Qyteti i Korçës, vijon të tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaftë tërheqëse klimën, bukuritë dhe traditën kulturore të këtij qyteti në juglindje të vendit.
Bashkia Korçë bën të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se mbi 30 000 vizitorë, 65% e të cilëve turistë të huaj, vizituan qytetin dhe fshatrat turistik të tij, gjatë periudhës janar – qershor 2021.
Akomodimi i turistëve është realizuar si në mënyrën moderne (hotele) ashtu edhe në atë tradicionale (bujtina) që kanë ofruar sipas bashkisë shërbime cilësore për pushuesit.Aktualisht në qytetin e Korçës kapaciteti i shtretërve shkon në 2 980 persona ndërsa numri i strukturave akomoduese arrin në 111 (83 hotele dhe 29 bujtina).
Kapacitetet akomoduese në qarkun e Korçës vitet e fundit janë shtuar edhe me 20 njësi të reja (hotele dhe bujtina) duke ofruar më shumë shtretër dhe kushte komode për pushuesit.Korça është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në Shqipëri, që mirëpret fluks vizitorësh në çdo stinë të vitit.
Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit. Janë vetë qytetarët e Korçës ata të cilët i kanë kthyer banesat karakteristike korçare në bujtina pritëse për turistët.
Ajo çfarë i bën aq shumë të dashura bujtinat është ruajtja e stilit origjinal të ndërtimit por edhe arredimi me elementë karakteristik tradicionalë.Korça është një destinacion mjaft interesant për t’u vizituar pasi në stinën e dimrit të ofron mjaft alternativa argëtimi në fshatin e Dardhës dhe Voskopojë, gjithashtu në këtë zonë gjenden edhe një sërë veprash antike, si bazilikat, mozaikët etj.
Ndërsa në verë, kima e freskët dhe piktoreske është një relaks më vete.Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.
Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese. Ndërsa investimet në vepra publike kanë shtuar komoditetin e shëtitjeve në parke dhe ambiente të ndryshme historike kulturore që ofron ky qytet./atsh/ KultPlus.com
Në foton që shihni, është kalorësi shqiptar Mërkur Bua Shpata, pinjoll i familjes princërore Bua. Nuk ka studim të mirëfilltë për këtë udhëheqës me nam në të gjitha betejat e Evropës së ‘500-ës. Në këtë shkrim, më tepër ilustrues, jemi nisur nga fotoja e përfshirë në enciklopedinë “Shqiptarët në artin botëror” përgatitur nga Ferid Hudhri.
Nga ajo lavdi vetëm kjo pikturë e famshme ka mbetur, e realizuar nga piktori italian Lorenzo Lotto. Titulli i tablosë është “Portreti i një burri fisnik” (Ritratto di gentiluomo) që mban datën 1535, vendosur në galerinë “Borghese” në Romë
Në foton që shihni, është kalorësi shqiptar Mërkur Bua Shpata, pinjoll i familjes princërore Bua. Nuk ka studim të mirëfilltë për këtë udhëheqës me nam në të gjitha betejat e Evropës së ‘500-ës. Në këtë shkrim, më tepër ilustrues, jemi nisur nga fotoja e përfshirë në enciklopedinë “Shqiptarët në artin botëror” përgatitur nga Ferid Hudhri.
Nga ajo lavdi vetëm kjo pikturë e famshme ka mbetur, e realizuar nga piktori italian Lorenzo Lotto. Titulli i tablosë është “Portreti i një burri fisnik” (Ritratto di gentiluomo) që mban datën 1535, vendosur në galerinë “Borghese” në Romë. Kjo tablo e realizuar me mjeshtëri nga dora e piktorit L. Lotto mendohet se i kushtohet shqiptarit të shquar Mërkur Bua Shpata.
Tërheqjen e fundit flitet se e bëri në qytetin Trevizo, qytet që e shohim në sfond të portretit.
Lotto e jep në këmbë Mërkur Buan, me beretë të zezë dhe dorën e djathtë vendosur mbi një tavolinë, nën të cilën shquhet një kafkë e vogël, e rrethuar me petale trëndafili e jasemini, me pamje fisnike si edhe në veshje. Disa kanë vërejtur unazën në gishtin e vogël (p.sh. shkrimtari Luan Rama, të cilit i referohemi; të dhënave të përshkrimit bashkangjitur dhe foton, në një artikull të tij e lidh me gruan e tij të vdekur), po ashtu dhe unazën në gishtin e martesës së dytë të bërë me një fisnike veneciane. Ndërsa studiuesi i enciklopedisë, Ferid Hudhri, shënon se pamja melankolike e fisnikut të ve, të cilit, sipas përshkrimeve nga historianët, i ka vdekur gruaja gjatë lindjes, është një ndër elementet mbi të cilat mbështeten biografët në përkatësinë e portretit.
Nuk mund të flitet me saktësi se kur historia ka nisur të merret me këtë figurë, por mund të themi se në median e shkruar është folur mjaft pak për Mërkur Bua Shpatën.
Ekziston një artikull në gazetën “Bota sot” (11.12.2012, botim i diasporës, me titull: “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, ku flitet për meritën që pati si udhëheqës në vendosjen si zonë neutraliteti të Zvicrës).
Po ashtu me pemën historike të luftimeve të Mërkur Buas merret dhe studiuesi i njohur Luan Rama (“GSH”, 14.3.2010), dhe një informacion për familjen princërore Bua, simbolet dhe heraldikën e tyre e gjejmë në faqen informative “Wikipedia”.
Këtyre tri burimeve u jemi referuar për të hedhur një vështrim mbi portretin e panjohur të Mërkur Buas, referuar së fundi edhe publikimit të pikturës në enciklopedinë e parë të arteve pamore shqiptare.
Në gazetën “Bota sot”, referenca është studiuesi Astrit Leka (aktivist ne diasporë) në rastin e vendosjes së bustit të Skënderbeut në Gjenevë, duke çuar në një punë kërkuese për historinë e Zvicrës. Në këto hulumtime që boton në numrin e saj gazeta e diasporës e vendosur në Zvicër ndesh emrin e Mërkur Bua Shpatës, stërnip i Gjin Bua Shpatës, duke zbuluar rolin që kishte luajtur në historinë e Zvicrës.
Pyetja e parë për t’u shenjuar nga këto njohuri është cilësia e këtij personaliteti, cili është konti i Akuinos dhe Rokasekas, që përfshin perandorinë romane dhe gjermanike.
Pasardhës i familjes princërore, Mërkur Bua thuhet se është me prejardhje nga bregdeti i Shqipërisë së sotme, e vendosur në Peloponez. Të parët e tij kishin qenë despotë të Angelokastrës dhe të Artës, si edhe baronë të Despotatit të Moresë.
“Flamuri i kontit Mërkur Bua Shpata i njohur nga perandori i shenjtë roman Maksimalian (1510). Petro Bua mërgoi në Gadishullin Apenin. Aty Mërkuri u shqua si luftëtar dhe prijës trim i merc enarëve shqiptarë e ballkanas”, – citojmë nga “Bota sot”. Në këtë periudhë të historisë evropiane studiuesit nxjerrin në pah se Mërkur Bua ishte njohur si një nga komandantët ushtarakë më trima të Evropës, që i takojnë fundshekullit të XV. Mërkur Bua luftoi në ushtrinë e perandorit gjerman, Maksimiliani I, që prej vitit 1490, si komandant i përgjithshëm i kalorësisë së lehtë. Mërkur Buas i njihet titulli kont në vitin 1510. Në pemën gjenealogjike të familjes koha e vdekjes së tij jepet midis vitit 1527 -1560. Mbajtja e titullit kont shoqërohet dhe me njohjen e simboleve heraldike, ku titulli jepet dhe bëhet i dallueshëm në trajtën e kurorës përkatëse të kokës (kurorë konti), që paraqitet edhe në stemë, si dhe njohja e paraqitja e origjinës fisnike familjare, e cila pasqyrohet në shqytin e tij. Deri më sot nuk kemi paraqitje artistike të stemës së kohës së Mërkur Buas e cila vjen e ndryshme në kohë të ndryshme. Ai u njoh si aleat i Luigjit XII të Francës duke mundur spanjollët.
Pas fitores venedikase të vitit 1513, Merkur Bua pranoi t’u shërbente venedikasve dhe u propozoi të tërheqë me vete dhe shqiptarët që i kishin mbetur besnikë perandorit, veçon studiuesi Luan Rama, në artikullin “Dominus” Merkur Bua, Historia e një pasardhësi të denjë të Gjin Bua Shpatës” (citim nga “GSH”. 14.3.2010). Në artikujt e paktë për këtë figurë thuhet se shumë kronikanë kanë shkruar për luftën e tij, në çdo vend të Evropës.
Mërkur Bua i shndërruar në “një sinonim betejash” arriti të krijojë “figurën e tij legjendare”.
Në vitet ‘500 ai ishte bërë tashmë mjaft i njohur sipas studiuesve në luftërat e Italisë.
Në artikullin “Bota sot”, duke iu referuar hulumtimit të bërë, thuhet se në vitin 1515 pranë Milanos është zhvilluar beteja e madhe e Marinjanit, duke hyrë në histori si “beteja e gjigantëve”, pasi merrnin pjesë ushtritë më të rëndësishme të Evropës.
“Nga Franca erdhi Françesku i Parë, ushtritë e Papës, ushtria e Venedikut, ushtria zvicerane, kundërshtare e tyre dhe ushtria e Maksimilianit, perandorit gjermanik.
Në betejën e Marinjanit me 13 shtator herë dukej se fitonte njëra palë, herë pala tjetër. Madje edhe vetë mbreti Françesk u plagos. Të nesërmen, aty, kah mesdita, zviceranët sulmuan dhe po mundshin francezët. Atëherë mbreti i Francës kërkoi ndërhyrjen e 40 000 ushtarëve të Venedikut.
Këmbësoria e rëndë e Venedikut në kohën kur francezët po mundeshin, ishte e vendosur në Lodi, katër orë larg në këmbë nga fusha e betejës. Pra kur të vinte ajo në ndihmë, zviceranët do ta kishin fituar betejën” (Bota sot, “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, 11.12.2012)
Sipas këtij artikulli Mërkur Bua Shpata, drejtuesi i kalorësisë shqiptare në shërbim të Venedikut, arriti të tronditë udhëheqjen ushtarake të 40 mijë ushtarëve zvicerane, duke u gjendur në krah të Francës. Kjo është beteja e famshme, për të cilën zviceranët sipas artikullit të “Bota sot”, patën kujtuar se kishin të bënin me një mijë kalorës, duke marrë vendimin e tërheqjes dhe pranimin e humbjes. “Në të vërtetë aty kishin hyrë vetëm 300 kalorës shqiptarë. Mërkur Bua ndonëse i plagosur arriti të kapë 6 flamuj dhe katër topa të ushtrisë zvicerane. Beteja u fitua nga ai”. Historianët thonë që u mund ushtria zvicerane që për 1500 vjet, që nga koha e Jul Cezarit nuk kishte njohur dështime. Vetëm një vonesë e vogël e Mërkur Bua Shpatës do t’u jepte fitoren zviceranëve. “Është shkruar se në mbrëmjen e asaj dite të fitores, mbreti Françesku i parë i Francës, kur po festonin fitoren, e paraqiti Mërkur Bua Shpatën e plagosur si shpëtimtarin e jetë së tij. Historianët këtë fitore ja kanë atribuuar Françeskut të parë, mbretit të Francës. Por një mbret 21 vjeçar që bënte pagëzimin e luftës për herë në atë ditë nuk mund të qe strategu i fitores se betejës së gjigantëve. Kjo provohet edhe nga fakti që dhjetë vjet më vonë, në betejën e Pavias, mbreti Françesku i Parë, aleatin Mërkur Bua Shpata e kish kundërshtar. Ai u mund, ra rob lufte dhe po të mos të kishte qenë autoriteti i Mërkur Bua Shpatës edhe do ishte vr arë nga merc enarët katalanas. Mërkur Bua Shpata ua mori mbretin Françesk katalanasave dhe i bëri këtij nderimet si mbret, si aleat e vartës i dikurshëm, të zgjidhte suitën dhe të kishte trajtim mbretëror” (Bota sot “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, 11.12.2012)
Duke cituar po të njëjtin burim të informacionit, thuhet se dy muaj më pas, zviceranët u mblodhën dhe vendosën që të mos dalin kurrë jashtë kufijve të vet, si pushtues. Është momenti kur ata shpallën neutralitetin.
Vitet e fundit të jetës, Mërkur Bua Shpata i ka kaluar në Trevizo, duke u tërhequr deri në vdekjen e tij, trupi i të cilit u varros në kishën e Santa Maria Maggiore./infoculture/ KultPlus.com
Ndre Mjeda, ishte njëri ndër poetët, veprimtarët dhe atdhetarët më të shquar të kohës. Ai krahas Fishtës, Gurakuqit, Nolit, Mosit, veproi në drejtim të zgjimit dhe kalitjes së ideve përparimtare, pavarësisht petkut të tij fetar.
I pajisur me dije filozofike, gjuhësore, fetare, shoqërore, Mjeda me tërë qenien iu kishte përkushtuar arsimimit dhe përparimit të bashkëkombësve, të cilët në kohën e tij, të paarsimuar kombëtarisht, analfabetë e të nëpërkëmbur nga fuqitë e mëdha dhe nga Perandoria Osmane, po përpëliteshin mes Lindjes e Perëndimit. I orientuar drejt vlerave demokratike dhe botës së qytetëruar, Ndre Mejda përfaqësonte intelektualin model të kohës, me një kulturë të shëndoshë kombëtare e shoqërore, me një modesti karakteristike të njerëzve të rangut të tij dhe me një botë të pasur krijuese, të cilën e vuri në shërbim të arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve pa dallin krahine, feje e bajraku. Veprimtaria poetike, gjuhësore, filozofike e fetare e Mjedjes është mjaft e thellë si nga përmbajtja ashtu edhe nga qasja që iu ka bërë problemeve të caktuara. Ai ka shkruar poezi antologjike, të cilat me të drejtë janë prezantuar në abetaret shqipe dhe në librat shkollorë. Janë të mirënjohura poemat e tij si: “Endrra e jetës”, Vaji i Bylbylit, Liria, Lissus, Scodra e të tjera.
Ndre Mjedja u lind në Shkodër nga i ati Jakë Zefi dhe ëma Luçije Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malësia e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi.
Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci.
Në këto vite Ndre Mjedja filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.
Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij, Jeta e Shën Gjon Berhmansit, për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 Përngjasim i Zojës së Bekueme përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).
Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedjes Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjedja interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689).
Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.
Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjedja, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta.
Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjedja dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjedja. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe.
Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël.
Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.
Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjedja shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.
Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjedja bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.
Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjedja është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Ndre Mjedja është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (“Andrra e jetës”). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).
Mjedja mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. / KultPlus.com
Bashkatdhetarët po vazhdojnë të presin me orë në pikë kalimet kufitare, e kjo si pasojë e fluksit të madh të veturave dhe kolonave të gjata.
Edhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme, vërehet fluks i madh i veturave, të cilat kanë krijuar kolona të gjata dhe pritje në disa pikë kalime kufitare.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolona më të gjata ka në hyrje të pikës kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë, shkruan Telegrafi.
Në pikën Dheu i Bardhë në hyrje kolona është e gjatë 1000 deri në 1500 metra, pritjet për të hyrë në Kosovë nga kjo pikë janë deri në 3 orë.
Kurse në pikën kufitare në Merdarë kolona më e gjatë është në dalje 100-150 metra, kurse në hyrje kolona është 20-30 metra, dhe pritjet janë 25-30 minuta.
Kolona të gjata në dalje janë vërejtur edhe pikën kufitare në Vërmicë, ku kolona e veturave arrin deri në 800 metra.
Në pikat tjera kufitare vërehet fluks më i vogël i veturave dhe pritjet janë më të vogla.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka apeluar te bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë edhe pikat tjera kufitare, në mënyrë që t’iu ikin pritjeve të gjata.
Qytetarët mund të informohen në kohë reale për gjendjen në pikat kufitare duke klikuar KËTU. /telegrafi/ KultPlus.com