Senati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për ndarjen e titullit “Profesor Emeritus” për Enver Petrovcin, mësimdhënës i rregullt në Fakultetin e Arteve të UP-së.
Organi më i lartë akademik i UP-së ka aprovuar kërkesën e Këshillit të Fakultetit të Arteve, të mbështetur nga Këshilli i Fakultetit Filozofik dhe i atij Ekonomik, me ç’rast i ka caktuar titullin në fjalë profesorit Petrovci, transmeton Klan Kosova.
Dorëzimin e titullit “Profesor Emeritus” profesorit Petrovci ia dorëzoi rektori Qerimi, në një ceremoni simbolike të organizuar në dekanatin e Fakultetit të Arteve.
“Është hera e parë që nga ky pozicion po e dhuroj një titull kaq të veçantë honorifik, sikurse është profesori emeritus. Njëherësh, është hera e parë që një titull i tillë i caktohet një mësimdhënësi në Fakultetin e Arteve. Ka shumë gjera që në jetë dhe në profesion zëvendësohen, por themeluesi është i pazëvendësueshëm”, tha rektori, teksa i prezantoi titullin profesorit Petrovci, i cili ishte ndër aktorët e parë që iu bashkua nismës së udhëhequr nga profesor Faruk Begolli, për hapjen e Katedrës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve, para tri dekadash.
I nderuar me pranimin e këtij titulli u shpreh profesori Petrovci. Duke i falënderuar kolegët për iniciativën dhe rektorin për ndarjen e titullit, ai tha se këtë titull e pranon në emër të tij, por edhe të profesorit Begolli.
Titulli “Profesor Emeritus” iu dorëzua me motivacionin: “Për kontributin dhe përkushtimin shumëvjeçar dhënë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, për avancimin e vlerave akademike dhe krijimin e kuadrove të reja në artet skenike”.
Fakulteti i Arteve, duke e nderuar profesorin Petrovci, e vlerëson të kaluarën e çmuar të tij në këtë institucion.
Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston datëlindjen e tij të 69-të.
Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.
Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.
Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit./ KultPlus.com
Nën vazhdën e zhanrit aksion, triller dhe dramë, mbrëmë në hapësirat e ‘Cineplexx Kosova’, premiera e filmit vendor me metrazh të gjatë “Bomba” ka bërë bashkë figura të njohura të kinematografisë kosovare dhe asaj shqiptare, shkruan KultPlus.
“Bomba” vjen bazuar në ngjarje të vërteta të ndodhura në luftën e fundit në Kosovë. Nga situata dramatike, rrëqethëse, e herë edhe komike, filmi ka mbajtur vëmendjen e publikut qysh nga nisja e deri në përfundim.
Ndërkaq, kasta e mrekullueshme e përbërë nga Enver Petrovci, James Fetahu, Fatos Kryeziu, Bislim Muçaj, Rremë Thaqi, Dibran Tahiri, Avni Hoti, Selami Taraku, Kadrije Canolli dhe shumë të tjerë që i përkasin skenës tonë filmike, ka bërë që pritshmëritë për publikun vendas, të jenë të larta.
Artistë e artdashës kanë mbushur sallën plot për të parë nga afër premierën e filmit “Bomba”, film ky që ka rezultuar nga një punë tri vjeçare nëpër terrenet e Kosovës.
Skenat e ndryshme të vrasjes, përdhunimit, masakrimit veçse ishin të ndërlidhura me të vërtetën e popullit tonë. Ndërsa, do të jetë bomba që lëshohet nga NATO pikërisht në orën 17:00, ajo që do të shpëtojë personazhet kryesorë të këtij filmi.
Për të treguar më shumë rreth krijimit të këtij filmi dhe vështirësitë përgjatë procesit, për KultPlus ka folur regjisori James Fetahu.
“Skenarin e filmit e kam pasur qysh moti por kushtet nuk kanë qenë të pjekura dhe ne kemi pritur me vite të tëra për të ardhur një ditë e mirë kur më në fund ne kemi mundësi për të dal e për të xhiruar në set dhe njëkohësisht duke dhënë më të mirën sepse ia kemi borxh popullit tonë dhe në fund të fundit, filmi është kombëtar”, thotë ai.
Sipas tij, të qenurit regjisor dhe njëkohësisht edhe aktor në një film, ka qenë tejet sfiduese dhe e vështirë.
“Ka qenë shumë sfiduese se njëkohësisht kam pasur dy role, por njëlloj edhe e vështirë por unë po shpresoj që mundimet harrohen dhe mbetet vetëm një rezultat i mirë. Ky film na ka marrë tri vjet të mira xhirime nëpër Kosovë por vlen të theksohet që fundi ka dal shumë bukur dhe të shihni se e vërteta është pak më ndryshe. Unë po pres që filmi ka për t’u parë dhe do të pëlqehet dhe për këtë jam i sigurt”, shpalos Fetahu.
Në premierën e filmit ‘Bomba’ në Prishtinë ishin të pranishëm edhe Petrit Domi, Dardan Sadiku, Kadrije Canolli, Bislim Muçaj dhe Enver Petrovci, të cilët ende pa e parë filmin, kanë shpresuar se publikut do t’i pëlqej.
“Në emër të ekipit të filmit, sigurisht që ky film s’do të kishte kuptim pas njerëzit që kanë qenë mbrapa me ditë, me natë e me muaj pa asnjë cent, vetëm me dashuri të madhe, andaj i falënderoj shumë”, ka thënë regjisori Fetahu.
Ndërsa, aktori Enver Petrovci ka cilësuar lartë punën e regjisorit si dhe mundin e tij përgjatë tri viteve.
“Është vërtetë bukur që pas tri viteve kokëfortësie, besimi, punë, dashurie ndaj punës së vet, që po përfundon në këtë mënyrë dhe jo kudo por në Cineplexx. Në Cineplexx, sa unë kam informata, nuk mund të hyj çdo film dhe të prish nivelin e kësaj platforme”, thotë ai.
Sipas tij, kur ai ka dëgjuar se ky film do të shfaqet atje, atij i ka ardhur shumë mirë.
“Kur dëgjova se ky film do të shfaqet këtu, më erdhi shumë mirë dhe pikërisht nga ky fakt se ky film po luhet këtu tregon për nivelin e tij. Po flas pa e parë filmin dhe kur ta shoh, ndoshta meriton edhe shumë më tepër. Por sidoqoftë, sado që është krenari për neve, vetëm shpirti i tij e din se çka do të thotë të bësh film pa asnjë cent”, thotë Petrovci.
Përpos një kaste të aktorëve që tashmë kanë lënë gjurmët e tyre nëpër kujtesën e gjithsecilit, ky film ka paraqitur edhe fytyra të tjera të reja që në këtë film patën një paraqitje të mrekullueshme. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta që pasuan në përfundim të filmit.
Ndërkaq, filmi ‘Bomba’ do të fillojë të shfaqet nga sonte në kinemanë Cineplexx në Prishtinë. / KultPlus.com
Filmi vendor i metrazhit të gjatë ”BOMBA” vjen në kinematë e vendit, përcjell KultPlus.
”BOMBA” është filmi që shpalos dhe bazohet në ngjarje të vërteta të ndodhura në luftën e fundit në Kosovë.
Filmi konsiderohet të jetë i jashtëzakonshëm dhe krejt ndryshe. I përket zhanrit aksion/triller/dramë dhe ka zgjatur gjithsej tri vite deri në përfundimin e tij.
Në film luajnë aktorët: Enver Petrovci, James Fetahu, Fatos Kryeziu, Bislim Muçaj, Dibran Tahiri, Avni Hoti, Selami Taraku, Kadrije Canolli dhe shumë emra tjerë të skenës tonë filmike.
Ky film premierën do ta ketë me datë 28 korrik në Cineplexx, duke filluar nga ora 20:00.
Më poshtë gjeni trailerin zyrtar të filmit. / KultPlus.com
Me ndarjen e çmimeve për më të mirët, mbrëmë vonë u ulën perdet e edicionit të 21-të të festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, i cili tradicionalisht mbahet në Qendrën e Kulturës në Dibër.
Në këtë edicion triumfoi Teatri Kombëtar i Prishtinës, i cili fitoi tre çmime të mëdha. Shfaqja “Muslimanët” me regji të Enver Petrovcit u shpall më e mira. Petrovci dhe aktorja Vlora Nikçi, nga i njëjti teatër fituan çmimin “Qemal Ajdini” për aktorin dhe aktoren më të mirë.
Juria profesionale, e udhëhequr nga Bujar Kapexhiu, vendosi që çmimin “Sulejman Pitarka” për regji më të mirë t’ia ndajë Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Qytetari fisnik” në interpretim të Teatrit të Tetovës, e cila u shfaq mbrëmë para ndarjes së çmimit. Bekteshi mori edhe çmimin për regjinë më të mirë për shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” në edicionin e kaluar jubilar.
Gjatë shtatë ditëve të festivalit para publikut dibran performuan teatro nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Mbajtja e festivalit u përkrah nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë me 1,4 milionë denarë dhe me mbështetjen e pushtetit lokal të Dibrës, si dhe nga disa kompani dhe individë./ Press Online / KultPlus.com
Edicioni i gjashtë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vend, Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” 2022, ka përmbyllur me suksese të shumta festivalin që për shtatë ditë ishte edhe epiqendra e kulturës në kryeqytet.
Në një ceremoni madhështore të ndarjes së çmimeve të organizuar në bashkëpunim më Kolegjin AAB, Art Image dhe ATV, kjo natë ishte e paharruar sidomos për garuesit e këtij edicioni që vinin nga: Spanja, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.Ndërsa para fillimit të ceremonisë, të pranishmit ndjekën dokumentarin në të cilin ishte duke punuar e ndjera Burbuqe Berisha mbi jetën dhe veprën e Besim Sahatçiut.
Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi u shpreh e lumtur që ky edicion përfundoi me sukses, duke theksuar se ishte një garë e ngushtë për jurinë. “Marrë parasysh faktin se shfaqjet ishin të gjitha të mira dhe pothuajse të të njejtit nivel, për jurinë nuk ka qenë e lehtë të vendoset për çmimet por dua të falënderojë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit që përfaqësuan shtetin e tyre dhe i uroj për çmimet e fituara”, u shpreh Alshiqi. Edicioni i sivjetmë ka shënuar gjithsej gjashtë shfaqje nga vendi, rajoni dhe bota, shfaqje këto të gjitha në programin garues.
. Këtë vit çmimin kryesor të PITF 2022, çmimin për aktorin më të mirë në rolin kryesor e gëzoi aktori dhe regjisori i shfaqjes “Muslimani”, Enver Petrovci.Ai falënderoi organizatorët e festivalit, duke cilësuar se janë të paktë njerëzit në Kosovë që i kushtojnë rëndësi dhe i japing vlerë kulturës.“Jam krenar me ju me të vërtetë shumë! Jeni ndër të paktit për mos me thënë të vetmit që kontribuoni në organizimin e një festivali kaq të kompletuar dhe që na bëni të ndjehemi si është më së miri sidomos neve artistëve, ju faleminderit të gjitha jurive për vlerësimin”, tha Petrovci.
Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2022)Çmimi “Best Play: Student Choice” – “Muslimani” – KosovaÇmimi “Best Play: Media Choice” – “Muslimani” – KosovaÇmimi “Best Supporting Actor” – Jelena Dukic “Iphigenia” – Mali i ZiÇmimi “Best Director” – Fatos Berisha “The M Word” – Maqedonia e VeriutÇmimi “Best Play” – “Iphigenia” – Mali i ZiÇmimi kryesor i PITF 2022 “Best Actor” – Enver Petrovci “Muslimani” – Kosova./ KultPlus.com
Edicioni i gjashtë i Prishtina International Theatre Festival “Burbuqe Berisha” 2022, në kuadër të të cilit mbrëmë në skenën e Teatrit “Faruk Begolli” në AAB u paraqit shfaqja “Muslimani” nga Kosova, me regji të Enver Petrovcit.
Aktorët e shfaqjes, Enver Petrovci dhe Vlora Nikçi u mirëpritën me shfaqjen e tyre para një publiku të gjerë. Shfaqja trajtonte tematikën e përkatësisë fetare dhe pati për qëllim që ta përcjellë tek publiku atë që z. Petrovci e tha gjatë konferencës “nuk guxon të jetë feja ajo që na ndanë”.
Derisa, sonte mbahet ceremonia përmbyllëse e ndarjes së çmimeve për garuesit e edicionit të sivjetmë. Festivali PITF 2022 do të ndajë këto çmime:
– Çmimin për aktorin/aktoren më të mirë në rol kryesor;
– Çmimin për aktorin/aktoren më të mirë në rol dytësor;
– Çmimin për regjinë më të mirë;
– Çmimin për shfaqjen më të mirë.
PITF 2022 gjithashtu ndanë çmimet:
– Shfaqja më e mirë nga juria e studentëve
– Shfaqja më e mirë nga juria e medias.
Kjo ngjarje do të transmetohet live në ATV nga ora 22:00./ KultPlus.com
Përkitazi me premieren e shfaqjes „Muslimani“ autor e regjisor: Enver Petrovci, shfaqur në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës
Kurimi i vetmisë, lot e qeshje
Nga: Agron Gërguri
Shfaqja autoriale e Enver Petrovcit, autor i tekstit, regjisor dhe ne rolin e kryepersonazhit Dinit, na ktheu tek teatri normal, klasik në një ambient kamertal në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar ku u dha si premierë.
„Muslimani“ i Petrovcit i cili jeton i vetëm në n jë banesë njëdhomëshe shtron dilemën se devotshmëria fetare ushqehet nga përckatimi apo nga vetmia, si një ambient ku humbet kontakti me jeten reale, e pastaj të mbetet vetëm rituali fetar i cili e materializon besimin. Në rastin e muslimanit të Petrovcit tundimi i dilemës shkaktohet kur në skenë futet Nita në interpretim Vlora Nikçit, e cila vjen „mashtrueshëm“ dhe provokueshëm si kujdestare e dërguar nga ministria.
Por që e vërteta në fakt është se ate e ka paguar vajza e Dinit Hana e cila është martuar me një amerikan krishter përkunder vullnetit të Dinit apo më sakt mospajtimit të tij që ajo të martohet me një katolik.
Qëndrimi i ngurt fetar i Dinit sa vjenë e thyhet para sharmit, kujdesit dhe sensualitetit të Anitës.
Në fillim kjo thuaja se duket e pamundur por Dinin e tradhëton shikimi pushtues në të pasmet e bëshme të Anites, me arsyetimin se „i di Allahu punët e veta“ ai e gjenë derën për të dalë në jetë.
Fundja hiç nuk është me rëndësi e vërteta, me rëndësi është se Anita arrinë ta nxjerr Dinin nga mbyllja, vetmia që kishte edhe shenja vetmimi. Të gjesh dashurinë si kuptim esencial jetësor është nivel i emancipimit dhe kjo s’ka të bëjë as me moshen, as gjinin, besimin fetar apo bindjet politike.
Natyrshmëria si arritshmëri e artit
Sipas ajeteve kuranore natyrshmëria është arritshmëri me kët thënie mund edhe të cilësohet shfaqja. Kjo ne rastin e Enver Petrovcit dhe Vlorë Nikçit shkon edhe më tutje shprehet me interpretim minaturial ku luan edhe gishti i vogël, drithërimat shqetësuese të trupit, brofja, shikimi i përqëndruar, lëvizjet e duarëve, ecja, rituali i faljes….për të mbërri tek skena më emblematike e shfaqjes, momenti kur Nita del, dera mbetet e hapur dhe fillon të mbyllet ngadal ndërsa Dini i Petrovcit e përcjell me shikim ndjesor të fuqishëm, duke e kalëruar në mënyrë ekspresive gjithë kalendarin e jetës ai me shikim domethënës i vendosur midis dilemës dhe deshirës që të dal apo jo nga vetmimi. Emocioni i kësaj skene pa tekst arrinë kulmin e gjendjes së personazhit që me aq finesa e luan Enver Petrovci e ku partnerja Vlora Nikçi e percjell denjësisht për të krijuar kështu një marrëdhënie të vështirë por tejet domethënëse për temën e shfaqjes krejt natyrshëm rrjedhimisht kësaj edhe besueshëm si interpretim dhe si rrëfim.
Ndoshta dalja e shpesht e Nites nga skena do të mund të evitohej dramturgjikisht duke e ngopur ate me informata ashtu që ajo të mos ketë nevojë me dal e me hy sepse peronazhi del dhe kur ktheht na sjellë informata të reja. Por me gjithatë duke respektuar kompleksitetin emocional të rrëfimit ndoshta është më mirë që ajo vjen e shkon!
Çaji, abdesi, namazi janë aktivitetet e vetmisë së Dinit. Kodit të jetës së tij sikur i mjaftonë devotshmëria si vetëmjaftueshmeri në raport me Zotin. Këtë kod sikur e vë në sprovë ardhja e Nitës sa lozonjare, sa e ashpër, sa e butë e ëmbël me sjelljet e saja krijon situata tragjikomike një përzierje e dëshirave me mundësinë në ndërtimin e marrëdhënies me Dinin ngase edhe ajo bartë në vete një dramë, se është sterile dhe për kët shkak është ndarë nga burri derisa Dinit i ka vdekur gruaja e dashur Sebi.
Midis tyre sado pengesë feja dhe kujtimet megjithatë ata arrijnë të ndërtojnë urën njerëzore e cila reflekton si një marrëdhënie përtej kufirit të moshës. Duke i shoshitur dilemat ata e gjejnë pikëtakimin tek dëshira për të jetuar.
Duke u përpjekur të shkëputen nga kthetrat e vetmisë si një fenomen i shoqërisë moderne, jetojmë afër njeri tjetrit e rrallë e hiq shihemi, ata tjekalojnë edhe raportet fetare, përkushtimin dhe devotshmërinë ndaj besimit si një ushqim për forcimin e moralit, dhe intononojnë bukurinë e jetës përmes dashurisë si kuptimi esencial i saj, njerëzorja.
Aroma e dashurisë si mesazh
Aroma e dashurisë e cila e përshkon dramën është sigurisht pjesa më e bukur e shfaqjes prej ku pastaj del ai tymi i bardhë i mesazhit se njeriu ka nevojë për njeriun.
Gjuha e personazheve është e natyrshme, ku edhe keqkuptimet gjuhësore shkaktojnë dashamirësi që është karakteristikë e ligjërimit të Enver Petrovicit si autor i shfaqjes.
Drama gërmon thellësi emocionale që kanë të bëjnë me familjen, tjetërsimin, tëhuajësimin, hendekun midis gjeneratave, botkuptimet fetare që barten në kode jete, kujdesi i munguar ndaj të moshuarëve, mërgimin.
Mbase përveç thjeshtësisë në shtruarje, e veçanta e kësaj tragjikomedie është mesazhi se njeriu duhet që dhuratën jetë ta gëzoj përditë duke marrë e dhënë dashuri si një përkushtim i vërtetë ndaj tjetrit pa të cilin ne nuk ekzistojmë.
Shfaqja „Muslimani“ e Enver Petrovcit me natyrshmërinë e saj e kthen teatrin në origjinën e tij tek thjeshtësia si arritshmëria kulminante e artit.
Skenografia, kostumet, zëri i Ismet Azemit, dritat, dekori, rekuizitat ishinë pjesë e ambientimit ku vepronin personazhet në interpretim natyralist ku veprimet foljore dhe ato fizike të Enver Petrovcit dhe Vlorë Nikçit ishin në harmoni të plotë me shtjellimin e temës dhe na bënë që t’ju besojmë duke i duarëtrokitur për emocionet që na i dhuruan, përmes lotëve dhe qeshjes./ KultPlus.com
Martesa, si një bashkim mes dy personave, në shumicën e rasteve midis një burri dhe një gruaje, rregullohet nga ligje, rregulla, zakone, besime dhe qëndrime që përshkruajnë të drejtat dhe detyrat e partnerëve. Mirëpo, një ndikim të madh në martesën e njerëzve nga Kosova dhe më gjerë, është përzier me fenë, në këtë rast atë muslimane, duke pasur parasysh përqindjen e lartë të kësaj feje në Kosovë dhe rajon, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Muslimani”, e cila ngërthen në vete një dilemë shekullore në qoftë se duhet të lejohen martesat mes një gruaje muslimane dhe një burri katolik, paraqet edhe mentalitetin e “turbullt” të shoqërisë, që edhe pas viteve të shumta nuk po gjen përmirësim. Vetëkuptohet se martesa e një gruaje muslimane me një burrë jomusliman është një nga çështjet kryesore tabu në debatet mbi islamin.
Sefedini, i cili është i shtrirë në një kolltuk, çdo ditë zgjohet nga gjumi për të falur namazin e mëngjesit, ku edhe kryen të gjitha ritualet përpara faljes. Në anën tjetër, Anita, një vajzë e re, e cila pa dijeninë e Sefedinit, angazhohet nga vajza e tij për t’i bërë shoqëri një babai që nuk del asnjëherë nga shtëpia dhe gjithçka që ai dinë të bëjë, është vetëm të falet dhe të pi çaj.
Dini, rolin e të cilit e portretizon autori dhe regjisori i shfaqjes, Enver Petrovci, parqet një musliman i cili ka “zhdukur” nga jeta vajzën e tij, për arsye se kjo e fundit u martua me një burrë amerikan-katolik.
Shfaqja e cila zgjati për dy orë kaploi disa tema dhe probleme aktuale të shoqërisë dhe faktin që Dini asnjëherë nuk e lë mënjanë mendësinë e të kaluarës që një vajzë duhet patjetërsisht të martojë një musliman, ose ndryshe konsiderohej se po “tradhtohej” feja.
Bota ka ndryshuar thellësisht dhe ne duhet të përballemi me realitetin, një gjë të tillë e bëri edhe Dini në fund të shfaqjes, atëherë kur edhe dashuria mes tij dhe Anitës lindi natyrshëm. Dashuria mund të bëjë më shumë sesa të kalojë vetëm kufijtë – ajo mund të ndërtojë ura mes dy personave, dhe ndoshta kjo është diçka për të cilën ata patën më së shumti nevojë.
Pas shfaqjes, autori, regjisori, aktori, kantautori dhe protagonisti kryesor i shfaqjes, Enver Petrovci, në një intervistë për KultPlus, rrëfeu edhe momentin kur lindi ideja për këtë shfaqje.
“Jam munduar të paraqes mentalitetin e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por sidomos në Ulqin. Kjo ide më lindi pikërisht kur isha në plazh dhe atje filloi një dasëm. Prapa meje dëgjova në gjuhën malazeze, kur dikush po bënte një martesë dhe ishin pikërisht një shqiptare muslimane me shqiptarin malazez ortodoks që po kurorëzonin martesën e tyre. Atje pronari i hotelit, i cili ishte gjithashtu shqiptar katolik, më njoftoi se këtu shqiptarët musliman dhe katolikë nuk martohen kurrë mes vete, por vetëm me shqiptarë të tjerë malazez ortodoks, ndoshta ka ndodhë që janë martuar vetëm dy çifte, por ata më pas kanë ikur nga Ulqini, këtu edhe lindi inspirimi”, deklaroi ai.
Roli i Anitës luhet nga ish-studentja e profesorit, Vlora Nikçi, e cila paraqet dhimbjen që totalisht ndryshon dramaturgjinë e shfaqjes.
“Unë i edukoj studentët e mi që të luajnë me mua, nuk kam turp për studentët e mi, aq sa i mësoj dhe aq sa dinë. Unë kam qef të luaj së bashku me ta, ne për këtë punë po shkollohemi. Me kënaqësinë më të madhe luaj me ta, ndërsa studentët e kanë një drojë se po luajnë me profesorin, por me kohë çlirohen dhe e vazhdojmë pa problem”, tha në fund Petrovci.
Ndërkaq, Nikçi për KultPlus tha se profesori ishte vetë tekstshkruesi dhe regjisori, gjë që e bëri edhe më të vështirë adaptimin me të.
“Enver Petrovci ishte profesori, regjisori dhe tekstshkruesi, që do të thotë se kanë dal pikërisht prej shpirtit, dorës dhe mendjes së tij teksti që ka bërë ai, e kjo është e vështirë t’i adaptohesh. M’i dhënë frymë dhe jetë atij personazhi që ai vetë e ka kriju dhe shkru është shumë e vështirë. Unë për këto katër muaj kam ecur nëpër dy emocione shumë të fuqishme. Një është e keqe, se si me e plotësu atë që e ka bë regjisori dhe tekstshkruesi, e në anën tjetër kur po i jepja jetë asaj që me të vërtetë është Anita që ai e ka shkruar. Këto janë dy gjëra shumë të fuqishme që më kanë ndjekur pas këto muaj”.
Sa i përket pjesës së portretizimit të roleve të tilla, Nikçi i vlerësoi shumë e madje tha se dhimbjet e mëdha na shtyjnë që të bëjmë gjëra të bukura, njësoj siç u shfaqën edhe aty.
“Është shumë e rëndësishme portretizimi i roleve të tilla në teatër, dhimbja e Anitës më prek shumë. Është pikërisht kjo dhimbje që e bën atë të vazhdojë me këtë burrë të lënë pas dore, dhimbja e saj e shtynë të vazhdojë të bëjë gjëra të bukura. Mos të harrojmë që ndonjëherë, dhimbjet e mëdha na shtyjnë të bëjmë shumë gjëra të bukura. Është dhimbja e Anitës që e ndryshon të gjithë dramaturgjinë e shfaqjes, prandaj është edhe e fuqishme”, u shpreh ajo.
E pyetur në qoftë se ky është roli më i vështirë që ka pasur në teatër, ajo tha se ishte shumë i veçantë për faktin se luajti krah ish-profesorit të saj, e madje edhe u rikthye në kohë për të mësuar gjëra të cilat mund t’i kishin “ikur” si studente.
“Nuk do të thoja që është roli më i vështirë që e kam pasur në teatër, por më i veçanti po, pasi po luaja me profesorin tim në skenë. Dhe po të luash me profesorin në skenë, ndjehesh pak e priviligjuar, mos të harrojmë që ky thotë se është regjisori në shfaqje, por ai ka qenë gjithmonë profesori. Më është duk sikurse jam rikthyer në studime dhe kam kapur edhe një herë të gjitha mësimet që dikur në ligjërata kanë mundur të më ikin si studente”.
Dashuria është një gjë e vështirë, sepse ajo mbështetet në më shumë se vetëm ndjenja – ka të bëjë me vullnetin, përkushtimin dhe këmbënguljen, pavarësisht pengesave që qëndrojnë në rrugë. Por nëse ka një vullnet e një mënyrë, atëherë ka edhe një rrugëdalje, gjë të cilën e gjetën edhe Hana (vajza e Dinit) dhe Stefani, i dashuri i saj. E për të ruajtur ndjenjën më të thellë të shpirtërores së zemrës, do të ishte thelbësore të kapërcejmë hipokrizitë dhe dyfytyrësinë shoqërore që shpërbëjnë mënyrën tonë aktuale të jetesës. /KultPlus.com
Sot në Teatrin Kombëtar është mbajtur konferenca me rastin e premierës së shfaqjes ‘Muslimani’ të regjisorit Enver Petrovci, përcjell KultPlus.
Ishte vetë regjisori Petrovci ai që e mori fjalën i pari për të treguar origjinën e kësaj shfaqje, ngjarjen që e bëri ta shkruajë tekstin e shfaqjes ku vetë është protagonist. Ai tregon se e gjithë historia filloi disa vite më parë në Ulqin ku ai kishte rastisur të shihte një dasmë të një vajze shqiptare muslimane dhe të një djali malazez ortodoks.
“Ishte kohë kur nuk kishte turistë, shkuam në plazh me një kolege nga Beogradi. Vetëm një restorant punonte dhe shkuam aty. Erdhi kamarieri na i solli kafet dhe tha vetëm edhe pesë minuta dhe ju lutem a mund të spostoheni vetëm dy metra në këtë anë sepse në atë restorant që ishte në fund të plazhit, ishte i rezervuar për një dasmë atë ditë. Më pas u dëgjua muzika hynë dasmorët plot, të veshur bukur dhe po e dëgjoj zërin në malazezisht.” – thotë regjisori Petrovci, ku ndonëse nuk i ka mbajtur mend emrat, ai e kujton se kishte të bënte me një martesë të dy njerëzve që nuk i bashkonte as kombi e as religjioni”.
“Më bëri përshtypje kur u ktheva në hotel, edhe aty pronari i hotelit ishte shqiptar katolik dhe po i them ‘Më bëri përshtypje kjo dasma mes shqiptares muslimane dhe malazezit ortodoks’, më tha ‘po ne martohemi me ta’, duket e pazakontë mirëpo shqiptari katolik me shqiptarin musliman kurrë nuk martohen, pavarësisht se janë të një kombi. Nuk shkoi shumë, pasi u ktheva në Prishtinë shkrova këtë histori dhe e titullova me emrin ‘Muslimani’- shprehet ai duke vazhduar se mezi pret që ta shfaqë këtë shfaqje në Ulqin.
E në realizimin e kësaj shfaqje, regjisori thotë se pjesa më e lodhshme ka qenë ajo e gjetjes së aktores që do të luajë përkrah tij deri sa hasi në aktoren Vlora Nikçi e cila në këtë shfaqje luan rolin e Anitës.
Ndërkaq, vetë aktorja thotë se për të ka qenë një kënaqësi e madhe ta ndajë të njëjtën skenë me regjisorin Enver Petrovci.
“Ajo çka ka qenë e vështirë gjatë krejt kësaj pune është ajo që mua më kanë ndjek pas dy emocione shumë të forta gjatë krejt kësaj pune të gjatë dhe shumë të mirë, një shumë e mirë e madhe dhe një shumë e keqe e madhe. E keqja e madhe është se tekstshkruesi është gjallë dhe është në skenë me ty dhe gjithmonë e ke atë dronë se a je ti ajo Anita që e ka kriju Enver Petrovci dhe e mira e madhe është që tekstshkruesi është në skenë me ty dhe nuk të lejon me dalë prej Anitës që ky e ka imagjinuar.” – thekson aktorja Nikçi.
E gjithë kjo punë e cila do të prezantohet të hënën në premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, asistenti i regjisë, Lirim Behluli, thotë se ka zgjatur rreth 4 muaj.
“Kemi pasur disa pauza deri sa kemi punuar në këtë shfaqje, por kur kemi bërë provat kemi punuar intensivisht. Kemi punuar gradualisht shfaqjen dhe besoj se jemi gati për premierën”, tha ai.
Poashtu, në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe Zeni Ballazhi i cili është marrë me skenografinë.
“Ne flasim më shumë me objekte, ka qenë kënaqësi me punu me profesor Enver Petrovcin. Tu e njoftë eksperiencën dhe punën profesionale të tij, nuk kemi hezitu dhe me kënaqësinë më të madhe kemi pranu dhe ia kemi përshtat konceptin shfaqjes edhe karaktereve” – thotë Ballazhi.
Për fund foli edhe Arbnora Ademi, e që në këtë shfaqje paraqitet si përshpëritëse.
“Kur e kam lexu për herë të parë më ka pëlqyer shumë teksti por nuk e kam ditë nëse po e gjykoj saktë ose po ngutem me reagu edhe me i thënë profesorit që po mpëlqen shumë çka ke shkru. Por kemi nisë me punu veç mu ka dëshmu mënyra qysh e ka punu profesori karakterin edhe kom mësu shumë gjatë kësaj eksperience dhe jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e kësaj shfaqje.” -përfundoi ajo.
Përveç premierës në Teatrin Kombëtar, regjisori Enver Petrovci thotë se planifikon që këtë shfaqje ta dërgojë edhe jashtë kufijve kombëtarë./KultPlus.com
Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston datëlindjen e tij të 68-të, shkruan KultPlus.
Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.
Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.
Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit. / KultPlus.com
Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është mbajtur sot ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore për teatër, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku, në fjalën e tij u shpreh se këtë herë çmimet për teatër po ndahen me pak vonesë me qëllimin që gjithçka të jetë profesionale dhe të realizohet në mënyrën më të mirë.
“Nuk kemi dashur që këtë punë ta kryejmë sa për sy e faqe, por ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ka qenë një proces i lehtë sepse ka pasur mjaft nominime cilësore por këto janë çmime tradicionale vjetore. Ky komunitet ka qenë një zhvillim kulturor sepse teatri është reflektimi më i saktë i gjendjes shpirtërore të një shoqërie”, tha Çeku duke potencuar që juria ka vendosur që t’i shpërblejë me këto çmime për një punë të mirë në një kohë të vështirë.
Juria profesionale e përbërë nga: regjisori Ilir Bokshi, aktori Astrit Kabashi, aktorja Shengyl Ismaili, regjisori Ben Apolloni dhe regjisori Kushtrim Koliqi, kishte vendosur që në mënyrë unanime çmimet vjetore për teatër të ndahen në këtë formë:
Çmimi për vepër jetësore t’i ndahet aktorit Enver Petrovci.
Ky çmim është ndarë për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit dramatik në Kosovë, kontribut i dhënë si aktor, profesor, dramaturg, regjisor dhe themelues i institucioneve teatrore në vend.
Çmimi për shfaqjen më të mirë shkoi për “Zgjimi i Pranverës” të regjisores Zana Hoxha.
Ky çmim është ndarë për trajtimin e guximshëm të problemeve të të rinjve, për harmonizimin e interpretimit aktoresk, klasik, dans teatër dhe këndim.
Çmimi regjisë më e mirë shkoi për shfaqjen ”Kthimi i Karl Majit” së regjisores Blerta Neziraj.
Ky çmim është ndarë për kombinimin e elementeve të ndryshëm shprehës medial duke kaluar nga një situatë dhe formë në tjetrën.
Çmimi aktori më i mirë për rolin në shfaqjen ”Kthimi i Karl Majit” shkoi për Armend Ismajli.
Ky çmim është ndarë për interpretimin e një personazhi kompleks, për ekspresivitet dinamik dhe bindës.
Çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar për AKT- Shtëpia Teatrore.
Ky çmim është ndarë për përfaqësimin e denjë të artit teatror dhe kulturës nëpër botë.
Pas pranimit të çmimit, aktori Enver Petrovci u shpreh se ky është çmimi i parë që e ka marrë nga Qeveria e Kosovës, e po ashtu ndau një moment të bukur nga kujtesa e tij.
“Çmimi më i madh që unë e ndjej është kur unë shkova në pazar në Tiranë për të blerë patate, dhe një vajzë e re 20 vjeçare që shiste lule, më tha se prindërit e saj më adhurojnë dhe më pyeti nëse mund të ma falte një buqetë të saj me lule. Ajo ishte njëra ndër ditët më të bukura të jetës time”, përfundon Petrovci.
Kështu, krejt në fund, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u miratua edhe kërkesa e shtruar nga aktori Astrit Kabashi, rreth inkuadrimit të çmimit për aktoren më të mirë. / KultPlus.com
Në një zhanër krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja, nën zgavrën sfiduese e ambicioze të dramës dhe krimit, shpaloset një histori me plot të papritura që do i dhurojnë një kahje tjetër zhvillimit të ngjarjes duke e vendosur kështu kastën e aktorëve të jashtëzakonshëm në një rrugëtim sa argëtues po aq edhe drithërues, me rastin e nisjes së serialit më të ri vendor të titulluar ”Rrushe”, shkruan KultPlus.
Emri i serialit “Rrushe”, vjen nga vetë fakti që është shumë i kapshëm nga publiku ku edhe shumica e njerëzve të paktën një herë gjatë jetës së tyre e kanë thirrur një person të dashur në atë pseudonim. Ndërsa, emri i personazhit kryesor siç është Vesa, e që emrin e saj përkëdhelës ia ka vendosur gjyshi i saj, Faruk Pirulli, i cili njëkohësisht është personi i saj më i dashur, befas do të ndodhi një e papritur që do të ndërrojë kahjen e ngjarjes e për çka edhe do të zbulohet se jo rastësisht emri i serialit ka këtë titull.
Seriali “Rrushe”, është i vendosur në dy periudha kohore që ndërlidhen mes vete, të tashmen dhe fundin e viteve ’90 dhe përfshin familjen Pirulli si protagonistë kryesorë, një familje e zakonshme prishtinase, apo së paku kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, vajza e familjes, punon si gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që gjenezën e kishte në bujari e mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetërat atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.
Puna në serialin “Rrushe” kishte filluar para një viti, në kohën kur të gjithë ndodheshim në karantinë dhe ideja për realizimin ka lindur nga ekipi i ‘Gjirafa Studios’, ku pavarësisht situatës pandemike, produksioni ka ndikuar pozitivisht në mobilizimin, vullnetin dhe dëshirën që stafi të krijojë diçka. Kështu, ata çdo ditë kanë mbajtur mbledhje online duke diskutuar rreth historive së gjithë secilit që i kanë ndodhur përgjatë jetës së tyre.
Përmes këtyre historive të lexuara në njërën nga mbledhjet ku nuk ka munguar humori dhe emocionet që nuk njihnin fund, aktorët kanë njohur njëri-tjetrin më mirë dhe kështu ata kanë vendosur që të takoheshin me novelistin Jeton Kulinxha, të cilit i kishte pëlqyer energjia e ekipit dhe ka filluar të shkruante skenarin së bashku me Patrik Lekaj për realizimin e një projekti të tillë që besohet se do të lë gjurmë në vend. Pas shumë diskutimeve dhe takimeve që kanë ndodhur me Kulinxhin, skenari i episodit të parë ka gjetur vend në një periudhë kohore qysh nga muaji qershor e deri në tetor.
Seriali deri më tani përmban gjithsej dy sezone me nga 10 episode, ku deri më tani janë shkruar rreth 17 episode dhe ekipi gjendet në përfundim të xhirimeve për episodet 6-10. Ndërsa, për ekzistencën e sezoneve të radhës do të vendos publiku i cili mbetet të vulos jetëgjatësinë e këtij seriali.
Për herë të parë në vend ‘Gjirafa’, sjell një veçanti të bukur ku grumbullon një kast të mrekullueshëm, mbi 80 aktorë të cilët përmes serialit do të trajtojnë tema si: krimi, korrupsioni, ndikimi i familjes tek fëmijët, roli i gruas në shoqëri, zhvillimi i karrierës, bullizmi në shkolla dhe më gjerë, tradhtia, çrregullimet mendore e shumë tema tjera për të cilat besohet se do të kenë një ndikim tek audienca.
Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.
Prodhimi nga Gjirafa Studios sjell këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala.
Valter Lucaj, regjisori i këtij serali, ka treguar për KultPlus se para pranimit të skenarit të parë për serialin ”Rrushe”, për shkak të pandemisë ai ndodhej në një periudhë të vështirë me ‘GjirafaStudios’, ku ekipit i ka ndryshuar tërësisht mënyra e të menduarit dhe punuarit.
“Gjatë gjithë procesit për projektet që ishim duke i zhvilluar në përputhje me rrethanat e reja, në të njëjtën kohë ishim duke u munduar që të vinim deri tek ideja për të sjell diçka më ndryshe, më sfiduese dhe ambicioze. Kur e kemi lexuar dhe diskutuar rrjedhën e historisë së Rrushe-s, së bashku me vizualizim në kokën time, më ka dhuruar emocione por edhe një ndjenjë që seriali do të jetë njëri ndër projektet më të veçanta për mua dhe ashtu po del të jetë”, tha Lucaj.
Regjisori po ashtu ka theksuar se që nga fillimi i prodhimit të serialit, ata kanë pasur qëllime të sakta që të tejkalohet kualiteti ku edhe Kosova si vend të radhitet për prodhime me kualitet të lartë duke u krahasuar jo vetëm me Ballkan por edhe tutje.
“Mesazhin të cilin e përçojmë me temat e trajtuara në këtë projekt, është që t’i mbledhim aktorët e mirënjohur në një vend duke i dhuruar kështu vlerë audiencës”, thotë Lucaj.
Sipas tij, bashkëpunimi i jashtëm me Gjirafën dhe puna në këtë kompani e ka intriguar regjisorin mjaft shumë duke pasur parasysh risitë që kanë sjell në treg dhe përkushtimin e tyre në fusha të caktuara. Prandaj, duke u bazuar në atë eksperiencë, para dy vjetëve Lucaj i është bashkangjitur ekipit të Gjirafës si producent ekzekutiv dhe regjisor duke realizuar kështu qëllimin e tij për prodhimin e një seriali me këto përmasa.
Regjisori tutje ka theksuar se vështirësitë gjatë procesit kanë qenë të shumta për shkak të projektit sfidues. Ndërkaq, për procesin e punës në tërësi ka thënë se deri tani është shumë i kënaqur me komplet punën ekipore e sidomos për dashurinë dhe vullnetin e tyre, me ç’rast puna është duke shkuar për mrekulli dhe për regjisorin konsiderohet një privilegj që po punon me secilin nga ata.
“Vështirësi ka pasur duke pasur parasysh situatën pandemike, pastaj projekti është sfidues dhe si ekip na ka frikësuar dhe shpesh herë i kemi krijuar vështirësi vetes sepse projekti është ambicioz. Por, vështirësi ka qenë edhe besimi në një projekt të tillë, menaxhimi i një ekipi kaq të madh por gjithsesi ekipi, dashuria dhe vullneti për të krijuar këtë projekt i kanë lehtësuar të gjitha punët”, shpalos regjisori.
Për Lucaj, përzgjedhja e aktorëve nuk ka qenë proces i lehtë sepse seriali ka personazhe të shumta prandaj edhe për disa role të caktuara janë mbajtur audicionet dhe për disa të tjerë janë ftuar aktorët pasi që Kosova nuk është vend i madh dhe nga puna e tij disa vjeçare, ai ka punuar edhe më herët me shumicën prej tyre.
Gjithashtu, ai ka folur edhe rreth provave për këtë serial që trajton tema dhe ngjarje të ndryshme prandaj edhe kasta e aktorëve janë të ndarë në bazë të ngjarjeve dhe provat mbahen në grupe të caktuara, gjithmonë duke pasur parasysh masat e shtruara.
”Veçantia më e madhe e ‘Rrushe’, është trajtimi, xhirimi dhe mënyra se si është duke u krijuar seriali me një ekip i cili mundohet të dhuroj gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që ky serial të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Performanca dhe përkushtimi i aktorëve janë një tjetër veçanti sepse është projekti i parë ku këta aktorë janë në një vend”, përfundon Lucaj për KultPlus.
Ndërsa, Doresa Rexha, producentja e këtij seriali dhe njëkohësisht edhe aktore, ka treguar për KultPlus se ‘Rrushe’ është projekti që e ka sfiduar atë më së shumti deri më tani e edhe nga i cili ka mësuar më së shumti.
“Sinqerisht, kur lexova titullin “Rrushe”, e paragjykova paksa, por pasi që e lexova u binda për të 500 herë që libri nuk gjykohet nga kopertina. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe frikësuar deri në palcë”, thotë Rexha.
Sipas saj, duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe brenda ekipit të Gjirafa Video, së bashku me themeluesin e kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani është vendosur kërkimi për profesionistë të duhur për pozita të caktuara ku kështu janë takuar edhe me regjisorin Lucaj.
“Duke e njohur punën e Valterit, përkushtimin dhe pasionin për profesion sigurisht që ai e kishte vendin në ‘Gjirafë’. Pa Valterin si regjisor dhe pa ekipin si Adele, Kiqa, Fisi, Giza, Trashegimi, Patriku, Bled, Edon, Frasher, Bahtie, Driton, Atdhe, Besnik, Leona dhe Jeton nuk do të mundësohej ky serial”, tregon ajo.
Për Rexhën, ka qenë e vështirë menxhaimi si producente dhe aktrimi në xhirime por që dashuria, pasioni, përkushtimi dhe ndihma e regjisorit dhe ekipit, e ka bërë të mundur këtë arritje. Por edhe pse e vështirë, ajo këtë proces e ka cilësuar si njëri ndër më të bukurit që ka përjetuar ndonjëherë.
“Ekipi i GjirafaStudios jo që nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre por i kanë tejkaluar edhe limitet e tyre. Prandaj, ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që po bashkëpunoj më të gjithë aktorët e sidomos me: Xhevat Qorraj, Çun Lajçi, Enver Petrovci dhe Bislim Muçaj”, tregon Rexha për KultPlus.
Krejt në fund, ajo është shprehur se dashuria për profesionin dhe profesionalizmi i tyre janë shkollë për aktorë dhe të gjithë këta aktorë janë vlerë e serialit prandaj ajo ndjehet me fat që i kanë besuar këtij projekti.
Sa i përket aktorëve, dy nga ata si: Afrim Muçaj dhe Aurita Agushi, tashmë janë pjesë e serialit dhe aktualisht ndodhen në përfundim të xhirimeve.
“Ishte ftesa e producentes Doresë Rexha, e cila me prezantimin e projektit “Rrushe” në formën më të mirë të mundshme, nuk më la zgjidhje tjetër pos ti bashkohem këtij produkti ambicioz dhe shumë interesant. Pastaj, pa dyshim që ishte nder për mua ti bashkohem regjisorit Valter Lucaj dhe gjithë kastës fantastike që ka përzgjedhur ai”, thotë Mucaj.
Sipas tij, tema e serialit është njëra ndër pikat më të forta. Trajtimi dhe guximi i një teme të tillë konsiderohet maja e arsyejës që mblodhi këta aktorë ku së bashku me skenarin e mirë, regjisorin dhe produksionin profesional është menduar se ”Rrushe” do të jetë shumë e bukur për publikun.
Roli i aktorit Muçaj është menduar të jetë mjaft interesant dhe atraktiv për publikun duke pasur parasysh që nuk është i lehtë për tu interpretuar.
“Bashkim Pirulli, vëllai i vogël i familjes së madhe Pirulli, të cilin e luaj, është një personazh atdhetari i cili bashkë me “Lëvizjen Qëndresa” në krye me Mixhen Zekë (të cilin e qëndisë aktori Çun Lajçi), mundohemi për disa episode ti ofrojmë publikut pamje të atdhedashurisë dhe kontributit të shumë brezave të viteve të 90-ta, që kontribuuan në mundësinë qe ne sot të xhirojmë të lirë ‘Rrushen”’, tregon ai për KultPlus.
Për Muçaj, si çdo punë serioze dhe profesionale siç është edhe ky produkt, do të haset në pengesa gjatë rrugës por që gjithsesi ata po punojnë me një qejf të madh duke arritur synimin që ky produksion ka.
“Jam shumë i lumtur që po punoj me regjisorin Lucaj sepse energjia e tij e madhe pozitive dhe profesionalizmi ekstre, të fut në përgjegjësi të mëdha”, përfundon Muçaj për KultPlus.
Kurse, për aktoren Aurita Agushi, ftesa për të qenë pjesë e serialit ka ardhur nga vetë regjisori i cili ka punuar edhe më herët me aktoren e për çka ajo nuk ka hezituar as edhe një sekondë që të bëhet pjesë e serialit.
“Që në bisedën e parë shihej qartë se bëhej fjalë për një projekt shumë premtues që do të na bëjë krenarë të gjithëve dhe jo vetëm neve por edhe ata që do e shikojnë serialin”, tregon Agushi.
Sipas saj, kur bëhet fjala për një projekt kaq të madh, vështirësitë nuk mungojnë. Pandemia konsiderohet si vështirësia më e madhe por që me një organizim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga ‘Gjirafa’, çdo gjë ka qenë më e lehtë për të.
Agushi do të luaj rolin e Merita Pirullit, bashkëshorte dhe nëna e tre fëmijëve. Merita është një profesoreshë arti e cila përballet me shumë sfida si në jetën personale ashtu edhe ne atë profesionale.
“Seriali është përditshmëria jonë ku secili prej nesh do ta gjejë veten në personazhet dhe skenat e Rrushe-s. Mesazhi është që secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij që Kosova të jetë vendi për të cilin të gjithë ëndërrojmë dhe duam ta shohim ashtu siç e ëndërrojmë”, përfundon Agushi për KultPlus.
”Rrushe” është seriali më i ri vendor i cili vjen premierë sonte dhe mund të ndiçet çdo të diel nga ora 20:00 në T7 si dhe online në GjirafaVideo.
Ndërkaq, disa nga pritshmëritë e ekipit janë që ky projekt të mirëpritet nga publiku as më shumë e as më pak nga sa kanë punuar e munduar ata, fillimi dhe krijimi i një projekti ku çdo anëtar të jetë krenar për punën e tij si dhe është cilësuar se ”Rrushe”, është projekti më serioz dhe më i madhi ndonjëherë në të gjitha trevat ku flitet shqip. Prandaj, për “Rrushe“ do të flitet gjithandej./ KultPlus.com
Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston datëlindjen e tij të 67-të, shkruan KultPlus.
Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.
Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.
Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit. / KultPlus.com
Dyert e Teatrit Kombëtar mbrëmë u hapën e pritën ‘Kreolët e Ballkanit’ për të parën herë për këtë vit. Përballja e identiteteve të dyfishta të atyre që dikur ishin fëmijë të martesave të përziera, erdhi para publikut si një ballafaqim me të kaluarën e dhimbshme. Ku pikërisht këta fëmijë, shpërfaqën udhëkryqet jetësore që dikur e ndoshta gjithmonë, fëmijët e tillë do të gjendeshin në mes dy udhëkryqeve, të qenurit heronjë apo tradhëtarë, shkruan KultPlus.
‘Kreolët e Ballkani’ drama që u shkrua në vitin 1989, dhjetë vite para se të fillonte konflikti në Kosovë, erdhi para publikut si një kujtesë historike e si një thirrje për të mos u harruar se çfarë populli i Kosovës kishte përjetuar përgjatë atyre viteve të kobshme.
Për një orë e gjysmë, aktorët Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri kanë interpretuar mbrëmë përballë një publiku më të shumtë në numër sesa që e kishin menudar.
Regjisori Enver Petrovci pas shfaqjes në një prononcim për KultPlus tha se është shumë i kënaqur që ndonëse në një perudhë pandemike shfaqja ka arritur që të ketë një publik të madh. Ai ka shtuar se premiera e kësaj shfaqje ishte e supozuar qe të bëhej në muajin nëntor, mirëpo deri në natën e mbrëmshme ishte shtyer tre herë.
‘Pas peripecive të gjata që i kemi pasur ne dhe krejt bota me këtë Covid, shfaqjen e kemi shtyer tre herë radhazi. Kjo shfaqje ka qenë në plan të ketë premierën në nëntorë. Mirëpo, ja që më në fund doli dhe jam shumë i lumtur edhe me pjesëmarrjen e publikut pasi kam pritur shumë më pak’, ka potencuar tutje Petrovci.
Sipas tij bukuria që mban në vete ‘Kreolët e Ballkanit’, ka të bëjë me faktin se edhe pse kjo dramë është shkruar në vitin 1989, çdo gjë doli që të jetë e vërtetë. Petrovci ndër të tjera tregoi se teksti si tërësi përgjatë gjithë këtyre viteve pati vetëm një ndryshim të vetëm, emri i personazhit nga Mallina në Maria.
“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe nuk e kam të vështirë aspak. Me babanë jemi edhe shokë, edhe baba e bijë”, ka potencuar Vanesa Petrovci, e cila në ‘Kreolët e Ballkanit’ erdhi në rolin e Marias.
Për aktorin Leonit Maloku të luaj në një shfaqje ku regjisor është profesori i tij, ka qenë një ëndërr e bërë realitet.
‘Eksperienca ime me profesorin ka qenë shumë e mirë, ka qenë ëndërr e imja që të luaj me profesorin apo të jem pjesë e një drame të shkruar apo drejtuar nga ai, kështuqë kjo ëndërr u bë më në fund realitet. Ndër të tjera, procesi ka shkuar mjaft mirë, kemi pasur ndërprerje deri sa kemi arritur që më në fund të luajme shfaqjen, mirëpo ky pushim na ka bërë mirë sepse jemi kthyer fuqishëm’, ka deklaruar tutje Maloku për KultPlus.
E pranishme në preimerën e parë për këtë vit në Teatrin Kombëtar ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi për të cilën ‘Kreolët e Ballkanit’ ishte një ndër shfaqjet përmes së cilës tregohej historia e dikurshme e martesave të përziera.
“Historia nuk duhet harruar asnjëherë dhe këto janë ndër format se si duhet ta tregojmë atë. Në këtë dramë për ndërgjegjen njerëzore u shpërfaqën edhe talentet e aktorëve të rinj që dhanë një interpretim fantastik”, theksoi Dumoshi për KultPlus.
Drama ‘Kreolët e Ballkanit’ merret me kreolë- fëmijë të lindur nga martesa të përziera (raca). Ato rrallë janë adresuar në të gjithë botën e letërsisë. Gjatë ish Jugosllavisë, këta fëmijë – njerëz kërkoheshin për çdo punë dhe veçanërisht për poste të ndryshme të larta shtetërore. Ishte pikërisht sepse ata llogariteshin që gjatë lindjes, për të mos qenë nacionalistë.
I gjithë tregimi zhvillohet midis dy Krijuesve: Hekuran (Celik) dhe Inspektorit, që janë themeluesit e konfliktit. Kreatori i tretë është Maria, e cila është vajzë infantile dhe nuk e di se çfarë po ndodh përreth saj. Ajo lufton për të mbijetuar, dhe ndërkohë, ajo dashurohet me Hekuranin sepse ai është i vetmi që i jep ushqimin, dhe nuk ka tendencë ta dhunojë.
Drama ka të gjitha emocionet themelore njerëzore. Të tilla si dashuria, urrejtja, ambicia politike, hakmarrja, torturimi, besimi në Zot, dinjiteti dhe më shumë. / KultPlus.com
Drama ‘Kreolët e Ballkanit’, me regji të Enver Petrovcit do të vie premierë këtë të martë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Në këtë dramë luajnë aktorët Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri.
Drama do të luhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës me 12 Janar në orën 17:00.
Drama merret me kreolë- fëmijë të lindur nga martesa të përziera (raca). Ato rrallë janë adresuar në të gjithë botën e letërsisë. Gjatë ish Jugosllavisë, këta fëmijë – njerëz kërkoheshin për çdo punë dhe veçanërisht për poste të ndryshme të larta shtetërore. Ishte pikërisht sepse ata llogariteshin që gjatë lindjes, për të mos qenë nacionalistë.
Por në kohë krize ose lufte, ata bëhen të dyshimtë dhe të padëshirueshëm pikërisht sepse nuk janë të përkushtuar për nacionalitet kombëtar.
Drama “Kreolët e Ballkanit”, edhe pse është shkruar dhjetë vjet para fillimit të konfliktit të Kosovës (1989), autori parashikon se çfarë do të ndodhë mes dy kombeve armiqësore.
I gjithë tregimi zhvillohet midis dy Krijuesve: Hekuran (Celik) dhe Inspektorit, që janë themeluesit e konfliktit.
Hekurani u identifikua si një nacionalist shqiptar por me një nënë serbe dhe inspektori që përfaqësonte qeverinë aktuale, i lindur nga një nënë shqiptare dhe një baba serb. Ata me fanatizëm mbrojnë pikëpamjet e tyre, e cila gjithashtu çon në një luftë të grindjeve etnike.
Kreatori i tretë është Maria, e cila është vajzë infantile dhe nuk e di se çfarë po ndodh përreth saj. Ajo lufton për të mbijetuar, dhe ndërkohë, ajo dashurohet me Hekuranin sepse ai është i vetmi që i jep ushqimin, dhe nuk ka tendencë ta dhunojë.
Drama ka të gjitha emocionet themelore njerëzore. Të tilla si dashuria, urrejtja, ambicia politike, hakmarrja, torturimi, besimi në Zot, dinjiteti dhe më shumë.
Dhe nëse në fillim drama lë një përshtypje plot vrazhdësi, është thjesht një dramë rreth dashurisë dhe shpresës që njerëzit e rinj do të lindin me energji më të mirë dhe do të krijojnë një botë të re, më të bukur./ KultPlus.com
Mbrëmë në natën e tretë të Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, u dha shfaqja “Kreolët e Ballkanit” e regjisorit Enver Petrovcit. Kjo shfaqje e cila në fokus të saj ka konfliktet me bazë etnike bëri që në Beograd të ngritët pllakata “Kosova Republikë” dhe të valëvitet flamuri kombëtar, shkruan KultPlus.
Drama e jetës së Hekuranit, i cili nuk i përket
asnjë vendi pasi që nënën e ka serbe dhe babin shqiptar, solli në Qendrën për
Dekontaminim Kulturor në Beograd, steriotipet dhe paragjykimet që ekzistojnë në
mes të shqiptarëve dhe serbëve. Kjo nuk kaloi pa u vënë re nga publiku
heterogjen, pasi që të dy palët kuptonin absurditetin e situatës që shfaqej.
Serbët e konsideronin vetën të mirë ndërsa shqiptarët ishin e kundërta. E të njëjtën
gjë e mendonin edhe shqiptarët për palën tjetër. Absurditeti i epiteteve që ia
kanë lënë njëri-tjetrit këta dy popuj u vunë në pah sidomos gjatë dialogut të
Marias (Vanesa Petrovci) dhe Hekuranit (Elidon Alika).
Maria, një serbe e re mendon që shqiptarët duhet vrarë e prerë pasi që këtë e bënë edhe polici, një njeri të cilin ajo e konsideron të mirë pasi që i jep çokollata duke mos e kuptuar që në fakt ai është personazhi negativ i kësaj histori, personi që edhe e ka dhunuar atë. Hekurani një kreolë, një djalë që nuk pranohet nga asnjëra palë pasi që ka gjak të përzier, beson në përrallën që e tregon vet, një përrallë ku bota është më e mirë. Madje ai për këtë mundohet ta bindë edhe Marinë.
“Është
një vend, ku të gjithë janë të lumtur, aty ka edhe serb edhe shqiptarë, por jo
policë”, i thotë ai Marias, të cilës i ka vdekur nëna ndërsa babin i saj është
në burg. E përtej dashurisë, ëndrrës për një botë më të mirë, kjo shfaqje sjellë
edhe anën e errët, policët të cilët janë kriminal, një miqësi e cila
shkatërrohet për shkak të mosbesimit, dhe tradhtinë me synim që të përfitohet
nga situata e krijuar.
Edhe pse e shkruar 10 vite para fillimit të luftës në Kosovë, shfaqja akoma përputhet me realitetin dhe gjendjen aktuale politike por edhe me realitetin dhe ambientin në të cilin po mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan” i cili në dy ditët e para të tij u shoqërua me protesta. Premiera e kësaj shfaqje, e cila erdhi mbrëmë në Beograd, u dha në Tiranë në fund të dhjetorit të vitit 2018. Mungesën e realizimit të kësaj shfaqje pas gjithë këtyre viteve, regjisori Petrovcit e arsyetoi me faktin se vetëm së fundi janë krijuar mundësitë për shfaqjen e saj.
“Ka ndodhur cdo gjë që e kam shkruar. Unë kam dashur gjithmonë me ba këtë shfaqje por ka qenë rrezik, ku me e vendos shfaqjen ku Kosova bëhet republikë, ku fitues bëhen hajnat. Por kjo nuk ndodhë vetëm tek shqiptarët kjo ndodhë tek popujt që më në fund e fitojë atë që e kanë dëshiruar me decenie. Këto e simbolizojmë me rolin e Muhametit, i cili është ambicioz dhe i vetmi që mbetet gjallë dhe i cili fiton me paratë e Hekuranit të cilat ai ia lenë Marisë, e cila po ashtu në fund mbetet me Muhametin”, theksoi Petrovci.
Për realizimin e kësaj shfaqje e cila zgjatë 1 orë e 40 minuta kasta e aktorëve së bashku me regjisorin Petrovci kanë punuar për më shumë se dy muaj. Gjithë këtë proces e ka konsideruar të fuqishëm dhe kërkues, aktori Elidon Alika i cili për herë të parë ka punuar me regjisorin Potrovcin në këtë shfaqje.
“Shfaqja prek Ballkanin, nuk është se është
politike Kosovë-Serbi, prek ata njerëz të cilët kanë gjak të përzier, ata qe
kanë babin serb dhe nënë shqiptare, apo kroat, boshnjak dhe të tillët janë
gjithmonë të diskriminuar. Kur janë nga ana shqiptarë ju themi e keni nanën
serbe kur janë nga ana serbe ju themi e keni babën shqiptarë. Dhe pikërisht këta
janë edhe personat qe kanë vuajtur shumë”, theksoi Alika.
Kjo shfaqja përmbylli ditën e parafundit të edicionit të 6-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Shfaqja deri më tani përveç Tiranës është shfaqur edhe në Kroaci, Ulqin dhe Gjilan./ KultPlus.com
Aktori Enver Petrovci sot e ka datëlindjen, dhe mbushë plot 65 vjeç.
Petrovci lindi më 28
shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë
Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet
Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike
në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në
teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur
nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të
asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në
Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.
Ai madje ka provuar edhe të këndojë. Në fund të vitit 2014-të,
në Festivalin e Fundvitit në TVSH ai morri pjesë me këngën “Të vranë bukuri”.
Ai bashkëpunoi në këtë projekt muzikor me Riza Dolakun dhe Alfred Kaçinarin, duke e performuar dhe patjetër duke aktruar në këtë festival.
Nëse do të fitonte, Petrovci do të na përfaqësonte në Eurovizion, por atë vit festivalin e fitoi Elhaida Dani.
Petrovci është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë. / KultPlus.com
Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston ditëlindjen e tij të 65-të, shkruan KultPlus.
Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë.
Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit,
më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve
Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme
në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty
u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me
të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën
artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të
mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave,
kosovare dhe ndërkombëtare.
Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe
Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai
kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe
formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.
Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit. / KultPlus.com
Enver Petrovci: Kur dikush vdes atëherë vlerësohet vërtetë kush ka qenë ai njeri…
“… Unë e kam fshehur gjithmonë mendimin tim, sepse kam menduar që vetë jeta dhe mënyra se si jetoj do të vijë një ditë në shprehje, atë se çfarë unë mendoj që nuk ka ardhur kurrë në shprehje që të dinë njerëzit. Kam kuptuar që tek populli shqiptar, kur dikush vdes atëherë vlerësohet vërtetë kush ka qenë ai njeri. Unë shpresoj që pasi të vdes do t’a vlerësojnë saktësisht se kush kam qenë unë…”, u shpreh aktori Enver Petrovci, në emisionin “Voilà” te “Top Channel” në kanalin e Youtube …
Regjisori dhe aktori i njohur kosovar, Enver Petrovci thotë se ndërtimi i një Teatri të ri Kombëtar është i domosdoshëm sepse ekzistuesi nuk ka kurrfarë vlere arkitektonike.
Petrovci shton se nuk e kupton pse bëhet një debat i tillë dhe se të kundërshtosh ndërtimin e një teatri është budallallëk.
“Për mua është budallallëk mos me u ndërtu një teatër i ri. Mendoj se duhet ndërtuar sepse çdo teatër vlen për një komb, sidomos teatri kombëtar. Jam kundër që toka t’i falet dikujt, mirëpo të ndërtohet teatri i ri absolutisht që është një budallallëk me e kundërshtu. Ai teatër që ekziston nuk ka kurrfarë vlere arkitektonike”, ka deklaruar ai, i pyetur për debatin që po zhvillohet në Tiranë. / KultPlus.com
Ka qenë Eurovizioni i vitit 1986 kur është dëgjuar emri Prishtinë.
Prishtina Calling – është thënë nga asokohe Enver Petrovci. Gara evropiane e muzikës asokohe mbahej në Norvegji ndërsa votat e Jugosllavisë në natën finale i prezantoi aktori, me anë të telefonit.
Nga Prishtina, Petrovci prezantoi votat e votuesve nga Jugosllavia në garën ku merrnin pjesë 20-të këngë. Edicionin e fitoi Belgjika, ndërsa Jugosllavia ia dha dhjetë pikë kësaj kënge.
Kjo ka qenë edhe hera e vetme kur votat në këtë garë janë transmetuar nga juria në Prishtinë, ndërsa Kosova vazhdon të mos marrë pjesë në garën muzikore, kjo për shkaqe kryesisht politike, shkruan KultPlus.
Enver Petrovci, vite më vonë, do të kthehej si një pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, ku nëse do të fitonte do të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizion.
Saktësisht, Petrovci në vitin 2014-të këndoi në Festivalin e TVSH-së këngën “Të vranë bukuri”.
Asokohe, për Jugosllavinë në këtë garë këndoi Doris Dragovic, ndërsa u pozicionua në vendin e 11-të. Disa vite më vonë Jugosllavia do të shembej ndërsa shtetet e dala sot konkurrojnë të ndara në Eurovizion, përfshirë Kroacinë, Bosnjën, Slloveninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Serbinë. / KultPlus.com
Aktori i njohur kosovar Enver Petrovci, në intervistën javore për gazetën nacionaliste serb “Kurir”, flet me nostalgji për ish-Jugosllavinë dhe kohën e kaluar si aktor teatri dhe filmi në Beograd. Në të njëjtën kohë shpreh pakënaqësi të madhe për jetën në Kosovë, për të cilën thotë se është “jetë në diktaturë”.
“Kushtet atje (në teatrin Atelie 212 në Beograd) ishin të mrekullueshme. Të jesh në bufe në një shoqëri të tillë. I njoftova njerëzit më të mençur të Beogradit dhe shkoja t’u blej cigare që të më pranojnë në shoqërinë e tyre. Natyrisht që më pranuan”, thotë Petrovci në intervistën për “Kurir”, shkas për të cilën është angazhimi i tij në serialin serb “Hijet mbi Ballkan”.
Për angazhimet e tij si aktor në Kosovë, Petrovci thotë se tek tani po e mëson shqipen. “Nuk e kam atë siguri si kur flas serbisht në skenë. S’do të kisha guxuar të improvizoj në shqip”.
I pyetur “si mund të ndërtohen urat e rrënuara” ndërmjet popujve të këtyre anëve, ai përgjigjet: “Mund të urrehemi me shekuj, por herëdo-kurdo duhet të kuptojmë se njëri pranë tjetrit duhet të kalojmë. Shembull duhet t’i kemi sportistët dhe artistët tanë. S’duhet t’i presim politikanët”.
Për jetën në Kosovë aktori thotë: “Jetojmë në diktaturë. S’ke siguri nëse flet diçka kundër pushtetit. Menjëherë gjendesh në listën e zezë, s’ke punë. Thjesht, nuk ekziston”.
Petrovci, siç transmeton Expressi, gjithashtu tregon se në Kosovë shpesh e quajnë “spiun të Serbisë”.
“Kur është nevoja, unë jam patriot, e kur s’është, spiun serb. Nëse i kritikoj, thonë se loboj për Serbinë. Këtë s’e bën populli. Ata më duan, më çmojnë. Dinë të thonë edhe se jam aktor dhe shqiptar i madh, kurse unë e di se çka jam. Kurrë askush s’më ka blerë. E kam folur gjithmonë atë që e kam menduar. Më ka kushtuar shumë herë dhe s’jam penduar. Kam folur se e kam pasur bukur në Beograd. Te ne ka politikanë të cilët kanë qenë të martuar me serbe, kurse këtë e fshehin. Dikur kemi qenë më të lirë, më të sigurt, punonim dhe fitonim më tepër”, thotë Petrovci për gazetën serbe.
Personaliteti më i çmuar publik në Kosovë për Petrovcin është kryetari i Federatës Futbollistike të Kosovës, ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit Fadil Vokrri, për të cilin thotë se “gjithmonë është mbajtur si njeri”.
“Kurrë s’e kam dëgjuar që për dikë të flasë keq. Është politikan më i mirë se unë”, thotë aktori, duke shfaqur shpresë se skuadrat beogradase Partizan dhe Zvezda do të mund t’i shohë në Prishtinë. Këtu, sipas Petrovcit, këto ekipe ende i kanë tifozët e tyre./KultPlus.com
Sot më 15 nëntor me fillim nga ora 14:00 në ambientet e Universitetit AAB, shfaqet filmi artistik “Tuneli” me regji te Ilir Harxhit, shkruan KultPlus.
Ky film vjen me një kaskë të përzgjedhur aktoresh, ndër ta janë aktorët Robert Ndrenika dhe Evner Petrovci.
Pas shfaqjes së filmit do të mbahet edhe një konferencë për medie, ndërkaq nga nesër filmi do të shfaqet në Kinemanë ABC në Prishtinë me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com