Gjysmë dhi dhe gjysmë njeri, gjendet statuja 1700-vjeçare në Stamboll

Gjatë një gërmimi të fundit në Parkun Arkeologjik Saraçen në Stamboll, arkeologët gjetën një objekt fantastik, një statujë të perëndisë greke Pan, që besohet të jetë rreth 1700 vjeç.

Statuja është 20 centimetra e lartë dhe 18 centimetra e gjerë, dhe besohet se i përket periudhës së Perandorisë Romake. Ajo u gjet në një thellësi prej 260 centimetrash dhe i mungojnë krahu i majtë dhe pjesët e poshtme të trupit.

Pan ishte një figurë e shquar në mitologjinë greke, ai konsiderohej zot i fshatrave, barinjve dhe satirëve, ai kishte një pamje karakteristike sepse paraqitej si gjysmë dhi dhe gjysmë njeri. Pamja e tij ngjallte një ndjenjë frike dhe ankthi te njerëzit.

Statuja u mor nga Drejtoria e Muzeumeve Arkeologjike të Stambollit dhe u ruajt në magazinë e saj, ku do të presë analiza të mëtejshme.

Rrënojat ku u gjet statuja i përkasin kishës së Shën Polyeuktit të shekullit të gjashtë, e cila dikur ishte një nga ndërtesat më të rëndësishme të Kostandinopojës përpara se turqit të pushtonin qytetin në 1453. Kisha u ndërtua midis viteve 524 dhe 527, ishte dekoruar në mënyrë të pasur dhe përmbante struktura mahnitëse arkitekturore.

Statuja do të analizohet në detaje për të përcaktuar periudhën e saktë nga e cila e ka origjinën./KultPlus.com

ISTANBUL, June 5, 2023 — This undated photo provided by the Istanbul Municipality shows a newly discovered ancient statue of the Greek god Pan. An ancient statue of the Greek god Pan was discovered in urban Istanbul, the mayor of the mega Turkish city announced Thursday. A marble statue of Pan dating back to the Roman era was unearthed at the Byzantine church of St. Polyeuctus located in the Sarachane Archeology Park, Ekrem Imamoglu said on social media, adding the artifact was believed to be 1700-year-old.,Image: 781536688, License: Rights-managed, Restrictions: , Model Release: no, Credit line: Omer Kuscu / Xinhua News / Profimedia

Vjena, qyteti më i mirë në botë për të jetuar

Vjena ka kryesuar listën e qyteteve më të këndshme për të jetuar për herë të katërt në pesë vjet, ndërsa protestat kundër reformës së pensioneve të Francës ndëshkojnë Parisin dhe Lionin, sipas një renditjeje vjetore të publikuar sot.

Kryeqyteti i Austrisë mbetet në krye të renditjes së Economist Intelligence Unit, një institut kërkimor i lidhur me revistën The Economist. Në Francë, “protestat për reformat e pensioneve shkaktuan rënien e qyteteve të saj në renditje”, shpjegojnë autorët e studimit. Kështu Parisi ra nga vendi i 19-të në vitin 2022 në i 24-ti në 2023-ën, Lyon-i nga vendi 25-të në të 30-tën. Londra zë vendin e 46-të në 2023, Nju Jorku i 69-ti.

Indeksi i EIU bazohet në 30 kritere cilësore dhe sasiore në fusha specifike: stabiliteti, sistemi shëndetësor, kultura, mjedisi, arsimi, infrastrukturë. Kryeqyteti austriak ofron një kombinim pothuajse ideal në këto zona dhe nuk penalizohet përveç mungesës së eventeve të mëdha sportive. Vendin e dytë e zë Kopenhaga.

Midis vendit të 3-të dhe të 9-të, ka qytete në Australi, Zvicër, Kanada, si dhe Osaka (Japoni) dhe Auckland (Zelanda e Re), të cilat së bashku zënë vendin e 10-të. Në vitin 2023, në të gjitha qytetet e studiuara, indeksi mesatar i cilësisë së jetës arrin nivelin më të lartë në pesëmbëdhjetë vjet, veçanërisht në aspektin shëndetësor, arsimor dhe kulturor, pas përfundimit të masave kufizuese të lidhura me pandeminë. Në të kundërt, rezultatet bien për stabilitetin në shumë qytete, veçanërisht në Evropë, për shkak të protestave që përjetuan. Qytetet në Azi dhe Oqeani shohin rritjen më të madhe në një vit: Wellington (Zelanda e Re) ngrihet 35 vende, Hanoi (Vietnam) 20, Kuala Lumpur (Malajzi) 19.

Shumë qytete kineze gjenden në pozitat e mesme të renditjes.

Kievi, kryeqyteti i Ukrainës, kthehet në renditje në vitin 2023, por tani ka rënë në vendin e 165-të, ndërsa Damasku, kryeqyteti i Sirisë, mbetet që nga viti 2015 qyteti i botës i karakterizuar nga EIU si më i keqi për një. jetojnë./abcnews.al/ KultPlus.com

Letra emocionuese e Erih Remarque, dërguar të dashurës së tij, Marlene Ditrihm

“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që kam thënë gjithmonë: shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata. Ti më quan “Rezonancë që merr fryme” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? E, përveç kësaj edhe diçka tjetër!

Ti, arrin, dhe ke atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë, e di, nuk arrij ta them atë në mënyrë të plotë. Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë, këtë, kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur, në formë, vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër e, dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu në kilometra e, që ti t’a dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty. Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtetë me një emocion të thellë:

A s’është e vërtetë që fati po na bashkon?

A nuk po na lidh ai për jetë?

Ah, dhe në kohët që shkojnë,

Nuk di, ti je motra a nusja ime?

Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime,

Ti ndjen tek unë dhe nervin më të hollë,

Ti lexon çdo gjë në shikimin tim,

Me syrin tënd hyn në brendësinë time

Hyn në gjakun tim të ngrohte qe rrjedh ne deje

Dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd

e që me krahët e tua prej engjëlli gjoksin tim shëron .

Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu? Nganjëherë, më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndjej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund t’a prishë atë e, në ato çaste, me hapa të lehta ndjej të vijë dikush drejt meje e, ajo je ti e, atëherë, unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar kurrë.

E, atëherë, ndjej qe së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta dhunshme mi mori e, ato vite je ti që mi sjell e mi shumëzon me dy, e bashkë me to ndjej të prek me delikatesë – freskinë, gjallërinë dhe aventurat e rinisë. E, kështu, ti bëhesh, në të njëjtën kohe: aventura e gruaja ime.

Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty; nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonancë që unë ndjej e thith si ajër, por i tillë jam dhe unë. E di?… Unë jam një pasqyrë konkave të kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd. Herë të tjera vetja me duket si një merimangë që end një pëlhure vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhure mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jotë, – e mbushur plot gjëra të cilat ty të mungojnë, një pëlhure plot trëndafila e dafina, e thurur me fije të ndritshme argjendi, e lehtë dhe e fortë për të mbajtur ty dhe hapat e tua të lehte si kaprolli, një pëlhurë të ngritur nën një qiell të kaltër e mbi ujin blu të detit, nga ku ti mund te hidhesh e të kridhesh gjithë qejf në ujërat e kristalta e të kthehesh pastaj përsëri tek ajo, si një lodër e këndshme fëmijësh e cila t’a mbush zemrën plot ngashërim .

O, drita ime e dashur!… E di?… Nganjëherë, unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, e të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. E atëherë tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën edhe më të rëndë gjëndjen. Por, megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty e, pastaj, ndjej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm e, pastaj unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin…

Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndjej që dora s’më bindet.
Më duaj!
Më thuaj që ti më do, kjo fjalë më bën mirë, më shëron.
Kur ti më thua që më do, unë gjej forca e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse
për dashurinë tënde.
Më duaj, puma*!…
*Puma – quan ai me përkëdheli Marlene Ditrih.

Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com

Kurti: Shyqri Nimani, figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë

Sot ka ndërruar jetë profesori dhe dizajneri grafik, Shyqri Nimani, përcjell KultPlus.

Për vdekjen e Nimanit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilëson atë si figurë qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Me pikëllim mora lajmin sot për vdekjen e profesorit, dizajnerit grafik, dhe autorit Shyqri Nimanit. Profesor Nimani është figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend. Si figurë kozmopolite, ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, dhe të koleksionit të saj. Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi. Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008. Me shumë kujdes dhe pasion puna e profesor Nimanit ka vazhduar e pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit kulturor!./KultPlus.com

Java Kulturore Franceze kthen Tiranën në arenë muzikore

Aktivitetet e Javës Kulturore Franceze vazhdojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Mbrëmë në kryeqytet u organizuan tre evente njëri pas tjetrit, të tre kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Muzikës.

Tirana u kthye në një arenë muzikore me evente në Parkun “Rinia”, në sallën e Katedralen Ortodokse dhe në Hemingway Club.

Në amfiteatrin e Parkut Rinia qytetarët e pranishëm kanë ndjekur grupin e fëmijëve Xhuli Dance & Music.

Tre kore që përfshinin persona me vështirësi në shikim: Joy of Singing (Shqiperia), Vue d’Ensemble (Franca) dhe Karditsa Conservatory (Greqia) performuan shoqëruar nga Beti dhe Sigi Bastri.

Ndërsa në sallën e Katedrales Ortodokse pati një tjetër performancë korale ku edhe aty u përfshinë persona me vështirësi në shikim.

Lokacioni i tretë i Festës së Muzikës ishte në mbrëmje në Hemingway Club, ku performuan Niki Zaimi Band dhe Rione Junno Trio, me muzikë tarantela dhe pizzica, tradicionale të rajonit të Puglia-s, në Itali, të cilat sollën alegri në këtë zonë të qytetit. Qëllimi kryesor i Festës së Muzikës, iniciuar nga Franca, është përhapja e haresë duke nxjerrë muzikantët në sheshe e lagje për të performuar falas./atsh/KultPlus.com

Teatri “Migjeni” prezantohet me “Hekubën” në Festivalin Ndërballkanik të Dramës Antike

Këtë verë prezantohet për herë të parë Festivali Ndërballkanik i Dramës Antike, themeluar nga Qarku i Atikës, i cili tashmë do të kthehet në një traditë të përvitshme.

Qëllimi kryesor i këtij festivali është të nxjerrë në pah traditën e madhe teatrore dhe krijimtarinë bashkëkohore të vendeve të Ballkanit mbi Dramën Antike.

Në kuadër të këtij festivali katërditor, në datën 6 korrik, në teatrin “Katina Paxinou” në Athinë, Shqipëria do të përfaqësohet nga Teatri Migjeni, me tragjedinë ‘‘Hekuba’’ të Euripidit (‘’Εκάβη’’ του Ευριπίδη), me regji të regjisorit të suksesshëm shqiptar Enke Fezollari, përkthyer në shqip nga Eleana Zhiaku.

Në shfaqje rolin e Hekubës e interpreton Rita Gjeka Kacarosi. Në këtë shfaqje marrin pjesë aktorja e mirënjohur Vefi Redhi, e cila jeton dhe punon në Greqi si edhe aktori e njëkohësisht drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga. Intepretojnë gjithashtu aktorët Jozef Shiroka, Krist Lleshi, Fritz Selmani, Rajmonda Marku, Merita Smaja, Nikolin Ferketa dhe Aleksander Prenga.

Hekuba e Euripidit është një përrallë mizore e hakmarrjes së tmerrshme që ish mbretëresha e Trojës i bëri mbretit trak Polimestor, i cili theri djalin e saj Polidorin, me qëllimin e vetëm të përfitimit.

Është gjithashtu një demaskim i fuqisë së akeanëve, të cilët ishin bashkëpunëtorë në të gjitha llojet e krimeve, kur panë një përfitim për veten e tyre.

Mbi këtë lloj teleturgjie ballkanike autentike, Enke Fezollari dhe grupi i tij ftojnë në një shfaqje multikulturore, përmes këndvështrimit të tyre njerëzor, zakoneve e karakteristikave të tyre, me shtysë traditën e veriut të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com

Regjisori James Cameron: U zhyta 33 herë në rrënojat e Titanikut, çfarë mrekullie!

Regjisori i famshëm James Cameron nuk është vetëm një nga regjisorët më të suksesshëm të Hollivudit të të gjitha kohërave, por gjithashtu një adhurues i eksplorimit të detit të thellë, shkrun CNN.

Këto rrugë u kryqëzuan në dy nga hitet e tij më të mëdha, “Avatar” dhe “Titanic”.

Ndërsa Cameron nuk ka komentuar publikisht mbi kërkimin aktual për vizituesin e Titanikut ”OceanGate Tour” me pesë njerëz në bord, ai personalisht ka bërë 33 zhytje në vendin e mbytjes së Titanikut.

Cameron deklaroi në vitin 2009 se nuk ishte një romancë në bordin e Titanikut që e frymëzoi atë të bënte filmin e tij të suksesshëm të vitit 1997.

“E bëra Titanikun sepse doja të zhytesha në anije të mbytur, jo sepse doja veçanërisht të bëja filmin”, kishte deklaruar ai.

“Titaniku ishte mali Everest i mbytjeve të anijeve dhe si zhytës doja ta bëja siç duhe. Kur dëgjova se persona të tjerë kishin menduar të realizonin diçka për Titanikun thashë se më duhet të bëj një film hollivudian”, shtoi Cameron.

Cameron e sheh kinemanë e tij dhe eksplorimin e detit si të lidhura me njëra tjetrën.

“Unë mendoj se është detyra e eksploruesit të shkojë dhe të jetë në skajin më të largët të përvojës njerëzore dhe pastaj të kthehet dhe të tregojë atë histori”, theksoi ai.

“Unë e quaj dëshmi. Unë jam dëshmitar i një mrekullie që është atje poshtë gjatë gjithë kohës”, theksoi Cameron. / atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani ngushëllon për vdekjen e artistit Shyqri Nimani: Një intelektual i jashtëzakonshëm

Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.

Osmani tha se ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.

“Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarje nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani. Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të. Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës. Ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor!”, ka shkruar Osmani.

Në nder të veprës së tij, Kuvendi i Kosovës sot mbajti një minutë heshtje. / KultPlus.com

Kështu duket roboti “Victor 6000”, shpresa e fundit për gjetjen e nëndetëses “Titan”

Për të ndihmuar në kërkimin e nëndetëses “Titan”, të zhdukur në Atlantikun e Veriut, pritet mbërritja e anijes franceze Atalante, me një robot që mund të arrijë deri në 6000 metra thellësi.

“Victor 6000” ka krahë mekanikë që mund të kontrollohen nga distanca për të prerë kabllot ose për të kryer manovra të tjera.

“Roboti nuk është i aftë të ngrejë vetë nëndetësen, por mund të ndihmojë në ankorimin e saj në një anije”, shpjegoi Olivier Lefort, shefi i operacioneve detare në Institutin Francez të Kërkimeve për Shfrytëzimin e Detit.

https://video.corriere.it/video-embed/44df53c4-1055-11ee-bc1e-12c4aba14b7e?playerType=embed&tipo_video=embed_norcs

“Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur. Zhurmat që u dëgjuan na bëjnë të shpresojmë se nëndetësja është në shtratin e detit dhe se njerëzit janë ende gjallë, por skenarë të tjerë janë të mundshëm. Edhe nëse shpresa është e ulët, ne do ta tentojmë”, siguroi ai.

“Victor 6000” drejtohet nga një ekuipazh prej 25 personash.

“Victor është në gjendje të bëjë eksplorim vizual me të gjitha pajisjet video që ka”, shtoi Lefort. / a2cnn / KultPlus.com

Shkrimtarja austriake Freudenthaler prezanton librin e saj në shqip “Mbretëresha hesht”

Shkrimtarja austriake, Laura Freudenthaler dhe poeti Arian Leka zhvilluan mbrëmë një bisedë mbi letërsinë. Dy autorët lexuan pjesë të përzgjedhura nga librat, mbi të cilat të pranishmit diskutuan.

Laura Freudenthaler nga Salzburg-u është e ftuar për qëndrim në Rezidencën Letrare “Poeteka – Tirana in Between”.

Kjo veprimrari kulturore vjen si bashkëpunim mes Ambasadës së Austrisë në Tiranë dhe Shoqatës “Poeteka”, e cila, prej dhjetë vitesh organizon rezidencat për shkrimtarë, përkthyes letrarë dhe artistë nën mbështetjen e Tradukit.

Pas përurimit të romanit “Historia Shpirtrash”, Laura Freudenthaler tashmë kthehet për të prezantuar veprën e saj “Mbretëresha hesht”  në një mbrëmje diskutimi dygjuhësh.

Në datën 23 qershor, Laura Freudenthaler do të jetë në Qendrën Rinore dhe Kulturore ARKA, Shkodër, për të bashkëbiseduar me lektoren e OeAD, Karoline Kuttner.

Laura Freudenthaler studioi gjuhë dhe letërsi gjermane në Universitetin e Vjenës. Në gjuhën shqipe ka botuar librat “Histori shpirtrash”  (Geistergeschicht) nga shtëpia botuese Toena, me përkthim të Irena Nasi. Libri është fitues i Çmimit të BE-së për Letërsinë në 2019.  Gjithashtu nga kjo autore, ka ardhur në shqip edhe  (Die Königin schweigt), po nga shtëpia botueseToena, me përkthimin e Admira Poçi,  fitues i Çmimit të Letërsisë Förderpreis, Bremen në 2018.

Në vitin 2020 Laura Freudenthaler u nderua me çmim në Festivalin e Letërsisë Gjermane në Klagenfurt./ atsh / KultPlus.com

The Simpson parashikoi zhdukjen e nëndetëses Titan, publikohet episodi që po frikëson botën (VIDEO)

Fansat e “The Simpsons” janë të sigurt se seriali ka parashikuar shumë vite më parë zhdukjen e nëndetëses Titan të OceanGate në udhëtimin e tij për të çuar njerëzit në Titanik.

Nëndetësja Titan u zhduk të dielën gjatë një misioni për të kërkuar rrënojat e Titanikut, 900 milje detare në lindje të Cape Cod, Massachusetts.

Ka dy episode që fansat kanë sugjeruar se janë ‘parashikime’ për situatën e OceanGate, njëri është Simpsons Tide dhe tjetri në formën e Homer’s Paternity Coot.

Simpsons Tide është një episod klasik, që e vendos Homerin në krye të një nëndetëseje të marinës. Pra, është pak më ndryshe nga ajo që po ndodh me Titanin. Sidoqoftë, në Homer’s Paternity Coot, ai ka nëndetësen e tij personale dhe udhëton drejt një anijeje të mbytur për thesar, me babain e tij të humbur prej kohësh. Natyrisht, Homeri ngec duke u përpjekur të rishfaqet.

Dy skenarët

Jeff Carson, një studiues i detit të thellë, ofroi dy shpjegime të mundshme për nëndetësen e humbur Titan. E para është se një dështim mekanik mund të ketë penguar anijen të hedhë peshat e çelikut që e ndihmojnë atë të udhëtojë në fund të oqeanit, dhe shpjegimi i dytë dhe më i mundshëm është se nëndetësja u kap nën një pjesë të rrënojave të Titanikut.

Pasagjerët mund të kenë “ndeshur një fat të keq”, tha Carson, një profesor i shkencave të tokës dhe mjedisit në Universitetin e Sirakuzës, i cili ka kryer misione të shumta shkencore në fundin e oqeanit në bordin e një nëndetëse të quajtur Alvin.

Bazuar në përvojën e Carson, kushtet brenda nëndetëses janë ndoshta të ftohta dhe të kufizuara.

Temperaturat në dyshemenë e oqeanit janë pak mbi zero, dhe pjesa e brendshme e nëndetëses ka të ngjarë të pikojë nga kondensimi, shtoi ai.

Në rreth 12,500 këmbë (3810 m) nën nivelin e detit, mbetjet e Titanikut janë në një mjedis “shumë të rrezikshëm”, tha Carson, duke shtuar “në një thellësi të tillë ka heshtje vdekjeprurëse. Nuk ka rryma. Është thjesht një vend i pabesueshëm, i errët dhe i qetë.”

Operacioni i madh i shpëtimit

Për momentin, pesë anije kërkimore të Rojës Bregdetare të SHBA-së janë në kërkim të “Titanit” dhe brenda 24 orëve në vijim do të dyfishohen në 10. Në kërkim janë përfshirë edhe dy ROV, ndërsa automjete të tjera me telekomandë pritet t’i shtohen operacionit gjigant .

“Këto janë momente jashtëzakonisht të vështira për familjet e të bllokuarve në nëndetëse. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Nuk duhet të humbasim shpresat. Hetimet janë në vazhdim. Jemi në mes të kërkimit dhe po shikojmë të gjithë faktorët. Nuk jemi ende gati për të marrë një vendim të vështirë. Nëse vazhdojmë, mund të arrijmë atë vendim dhe më pas do të flasim me familjet dhe më pas publikisht”, përfundoi zëdhënësi i Rojës Bregdetare të SHBA.

Marina amerikane ka një ROV që mund të operojë jo vetëm për të lokalizuar, por edhe për të tërhequr Titanin siç ka bërë tashmë në rastin e luftëtarit që u rrëzua në një thellësi prej 3780 metrash në Detin e Kinës Jugore në vitin 2022.

Operacioni i shpëtimit, i koordinuar nga Roja Bregdetare e SHBA-së, Marina e SHBA-së dhe Rojet Bregdetare Kanadeze, përfshin anijen skanuese nënujore të Deep Energy, Polar Prince, anija nga e cila u nis në det të thellë Titan. Një anije luftarake kanadeze me një dhomë hiperbarike me gjashtë persona dhe anija franceze Atalante janë në zonë. Marina amerikane dërgoi gjithashtu sistemin Flyaway Deep Ocean Salvage System, i cili është projektuar për të tërhequr objekte të rënda nga thellësitë e oqeanit si avionë ose varka të vogla.

Nga ajri, marrin pjesë dy avionë amerikanë C-130 dhe dy avionë nga Kanadaja, ndërsa ROV-të e ofruara nga kompania britanike Magellan, e specializuar në vëzhgimet në det të thellë, janë të vendosura kryesisht në Evropë./Albeu.com/ KultPlus.com

Atleti Muhamet Ramadani, vendin e tretë në Lojërat Evropianë: Suksesi më i madh i atletikës në LE 2023

Atleti Muhamet Ramadani, ka zënë vendin e tretë në Lojërat Evropiane Krakow 2023, të cilat për atletikën vlejnë si Kampionat Evropian ekipor, divizioni i tretë.

Në mesin e 14 garuesve pjesëmarrës, Ramadani hodhi gjylën në distancë 19.07 metra.

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë shprehur se ky është suksesi më i madh i atletikës në LE 2023 dhe se paraqitjet e tilla flasin për përkushtimin e madh të sportistëve tanë.

“Urojmë që rezultate kulminante të arrijnë edhe në Kampionatin Evropian U-23 që mbahet muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. / KultPlus.com

Protestë në mbrojtje të qenve endacak: Jo në Prishtinën tonë, ktheni qentë

Dashmirësit e kafshëve kanë filluar protestën në mbrojtje të qenëve endacak, për të cilët Komuna e Prishtinës ka vendosur që ti strehojë në disa strehimore dhe të ndajë 50 euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qentë endacakë.

E sipas protestuesve qenët janë duke u keqtrajtuar në këto strehimore, dhe se nuk dihet për fatin e tyre pasi të merren nga komuna.

“Kastrim, sterelizim, lëshim, Përparim Rama JO në Prishtinën tonë, Ktheni qentë”, ishin disa prej thirrjeve që janë duke u përdorur nga protestuesit./ Insajderi / KultPlus.com

Ministri Çeku pas vdekjes së Shyqri Nimanit: Një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë

Ka vdekur sot Shyqri Nimani, piktori, dizenjuesi grafik dhe pedagogu shqiptar, i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Për humbjen e këtij artisti kombëtar, ka shprehur ngushëllime edhe ministri i kulturës, Hajrulla Çeku.

Përmes një telegram ngushëllimi, ministri Çeku është shprehur se profesor Nimanin do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.

“Telegram ngushëllimi

E nderuar familje Nimani,

Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mjeshtrit të arteve të bukura, profesor Shyqri Nimanit.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.

Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.

Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri tek simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se prof. Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë.

Do t’i jemi falënderues dhe përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij në themelimin e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, kontributin në themelimin e institucioneve tona të artit, udhëheqjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe për monografitë reprezentative dhe të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.

Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve kolegëve dhe gjithë komunitetit.

Sinqerisht,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës”. / KultPlus.com

Shyqri Nimani : Nuk më dhanë kohë të mjaftueshme për Deklaratën e Pavarësisë, e kam brengë në zemër

Për 16 orë ka punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës. Artisti Shyqri Nimani, figura që ka kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”, më 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kishte pirë vetëm ujë. Dhe në një intervsitë për KultPlus, ka treguar se si nuk ka guxuar të lëshohet as në gëzimin e pavarësisë, por ta përfundonte dokumentin e kërkuar. Ai tregon për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar, sikurse që tregoi se po brenda atyre 16 orëve mori aritmi në zemër, pasoja që po i vuan tash e dhjetë vite.
“Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim”, ka thënë ai.
Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Thaçi ka ardhë dhe e ka marë dokumentin, duke mbetur artisti i dërmuar në Zyrën e Kryeministrit. Përmend edhe dëshirën e djalit të tij që të shkonin edhe ata në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, Nimani tregon se si i dërmuar që ishte, ceremoninë e ka përcjellë nga televizori i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, duke kujtuar edhe atë, se nuk kishte vend për të gjithë në ceremoni. Ai ka kujtuar edhe një detaj tjetër, që për punën e tij, ai nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Kanë kaluar dhjete vite nga koha kur edhe e keni shkruar Deklaratën e Pavarësisë, dhe duke shikuar nga kjo distancë, si e kujtoni atë 16 orësh, që vlerësohet të ketë qenë kohë shumë stresuese për ju?
Shyqri Nimani:
 Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë.
Unë pata pasë një takim edhe më herët, ku ju pata shpjeguar që nëse do të ishte deklarata në formatin A/4, në vetëm një faqe, duhen gjashtë ditë pune që të përfundonte deklarata ashtu si duhej, kurse mua më dorëzuan këtë dokument me tri faqe të plota.
Në momentin e fundit e kuptova se sa shumë ka tekst, dhe u befasova shumë, pastaj teksti që ma dhanë kishte edhe gabime gjuhësore, sepse, teksti ishte përkthyer nga anglishtja, dhe mu desh që edhe me këtë problem të merrem, që tekstin fillimisht ta korigjoja. Sepse, kur fillon të shkruash në pergamenë, aty më nuk lejohet të gabosh.

KultPlus: Pikërisht për realizimin e Deklaratës së Pavarëisë, ju njërën nga zyret e kryeministrit të Koosvës e shndërruat në një atele pune për 16 orë, çfarë kërkese tjetër patën institucionet për përfundimin e Deklaratës së Pavarësisë?
Shyqri Nimani:
 Përpos që duhej ta përfundoja Deklaratën e Pavarësisë brenda 16 orëve, shefi i protokollit në atë kohë, Abedin Qupeva erdhi me propozimin se nëse mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës bashkëautore e Deklaratës së Pavarësisë, sikurse që ma përmendi edhe kontratën.
Natyrisht në stresin e kohës që isha, ishte e pamundur të flisja për këso gjëra teknike. Unë duhej që të koncentrohesha në punë dhe ta përfundoja gjithë atë punë që kisha para vetës.
Edhe përkundër faktit se si popull shqiptar e kemi ëndrruar shumë atë ditë, shpalljen e pavarësisë, unë nuk kam pas kohë të mendoj se sa i lumtur do të jetë populli im, pikërisht kur do të lexohej ky dokumet që do t’ia kumtonte lajmin e shumë pritur, se vendi i tyre përfundimisht do të jetë i pavarur. Ne krejt e dijmë se sa shumë luftë politike, luftarake është dashur që të vijmë deri te ajo ditë e madhe.
Unë i kisha këto ndjenja të brendshme, por për ato 16 orë mu desh ti mbyllja, të mos mendoja, sepse më duhej të kompozoja krejt tekstin, krejt hapësirën, dhe për këtë fakt, fillimisht këtë tekst mu desh ta shkruaj në një letër të thjeshtë, që t’ia jepja kompozimin e më pas të filloja punën në pergamenë.

KultPlus: Padyshim, kjo punë e juaja është një punë historike, një punë që është e mbrojtur edhe nga Trashëgimia Kulturore, dhe një punë që vlerësohet lartë nga të gjithë. Por ju si autor, sa jeni i kënaqur me këtë realizim?
Shyqri Nimani:
 Do të më mbetet brengë për gjithë jetën, kam menduar që ta ilustroj mirë, sipas doktrinave mesjetare, të ketë inicialet, të ketë ilustrime, por e dija saktë që 16 orë nuk më lejonin këtë dëshirë. Më është dashur të shkruaj me një fond, me një stil, i cili është i bukur, subtil dhe që shkruhet më shpejt, dhe vendosa që ta shkruaja në stilin italik, të renesancës italiane, kur siç dihet, që me këtë fond është shkruar edhe “Formula e Pagëzimit”, dhe pikërisht për këtë fakt, desha ta bëja një ndërlidhje mes asaj periudhe dhe periudhës sonë.
Për 16 orë kam punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës, kam pirë vetëm ujë, dhe asgjë nuk kam menduar përpos që ta përfundoj. Për herë të parë në punën time artistike kam pas frikën që nuk do t’ia dal. Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim, i cili edhe ai është dizajner. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal.
Mbaj mend se si më dha kurajo djali im, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim. Kjo punë është shumë riskante, unë kam pas raste të shkruaj edhe më herët në pergamentë, por jo me kaq afat të shkurtër.

KultPlus: Dhe, kur përfundoi ky stres 16 orësh?
Shyqri Nimani: 
Deklaratën e Pavarësisë e kam përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Mbaj mend që erdhi kryeministri Thaçi, e panë dhe e morën. Kurse unë mbeta i katandisur deri në fund, i rrënuar nga lodhja. Mbaj mend që djali im më pat kërkuar që të shkonim në sallën e Parlamentit të Kosovës, aty ku edhe do të shpallej pas pak Pavarësia e Kosovës.
I thashë që do ta përcjellë seancën nga kjo zyrë e kryeministrit, sepse edhe isha i lodhur, por edhe nuk isha veshur bukur, pastaj, edhe nuk kishte vend për të gjithë në atë seancë, kështu që e kam përcjellë këtë ceremoni sikurse krejt qytetarët e Kosovës, nëpërmjet televizorit.

KultPlus: Dhe, Deklarata e Pavarësisë u lexua më 17 shkurt të vitit 2008, por pas kësaj, kush mbeti autori i kësaj pune, u plotësua dëshira e Qeverisë së Kosovës që të jenë bashkëautorë të kësaj deklarate?
Shyqri Nimani: 
Kanë kaluar dhjetë vjet, dhe deri më sot, unë asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për punën që bëra. Nëse nuk gabohem, atëherë janë ndarë 600 mijë euro për atë ditë, mjete që janë ndarë për shpenzimet. Kam dëgjuar që shumë autorë kanë marë mjetet për punët që kanë kryer, por unë që shkrova Deklaratën e Pavarësisë nuk mora mjetet. Unë kam dëgjuar se mjetet kanë qenë të ndara për këtë punë, por unë nuk shkova ti kërkoja, por as ata nuk erdhën të më kërkonin. Unë nuk besoj që Hashim Thaçi është në dijeni se nuk jam paguar për punën e bërë, pasi që, ai ka pasë tjera ngarkesa, por të tjerët kanë qenë në dijeni, apo edhe ndoshta mendojnë se jam paguar.

KultPlus: Megjithatë, ne si shqiptarë njihemi se si i lëmë punët për momentin e fundit, mendoni se kjo punë ka pas mundësi që të organizohej më mirë, që të kishe kohën e mjaftuar?
Shyqri Nimani:
 Deklarata ka pasë mundësi që të shkruhej më herët, por ka qenë edhe problemi te teksti, sepse Pavarësia e Kosovës ishte e kushtëzuar, dhe deklarata, unë mendoj, që nuk është shkruar pa miratimin e ndërkombëtarëve, andaj ka ardhë në momentin e fundit.
Por prapë mendoj se është mëkat, sepse është dashur të më tregonin dy javë më herët. Sepse as Thaçi, por as të tjerët nuk e kanë ditur se mke çfarë përkushtimi duhet të shkruhet në pergamenë.

KultPlus: E përmendët më lartë se nuk jeni i kënaqur me realizimin e Deklaratës së Pavarësisë, është një punë që nuk kthehet prapa, por keni ndonjë ide që do të doje të bëje diçka, që të tregoje se si do të duhej të ishte ky dokument?
Shyqri Nimani:
 Artisti duhet me qenë i sinqertë, unë i shoh të tjerët se si reagojnë në lidhje me punën time në Deklaratën e Pavarësisë, e lavdojnë, kanë fjalë të mëdha. Por unë vazhdoj ta kem brengë, edhe pse kam bërë shumë, sepse nuk kam pasë kohë më shumë, e sikur të kisha kohë më shumë, jam i sigurtë që do jepja më shumë.
Kushdo tjetër të ishte në vendin tim do ti ndodhte e njëjta, sepse nuk ka pasë kohë të mjaftueshme me atë çfarë kanë kërkuar.
Por unë gjeta ngushëllimin me një shtet shumë më të fuqishëm se ne. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe Amerikës, atëherë kur e kanë shpallë pavarësinë.Edhe Deklarata e Pavarësisë së Amerikës është me vetëm një ngjyrë, ngjyrë të zezë, pa ilustrime, kjo pak më ngushllon, ma bën më të lehtë.
Por unë, edhe me kërkesë të bashkëshortes sime, do të realizoj edhe njëherë Deklaratën e Pavarësisë në pergamenë, por natyrisht pa nënënshkrimin e deputetëve. Do ta bëj në mënyrë time dhe do ta dorëzoj që të jetë pjesë e Muzeut të Pavarësisë së Kosovës, këtë gjë do ta bëj që vetëm të mos e kem peng mos arritjen e realizimit të Deklaratës së Pavarësisë në mënyrën më të mirë të duhur. Do ti blej vet pergamenët dhe do të filloj të punoj ngadalë, ashtu si kam dëshirë.

KultPlus: Pikërisht në këtë përvjetor, pas dhjetë viteve, edhe qytetarët e Kosovës do të kenë rastin ta shohin Deklaratën e Pavarësisë nga afër, pasi që do të ekspozohet në ekspozitën e Muzeut të Kosovës, si ndjehesh?
Shyqri Nimani:
 Po, tash do të ekspozohet Deklarata e Pavarësisë dhe njerëzit do të kenë rastin ta shohin më afër këtë deklaratë, punë që më ka sjellë edhe aritmi në zemër, dhe këtë problem e barti tash e dhjetë vite.

KultPlus: A të kanë ftuar të jeshë i pranishëm në hapje të kësaj ekspozite?
Shyqri Nimani:
 Jo, nuk më ka ftuar askush.

KultPlus: Gjithë kjo punë, përpos që ta ka ‘dhuruar’ aritminë e zemrës, të ka lënë edhe ndonjë dhuratë tjetër, ke ndonjë gjë në shtëpinë tuaj që të kujton këto momente?
Shyqri Nimani:
 Të gjitha materialet që i kam përdorë atë ditë i kam në shtëpi, kaligrafet e ndryshme, ngjyrat dhe disa copa të pergamanëve, sikurse që i kam edhe tri faqet A/4. Një ditë do ti dhuroj edhe këto kujtime.

KultPlus: Dhe krejt për fund,një paralele në mes karrierës suaj 55 vjeçare dhe punës në Deklaratën e Pavarësisë, kjo e fundit të ka bërë të famshëm në nivel popullor, por puna artistike është për një pjesë më të ngushtë. Ju personalisht, cilën lartësoni më shumë?
Shyqri Nimani:
 Po më vjen mirë për këtë pyetje, nuk ma bëri askush për këto dhjetë vite. Unë vitin e kaluar pata 75 vjetorin e lindjes dhe asnjë televizion nuk më ftoi që të bëj diçka rreth karrierës sime artistike. Kurse për këtë përvjetor, që dy javë jam duke dhënë intervista për medie të ndryshme, duke përfshirë edhe të huajat.
Për mua, asnjë rëndësi nuk paraqet fakti që kam shkuar Deklaratën e Pavarësisë, njëjtë do të mendoja edhe sikur mos ta shkruaja. Sepse, unë jam artist, jam pedagog universitar, me rëndësi janë monografitë e mia, karriera ime artistike. Por puna në Deklaratën e Pavarësisë është punë historikë, punë që lë gjurmë dhe punë që ka bërë jehonë më shumë./KultPlus.com

Vdes artisti kombëtar Shyqri Nimani

Foto në ballinë: Atdhe Mulla

Ka vdekur sot profesori dhe artisti kombëtar Shyqri Nimani.

Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Agon Nimani i cili edhe ka njoftuar për ceremoninë mortore.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të më të dashurit tonë, profesorit dhe artistit kombëtar Shyqri Nimani.

Informojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ceremoninë mortore:
E premte, 23 qershor
14:00-15:00h
Homazh në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë).
15:00-16:00h
Mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës (amfiteatri i TKK).
17:00h
Varrimi, në varrezat e Prishtinës (Arbëri).
E pamja:
24, 25, 26 qershor
(e premte – dielë)
Rruga Major Mehmet Bushi, Vila 15/1, (Shtëpia e familjes, Bregu i Diellit) Prishtinë
nga 11:00-18:00h.
Familja Nimani”.

Shyqri Nimani (Shkodër, 6 maj 1941) ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog shqiptar. Është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

U lind në Shkodër më 6 maj 1941 në një familje me prejardhje nga Gjakova të shpërngulur para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, i biri i Ramiz Shyqri Nimanit dhe Hatmane Batushës; i ati kishte qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi. Profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976 – 1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979 – 1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991 – 1994. Merrej me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja. / KultPlus.com

Presidentja Osmani ua bën me dije finlandezëve se kidnapimi i tre policëve ishte akt i agresionit prej Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani takoi një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë nga Finlanda të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë pune.

Duke iu uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e Finlandës për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova e vlerëson lartë partneritetin me Finlandën dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.

Osmani foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, “me ç’rast e konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët”.

Sipas Zyrës së Presidencës, ajo foli edhe për tendencat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.

“Me këtë rast, në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që Presidentja Osmani e vlerësoi si akt të pastërt të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës. / KultPlus.com

Meryl Streep, simbol i forcës, elegancës, dhe përkushtimit ndaj profesionit të saj

Ikona e kinemasë ndërkombëtare, Meryl Streep, sot feston ditëlindjen. Aktorja amerikane, me një karrierë të shquar prej më shumë se katër dekadash, ka fituar dashurinë dhe adhurimin e shumëkujt nëpërmjet talentit të saj të rrallë dhe aftësisë për të shndërruar veten në çdo rol që interpreton.

Meryl Streep lindi më 22 qershor 1949 në Summit, New Jersey. Që në fillim të karrierës së saj, ajo u dallua për aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të portretizuar karaktere të ndryshme dhe për të kapur thelbin emocional të secilit rol. Ajo është një aktore e rrallë që ka aftësinë për të interpretuar me shkëlqim rolet dramatike, komike, dhe tragjike. Për këtë arsye, shumë kritikë e quajnë atë “aktoren më të mirë të gjeneratës së saj”.

Streep ka lënë gjurmë të thella në skenën e kinemasë dhe televizionit me një gamë të gjerë të rolave të shquar. Ajo ka luajtur në shumë filma të njohur, duke përfshirë “Kramer vs. Kramer”, “The Deer Hunter”, “Sophie’s Choice”, “Out of Africa”, “The Devil Wears Prada”, “Mamma Mia!”, dhe “The Iron Lady”. Përmes këtyre performancave të përkryera, ajo ka arritur të fitojë 3 çmime “Oscar” dhe ka qenë nominuar për 21 herë, duke u bërë aktorja me numrin më të madh të nominimeve në historinë e “Oscar”-it.

Përveç suksesit të madh në karrierën e aktrimit, Meryl Streep ka qenë një frymëzim për shumë aktorë të rinj dhe aktore të tjera në industrinë e kinemasë. Ajo është një simbol i forcës, elegancës, dhe përkushtimit ndaj profesionit të saj. Më shumë se njëherë, Streep ka ndarë mendime të thella mbi zërin e aktorëve gra në industri, duke theksuar nevojën për barazi gjinore dhe përfitimet e një paraqitjeje të diversifikuar në ekran.

Në jetën e saj personale, Meryl Streep është një grua e martuar dhe një nënë e dy fëmijëve. Ajo ka treguar se është e mundur të mbash me sukses karrierën e aktrimit dhe të jetosh një jetë të qetë familjare në të njëjtën kohë. Streep është një personazh i mbyllur dhe nuk ekspozon jetën e saj private shumë në media, por ajo ka dhënë prova të mrekullueshme se është e mundur të ruajë balancën midis jetës profesionale dhe atë personale. / KultPlus.com

Sot është përvjetori i lindjes së Erich Maria Remarque, njërit prej shkrimtarëve më të shquar të shekullit 20

Erich Maria Remarque ishte romancier gjerman që krijoi shumë vepra rreth tmerreve të luftës. Romani i tij më i njohur, “Të gjithë të qetë në Frontin Perëndimor” (1928), për ushtarët gjermanë në Luftën e Parë Botërore, u bë filmi fitues i Oskarit. Libri i tij e bëri atë një armik të nazistëve, të cilët djegën shumë nga veprat e tij, shkruan KultPlus.

Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura. Dhe Erih Maria Remark, e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet, por sepse përjetoi dy luftëra, pa t’i shuheshin një nga një shokët, prej çmendurive të nazizmit. “Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës-derisa e kuptova se kishte edhe disa që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, – shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Në 25 shtator 1970,Erich Maria Remark vdiq në një spital të Lokarnos nga një atak në zemër . Një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Një vepër anti luftë, që do të bëhej shkak i përndjekjeve nga nazistët, të cilët pasi i morën vitet më të bukura të rinisë në luftë, e detyruan të largohej nga vendi, i konfiskuan dhe dogjën librat, e dënuan në mungesë, i vranë të motrën, madje i hoqën dhe nënshtetësinë. “Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë, dhe Remarku do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse, fatkeqësisht, breza të humbur, do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë”, – shkruan përkthyesi Robert Shvarc në pasthënien e romanit “Obelisku i Zi”, një ndër 5 veprat e përkthyera prej tij në shqip (“Tre shokët”, “Shkëndija jete”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” dhe “Obelisku i zi”) .

Remarku lindi në 22 qershor 1898 në Osnabryk të Gjermanisë. Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 shkruhet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëherë fillon të punojë për një roman mbi luftën. Del nga spitali, për të kaluar në batalionin e parë të këmbimit, në regjimentin 78 të ushtrisë në Osnabrück. I jepet medalja “Ylli i Ferrit”, klasi i parë, në Duisburg nga ana e Këshillit të Punëtorëve dhe Ushtarëve të Osnabrückut, por shkarkohet nga ushtria dhe heq dorë nga medaljet dhe dekorimet. Rifillon studimet e lëna për gjysmë dhe më pas punon për pak kohë si mësues filloreje.

Në 29 janar të vitit 1929, publikohet si libër “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” në Berlin. Ndërkohë punon për dy vepra paralelisht. Në 29 prill vjen shfaqja e parë e filmit “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” me regji të Lewis Milestone, i cili për herë të parë shfaqet në Gjermani në muajin dhjetor. Ka reagime nga nacional-socialistët e Gjermanisë të udhëhequr nga Joseph Goebbels. Fimi ndalohet dhe çohet për kontroll në Berlin. Në vitin 1931 propozohet për Çmimin Nobel për paqen. Një vit më vonë fillon punën për një nga kryeveprat e tij “Tre shokët”. Në 10 maj ndalohen të gjitha librat e Remarkut në Berlin dhe në nëntor policia konfiskon “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht “Tre shokët” në Amsterdam dhe në 20 maj vjen shfaqja e parë kinematografike e këtij romani me regji të Frank Borzage.

Në 4 korrik çatdhetarizohet nga Gjermania dhe disa muaj më vonë edhe bashkëshortja e tij Ilse Jutta Zambona. Nis punën për “Harkun e Triumfit”. Në shtator të vitit 1939 shkon në Los Angelos ku do të nisë një histori dashurie me Marlene Dietrich. Atje njihet me Greer Garson, Orson Welles, Igor Straëinsky, Arthur Rubinstein, Lion Feuchtwanger, Emil Ludwig, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Cary Grant, Luggi Wolff e Brigitte Neuner-Wolff dhe shumë artistë të tjerë emigrantë. I jep fund lidhjes së ngushtë me Marlene Dietrich dhe disa muaj më vonë do të krijojë një lidhje të shkurtër me Greta Garbo. Në shtator të vitit 1942 zhvillon një takim me zv/ presidentin amerikan Wallace për të diskutuar mbi një aksion të mundshëm anti-fashist. Në tetor të vitit 1943 vendoset përfundimisht në New York. Në 15 dhjetor: Elfriede Remarque (e motra) dënohet me vdekje nga Gjykata Naziste për “sabotim” dhe vritet në Berlin, lajm të cilin shkrimtari e mësoi dy vjet më vonë. Në 25 gusht 1944 përfundon versionin e parë të “Harkut të Triumfit”, i cili botohet në muajin dhjetor në Neë York dhe disa muaj më vonë edhe në gjermanisht.

Shumë shpejt fillon të punojë mbi romanin “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Është koha kur shëndeti i tij fillon të lëkundet. Fillon mjekimet dhe mëson se ka diabet. Në janar të vitit 1952 botohet romani “Shkëndijat e Jetës” në New York, ndërsa në gjermanisht botohet në muajin korrik. Në dhjetor fillon punën mbi romanin tjetër “Obelisku i Zi”, i cili botohet në vitin 1956. Interpreton rolin e mësuesit në filmin e bazuar mbi romanin e tij “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në vitin 1962 boton “Qielli nuk ka preferenca”, ndërsa dy vjet më vonë “Një natë në Lisbonë”. Në 25 prill të vitit 1967 i jepet “Großes Verdienstkreuz”, Medalia e vlerave më të larta nga Republika Federale e Gjermanisë. Në 25 shtator 1975 vdes në klinikën Sant’Agnese në Locarno. /KultPlus.com

Vdes aktori dhe rigjisori i njohur shqiptar, Anastas Nika

Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Anastas Nika ka vdekur në moshën 63-vjeçare.

Nika vuante nga një sëmundje e rëndë tash e një vit, por pavarësisht donacioneve të mbledhura për shërimin e tij, Nika nuk ia ka dalë të jetojë.

Lajmin për ndarjen nga jeta të artistit e ka bërë të ditur djali i tij Enea përmes një postimi në Facebook.

Nika ka ndërruar jetë në spital në Athinë, derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në orën 13 në varrezat e Sarandës.

Nika ka realizuar rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion, si dhe ka shkruar e shfaqur në skenë mbi 70 vepra e shfaqje të gjinive të ndryshme letrare. / KultPlus.com

James Baker, i pari zyrtar i lartë i SHBA, që vizitoi Shqipërinë paskomuniste

Më 22 qershor të vitit 1991, vizitoi Tiranën Sekretari Amerikan i Shtetit, James Baker.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan erdhi në ditët e para të pluralizmit, pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se rreth 300,000 shqiptarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, duke i rezervuar Baker-it një pritje mbresëlënëse. Populli ishte ngjeshur në sheshin kryesor të Tiranës për të dëgjuar fjalën e sekretarit amerikan.

“Kam 14 vjet në politikë dhe nuk besoj se kam parë ndonjëherë një pritje të tillë. Kjo e bën gjithçka më të jashtëzakonshme. Kjo shprehje dashamirësie dhe mbështetjeje vjen prej asaj që Amerika përfaqëson për popuj që nuk kishin prej shumë kohësh asgjë ku të shpresonin.”- u shpreh Baker-i, i pari zyrtar i lartë i SHBA-ve që vizitoi Shqipërinë paskomuniste.

Tre muaj para kësaj vizite, qe rihapur ambasada amerikane në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Shkrimtari disident: Kina ime e ka tejkaluar profecinë e Orwell, tani njerëzit atje janë shndërruar në makina

Nga Monica Ricci Sargentini

“Corriere della Sera”

“Kur u burgosa në Kinë, sepse doja të kujtoja masakrën e Sheshin Tiananmen, preka Ferrin në tokë, dhe tentova 2 herë vetëvrasjen. Por pastaj e kuptova se isha dëshmitar i historisë, ndaj nisa të mbledh historitë personale të të burgosurit që ishin me mua në burg”.

Liao Yiwu mban në dorë një copë letër me shkronja kineze, të cilat aq të vogla sa janë thuajse të palexueshme. “Për të shkruar përdorja letër higjienike, dhe nuk kisha shumë”- shpjegon ai. Shkrimtari kinez, që jeton në Berlin të Gjermanisë që prej vitit 2011, është një halë në sy për Republikën Popullore të Xi Jinping për shkak të librave të tij që denoncojnë krimet e regjimit komunist, dhe për të cilët ai ka fituar çmime të shumta letrare.

Liao është në Caorle këto ditë për të marrë çmimin “Luigi Amicone 2023”, kushtuar themeluesit dhe ish-drejtorit të “Tempi”, që u jepet njerëzve që kanë guximin “t’i etiketojnë gjërat me emrin që kanë”. Të shkruarit u bë misioni i tij kryesor në jetë.

I liruar nga burgu në vitin 1994, u nda nga bashkëshortja dhe vajza e tij për t’i shpëtuar persekutimit, ai jetoi si një i pastrehë duke u sjellë vërdallë nëpër rrugët e vendlindjes së tij Chengdu në Sichuan, ku nisi të mblidhte histori disidentësh. Por policia e vëzhgonte.

“Më sekuestruan dorëshkrimet, ndaj u detyrova t’ia filloja nga e para. Më është dashur ta rishkruaj 3 herë librin, në të cilin tregoj tmerret që kam përjetuar në burg. Ata nuk donin që ai të botohej. Pastaj erdhën kompjuterët, dhe unë i ruajta gjërat”-  tregon ai teksa pi një gotë birrë, si për t’i larguar nga vetja ato kujtime të hidhura.

Yiwu i kritikon shkrimtarët e tjerë kinezë, si për shembull fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi Mo Yan, se janë oportunistë dhe nuk mbajnë anë. “Kjo është arsyeja pse ata nuk kanë përfunduar asnjëherë në burg. Vetëm kur dikush vuan atë që kam përjetuar unë, e kupton se ata duan realisht të të asgjësojnë dhe të fshijnë nga faqja e dheut. Dhe prandaj ti detyrohesh të luftosh”- thekson ai.

Kur i them se ceremonia e marrjes së çmimit të tij ndodh në ditën kur Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken po viziton Kinën, ai hap krahët:”Çfarëdo që t’i thonë, nuk është e sigurt se do ta mbajnë fjalën. Për shembull Xi erdhi në Itali në vitin 2019, dhe u duk sikur do të bënte investimesh të madhe, por u tërhoq sapo shpërtheu pandemia”.

Gjatë pandemisë Liao ka shkruar një roman dokumentar më titullin “Wuhan”, në të cilin ai akuzon Pekinin se ka shkaktuar me vetëdije miliona të vdekur. “Pse tregtia dhe fluturimet ndërkombëtare për dhe nga Kina u lanë të hapura kur Wuhan hyri në bllokim, duke lejuar kështu që virusi të udhëtonte nëpër botë duke shkaktuar shumë vdekje?”- pyet me të drejtë shkrimtari disident.

Dhe ai akuzon:“Për Pekinin, koronavirusi ishte një mundësi e artë për të vënë në praktikë formën më imponuese, më të përhapur, dhe teknologjikisht më të avancuar të kontrollit mbi çdo aspekt të jetës së popullatës. Xi e tejkaloi edhe fantazinë e George Orwell në vitin e tij Viti1984”.

Rezultati është një vend në të cilin qytetarët nuk mund të mendojnë më:”Kinezët nuk janë më njerëz por makineri. Ata kanë më pak të drejta se një qen. Sepse qeni mund të lehë, ndërsa njerëzit nëse bërtasin, përfundojnë në qeli”.

Kur në vitin 2022 shpërtheu protesta e “letrave të bardha” kundër bllokimeve të pafundme të Covid-19, kur njerëzit në rrugë bërtisnin “Poshtë Partia Komuniste! Xi Jinping jep dorëheqjen!” qeveria nuk i dërgoi tanket, por vendosi të heqë papritur të gjitha kufizimet për të frenuar pandeminë.

“Pa vaksina dhe ilaçe, njerëzit që sapo kishin shpëtuar nga bllokimet dhe virusi i Wuhan u lanë të lirë të ndryshonin, u gjendën në mëshira e “Hopit të Madh Përpara” të infeksionit Covid. Numri i njerëzve që u prekën nga koronavirusi u rrit në qindra mijëra, miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona dhe brenda një muaji e gjysmë e tejkaloi numrin e të personave të infektuar në mbarë botën në 3 vite rresht. Të vdekurit janë kaq të shumtë në numër, saqë askush nuk di ku t’i varrosë”- thotë disidenti.

Në një moment Liao ngrihet dhe më tregon njerëzit që ecin buzë detit: “Unë e di që Perëndimi po përpiqet të reduktojë varësinë e tij nga Pekini. Unë shoh po asnjë kinez, por turizmi po lulëzon, dhe ju mund ta bëni këtë”.

E pyes nëse ëndërron të kthehet një ditë në vendlindje. “Unë e konsideroj Berlinin shtëpinë time të dytë, edhe pse nuk di të flas gjermanisht. Do të kthehesha në Kinë vetëm nëse Sichuani do të bëhej i pavarur”- përgjigjet ai.

Më pas mendimet e tij kthehen tek lufta në Ukrainë: “Unë i admiroj shumë ukrainasit për mënyrën se si po luftojnë! Ata absolutisht nuk duhet të lejohen që të mposhten. Një regjim i mbrapshtë mund të duket i fuqishëm, por nëse shihni historinë, ai nuk ka asnjë vlerë.

Sepse krimet e tij janë regjistruar që të gjitha. Dhe ndonëse mund ndihemi të parëndësishëm tani për t’i mbledhur ato, dëshmia që lëmë pas në terma historikë, do të zgjasë më shumë sesa çdo tirani”. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, shkrimtari disident merr në dorë xixo-n, flautin kinez që mësoi ta luante në burg, falë një murgu të moshuar. “Muzika të jep një liri të brendshme, dhe diktaturat kanë frikë nga ajo”- më thotë ai, teksa notat e luajtura me këtë instrument u përhapën në të gjithë sallën./bota.al / KultPlus.com

“Forumovera” hapet me filmin e Fatmir Koçit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një produksion i vitit 2022, çeli siparin e aktivitetit “Forumovera” në Qendrën për Hapje e Dialog (COD). Filmi i regjisorit Fatmir Koçi, u mundësua nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Në aktivitet ka qenë i pranishëm edhe regjisori Koçi, i cili ka bashkëbiseduar me të pranishmit.

Filmi me metrazh të gjatë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është përshtatja e romanit shqiptar me të njëjtin titull, i shkrimtarit Dritëro Agolli. Filmi përqëndrohet në bëmat e shokut Zylo, burokrat në Ministrinë e Kulturës së viteve ‘70. Për t’u bërë përshtypje eprorëve dhe anëtarëve të partisë së tij, shoku Zylo manipulon Demkën, një autor aspirues për të shkruar në emër të tij fjalime dhe raporte fenomenale të bazuara në teoritë e egra e të pamundura të Zylos, mbi atë çfarë është Kultura e Proletariatit.

Në film interpretojnë aktorë të rinj si Aleks Seitaj, Donald Shehu e Amos Zaharia, por gjejmë edhe aktorë të mirënjohur si Petrit Malaj, Kastriot Çaushi e Sokol Angjeli.

Fatmir Koçi ka në pasaportën e tij artistike një sërë filmazh të metrazhit të gjatë e të shkurtër, mes të cilëve veçojmë “Tirana viti zero”, për të cilin u nderua me çmimin “Aleksandri i Madh” në Festivalin e Filmit të Selanikut, si dhe filma si “Koha e kometës”,  “Nekrologji” etj./ atsh / KultPlus.com

‘Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerë’

Në vijim mund të lexoni disa thënie për jetën, miqtë dhe dashurinë.

“Asgjë nuk e damkos një shpirt të mirë dhe një zemër të ëmbël më shumë sesa të jetosh mes njerëzve që nuk mund ta kuptojnë atë.”

“Mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet vezullojnë më me shkëlqim.”

“Jeta përbëhet nga dy ditë, njëra krah teje e tjetra kundër teje. Pra, ditën që është krah jush mos jini arrogantë ose të pamatur, dhe ditën kur është kundër jush të jeni të durueshëm, të dyja ditët janë provë për ju.”

“Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh.”

“Kur bota të ul në gjunjë, je në pozitën e përsosur për t’u lutur”

“Një refuzim i këndshëm është më i mirë se një premtim i gjatë.”

“Gruaja është një krijesë delikate me emocione të forta që është krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm për të marrë përsipër përgjegjësinë për edukimin e shoqërisë dhe lëvizjen drejt përsosmërisë. Zoti e krijoi gruan si simbol të bukurisë së Tij dhe t’i jepte ngushëllim partnerit dhe familjes së saj. ”

“Ai që i beson botës, bota e tradhton.”

“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.”

“Një vëlla është si ari dhe një mik është si diamanti. Nëse çarje ari mund ta shkrini dhe ta bëni ashtu si më parë. Nëse diamanti plas, kurrë nuk mund të jetë si më parë ”.

“Durimi siguron fitoren.”

“Përgojimi pas shpine është përpjekja e atij që nuk është në gjendje ta bëjë më mirë veten e tij.”

“Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerët.”

“Një njeri i mençur gjithmonë ka diçka për të thënë, ndërsa budallait gjithmonë i duhet të thotë diçka.”

“Sigurisht që heshtja ndonjëherë mund të jetë përgjigjja më elokuente.”

“Nuk është kurrë vlera e ujit, por etja, nuk është kurrë vlera e jetës, por vdekja dhe kurrë nuk ka pasur të bëjë me miqësinë, por me besimin.”

“Kini kujdes të mos flisni shumë, sepse rrit gabimet dhe shkakton mërzitje.”
“Kujdesuni për gjuhën tuaj njësoj siç kujdeseni për arin dhe argjendin.”

“Ushqimi i trupit është ushqim, ndërsa ushqimi i shpirtit për të ushqyer të tjerët.”

“Nuk ka prehje për personin që ka zili dhe nuk ka dashuri për personin që ka sjellje të këqija.”

“Duhet të jesh i përulur, pasi është një nga [format më të mëdha] të adhurimit.”

“Të mos kesh një gjë është më pak poshtëruese sesa ta lypësh.”

“Ju jeni zotëruesi i asaj që thoni derisa ta shqiptoni, pasi ta nxirrni atë, ju jeni rob i saj. Ruani gjuhën tuaj siç ruhet ari dhe paraja. Një fjalë mund të sjellë turp dhe mbarimin e një lumturie.”

“Ndershmëria do t’ju udhëheqë drejt mirësisë dhe mirësia do t’ju ftojë në parajsë.”

“Është njeri më i mençur dhe më i ditur ai që këshillon njerëzit të mos e humbin shpresën dhe besimin në mëshirën e Zotit dhe kjo të mos e bëjë atë shumë të sigurt dhe të bindur për imunitet nga Zemërimi dhe Ndëshkimi i Tij.”

“Armiqtë tanë nuk janë çifutët ose të krishterët, armiku ynë është injoranca jonë.”

“Nëse sytë e një femre përloten për një burrë që e shtyp atë, atëherë engjëjt do ta mallkojnë atë me çdo hap që ecën.”

“Miqtë tuaj janë tre dhe armiqtë tuaj janë tre. Miqtë tuaj janë: shoku juaj, miku i mikut tuaj dhe armiku i armikut tuaj. Armiqtë tuaj janë: armiku juaj, armiku i mikut tuaj dhe miku i armikut tuaj.” / KultPlus.com