Një nga dëshmitë më tronditëse që letërsia botërore ka nxjerrë për Holokaustin, padyshim, është romani “Nata” i shkrimtarit hebre, të mbijetuarit të kampit nazist të Bukenvaldit, Eli Visel (Elie Wiesel).
Nga ai roman, skena e vdekjes së babait, e rrëfyer me një
vërtetësi vrastare nga i biri, ka qenë gjëja më e tmerrshme që kam lexuar.
Babai i shkrimtarit, i kapluar nga ethet e vdekjes, i
shtrirë në barakat e tmerrit, vetëm dy tre metra larg të birit 16 vjeçar,
mbledh fuqitë e fundit që i kanë mbetë dhe nxjerr fjalët:
“Eliezer, djali im, eja këtu … dua të të them diçka …
Vetëm ty … Eja, mos më lër vetëm … Eliezer …”
Nga ky moment, rrëfimin po e sjell në vetë të parë, siç e
tregon autori, pasi vetëm kështu mund të kuptohet vërtetësia tronditëse.
Dëgjova zërin e tij, kuptova dimensionin tragjik të
momentit, por nuk shkova!
Ishte dëshira e fundit që të më kishte pranë, në agoninë e
tij, në momentin kur shpirti i tij po udhëtonte drejt qiellit.
Por unë nuk u lëkunda për asnjë cast nga klithmat e shpirtit
të tij.
Në vend që të sakrifikoja jetën time të mjerueshme dhe të
nxitoja për tek ai, t’i merrja dorën, ta siguroja që nuk ishte i braktisur, se
unë isha pranë tij, unë heshta duke iu lutur Zotit t’ia merrte shpirtin sa
më parë dhe ta ndalte së thirruri emrin tim!
Kisha frikë se mos unë pësoja zemërimin e SS-ëve.
Babai im nuk ishte më i vetëdijshëm. Megjithatë, zëri i tij
ishte i pikëlluar dhe i tmerrshëm.
Oficeri SS dëgjoi diçka dhe filloi ta godiste. Babai nuk i
ndjente më goditjet, unë po. E megjithatë nuk reagoja, e lashë oficerin SS të
godiste babain e mbërthyer në kthetrat e vdekjes.
Më keq akoma, isha i zemëruar me të pse në sekondat kur
shpirti po i dilte prej trupi bëri zhurmë duke thirrur emrin tim: “Elieser,
djali im, eja këtu, dua t’ju them diçka të fundit, mos më lër vetëm”…
Kur e kam mbaruar së lexuari kam menduar se ky rrëfim ka
prekur limitet e dhunës, diskriminimit racial dhe skutat më të errëta të
ndërgjegjes njerëzore. Viesel thotë që fjalët janë tmerrësisht të paafta të
përshkruajnë me vërtetësi ndodhitë e Bukenvaldit. Diku ai shkruan :”Vetëm hiri
i Birkenau-t (Auschwitz) flet më shumë se 100 libra të shkruara për të”.
Sot nuk mendoj që “Nata” është gjëja më e tmerrshme që kam
lexuar.
Jo, dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë e
kalojnë disa herë ferrin e viktimave të Luftës së Dytë Botërore.
Perversiteti i dhunës seksuale serbe kalon çdo lloj limiti
të imagjinatës njerëzore.
Dëshmitë e shumë të dhunuarave seksuale nga Lufta e Kosovës
janë dëshmi e një bombe të madhe që Serbia la në Kosovë, ditët e fundit të tyre
aty. Unë kam dëgjuar këto kohë disa dëshmi, kam lexuar disa të tjera nga libri
“Unë dua të dëgjohem”.
Tashmë jam i bindur, dhunimi seksual ka qenë një strategji
perverse e hartuar në kancelaritë e Beogradit dhe jo një shfrim i epsheve të
ushtarëve të papërgjegjshëm. Qëllimi ka qenë kthimi i “Viktimave kundër
Viktimave”, vuajtja jetëgjatë e pasojave të kësaj dhune.
Duke lexuar dëshmitë e të dhunuarave, gjithnjë e më shumë
bindesh që qëllimi i tyre është arritur. Jeta e të dhunuarave është
shkatërruar, fëmijëve të tyre gjithashtu, vëllezërve, motrave. Dhunimi
seksual në prezencë të burrit, të vëllait, të fëmijës apo të prindërve nuk
është më dhunim seksual. Ajo është vula e turpit me të cilën Serbia vulosi
trupin e brishtë të Viktimës në ditët kur kjo po merrte lirinë. Ajo “farë
lirie”, për këto Viktima, erdhi me koston më të tmerrshme të mundshme. Burrat u
ndanë nga gratë, nënat nga fëmijët, vëllezërit nga motrat, viktimat nga
shoqëria.
Bomba jeton akoma mes shoqërisë kosovare. Por si reagon
shoqwria?
Një nga zërat më të njohur në Kosovë, Kimete Berisha,
në një status të saj në FB akuzon një nga të dhunuarat për dashurinë që
ajo ka për fëmijën e dhunimit. Sipas Kimetes, fjalia “për atë fëmijë e jap edhe
shpirtin”!, është absurde dhe e pakuptueshme nga psikologët botërorë e lëre më
nga shqiptarët e zakonshëm. Gjithashtu, Kimetja shton “edhe më absurde është
habia e saj pse e ka lënë burri kur ajo ka vendosë të mbajë fëmijën e dhunës”
Sipas asaj që kuptova kur lexova këto fjalë, gazetarja
mendonte që fëmijët e dhunimit nuk mund të duhen me loçkë të shpirtit. Ka një
diçka që pengon për t’i dashur ata. Gjithashtu, Kimetja shfaq mirëkuptim të
plotë ndaj bashkëshortit që e ndau gruan.
Këto fjalë të thëna nga një zë i spikatur i shoqërisë, së
cilës unë i kam lexuar mjaft gjëra interesante, ishin po aq tronditëse sa edhe
rrëfimet e së dhunuarës.
Nuk do të kisha mirëkuptim edhe sikur këto fjalë t’i thoshte
një plak i një fshati të humbur e lëre më Kimetja. Unë mendoj që dashuria e një
nëne për fëmijën nuk ka lidhje asfare me babain e tij. Ajo është gjëja më e
pakushtëzuar në botë. Dhe të duash një fëmijë dhunimi është akt hyjnor! Ai
fëmijë nuk ka faj së pari. Pikën e fajit! Së dyti nuk ka asnjë përkrahës, ai
është foshnjë e urrejtjes, atë nuk e duan as motrat e veta nga nëna, as
gjyshja, as të afërmit.
Pashë edhe komentet e atij statusi. Asnjë prej tyre, asnjë
për be, nuk kishte për tekstin e Kimetes për të dhunuarën. Kishte komplimente
për pjesë të tjera të statusit por asgjë për “plagën tabu”. Kishte një
mirëkuptim të heshtur.
Po burrat pse nuk i gjykon opinioni?! Këta që pranuan t’ua
rrëmbenin gratë, motrat, bijat e t’ua përdhunonin në sy të tyre?! A nuk duhet
të ishin këta, të parët që do të duhet të përqafonin gratë, nënat, motrat dhe
bijat e tyre?!
Nuk e di se çfarë bisedoi burri me kunatin dhe me vjehrrin
kur tre gratë e tyre dhunoheshin e pastaj merreshin për t’u ridhunuar në një
skenë më makabre. Çfarë flisnin?
Një skenë ku Eli Visel do të thoshte “Nuk paskam parë gjë”.
Zoti u dha kurajë dhe jetuan!
Kur po dëgjoja dëshminë e tmerrshme të të dhunuarës seksuale
në Frontal, e pyeta veten “Çfarë do të bëja nëse do të isha burri i asaj
gruaje”?!
Pikërisht i asaj gruaje që shkruan Kimetja.
Pra, nëse do ma dhunonin gruan, motrën nënën dhe vajzën –
para syve të mi, a do të gjeja arsye për të jetuar?
A thua do të gjeja kurajë për të vdekur e mos e parë një
skenë të tillë? Nuk kam nga ta di, vullneti për të vdekur është jashtë
mundësive për t’u diskutuar.
Por për një gjë jam i sigurtë. Nëse do të jetoja do të
kërkoja shpagim. Bombën që ata ma lanë, vulën e turpit në derën e shtëpisë sime
do ua hidhja atyre akoma pa plasur! Do dilja me gruan, nënën dhe me motrën e do
të deklaroja që po, më kanë dhunuar!
Mua të parin.
Ata u sollën me mua në të atillë mënyrë që të heshtja, të
jetoja me vulën e turpit, të më ndanin nga gruaja, motra, nëna ime. Por jo, nuk
ia arritën qëllimit. Unë i dua ato më shumë se kurrë pas asaj prove të
tmerrshme që kaluam!
Nëse nazistët lanë hirin e Birkenau-t si dëshmi e genocidit
njerëzor, serbët lanë dëshmi të padukshme, ata shkatërruan të ardhmen e
viktimave të tyre.
Sa më shumë raste të dhunuarish të dalin me fytyrën e
tyre dhe të tregojnë dhunën e përjetuar aq më shumë u kthehet xhelatëve bomba e
lënë.
Heronjtë e luftës duhet të hapin pak krahun, të heshtin pak.
Sa nga gratë, motrat, nënat e tyre u dhunuan? A është koha të flitet për
trimëri kur dhuna seksuale ndaj më të pambrojturve ka bërë kërdinë?
Më mirë vonë se kurrë. Përndryshe do të binim në grackën e
dhunuesve.