“Derë e hapur” përballë patriarkalizmit shqiptar

Filmbërësi i ri shqiptar, Florenc Papas e ka shfaqur premierën botërore të filmit të tij të parë artistik, “Derë e hapur”, në garën e edicionit të 25-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që u mbajt prej 16 deri më 23 gusht.

Në filmin e tij me buxhet të vogël që shpërfaq rrëfimin e dy motrave në një shoqëri thellësisht patriarkale, Papas e ka kthyer mungesën e buxhetit në përparësi, kryesisht falë performancave mahnitëse dhe një koncepti të suksesshëm audiovizual.

Kur e takojmë motrën e madhe, Rudinën (Luli Bitri), ajo është rreth dyzetvjeçare dhe është e ngarkuar me përgjegjësi të shumta: përpos që punon si rrobaqepëse në një fabrikë lokale, Rudina përkujdeset për vjehërrinë e moshuar, derisa bashkëshorti i saj kërkues punon jashtë, kështu që ata shihen vetëm një herë në vit. Ajo po ashtu është duke e rritur e vetme të birin e tyre njomak, Orionin.

Rudina është duke e pritur motrën e saj, Elmën (Jonida Vokshi) që të kthehet nga Italia, ku ajo jeton dhe punon. Ato duan që së bashku të shkojnë me veturë për vizitë te babai i tyre në fshatin e lindjes, në përvjetorin e vdekjes së nënës. Por posa që Elma mbërrin me traget nga Bari, Rudina mbetet e shokuar kur e sheh se ajo është shtatzënë. /KultPlus.com

Rushdie sjell Don Kishotin e kohëve të sotme

Jo, nuk është si puna e bukës së lyer me mjaltë. Është Quichotte si te Don Kishoti, novela e shekullit të shtatëmbëdhjetë e Miguel de Servantesit, por këtu i riimagjinuar prej Salman Rushdie si një post-novelë e shekullit tonë.

Realizmi, dukshëm, më nuk është boshti i përshkrimit të botës sonë. Dhe sikur e thotë njëri prej karaktereve, “surealja, madje edhe absurdja, tani ofron përshkrimet më të sakta të jetës reale”.

Nuk jemi në Mançë, por në Trumplandë. Kalorësi ynë bredharak është një teveqel me emrin Ismail Smile, i cili mbetet pa punë si shitës ilaçesh dhe vendos të marrë rrugën nëpër krejt Amerikën me të birin e tij tinejxher me emrin Sanço.

Ismaili shpreson se do t’ia fitojë zemrën yllit televiziv me emrin Salma, sikurse ai me prejardhje indo-amerikane, emisioni televiziv i së cilës e ka kthyer atë në një “Oprah 2.0”. Ai kurrë s’e ka takuar, por i shkruan letra dashurie me emrin letrar “Quichotte”, duke besuar se “dashuria gjen rrugën e vet” për t’ua bashkuar zemrat… /KultPlus.com

Ndiqe atë ëndërr

Shkruar nga Fred Uajs,
kënduar nga Elvis Prisli.

Përktheu: Bujar Meholli

Ndiqe atë ëndërr, të cilën dhe unë do ta ndjek,
lëvizni, çajë përpara…
Kam për të shkuar pas asaj ëndrre kudo
që ajo do të më çojë;
unë do ta ndjek atë ëndërr
që ta gjej dashurinë për të cilën ndjej nevojë.

Kur zemrën e pllakos shqetësimi
është tamam vakti për të ec tutje;
kur ta ndjesh veten të drobitur,
është pikërisht vakti për t’ia thënë një kënge.
E kur ëndrra të thërret
është veçse një gjë e duhur për ta bërë,
ta ndjekësh atë kudo që ajo mund të të shpie.

Duhet t’i shkosh pas asaj ëndrre,
që ta gjesh dashurinë për të cilën ke nevojë…

E pra, lëviz lëviz , para çajë.

Më duhet ta gjej dikë me zemër të lirë,
dikë që thur ëndrrën bashkë me mua,
dhe atë po përpiqem ta gjej
duke bredh nëpër ëndrrat e mia…

Andaj, kam për të shkuar pas asaj ëndrre kudo
që ajo do të më çojë,
do ta ndjek atë
që ta gjej dashurinë për të cilën kam nevojë.

Lëviz, lëviz!
Përpara bëjë…

https://www.youtube.com/watch?v=Am05yZehlAM

Tirana në festivalin e Mantovas

Një qytet i pezulluar midis Perëndimit dhe Lindjes dhe rruga kryesore për nisje dhe mbërritje në zemër të Mesdheut, pas hijet e shekullit XX dhe diasporës së gjatë, Tirana është sot në qendër të një gjallërimi dhe rilindje kulturore. Ashtu si letërsia, arkitektura e saj është gjithashtu relativisht e fundit, duke treguar gjurmët e totalitarizmit, por edhe praninë e ndërtesave osmane, vilave dhe pallateve të lirisë, reminishencave të sferave të huaja dhe ndërhyrjeve të transformimit urban.

Si vend ku përplasen kultura të ndryshme, me një të histori për të treguar, Tirana, një qytet në libra, është e përzgjedhur si protagoniste në Festivaletteratura 2019, që do të zhvillohet në Mantova të Italisë nga data 4-8 shtator. Një bibliotekë e përkohshme me rreth 200 vepra të autorëve shqiptarë e të huaj, ku zbulohet kryeqyteti shqiptar, është ngritur në Piazza Sordello, nën kurimin e studiuesit, eseistit, përkthyesit e pedagogut, Luca Scarlini. Në këtë bibliotekë librash gjenden vepra artistike, eseistike, shënimi udhëtimi të autorëve Jeronim De Rada, Dritëro Agolli, Elvira Dones, Gëzim Hajdari, Ismail Kadare, Alexander Langer, Indro Montanelli, Besnik Mustafaj, Mario Rigoni Stern, etj.

Një rrugë e rikonstruktuar nga kuratori me një theks hyrës dhe të pasuruar nga kontributi i udhëzuesve të bibliotekave shumë të vlefshme, të cilët së bashku me veprat më domethënëse të autorëve shqiptarë, do të jenë gjithashtu një mundësi për të rizbuluar histori si ajo e Girolamo De Rada, të udhëtares Mary Edith Durham dhe shkrimtarit Joseph Roth, të cilët ishin magjepsur nga sharmi i një toke aty pranë por misterioze; të gjuhëve që tregojnë ende një vitalitet të jashtëzakonshëm, si ai i komunitetit arbëreshë të Italisë së Jugut.

Gjatë ditëve të festivalit, do të jenë të pranishëm në stendën dedikuar Tiranës, shkrimtarët Fatos Kongoli e Virgjil Muçi. Nuk do të mungojë një rrëfim i arkitektes Elisabetta Terragni mbi Muzeun e Gjetheve dhe Shtëpinë-Muze “Kadare”. E ftuar është edhe këngëtarja Elina Duni. Prej vitit 1997, Festivaletteratura është një prej ngjarjeve kulturore, më të rëndësishme në Itali. Përgjatë 5 ditëve të festivalit zhvillohen takime me autorë nga e gjithë bota, lexime, koncerte etj. Ky aktivitet zhvillohet këtë vit edhe me mbështetjen e Ministrisë Shqiptare të Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. /KultPlus.com

‘Ky popull nuk ka asgjë për të humbur, është në pikën që edhe nga dinjiteti i jetës është zhveshur’

Tea Maneku / Facebook

Sot u be 1 muaj qe kur jam kthyer ne Shqiperi per te kaluar pushimet e veres. Ndihem e ezauruar dhe dorezuar menderisht. Kontakti i vazhdueshem me familjare edhe miq qe ndodhen ne situata jetesore absurde, te vuajtura, panevojshmerisht te komplikuara dhe menderisht patologjike. Bashkebisedimi me kedo eshte i veshtire, ankthioz edhe agresiv ne formen me te zakonshme. Edhe pse portalet mediatike shqiptare i kam evituar nga rrjetet e mia online, psikozat dhe perversitetet sociale jane aty perdite, format e te ciles manifestohen duke filluar qe nga momenti i pare qe dal nga shtepia per te marre busin edhe te shkoj ne praktike. Per cdo dokument fillestar qe me duhet hasem me institucione pertace, te korruptuara, arrogante, kriminele edhe poshteruese.

Ka qene e pamundur te beje biseda qe shkojne pertej problemeve. Kjo eshte gjendja me e renduar psiko-socio-ekonomike qe kam perjetuar deri me tani nga Shqiperia. Ajo per te cilen me vjen keq me teper eshte se brezat e rinj jane konformuar me korrupsionin edhe format me antisociale te interaksionit shoqeror. Askush nuk e ve ne pikepyetje sjelljen e vet edhe te reflektoje per opsione te tjera. Modeli estetik dominant qe eshte i pranishem me bollik ne hapsirat e qytetit jane te rinj e te reja te mbiveshur, luks pa shije, ne pamje te pare shtrese e mesme e larte? Por fatkeqesisht ky nuk eshte realiteti faktik i Shqiperise por thjeshte nje simptome me qellim mbulimin e nje gjendjeje qe ne brendesi eshte e krimbur, e vuajtur dhe ne mungese kritike te drejtesise sociale.

Modeli i autoritetit qe eshte i gatshem per identifikim jane nje grup burrash te korruptuar, pa vizion, pa sens komuniteti edhe largpamesie, pa kulturen minimale te demokracise, me komplekse te thella inferioriteti te manifestuara si tipare antisociale. Injoranca, individualizmi, patriarkalitet, marredhenie nderfamiljare me tipare Kanunore jane realitet edhe perditshmeri e gjithesecilit tashme. Ne te tilla kushte identifikimi me pushtetin eshte bere mekanizem mbijetese por padiskutim i pajustifikueshem.

Hapsirat e sigurta sociale ne te cilat ke mundesi zhvillimi jane aq te pakta edhe aq te nderlidhura me forma kapitaliste perfitimi sa jane dekurajuese edhe te paperfillshme per te gjeneruar ndryshim substancial.

Rezultati ne nje gjendje te tille? Deshire edhe sakrifica marramendese per tu larguar. Braktisje e gjithckaje per tja nisur nga zero-ja ne vende me ligje qe e bejne thuajse te pamundur integrimin edhe rehabilitimin e individeve qe nuk jane pjese e EU. Ne te tilla kushte ky popull nuk ka me asgje per te humbur, eshte ne piken qe edhe nga dinjiteti i jetes eshte zhveshur. Paradoksalisht kto jane pikerisht momentet historike ne te cilat mobilizimi i revoltes eshte i domosdoshem per krijimin e avashte te nje fryme te re politike qe duhet te kete parim dhe kusht denoncimin e padrejtesive sociale. Une kam shprese…

At Stath Melani, prifti të cilit ia dogjën shtëpinë tri herë

AT STATH MELANI (1858-1917)

Prifti përmetar At Stath Melani lindi më 1 shtator 1858 dhe u vra nga një bandë ekstremiste greke në vitin 1917.

Për 35 vjet ai veproi në shërbim të çështjes shqiptare dhe aktiviteti i tij u shtri gjer në Turqi, ShBA, ku shërbeu si prift, dhe përsëri në Shqipëri.

Si klerik dhe intelektual ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe zbatoi vendimet e këtij kongresi përbashkues në zonat jugore të Shqipërisë.

Për veprimtarinë e tij patriotike dhe kishtare At Stathi u përndoq nga autoritetet vendore turke në Shqipëri, të cilët dhe i dogjën shtëpinë tri herë. Në të njëjtën kohë, ai përgjohej dhe ndiqej edhe nga grupime nacionaliste greke, me nxitje të hierarkisë kishtare, të cilët dhe e vranë më 24 dhjetor 1917, në moshën 55-vjeçare.

Edhe pse sot është pranuar se lufta kundër përdorimit të gjuhës shqipe në Kishën Ortodokse ishte e gabuar, At Stath Melani nuk është rivendosur në historinë e komunitetit të vet fetar, në Kishën e Atdheut të tij.

Krerët ortodoksë në Shqipëri sot (gjysmët të ardhur nga Greqia dhe gjysmët nga familje myslimane shqiptare), kanë ringjallur dhe rimbjellur armiqësinë e hershme ndaj At Stath Melanit. Ata priftërinj që kanë guxuar të bëjnë përshpirtje për klerikun e vrarë në pabesi natën e Krishtlindjeve, janë qortuar dhe izoluar.

‘Zemrën s’ma kurseve kurrë, ma shkele si t’ish gur’

Aida Baraku sot është nga ato tekstshkrueset e njohura shqiptare, e cila punon me këngëtarë të ndryshëm në aspektin e tekstit dhe përshtatjes.

Dikur ajo këndonte edhe vet, dhe disa këngë të saj së fundmi janë edhe në Youtube me incizimet e tyre origjinale. Baraku, e cila ka bashkëpunuar edhe familjarët e saj që këndonin, përfshirë edhe Armend Rexhepagiqin, pati realizuar disa këngë dhe disa videoklipe.

Ndër to është kënga “Edhe pak”, një tekst për një dashuri të humbur të cilin Aida e ka shkruar vet.

Po e sjellim këtu këtë këngë të Aida Barakut, të cilën shumica e kujtojmë edhe me këngë por edhe me shkrimet e saj në të përditshmet kosovare para disa vitesh, ku kritikonte fenomenet e ndryshme. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=1z7G7GNgbGg

Amos Oz: Njerëzit gjithmonë të lënë kur vjen një kohë që nuk marrin më nga ti asnjë përfitim

Fragment nga ”Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”

Një herë, kur isha 7 a 8 vjec nëna më tha, ndërsa uleshim në vendin e parafundit në autobus për në klinikë a ne dyqanin e kepucëve, se megjithëse ishte e vërtetë që librat mund të ndryshonin me kalimin e viteve, po aq sa njerëzit, dallimi ishte se, ndërsa njerëzit gjithmonë të lënë kur vjen një kohë që nuk marrin më nga ti asnjë përfitim ose kënaqësi ose interes, ose të paktën një ndjenjë të mirë; një libër nuk të braktis kurrë.

Natyrisht, ndonjëherë ti i lë, mbase për disa vjet ose madje madje përgjithnji. Por ata, dhe sikur t’i tradhtosh nuk të kthejnë kurrë shpinën: Ata vazhdojnë të presin për ty në heshtje dhe me përulje në raft. Ata presin edhe për 10 vjet. Nuk ankohen. Deri kur një natë, kur paprimtas ke nevojë për një libër edhe në 3 të mëngjesit, edhe sikur të ishte një libër që ti e ke braktisur dhe fshirë nga zemra për vite e vite, nuk do te zhgënjejë kurrë, do të zbriste nga rafti dhe do të bënte shoqëri në castin tënd të nevojës.

Nuk do të përpiqej të ta kthente apo të nxirrte justifikime apo të pyeste veten nëse ia vlente apo nëse ti e meritoje apo nëse ishin ende për njeri-tjetrin. Do të zbriste sapo ti ta thërrisje. Një libër nuk të lë kurrë në baltë. /KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Mynihit, një nga teatrot më të bukura në botë

Teatri Kombëtar i Mynihit, është themeluar në shek. XVIII, sipas idesë së krijuesve të teatrit si G.E. Lessing, ku Teatri Kombëtar duhej t’i shfaqte dramat gjermane për të përforcuar gjuhën dhe karakterin kombëtar, si dhe për të tejkaluar operën italiane e dramën franceze që luheshin zakonisht në teater për publikun aristokrat të kohës.

Ky teatër, është një shtëpi historike e operës. Shtëpi e Operës Shtetërore të Bavarisë, Orkestrës Shtetërore të Bavarisë dhe Baletit të Shtetit bavarez.

Pra ideja e një teatri kombëtar në Gjermani kishte qëllim integrimin e gjithë njerëzve nën kulmin e një gjuhe, kulture dhe një lloj teatri. Keto arsye ishin me shume estetike sesa nacionaliste. /KultPlus.com

Pikturat e harruara të Pirros dhe mbretit Glauk

Pirroja i Epirit është figura e vetme brenda truallit ilir që përmendet gjerësisht sot nëpër auditorët më seriozë të historisë nga pedagogë dhe profesorë të nderuar të historisë antike.

Është figura më e jashtëzakonshme e Ilirisë së Jugut që ka një vend të veçantë në historinë antike të Mesdheut, ku kjo e fundit cilësohet si djepi i qytetërimit evropian.

Si çdo figurë e madhe dhe e glorifikuar, Pirroja i Epirit ka qënë subjekt i kreativiteteve më pjellore në fushën e artit, qoftë pikturë, skulpturë, mozaik etj. Pikturat të famshme me protagonist Pirron paraqiten të kompozuara nëpër beteja, si ajo e Herakleas apo dhe zbarkimi i tij në Itali me elefantët.

Por pikturat më me interes na shfaqet kur ai ishte një bebe, dhe rritej në oborrin e mbreti Glauk. Pikturat paraqesit mbretin Glauk dhe Pirron e vogël, foshnje të brishtë, që mundohet të kapet tek froni i Glaukut, duke i dhënë kështu një konatacion që të jep idenë se ajo foshnje e dinte fatin e saj të lavdishëm në një ardhme të largët.

E vetëformon psikikën në atë mënyrë duke besuar se edhe ai një ditë do të ulej në një fron me lavdi. /konica.al/KultPlus.com

Piktori e politikani shqiptar që jetoi e punoi në Londër

Të dëgjosh sot për shqiptarë të suksesshëm në Evropë nuk është diçka e rrallë, pasi me liberalizimin e sistemeve politike, gjithçka mund të ndodhë. Por, kur bëhet fjalë për fillimin e shekullit të kaluar, ndryshon puna.

Ishte viti 1974 kur në Galerinë “Pride” në Londër u organizua ekspozita e artistëve bashkëkohorë britanik. Një pjesë e saj i qe kushtuar një njeriu jo shumë të njohur, me emër e mbiemër që shqiptohej vështirësisht nga anglezët. Ky ishte piktori shkodran Çatin Saraçi i cili për plot 40 vjet jetoi dhe punoi në Londër.

Të dhënat biografike për të janë të pakta, por studiuesi Aurel Plasari në gazetën “55”,  datë 12 qershor 2006, marrë dhe botuar nga Marian Shestani në librin “Shkodra”, na paraqet atë çfarë ai ja ka dalë të mësojë nëpërmjet hulumtimeve të tij:

Çatin Saraçi Lindi në Shkodër, në një familje borgjeze në za të qytetit. Qysh dhjetë vjeç u rrit në Evropë. U shkollue në Austri dhe, me marrjen e pushtetit nga Ahmet Zogu në Shqipni, Saraçi bëri pjesë në administratën e lartë të tij si funksionar diplomatik. Ishte njeri me kulturë, me sqimë, aristokrat i saloneve evropiane, i cili, në Legatën shqiptare që drejtonte në Vjenë, kish krijue një mjedis luksoz aristokratik.

Bashkëkohësi emënmadh, Paul Getty përshkruen salonet e Legatës së tij mbushë me sixhade persiane, argjendurina ballkanike, salone që kundërmojshin dyllë, temian e obst schnaps, sidomos në sallën e pritjes, me mure veshë me kadife ngjyrë vishnje dhe ai vetë ulë mbi pianoforte me kryet përkulë mbi tastierën, rrëmbye nga muzika Rahmaninov që luente.

Nisur nga ky përshkrim, shohim se sa i evropianizuar ishte shkodrani Saraçi, për pikturën e të cilit flitet pak. Gjithashtu, punimet e tij janë shumë pak të njohura në Shqipëri dhe ato ruhen në Galeritë angleze apo në galeritë personale të familjeve atje. Gjiathashtu, ka informacione se të tjerë anëtarë të Legatës kanë piktura të tij. /konica.al / KultPlus.com

Artisti me duar magjike, shkatërron për të krijuar

Artisti Simon Berger ka duar magjike, saqë ai po krijon edhe kur për të krijuar i duhet të shkatërroj dicka tjetër. Ai ka krijuar një portret të mahnitshëm duke shkatërruar xhamin në vende të caktuara.

Jepini atij një çekan dhe një daltë dhe do të gdhend një portret xhami. “Xhami është një material që ka aq shumë potencial në art”, tha artisti Berger.

Marangozi i stërvitur filloi udhëtimin e tij artistik duke përdorur dru, por shpejti filloi të eksperimentonte edhe me materiale të tjera. Në një moment, Simon madje krijoi një portret nga një makinë llogaritëse.

Artisti fillon një pjesë me një foto të një modeli. Ai më pas skicon në një panel qelqi. Nga atje, Simon shënon pikat që nuk dëshiron të thyejë dhe ato që ai dëshiron të redaktojë pak.

Xhami më i mirë për këto projekte është diçka që nuk prishet menjëherë pasi të goditet. Si xhami i makinës. “Fytyrat njerëzore më kanë magjepsur gjithmonë”, tha artisti./21Media/KultPlus.com

Gjergj Kastrioti: Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël, por atë ma ka falur zoti

Skenderbeu është heroi më i madh kombëtar i shqiptarëve. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e tokave shqiptare nga Perandoria Osmane. Busti i tij gjendet në një numër të madh qytetesh europiane si dhe për të janë shkruar një numër i madh librash.

KultPlus ju sjell shtatë thënie të Skënderbeut nga letërkëmbimi i tij gjatë viteve 1456-1465:

-Kur bëhet bashkë e mira me të mirën, veç mirësi ka. Kështu ka ndodhur sa herë që kam pasur të bëj me njerëz të mirë.

-Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël. Por atë ma ka falur Zoti.

-Dihet nga të gjithë se sa dëm i madh i shkaktohet fesë së krishterë po të hiqni dorë nga kujdesi [vigjilenca] që keni treguar kundër armikut.

-Ne kemi kërkuar të ruajmë besën, në mbrojtje të së cilës kemi kaluar rreziqe sa nuk mund të numërohen, dhe sa herë e kam përballuar vdekjen me dashje.

-Të gjithë jemi të krishterë të barabartë nëpërmjet pagëzimit.

-Çfarëdo që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit, dhe jo i fatit.

-Ne quhemi Epirotë, dhe duhet të keni dijeni se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me Romakët, dhe ne e dimë se në më të shumtën e herëve, ata u ndanë me nder sesa me turp. /KultPlus.com

Shtypi amerikan e vlerëson “Kosovën” e Jusuf Buxhovit

Organizata për kritikë letrare në rajonin Midwest, Midwest Book Review, ka analizuar veprën e Jusuf Buxhovit përmes së cilës ka shkurar sesi Kosova është vazhdimësi e mbretërisë së vjetër të Dardanisë, ka njoftuar Jusuf Buxhovi, transmeton KultPlus.com

Jusuf Buxhovi e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook

“Shtypi amerikan për “KOSOVËN”

“Midwest Book Review” : “Kosova -Vazhdimësi e mbretërisë së vjetër të Dardanisë

Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan. 
Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”:
“Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne,

Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj.

Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.

Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë.

Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti”. /KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi 
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji. 

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’ 
do ngjisë ai traktet kudo në qytet. 

-Mesnatës ti sonte, o nënëë, me zgjo! 
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo. 

Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj 
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj. 

Shikon ajo traktet dhe lutet për të 
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”. 

Akrepi lëviz, me ngadale lëviz 
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis. 

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh, 
një fushë të bukur, një qiell pa re. 

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon, 
në fushë të sahatit me dorë tregon. 

Akoma akrepi s’ka shkuar në një, 
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle. 

Por befas në fushë u dëgjua që larg 
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak! 

Dhe nëna u zhduk si ne mjegull atje, 
sahati i thyer seç ra përmbi dhe. 

I mbytur në djersë u zgjua ai 
“O nënë”, dhe dorën e vuri në gji. 

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je?” 
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re. 

“O nënë!”, por nëna nuk është më përqark 
diku mitralozi troket: trak a trak! 

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’ 
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh. 

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’ 
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet. 

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je?!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje. 

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo, 
“Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo! 

N’agim afër pyllit, ëe an’ të një përroi 
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi. 

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim, 
mesnata për nënën s’do ketë mbarim. /KultPlus.com

Biblioteka e Umberto Ecos me koleksion prej 30 mijë librave

A e dini se biblioteka e shkrimtarit të famshëm italian Umberto Eco, ka një koleksion prej 30.000 librash? Ajo përbëhet nga botime të çdo lloj fushe, por më së shumti nga fusha artistike dhe ajo e eseistikës, filozofisë, estetikës etj.

Porse, kohët e fundit, duket se fondi i çmuar i bibliotekës së tij private, do të ketë dhe akses publik, pse jo dhe vlera antikuare dhe turistike. Sepse ajo tashmë do të transferohet e gjitha në universitetin e Bolonjës, ndër më të vjetrit në botë(viti 1088).

Umberto Eco, shkrimtari, filozofi, esteti, semiologu dhe ndër personalitetet më me ndikim në Italinë e gjysmës së dytë të shek.XX e më gjerë, ka qenë president i këtij universiteti, deri kur u nda kjo jetë, në shkurt të vitit 2016. Ndaj ky lajm, s’përbën surprizë.

Ndërkohë, surpriza e vërtetë do të jenë vëllimet dhe librat që kanë kaluar në duart e njërës prej mendjeve më të ndritura të qytetërimit perëndimor përgjatë disa dekadave. Krahas romaneve “Emri i trëndafilit”, “Lavjerrësi i Fukosë” apo “Varreza e Pragës”, ai është dhe autor i librit eseistik “Historia e bukurisë”, një “sagë” brilante e njërës prej kategorive më të rëndësishme estetike. Kjo vepër është pjesë e një trilogjie, pasuar nga “Historia e së Shëmtuarës” dhe “Infiniti i listave”. Projekti i transferimit të bibliotekës së Ecos ndodhet në fazën e zbatimit dhe me shumë gjasa, së shpejti pavioni i saj që konsiderohej si një labirinth, do jetë i aksesueshëm në universitetin e Bolonjës. /koha.mk/KultPlus.com

Greta Thunberg: Të qenit ndryshe është një superfuqi

Greta Thunberg, së fundi është nominuar për Çmimin Nobel te Paqes, ajo e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi Greta Thunberg, themeluese e lëvizjes “Youth Strike for Climate”

Greta Thunberg, ju është drejtuar atyre që e urrejnë apo e konsiderojnë ndryshe, përmes një statusi në llogarinë e saj në twitter, duke ju thënë:

”Kur ata që të rrejnë për pamjen dhe për faktin se ju jeni ndryshe, kjo do të thotë se ata nuk kanë ku të shkojnë. Dhe atëherë e dini që po fitoni!

Unë kam Aspergers dhe kjo do të thotë se ndonjëherë jam pak më ndryshe se të tjerët. Dhe – duke pasur parasysh rrethanat – të qenit ndryshe është një superfuqi.”/KultPlus.com

Deutsche Welle: Ja si nisi Lufta e Dytë Botërore

Më 1 shtator 1939 avionët ushtarakë gjermanë shkatërruan qytetin e vogël polak, Vielun. Bombardimi i Vielunit shënoi jo vetëm fillimin, por edhe krimin e parë të Luftës së Dytë Botërore.

“Nga gjumi më zgjuan sirenat e alarmit. Në fillim nuk e dija, se çfarë po ndodhte. U ngrita nga shtrati dhe i pashë prindërit në ballkon. Nëna i tha babait, se ndoshta është një test alarmi. Edhe babai mendonte kështu dhe ishte i habitur, që kjo bëhej në orët e para të mëngjesit”, rrëfen Jan Tyszler, lindur në vitin 1933 në bisedë me Deutsche Wellen. Në të vërtet ranë bombat në Vielun – bombat e para të Luftës së Dytë Botërore.

Një sulm i papritur

Jan Tyszler kujton, se që në fund të gushtit 1939 “lufta ndjehej në ajër” dhe se gjithmonë flitej për të. Por askush nuk e kishte menduar, se qyteti i tij Vielun do të bëhej objekt sulmi i aviacionit ushtarak gjerman.

Vielun, më shumë se 200 kilometra në jugperëndim të Varshavës është sot një qytet i qarkut. Në vitin 1939 ai ndodhej vetëm 20 kilometra larg kufirit gjerman. Nga ana strategjike nuk kishte asnjë rëndësi. Ky qytet nuk ishte as pikëlidhje rrugësh, nuk kishte urë, që duhej mbrojtur. Për këtë arsye ishin stacionuar shumë pak ushtarë polakë.

Krimet e para të luftës

“Që me bombat e para ne shkuam shpejt në ofiçinën në anë të shtëpisë, ku babai punonte si mekanik . Aty qëndruam në gropën, mbi të cilën kalonin makinat për kontroll. Dridheshim nga frika. Pasdite ishim të vetmit me shtëpinë ende të parrënuar. Të gjitha ndërtesat ishin shkatërruar.”

Familja e Jan Tyszlerit, si shumë familje të tjera e braktisi qytetin po atë ditë. kur Vehrmahti hyri në qytet gjeti vetëm disa qindra banorë. Sulmi kundër Vielinut me 87 bombardues u urdhërua nga Wolfram von Richthofen. Në prill 1937 ai ishte kreu i shtabit të Legjonit Condor, përgjegjës për shkatërrimin e qytetit bask Guernica, ku mijëra civilë humbën jetën. Taktikën e atëhershme të luftës me bombardime në stil të gjerë, një taktikë që pranonte edhe çmimin e vrasjes së civilëve si pjesë e luftës, von Richthofen mund ta ritestonte në Vielun. Pa humbje për vete, sepse nuk llogaritej me rezistencë të qytetit ende në gjumë, e ku kishte shumë pak forca ushtarake.

Bombardimi i Vielunit shënoi krimin e parë të Luftës së Dytë Botërore. Në disa sulme ajrore nga ora 4:35 e mëngjesit deri në orën 14:00 pasdite qyteti u shkatërrua 70%.

Provokime para luftës

Sulmit ndaj Polonisë i paraprinë disa aksione të trilluara, me të cilën makineria e propagandës së Rajhut të III kërkonte të justifikonte sulmin. Një nga provokimet më të njohura ishte sulmi kundër transmentuesit gjerman, Glajvitc (Gleiwitz) në afëri të kufirit polak. Në pasditen e 31gushtit 1939 disa anëtarë të SS-ve erdhën në civil, por të armatosur për të transmentuar prej aty thirrjen për gjoja kryengritjen e polakëve që jetonin në Rajhun e III. Disa media të tjera gjermane raportuan për rebelët polakë në tokën gjermane, që me gjasë merrnin mbështetje edhe nga ushtria polake. Kështu Hitleri duke inskenuar gjermanët si viktima përpiqej të mobilizonte ushtarët e tij.

Sulmi në Vesterplate

Dhjetë minuta pas sulmit në Vielun pasoi bombardimi i Vesterplate, në afërsi të Gdanskut. Në këtë qytet gjermanët dhe polakët kishin një marrëdhënie të tensionuar. Gdansku i banuar kryesisht nga gjermanë, në Marrëveshjen e Versajës pas Luftës së Parë Botërore u deklarua qytet i lirë, jo më nën kontrollin e Rajhut. Porti, dogana dhe hekurudha ndodheshin në administrimin polak dhe pranë Balltikut, Polonia kishte stacionuar kazerma ushtarake dhe ushtrinë.\

Më 1 shtator 1939, gjermanët sulmuan kazermën me municion. Sulmet kundër Gdanskut zgjatën afër një javë. Në një kohë që viktimat nga pala gjermane llogariten afër 3.400 vetë, nga pala polake flitet për 15 të vrarë. Në Poloni mbrojtja e Vesterplate para fuqisë së padiskutueshme ushtarake gjermane shihet si simboli i heroizmit polak. Prej dekadash fëmijët polakë mësojnë, se oficerët gjermanë kanë salutuar ushtarët polakë në nderim të luftës së tyre të guximshme, kur ata duhej të largoheshin të kapitulluar.

Kujtesa për Vielunin

Gdansk dhe Vesterplatte shihen ende sot si simbole të fillimit të luftës. Në jubiletë përkujtimorë qeverisja e partisë PiS nuk harron të zbatojë politikat e saj aktuale. Që këtë vit si presidenti polak ashtu edhe qeveria nuk udhëtojnë në Gdansk në orët e para të mëngjesit, por në Vielun, ku për herë të parë është ftuar edhe presidenti gjerman, Steinmeier nuk është rezultat i ndonjë zbulimi të ri historisë.

Gdansk është një nga bastionet e fundit të opozitës në Poloni, ceremonitë përkujtimore aty përcaktohen shumë nga zërat e opozitës polake. Vesterplate është po ashtu një temë grindjeje mes PiS dhe opozitës liberale, që kryeson bashkinë. Kjo sepse PiS pjesën historike e ka integruar në Musuen e Gdanskut për Luftën e Dytë Botërore, e me këtë e ka kthyer në instrument të luftës së saj për ndërgjegjen historike të polakëve.

“Me siguri është më e lehtë të flasësh për ceremonitë përkujtimore me dikë, që është më i hapur ndaj qendrave të pushtetit në Poloni, se me persona që janë më pak të afruar”, tha zëdhënësi i presidentit në pranverën e këtij viti, kur u mor vendimi që hapja e ceremonive përkujtimore të zhvendosej në Vielun. Me këtë ai indirekt përmend edhe atmosferën në qytetin Gdansk. Qytetarët aty janë ende nën shok pas vrasjes së kryetarit të bashkisë, Pavel Adamovicz.

Çdo vit në orët e para të mëngjesit të 1 shtatorit qytetarët e Vielunit zgjohen nga sirenat e alarmit, që kujtojnë sulmin e Gjermanisë naziste para 80 vjetësh. Jan Tyszler që ishte atëherë 6 vjeç, vjen çdo vit në Vielun. “Dëshira ime është që gjithmonë të dëgjojmë sirenat simbolike dhe kurrë më të vërtetat”, thotë 86 vjeçari. Vizitën e presidentit gjerman, Steinmeier në Vielun ai e sheh si një gjest që duhej bërë prej kohësh./balkanweb/ KultPlus.com