Aktori i famshëm, Jean-Claude Van Damme viziton Kosovën

Aktori i famshëm i filmave aksion në nivel botëror, Jean-Claude Van Damme, do të vjen për herë të parë në Kosovë.

Ikona e aksioneve dhe filmave të cilat kanë shoqëruar ekranet anë e kënd globit, do të gëzoj fansat shqiptar më 16 korrik.  Ardhjen e tij po e mundëson një kompani zvicerane e orëve. Lajmin e ka konfirmuar vet ai nëpërmjet një video.

“Shumë shpejt do të jem në Kosovë në mes të 16 dhe 20 korrikut”, ka thënë ai në video. 

Ende nuk dihet agjenda që do ta ketë artisti gjatë qëndrimit në vend.

Jean-Claude Camille François Van Varenberg është aktor luftarak, regjisor dhe koreograf luftarak belg. Rrugëtimi i tij nis në moshën 10 vjeçare, ku babai i tij e regjistroi në klasat e arteve marciale. Rrugëtimin me film e nisi në SHBA në vitin 1982. Ndër filmat e tij më të njohur janë “Bloodsport”, “Timecop”, “Universal Soldier”, “Hard Target”, “Kickboxer”. Gjithsej ka luajtur në mbi 50 filma./ rtk / KultPlus.com

James Baker, i pari zyrtar i lartë i SHBA, që vizitoi Shqipërinë paskomuniste

Më 22 qershor të vitit 1991, vizitoi Tiranën Sekretari Amerikan i Shtetit, James Baker.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan erdhi në ditët e para të pluralizmit, pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se rreth 300,000 shqiptarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, duke i rezervuar Baker-it një pritje mbresëlënëse. Populli ishte ngjeshur në sheshin kryesor të Tiranës për të dëgjuar fjalën e sekretarit amerikan.

“Kam 14 vjet në politikë dhe nuk besoj se kam parë ndonjëherë një pritje të tillë. Kjo e bën gjithçka më të jashtëzakonshme. Kjo shprehje dashamirësie dhe mbështetjeje vjen prej asaj që Amerika përfaqëson për popuj që nuk kishin prej shumë kohësh asgjë ku të shpresonin.”- u shpreh Baker-i, i pari zyrtar i lartë i SHBA-ve që vizitoi Shqipërinë paskomuniste.

Tre muaj para kësaj vizite, qe rihapur ambasada amerikane në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Aktori i njohur amerikan, Danny Glover, viziton muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë

Aktori dhe producenti i njohur amerikan, Danny Glover, ka vizituar një ditë më parë muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Lajmi bëhet i ditur nga Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë ku ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe video nga vizita e producentit të njohur amerikan në këtë muze.

Glover pasi ka vizituar muzeun ka parë edhe filmin e Skënderbeut i cili transmetohet në muze.

Bëhet me dije se vizita e Glover vjen pas ftesës që bashkia Tiranë i ka dërguar atij për të mësuar më shumë mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe historinë e Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com

Përvjetori i vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot vizitën historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri.

“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.

Atë 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.

Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.

Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.

Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.

Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike. / atsh / KultPlus.com

Kurti vizitoi shkollën “Enver Maloku” në Podujevë

Për të uruar vitin e ri shkollor, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shkollën fillore të mesme të ulët “Enver Maloku” në Podujevë. Së bashku me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë kësaj vizite, panë nga afër procesin e shpërndarjes së librave për nxënësit e klasës së parë.

Kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e veçantë që në këtë ditë e mot kaq të mirë të jemi bashkë me rastin e ndarjes së teksteve shkollore për nxënësit. Shpresoj që do të bëjmë shumë punë të mbara edhe në qeverisje qendrore e lokale por edhe në mësimdhënie e në mësimnxënie për të gjithë nxënëset dhe nxënësit, tha ai.

Shkolla është vend ku mësohet, ku jepet mësim dhe ku fëmijët edukohen, bëhen më të ditur e më të mençur, andaj edhe shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta, shtoi Kryeministri.

Duke theksuar se e ardhmja e një populli, e një shteti, e një shoqërie varet shumë prej arsimimit të më të vegjëlve, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë prindërit për vullnetin e përkushtimin e madh që kanë për fëmijët e tyre. U garantoj që edhe nga pushteti qendror e lokal, por edhe nga kuadri arsimor këtu, do ta kenë gatishmërinë, interesimin e punën, ashtu që këta fëmijë kur të rriten nesër e të na zëvendësojnë neve, të jenë shumë më të mirë se sa të gjithë ne, tha ai.

Kryeministri Kurti i falënderoi për mikpritjen e përzemërt të gjithë nxënësit dhe prindërit e pranishëm, Kryetarin e Këshillit të Prindërve, nënkryetarin e Komunës së Podujevës, drejtorin e Drejtoratit Komunal të Arsimi dhe drejtorin e shkollës “Enver Maloku”

Pas kësaj vizite në shkollë, Kryeministri Kurti dhe kryetari Bulliqi vizituan edhe çerdhen publike “Armela” në Podujevë, ku u pritën nga fëmijët dhe punonjësit e kësaj çerdhe, e cila po zhvillon procesin edukativo-arsimor me më të vegjëlit pa ndonjë pengesë. /KultPlus.com

Listuan Manastirin e Deçanit si monument të rrezikuar, Europa Nostra zbarkon vetë në Kosovë

Një delegacion i organizatës evropiane “Europa Nostra” që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore po qëndron në Kosovë. Ata kanë vizituar Manastirin e Deçanit, të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Delegacioni i Europa Nostra është pritur dje nga Igumeni Sava Janjic, të cilëve u ka shtruar darkë në ambientet e objektit fetar, raporton Gazeta Express.

Igumeni Janjic ka publikuar disa fotografi të vizitës së delegacionit të organizatës evropiane në manastir.

“I nderuar ta mirëpres delegacionin e Europa Nostra sot në Manastirin e Deçanit. Mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët në Evropë është thelbësore për të ardhmen e kontinentit tonë. Duke vizituar vende të traditave të ndryshme Europa Nostra do të theksojë nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë. Delegacioni i Europa Nostra që po kalon këto ditë në një vizitë studimore në Kosovë përbëhet nga ekspertë të shquar të cilët janë tejet të angazhuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në evropë dhe të punojnë në shumë projekte në këtë fushë. I nderuar që i mirëprita”, thuhet në ‘cicërimën’ e Janjic në Twitter.

Futjen e Manastirit të Deçanit në 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në këtë letër, shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e “7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë” ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Misioni i KFOR-it në Kosovë prillin e vitit të kaluar në një një përgjigje për Express, kanë deklaruar se nuk kanë regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në 10 vitet e fundit.

“Ne nuk kemi regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm të sigurisë në dhjetë vitet e fundit kundër Manastirit të Deçanit. KFOR-i do të vazhdojë të operojë me qëllim të garantimit të një bashkekzistence paqësore në atë zonë. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në mbarë Kosovën duhet të respektohen dhe të ruhen. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në përputhje me parimin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Express. / KultPlus.com

Rama në Kiev, publikon foto me zemër të thyer (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq po qëndrojnë këto ditë në Kiev ku po shohin nga afër dëmet e shkaktuara nga lufta me Rusinë, përcjellë KultPlus.

Kryeministri Rama ka shpërndarë në profilin e tij në facebook disa fotografi nga ajo çka ka parë gjatë kësaj vizite teksa i ka shoqëruar me një emoji me zemër të thyer për Ukrainën.

Rama dhe Abazoviq janë nisur dje drejt Kievit, me ftesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky./ KultPlus.com

Behgjet Pacolli vizitoi shkrimtarin Ismail Kadare (FOTO)

“Më vjen mirë, që e kam mysafir në shtëpi ministrin e jashtëm të Kosovës, z. Pacolli, që e kam takuar dhe në Kosovë. Më vjen mirë, që ai ka vënë në dispozicion emrin e vet, suksesin e vet, autoritetin e vet në shërbim të Kosovës.”, kështu ka thënë shkrimtari më i shquar bashkëkohorë shqiptarë, i nominuar disa herë për çmimin “Nobel” për letërsi, Ismail Kadare, gjatë një pritje që i bëri në shtëpinë e tij në Paris, ministrit të Ministrisw sw Punwve tw Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, së bashku me bashkëshorten e tij.

I pyetur si e konsideron faktin, që ai ka zgjedhur Francën, si një nga vendet e para për ta vizituar, shkrimtari Kadare tha: “E vlerësoj shumë këtë fakt. Zoti Pacolli po kontribuon për ta afruar atë me Evropën, sepse shqiptarët janë evropianë, janë pjesa natyrale e Evropës”.

Në vazhdim të bashkëbisedimit, ministri Pacolli e ka falënderuar shkrimtarin Kadare për kontributin e tij të çmuar, në mënyrë të veçantë për Kosovën.

“Vizitën time zyrtare në Francë e kam filluar në shtëpinë e penës me të ndritur shqiptare, shkrimtarit të madh dhe të njohur e vlerësuar në gjithë botën, z. Ismail Kadare. E falënderova me gjithë zemër për kontributin e pa zëvendësuar, që ai dha, veçanërisht për Kosovën, duke filluar me demonstratat e viteve 80, Rambujenë, me artikujt e shumtë në shtypin francez”, ka thënë Pacolli.

Kadare e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme, që kryediplomati kosovar, Pacolli ka zgjedhur pikërisht Francën, si njërin nga vendet e para për ta vizituar në kuadër të turneut të tij diplomatik dhe e ka cilësuar pozitivisht ardhjen e tij në krye të diplomacisë kosovare. Në lidhje me këtë ai, gjithashtu, vlerësoi lidhjet natyrale të Kosovës dhe të kombit shqiptar me Francën./ KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë viziton Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Në kuadër të agjendës në vizitën e tij zyrtare në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizituan Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

Presidenti Meta e ministri Gashi panë nga afër tre sektorët që ka ky lokalitet arkeologjik i pasur me objekte e elementë të shumtë të periudhës së antikitetit.

Ministri Gashi e informoi Presidentin Meta për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për investimet në parkun e Ulpianës nëpërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës duke e konsideruar si një ndër prioritetet kryesore të trashëgimisë arkeologjike të Republikës së Kosovës. Ministri tha viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë.

Ndërkaq, përgjegjësi i parkut, Milot Berisha e njoftoi Presidentin për historikun e parkut, sektorët dhe objektet e ti si dhe procesin e gërmimeve, konservimit dhe restaurimit.

Nga ana e tij, presidenti Meta pohoi se ndjehet i lumtur që po e viziton këtë lokalitet të rëndësisë së veçantë jo vetëm për Kosovën por për tërë hapësirën mbarëshqiptare dhe parqe të këtilla janë pasuri që duhet t’i ruajmë e t’i vlerësojmë./ KultPlus.com