Rritet vizitueshmëria në Kalanë e Rozafës, më shumë turistë gjatë muajit nëntor

Kalaja e Rozafës, atraksioni kryesor turistik për qytetin e Shkodrës, ka shënuar rritje të vizitueshmërisë edhe përgjatë muajit nëntor.

Statistikat tregojnë se, Kalaja e Rozafës është vizituar nga 2419 turistë më shumë se nëntorin e vitit 2022, pra gjithsej 5661 turistë vendas e të huaj, nga data 1-30 nëntor 2023.

DRTK Shkodër ftoi të apasionuarit pas historisë e natyrës, të kalojnë një fundjavë të pasur me histori e aventura të paharrueshme në këtë kala.

Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve deri në ditët tona.

Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta në mes vete. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit.

Nga oborri i tretë, më i larti i Kalasë së Shkodrës, mund të shihet një peizazh fantastik. Fenomeni natyror i takimit të lumenjve të njohur: Bunës, Kirit dhe Drinit dhuron një pamje të pazakontë. / KultPlus.com

Arkivi i kolosit të muzikës shqiptare, Pjetër Gaci, trashëgimi që përcillet në breza

Në vazhdën e publikimit të arkivave personale përmes të cilave shkodranët përcjellin trashëgiminë kulturore, DRTK Shkodër prezanton dy objekte me vlerë, kitarën dhe violinën e kompozitorit të shquar Pjetër Gaci.

Kitara e kompozitorit Pjeter Gaci është një ndër objektet që ruhet me fanatizëm në familjen Gaci. Kompozitori pjesën më të madhe të jetës e kaloi duke prodhuar tinguj pranë saj, si bashkëudhëtare e veprave që artisti realizoi, që ngjallin sot kujtime sa të ëmbla aq edhe të trishta për familjen.  Ndërsa violina e Pjeter Gacit është e vitit 1827, imitacion i Carlo Bergonzit. Dëshira e tij për violinë ka lindur qysh në moshën 10-vjeçare, kur shkonte që të peshkonte në Velipojë apo në Shirokë, para çlirimit të vendit dhe u jepte ushtarëve italianë peshk, në shkëmbim të disqeve me muzikë klasike.

Violinën e kompozitorit sot e ka trashëguar e mbesa e tij, Elizabeta Dodmasej, të cilën xhaxhai ia dhuroi për rezultate të shkëlqyera në mësime. Dodmasej mbaroi studimet në shkollën “Prenk Jakova”, dhe më pas Konservatorin e Arteve (sot Universiteti i Arteve). Gjatë kësaj periudhe ajo interpretoi në Tiranë me këtë violinë kaq të vyer. Për 14 vjet ajo ka punuar si mësimdhënëse në shkollën “Prenk Jakova”. / KultPlus.com

Doli nga shtypi libri “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën”

“Në mënyrë analitike, hulumtuese e shkencore është përfshirë e tërë veprimtaria dhe kontributi i intelektualit të përmasave botërore akademik Prof. Dr. Gazmend Zajmit”, shkruhen në përshkrimin e monografisë, “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” të Nuhi Bytyçit.

Veprimtaria e kontributi i akademikut Gazmend Zajmi është përmbledhur nëmonografinë “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” me autor gazetarin veteran e dokumentaristin, NuhiBytyçi. Aty përfshihet jeta e kontributi arsimor, politik, shkencor, kulturor dhe jo vetëm. 

Sipas njoftimit për këtë botim, monografia është realizuar pas punës më shumë se trevjeçare që përfshin 504 faqe të ndara në 23 kapituj sipas tematikave dhe ngjarjeve historike. Botimi përfshin analizë, hulumtim e punë shkencore. Aty përfshihet e argumentohet angazhimi i akademik Zajmit si ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin të Prishtinës e kontributi nëthemelimin e UP-së, sikurse edhe angazhimi si prorektor e rektor i institucionit bashkë me krijimin e mundësive të bashkëpunimit me universitetet e huaja. 

“Një hapësirë të veçantë në këtë monografi zë edhe qëndrimi i Gazmend Zajmit si rektor i Universitetit të Prishtinës rreth kërkesave të studentëve dhe të popullit shqiptar të Kosovës në demonstratat e njohura të pranverës së vitit 1981 në Prishtinë. Si reagoi rektori Zajmi ndaj dhunës policore mbi studentët shqiptarë, pse nuk pranoi që të paraqitej në televizion për t’i dënuar demonstratat studentore, pse dha dorëheqje nga pozita e Rektorit dhe si u përjashtua nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe nga procesi edukativo-arsimor në Universitetin e Prishtinës”, janë pyetjet që marrin përgjigje në monografi. 

Aty shkruhet se një pjesë e mirë e monografisë i kushtohet edhe angazhimit të profesor Zajmit “si ekspert i sistemit politik dhe kushtetues në hartimin e tekstit të Apelit të 115 intelektualëve shqiptarë kundër masave represive dhe terrorit shtetëror serb mbi shqiptarët në Kosovë”. 

“Në veçanti në monografi paraqitet roli i Gazmend Zajmit si autor i Deklaratës kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për mëvetësinë e Kosovës, hartuar më 14 qershor 1990, dhe të miratuar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, pastaj përkushtimi i jashtëzakonshëm i Gazmend Zajmit si anëtar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës me seli në Salzburg të Austrisë dhe pjesëmarrja e tij e vazhdueshme në konferencat dhe simpoziumet shkencore ndërkombëtare me qëllim të argumentimit shkencor të së drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur vetë për të ardhmen e tij në kuadër të shtetit të pavarur e sovran – Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftimin për monografinë, e cila sapo ka ndalur nga shtypi. 

Mendimi politik i akademik Zajmit për të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës bëhet e ditur se zë vend në këtë botim. Shkruhet se këtë tëdrejtë e kishte argumentuar guximshëm në publik edhe sa vendi ishte nën regjim. 

“Ai kishte dalë në mbrojtje të përcaktimit të Konferencës së Bujanit se Kosova pas luftës do të vendosë për fatin e vet politik, duke përfshirë edhe të drejtën e bashkimit me shtetin amë – Shqipërinë. Në këtë monografi prezantohet edhe qëndrimi i Zajmit se vendimi i Kuvendit në Prizren në vitin 1945, ishte vendim i dhunshëm dhe jolegjitim, që Serbia e ka marrë me ndihmën e ushtrisë”, shkruhet në shpjegimin për monografinë “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” të Nuhi Bytyçit derisa bëhet e ditur se në të flitet edhe për konstatimin e akademik Zajmit se me shkatërrimin e Jugosllavisë “anulohet çfarëdo pëlqimi formal dhe i dhunshëm për të hyrë Kosova brenda Serbisë dhe Jugosllavisë. Kjo dokumentohet me argumente juridike-shkencore”. 

Monografia sjell edhe kritikën e veprës së Zajmit nga figura të shquara intelektuale të vendit e më gjerë. 

“Monografia ‘Gazmend Zajmi – një për Kosovën’ u ofron lexuesve edhe fjalën ekskluzive të ish-kryetarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve FelixUnger për Gazmend Zajmin, por edhe se si e kanë vlerësuar veprën e Gazmend Zajmit intektualët FehmiAgani, Esat Stavileci, Arsim Bajrami, GjyljetaMushkolaj, Kadri Kryeziu, Ali Aliu, Feriz Krasniqi, Rexhep Ismajli, Ilaz Ramajli, Abdullah Karjagdiu, Yll Zajmi, Ekrem Murtezai, Ismet Salihu, Halil Turku, Osman Kraja, Rexhep Osmani, Riza Demaj, ZenunÇelaj, Salih Maqedonci, Qerim Gashi, IsmetBogujevci, Nezanin Kuçani – Çeku, Semahate Kuçani-Mashkulli, Ismail Syla, Zeqirja Ballata, Engjëll Berisha dhe intelektualë të tjerë”, shkruhet në njoftim. 

Në monografinë kushtuar akademik Zajmit përfshihet edhe veprimtaria e tij kulturore si udhëheqës i shoqërisë së parë kulturo-artistike shqiptare “Agimi” të Prizrenit. Gjithashtu edhe krijimtaria si autor i teksteve dhe kompozitor i shumë këngëve, për çka u vlerësua edhe me çmime. 

Bëhet e ditur se monografia është ilustruar me fotografi e dokumente me vlerë historike e shkencore.

Redaktor i monografisë është akademik Arsim Bajrami, ndërsa recensentë janë akademikët Gjyljeta Mushkolaj dhe Agim Zogaj. Autori Bytyçi ka njoftuar se bashkë me librin dhurohet edhe disku i filmit dokumentar për akademik Zajmin – “Gazmend Zajmi – projektues i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”. /rtk/ KultPlus.com

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, aksion simbolik para gjykatës


“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”. 

Kjo pankartë është shpalosur para Gjykatës Themelore në Prishtinë ku për pak pritet të nisë seanca dëgjimore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.  

Ky aksion simbolik është organizuar nga Kolektivi Feminist. 

Tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, përfshirë edhe bashkëshortin e saj Naim Murseli, pritet të dalin para gjykatës nga ora 09:30. 

Marshim për drejtësi për Liridonën është paralajmëruar për sot edhe në Tiranë./ KultPlus.com

Sot marshohet për Liridonën në Tiranë, kërkohet drejtësi

Një marshim në Tiranë është paralajmëruar për sot për të kërkuar drejtësi për Liridona Ademaj-Murselin.

Sipas njoftimit, marshi do të fillon në orën 11:30 dhe nisë nga Ministria e Brendshme drejt Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin e Shqipërisë.

Marshi organizohet nën parullat “#drejtësipërLiridonen” dhe “#NdalFemicidit”.

Liridona Murseli u vra më 29 nëntor në Sinidoll të Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, në mesin e të cilëve është bashkoshorti i saj, Naim Murseli. / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit

Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lansoi Strategjinë për  Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse.

Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me aftësi të kufizuar, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. / KultPlus.com

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ

Nga Anna de Noailles

Përktheu: Eva Hila

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ.
Kurrfar dredhiet, nuk asht e nevojshme
Kur krahu i ngrohtë shtërngon
Trupin e pakapshëm që na ka pëlqye.

– Beso n’zanin tem që andrron e kndon
E që ndërton parajsen tande.
A do ta dije ti që jam e keqe
Po mos ta kisha thanë un?

– Dobsisht e keqe, në mendje,
E për me gjetë hera-herës
Kte vetmi kuptimplote
Që e kam mohue duke të dashtë !/ KultPlus.com

‘Tempo në 1973: Ibrahim Kodra, një jetë për të treguar’

Nga Aurenc Bebja, Francë

“Tempo” ka botuar, me 2 dhjetor 1973, në faqen n°85, një shkrim për piktorin e shquar shqiptar Ibrahim Kodrën.

Burimi : Tempo, 2 dhjetor 1973, f.85
Burimi : Tempo, 2 dhjetor 1973, f.85

Kur Ibrahim Kodra mbërriti në Milano në vitin 1944 dhe organizoi atelienë e tij të parë, ai ishte 26 vjeç. Por tashmë një jetë për të treguar. Ashtu si ajo e përrallave me mbretër, mbretëresha, njerka, por edhe mundime, vuajtje, heqje dorë. Dhe si në të gjitha përrallat, një fund i lumtur. Sepse Kodra tani është një piktor i njohur.

I lindur në Shqipëri në vitin 1918, ai mbetet jetim. Njerka nuk e do atë. Ai largohet. Por tashmë ai fillon të pikturojë. Një portret i tij i shfaqur në një vitrinë vihet re nga një zyrtar i oborrit mbretëror, i cili flet për të me mbretëreshën. Ai shkon në oborrin mbretëror dhe ftohet të qëndrojë atje për të studiuar me nipin e mbretit Zog. Ndoqi një shkollë arti dhe fitoi një bursë për të studiuar në Itali. Fati i tij u vulos. Ai nuk do të lëvizë më nga Italia. “Në Shqipëri jam shumë i dashur dhe i njohur – thotë Kodra. – Shpresoj të kthehem.”

Studio e tij është e zhveshur dhe modeste. Atij i pëlqen të presë këdo që shfaqet në derën e tij. Të rinjtë janë mbledhur rreth këmbalecit dhe diskutojnë: është puna e tij e fundit që po përfundon për ekspozitat që do të mbajë pranverën e ardhshme në Milano.

Tani ai ka një ekspozitë në “Qendrën e arteve” në Saronno: të gjithë prodhimin (veprën) e tij më të fundit, 30 telajo që kanë si temë njeriun dhe lirinë. “Kodra është primitivi i një qytetërimi të ri”, shkruante Paul Eluard për të në vitin 1947. “Me pikturën time – thotë Kodra – përpiqem mbi të gjitha të realizoj masën (matjen) relative që ka të bëjë me perceptimin e njeriut në hapësirë, duke e vendosur, si në Rilindje, njeriun në qendër të Universit”.

Në foto: Kodra përfundon një “Homazh për Bertolt Brecht”.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Ibrahim Kodra - KultPlus

Arti si një derë që s’njeh barriera, hapet edicioni i katërt i festivalit ‘Art Without Limit’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë u mbajt ceremonia hapëse e edicionit të katërt të festivalit ‘Art Without Limit’. Ashtu siç edhe vetë emri tregon, ky festival ka për qëllim të shfaqë filma e storje suksesi që në fokus kanë persona me nevoja të veçanta, shkruan KultPlus.

Si çdo vit tjetër “Art Without Limit International Film Festival” është i përkushtuar për të shfaqur një gamë të larmishme filmash, nga rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion qw do të shfaqen përgjatë tre
ditëve të festivalit.

“Arti është mbledhje e shpirtit dhe aftësia e kufizuar është vetëm një notë unike në simfoninë e përvojës njerëzore”, nisi fjalimin e saj prezantuesja Fëllanza Çitaku, duke hapur një program të stërmbushur me emocione, fjalime të fuqishme e storje që mbi të gjitha inspirojnë dhe japin shpirt në përballjen me sfidat që jeta u sjell secilit njeri.

Me fillim të kësaj ceremonie, në skenë u ngjit Yll Krasniqi, i cili pavarësisht spektrit të autizmit, ka thyer çdo barierë e pengëse dhe ka ndjekur atë që i pëlqen më së shumti, kitarën. Krasniqi dhuroi për publikun një emocion të paharrueshëm teksa interpretoi në kitarë këngën “Lamtumirë’ të Muharrem Qenës.

Më pas, në projektor u prezantuar imazhe nga edicioni i fundit, në të cilin po ashtu u prezantuan filma dhe projekte të ndryshme me qëllim të fuqizimit të personave me nevoja të veçanta. Po ashtu, prezantuesja prezantoi për publikun edhe emrat e jurisë të cilët do të gjykojnë filmat e edicionit të sivjetëm.

E në vijim, radha u erdhi edhe prezantimi i historive frymëzuese, histori që kanë kapërcyer barriera të mëdha dhe janë bërë modele frymëzimi për shumë njerëz. E tillë është historia e Lume Berishës, e cila pavarësisht se është e verbër, ka arritur t’ia dalë dhe të arrijë t’i realizojë ëndërrat e saj.

E pranishme në këtë mbrëmje, Berisha pas shfaqjes së klipit të saj tha se duke mos u dorëzuar, arrihet çdo gjë në jetë.

”Me një këmbëngulësi dhe një vendosshmëri të jashtëzakonshme mund t’ja dilni edhe ju. Nëse jeta na jep 100 arsye për t’u dorëzuar, ne jetës duhet t’ia japim një million arsye të tjera se mund t’ia dalim dhe të jemi të suksesshëm”, u shpreh Berisha.

Më pas u prezantua storja e Egzon Vatovcit, i cili pavarësisht barrierave që ai si një person shtatshkurtër u ballafaqua, ai arriti t’ia dalë dhe t’i mposhtë ato.

Vatovci u shpreh tejet falënderues ndaj gjithësecilit dhe nëpërmjet një thënie, vendosi të përshëndesë të gjithë të pranishmit.

“Në jetë mos fajëso askënd, njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japing eksperiencë, të gabuarit të japing mësim, të dashurit të japing kujtime të paharrueshme”, tha vatovci në fjalimin e tij.

Në vazhdim, radha i erdhi storjes së Elion Palojës, i cili me ndihmen ë familjarëve dhe mësuesve arriti të mposhtë pamundësitë e tij duke arritur të bëhet një pianist i suksesshëm. Pas prezantimit të storjes së tij, Paloja dhuroi para publikut emocione të mëdha teksa interpretoi një pikë muzikore në piano.

Një histori po kaq frymëzuese është edhe historia e Samire Jupollit. E lindur si një shurdhmemece, ajo përgjatë rritjes së saj, vendosi që këtë problem të mos e konsiderojë si të tillë dhe të vazhdojë të punojë në mënyrë që jetë e zonja e vetës dhe t’i tregojë të gjithëve se pavarësisht barrierave, secili mund t’ia dalë.

“Është kënaqësi e madhe që të marr pjesë në këtë festival. Jam shumë më e fuqishme që jam që jam sonte këtu para jush”, tha Jupolli nëpërmjet gjuhës së shenjave.

E për fund, u prezantua storja e Gersi Trokës, i cili pavarësisht se është sindromën doën, qysh në moshën 9-vjeçare filloi të merret me not, duke u bërë më vonë edhe kampion në këtë sport.

“Faleminderit shumëpër mbështetjen, unë si i vogël kam filluar të ushtroj në not. Kam shumë arritje të tjera të cilat dua të t’i realizoj, por hap pas hapi do t’i realizoj”, u shpreh Troka, dëshira më e madhe e të cilit është që të bëhet si Michael Phelps, notari i cili theu shumë rekorde në këtë sport.

Ndërkaq, festivali ‘Art Without Limit’, do të mbahet deri më 3 dhjetor, ku përgjatë këtyre tri ditëve do të shfaqen filma të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë dhe në përmbyllje do të shpallen edhe filmat fitues./KultPlus.com

Vëllau i Liridonës kërkon vetëm drejtësi: Shpresojmë kthimin e saj në shtëpi

Liridona Ahmetaj humbi jetën pas një ngjarje tragjike që ndodhi, ku burri i saj Naim Murseli kishte porositur vrasjen e saj, shkruan KultPlus.

Vëllau i Liridona Ahmetaj përmes një postimi në rrjete sociale ka kërkuar vetëm drejtësi dhe njëkohësisht të zhvarroset trupi i të ndjerës.

Postimi i plotë:

”Përshëndetje,

unë jam Leonard Ademaj, jam vëllau i Liridona Ademaj e cila është vrarë në mënyrë mizore.

Në emër të familjes ju falenderoj për ngushëllimet që na keni ofruar, për reagimet publike të mijëra njerëzve dhe për mbështetjen që na keni dhënë.

Liridona ka qenë grua e fortë dhe pozitive, nënë e përkushtuar dhe familjare e dashur.
Atë na e morën kriminelët dhe krejt çfarë duam ne është drejtësi.

Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet.

Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonen ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj.

Me respekt,

Familja Ademaj”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Sylvinho flet për “Euro 2024”: Rivalë të fortë, por ne luajmë mundësitë tona

Shqipëria njohu pasditen e sotme kundërshtarët e saj në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Në shortin e hedhur nga UEFA në Hamburg të Gjermanisë, goglat e pozicionuan Shqipërinë në të grupin B, përballë Spanjës, Italisë e Kroacisë.

Në përfundim të shortit të hedhur nga UEFA në Hamburg të Gjermanisë, trajneri i ekipit kombëtar, Silvinjo dha një një prononcim për fshf.org, ku komentoi grupin dhe rivalët e Shqipërisë në finalet e Europianit 2024, duke theksuar se kuqezinjtë do të provojë të gjithë mundësitë për të bërë sa më mirë në këtë rrugëtim.

“Ishte një mbrëmje e bukur. Është mrekulli të jesh këtu. Të gjithë ne kemi bërë mirë deri këtu. Njerëzit duhet të kujtojnë çdo ndeshje që kemi fituar e barazuar për të ardhur këtu. Tani ndryshon pak dhe jemi në një grup të vështirë. Kundërshtarët janë mësuar të luajnë në finalet e Europianit dhe të Botërorit. Flasim për skuadra të forta si Spanja, Italia, Kroacia.. Ne duhet të provojmë mundësitë tona. E kemi bërë deri tani kundër Republikës Çeke, Polonisë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. E dimë që kundërshtarët janë të fortë. Por në momentin që flitet për tre ndeshje finale të një Kampionati Europian, nuk mund të flasim për një favorit. Të gjithë janë favoritë. Ne do të shkojmë të luajmë futboll, do të bëjmë punën tonë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka”, tha ai.

Trajnieri Silvinjo u shpreh se “lojtarët janë të lumtur që do të shkojnë në finalet e një Europiani. Ishte një ëndërr dhe është një ëndërr për të gjithë ne. Tani do ta shfrytëzojmë këtë mundësi akoma edhe më shumë”. /KultPlus.com

20 shprehje frymëzuese nga të famshme

KultPlus ju sjell disa nga shprehjet më frymëzuese të thënë nga gra të famshme.

“Sapo të heqim dorë nga kërkimi për miratim, e kemi më të lehtë të fitojmë respekt”

Kështu ka thënë Gloria Steinem. Ajo ishte një zë qëndror në valën e dytë të feminizmit, nga vitet 1960 deri në vitet 1980. Për të theksuar vlerën e grave në një shoqëri që tentonte t’i reduktonte ato në rolet e kujdestares dhe amvisës, ajo tha: “Një grua pa burrë është si një peshk pa biçikletë”. Sarkazma e kombinuar me rebelimin.

“Feminizmi është ideja radikale që gratë janë njerëz”

Duket ironike, por është në thelb të luftës së grave për barazi. Angela Davis ishte ajo që e shpiku atë. Ajo luftoi për çlirimin e grave dhe gjithashtu u bë një ikonë e betejës antiraciste që ka vazhduar në SHBA dhe në botë deri më sot.

“Feminizmi nuk ka të bëjë vetëm me gratë, ka të bëjë me lejimin e të gjithë njerëzve të bëjnë jetë më të plotë.”

Jane Fonda shpjegoi se si feminizmi nuk është vetëm një shkak për gratë: të gjithë përfitojnë nga thyerja e kodeve gjinore në shoqëri. Deri më sot, Fonda ka ndërthurur statusin e saj si yll filmi me punën e saj si aktiviste.

“Ne e kuptojmë rëndësinë e zërave tanë vetëm kur na mbyllet goja!”

Malala Yousafzai u bë një simbol i luftës globale të grave kur talebanët donin ta vrisnin për vendosmërinë e saj për të ndjekur shkollën. Që atëherë, jeta e saj ka qenë e gjitha rreth aktivizmit.

“Nëse nuk mund të kërcej, nuk është revolucioni im.”

Emma Goldman, një anarkiste që jetoi rreth fundit të shekujve 19 dhe fillimit të shekullit të 20, përmblodhi nevojën që çdo luftë të përfshijë gëzimin midis mekanizmave të saj.

“Nuk jam e shqetësuar për frikësimin e burrave…”

Kur u pyet për reagimet e burrave ndaj aktivizmit të saj feminist, romancierja dhe eseistja Chimamanda Ngozi Adichie tha: “Sigurisht që nuk shqetësohem për frikësimin e burrave. Lloji i mashkullit që mund të frikësohet nga mendimet e mia nuk më intereson.”

“Ti nuk lind grua, bëhesh!”

Simone de Beauvoir ishte një mendimtare franceze, shkrimet e së cilës në vitet 1960 ndërtuan një pjesë të madhe të teorisë së sotme feministe. Ajo argumentoi se të qenit grua ishte diçka e mësuar nga shoqëria, sesa thjesht caktimi i veçorive trupore në lindje.

“Për një burrë je disi injorant…”

Një burrë më tha se për një grua, unë isha shumë me opinion. Unë thashë, ‘për një burrë je disi injorant’.” Ishte një shuplakë e përsosur nga Anne Hathaway ndaj machismo-së që është ende e pranishme në shumë fusha.

“Ata që nuk lëvizin, nuk i vënë re zinxhirët e tyre.”

Socialistja Rosa Luxemburg (1871-1919) shpjegoi shkurtimisht se si pasiviteti na bën të paaftë të zbulojmë padrejtësinë ekzistuese.

“Pse dua këmbët nëse kam krahë për të fluturuar?”

Frida Kahlo shkroi shumë fraza frymëzuese dhe krijoi art të bukur pamor. Ajo ishte një grua me krahë që luftoi për të qenë e lirë.

“Duhen vite si grua për të hequr qafe atë për të cilën të kanë mësuar të vijë keq.”

Është vërtetuar se gratë kërkojnë falje më shpesh, me të drejtë ose pa nevojë, sesa burrat. Aktorja dhe komediania amerikane Amy Poehler na kujton sesi gratë duhet të deprogramojnë sjellje si kërkimi i vazhdueshëm i faljes. Ata janë socializuar në ato sjellje që në fëmijëri.

“Një grua ka nevojë për para dhe një dhomë të sajën!”

Ky citim nga autorja Virginia Woolf në kapërcyellin e shekujve 19 dhe 20 është histori feministe. Gruaja kishte nevojë të ishte e pavarur, tha ajo, në gjendje t’i përkushtohej krijimit, dhe përtej kësaj, e lirë.

“Nuk dua që të tjerët të vendosin se kush jam unë. Unë dua të vendos vetë!”

Feminizmi i ri në Hollywood-in e shekullit të 21-të ka një zë si Emma Watson. Ajo synon të ndalojë imponimet ndaj grave që shpesh përcillen përmes narrativave filmike apo serialeve.

“Nëse i bindeni të gjitha rregullave, do të humbisni të gjithë argëtimin!”

Aktorja Katharine Hepburn ishte përpara kohe! Një grua e lirë dhe joortodokse në një skenë të Hollivudit që ishte thellësisht heteropatriarkale në mesin e shekullit të 20-të.

“Feminizmi është një formë e humanizmit!”

Në një deklaratë të ngjashme me atë të Jane Fonda (‘duke i lënë të gjithë njerëzit të bëjnë jetë më të plotë’), autorja Siri Hustvedt pohon se feminizmi është një kategori e gjerë në mbrojtje të të gjitha qenieve njerëzore.

“Dil dhe bëj diçka. Burgu nuk është dhoma jote, je ti!”

Shkrimtarja Sylvia Plath jetoi një ekzistencë të munduar. Në vepra të tilla si ‘The Bell Jar’, ajo la dëshminë e dikujt që luftonte me të gjitha forcat për të qenë një grua e lirë.

“Je i lirë të rishpikësh veten!”

Margaret Atwood, autore e ‘The Handmaid’s Tale’, është një besimtare e fortë në fuqizimin e femrës. Në kundërshtim me besimet tradicionale, gratë nuk kufizohen vetëm në një rol, thotë ajo. Ata mund të jenë kushdo që duan të jenë.

“Dashuria ka qenë opiumi i grave!”

Kate Millett ishte një figurë qëndrore në feminizmin e valës së dytë. Citimet e saj kanë qenë stimuluese dhe provokuese. Si ky: “Dashuria ka qenë opiumi i grave… Ndërsa ne donim, burrat sundonin!”.

“Disa gra zgjedhin të ndjekin burrat, dhe disa gra zgjedhin të ndjekin ëndrrat e tyre”

Lady Gaga është një shembull se si të jesh grua në shekullin e 21-të, të kesh sukses dhe të mos humbasësh në përpjekje.

“Mos e hesht trupin…”

Lena Dunham është një zë interesant dhe nganjëherë kontrovers feminist. Ajo në punën e saj ka treguar trupa që nuk përputhen me stereotipet mbizotëruese. “Mos i heshtni”, thotë ajo. Në këtë mënyrë ajo lufton përjashtimin e disa llojeve të trupave, mbron diversitetin dhe shkon kundër imponimit të kanuneve seksiste. /KultPlus.com

Biseda pa censurë e Rugovës me Bekim Fehmiun

Fotografi Ilaz Bylykbashoshi ka publikuar vitin e kaluar disa fotografi nga një takim i Presidentit Ibrahim Rugova me aktorin e njohur Bekim Fehmiu.

Ai ka shkruar pa censurë një pjesë të bisedës mes Rugovës e Fehmiut.

Të dy e kishin lavduar njëri-tjetrin, por aktori e kishte bërë në një mënyrë më të pazakontë.

Ibrahim Rugova: “Bekim Fehmiu ju adhurojë për prezantimin e denjë që i keni bërë kombit nëpër botë”! Bekim Fehmiu: “President mendojë që ju i keni koqet deri tek gujt”!”, ka shkruar Ilaz Bylykbashi në përshkrimin e fotografive. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ilaz.bylykbashi.5/posts/3245961445662382?ref=embed_post

Petrit Halilaj ftohet nga muzeu Metropolitan i Artit në Nju York

Vepra e Petrit Halilajt do të çelet në Muzeun Metropolitan të Artit në prill të vitit të ardhshëm. Sipas muzeut, artisti Halilaj, i cili jeton mes vendlindjes së tij Kosovës dhe Berlinit, është ftuar të transformojë tarracën e muzeut në një instalacion arti bashkëkohor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artisti Halilaj tha se ftesa nga Muzeu Metropolitan i Artit, që përmban njërin prej koleksioneve më të mëdha të artit në botë e që sipas tij ka shumë pak artefakte të ekspozuara nga Kosova dhe Ballkani, është një nder i veçantë, të cilin ai do ta shfrytëzojë për të reflektuar mbi lidhjet e Kosovës me rajonin në rrafshin kulturor dhe politik, si dhe ndërlidhjet e vendlindjes së tij me Shtetet e Bashkuara.

“Është emocion shumë i madh, sepse vetëm ta vizitosh Muzeun Metropolitan është emocion i madh, koleksionin që rrugëton në kohë deri në 5,000 vjet para nesh dhe ku tregohen fragmente nga e gjithë bota, qoftë përmes artefakteve, qoftë përmes arkitekturës. Në tarracën e Muzeut një herë në vit bëhen porosi me një artist të artit bashkëkohor. Në këtë rast, kur e pranova ftesën, nuk munda ta besoja. Jam tepër, tepër i lumtur.”

I lindur në fshatin Runik në Kosovë, artisti 37-vjeçar sjell në punimet e tij fragmente të përjetimeve personale të luftës në Kosovë, lidhjet me jetën e tij në fshat, që në tokën e tij ka ruajtur gjurmët e një civilizimi neolit, shpeshherë të vendosura përballë, ose në bashkëbisedim me përjetimet universale të përvojës njerëzore – një udhëtim në kufijtë realë dhe imagjinarë të identitetit të krijuar dhe të imponuar, lidhjet e njeriut me tokën dhe me të kaluarën, lirinë – ose mungesën e saj – për të qenë dhe për të lëvizur.

Vepra në muzeun e Nju Jorkut, thotë artisti Halilaj, meqë realizohet në tarracën e këtij institucioni, do të jetë në harmoni me realitetin urban të qytetit metropol, me qiellin dhe vet ndërtesën e muzeut.

“Është projekt në të cilin po punoj prej një viti e gjysmë intensivisht. Për dallim prej projekteve tjera, ndoshta është momenti kur pata nevojë dhe dëshirë të filloj një kërkim mes Nju Jorkut dhe Kosovës. Në dy vitet e fundit kam qenë në shtetet rreth nesh – Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, shtetet e ish-Jugosllavisë dhe isha shumë i interesuar të kuptoj relacionin mes nesh dhe rajonit dhe të filloj një bashkëbisedim. Ne e dimë që historikisht dhe në aspektin kulturor ka zbrazëtira të prezencës së zërit tonë, edhe si kulturë, edhe si realitet dhe jam i interesuar me pa se si mund të punojmë, qysh mund të rinjihemi në rajon, duke filluar me një shkëmbim të njohurive që kanë të bëjnë me kulturën.”

Veprat e Petrit Halilajt, që vijnë në forma të ndryshme, tashmë janë ekspozuar në galeritë më të njohura në Evropë. Në vitin 2013, Halilaj përfaqësoi Kosovën për herë të parë në debutimin e shtetit të ri në Bienalen prestigjioze të Venedikut. Në Tate St. Ives, në Britani të Madhe, ekspozita e tij personale në vitin 2021 bazohej në vizatimet e zogjve të larmishëm dhe pamjet e luftës dhe shkatërrimit që kishte sjellë ajo në Kosovë, që ai i kishte realizuar ndërsa qëndronte në kampin e refugjatëve në Kukës, në pranverën e vitit 1999. Në këtë fotografi, kur ai ishte 13 vjeç, shihet ndërsa priste për bukë në radhët e gjata së bashku me refugjatë të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Në ‘Muzeun e Izraelit’, në Jerusalem, ai ka rikrijuar varësen e nënës së tij me xhevahire, që ajo e kishte fshehur në një gropë në oborrin e shtëpisë për ta shpëtuar nga lufta. Varësja ishte i vetmi kujtim që mbijetoi nga shtëpia. Në veprën e rikrijuar, xhevahiret nuk ishin me shkëlqim; Halilaj i kishte mbushur ato me copëzat e shtëpisë së djegur në luftë.

Në Meksikë, në muzeun Tamayo, ku javën e kaluar Halilaj ka hapur ekspozitën e parë personale në Amerikën Latine, me titull “Runik”, ai rikrijon strukturën e shtëpisë së sotme të familjes së tij në Kosovë. Meksika, si shumica e shteteve të Amerikës Latine, nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe nuk i lejon shtetasit kosovarë të udhëtojnë në këtë vend.

“Këto barriera, kur folëm për lirinë personale, ato kolektive, janë pjesë dhe trajtohen në ekspozitë. Kjo ekspozitë sjell për herë të parë bashkë më shumë se 12 projekte në të cilat kam punuar në vitet e fundit. Në arkitekturën dhe në vet ndërtesën e muzeut Tamayo kam vendosur të sjellë një ndërtesë tjetër, që në këtë rast vjen nga Kosova, që është struktura e shtëpisë që kemi ndërtuar me familjen pas luftës, shtëpisë që kemi ndërtuar në Prishtinë, por që është strukturë dhe plan i njëjtë i shtëpisë në Runik. Meqë anëtarët e familjes nuk mund të vinë në Meksikë, sepse Meksika nuk e njeh Kosovën, kam vendosur që krijesa dhe skulpturat të të gjitha projekteve të tjera të vijnë në muze. Shumica e tyre e shohin njëra-tjetrën për herë të parë. Për mua ka qenë eksperiencë goxha interesante.”

Në mesin e tyre, sipas Halilajt, është një skulpturë në formën e fluturës, ngjyrat e së cilës janë realizuar nga shtëpia e fëmijërisë në Runik, e djegur gjatë luftës. Pluhuri i zi i instalacionit të fluturës është bërë nga pluhuri i drurit të djegur nga kulmi i shtëpisë, ndërkohë që pluhuri i bardhë është realizuar nga gurët e mureve.

Por, krahas këtyre gjurmëve të së kaluarës së dhimbshme, Halilaj ka krijuar një realiteti paralel që sfidon realitetin shpeshherë të ashpër të zhvillimeve politike dhe përçarjeve që karakterizojnë sot përvojën njerëzore. Në bashkëpunim me kompaninë kryesore ajrore të Meksikës, Aeromexico, ai ka shndërruar një Boeing të saj në një pulë, që me mbishkrimin “Nga Runiku me dashuri” po shëtit i lirë, pa barriera politike e kufij gjeografik, mbi qiejt e kontinentit amerikan.

Halilaj i vendos përballë njëra tjetrës përvojat e etapave të ndryshme të kërkimit të tij personal në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të rimëkëmbjes së lindur nga një traumë personale dhe kolektive e thellë, shpeshherë duke i detyruar të tjerët dhe veten që në përpjekje për të shijuar artin e tij ta ngrejnë kokën lart, për të parë yjet, për të parë qiellin.

“Puna ime prej fillimit është ndërlidhur me eksperiencat personale dhe kur i shoh këto fotografi të vitit 1999, fotografi që na ndërlidhin të gjithëve, sepse është një memorie kolektive e luftës që kemi kaluar, vështirësive që kemi kaluar. Mendoj që vet lufta është pjesë e një ëndrre për një jetë më të mirë dhe prandaj emocionohem sa herë që e shoh, sa herë që i rikujtoj këto momente. Por janë edhe momente që na kanë krijuar dhe jemi ata që jemi duke iu falënderuar këtij udhëtimi të përbashkët. Si artist janë pjesë e rrëfimeve që kam dëshirë t’i tregoj. Ekspozita në MET është një tjetër rrugëtim, që po shpresoj dhe jam tepër i lumtur që ky projekt do të vijë në Amerikë sepse e di që edhe komuniteti shqiptar në Amerikë është shumë i madh, mirëpo edhe vet Shtetet e Bashkuara janë aktor shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë historik.”

Vepra e Petrit Halilajt do të çelet për publikun në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork më 29 prill të vitit 2024 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 27 tetor. /ZeriAmerikes /KultPlus.com

Shqipëria nis aventurën ndaj Italisë në “EURO 2024”

Shqipëria ka mësuar kundërshtarët për Euro 2024, shkruan KultPlus.

Ky konsiderohet edhe si grupi i ‘vdekjes’, derisa është mësuar edhe orari i ndeshjeve.

Orari i ndeshjeve të Shqipërisë në kuadër të grupit B të “Euro 2024”.

15 qershor: Italia – Shqiperia, Dortmund;

19 qershor: Kroacia – Shqiperia, Hamburg;

24 qershor: Shqiperia – Spanja, Düsseldorf. /KultPlus.com

Ribashkohen yjet e “Home Alone”

Macaulay Culkin shijoi një ribashkim të ëmbël me aktoren Catherine O’Hara, teksa e prezantoi atë në ceremoninë e yllit të tij në Hollywood Walk of Fame të premten.

Culkin, 43, portretizoi rolin kryesor të Kevin McCallister në ekskluzivitetin Home Alone, duke filluar me filmin ikonik në 1990 dhe vazhdimin e tij në 1992 – së bashku me O’Hara, 69, si nënën e tij të shumëvuajtur Kate.

O’Hara preku me butësi fytyrën e Culkin-it ndërsa ajo mbajti një fjalim të përzemërt për aktorin – 33 vjet pas takimit të tyre të parëm shkruan DailyMail.

Ajo tha: “Home Alone ishte, është dhe do të jetë gjithmonë një sensacion i dashur global, arsyeja që familjet në të gjithë botën nuk mund të lënë një vit të kalojë pa parë dhe dashuruar Home Alone së bashku, është për shkak të Macaulay Culkin”.

Duke e quajtur performancën e Culkin ‘perfekt’ ajo shtoi; “E di që keni punuar shumë, e di që keni punuar, por e keni bërë aktrimin të duket si gjëja më e natyrshme në botë për t’u bërë”. /KultPlus.com

Ekspozita “Motrat tona”, një aktivizëm artistik, kundër dhunës ndaj gruas shqiptare

Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ekspozita “Motrat tona” shpërfaq një vepër feministe, konceptuale video arti, në të cilën motërzohet kryevepra e pikturës shqiptare “Motra Tone” e piktorit Kolë Idromeno.

Ekspozita “Motrat tona” është një aktivizëm artistik, kundër dhunës ndaj gruas shqiptare, në të gjitha format e ushtrimit të saj. Ekspozita “Motra tona” paraqitet përmes pesë video-instalimesh dhe dy instalacionesh pasqyruese, të shoqëruara nga një performancë ekzekutuese në ditën e hapjes.

“Motrat tona” është një motërzim i “Motrës Tone”, sa në imazh dhe figurë, aq më shumë si një transfigurim i tragjizmit të vajzës dhe gruas shqiptare, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 dhe e dhunës mbi bazë gjinore në vitet pasuese.

“Motrat tona” rikonceptualizon ikonën e “Motrës Tone” dhe e rikontekstualizon në aktualitetin e përditshmërisë së “Motrave tona”, që janë viktima të dhunës mbi bazë gjinore. “Motrat tona” rikonceptualizon ikonën e “Motrës Tone” dhe e rikontekstualizon në aktualitetin e përditshmërisë së “Motrave tona”, vajzave dhe grave që janë viktima të dhunës mbi bazë gjinore.  

Figura e “Motres Tone” është marrë si imazh ikonik i vajzës dhe gruas shqiptare, e ngjallur në dukjen e artistes feministe Ms. Indefinite e cila duke u trupëzuar nën petkun e “Motrës Tone” ka përmbledhur në instalacionet dhe performancën e saj, imazhe, gjeste dhe lojë me ngarkesa kuptimore denoncuese ndaj dhunës mbi bazë gjinore.

Gërsheti i ekspozitës, gërshetohet në një performancë kriticizmi dhe aktivizmi në trajtat e dhunës mbi bazë gjinore, nga varrët që kullojnë gjak deri te kufoma që kthehet në skelet. /KultPlus.com

Jemi shumë vonë edhe për një reagim të vonuar

Shkruan: Fitim Uka

Para se të jetë vrasje është dhunë fizike… para se të jetë dhunë fizike është presion psikologjik, para se të jetë presion psikologjik është dhunë verbale… e para dhunës verbale është cenim i lirisë, kufizim, kontrollim… e dikur janë të gjitha bashkë në një rend që duket kaotik (por nuk është i tillë). Ne reagojmë kundër vrasjeve dhe këtë e bëjmë vetëm pasi vriten brutalisht gratë, por heshtim kur është dhunë psikologjike që ushtrohet çdo ditë ndaj tyre. Prandaj, gjithëherë jemi shumë vonë.

Ne heshtim përballë dhunës,
Ne shohim dhe njohim dhunën, jemi dëshmitarë të dhunës në familje; çdo ditë lexojme për dhunën në shkolla; shohim pamjet e rrahjeve, përplasjeve dhe konflikteve fizike në hapësirat publike (ndonjëherë edhe bëjmë tifo); por në të shumtën e rasteve jemi vëzhgues pasiv dhe të heshtur të saj. Meqë nuk na ndodh neve, kujt i bën për të!
E në fakt, dhuna modelohet. Kush dhunohet sot, mund të kthehet në një dhunues nesër… Kush e vëzhgon dhunën sot, mund të jetë demonstures i dhunës nesër. Por, ne heshtim përballë dhunës dhe kështu e kemi kthyer në një kulturë të pranueshme, pa e kuptuar që kështu po bëhemi një me të! Duke heshtur, inkurajojmë gabimisht gratë që të durojnë edhe dhunën fizike… I njohim dhe i shohim teksa ato dhunohen fizikisht, por prap heshtim, derisa ato të kthehen në viktima.

Ne heshtim përballë presionit dhe traumës psikologjike,
Na rrëfejnë, i shohim dhe i dëgjojmë, jemi prap vëzhgues pasiv të përvojave që iu ndodhin nënave, motrave, vajzave tona… njohim dhe shohim dhunën, përmbajtja e të cilës nuk është fizike, por mund të jetë edhe më e rëndë se kaq – dhunë psikologjike e me pasoja afatgjate. Hulumtimet tregojnë që çdo e dyta grua e ka përjetuar provokimin e ndjenjës së frikës, rrezikut personal, apo kërcënimit të dinjitetit. Ju ftoj që për pak të mendoni se si është ndjenja e të qenurit në lëkurën e atyre që zgjohen me frikën e përjetimit të dhunës, si është të ballafaqosh për çdo mbrëmje kërcënimin që mund të mos jesh nesër?! Dhe, ne prap heshtim. Sepse kërcënimi nuk është aq i rrezikshëm sa vrasja, derisa nuk bëhet vrasje – për të qenë shumë vonë.

Ne heshtim kur cenohet liria,
Harrojmë që ndonjëherë plagët e trupit, sado të rënda, peshojnë më pak se disa plagë shpirti. Harrojmë ndonjëherë, që çdo mjet që përdoret për të shkaktuar lëndime trupore, mund të jetë më pak i dëmshëm se sa gjuha, fjala, komunikimi denigrues që thyen ëndrrat e godet shëndetin e mirëqenien psikologjike… dhe përcjell gjithë jetën. Harrojmë, që kur cenohet liria, është dhunuar qenia, është zvetnuar humaniteti i saj, dhe ka vdekur pa e kuptuar. Prandaj, kufizimi, kontrollimi, imponimi janë shenjat e para të asaj që nesër mund të jetë vrasje. Dhe, nëse heshtim sot, nesër mund të jetë vonë.

Por, ne heshtim, e duke heshtur bëhemi një me dhunën dhe krimin. Pandehim pafajësinë, teksa sodisim me sy hapur se si shoqëria përjeton një kolaps vlerash dhe si lakmia merr tipare çmendurie. Teksa, vrasja e njeriut është një akt i vetëm, një shoqëri vritet në proces – gradualisht dhe me gjakftohtësi, kështu duke heshtur e duke e refuzuar fajin. Ne, jemi të parët për t’i gjetur arsyen një vrasjeje, por harrojmë që arsyet janë të shumëfishta e të ndërvarura. Harrojmë dhe injorojmë faktorë të panumërt, që na kanë kthyer në një shoqëri të dhunshme, në vrasës, në kanibal. Harrojmë që ne jemi bashkëfajtorë!

Ne heshtim,
atëherë kur edukimi i fëmijëve është larg standarteve dhe renditemi të fundit në PISA,
atëherë kur fëmijët tanë ekspozohen lirshëm në përmbajtje të tmerrshme agresive në platforma të ndryshme audio-vizuale,
atëherë kur dëgjojnë dhe shijojnë me zë të lartë fjalor urrejtjeje dhe internalizojnë atë,
atëherë kur superheronjtë e fëmijëve tanë janë tufa rrugaqërish, që nuk prezantojnë asnjë vlerë,
atëherë kur përdhunohet intelekti ynë me atë që prezantohet dhe miratohet si vlerë dhe ku thashethemja është prioritet (që të mos përmend emra),
atëherë kur fëmijët tanë përballojnë kriza të ndryshme identiteti, përjetojnë stres a antkh, e fshehim dhe nuk e diskutojmë me askënd.
Ne heshtim dhe bashkë me heshtjen rrisim një brez fëmijësh që dhunën e kanë parë, e kanë dëgjuar, e kanë modeluar dhe presin për ta vënë në pah si “potencial”. Pastaj, kur ndodh vrasja jemi të zëshëm… protestojmë kur vriten gratë, dhe ky reagim zgjat disa ditë… dhe ne prap heshtim. Heshtim, dhe me heshtjen, vrasim qetas jo vetëm gratë, por gjithçka që na bën njerëzor.

Prandaj, është vonë të reagohet sot, e edhe më vonë do të jetë nesër, teksa dje kemi soditur rrënimin e secilës vlerë njerëzore (sot po bëjmë po kështu). Parandalimi është rruga e vetme, por mund të jetë edhe larg edhe vonë… por domosdoshmërisht duhet veprim. E parandalimi kultivohet në familje, në shkollë, në rrugë, në medie dhe është produkt i multisistemeve. Nuk është pronë e deklaratave të mira e kampanjave pa takt (të fragmentuara dhe të pakoordinuara), dënimeve verbale, por pronë e punës dhe e përkushtimit të mirëfilltë njerëzor. Është model – shembull.
Le ta nisim nga vetja, nga familja jonë, në lagjen tonë, në shkollën e fëmijëve tanë, në vendin tonë të punës, për të krijuar një normë të re, që dhunën e sheh si të papranueshme dhe e lufton para se të nxjerrë krye! /KultPlus.com

Promovohet në Gjakovë, romani më i i ri i shkrimtarit, politikanit dhe diplomatit, Besnik Mustafaj

“Fati i marrë” një libër homazh për historinë e Gjakovës

Shkruan : Blerim Valla 

Në Gjakovë, organizuar nga klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe Komuna e Gjakovës, është promovuar romani “Fati i marrë” i autorit Besnik Mustafaj. 

Padyshim është kjo vepra më e mirë e shkrimtarit, politikanit dhe diplomatit të njohur. Është një roman i shkruar me plot mjeshtri dhe dashuri për Skënderbeun por edhe për shqiptarët. Brendia e tij është një shkrirje e historisë së mirëfilltë, ngjarjeve dhe personave të vërtetë me trillimin tipik që vetëm shkrimtarët si Mustafaj, dinë ta ndërtojnë, duke na bërë të pyesim mes asaj që ka ndodhur e asaj që mund të kishte ndodhur, pra : A është fati për shqiptarët paraprakisht i shkruar? A janë shqiptarët ata që nuk kanë mundur apo nuk kanë ditur t’i marrin në dorë frerët e fatit? Dhe a është i marrë fati që na ka ndjekur dhe që përherë na ka prirë si komb dhe si vend? “Fati i marrë” është një roman i përzier mes personazhesh të njohur e panjohur, real e imagjinar, një triller artistik i ndërthurur mes imagjinatës dhe të dhënave historike! Ky është roman distopik (roman distopik është një vepër letrare në të cilën shtjellohet një histori, e cila nga fillimi e deri në fund të tij është e sajuar nga shkrimtari) që ndjek fatin e marrë të Shqipërisë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atë të viteve 1878 dhe më pas ngjarja zhvendoset në Shqipërinë e vitit 2022 e cila themelon institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Kurse dy personazhet e romanit “Fati i marrë” që e kanë frymëzuar autorin e tij janë diplomati Mal Berisha që në vepër është përkthyesi MB dhe publicisti Daut Dauti, që në roman është historiani DD. Kurse personazhi kryesor i romanit, ish- kryeministri i asaj kohe i Britanisë së Madhe, Benjamin Disrael, hyn si personazh i librit të Mustafajt, përmes trillit artistik të ndërtuar aq bukur nga autori.

Për librin “Fati i marrë”, para publikut të shumtë, në këtë promovim kanë folur shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi, studiuesja dr.Migena Arllati, Prof. Muharrem Kurti, dhe botuesi i librit Bujar Hudhri, pronari i shtëpisë botuese Onufri nga Tirana.

Kështu Jusuf Buxhovi  duke marrë fjalën i pari, ka shpjeguar kontekstik historik që trajton tema e romanit, me personazh figurativ që po ashtu sjellin kohën e lavdisë nga figurat kombëtare. “Shkrimtari Besnik Mustafaj, në romanin e tij më të ri “Fati i marrë”, sikur ngreh çështjen e një enigme te një dashurie, e cila kohësisht ka dy pamje (njëra në mesjetë dhe tjetra në shekullin e kaluar), siç ka edhe dy personazhe historike të ndërthurura në përjetimin e saj imagjinativ (Gjergj Kastriotin-Iskander beun me të bijën e Hunijadit hungarez, Idunës dhe të Benjamin Disraelit, kryeministër britanik me Hanën, një malësore nga Veriu shqiptar). Kërkimi i “enigmës” së dashurisë paralele: asaj mesjetare (Gjergj Kastrioti-Iskander beut me Idunën hungareze) dhe të Benjamin Disraelit me Hanën malësore, nëpër rrugë historike (lufta e Skënderbeut kundër osmanëve e vetmja asokohe ndër popujt e pushtuar,  dhe më vonë nëpër  ato politike,  nga koha e Kongresit të Berlinit e deri te pavarësia e Shqipërisë), që për  referencë  kanë pikëtakimin e shqiptarëve me britanikët në planin kulturor, diplomatik dhe shtetëror. Në këtë vorbull të dashurive paralele, shkrimtari ndërthur personazhet historike jashtë fakteve historike, kështu në dashurinë mesjetare shohim Gjergj Kastriotin-Iskander beun, pas takimit me Huniadin, para se të largohet nga beteja e njohur e Nishit, fillimisht të dashurohet me të bijën e mbretit hungarez, Idunën dhe mandej edhe të martohet (pas një konflikti me shumë intriga  me princin grek Niketa). Ndërsa në dashurinë e vonshme, shohim kryeministrin britanik Benjamin Disraeli, me Hanën, gjatë qëndrimit në kullën e Resulajve, në veriun e Shqipërisë. Në këtë histori tragjike, që për Disraelin e kohës së rinisë, duket fare e pabesueshme por reale në një ambient të tillë jetësor të veriut të Shqipërisë , Hana sikur të zbriste nga bota e magjisë së përrallave, shfaqet  “urë” që lidh dashuritë. Leja që Hana të shkojë me të huajin me arsyetimin thuajse mazohist të bashkëshortit “që ajo të jetë e lumtur”, dashuria e tyre rrugës si dhe martesa para se të shkojnë në Londër, në dukje të pakuptueshme për sjelljen e një familjeje fisnore patriarkale, ndërtojnë rrëfimin e një romance ndër më të parëndomtat, që është në gjendje t’i krijojë vetëm imagjinata krijuese e Mustafajt, gjë që arsyetojnë dashurinë e pakufishme për shqiptarët të kryeministrit britanik Benjamin Disraeli dhe të mbretëreshës Viktoria, mbi të cilën bazë ndërtohet edhe i gjithë koncepti i romanit” veçoi J. Buxhovi .  

Kurse Migena Arllati, duke folur për veqorit e këtij libri, ka thnëë se libri bënë fjalë për vonesën e Shqipërisë për më se 3 dekada, për marrjën e pavarësisë, nisur nga fakti se Mustafaj në librin e tij parafytyron Shqipërinë e pavarur që nga viti 1878. Sipas saj, pjesë e librit “Fati I Marrë” , të shkruar në formë të trilerit që e bënë ate  më joshës  për lexuesit, është edhe pyetja “ ku do të ishim ne nëse nuk do të ndodhte ngjarja e përshkruar në këte libër.  Ajo theksoi se titulli i romanit është marrë nga vargjet e veprës “Histori e Skënderbeut”:

“U ngrit fat’ i Shqipërisë/ si i vdekuri nga varri/ mori udhët e Azisë/ duke rendur si i marri”. 

Romani që vjen i konceptuar si një vepër distopike na sjell parafytyrimin e një Shqipërie e cila e gëzon procesin e pavarësisë që në vitin 1878. Prozë distopike quhet proza në të cilën shtjellohet një histori, e cila që në themelin e saj, e detyrimisht gjithkund në trajtesën e mëtejshme, është e sajuar nga shkrimtari. Lexuesi vihet vetvetiu para një diskutimi qoftë edhe me vetveten, rreth kësaj që ne jemi sot, dhe asaj që do mund të ishim, sikur… Pra, ky trill autorial, na detyron të reflektojmë rreth shumëçkaje të ndodhur në arealin shqiptar, dhe sigurisht se veprimet gjeopolitike kanë ndikim direkt në historinë e zonës dhe popujve në të… Dhe mes shumë e shumë pyetjeve, nën pyetjeve, shtrohet ajo A jemi të pafat a jemi të paaftë? A është i marrë fati që kemi pasur?”, përfundoi dr. Arllati.

Ndërkaq, Muharrem Kurti, në fjalën e tij mes tjerash tha se “Besnik Mustafaj nuk është shkrimtar si Ben Blushi, Veton Surroi, Namik Dokle, etj të cilët edhe kur shkruajnë letërsi nuk mund ti ndahen politikës. Ndërsa Besniku (Mustafaj) e lë politikën dhe i kthehet letërsisë dhe atë me shumë sukses, si me këtë roman që po promovojmë sot”.  Kurti poashtu potencoi se në pjesën e dytë të romanit “Fati i marrë”, autori i tij përmend edhe Gjakovën.  

E Bujar Hudhri, nga shtëpia botuese Onufri, e cila ka botuar këtë roman, e ka cilësuar librin “Fati i marrë ” si veprën më të mirë të B. Mustafajt. “Që nga fillimi i krijimtarisë së tij, sidomos pasi i botuam librin “Boshi”, kam parë se z. Mustafaj, është një Ismail Kadare i ri! Pata bekimin dhe fatin të kem një shkrimtar si Besniku, një shkrimtar të madh që më kishte munguar në shtëpinë botuese Onufri! ” , theksoi z. Hudhri.  

Përpos tre referuesve të paraparë, në këtë promovim për romanin në fjalë dhe për autorin kanë folur edhe dr.Kamber Kamberi dhe shkrimtari Lulzim Logu.

Dhe krejt në fund, autori i romanit Besnik Mustafaj, i emocionuar evokoi shumë kujtime për Gjakovën, duke e patur si epiqendër të romanit Malësinë e Gjakovës. Ndër të tjera, autori tha se “Kjo imagjinatë me personazh e me ngjarje të zhvendosura aty ku kam dashur unë, të jep shijen e në rrëfimi për ti kujtuar edhe figurat edhe ngjarjet që janë zhvilluar dikur dhe kanë mbetur me peshë për fatin tonë, por edhe për ti bërë nderim qytetit të Gjakovës dhe gjakovarëve. Me një fjalë ky roman është një libër homazh qe i bëj historisë së lavdishme të Gjakovës! Ne Malësia e Gjakovës, si Tropoja, Bajram Curri etj, i kemi borgj moral Gjakovës! Për gjithë këtë Gjakova  është epiqendër e ngjarjeve të këtij romanit tim më të ri! 

Ideja për këtë roman më lindi kur lexova romanin e Benjamin Disraelit  “Naltësimi i Iskanderit”, me përkthim të Mal Berishës dhe menjëherë më erdhi pyetja: Ҫfarë do të kishte ndodhur me fatin tonë sikur Benjamin Disraeli ta kishte shprehur këtë dashuri ndaj pasardhësve të Skënderbeut nëpërmjet vendimeve politike që do të merrte kur u bë Kryeministër i Anglisë, 46 vjet pas udhëtimit të tij në viset shqiptare? Romani im është distopik. Unë përfytyroj që në vitin 1878, kur e morën pavarësinë, Bullgaria, Serbia e disa vende të tjera, e mori dhe Shqipëria. Në vazhdim, më vonë, Shqipëria është vend anëtar themelues i BE dhe NATO-s, një nga demokracitë më funksionale në Evropë, me mirëqenie të lartë, etj. E gjithë kjo është si ta tregosh një ëndërr apo një përrallë të bukur, por duhet ta bësh të besueshme për lexuesin”, përfundoi z.  Mustafaj.

Duhet cekur se botimi i romanit “Fati i marrë” përkon edhe me 65-vjetorin e lindjes së Besnik Mustafajt, njërit prej shkrimtarëve më të shquar bashkëkohorë shqiptarë, i përkthyer në shumë vende të botes dhe fitues i shumë çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare. Ai është lindur në Bajram Curr, më 23 shtator 1958 dhe është shkrimtar i mirënjohur shqiptar, por edhe një politikan, diplomat, dhe përkthyes. Veprat e tij janë të botuara në shumë gjuhë si shqip, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht, arabisht, turqisht etj. Ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi me librin e tij “Daullja prej letre” më 1997, si dhe shumë çmime të tjera. Veprat tjera të tij më të njohura janë: Motive të gëzuara, Pragu i verës, Fytyrë burri , Bregu i lumit të kthjellët, Vera pa kthim, Shqipëria, midis krimeve dhe mirazheve, Një sagë e vogël, Daullja prej letre, Ditari i një ambasadori në Paris, Boshi, Autoportret me teleskop, Bishti i kometës, Ëndrra e doktorit, Prishur gjate rrugës, Fati etj. /KultPlus.com

Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ua sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Katër parimet e një shkrimtari sipas George Orwell

Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë te “Ferma e kafshëve”. Përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme.

EGOIZËM I PASTËR: Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.

ENTUZIAZËM ESTETIK: Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.

IMPULS HISTORIK: Dëshira për të parë gjërat siç janë dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.

QËLLIM POLITIK: Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njerëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër i pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. /Hejza/ KultPlus.com