Për 6 muaj Shqipërinë e kanë vizituar 310 mijë italianë

Nga të huajt që kanë zgjedhur të pushojnë në vendin tonë, italianët kryesojnë listat, kjo sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, raporton Klan. Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, pra nga Janari në Qershor, në Shqipëri kanë hyrë mbi 310 mijë italianë. Krahasuar me një vit më parë kjo shifër është rritur me 57%.

E ndërsa flasim për “dyndje” të vizitorëve nga vendi fqinj, kjo shprehje do të ketë vërtetë kuptim, kur të publikohen shifrat për dy muaj më me fluks të sezonit, Korrikun dhe Gushtin, për të cilën është folur shumë edhe në mediat Italiane.

Vendin e parë e zë turizmi patriotik, nga shqiptarët e Kosovës, që nga Janari në Qershor kanë hyrë 1.38 milionë, 43 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Rritje kanë njohur edhe vizitorët e ardhur nga Gjermania, veçanërisht dhe ata polakë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë gjashtë mujorit të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë mbi 3 milionë e 396 mijë vizitorë të huaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022 rritja është 33% më shumë./klantv/KultPlus.com

Lum Lumi

Poezi nga Ali Podrimja

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi./ KultPlus.com

Vinçenx Baffa, publicisti dhe mbrojtësi i gjuhës arbëreshe

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujtoi sot në 99-vjetorin e lindjes, arbëreshin e madh Vinçenx Golletti Baffa, një nga emrat më të rëndësishëm të publicistikës dhe kulturës arbëreshe.

Ai lindi në Çifti (Civita), në provincën e Kozencës, Kalabri në 28 gusht 1924. Në moshë fare të vogël mësoi mjaft mirë latinishten, greqishten e vjetër dhe frëngjishten, nën ndikimin e gramatikës latine, nisi të studiojë me një pasion të veçantë arbërishten e të njihet nga afër me gjuhën shqipe. Studioi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Romës, duke marrë njohuri edhe në fushën e historisë, të gjuhësisë, si dhe të letërsisë shqipe. Punoi për një kohë të gjatë si mësues privat në shumë lëndë, më pas punoi në bibliotekën qytetare e në kursin e gjuhës italiane në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Frankfurtit, si dhe Hejdelbergut.

Libri “Novellistica italo-albanese” me përralla, tregime dhe anekdota të përmbledhura nga Luca Perrone, nën drejtimin e Koliqit bëhet një shtysë e vërtetë për të, që këto përralla ai vetë t’i rrëfente në një arbërishte shumë më të pastër e më të bukur.

Pati një veprimtari të gjerë publicistike, dhe revista kulturore “Katundi Ynë” (1970) u bë promotori i aktivitetit të tij krijues. Ai botoi “Alfabeti shqip i programuar” më 1977, “Libër këndimi i programuar” më 1981, përshtatur për fëmijë të çdo moshe që njohin alfabetin italian, “Libri im i parë” më 1979, përshtatur për të gjithë fillestarët, si dhe “Antologji e shkurtër me proza argëtuese” dhe “Gjuha jonë me hare” më 1982.

Vinçenx Baffa ka dhënë ndihmën e tij modeste në daljen e disa revistave shqiptare, si “Qëndresa” në Zvicër, “Dëshira” në Suedi, si dhe ka bashkëpunuar me mjaft revista të njohura shqiptare si “Dielli”, “Mondo albanese” e tjerë. Veprat dhe shkrimet e tij janë një kontribut i madh për lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës arbëreshe./atsh/KultPlus.com

Mark Krasniqi: Ata që i kisha armiq për së gjalli i kam edhe për së vdekuri, mos t’më vijnë tek varri

Sot janë bërë 8 vite nga vdekja e akademikut shqiptar, Mark Krasniqit, shkruan KultPlus.

Mark Krasniqi ka lindur më 19 tetor të vitit 1920, dhe ka vdekur më 28.08.2015 në Prishtinë. Ai ishte profesor, shkrimtar e akademik.

Sot në 8 vjetorin e vdekjes së tij, KultPlus ju sjell dy thëniet e tij më të njohura, të cilat për së gjalli i tha për vdekjen e tij:

-Ata të cilët i kisha armiq për së gjalli i kam edhe për së vdekuri, shpresoj që mos t’më vijnë tek varri.

-Kryqit as Hënës nuk ju kam bërë hyzmetin, po as nuk kam qenë kundër tyre. Në pllakën e varrit le të jenë vetëm emri e mbiemri, edhe shqipja dykrenore mbi atë emër. / KultPlus.com

Në Bibliotekën Kombëtare vjen ekspozita ‘River Drini’ e Ferdi Limanit

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtre të Kosovës, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Fotoist’ bëhet hapa e ekposzitës ‘River Drini’ nga Ferdi Limani, shkruan KultPlus.

Ceremonia e hapjes së ekspozitës mbahet sot, më 28 gusht, në orën 19:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ndërsa ekspozita do të qëndroj e hapur der inga data 25 deri më 29 gusht/KultPlus.com

At Zef Pllumi, françeskani simbol i dijes dhe qëndresës

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot intelektualin, fratin françeskan, teologun, shkrimtarin, filozofin, At Zef Pllumi.

At Zef Pllumi lindi më 28 gusht 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhës. Studioi në liceun “Illyricum” të etërve franceskanë dhe u përgatit në disa fusha si teologji, letërsi, filozofi. Gjithashtu përvetësoi mjaft mirë gjuhët e huaja si italishten, frëngjishten, gjermanishten, latinishten dhe greqishten e vjetër.

Më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burg në moshën 22 vjeçare. Në vitet 1949-1951 u angazhua me pasion në studimin e monedhave të vjetra në Muzeun e Shkodrës. Më vonë do të shërbente si meshtar i zonës së Dukagjinit për rreth 12 vjet. Në vitin famëkeq 1967 u arrestua dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si në Spaç, Reps, Ballsh, Skrofotinë të Vlorës, Zejmen-Shën Koll, Shën Vasil dhe Tiranë.

Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit religjioz, u përpoq të kontribuonte në lëmin e kulturës dhe edukimit, aq të dëmtuar përgjatë pesëdhjetë vjetëve.

Nën udhëheqjen e tij, nga viti 1993 deri 1997 publikoi sërish revistën “Hylli i Dritës”. At Zef Pllumi botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhaj”, “Ut heri dicebamus”, “Frati i pashallarëve Bushatlli Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”.

Një ndër nismat e tij me vlerë të pazëvendësueshme ishte dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi përgjatë viteve të komunizmit, si dhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të At Gjergj Fishtës.

Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. Po atë vit mori çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në Romë, Itali, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër./atsh/KultPlus.com

Tekstet shkollore, mbi 51 mijë aplikime në platformën eKosova

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se deri sot në orën 09:00 janë pranuar 51 mijë e 200 aplikime në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

“Në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore deri sot në ora 09:00 janë pranuar 51,200 aplikime”, ka shkruar Kelmendi.

Gjatë javës së kaluar ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se këtë vit nuk do të shpërndahen librat nëpër shkolla, mirëpo do t’i blejnë prindërit e më pas ata do të subvencionohen nga shteti./Express/KultPlus.com

Zgjatet orari i parkingut në qendër të Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se nga sot, orari i parkingjeve në qendër të Prishtinës, ose ndryshe siç njhet “Zona 1” është zgjatur, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në facebook komuna ka bërë të ditur se ky orar nis të zbatohet nis nga ora 07:00 deri në 23:00 nga e dita e hënë në të shtunën.

“Konform Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës nga data 28.08.2023 do të ndryshohet orari i parkingjeve (parkingje komerciale dhe rezidenciale) në Zonën 1 (Qendra e Qytetit), duke filluar nga ora 7:00 deri në ora 23:00, nga e hëna deri të shtunën”, thuhet në njoftim

Përndryshe orari i parkingut me pagesë deri sot, ka qenë deri në orën 19:00/ KultPlus.com

‘Vogue’: Shqipëria në krye të preferencave turistike të Dua Lipas

Dua Lipa nuk është vetëm një superstare e muzikës pop, por është edhe një eksploruese me përvojë, shkruan filiali indian i ”Vogue”.

Nga Shqipëria në limanet e Greqisë, më poshtë renditen disa nga destinacionet e saj të preferuara për të frymëzuar pushimet tuaja të ardhshme.

Dua Lipa tregon destinacionet e saj të preferuara të pushimeve, vendin e parë të të cilave e zë Shqiparia:

Shqipëria

Nga trashëgimia shqiptare, Dua Lipa pëlqen të shfrytëzojë sa më shumë verën në shtëpi.

Një destinacion që thjesht pret të zbulohet, Shqipëria është e mbushur me plazhe sublime, shkëmbinj shkëmborë dhe fshatra tradicionalë, të gjitha këto mbeten relativisht të paprekura nga turizmi masiv.

Peloponezi

Në bordin e një varke me vela këtë verë, Dua Lipa eksploroi limanin qiellor të Peloponezit. Sekreti më i mirëmbajtur i Greqisë , ky rajon në jug të vendit është një përzierje fshatrash të vegjël, plazhe të virgjëra dhe fshatra të gjelbëruara.

Auckland

Ndërsa Zelanda e Re priti Kupën e Botës të Futbollit për Femra, Auckland po fluturon lart. I vendosur midis dy gjireve në oqeanin Paqësor, destinacioni është urban, por vetëm disa kilometra larg zonave natyrore që të lënë pa frymë.

Tokio

Me hotelet e fshehura brenda rrokaqiejve të stilit të viteve 1970, kopshtet Zen dhe sportelet ku mund të shijoni kuzhinën e shkëlqyer japoneze, Tokio ishte gjithashtu në radarin e Dua Lipa këtë vit.

Mexico City

Falë jetës së tij të bollshme kulturore, arkitekturës shumëngjyrëshe, gastronomisë që nuk njeh kritikë dhe jetës emocionuese të natës, Mexico City është një nga destinacionet yje të verës, i miratuar edhe nga Dua Lipa./atsh/KultPlus.com

81 vite nga lindja e poetit Ali Podrimja

Sot janë bërë 81 vite nga lindja e njërit ndër autorët më të shquar shqiptar, Ali Podrimja, shkruan KultPlus.

Autori Podrimja ka lindur në Gjakovë më 28 gusht 1942 dhe ka vdekur më 21 korrik 2012. Ai është  autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi deri në fund të jetës. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi).

 Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi im i dashur, qaj!

Diellin tënd verbuar e kanë tytat.

E vatrat shkimbur deri më një…

Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik Hija e tokës, të cilin Ali Podrimja e shkroi në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, Lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si ZariBuzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).

 Poezia e Ali Podrimjës, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.

Publikimin e parë ai e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz, gjë që e intrigoi përkrahësin e talenteve të reja, Esad Mekulin,të merrej me të dhe të ndihmonte formimin e tij si poet.

Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.

Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

Ali Podrimja ishte Anëtar i Qendrës Europiane të Artit (EUARCE) të Greqisë. 

Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Ai vdiq në rrethana të pasqaruara.

Ndër veprat më të njohura të tij janë :

  • “Thirrje” 1961,
  • “Dhimbë e bukur” 1967,
  • “Sampo” 1969 ,
  • “Torzo” 1971,
  • “Folja” 1973,
  • “Credo” 1976,
  • “Sampo 2” 1980,
  • “Drejtpeshimi” 1981,
  • “Lum Lumi” 1982,
  • “Fundi i Gëzuar” 1988,
  • “Zari” 1990,
  • “Në bisht të sorrës” 1994,
  • “Buzëqeshje në kafaz” 1995,
  • “Ishulli Albania”,
  • “Pikë e zezë në blu” 2005/KultPlus.com

Sot 8 vite nga vdekja e Mark Krasniqit

Mark Krasniqi lindi më 19 tetor të vitit 1920. Ai ishte profesor, shkrimtar e akademik, shkruan KultPlus.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-1949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor.

Mark Krasniqi ndër të tjera ishte edhe autor i përmbledhjes së poezive për fëmijë “Posta e porositur”.

Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993).

Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.

Akademik Mark Krasniqi ndrroi jetë më 28.08.2015 në Prishtinë./ KultPlus.com

Kolapsi i Hartwig Fischer, një fatkeqësi për Muzeun Britanik

Dorëheqja e Hartwig Fischer, drejtor i Muzeut Britanik që nga viti 2016, pritej vetëm në vazhdën e zbulimeve tronditëse të javës së kaluar.

Shtrirja e vjedhjeve, e cila është ende duke u përcaktuar, dhe dështimi i muzeut për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate dyshimeve të ngritura në vitin 2021, e bënë efektivisht pozicionin e Fischer-it të paqëndrueshëm.

Rrethanat vështirë se mund të jenë më për të ardhur keq për Fischer, i cili që kur u bë drejtor shtatë vjet më parë, i ka përqendruar energjitë e tij në planet afatgjata për muzeun, shumica e të cilave ende nuk janë realizuar. Përmbledhja e tij, siç e interpretoi ai, ishte të adresonte problemet me strukturën e ndërtesës në Bloomsbury dhe prezantimin e koleksionit që ajo strehon.

Pritej që masterplani i tij për muzeun të publikohej në javët në vijim. Çdo bujë rreth lirimit do të errësohet nga largimi i hershëm i Fischer dhe hetimi i vazhdueshëm për vjedhjet. Për muzeun, si dhe për vetë Fischer, ky do të jetë një burim i madh keqardhjeje.

Është gjithashtu për të ardhur keq, sepse Fischer e ka treguar veten si një regjisor me mendje të gjerë dhe proaktiv, me një pikëpamje ndërkombëtare dhe kozmopolite. Ndërsa krijon lidhje me studiues anembanë globit, ai ka mbikëqyrur zhvillimin e Koleksionit të Kërkimeve Arkeologjike të Muzeut Britanik në Berkshire, që do të hapet në të ardhmen e afërt.

Fischer ka treguar guxim në lundrimin e problemeve që më parë besohej të ishin të pazgjidhshme. Negociatat për Mermeret e Partenonit, të cilat kishin arritur në ngërç, i lanë vendin diskutimeve me qeverinë greke. Këto janë përshëndetur, megjithëse në Londër, si “të vazhdueshme dhe konstruktive”.

Muzeu Britanik me siguri tani ka hyrë në fazën më të errët në historinë e tij. Presionet nga vendet e tjera që kërkojnë kthimin e objekteve sigurisht që do të rriten në muajt në vijim pasi të dalë historia e plotë e vjedhjeve. Fischer ka shprehur besimin e tij se muzeu do të dalë nga polemikat e fundit më i fortë se më parë. Pasardhësi i tij ka një detyrë të rëndë përpara./KlanKosova/KultPlus.com

Rama: Shqipëria e bukur turistike

Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe historike po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, si dhe vëmendjen e medieve botërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me pamje nga veriu në jug të vendit, ku thuhet se “kjo nuk është Zvicra, as ndonjë vend tjetër. Kjo është Shqipëria jonë e bukur”.

“Shqipëria e bukur turistike”, shkruan Rama.

Vetëm gjatë këtij sezonit turistik veror, nga majii deri në fund të korrikut numërohen 3 482 836 shtetas të huaj që vizituan vendin tonë.

Autoritetet në vend kanë deklaruar se numri i pushuesve që kanë zgjedhur Shqipërinë këtë vit, si destinacion ka kaluar pritshmëritë, ndërsa një raport i Organizatës Botërore të Turizmit e renditi vendin tonë të parin në Europë për 3 muajt e parë të këtij viti për rritjen e numrit të turistëve. Ndërsa në botë, vendi ynë renditet në vendin e tretë pas Katarit dhe Arabisë Saudite.

Jo vetëm bregdeti, por edhe Tirana dhe Alpet janë destinacionet e preferuara.

Në total, mbi 5.2 milionë të huaj vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të korrikut.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh/KultPlus.com

Si u konfiskua një nga bibliotekat më të pasura të Shqipërisë

Nga Hasan Bello

Në shekullin XVIII-XIX Shkodra ishte një nga qytetet më të zhvilluara të Ballkanit. Përveç aspektit ekonomik dhe politik ajo ishte kthyer në një oazë të dijes dhe arsimit. Kjo u reflektua disa dekada më pas kur elita politike dhe intelektuale e këtij qyteti do të luaj një rol të rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe mbrojtjen e atdheut nga agresionet e njëpasnjëshme. Për këtë një rol të rëndësishëm kanë luajtur klerikët dhe institucionet religjioze, të cilat ishin kthyer në vatra të dijes e kulturës.

Për ta ilustruar këtë do të marrim si shembull Jusuf efendi Tabakun, i cili duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX për disa vite me radhë do të shërbejë si imam dhe në vitin 1863 si myfti i qytetit. Sipas librit të intelektualit shkodran Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet” (vëll I), ku jepen të dhëna më të detajuara për këtë bibliotekë dhe themeluesin e saj, në shtëpinë karakteristike të Jusuf efendi Tabakut ndodhej një dhomë e veçantë, e cila quhej “Oda e qitapeve”. Kjo ishte një nga bibliotekat më të pasura të qytetit, me një fond prej 2000 librash nga fusha të ndryshme të shkencës. Poseduesi i saj kishte hartuar edhe një inventar me 45 fletë mbi përmbajtjen e këtyre librave. Në mesin e tyre ndodhej një vepër e Tahir efendi Gjakovës me titull “Emni Vehbije sherif”, e shkruar shqip me germa arabe në vitin 1835; dy tabela astronomike të përpiluara nga Hoxha Hasan Tahsini, me firmën e tij, të shtypura në Paris në vitin 1867 etj, etj vepra me vlerë.

Por ajo që ka interes për ne është mënyra sesi institucionet e regjimit komunist iu qasën bibliotekave private dhe në mënyrë specifike Bibliotekës së Tabakëve, e cila konsiderohej si një prej bibliotekave më me vlerë të qytetit të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Nga kërkimet arkivore kemi arritur të gjejmë një dokument të nënshkruar nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili në vitin 1964 urdhëron Komitetin Ekzekutiv në Shkodër të bënte inventarizimin e kësaj biblioteke. Sipas tij, “Duke qenë se “Biblioteka e Tabakëve” ka një sasi të madhe librash (rreth 2000 volume) të ndryshme, në gjuhë të huaja dhe shqip, të rëndësishme, sidomos për studimin e problemeve të orientalistikës dhe kanë vlerë edhe për historinë e vendit tonë, me qëllim që ato të njihen, të ruhen më mirë dhe të vihen në shërbim të studionjësve,

URDHËROI:

1)Materialet e “Bibliotekës së Tabakëve” në Shkodër të inventarizohen sipas rregullave përkatëse;

2)Kjo punë të kryhet nga një komision i veçantë nga Komiteti Ekzekutiv në Shkodër, me pjesëmarrjen e Bibliotekës Shtetërore Shkodër, e cila duhet ta ketë nën kujdestari;

3)Një kopje e inventarëve t`i dërgohet edhe kësaj Kryeministrije.

Familjes që ka këtë bibliotekë t`i shpjegohet nga kryesija e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Shkodër rëndësia dhe domosdoshmëria e këtij inventarizimi, duke i falenderuar me këtë rast për kujdesin që kanë patur në krijimin dhe ruajtjen e kësaj biblioteke.

Kryetari i Këshillit të Ministrave

të Republikës Popullore të Shqipërisë

Mehmet Shehu”

Për inventarizimin e librave dhe dorëshkrimeve që gjendeshin në Bibliotekën e Tabakëve nuk mjaftonte vetëm “kontributi” i nënpunësve lokalë. Kjo për shkak të specialistëve të gjuhëve orientale që nevojiteshin për verifikimin e librave. Për këtë u angazhua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit. Në një relacion të shefit të Degës së Organizim-Inspektimit të kësaj drejtorie për Kryeministrinë dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, i cili mban datën 30 qershor 1964 thuhet se, nga studimi që u ishte bërë në terren këtyre materialeve ishte konstatuar se ato përbëheshin nga tituj të shumtë. Kjo bibliotekë ishte pronë e Hasan Tabakut (fetar), trashëguar nga gjyshi i tij Jusuf efendi Tabaku (myftiu i njohur i Tabakëve), i cili siç thuhej, e kishte krijuar këtë bibliotekë 100 vjet më parë. Ajo kishte rreth 2000 volume, por nga informacioni i mbledhur rezultonte se kishte pasur më shumë. Librat i përkisnin gjinive të ndryshme, si: teologjisë, historisë, letërsisë, filozofisë, jurisprudencës etj. Dominonte gjuha arabe, perse dhe turke. Në mesin e tyre ndodhej dorëshkrimi i Tahir efendi Gjakohës i shkruar në shqip me germa arabe në vitin 1835 dhe dy tabela astronomike të Hoxha Hasan Tahsinit të botuara nga Universiteti i Sorbonës në vitin 1867.

Nga informacionet e paverifikuara në këtë bibliotekë kishte edhe dorëshkrime të tjera në shqip, të cilat ishin marrë dhe vazhdonin të merreshin nga persona të ndryshëm për t`i shfrytëzuar për interesat e tyre. Ndërsa në faqet e librave (margjinat e tyre), kishte shënime të ndryshme për ngjarje dhe personalitete politike në Shkodër.

Kjo bibliotekë kishte qenë në fokus jo vetëm të intelektualëve vendas, por para vitit 1944 ajo ishte vizituar dhe frekuentuar edhe nga studiues të huaj. Ajo kishte një vlerë të jashtëzakonshme për orientalistët dhe specialistët e këtyre fushave. Duke u nisur nga këto konsiderata, shefi i Degës së Organizim-Inspektimit në AQSh kërkoi nga Kryeministria dhe KQ i PPSh që “Biblioteka e Tabakëve” të merrej nën “kontrollin e shtetit”.

Sipas mendimit tonë, ajo që përbën kulturocid, nuk është kujdesi dhe kontrolli i institucioneve shtetërore të regjimit komunist mbi bibliotekat private. Por prishja e këtyre bibliotekave, bashkimi dhe magazinimi i tyre me librat e bibliotekave të tjera./Konica.al/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare: Shiu rrezikon të mykë libra e dokumente (VIDEO)

Zgjidhjen alternative e kanë gjetur, por rrjedhja e ujit sërish mund t’i rrezikojë librat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, pasi kjo nuk ngjan vetëm në një vend.

Lagështia nga reshjet e shiut në depon e bodrumit ka dëmtuar dyshemenë, muret e tavanin, e as myku nuk mungon.

Andaj stafi është vazhdimisht i mobilizuar që uji të mos i dëmtojë botimet, e një intervenim në këtë pjesë i munguar tash e sa vjet, po konsiderohet eminent.

“Këto burime dhe rrjedhje të sanohen dhe të jetë një stabilitet më i mirë, duke pasur parasysh rëndësinë e fondit që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare”, deklaroi Hyrije Thaçi, Shefe e Departamentit të Shërbimit Bibliotekar.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dërguar ekipe për të analizuar gjendjen në teren, e më pas të nisë edhe intervenimi.

“Tashmë është lidhur kontrata me kompaninë projektuese dhe po hartohet projekti i restaurimit të tërësishëm të këtij monumenti dhe institucioni të rëndësishëm kulturor”, bënë të ditur nga MKRS-ja.

Në këtë institucion ruhen gjithsejtë rreth dy milionë tituj.

Kronikë e zgjeruar nga Agnesa Sahiti./KlanKosova/KultPlus.com

Reportazhi i AP-së: Bota mëson kush është Fahrije Hoti e “Hive” (VIDEO)

Historia krenare e Fahrije Hotit, do të dëgjohet edhe përtej atlantikut.

E veja nga Krusha e Madhe e Rahovecit, që nga lufta e fundit ka të zhdukur burrin. Por kjo dhimbjen e ktheu në forcë edhe për 50 gra krushjane si kjo, që themeluan Koperativen “Krusha”.

Për mbushjen e specave turshi e ajvarit realizoi një reportazh agjencia amerikane e lajmeve ‘Associated Press’, që theksoi socializmi i këtyre grave në jetën e pasluftës.

Jeta s`ishte hiç e lehtë për protagonisten e filmit ‘Zgjoi’ që shtjelloi jetën e 54 vjeçes e i cili mori 3 çmimet kryesore në Sundance, përfshirë edhe nominimin për Oscar vitin që shkoi.

Gruaja që fitoi edhe çmimin ‘Evropianja e vitit 2022’, të pagjeturit janë plagë e pashëruar e tyre.

Për vepra trimërie presidentja Vjosa Osmani i ka ndarë Fahrije Hotit Urdhrin “Shote Galica”./KlanKosova/KultPlus.com

Letërsia shqipe e përkthyer në Rumani në gjysëmshekullin e fundit

Marius Dobrescu – Bukuresht

Letërsia shqipe ka një traditë mbi 150 vjeçare në Rumani, sepse krijuesit e saj, pavarsisht nga cila anë e vendbanimeve shqiptare erdhën, gjetën në vendin tim një mjedis miqësor për zhvillim personal dhe komunitar. Duke filluar nga Naum Veqilharxhi, i cili përktheu në alfabetin e krijuar prej tij disa tekste shkollore dhe duke vazhduar me Dora d’Istrian, gruaja-dijetare e shekullit të XIX, duke arritur tek Naim Frashëri, i cili shumicën e veprave i botoi në Bukuresht dhe duke vazhduar  me Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin dhe Asdrenin, krijuesit e letërsisë moderne shqipe, të gjithë kanë patur mbështetjen dhe zemërgjërësinë e shoqerisë rumune. Duke ecur në gjurmët e akademikut Nicolae Iorga, i cili i ka konsideruar shqiptarët “kushërinj të të njëjtit gjak” me rumunët, mund të themi se Rumania e ka parë Shqipërinë si motrën e saj më të vogël, ndërsa shqiptarët, pavarsisht nga cila zonë vinin, janë trajtuar në tokën rumune me dashuri dhe zemërgjërësi. Kjo e vërtetë që po theksoj, në kohën e sotme, kujtohet vetëm në sesione shkencore dhe në përvjetore.

Për sa i përket cilësisë së përkthimeve dhe të përkthyesve dua të bëj një parantezë të shkurtër. Si kudo në botë edhe në vendin tim ekzistojnë dy lloje përkthyesish: rumunë që njohin gjuhën shqipe dhe shqiptarë që njohin gjuhën rumune. Dihet se një përkthyes i mirë duhet të njohë në mënyrë të përkryer gjuhën në të cilën përkthen. Ta njohë aq mirë sa që teksti i përkthyer të duket sikur është shkruar në atë gjuhë. Në të kundërt do ti bënte një shërbim jo të mirë veprës dhe shkrimtarit që ai përkthen. Me fjalë të tjera, ai duhet të jetë formuar në “teritorin” e gjuhës rumune.

Rrjedhimisht, do ishte e vështirë për një shqiptar, të formuar në Tiranë, në Korçë, apo në Prishtinë të hyjë thellë në hollësitë e gjuhës rumune dhe të bëjë një përkthim shumë të mirë.

Gjatë 50 viteve të fundit në Rumani kanë ekzistuar të dy llojet e përkthyes-ve që përmendëm më lart. Mund të përmend shqiptarët Kopi dhe Ardian Kyçyku (atë dhe bir) me revistën e tyre të rëndësishme Haemus, që botohet në Bukuresht, Luan Topçiu (me përkthime nga gjithë letërsia shqipe) dhe Baki Ymeri (me përkthime nga poezia shqipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia). Tre të parët janë lindur në Shqipëri, në kulturën shqiptare të viteve të diktaturës, i katërti në Maqedoni. Sigurisht secili rresht i përkthyer prej tyre është një përfitim real për letërsinë shqipe. Një rast të veçantë e përfaqëson Foqion Miçaço, shqiptar i lindur në Bukuresht, autori i përkthimit të parë, të përkryer, të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, të Ismail Kadaresë, në vitin 1973. Nga përkthyesit rumunë të letërsisë shqipe mund të përmend Oana Mihaela Glasu dhe Cristian Besleaga, që kanë studjuar në Tiranë në vitet’90. E para ka përkthime me rëndësi: dy romane nga Thanas Medi (Fjala e fundit e Sokrat Bubës, Markela dhe Hija e malkuar), ndërsa i dyti tre romane nga Bashkim Hoxha ( Duke bërë shaka me vdekjen, Duartrokitësit dhe Misteri i kronikës së mjegullës). Këta dy përkthyes u bënë të njohur gjatë pesë viteve të fundit.

Nëse kthehem tek përkthimet nga letërsia shqipe e viteve ’60-70 të shekullit të kaluar dua të ve në dukje kontributin e një dijetari të madh, Grigore Brâncuş, njëri nga të fundit albanologë të stilit të vjetër të Europës, për njohjen dhe propagandimin e letërsisë modernee shqipe në Rumani. Akademiku Brâncuş na ka lënë disa përkthime të bukura nga Migjeni, në vëllimin Fruti i ndaluar (viti 1967). Periudha 1960-1990 ka qënë shumë e varfër në përkthimet nga shqipja në rumanisht. Vetëm një shkrimtar është botuar dhe promovuar në Bukuresht: Ismail Kadare. Lidhur me këtë gjë, Ismail Kadare tregon në një tekst të shkurtër, të publikuar në vitin 2011, mbi vizitën e tij në kryeqytetin e Rumanisë, në vitin 1973. Kur ndodhej në zyrën e kryetarit të kohës të shkrimtarëve rumunë iu sollën paratë që i takonin si autor për botimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i përkthyer nga Foqion Miçaço atë vit.Për çudinë e mikpritësave, Kadare e refuzoi zarfin dhe rekomandoi dërgimin e shumës në adresën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në regjimin komunist shkrimtarët shqiptarë nuk kishin të drejtë të shpërbleheshin për veprat e tyre.

Edhe diçka lidhur me këtë periudhë. Rredh datës 28 Nëntor, çdo vit në shtypin letrar të Rumanisë botoheshin përkthime nga poezia shqipe ku kam kontribuar edhe unë. Përveç kësaj, shypi i përditshëm dhe revistat historike përshëndesnin me artikuj të rastit ditën e pavaarësisë së Shqipërisë. Ishin shënjat e miqësisë që shtetet socialiste i dërgonin njëri

tjetrit një herë në vit.

Dhe tani një rast i veçantë. Vitin e kaluar doli në Bukuresht, nga shtëpia botuese e komunitetit shqiptar të Rumanisë, vëllimi Historia e letërsisë shqipe nga fillimet deri sot, i Luan Topçiut. Vëllimi, i duartrokitur në Shqipëri – edhe pse me siguri që askush atje nuk e kishte shfletuar sepse është shkruar në gjuhën rumune – është një inventar artikujsh të shkruara në periudhën kur autori ka punuar si diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht. Luan Topçiu, i diplomuar në Universitetin e Tiranës, rimerr një pjesë të vlerësimeve me vlerë të disa kritikëve dhe historianëve letrarë profesionistë, duke arrituar megjithatë t’ju ofrojë lexuesve rumunë një tabllo të gjërë të letërsisë shqipe, të vjetër dhe aktuale. Sigurisht është një punë e lavdërushme. I njëjti autor ka përkthyer në gjuhën rumune në vitet 1995-2023 disa vepra letrare apo kujtime, të financuara nga  autorët e tyre. Mes tyre është edhe libri Kurbani i kryeministrit Edi Rama, por edhe libra të autorëve të tjerë, më shumë apo më pak të njohur. Këto sjellin në Rumani një pjesë të letërsisë së sotme shqipe. Por Historia, duke mos patur miratimin e një kolektivi me redaktorë profesionistë, të një shtëpie botuese të konsakruar, është i dyshimtë nga pikëpamja e cilësisë letrare dhe shkencore, sidomos atëhere kur autori ka një funksion në kuadër të komunitetit, madje edhe i  boton librat e veta pikërisht me paratë e komunitetit.

Rasti Kadare. Por shkrimtari shqiptar më i përkthyer në Rumani është, prej së largu ,Ismail Kadare. Duke lënë mënjanë modestinë, mund të krenohem me botimin e mbi 30 vëllimeve, me rreth 50 vepra të këtij shkrimtari, në një nga shtëpitë botuese të mëdha rumune. Përkthime nga Kadare, tekste të shkurtëra apo fragmente romanesh, kanë nënshkruar edhe përkthyes të tjerë nga Rumania. Përveç këtyre, në revistën Drita, të cilën e kam udhëhequr si kryeredaktor 20 vitesh, kam përkthyer dhe kam promovuar në një tirazh prej 3.500 ekzemplarë me poezi, prozë, kujtime, dramaturgji, etnografi dhe folklor dhjetëra shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe nga diaspora shqiptare.

Duke u ndodhur në Prishtinë, dua të them se letërsia kosovare është pak e njohur në Rumani. Sigurisht se janë përkthyer, rastësisht, disa poetë të këtushëm si Agim Vinca, Besim Bokshi, Sali Bashota, Ali Podrimja, Eqrem Basha, Esad Mekuli, Radije Hoxha dhe të tjerë në dy antologji me poezi shqipe ose disa proza më të shkurtëra apo më të gjata. Por ende asgjë përfaqësuese për letërsinë e re kosovare. Një promovim më agresiv dhe më shumë evenimente, prezantime, tregje librash etj, me pjesëmarjen e atyre prej përkthyesve që janë të interesuar, do ishte mjaft e vlefshme për një shtet të ri, si Kosova, i cili promovon identitetin dhe identifikon miqtë e vet.

Si mik i shqiptarëve kosovarë, dua të them se jam gëzuar shumë për botimin e librit 24 Mars. Kronika e ferrit kosovar të Fehmi Ajvazit, në një nga shtëpitë botuese të mëdha të Bukureshtit. Vëllimi ka zgjuar interesin e publikut rumun dhe ka bërë të njihet mirë pozita e Kosovës në konfliktin e vitit 1999.

Në mbyllje të fjalës time, ju falenderoj për vëmendjen që treguat dhe ju dëshiroj suksese në vazhdim.

Fjalë e mbajtur në Seminarin XLI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, 14-25 gusht 2023/KultPlus.com

1.5 milionë hyrje nga qytetarët e Kosovës në Shqipëri gjatë majit dhe korrikut

Në periudhën maj-korrik sivjet, në Shqipëri kanë shkuar 1.5 milionë qytetarë të Kosovës, duke përbërë sërish numrin më të madh të turistëve, në vitin kur Shqipëria ka regjistruar boom turistik.

Edhe këtë vit më të shumtë në numër janë turistët nga Kosova.

Pas qytetarëve nga Kosova, vijnë italianët pasuar nga turistët e Malit të Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilët janë më pak në numër se një vit më parë.

“Pika e kalimit me më shumë fluks është ajo e Morinës, më pas vjen Rinasi që sivjet ka pasur shumë lëvizje. Me fluks ka qenë edhe pika e Muriqanit dhe Qafë Thanës. Fluks të shtuar sivjet pati dhe Porti i Sarandës”, ka konfirmuar drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku në Policinë e Shqipërisë.

Ai ka thënë se Shqipëria ka rritur masat e sigurisë në kuadër të turizmit.

Janë regjistruar 85 raste të dhënies së ndihmës në det në situata kritike./tch/KultPlus.com

Vjen reagimi i nënës së Rita Orës: ‘Mos u trullo’

Rita Ora është komentuar shumë gjatë ditës së sotme, për shkak të koncertit të saj të mbrëmshëm, në të cilin gabimisht mbajti në krahë flamurin e Serbisë, shkruan KultPlus.

Për këtë ngjarje ka komentuar edhe nëna e saj, Vera Ora, e cila tregon se kjo ngjarje e kishte nervozuar.

Përmes një postimi në Instagram, ajo ka shkruar: “Rita, M’fal te kom bërtit shume, po me ke bo nervoz! Mos u trullo”. /KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Austria: Integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka udhëtuar për në Alpbach, Austri, për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian Alpbach 2023.

Osmani, në këtë forum ka thënë se integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën, njofton Klankosova.tv.

“Një Evropë e guximshme! Kjo është tema e sivjetme e Forumit Evropian Alpbach, ku kisha nderin të diskutoj në panelin kryesor, së bashku më përfaqësues të shteteve të tjera”, ka shkruar Osmani.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme”.

“Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën. Familja euro-atlantike është familja jonë!”./KlanKosova/KultPlus.com

Filmi ‘Karma’ në ditën e 17-të të xhirimeve

Në ditën e 17-të të xhirimeve, janë xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë”KARMA”, të mbeshtetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me skenar dhe regji nga Esat Fejza, shkruan KultPlus.

Filmi “KARMA” është i zhanrit Dramedy, tregim për Tre dështak të cilët tentojnë ta mashtrojnë fatin e tyre duke e provokuar atë. Protagonisti “Dako” me planin e tij të krisur është shpresa e vetme e dy shokëve të tij dembelë dhe të papunë. Nga veprimet e tyre të ndryshme gjatë rrugëtimit, të gjitha personazhet ndëshkohen ose shpërblehen.

Filmi flet për ligjin univerzal të shkakut dhe pasojës, ku çdo veprim që bëjmë në rezultat na sjell një kundërveprim, pasojë – ndëshkim ose shpërblim./KultPlus.com

Diamant Salihu, gazetari shqiptar në Suedi nderohet me çmimin ‘Raul Wallenberg 2023’

Gazetarit dhe shkrimtarit shqiptar, Diamant Salihut i është dhënë çmimi Raul Wallenberg në Stokholm, shkruan KultPlus.

Ky çmim, i cili iu dha shkrimtarit Salihu, jepet në nderim të diplomatit të ndjerë suedez Raoul Wallenberg, i cili njihet për sakrificën sublime në mbrojtjen e komunitetit hebre në Budapest gjatë viteve 1944-1945.

Salihut çmimi iu dha nga diplomati i shquar suedez, Jan Eliasson, nën motivacionin e “angazhimit të tij të jashtëzakonshëm dhe zërit unik në trajtimin e temës së ndjeshme të dhunës së bandave në Suedi, guximi civil i Wallenbergut vazhdon të jetojë përmes Diamant Salihut, tha ai”.

Diamant Salihu është një gazetar i shquar investigativ me një karrierë të gjatë në mediat më prestigjioze suedeze. Ky nuk është çmimi i parë i tij, ai në vitin 2021 u nderua me çmimin e madh të gazetarisë në Suedi në kategorinë Zëri i Vitit.

Një vit më vonë, në vitin 2022, u nderua me Çmimin e Bernës nga PEN për librin “Tills alla Dor” (Derisa të gjithë të vdesin) që trajton involvimin e të rinjve në krime. Për të njëjtin libër, Salihu është nderuar me çmimin kryesor të vitit 2022 nga Shoqata e Gazetarëve investigativë.

Në këtë ceremoni u ftua edhe Ambasada e Kosovës në Suedi, e cila me krenari mori pjesë në këtë ceremoni./KultPlus.com

‘Lahuta e Malsisë’, interpretim i jashtëzakonshëm me lahutë nga Çun Lajçi në Za Fest (VIDEO)

Aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi sjell një interpretim të jashtëzakonshëm me lahutë të vargjeve të autorit të madh, Gjergj Fishtës nga vepra e tij Lahuta e Malsisë, shkruan KultPlus.

Ky interpretim u dha para audiencës në Kalanë ‘Rozafa’ të Shkodrës në Festivalin ‘Za Fest’.

Më poshtë gjeni videon me interpretimin e jashtëzakonshëm të autorit Çun Lajçi:

Udhëtimi frymëzues i Podcast-it 3GO në zbulimin e tregimeve të suksesit

Uranik Emini

Pothuajse çdo gjë që na rrethon në ditët e sotme ka të bëjë me teknologjinë, pra në brendësi jemi të zhytur thellë në një botë me përmbajtje dixhitale/teknologjike. Të gjesh frymëzim për të krijuar diçka inovative, e cila mund të ndërpritet nga momenti në moment vetëm pse njerëzve ju duket e “mërzitshme”, mund të jetë në radhë të parë një mision i frikshëm.

Megjithatë, së fundmi Valon Canhasi me një podcast unik me mision për të vënë në pah historitë e suksesshme të njerëzve nga Kosova, ka ofruar një platformë për individë të shquar në mënyrë që të ndajnë rrugët e tyre drejt arritjeve kulminante, shkruan KultPlus.

Valon Canhasi, prezantuesi dhe ideatori pas 3GO, në një intervistë për KultPlus zbuloi origjinën e podcast-it të tij, qëllimin e tij, sfidat me të cilat u përball dhe mësimet e përditshme të nxjerra gjatë rrugës.

Podcast-i 3GO, ose siç shqiptohet “Trego”, filloi sepse Canhasi kishe një dëshirë të madhe për të nxjerrë në pah arritjet e njerëzve të suksesshëm në Kosovë. Individët të cilët në mënyrë të pavarur kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të arritur në majat e suksesit, përkundër vështirësive që janë paraqitur rrugës.

Ky podcast synon që këta individë të prezantohen si “Role Model”, duke e dërguar fokusin dikun tjetër, përpos figurave të zakonshme të politikës, estradës dhe fushave që shpesh shihen si modele.

Canhasi shpjegon se logoja e podcast-it, e cila luan me zgjuarsi me “TREGO” dhe “EGO”, tregon idenë për të parë brenda vetes dhe për të mësuar, që është ajo që podkasti dëshiron të frymëzojë.

“Ideje e 3GO (trego) ka filluar si nevojë e krijimit të një platforme për promovimin e njerëzve të suksesshëm në Kosovë që me resurset dhe rrethanat e këtij ambienti kanë arrit me qenë të suksesshëm në industrinë apo profesionin e tyre. Kjo për të vetmen arsye me i inspiru djemtë dhe vajzat e reja, duke i prezantu si “Role model” këta mysafire. Shumë shpesh të rinjtë e këtij vendi i kanë pas politikanet apo estradën si role model, e me 3trego kam mendu me i prezantu edhe me këtë anë të medaljes. Nëse analizoni logon mundeni me vërejt qe i ka disa kuptime: TREGO lexohet, EGO që ne zakonisht tentojmë me thye gjate intervistës si dhe 360’ shkalle, pra audienca e sheh komplet pasqyrën e mysafirëve”, shprehet Canhasi.

Krijimi i bisedave: Temat, të ftuarit dhe kriteret

Për të vendosur se për çfarë të flisni në një bisedë normale me dikë, nevojitet që paraprakisht të dini diçka për një person. E në rastin e podcasta-ve ku është edhe më vështirë, ju nevojitet një përkushtim e planifikim më i kujdesshëm në mënyrë që mesazhi i duhur të përçohet te audienca.

“Kërkoj njerëz me histori të pasura, të cilët kanë një pasion të dukshëm për atë që bëjnë dhe kanë ndikuar në fushën e tyre. Temat e episodit ndjekin rrugën e tyre drejt suksesit dhe mësimet që kanë marrë. Dhe dikush që ka kohë”, thotë ai për KultPlus.

Lundrimi nëpër ujërat “fillestar” – nismë për një përmbajtje më të detajuar

Një nga sfidat fillestare me të cilat u përball podkasti ishte prezantimi i konceptit të podkastit për një audiencë më të gjerë në Kosovë, e gjitha kjo për faktin që një format i tillë online mund të mos jetë edhe shumë i kapshëm për të gjithë njerëzit.

“Një sfidë është të sqaroj se çfarë është një podcast për publikun e gjërë në Kosovë. Kemi punuar shumë në edukimin e dëgjuesve dhe promovimin e formatit të podcastit si një burim të pasur informacioni dhe frymëzimi. Titrimi i përmbajtjes ka qene sfidë, por tash me ndihmën e shqip.ai kjo pikë është lehtësu dukshëm”, tregon mes tjerash njohësi i botës dixhitale.

Arti i Përgatitjes dhe bashkëpunimit, për të shkuar një hap të zakonshmes

Hulumtimi i thelluar në backgroundin e secilit mysafir është një gur themel i suksesit të podcast-it, i përdorur nga mjetet dixhitale dhe me bashkëpunuesit e tjerë, e cila shërben si një bazë që e lejon Valonin të strukturojë diskutimet dhe të identifikojë pikat kryesore të bisedës.

“Përgatitja është çelësi. Bëj hulumtime të hollësishme për çdo mysafir, duke përdorur edhe mjetet digjitale dhe informatat nga komuniteti. Kjo më ndihmon të krijoj një strukturë të bisedës dhe të identifikoj pikat kryesore të diskutimit. Bashkë me ekipin e PIXELS sigurohemi që teknikisht me qenë niveli me i larte i zërit dhe fotografisë gjate realizimit të episodës. Njëra prej teknikave është qe nuk flasim paraprakisht me mysafirin mbi ato se çfarë do te diskutojmë dhe kjo tani po ndikon me pas shumë diskutim real dhe një episode shume të pasur me përmbajtje”, thotë ai.

Frymëzimi i të tjerëve, si shkas për vazhdimin e podcastave

Në përgjithësi në fushën e medias dhe podcastit, shpërblimet monetare me iniciativa individuale nuk janë motivim kryesor, e fitimi i vërtet shtrihet në fushën e “frymëzimit” të dikujt tjetër. Atëherë kur përmes një dëgjimi të podcastit ia ndryshon dikujt perspektiven nga negative në pozitive, është shpërblim i madh, sipas Canhasit, i cili thotë se është kënaqësi e madhe kur e sheh që podcast ka një fuqi transformuese nga episodi në episod.

“Përfitimi më i madh është frymëzimi që marr duke dëgjuar historitë e të ftuarve dhe ndikimi pozitiv që ato kanë tek dëgjuesit. Shumë dëgjues më kanë thënë se episodet kanë ndikuar në mënyrën e tyre të menduarit dhe kanë marrë mësime të çmuara nga to. E dyta është që dal ka dale po krijohet një arkivë e ndërmarrësve dhe profesionistëve te këtij vendi”, shpjegon tutje.

Arti i menaxhimit të kohës

Përkundër angazhimit të tij në 3GO, punën e tij në Hallakate dhe aktivitete të tjera të ndryshme, Valoni thekson rëndësinë e menaxhimit efektiv të kohës dhe prioritizimit. Me një ekip mbështetës, të ndarë nëpër role me përgjegjësi të ndryshme, çdo gjë bëhet e arritshme. Ndërkaq, prodhimi i katër podkasteve në muaj kërkon afërsisht dhjetë orë nga koha e tij.

Pajisjeje me aftësi gjatë mbajtjes së podcast-ave

I pyetur nga KultPlus se çfarë aftësi ka fituar ai ndërkohë që ka mbajtur tanimë 20 episode të tilla, thotë se dëgjimi aktiv, komunikimi dhe kritika konstruktive janë ndër mësimet kryesore.

“Këto aftësi më kanë ndihmuar të rris produktivitetin në punën dhe të ndërtoj marrëdhënie më të forta në jetën personale dhe profesionale. Si mësime nga folësit qe i kam marr janë qe gjithmonë duhesh me pas guxim dhe me dëgju “lukthin” kur dëshiron me vepru”, tregon CEO i Hallakate.

Integrimi i AI në fushën e podcast, mënyrë më efektive për realizim më të denjë

Valon Canhasi parashikon integrimin e inteligjencës artificiale dhe transkriptimin automatik për të përmirësuar aksesin dhe ndërveprimin për dëgjuesit. Ai parashikon se këto risi do të formësojnë peizazhin e podcasting-ut në vitet e ardhshme.

Mes tjerash, ambicia e Valon Canhasit për Podcast 3GO shtrihet në 100 episode e më gjerë. Qëllimi i tij është të vazhdojë t’u japë vlera dëgjuesve të tij dhe ai sheh një udhëtim të gjatë dhe të frytshëm përpara.

Toni Kuka – krenaria e Kosovës, synimi i Canhasit për podcast

Canhasi është i interesuar për njerëz si Kuka që kanë histori të jashtëzakonshme, që na bëjnë të ndihemi të motivuar në çdo moment.

“Do të doja shumë të flisja me njerëz te jashtëzakonshëm që kanë tregime që inspirojnë te tjerë dhe që kanë arrit të jenë të suksesshëm në profesionin apo industrinë e tyre në Kosovë, por nëse insistoni në një emër atëherë do të ishte Toni Kuka”, përfundon ai.

Deri tani si mysafirë të tij janë paraqitur 20 persona në 3GO, derisa në të janë spikatur disa prej emrave më të njohur nga fusha e teknologjisë, e-commerce, dizajnit grafik dhe personave me rekorde botërore. E në një kohë si kjo, Podcast-i 3GO shërben si një burim historish interesante e motivuese me biseda e njerëz të vërtetë. /KultPlus.com