastrofat mjedisore
  • Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore
  • Të drejtat e autorit dhe pasuria intelektuale
  • Sistemet informatike dhe ruajtja digitale
  • Administrimi i informacionit

(Shënim: temat e propozuara nuk përbëjnë tituj të detyruar temash apo artikujsh, janë vetëm sugjerime tematike.)

Gjuha e kumtesave: gjuhët e Europës Perëndimore, shqip dhe maqedonisht.

Afatet: Abstraktet pranohen deri më dt. 12 maj 2019 në një nga gjuhët e mësipërme.

Kontakte:  Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave: [email protected],

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve: [email protected]

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës: [email protected]

Shpresa Mekaj (AShAK): [email protected]

Nora Maliqi (ITSHKSH): [email protected]

Sokol Çunga (DPA): [email protected], / KultPlus.com

 

Babai që u zhduk nga albumi familjar

Në moshën shtatëvjeçare, fotografja e agjencisë Magnum, Diana Markosian, u dërgua në Kaliforni nga nëna e saj, pa i thënë lamtumirë babait. Gati dy dekada më vonë, ajo udhëtoi në Armeni në kërkim të tij, raporton BBC, transmeton Telegrafi.

“Babai zhdukej me muaj në atë kohë. Pastaj, papritmas kthehej në shtëpi. Një ditë ishte radha jonë për t’u larguar. Ishte viti 1996. Nëna më zgjoi dhe më tha të paketoja gjërat e mia. Tha se po shkonim në një udhëtim dhe mëngjesin tjetër arritëm në shtëpinë e re, në Kaliforni. Nuk i kemi thënë kurrë lamtumirë babait”.

Markosian e dokumentoi fëmijërinë e saj në projektin e vitit 2013-2014, “Rizbulimi i babait tim”. Ishte ky një eksplorim personal në Armeni, për të vizituar babanë që kishte lënë gati 20 vjet më parë.

“Mësova se nëna vendosi një shpallje Los Angjelos ku tha ishte një grua e re nga Moska që donte të shihte Amerikën. Dhjetëra burra u përgjigjën, por ajo zgjodhi njërin nga Santa Barbara”, ka thënë Markosian.”Nëna më zgjoi një mëngjes dhe tha: ‘Po shkojmë në një udhëtim’. Mbaj mend se fluturoja gjatë dhe më në fund u ulëm, në Kaliforni, dhe se ky burrë u takua me nënën time… kurrë nuk kam menduar se nuk do ta shoh më babanë”.

Në projektin tjetër “Përmes objektivit”, Markosian përshkruan udhëtimin me vëllain ku gjejnë valixhen që gjyshi e kishte mbushur me letra të kthyera që i kishte dërguar në SHBA në përpjekjen për t’i gjetur, si dhe shpalljen në gazetë ku kërkon informata për “nipin e mbesën e zhdukur”.

Videon mund ta shihni: KËTU. /Telegrafi/KultPlus.com

Dokumentimi i krimeve të luftës, mision i papërmbushur në Kosovë

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.

Megjithatë, dy dekada pas përfundimit të luftës dhe 11 vjet nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të bëjë dokumentimin e saktë e të plotë të krimeve që kanë ndodhur. Me qëllim të dokumentimit të krimeve të periudhës së luftës, më 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), i cili ishte funksional deri në vitin 2018.

78 ditët e çlirimit

Ish-drejtori i IHKL-së, Ismet Salihu, thotë se instituti, tashmë i mbyllur, ka botuar 9 libra për vrasjet, personat e pagjetur, gjenocidin serb dhe shkatërrimin e monumenteve dhe pasurisë së shqiptarëve.

Megjithatë, Salihu pranon se nuk është bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e vrasjeve, por edhe mbledhjen e fakteve dhe dëshmive nga dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit e masakrave të ndryshme.

Sipas tij, Instituti nuk ka mundur të bëjë më shumë pasi nuk është mbështetur nga institucionet, duke shtuar se puna më e madhe është bërë nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë./ KultPlus.com

Miratohet projekti për ndërhyrje restauruese në banesën e Thanas Gjikës

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin: “Ndërhyrje restauruese në banesën e Thanas Gjikës dhe familjes Cimbidhi”, në lagjen Kala në Berat, shkruan KultPlus.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat parashikon restaurimin e çatisë së banesës.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./ KultPlus.com

Foto nga vdekja e Avni Rustemit dhe hapja e arkivolit pas 58 vitesh

Fotot i përkasin viteve 1924 nga vdekja dhe 1982 hapja e arkivolit.

“Më 20 prill 1924 Avni Rustemi u plagos nga Isuf Reçi. Dy ditë më vonë nga plaga e vetme e marrë vdiq në spitalin e Tiranës”- shkruan ai.

Sipas tij, “U desh viti 1982 kur për varrin e Avni Rustemit u interesua ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Trupi i Avni Rustemit ishte balsamosur me shumë cilësi nga doktor Sazai Çomo”.

Lexojeni të plotë shkrimin e Kastriot Dervishit:

Avni Rustemi është një person që nuk mbahet mend për ndonjë gjë të rëndësishme, përveçse vënien në zbatim të metodave terroriste, atë të përligjjes së vrasjeve me çdo lloj justifikimi, si dhe të keqpërdorjes së rinisë. Pas aktit terrorist të Parisit më 13.6.1920 ndaj ish kryeministrit Esat Toptani dhe kalimit në një proces të çuditshëm të drejtësisë franceze, Rustemi erdhi në Shqipëri. Kapërceu misionin dhe nga një njeri i porositur për një vrasje u fut në politikë duke u zgjedhur deputet në rrethana të dyshimta, pasi humbi qartësisht në zonat të tjera (në vitin 1923 kandidohej më shumë se në një zonë zgjedhore).

“Në veprimtarinë e tij shkatërrimtare për shtetin shqiptar sidomos në drejtim të keqedukimit të rinisë dhe administratës, ai nuk u ndal. Mendonte se vetëm me vrasje mund të arrinte synimet e veta politike. Porositi vrasje të tjera në drejtim të Ahmet Zogut dhe familjeve si Vlora apo Libohova. Si rezultat, erdhi një reagim tjetër që lidhet me filozofinë popullore ‘ç’të mbjellësh do korrësh”.

Më 20 prill 1924 Avni Rustemi u plagos nga Isuf Reçi. Dy ditë më vonë nga plaga e vetme e marrë vdiq në spitalin e Tiranës.
Për të u zhvilluan dy ceremoni varrimi, në Tiranë dhe në Vlorë. Filluan më 28 prill 1924 me ceremoninë e zhvilluara në sheshin para xhamisë së vjetër në Tiranë. Arkivoli me trupin e tij të balsamosur udhëtoi në Durrës, e prej andej me vaporin “Beogradi”, nën flamujt jugosllavë e shqiptarë, mbërriti në Vlorë, të martën e 29 prillit 1924.

Ceremonia e varrimit u zhvillua të mërkurën e 30 prillit 1924. Figura e të vrarit mori përmasa të mëdha, aq sa shtypi antiqeveritar shkruante se varri i Avni Rustemit do të bëhej si Meka ose Jeruzalemi. Pas mbajtjes së fjalimeve të ashpra para kufomës dhe zemrës së Rustemit të vendosur në një enë qelqi, ithtarët e Rustemit organizuan tri mbledhje në sallën e bashkisë së Vlorës.

Vendi i prehjes së Avni Rustemit ishte menduar një tip bodrumi në qendër të Vlorës, i cili u nderua për vetëm 6-7 muaj. Më pas kaloi një heshtje 58-vjeçare. U desh viti 1982 kur për varrin e Avni Rustemit u interesua ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Trupi i Avni Rustemit ishte balsamosur me shumë cilësi nga doktor Sazai Çomo. Përveç kësaj arkivoli ishte izoluar më së mirë, duke mundësuar që trupi të mos dekompozohej.

Në pjesën e sipërme të kokës ai kishte një xham për t’u shikuar, ndërsa vendi i varrimit ishte një dhomë nëntokësore, e përshtatur për të bërë homazhe raste. Ndonëse duket disi e çuditshme, nuk përjashtohet mundësia e imitimit të balsamosjes së Leninit në Moskë. Kapaku i dhomës varr u hap në orën 13.00 të datës 8.10.1982. Ishin të pranishëm disa emra të njohur të historisë, ministra dhe drejtues të pushtetit vendor. U bë dezinfektimi dhe u vendos rihapja dy orë më pas.

Fillimisht regjimi fashist, e më pas ai komunist, e nderuan Avni Rustemin me emra rrugësh, shkollash, bustesh dhe monumente. Secili sipas interesave të veta, fashistët e shikonin si antizogist, ndërsa komunistët përveç kësaj edhe si revolucionar kundër shtresave të pasura, etj.

Asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot, kur i adhuruari nga fashistët dhe komunistët nderohet me emra, buste e shtatore.27.al/ KultPlus.com

‘Rruga drejt muzikës është vet muzika’

Rafet Rudi

Muzika – kudo që të shfaqet dhe në cilëndo formë – mbetet vetëm muzikë dhe asgjë tjetër

———————

Në qenien e vet, muzika kryen funksionin imanent të fisnikërimit të njeriut, dhe në këtë mënyrë e ndryshon atë dhe qëndrimin e tij ndaj saj, dhe kështu edhe ajo vetë evoluon, duke ruajtur mundësitë dhe mënyrën e ekzistimit të vet.

Në ç’mënyrë jeton muzika?

Ekzistimin e vet ajo e manifeston me tinguj, të cilët i janë nënshtruar më parë vullnetit të njeriut (kompozitorit) në kombinime të panumërta, duke u shërbyer me elementet e veta themelore të ekzistimit: melodi, ritëm, harmoni, tempo etj. Mirëpo, a ishte kurdoher njeriu korrekt dhe objektiv ndaj saj, kur janë në pyetje mundësitë e saj. Sepse është e vërtet se gjatë historisë (e këtë do ta sqarojmë më poshtë) prej muzikës është kërkuar shumë më tepër nga ajo që mund të ofrojë realisht ky art.

Një gjë dihet me siguri – muzika ka luajtur rol me rëndësi në proçesin e zhvillimit shoqëror të çdo civilizimi. Le të na kujtohet Greqia antike, që muzikës i bënte vend prioritar në mesin e arteve të tjera. Krahas matematikës, poezisë dhe filozofisë, muzika ishte lëmi kyqe për zhvillimin e shtetit. Në filozofinë e Platonit e të Aristotelit, bie fjala, ajo u tregua si një objekt shumë i rëndësishëm pedagogjik e politik. Edhe në qytetërime tjera, në Egjiptin e vjetër, në Kinë, në Mesopotami etj., muzika ka pasur poashtu rol me rëndësi. Më së shpeshti, në të kaluarën, muzika është shfaqur e sinkretizuar me lloje të tjera artesh, posaqërisht me poezinë, me ç’rast janë bërë përpjekje për të paraqitur diçka, për të shprehur, për të sqaruar apo për të kërkuar diçka. Në këtë lloj sinteze, muzika mundet edhe të ndihmojë edhe të jetë e ndihmuar. Mirëpo, kur prej saj është kërkuar që, në mënyrë të pavarur, të shpreh diçka apo të paraqes diçka (në Greqinë e vjetër, bie fjala, në shekullin VI para erës sonë, Skadasi përpiqej ta përshkruaj luftën e Apolonit me kulçedrën, jo ndryshe por duke i rënë aluosit ), të shpjegojë a të kërkojë diçka konkrete (lë të na kultohet magjitë në bashkësitë primitive), atëherë kanë filluar të behën përpjekje që muzikës t’i jepet një dimension tjetër i ri, që në kohë më të reja, ku më shumë e ku më pak, kishte mjaftë ithtarë, sa që në shekullin XIX të arrijë kulmin, me ç’rast edhe u quajt me emrin e vete të vërtet – muzikë programore.

Mundësitë reale të muzikës

Ndryshe nga letërsia, bie fjala, muzika nuk posedon koncepte, përkatësisht, lënda e saj nuk përmban ndonjë përcaktim të veçantë konceptual. Materia e saj e vetme e ekzistimit është tingulli – e dihet se tingulli është vetëm një fenomen akustik, i cili këtu paraqet atë që paraqet fjala në letërësi, guri në skulpturë, ngjyra në pikturë etj. Nëse nga muzika kërkohet t’i kapërcej mundësitë e veta objektive, që determinohen nga natyra e mjeteve të veta shprehëse, atëherë llojin e till të muzikës e quajmë muzikë programore. Dhe ansjelltas, nëse muzika nuk shkon më larg se ajo që mund të ofrojë objektivisht, nëse ajo nuk aspiron që nga fenomenet të thata akustike të kërkojë koncepte precise, atë e quajmë muzikë absolute.

Fillet e muzikës programore, apo më mirë thënë, të programit në muzikë, i përmedëm më lart. Synime të njejta paraqiten edhe gjatë historisë së mëtejshme. Ta përmendim muzikën vokale të J. des Pres-it, të L. Marenzio-s, të O. di Lasso-s, të G. Gabrielit, të J. Gallus-it e të tjerëve, tek të cilët ishte i pranishëm synimi që të bëhen përshkrime me anë të muzikës. E njejta gjë paraqitet edhe në barok e në klasicizëm, madje duke aplikuar pragramin përmes formave të muzikës absolute: përmes simfonisë, kocertit, sonatës etj. Ta marrim një shembull të muzikës programore – te Simfonia VI e quajtur “Pastorale” e Beethovenit, pesë kohët e saj kanë nëntituj, si “Zgjimi i ndjenjave të hareshme në të hyrë të fshatit”, “Skena te përroi”, “Tubimi i hareshëm i fshatarëve”, “Shtrëngata”, “Kënga e bariut”.

Në këtë mënyrë arrijmë të romantizmi dhe tek përfaqësuesit e saj më tipik – Hektor Berliozi dhe Franc Listi. Njëra nga arsyet që ata instistonin me aq ngulm në muzikën programore pamëdyshje është evoluimi i vetë formës muzikore, përkatësisht “shtjerrja” e formave të muzikës absolute (të formës së sonatës, rondos etj.). Duke aplikuar programin në muzikë, ata u përpoqën ta rrënojnë “statizmin” e strukturës formale dhe arkitektonikën e fortë kompozicionale, të cilën deri më atëherë klasikët e kishin ngritur në kulminacion, e që ndonjëher linte përshtypjen e koncepcionit të klishetizuar. Duhet thënë se Berliozi, thuaja ithtar fanatik i muzikës programore, përkundër përpjekjeve të shumta nuk arriti që formën t’ia nënshtrojë përmbajtjes. Ai veçse zgjëroi suazat formale ekzistuese dhe në këtë kontekst aplikoi edhe programin. Ndërkaq, format ekzistuese te Berliozi mbeten të njejta. Ato do t’i lëkundë vetëm përfaqësuesi i dytë i madh i muzikës programore – Franc Listi. “Ai do të përpiqet”, siq thot Albert, “që poemat dhe mitet më të mëdha të njerëzimit t’i përkthejë në gjuhë të orkestrës” (lexo: të muzikës).

Po kështu, edhe përfaqësuesit e impresionizmit, gjatë krijimtarisë së tyre janë lidhur ngusht me programin, por me një program që është më i afërt pikturës sesa letërsisë. Nëse Berliozi dhe Listi synuan që muzikën ta shndërojnë në një lloj poezie, atëherë mund të thuhet se impresionistët përpiqen që muzikës t’i japin një frymë të re, një process të ri jetësor që është karakteristik për pikturën. Zgjidhje të re, Debysi (përfaqësues më tipik i impresionizmit), gjen tek imitimi i pikturës, duke u përpjekur që përmes muzikës ta përsërisë hapin e madh të Manesë e të Renoarit, duke u shprehur ekskluzivisht me anë të ngjyrave…

Muzika e shekullit XX, dhe kompozitorët modern, thuase janë më pragmatike dhe më objektiv karshi karakterit dhe natyrës së këtij arti. Në muzikën moderne dëgjuesi mund të përjetojë muzikën drejtëpërdrejti, me tërë fuqinë që ajo ka, e liruar nga cilido element i jashtëm (jashtëmuzikor), me të cilat janë të ngarkuara artet e tjera dhe të cilat te muzika paraqesin pikërisht përparësinë e saj. Tashmë ajo nuk do të paraqes gjë, por as të shprehë gjë, sepse edhe në rast të tillë, njëfarë objekti bëhet i rëndësishëm, qoftë edhe në pikëpamje psikike, objekt për të cilin shprehemi; ajo do që të bëjë. Ajo paraqet dhe shprehë direkt vetëvetën. Në pajtim me këtë, do të thoshim se më në fund, me këtë pikëpamje, muzika ka siguruar autonomi të plotë. Është me interes pozicioni i Stravinskit lidhur me këtë temë. Ai me një rast thot: mendoj se muzika, përkah esenca e vet, nuk është e aftë të shpreh çkado: një ndjenjë, një qëndrim, një gjendje psikike, një fenomen natyror e të tjera… SHPREHJA nuk ka qenë kur cilësi imanente e muzikës. Raison d’etre i muzikës (arsyeja e ekzistimit të saj) nuk kushtëzohet në asnjë mënyrë nga shprehja. Nëse ngjanë që muzika të shprehë diçka, siq ngjanë rëndomë, është ky vetëm një oluzion e jo edhe realitet. Është ky thjeshtë një element i rastësishëm që ne, me njëfarë konvencioni të heshtur po të rrenjosur, ia kemi dhënë hua muzikës, ia kemi imponuar si etiketë, si protokol, shkurt, si qëndrim, të cilin – në saje të shprehisë apo edhe në mënyrë të pavetëdishme – kemi zënë ta ngatërojmë me esencën e muzikës”.

Por pyetje për një pikëpamje të till edhe më tutje mbetet se nëse muzika nuk po paraqitka, nuk po shprehka, pasi nuk u shërbyeka me “ide”, atehërë si ekziston muzika si art.

Metafizikja në muzikë

Të nisemi nga elementarja. Vepra muzikore, përkah genusi i vet, i takon një forme të posaçme të qenies shpirtërore, i takon “frymës objektive”, që pushon në materie (ligji i objektivizimit i Hartmanit, sipas të cilit shpirti shndërohet në materie). Meqë muzika, pra, nuk mund të shprehë ndonjë ide, siq bën letërsia bie fjala, atëherë, si objektivizohet ajo? Filozofi polak Roman Ingarden ka vërejtur mirë se edhe prapa ideve duhet të ekzistojë ndonjë dimension në të cilin ajo do të mund të sëndërtohet shpirtërisht, e kjo “prapavijë” është – metafizikja.

Metafizikja është dhënë këtu (në muzikë) në relacionet mes toneve, pra në raporte të tyre reciproke, pikërisht aty ku konstituohet vetë muzika. Dhe, pikërisht për këtë arsye mund të thuhet se muzika është, për dallim nga të gjitha artet e tjera, arti më i drejtëpërdrejt, sepse, shpirtësia në të jepet përmes lidhjeve në mes toneve që dëgjuesi i përcepton drejtëpërdrejt me anë të shqisës së të dëgjuarit. Ideja muzikale është mbrenda muzikës e jo jashtë saj. Një kompozitor Italian, me një rast, thot “Muzika kudo që të shfaqet dhe në cilëndo formë – mbetet vetëm muzikë, dhe asgjë tjetër. Ajo mund të hyjë në një kategori tjetër të posaçme (psh. si “muzikë revolucionare, “muzikë kishtare” etj.) vetëm e vetëm në saje të përfytyrimit dhe të titullit apo emrit, në saje të tekstit të shënuar përbri si dhe në saje të situatës në të cilën e vendosim e jo për shkak të strukturës së posaçme dhe specifike.

E gjithë kjo, në realitet, është një qasje ontologjike artit që veprën artistike e konsideron qenie në vete, e cila nuk ka nevojë për argumentim e shpjegim, sepse ajo argumentohet vetë me ekzistencën e vet, sikundër njeriu që nuk mund të argumentojë konceptualisht ekzistimin e vet. Ai mund vetëm të përjetohet nga tjetri apo të ndjehet drejtëpërdrejti. Andaj edhe muzika nuk duhet të spjegojë të shprehë dhe të transmetojë diçka konkrete për t’u “kuptuar”. Rruga drejt saj është e hapur. Në muzikë mund të arrihet vetëm e vetëm me anë të muzikës./ KultPlus.com

Filmi “Koncert në vitin ’36” shfaqet për publikun italian

“Koncert në vitin ’36” prodhim i vitit 1978 u shfaq në Casa del Cinema në Romë në kuadër të festivalit ”Albania, Si Gira”. Skenari i filmit shkruar nga Kiço Blushi, regjia nga Saimir Kumbaro dhe muzika mban emrin e kompozitorit Limos Dizdari.

“Koncert në vitin ‘36” tregon për vizitën e dy artisteve shqiptare (këngëtare dhe pianiste) në qytetin e Lushnjës gjatë kohës së monarkisë shqiptare gjë që “tronditi jetën e një qytetit tejet konservator”.

Filmi në festival u shfaq me titra në italisht. Rolet në film luhen nga aktorët Manushaqe Qinami; Margarita Xhepa; Robert Ndrenika; Bep Shiroka; Roland Trebicka; Gjon Karma; Albert Verria; Mirush Kabashi; Gëzim Kame; Birçe Hasko; Nikolla Llambro; Enver Dauti; Ilia Shyti dhe të tjerë artistë.

Shfaqjet e filmave deri më datë 7 të këtij muaji do të jenë me hyrje të lirë, dhe për çdo film do të ketë diskutime me përfaqësues të kinematografisë shqiptare dhe italiane, si: regjisorë, muzikantë, skenaristë, por edhe historianë dhe studiues që do të udhëheqin publikun në një eksplorim të dyfishtë.

Festivali u hap me filmin “Gjeneral gramafoni” dhe në vijim janë të tjerë tituj të kinematografisë shqiptare. /ata

Genc Prelvukaj sjell këngën e re dedikuar për Plavën e Gucinë

Këngëtari i njohur Genc Prelvukaj ka publikuar këngën e re të cilën ia ka dedikuar krahinës së Plavës dhe Gucisë.

Kënga e re titullohet “Vendi i Origjinës”, transmeton Koha.net.

“Kjo këngë nuk është realizuar për qëllime komerciale. Është këngë që i dedikohet krahinës së Plavës dhe Gucisë”, shkruan në përshkrimin e këngës në kanalin YouTube.

https://www.youtube.com/watch?v=ON5iLErRaUg

Organizohet akademi përkujtimore për heroin e Kosovës Xhemaijli Berisha


Sot, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u mbajt akademi përkujtimore për nder të 30 vjetorit jubilar të rënies në altarin e lirisë, të Dëshmorit të Kombit, prof. Xhemajli Berisha.


Me këtë rast, ministri Gashi, tha se “Lëvizja  Kombëtare për çlirimin e Kosovës, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ndër të tjera, burimin e frymëzimit e kishte  në luftërat heroike të  popullit të Kosovës, dalja në skenën politike, kombëtare e Adem Demaçit me shokë, me Programin kombëtar, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, i  dha frymëzim  dhe shpirt Lëvizjes Kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, në periudhat e viteve të 60-ta, 70-ta, 80-ta”.

“Xhemajli Berisha së bashku edhe me shokë dhe shoqe të idealit të shqiptarisë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit, Shote  Galicës, Bajram Currit,  u përgjaken, u arrestuan, u bugosën, por, asnjëherë nuk u dorëzuan. Xhemajli Berisha, ai trim Kosove, student i shkëlqyer dhe krijues shumë i talentuar, në atë pranverën shqiptare të vitit 1981, sërish, si dikur Adem Demaçi me brezin e tij,  po hapnin faqe të re të historisë së luftës për liri”, tha ministri Gashi.

“Në epokën e lavdishme të Xhemajli Berishës dhe brezit të tij, i gjejmë, gjurmët, paralajmërimet e historisë për daljen në skenën e Lëvizjes sonë Kombëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa Lëvizjen Atdhetare për çlirimin e Kosovës, pjesë e të cilës ishte edhe Dëshmori Xhemajli Berisha, nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës, nuk do të kishte çlirim të Kosovës, nuk do të kishte shtet të Kosovës”, theksoi ministri Gashi.

Po ashtu ministri tha se “Xhemajli Berisha, ky dëshmor guximtar dhe mendjendritur i Kosovës, që në rininë e tij të hershme ishte edukuar me idetë kombëtare, me idealizmin e shqiptarisë, me besimin në luftën e drejtë të popullit shqiptar për çlirim nga sundimi i armikut. Ishte, më tepër se idealist, ishte trim, i pa mposhtur, i vendosur në rrugën e lirisë, i gatshëm, sikur  edhe shumë djemtë dhe vajza trime të Kosovës, që, edhe me jetë t’i shërbente kauzës, ëndrrës për Kosovën e lirë, ideal, të cilin e përjetësoi brezi i Epokës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pos tjerash ministri Gashi tha se “në këtë përvjetor të rënies heroike të Dëshmorit të Kombit Xhemaijl Berisha, shteti i Kosovës tashmë është shtet i pavarur dhe i lirë ashtu siç e deshi ai dhe brezi i tij, Kosova po forcon identitetin e saj shtetëror , si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar”.

Gjithashtu gjatë kësaj Akademie, këshilltari i presidentit Hashim Thaçit, Ismail Syla, i dorëzoi vëllaut të dëshmorit Xhemajli Berisha, titullin “Hero i Kosovës”, ai tha “se vetë fakti se për një muaj u nderuan dy kategori të personaliteteve të ndryshme tregon se në Kosovë sistemi i vlerave është duke rënë në vend të vet”.

Tri artiste sjellin copëza Europe në Kosovë përmes një ekspozite


Në një ambient të vogël ku muret flisni gjithçka përmes fotografisë, u shpalos ekspozita me titull “Poetika e hapësirës”  nga tri gra arkitekte të cilat përmes ekspozites sollën një copëz Europe edhe në Kosovë.

Ekspozita nga Eliza Hoxha, Zana Sokoli  dhe Arta Bytyqi ka rrjedhur në mënyrë spontane ndërsa fotografia ka qenë ajo që i ka bashkuar në një ekspozitë.

“Ka qenë e rastësishme qysh ne të tria edhe pse u përkasim moshave të ndryshme nga njëra-tjetra pasi që ato edhe kanë qenë studente të mija, si pozicion profesional dhe si eksperiencë profesionale, por që në fakt fotografia na ka bashku jo si profesion por si mundësi reflektimi edhe shënjimi i momenteve të caktuara  të arkitekturës që ne kemi qenë ose objekteve që na kanë pëlqyer ose atyre që na kanë inspiruar edhe gjatë studimeve dhe kur kemi arritur t’i shohim ka qenë inspirim i dyfishtë”,  ka thënë Eliza Hoxha për KultPlus.

Sipas Hoxhas ideja kryesore ka qenë me i sjellë disa copëza Kosove dhe disa copëza Europe brenda një konteksti, duke e ditur izolimin e Kosovës dhe mungesën e lëvizjes së lirë në Evropë.

“Ideja kryesore ka qenë me i sjellë disa copëza Kosove dhe disa copëza Europe brenda një konteksti çfarë është Qendra Kulturore Evropiane, ashtu sic u tha edhe më herët nëse ne nuk kemi mundur me lëvizë shpesh jashtë por  që ne kemi lëvizur për arsye shkolle, për ata që s’kanë mundur me lëvizë është një Evropë e vogël”, është shprehur Hoxha.

Zhvillimi i kreativitetit të arkitekturës konsiderohet i kufizuar pa kaluar kufijtë. Për arkitekten Zana Sokoli, shpesh pengesë për këtë kanë qenë vizat ndërsa ajo konsideron se  njeriu nuk është mjaftueshëm i edukuar nëse nuk udhëton.

”Për shumicën e këtyre fotografive me i ba na janë dashtë vizat, është e  rëndësishme sepse unë mendoj që njeriu nuk është mjaftueshëm i edukuar nëse nuk udhëton edhe është pak fatkeqësi kur e përmendi këta tu e dite për kufizimin në lëvizje që e kemi, jo që po du me e minimizu roli e profesioneve të tjera por realisht për artistët është jetike me pa që më e  zhvillu kreativitetin se çka në bëjmë është krejt prapavi e asaj që shohim dëgjojmë edhe pastaj  kështu kultivohet edhe shija edhe kreativiteti e kështu me radhë” është shprehur Sokoli.

E veçanta e kësaj ekspozitë është se ngërthen në veti fotografi që janë bërë  jo për qëllim të kësaj ekspozite, por që këto fotografi janë bërë ndër vite nga në eksperiencat personale të artisteve.

Sipas artistes Zana Sokoli, fotografia ka fillu me u komercializu pasi që  është rritur përdorimi i mediave sociale dhe ekspozimi i madh i fotografive at ka bërë që njerëzit të mos ndalen dhe të fokusohen tek kualiteti dhe mesazhi i fotografisë. Kështu njerëzit jonë shmangur prej idesë kryesore të fotografisë që ajo të  përcjellë një mesazh e që shprehet në pamje e jo fjalë.

“Është një emocion i veçantë i atij momenti që është kapur, nëse shikon objekti është i njëjtë në vendin e njëjtë por nuk e bënë një foto të dytë të njëjtë për arsye se ke qenë me emocion të caktuar momentin kur ke shiku dhe për këtë mendoj që fotografia është  e veçantë  sepse shënon momente që janë të papërsëritshme për njeriun”, ka thënë Sokoli.

Duke e përodur këtë hapësirë si një mundësi për të shprehur ndjenjat e tyre përmes artit pamor sic është fotografia, artistët kanë vendosur që ekspozitën ta titullojnë “Poetika e Hapsirës”.

 “Për neve si arkitekte, hapësira flet që do të thotë se n jemi mësuar se kur don me rregullu një dhomë ti e sheh hapësirën ama vetëm e matë me distancë sa është e madhe që me ditë çfarë kuzhine me ble edhe qysh me vendosë, përtej kësaj hapësira ka edhe një rëndësi tjetër  sepse ndikon se si na ndihemi  brenda asaj hapësire”, ka thënë tutje Sokoli për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 25 prill në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë./ Xh. Uka/ KultPlus.com