Bashkia e Lezhës ka organizuar për të tretin vit radhazi konkursin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”, edicioni i vitit 2023.
Konkursi kishte në konkurrim 44 vepra në tre gjini: prozë (roman), vëllim poetik, si dhe vepër studimore.
Juria e përbërë nga: Mark Simoni, Diana Çuli e Prof. Alfred Çapaliku vlerësuan me këto çmime:
• Me çmimin “At Gjergj Fishta” për romani më i mirë u vlerësua shkrimtari Primo Shllaku me romanin “Pesha e padurueshme e pafajësisë”.
• Me çmimin “At Gjergj Fishta” për vëllimin poetik më të mirë u vlerësua poetja Vlora Ademi me librin “Katërdhetë e pak”.
• Me çmimin At Gjergj Fishta për librin studimor më të mirë u vlerësua shkrimtari Gjon Marku me veprën “Gazullorët. Traditë në Rilindjen Evropiane”.
• U vlerësuan me “Çmim karriere” për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur nga Kosova Sabri Hamiti, si dhe shkrimtari i njohur Agim Isaku.
• U vlerësuan me “Çmim karriere” (post mortum) për kontributin e tyre në fushen e kulturës dhe letërsisë shqipe dy shkrimtaret lezhjanë Ndue Gaspri dhe Daniel Gazulli./shqip.com/KultPlus.com
Programi EU4Culture i financuar nga BE-ja i zbatuar nga UNOPS, në partneritet me Ministrinë e Kulturës ka përgatitur për nesër një sërë aktivitetesh edukative dhe argëtuese, në sheshin “Skënderbej”.
Vizitorët e stendës së UNOPS/EU4Culture do të kenë një mundësi të thellohen në artet dhe zanatet tradicionale duke u angazhuar në diskutime me artizanët e Krujës, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre me mjetet e promovimit të mediave sociale dhe dixhitale të mësuara përmes trajnimit të EU4Culture.
Për fëmijët është menduar gjithashtu pjesëmarrja në seminare dhe master klasa për qëndisje dhe qeramikë, si dhe loja e dyshemesë së Trashëgimisë Kulturore. Ata do të fiksojnë në fotografi këto kujtime përmes një zone fotografike me kostume tradicionale shqiptare.
Ekipi i EU4Culture do të tregojë një histori rreth restaurimit të Mozaikut dhe do të zhvillojë një prezantim të një rasti të suksesshëm studimi mbi promovimin e turizmit kulturor, nxitjen e ekonomisë lokale dhe gjenerimin e mundësive të reja të të ardhurave për artizanët krutanë dhe komunitetet lokale nëpërmjet programi EU4Culture Grants.
Gjatë pasdites pjesëmarrësit do të mund të shijojnë koncertin e grupit të njohur tradicional folklorik “Pleqtë e Krujës” nga qyteti piktoresk malor i Krujës. Koncerti do të ofrojë një mundësi për t’u zhytur në sixhadenë e pasur të këngëve popullore shqiptare dhe do të çojë në zemrën e traditës./ atsh / KultPlus.com
Një furrë qeramike që besohet se i përket Antikitetit të vonë është zbuluar në territorin e Amfiteatrit Antik të Durrësit, këto ditë tetori. Zbulimi është bërë nga ekspedita italo-shqiptare. Zbulimi është bërë në pjesën perëndimore të amfiteatrit, ndërsa gërmimet po thellohen më tej me qëllim zbulimin e plotë të asaj që përmban nëntoka.
Ky zbulim vjen pak ditë pas zbulimit të një mozaiku të rrallë, duke hapur themelet për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, në kuadër të programit EU4Schools finacuar nga BE.
Grupi i ekspeditës, i cili që prej 2004 ka pjesë të punës së tyre zbulimin e amfiteatrit po punon për pastrimin dhe thellimin e pjesës perëndimore, ndërkohë që do të vazhdojë puna më tej edhe në të tjera galeri të sitit më të rëndësishëm arkeologjik në Durrës.
Ekspedita arkeologjike ka për qëllim të nxjerrë në dritë nga nënshtresat e Amfiteatrit të ndërtuar në shekullin II të Erës Sonë të tjera dëshmi të trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit.
Ndër vite ekspeditat arkeologjike kanë zbuluar faza të rëndësishme post-antike dhe struktura të sitit të rëndësishëm arkeologjik. / atsh / KultPlus.com
Një urim i Papa Françeskut për të rinjtë shqiptarë, është shpëndarë sot në rrjetet sociale, marrë nga profili i Imzot Arjan Dodaj.
Vetë Dodaj shprehet: “Papa Françesku e don shumë popullin tonë.Të dashur miq, sot ju bëj surprizën e përshëndetjes që i kërkova për ju Papa Françeskut.”
“Për ju të rinj shqiptarë, një urim të përzemërt! Ju uroj më të mirën dhe punoni për atdheun, që atdheu të ecë përpara. Atdheu ka nevojë për ju. Zoti ju bekoftë! Shën Maria ju ruajttë! Lutuni për mua!”, këto janë fjalët të cilat Papa Françesku ia dedikon të rinjve shqiptarë.
Ishte 21 shtatori i vitit 2014, kur Papa Françesku vendosi papritmas të vinte në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë.
Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri, 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës Katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist./ atsh / KultPlus.com
Sot në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së skulptorit të ndjerë, Luan Mulliqi.
Të pranishëm ishin familja Mulliqi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, ministrja Arbërie Nagavci, deputetë, kryetari i ASHAK, Mehmet Kraja, zyrtarë të kabinetieve qeveritare, akademikë, zyrtarë të institucioneve të artit dhe kulturës si dhe shumë qytetarë.
Ministri Çeku, në emër të Qeverisë së Kosovës, MKRS-së dhe GKK-së i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Mulliqi, duke shtuar se Luan Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës, për çka do të jemi përherë mirënjohës.
“Ai ishte artist i veçantë, me shije të hollë e me diapazon të gjerë që do të vazhdojë të jetojë përmes veprave monumentale që i la pas. Është detyrim i secilit prej nesh që të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur, dokumentuar dhe promovuar veprat dhe krijimtarinë e tij”, tha misnitri.
Pas mbledhjes komemorative të pranishmit bënë homazhe për të ndjerin. / KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj, në vijim të vizitës në Kalabri, u takua sot me komunitetin arbëresh dhe autoritetet vendore në Falconara Albanese dhe në Vena di Maida.
“Ka momente në jetën e njeriut që lënë gjurmë të jashtëzakonshme. Mikpritja e arbëreshëve të Kalabrisë do të jetë e tillë për mua”, u shpreh Begaj, ndërsa ndau në rrjetet sociale foto nga këto takime.
Presidenti u shpreh i emocionuar nga pritja në Falconara Albanese dhe në Vena di Maida ku sipas tij, “mbrohen, ruhen me përkushtim e trashëgohen brez pas brezi gjuha arbëreshe, traditat dhe kostumet e mrekullueshme popullore”.
“Faleminderit për gjithçka bëni për të ruajtur e trashëguar identitetin tonë kombëtar”, u shpreh Begaj. / atsh / KultPlus.com
Një ndodhi interesante ka ndodhur shumë vite më parë ndërmjet Homerit shqiptar, Gjergj Fishtës dhe një shkrimtari serb.
Gjergj Fishta ka detyruar një shkrimtar serb të dalë jashtë një Konference ndërkombëtare Letërsie në Romë?
Viti se kur ndodhi kjo ngjarje dhe emri i shkrimtarit serbit nuk saktësohen, por bëhet fjalë për një shkrimtar që kishte shkruar në një libër se shqiptarët janë njerëz me bisht. Dhe në ditën e parë të Konferencës, para hapjes së saj, i vetmi i ftuar në këmbë ishte poeti ynë, Gjergj Fishta.
-Pse nuk zini vend, ju lutem? – e pyet drejtuesi i Konferencës – nuk keni karrige. -Jo, jo, karrige kam, por s’kam ku të vë bishtin – ia kthen Fishta. -Çfarë !!! – habitet ai.
Po, po – vijon Fishta – ai zotëria atje – shënjon me emër dhe gisht në sallë – ka shkruar në librat e tij, që ne shqiptarët jemi njerëz me bisht. Ndaj, për këtë gjë të ulët ndaj bashkëkombësve të mi, ose ai të gjejë ku e kam unë bishtin, ose unë nuk ulem nëse ai nuk le sallën.
Dhe sipas burimeve nga të pranishmit, shkrimtari serb është detyruar të dalë dhe të largohet krejtësisht nga Konferenca e Romës. /H. Z. / KultPlus.com
Është mbajtur sot një konferëncë për media nga Festivali i Këngës në RTK.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm Drejtori i Festivalit të Këngës, Adi Krasta, Drejtori artistik i Festivalit të Këngës, Florent Boshnjaku dhe dy nga prezantuesit e këtij festivali.
Për herë të parë, në këtë konferencë u zbuluan tre emrat e prezantuesve e të cilët janë: Besim Dina, Edona Reshitaj dhe Anjeza Shahini.
Besim Dina do të jetë prezantuesi kryesor në krahë të Krastës, këngëtarja e aktorja Edona Reshitaj do të jetë është prezantuesja e natës së tretë, ndërsa Anjeza Shahini do të prezantojë në natën e dytë të festivalit.
Festivali do të zhvillohet në datat 26, 27 dhe 28 tetor dhe skena madhështore është gati.
Edicioni i parë i Festivalit të Këngës do të realizohet në Prishtinë, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe do të transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës. / KultPlus.com
Në këtë kampionat morën pjesë garuese nga 39 vende të ndryshme për peshat deri në 60 kilogramë.
Verona Gjinaj, shqiptarja nga Kriens i Zvicrës, ka fituar vendin e tretë, duke u stolisur me medaljen e bronztë në Kampionatin botëror të tajboksit, i cili u zhvillua për tri ditë në Mynih të Gjermanisë, raporton albinfo.ch.
Gara u organizua nga ISKA (Amateur International Kickboxing Association). Morën pjesë tajboksiere nga 39 vende të ndryshme për peshat deri në 60 kilogramë.
Dy herë kampionia zvicerane e fitoi qartë me pikë përballjen e saj të parë ndaj garueses nga Malta dhe garueses tjetër nga Greqia. Këtë të fundit arriti ta fitojë që në raundin e parë me një nokaut. Në gjysmëfinale, 19-vjeçarja doli përball një kundërshtare nga Amerika, e cila mundi Veronën me ndërprerjen e ndeshjes nga gjyqtari, e që në fund të kampionatit garuesja nga Amerika u shpall edhe fituese e këtij turneu.
Duhet theksuar se Verona Gjinaj me moshën 19-vjeçare, ishte më e reja në kategorinë e saj. Ky ishte një rezultat mjaft pozitiv për moshën e saj dhe një rezultat shpresëdhënës për të vazhduar karrierën e saj me suksese të reja. / KultPlus.com
Drejtori i Festivalit të Këngës, Adi Krasta në një konferencë për media të mbajtur sot ka thënë se Festivali i Këngës po vjen si festë. Krasta gjithashtu ka pohuar se kanë marrë mbështetjen pozitive për organizim nga “Euro Song” dhe European Broadcasting Union.
“Ne kemi këmbëngulur që Festivali i parë i këngës të bëhet në mes të Prishtinës, kryeqytetit e shtetit, që ai të jetë një festë e madhe siç do të jetë. Festivali i parë jo domosdoshmërisht është i lidhur me garën edhe pse gara është mekanizëm që përdoret për ta bërë më interesant nga pikëpamja e konkurrimit njerëzor”, ka thënë Krasta.
Ai e ka çmuar këtë Festival si ngjarjen më të rëndësishme e karrierës së tij, teksa ka shtuar se netët e festivalit do të transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës, Radio Televizionin e Shqipërisë dhe Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut.
“Drejtori i ‘Euro Song’ dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë festivalin e vet të këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta.
Prezantuesja e njërës prej netëve të Festivalit, këngëtarja Anjeza Shahini në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra ka thënë se ky është moment i rëndësishëm për muzikën shqiptare.
“Ndjehem e nderuar që marrë pjesë sado pak në këtë Festival historik, i cili do të jetë jo vetëm shumë i rëndësishëm për muzikën shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për publikon që uroj ta bëjnë pjesë të kalendarit çdo tetor ta gëzojë sa më shumë me art e muzikë”, ka thënë Anjeza Shahini.
Krasta tregon detaje të sallës dhe të ardhmes së Festivalit, falënderon menaxhmentin e RTK-së
Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta ka thënë se ky organizim uron që të zgjas për shumë vjet dhe se destinimi i saj është festë për jetën kulturore të Kosovës çdo tetor.
Ai ka përmendur se në rrugëtimin organizues ka pasur mbështetjen e menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës.
“Unë dua të besoj që Festivali do të zgjas, që atë ta shohin edhe fëmijët që s’kanë lindur akoma. Festivali t’i takoj jetës kulturore të Kosovës, që çdo fund tetori të jetë një gëzim për qytetin”, ka thënë ai.
Drejtori tutje ka dhënë detaje të Sallës, e cila dikur nga destinimi i një hapësire të braktisur dhe të djegur, tashmë është shndërruar në adresë fizike për tre netët e festivalit.
“Në sallë kanë ndodhur ndryshime esenciale, kanë dal më shumë se 110 kamiona me bërllog. Shkallët e Pallatit janë larë me ujë me presion për tre ditë rresht dhe bloza që është nxjerrë nga andej tregonte se çka i ndodhur kësaj salle 20 vjet më parë. Ne kemi marrë të gjitha masat që salla të jetë e sigurtë, është ndërtuar një skenë e rëndësishme”, ka thënë ai.
Krasta ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj menaxhmentit të RTK-së, për të cilët tha se e kanë ndjerë Festivalin e Këngës po njësoj sikurse ai vet.
“Radio Televizioni i Kosovës po ndërmerr një hap shumë të rëndësishëm, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kolegët e tjerë e kanë marrë festivalin me shumë pasion, ata e kanë parë me të njëjtin këndvështrim siç e kam marrë unë. Ka qenë e pamundur për grupin që po punon, ta bëj Festivalin pavarësisht nga dëshira jonë, nëse struktura menaxhuese nuk do ta ndjenin këtë festival me të njëjtin këndvështrim dhe pasion. Puna jonë ende s’ka filluar”, ka thënë drejtori i festivalit në konferencë për media.
Boshnjaku: Për këtë festë kanë punuar një ‘ushtri artistike’
Drejtori artistik i Festivalit të Këngës i cili është marrë me çdo detaj muzikor e artistik të organizimit, Florent Boshnjaku, ka thënë se për këtë festë kanë punuar një ‘ushtri artistike’.
“Vet fjala Festival është festë, e kemi cekur nga momenti i parë kur jam bërë pjesë. Është me të vërtetë një sipërmarrje e madhe që kanë punuar. Personalisht e kam kërkuar qe sa vite me u mbajt ky festival sepse Kosova ka vite që s’ka diçka të tillë. Duhet me ardh edhe një moment tjetër që jo veç platforma e ‘Euro Song’ por edhe platformat tjera muzikore të cilat munden me u ndërlidh me Festivalin, munden me u përdor në të ardhmen edhe për këngëtarë që janë brenda tregut muzikor, por sidomos për këngëtarët e rinj, që në të ardhmen ta zhvillojnë një bashkëpunim më të madh”, ka thënë Boshnjaku.
Nëpërmjet këtij Festivali, drejtori artistik ka thënë se jepet edhe një herë mesazhi urgjent për krijimin e një salle koncertale në Prishtinë.
“Kemi punuar mjaftueshëm që të sjellim një punë cilësore, është një ekip e madhe prapa Festivalit, është një ushtri artistike për çdo punë që po bëhet nga RTK. Pritshmëria e të gjithëve mund të jetë e lartë ose jo, por vet fakti që ne po e fillojmë në një sallë e cila ka qenë e djegur qesa vite, mendoj se ky është një alarm që Prishtinës i duhet një sallë për ngjarje të tilla të mëdha. Shpresoj që edhe ky Festival të jetë një nismë për sallën koncertale të Prishtinës”, ka thënë Florent Boshnjaku.
Reshitaj: Edicioni i parë do të hyjë në histori
Këngëtarja e aktorja Edona Reshitaj e cila është prezantuesja e natës së tretë ka thënë edicioni i parë do të hyj në histori.
“Festivalet e para gjithmonë mbeten përpjekjet më të guximshme dhe të rëndësishme të krijimeve artistike të një vendi. Uroj që festivali të ketë shumë vite, por festivali i parë ka me mbet historik dhe kjo na bën secilin me u ndje shumë krenar”, ka thënë Reshitaj.
Edhe Besim Dina, prezantuesi kryesor në krahë të Krastës, ka folur në konferencë për media. “Me Adi Krastën kemi me vërtetu dhe demantu që shqiptari i Kosovës me shqiptarin e Shqipërisë nuk munden me bashkëpunu”, ka thënë me humor Besim Dina, prezantuesi kryesor në krahë të Krastës. / rtk / KultPlus.com
Në kuadër të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, Shqipëria mikpret Javën e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi aktivitetet që do të organizohen në kuadër të kësaj jave.
“Shqipëria mikpret botën. Java e Kombeve të Bashkuara vjen me ekspozita, koncerte, festa lokale, ceremoni çmimesh, panaire e takime mbi shoqërinë, barazinë gjinore, mjedisin, paqen dhe ngritjen e së ardhmes duke mësuar nga e shkuara”, shkruan kryeministri Rama. / KultPlus.com
Një studim i rrjedhave të llavës 62 milionë-vjeçare në ishullin Baffin në Arkipelagun Arktik, ka gjetur nivele jashtëzakonisht të larta të helium-3 (³He), një izotop i rrallë që lidhet me brendësinë e planetit tonë.
Studimi sugjeron se bërthama e Tokës mund të jetë duke rrjedhur helium të rrallë, duke përmbysur besimin se topi gjigant i hekurit i shkrirë në qendër të planetit tonë është mbyllur.
“Më duket emocionuese sepse sugjeron që Toka e thellë është më dinamike nga sa e kemi kuptuar ne,” tha Forrest Horton, një gjeokimist në Institutin Oqeanografik Woods Hole dhe autori kryesor i studimit, për Vice’s Motherboard.
Kur ³He gjendet i bllokuar në shkëmb, shkencëtarët priren të mendojnë se vjen nga materiali që u bombardua nga dielli në fillim të historisë së planetit tonë.
Kjo sepse vetë Toka nuk prodhon shumë ³He dhe çdo ³He që shpëton nga Toka noton drejt e në hapësirë. Për më tepër, ³He që vjen nga rrezatimi diellor, sot kthehet në hapësirë falë fushës magnetike të planetit tonë.
Nga kjo rrjedh se nivelet e larta të ³He i gjetur në shkëmb sot, do të kishin ardhur nga lindja e planetit tonë.
Të shohësh ³He në shkëmbinj nuk është aq e pazakontë, niveli i tij matet si një proporcion prej ³He krahasuar me një tjetër izotop të heliumit që gjendet në shkëmb, ⁴He. Shkencëtarët kanë gjurmuar shumicën e shkëmbinjve ³He të pasur me He deri në mantelin e Tokës.
Ajo që i habiti shkencëtarët në këtë studim të fundit është se sa ³He kishte në shkëmbinjtë e lavës së olivinit në Ishujt Baffin. Raporti ³He /⁴He i gjetur në ishujt Baffin, nuk duhet të jetë i mundur.
Manteli i Tokës nuk është statik. Ai vazhdimisht derdh llavë në sipërfaqe dhe gëlltit copa të kores së Tokës. Me gjithë atë tronditje, një pjesë e izotopit të ruajtur fillimisht brenda planetit ka ikur me kalimin e kohës.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se ka një kufi se sa ³He mund të gjendet në një shkëmb që vjen nga manteli. Çdo gjë mbi këtë kufi ka të ngjarë të thotë që heliumi e ka origjinën nga diku tjetër.
“Ajo që ishte befasuese ishte se ne matëm raportet ³He/⁴He që shtrihen në vlera shumë më të larta se sa mendohej më parë,” tha Horton. Supozimi tjetër logjik është edhe më sfidues: shkëmbi vjen nga më thellë brenda, që do të thotë thelbi. Kjo, në vetvete, mund të rishkruajë atë që dimë për planetin tonë.
“Tradicionalisht, thelbi dhe shtresat e jashtme të planetit tonë (manteli dhe korja) supozohej se ishin të izoluara gjeokimikisht (d.m.th., materiali nuk transferohet para dhe mbrapa),” tha Horton për Vice në një email.
Zbulimi, tha Horton për Vice, “i jep besim idesë se materiali, ose të paktën heliumi, rrjedh nga thelbi”.
“Më duket emocionuese kjo sepse sugjeron që Toka e thellë është më dinamike nga sa kemi kuptuar: elementët lëvizin midis pjesëve metalike dhe shkëmbore të planetit tonë”, tha ai, për Vice.
“Një pyetje e rëndësishme është, duke supozuar se heliumi po rrjedh nga bërthama, a ka ndonjë element tjetër që shpëton nga bërthama? Dhe kur këta elementë migruan në pjesën shkëmbore të planetit?” tha ai.
Gjetjet u botuan në revistën e rishikuar nga kolegët Nature më 30 gusht. / KultPlus.com
Sot në përvjetorin e vdekjes së Abdyl Frashërit, rilindasit të madh, ideologu e atdhetari i shquar, kontributori i zellshëm i çështjes kombëtare shqiptare.
Më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri, një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX.
Veprimtaria politike e tij merr hov në muajt e parë të 1877-s me themelimin e Komitetit Shqiptar të Janinës. Në javën e dytë të dhjetorit, i sapozgjedhur deputet i Janinës në Parlamentin e dytë Osman, shkon në Stamboll, ku më 21 dhjetor 1877 zgjidhet Kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur si Komiteti Shqiptar i Stambollit, përbërë nga personalitete, veprimtarë të mirënjohur të Rilindjes Kombëtare.
Kemi parasysh se atëbotë në trevat shqiptare nuk kishte ende shtyp kombëtar në gjuhën shqipe, prandaj Abdyli iu drejtua gazetave të huaja në Austri, në Itali, në Greqi etj.
Emri i Abdylit u bë i njohur shpejt, si përfaqësues i idealeve të larta kombëtare shqiptare, i lëvizjes çlirimtare që po merrte hov në trevat shqiptare, por edhe si publicist. Janë të shumëvlerësuar tre artikujt, shkruar në një kohë dhe dërguar në tri të përkohshme në shtete të ndryshme: “Letër nga Janina” (në revistën “Basiret” të Stambollit, botuar më 21 prill l878, f.3, “Shqipëria dhe Traktati i Shën Stefanit” (në revistën “Le Messager de Vienne”, botuar më 26 prill l878,f.4) /Shënim: në këtë të përkohshme vjeneze, Abdyli ka botuar edhe disa artikuj të tjerë (më 3, 17 e 31 maj 1878); (më 7 qershor 1878 ) dhe (24 tetor 1878) dhe “Helenizmi dhe shqiptarët” (botuar më 23 maj l878 në të përdyjavshmen greke “Kleo”, që dilte në Trieste të Italisë).
Artikujt u shkruan në gjuhët e atyre të të përkohshmeve: turqisht, frëngjisht dhe greqisht. Për rëndësinë dhe interesin që paraqisnin, problemet e trajtuara flet edhe koha, shpejtësia e botimit të tyre. Ata kanë një bosht dhe një linjë: lirinë e të drejtat e kombit shqiptar, mbrojtjen e tërësisë territoriale.
Në trajtesën titulluar Shqipëria dhe Traktati i Shën Stefanit me pseudonimin Korrespondenti i Posaçëm nga Janina, pas një analize të thelluar të atij dokumenti, arrinte në përfundimin se “Traktati i Shën Stefanit (mars 1878) përbënte vetëm hapin e parë në zbatim të strategjisë së Rusisë cariste për asgjësimin e Shqipërisë. ( Revista “Messager de Vienne, 26 prill 1878 )
Traktati famëkeq i cungonte tepër e përçudshëm tokat shqiptare. Malin e Zi e trefishonte me rrëmbimin e trojeve shqiptare: Ulqinin, Tivarin dhe thuajse gjithë liqenin e Shkodrës e buzëlumin e Bunës: Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Serbia shtrihej deri në afërsi të Mitrovicës. Kështu shumica e trevave shqiptare u daroviteshin tre shteteve sllave të Ballkanit.
Abdyl Frashëri, radhaz e në një zë me Pashko Vasën e veprimtarë të tjerë të shquar të Rilindjes kombëtare shqiptare, shfrytëzon gazeta e revista të huaja për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për padrejtësitë që i bëheshin Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Përmes revistës “Basiret” u drejtohej lexuesve të kryeqytetit të Perandorisë Osmane, tërthoras qeverisë së Stambollit, që t’u kushtonin rëndësi të drejtave të shqiptarëve e të Shqipërisë dhe “nuk duhet harruar shekulli i Skënderbeut, se shqiptarët do ta përsëritnin atë”. (Gazeta “Basiret”-/Gjykimi/,Stamboll, 21 prill 1878).
“Letra nga Janina jehoi, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, si një rrufe në qiell të kthjelltë. Abdyl Frashëri, në emër të humanizmit dhe të qytetërimit i bën të ditur “botës diplomatike” (Fuqitë e Mëdha) detyrën që ajo “botë” kishte për t’ua prerë vrullet idhtiarve të Rusisë në Ballkan. (Shih Kristo Frashëri – burim i cituar, f. 28 ).
I mirëmenduar është bashkëpunimi me revistën “Le Messager de Vienne”, shumë e afërt me qarqet diplomatike të Evropës. Në një cikël prej gjashtë artikujsh, Abdyli arriti të parashtrojë problemet më kryesore të çështjes shqiptare në mbrojtje të të drejtave tona kombëtare. Në ta argumentohej se kombi shqiptar është një komb që ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Ballkanit, duke u dalë në krah, me armë në dorë, pikërisht atyre vendeve qe kërkonin shpërbërjen e tij; është një komb, që, pavarësisht nga dallimet fetare, nxitur e ushqyer qëllimisht nga qarqet shovene, ka të njëjtën kulturë, të njëjtat tradita, të njëjtën gjuhë.
Njëherit ai e “fton në tryezën e bashkëbisedimit” lexuesin austriak të së përjavshmes “Messager de Vienne” (“Lajmëtari i Vjenës”) ku kritikon politikën e manovrat e Petersburgut, për, gjoja, “çlirimin e popullatave të Lindjes”. ( Revista “Messager de Vienne, 26 prill 1878 )
Në artikullin, botuar në të përjavshmen kulturore “Kleo” që dile në qytetin Trieste, asokohe nën sundimin austro-hungarez, Abdyl Frashëri me pseudonimin “Një shqiptar që banon në Trieste” i drejtohet, më së shumti, lexuesit italian, por edhe atij grek, për të sqaruar të vërtetën. (Gazeta “Kleo”, Trieste, 23 maj 1878 )
Këto artikuj bënë jehuan në qarqet intelektuale e politike të Stambollit, të Vjenës, të Triestes, madje edhe të Athinës. Studiuesit e jetës e të veprës së Abdyl Frashërit kanë vënë në dukje pozitën e vështirë të historianit-publicist grek Dhimitër Hasioti, i cili kishte marrë përsipër të ballafaqohej me artikullin, po në revistën “Kleo” të Triestes. Hasioti ngase nuk gjen argumente, trillon e shfryn me mllef e tërbim kundër artikullit “Helenizmi dhe shqiptarët”. E ashtuquajtura “përgjigje” e “polemikë” me shqiptarin e Triestes, u botua në tre numra të gazetës greke.
Pavarësisht se cilës audience i drejtohet, Abdyl Frashëri bën kujdes për të hedhur e shtjelluar çështjet më të rëndësishme të kohës, që lidhen me domosdoshmërinë e kundërshtimit të vendimeve apriori të përfshira në Traktatin e Shën Stefanit. Ai nuhat kundërshtitë evropiane, shprehur drejtpërsëdrejti, qartë e preraz se absurditetet e Shën Stefanit paralajmërojnë re e stuhi, shpërbërje të marrëveshjeve të diplomacisë së lartë për zotërim në brigjet e Adriatikut.
U ndala në tre artikujt më të parë, por “arkivi publicistik i tij është i pasur me tituj shkrimesh e gazetash, me larmi tematike e problemore për çështjen kombëtare. Studiuesit e shtypit të kohës, të atyre të përkohshmeve,që merreshin me çështjen shqiptare, kanë skeduar dhe nxjerrë në pah një varg shkrimesh, botuar, sidomos, në gazetat e revistat e Stambollit, të Parisit, të Athinës, etj. Profesor Kristo Frashëri vlerësonte: “Shkrimet origjinale që tani kemi në dorë janë pesëfishuar si tituj dhe dhjetëfishuar si vëllim në krahasim me ato që njiheshin disa vjet më parë” (Revista “Studime historike”,Tiranë, 1981,nr.l ).
Artikujt, qofshin edhe ato që revista vjeneze i emërton si korrespondenca, kanë natyrën e ese-ve, por edhe pamflete. Përveç shkrimeve “Shqipëria dhe Traktati i Shën Stefanit” dhe “Helenizimi dhe shqiptarët”, që, si konceptim e ndërtim, anojnë dukshëm nga lloji publicistik “Pamflet”, mjaft artikuj të tjerë kanë si tipar të natyrshëm polemikën.
Në hartimin e shkrimeve të ndryshme shfaqet mëvetësia e autorit, me zhdërvjelltësi parashtron idetë e mendimet për problemet më të rëndësishme. Në monografinë “Abdyl Frashëri” theksohet: çdo frazë ka një nëntekst, çdo ide ka një rezonancë, toni është i alternuar. (Tiranë, l984, f.ll8 )
Qëmtimi i fakteve, përzgjedhja e tyre për argumentim bindës në polemikën me kundërshtarët politikë dhe ideologjikë përbën një nga tiparet të publicistikës së këtij autori.
Në parashtrim të problemeve operon nga fraza në frazë, herë duke pohuar a mohuar një të dhënë paraqitur si fakt a një qëndrim, herë duke sulmuar kundërshtarin me pyetje retorike që e vënë në pozitë të vështirë.
Tipar i dukshëm i publicistikës së Abdyl Frashërit është historizmi, aftësia për t’i pasqyruar faktet e ngjarjet në dinamikë e proces, në një sfond e hark kohor të caktuar, në rrjedhën e tyre të natyrshme që në zanafillë e deri në zhvillim të plotë. Në të 6 shkrimet e “Le Messager de Vienne”, publikuar në prill-qershor të l878-s, problematika e shtjelluar vështrohet në suazën historike në argumentim të idesë themelore: formimi i kombit shqiptar dhe roli i tij i spikatur në jetën, zhvillimet ushtarako-politike e historiko-shoqërore në sinisi të Ballkanit. U kujton të interesuarve se “Shqipëria nuk është aq e vogël”. ( Revista “Messager de Vienne, 3 maj 1878 )
Karakteri studimor përbën një tregues të rëndësishëm të kësaj publicistike, mishëruar në analizën e thellë të fakteve, të dukurive, të ngjarjeve; në përgjithësimet objektive, të motivuara. Kësisoj, argumentet e shëndoshë përcjellin deduksione pa mëdyshje për formimin e kombit shqiptar, për etninë e tij në trojet e veta, për pozitën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, për ndihmesën e saj në zgjidhjen e Krizës Lindore, për veçantitë dhe unjisinë e kulturës kombëtare pavarësisht nga ngjyrimet fetare, etj. Bindëse, përveç atyre që nuk kanë veshë, atyre që, për interesa të caktuara, dëgjojnë vetëm një këmbonë apo vetëm një lloj tingëllime të saj, janë argumentet që pataqiten në debatin për trojet shqiptare. (Shih: Revista “Messager de Vienne, 17 maj 1878 )
Në një “Korrespondencë”, pas polemikave të gjalla, shtruar me një gjuhë të kulturuar, autori, natyrshëm arrin në përfundimin se populli shqiptar historikisht e me vendosmëri ka ruajtur kombësinë e vet, ndaj askush nuk ka të drejtë të cënojë interesat, të drejtat dhe tërësinë territoriale të tij. ( Revista “Messager de Vienne, 21 maj 1878 ). / Pergatiti Albert Vataj / KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti përmes një postimi në facebook ka folur me emra se kush qëndron pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.
Kryeministri Kurti ëshë shprehur se ky sulm është organizuar nga Klani i Novi Sadit dhe se në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Ky është postimi i plotë i kryeministrit:
Klani i Novi Sadit
Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.
Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.
Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.
Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.
Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar. / KultPlus.com
Kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq, ka bërë të ditur se është vendosur një pllakë e re pranë monumentit “Nermine, hajde” në Parkun Veliki.
Monumenti i viktimave të gjenocidit të Srebrenicës u dëmtua të shtunën.
“Është vendosur një pllakë e re tek monumenti ‘Nermine, hajde’. Sarajeva respekton dhe kujton”, tha shkurt Kariq.
Ju kujtojmë se një autor i panjohur, ose disa prej tyre, shkatërroi pllakën që ndodhet pranë monumentit, në të cilën shkruhet se skulptura është simbol i një prej historive më të trishta dhe më tronditëse të gjenocidit të Srebrenicës tregon se si babai Ramo Osmanovic e thërret djalin e tij Nermin për t’u dorëzuar ushtarëve serbë.
MPB-ja e Kantonit të Sarajevës më herët ka thënë për portalin Radiosarajevo.ba se hetimet janë duke vazhduar, por nuk ka informacione të reja. / KultPlus.com
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj lëshoi sot në qarkullim postar emisionin “Monumentet natyrore”, ku përfshihen tri pulla postare me imazhet e tri monumenteve natyrore të Republikës së Kosovës, për të cilat janë bartur gojëdhëna, rrëfime legjendash e mitesh ndër breza përgjatë shekujve.
Guri i Shpumë – gjendet në qytetin antik të Kaçanikut, i cili karakterizohet nga ngjarje të shumta dhe elemente të trashëguara të rëndësisë së veçantë. Pamjeve magjepsëse të Grykës së Kaçanikut në veçanti dhe vlerë të shtuar i jep Guri i Shpumë, vend i preferuar për shumë vizitorë.
Guri i Dellocit – gjendet në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës, me lartësi mbi 1700 metra, me një pamje sa të bukur aq edhe intriguese për identifikimin e kohës së krijimit të tij. Sipas gojëdhënave daton që nga koha e lashtë ilire dhe nga banorët njihet si Guri i Diellit, që sipas studiuesve ka mundur ta ketë rolin e orës diellore, pretendime këto që mbetet t’i konfirmojë shkenca.
Guri i Plakës – tërheq vëmendjen me pamjet piktoreske të Komunës së Drenasit. Është monument natyror me karakter gjeo-morfologjik, i vënë nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Republikës së Kosovës nga viti 2006. Gurin e Plakës e karakterizon mrekullia mbresëlënëse e kalimit të trenit në mes të tij, duke e shndërruar atë në atraksion prej shumë vizitorësh vendorë dhe të huaj.
Posta e Kosovës, me këto tri pulla postare promovon pamjet mahnitëse të bukurive natyrore të Kosovës, ndërsa koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, tanimë munden t’i blejnë ato që t’i vendosin në dërgesat dhe zarfet e tyre, si kujtime të rralla për më të dashurit e tyre kudo nëpër botë. / KultPlus.com
Lindur në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.
Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi.
Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.
Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.
Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.
Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.
Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.
Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’.
Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegërishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj.
Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.
Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com
Këshilli i Ministrave në kuadër të Bashkimit Evropian, do të diskutojë sot edhe për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, në Luksemburg.
Në takimin që do të nis në orën 08:30, do të diskutohet për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
“Sipas çështjeve aktuale, Këshilli do të prekë, ndër të tjera, situatën mes Serbisë dhe Kosovës, Kinën dhe Sahelin”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se pas incidenteve të dhunshme që u zhvillua më 24 shtator në veri të Kosovës, BE-ja u ka kërkuar të dyja palëve të kontribuojnë urgjentisht në de-përshkallëzimin dhe kthimin në zbatimin e detyrimeve të tyre të pazgjidhura që dalin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Kujtojmë se dje pesëshja diplomatike e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së qëndroi për vizitë në Prishtinë dhe Beograd, pas agresionit të grupit kriminal serb me datën 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, për media u deklarua emisari special i BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjera.
Lajçak bëri thirrje që sulmi të hetohet plotësisht dhe sulmuesit të përballen me pasojat, teksa shtoi ndaj dialogut s’ka alternativë, pasi i njëjti sjell normalizim të marrëdhënieve.
Pjesë e takimit me Kurtin ishin edhe emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë. / Express / KultPlus.com
Në nder të tij, sot Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës me fillim prej orës 11:00 do të mbajë mbledhje komemorative.
ASHAK ka njoftuar se në orën 11:30 do të fillojnë homazhet.
Funerali niset nga ASHAK në orën 13:00, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 16:00.
“Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton se më 23 tetor ora 11:00 në mjediset e saj do të mbahet mbledhja komemorative, ndërsa në ora 11:30 fillojnë homazhet për të ndjerin. Funerali niset nga ASHAK-u në ora 13:00. Varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 16:00”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Çdo javë nga tani deri më 23 janar 2024, kur shpallen fituesit e Çmimeve të Akademisë, në rrjet po aludohet për të përcaktuar ndryshimin e fatit në garën e Oscars të këtij viti. Në rubrikën mbi parashikimin e çmimeve, do të analizojmë zhvillimet krejt të reja dhe do të gjurmojmë thashethemet e industrisë për të kuptuar se kush është lart, kush është poshtë dhe kush është aktualisht duke udhëhequr garën për një nominim të lakmuar për Oscar.
Filmi më i mirë
Killers of the Flower Moon
A është një film western, një film gangster, apo një dramë bashkëshortore? Sido që të jetë zhanri, konsensusi është se e fundit e Martin Scorsese është një tjetër vepër jetike në epokën e luanit në dimër të regjisorit, me Slate që shprehet se Killers është “një lloj i ri i kryeveprës së Scorsese”. Lëvizja historike e filmit dhe masa tematike e filmit janë një shenjë e mirë për njohje në të gjithë fletën e votimit, megjithëse ka shqetësime që ky rrëzues i Osage-it në gusht mund të pësojë të njëjtin fat si The Irishman, i cili në mënyrë famëkeqe shkoi në zero nga dhjetë. Killers të paktën ka avantazhin që vjen nga Apple, një transmetues që është provuar se mund të ekzekutojë kategorinë e filmit më të mirë.
Bikeriders
Në efektin më të fundit të valëzimit nga greva e SAG, distributori New Regency tërhoqi filmin e Jeff Nichols nga data e lançimit të tij më 1 dhjetor. Drama e mirëpritur nuk është shtyrë zyrtarisht për vitin e ardhshëm dhe THR thotë se ende planifikon të kualifikohet për këtë sezon.
Pretendent aktual: Anatomy of a Fall, American Fiction, Barbie, The Holdovers, Killers of the Flower Moon, Maestro, Oppenheimer, Past Lives, Poor Things, The Zone of Interest.
Regjisori më i mirë
Martin Scorsese, Killers of the Flower Moon
Scorsese ka qenë i palodhur në rrugën e duhur, duke dhënë intervista në karrierën e tij, duke luajtur në TikTok, madje duke u ulur me Timothée Chalamet. Ai ka përmendur marrëdhënien e tij ambivalente me Akademinë, duke i thënë GQ se ai kurrë nuk u ndje “pjesë e industrisë” aq sa të ishte një nga të preferuarit e tyre. Megjithatë, gërmimi urgjent dhe empatik i historisë amerikane nga Killers duhet ta bëjë atë një pretendent të nivelit të lartë. Do të ishim të shokuar nëse ai do të anashkalohej.
Justine Triet, Anatomy of a Fall
A mundet drama e rrëshqitshme e Triet-it në sallën e gjyqit të qëndrojë në garë pasi u shpërfill nga komiteti përzgjedhës i Francës? Kjo ishte e mjaftueshme për të dënuar “Portrait of a Lady on Fire”, por vitet e fundit kanë qenë më të dashura me tiparet e pazgjedhura ndërkombëtare: Penélope Cruz ende mori pjesë në “Parallel Mothers” dhe RRR madje fitoi një trofe. Neon ka bërë një punë të mirë duke krijuar zhurmë për fituesin e Palmës së Artë dhe ne e dimë se kjo degë pëlqen një autor ndërkombëtar.
Pretendent aktual: Greta Gerwig, Barbie; Jonathan Glazer, The Zone of Interest; Yorgos Lanthimos, Poor Things; Christopher Nolan, Oppenheimer; Martin Scorsese, Killers of the Flower Moon.
Aktori më i mirë
Leonardo DiCaprio, Killers of the Flower Moon
Killers hap një terren të ri për Leo: Për herë të parë, një grua bie në dashuri me të në ekran dhe ju mendoni, çfarë sheh ajo tek ai? Scorsese riformësoi narrativën e filmit rreth Ernest Burkhart të DiCaprio-s, i cili bën një rol të jashtëzakonshëm, në mënyrë alternative i dashur dhe i neveritshëm. Shqyrtimet për performancën e tij kanë qenë më pak shkëlqyese sesa për filmin në tërësi, por kur DiCaprio kryeson një kandidaturë për filmin më të mirë, ai zakonisht nominohet.
Jeffrey Wright, American Fiction
Satira racore e Cord Jefferson është ngjitur në listat më të pritura që nga fitimi i çmimit People’s Choice në TIFF, një çmim që tradicionalisht paralajmëron një nominim për filmin më të mirë. Për të arritur atje, filmi do të duhet të konkurrojë diku më lart, dhe ndërsa Skenari i Përshtatur është ndoshta basti më i sigurt, mos e llogaritni Wright. Dyshoj se shumë votues atje do të donin t’i jepnin veteranit të nderuar nominimin e tij të parë në karrierë. Traileri, i publikuar këtë javë, jep një shije të acarimit të tij komik.
Pretendent aktual: Bradley Cooper, Maestro; Leonardo DiCaprio, Killers of the Flower Moon; Paul Giamatti, Mbajtësit; Cillian Murphy, Oppenheimer; Jeffrey Wright, Fiction Amerikane.
Aktorja më e mirë
Lily Gladstone, Killers of the Flower Moon
Rishkrimi i shumëpërfolur i Killers u përpoq të përqendronte këndvështrimin e Osage, dhe në këtë frymë Gladstone është në krye, në vend që të nominohet për rol dytësor. Se sa mirë filmi e realizon këtë qëllim do të jetë një temë diskutimi gjatë gjithë sezonit, veçanërisht në lidhje me vendosjen e saj në Oscar. Ndërsa Mollie, një grua Osage e rrethuar nga tragjedia, ajo është çdo pjesë e lojës së DiCaprios – e hapur aty ku ai është i mbyllur, e qëndrueshme ndërsa ai lëkundet. Megjithatë, personazhi i saj është mënjanuar për pjesën më të madhe të aktit të fundit, pasi Scorsese e kthen fokusin e tij në mundimin e brendshëm të Ernestit. Ndërsa ajo do të përballet me aktoret që mbajnë një barrë më të rëndë narrative, Gladstone nuk duhet nënvlerësuar. Siç thotë Justin Chang, “ajo është rrezja e dritës që dridhet lehtë në një histori të errësirës pothuajse të padepërtueshme”.
Barazim: Annette Bening, Nyad
Hape rrugën, Lydia Tár: Ka një lezbike të re të brishtë në garën për aktoren më të mirë. Gjëja më e mirë për Nyad, e cila lançohet e kufizuar sot para transmetimit në Netflix, është se si filmi biografik e përshkruan subjektin e tij si një egomaniake të padurueshme, megjithëse pritja paksa e filmit në festival tregon një notim të vështirë përpara për gruan që dikur shpallej si një fituese e mundshme.
Pretendent aktual: Lily Gladstone, Killers of the Flower Moon; Sandra Hüller, Anatomy of a Fall; Carey Mulligan, Maestro; Margot Robbie, Barbie; Emma Stone, Poor Things.
Aktori më i mirë në rol dytësor
Robert De Niro, Killers of the Flower Moon
Këtu është një surprizë: Një nga njujorkezët më të famshëm të kinemasë ka një theks Teksasi në Killers. Këtu është një tjetër: Është krejtësisht bindës. Duke vazhduar aty ku ai dhe Scorsese lanë në “The Irishman”, roli djallëzor i De Niros është një mjeshtër i vetë-mashtrimit. Ai e vesh të keqen aq lehtë sa duket i pavetëdijshëm për ndonjë konflikt midis vrasjes dhe madhështisë. Kjo kategori tashmë ishte e mbushur me performanca fituese nga peshat e rënda të filmit më të mirë, dhe sapo mori një tjetër.
Jesse Plemons, Killers of the Flower Moon
Pasi Killers u rikonfigurua, Plemons zëvendësoi DiCaprion në rolin e Tom White, agjentit federal që godet vrasjet e Osage. Ndërsa White është personazhi kryesor i librit të David Grann, atij i është dhënë shumë më pak për të bërë në film, i cili zbulon herët fajtorët. Plemons është i mirë si gjithmonë, por ai kurrë nuk merr atë lloj skene vitrinë që nxiti ofertën e tij Power of the Dog.
Pretendent aktual: Willem Dafoe, Poor Things; Robert De Niro, Killers of the Flower Moon; Robert Downey Jr., Oppenheimer; Ryan Gosling, Barbie; Mark Ruffalo, Poor Things.
Aktorja më e mirë në rol dytësor
Jodie Foster, Nyad
Fituesja dy herë e Oscar, është e mbikualifikuar për të luajtur si dytësore në një film biografik sportiv, por Nyad ka arsye të mira për ta sjellë në film. Foster bëhet zëvendësuese e audiencës si parazgjedhje. Performanca e saj e mrekullueshme si trajnere/shoqja më e mirë e Bonnie Stoll është thelbi emocional i filmit. Për shkak të grevës së SAG, Stoll e vërtetë është bërë aktivistja kryesore e filmit, gjë që duhet ta ndihmojë Foster të qëndrojë pranë mendjeve të votuesve.
Vanessa Kirby, Napoleon
Kirby sapo u konfirmua se do të konkurronte për të mbështetur epikën historike të Ridley Scott dhe traileri i ri i filmit i jep asaj disa momente tërheqëse. Kjo kategori ndihet gjerësisht e hapur, deri në pikën ku u përpoqa të emëroja pesë kandidatë të besueshëm nga ajo që kam parë. A mund të jetë Kirby ajo që do ta shkundë atë?
Pretendent altual: Emily Blunt, Oppenheimer; Viola Davis, Air; Jodie Foster, Nyad; Julianne Moore, May December; Da’Vine Joy Randolph, The Holdovers. /TAR/ KultPlus.com
Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.
“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.
Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.
Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.
Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.
Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.
‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.
Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.
‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.
Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.
Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/ KultPlus.com
Derisa pak ditë na ndajnë nga Festivali i Këngës, organizuar për herë të parë në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitoi Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë. Ai takoi ekipet që po realizojnë punimet për skenën, si dhe po finalizojnë parapërgatitjet për këtë ngjarje të madhe kulturore, që po organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës, njofton ZKM.
Duke theksuar rëndësinë e festivalit, drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, bëri me dije se janë plotësuar kushtet teknike për këngët pjesëmarrëse. Ai theksoi se orkestra që do të jetë e madhe, me afër 50 persona, përbëhet nga instrumentistët më të mirë që i kemi në Kosovë, njofton Zyra e Kryeministrit Kurti.
Edicioni i parë i “Fest 2023” që do të realizohet në Prishtinë, është bërë i mundur falë një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Radio Televizionin e Kosovës.
“Në skenën e festivalit do të performojnë 18 artistë të rinj dhe me karrierë, këngë të përzgjedhura nga juria, të vlerësuara për diversitetin e zhanreve të tyre. Tri netët live të Festivalit të Këngës në RTK do të zhvillohen në datat 26, 27 e 28 tetor 2023”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Në fillim të vitit, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në Universitetin e Harvardit iu shtua edhe gjuha shqipe.
Kjo erdhi pas kërkesës së studentëve shqiptaro-amerikanë dhe mbështetjes së punonjësve shqiptaro-amerikanë në administratën e këtij universiteti.
Ky është semestri i dytë i dhënies së lëndës së gjuhës shqipe në Harvard.
Kolegu Burim Goxhuli ishte në qytetin Cambridge të Masaçusetsit ku ndodhet Universiteti i Harvardit dhe sjell më shumë hollësi mbi këtë programi.
Gjuha shqipe, lëndë me zgjedhje në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së afërt në Universitetin e Harvardit, ofrohet në tri nivele, atë fillestar, të mesëm dhe të avancuar, varësisht nga njohuritë e studentëve.
Ligjeruesi Faton Limani thotë se studentët që zgjedhin gjuhën shqipe nuk mësojnë vetëm bazën e gjuhës.
“Studentët mësojnë strukturën e gjuhës, gramatikën dhe morfologjinë, por edhe të folurit, shkrimin dhe leximin. Gjithashtu, unë si ligjerues, përveç atyre gjërave bazike, që u duhen studentëve për ta mësuar, për ta folur dhe për ta shkruar gjuhën shqipe, kam futur edhe pjesën e kulturës dhe historisë. Për çdo semestër studentët bëjnë nga një prezentim, ku zgjedhin tema të caktuara si historia e alfabetit të gjuhës shqipe, historia e shqiptarëve, apo folklori, muzika, tradita e të tjera”, thotë zoti Limani për Zërin e Amerikës.
Ishte studentja shqiptaro-amerikane Edona Çosoviç ajo që verën e vitit të kaluar parashtroi kërkesën që gjuha shqipe të bëhej pjesë e studimeve në Universitetin prestigjioz amerikan.
Studentja e Shkencave Politike ka lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër shqiptarë të Malit të Zi.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Edona thotë se ishte dëshira për të studiuar më shumë mbi origjinën e saj ajo që e shtyu të kërkonte përfshirjen e programit të gjuhës shqipe në Harvard.
“Kjo është një arsye e rëndësishme për ta pasur këtë lëndë në Harvard. Unë kam dashur ta mësoj gjuhën, është shumë e rëndësishme për mua. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. Dua që edhe fëmijët e mi të flasin shqip. Por dua ta kem edhe kulturën. Të mësoj më shumë edhe mbi historinë e Shqipërisë. Unë jam shqiptare nga Mali i Zi dhe nuk i di të gjitha ndodhitë në Shqipëri dhe Kosovë. Tash, pak nga pak, në çdo klasë unë mësoj më shumë”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Klasët e gjuhës shqipe i zgjodhi edhe Kevin Dervishi, student shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tirana.
“Ndoshta nuk duhet ta them këtë në televizion, por familjes sime ende nuk i kam treguar, sepse dua t’i befasoj me një shqipe më të mirë dhe duke qenë më afër me komunitetin shqiptar. Një ditë, kur shqipja ime të jetë shumë më e mirë, do t’u tregoj se çfarë kam mësuar. Mezi po pres t’i befasoj”, thotë ai.
Kevini po vazhdon studimet e doktoraturës për biologjinë e kancerit në Harvard.
Ai thotë se pasi zgjodhi klasët e guhës shqipe, aftësitë e tij për t’u shprehur janë përmirësuar dukshëm.
“Jam shumë i lumtur sepse kur isha i vogël, harrova gjithë gjuhën shqipe. Por tani do ta praktikoj gjuhën dhe do të flasë prap në shqip”, thotë ai.
Studentja Çosoviç thotë se ruajtja e gjuhës është mënyra më e mirë për të mbajtur lidhjet me familjen.
“Prindërit e mi janë shumë krenar për mua, sepse ata kanë dashur gjithmonë që unë të jem shumë afër me kulturën dhe familjen time. Kur je më e lidhur me kulturën tënde është më e lehtë të jesh më afër me familjen. Kultura e shqiptarëve është të jesh më afër me familjen dhe të ruash lidhjet me komunitetin tend. Edhe ata janë shumë shumë krenarë për mua. Edhe ata që ndodhen në Mal të Zi. Gjithmonë pyesin për mua. Jam shumë e lumtur”, thotë ajo.
Edona është një nga drejtueset e shoqatës së studentëve shqiptaro-amerikanë në Harvard.
Ajo thotë se për momentin në Harvard janë 12 studentë shqiptaro-amerikanë.
Ky rrjet është një dritare informimi për të gjithë studentët e rinj shqiptarë, që duan të studiojnë në këtë universitet.
“Kur erdha në fillim në këtë program, menjëherë u njoha me studentë të tjerë shqiptarë, që ishin disa vite para meje. Pata mundësi të mësoj nga ata. Gjatë këtyre viteve në univesitet u njoha dhe ndihmoja studentët e rinj shqiptarë. Jemi një komunitet që e mbështesim njëri tjetrin”, thotë studenti shqiptaro-amerikan Kevin Dervishi.
Ky është viti i parë që gjuha shqipe jepet si lëndë mësimore në Harvard dhe aktualisht ka 5 studentë, 3 prej tyre shqiptaro-amerikanë.
“Këta studentë nesër kur të dalin nga universiteti zakonisht shkojnë nëpër vendet e tyre apo nëpër komunitetet e tyre dhe ka një ndikim shumë-dimensional sepse ata mbesin të informuar për Shqipërinë, dinë për shqiptarët në përgjithësi. Kjo mund të jetë një gjë shumë pozitive sepse ata nesër mund të jenë investitorë potencialë, ose ambasadorë potencialë të vendeve të tyre”, thotë zoti Limani.
Harvardi është i vetmi ndër universitet më të njohura prestigjioze amerikane, që ofron gjuhën shqipe.
Veç tij, gjuha shqipe mësohet në disa institucione të tjera amerikane si Universiteti Shtetëror i Arizonës, Universiteti DePaul dhe Kolegji Mercy në Nju Jork.
“I ftoj të gjithë shqiptarët kudo që janë nëpër universitete në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë tyre, që me mundësitë e tyre të shohin se si mund të fillojnë një lëndë me zgjedhje, apo një kurs të gjuhës shqipe, apo edhe studentët për shembull në universitete të ndryshme mund të fillojnë një klub studentor i cili organizohet përreth gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në përgjithësi”, thotë zoti Limani.
Zoti Limani shton se synimi i tij është që në të ardhmen, ndërsa rritet interesimi i studentëve për gjuhën shqipe, të themelohet edhe qendra për studime shqiptare në Universitetin e Harvardit. /VOA/ KultPlus.com
Në zgjedhjet që u mbajtën sot për Parlamentin Federal të Zvicrës, ka ndodhur pika ekthesës: një kandidat me rrënjë shqiptare është zgjedhur deputet dhe fjala është për Islam Alijajn, kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP).
Alijaj, duke qenë person me nevoja të veçanta, ështe i njohur për angazhimin e tij të palodhshëm për të drejtat e kategorisë së njerëzve të cilës i takon. Ai ka qenë deri më tani asamblist shumë aktiv në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut. Por, më shumë se kaq, Alijaj është një lobist i flakët, në nivel vendi, për çështjen e personave me nevoja të veçanta.
Me fitoren e tij, komuniteti shqiptar i Zvicrës bëhet për herë të parë me një deputet të nivelit federal. Një moment për histori! / KultPlus.com